image

Lideri i RDK-së, Rufi Osmani ka theksuar se situata e rënduar ekonomike, marrëdhëniet e tensionuara ndëretnike si dhe gjendja e krijuar pas samit të NATO-s në Çikago e që ndërlidhet me vonesat e integrimit të Maqedonisë në institucionet euroatlantike, janë motive të arsyeshme që populli të ftohet në protesta

Gostivar – Duke komentuar protestat e ndërmarra së fundi nga partia opozitare maqedonase – LSDM nëpër qytete të ndryshme të Maqedonisë, lideri i Rilindjes Demokratike Kombëtare, Rufi Osmani nuk ka përjashtuar mundësinë që protesta të tilla të mbahen edhe nga blloku i ri opozitar shqiptar. Osmani ka theksuar se situata e rënduar ekonomike, marrëdhëniet e tensionuara ndëretnike si dhe gjendja e krijuar pas samit të NATO-s në Çikago e që ndërlidhet me vonesat e integrimit të Maqedonisë në institucionet euroatlantike, janë motive të arsyeshme që populli të ftohet në protesta për të shprehur revoltën dhe pakënaqësinë si një formë demokratike ndaj politikave regresive që ndiqen nga garnitura aktuale qeverisëse. “Qëndrimin sa u përket protestave eventuale ne do t’i diskutojmë së bashku me partnerët e ri në kuadër të bllokut opozitar shqiptar, dhe në një situatë të caktuar, në një moment të volitshëm kur ne do të çmojmë, edhe protestat si një mënyrë demokratike e manifestimit të pakënaqësisë me situatën aktuale në vend, pse jo, edhe t’i organizojmë”, potencoi Osmani, i cili vë theksin në vijën ndarëse mes protestave që po organizohen nga opozita maqedonase dhe protestat eventuale të bllokut të ri opozitar RDK, DR dhe BDSH. Rreth organizimit eventual të protestave, Osmani merr si shembull pozitiv protestat dinjitoze të zhvilluara në Gostivar, pas ngjarjes së përgjakshme të vrasjes së dy shqiptarëve nga ana e një efektivi të policisë. “Ne dëshmuan me rastin e vrasjes makabre në Gostivar se kemi potencial dhe kredibilitet te populli që të ftojmë ato të reagojnë ndaj një padrejtësie që u bëhet atyre, në rastin konkret ndaj një padrejtësie kolektive e cila ka koston e humbjes së perspektivës për qytetarët. Mendoj se në momente të caktuara, diçka të ngjashme do të organizojmë me siguri edhe ne”, theksoi Osmani. Liderët e tri partive politike që do të përbejnë aleancën e re opozitare shqiptare në Maqedoni – Rufi Osmani, Kastriot Haxhirexha dhe Bardhyl Mahmuti, pritet që gjatë muajit shtator të konkretizojnë paktin e bashkëpunimit mes tyre për zgjedhjet e ardhshme lokale të vitit 2013, si dhe zgjedhjet eventuale të parakohshme parlamentare