Festivali i Filmit në Split të Kroacisë, që sivjet shënon edicionin e tetë, do të hapet me filmin e metrazhit të gjatë me tematikë shqiptare “Burrneshat”, me regji të regjisores italiane, Laura Bispuri.
Festivali do të nis më 5 qershor dhe do të zgjasë deri më datën 13. Në të do të prezantohen 66 filma nga 31 shtete. Ndërkaq, vetëm Kroacia do të prezantohet në këtë festival me 45 premiera filmike.

Filmi “Burrneshat” është i mbështetur në romanin e Elvira Dones “Hana” dhe flet për Hana Dodën, e cila kur është ende një vajzë e vogël, braktis fatin e saj për të qenë thjesht një bashkëshorte dhe shërbëtore, e ardhme e detyruar kjo për gratë në malet e ashpra të Shqipërisë. Duke ndjekur udhëzimet e ungjit të saj, i bindet ligjit të vjetër të Kanunit, i cili i jep grave mundësinë për të jetuar të lirë si burrat dhe pasur një pushkë, duke marrë në këmbim betimin e virgjërisë të përjetshme.
Në Prishtinë ky film u shfaq në kuadër të PriFilmFestit, në kinemanë e hapur në shesh.