Ishin heronjtë e ndeshjes duke përmbysur rezultatin dhe duke i dhënë fitoren kombëtares së Zvicrës ndaj Serbisë.

Por Xhaka e Shaqiri përveç fushës së lojës, “pushtuan” edhe mediat dhe rrjetet sociale me veprimin e tyre gjatë festimit të golave.

Dy futbollistët me origjinë shqiptare festuan duke bërë me duar shqiponjën.

Për këtë gjest ata do të jenë subjekt i një hetimi të hapur nga trupi disiplinor i FIFA-s.

Në një deklaratë të nxjerrë nga FIFA mbrëmjen e së shtunës, thuhet:

“Komisioni Disiplinori i FIFA-s ka hapur një procedurë disiplinore ndaj lojtarëve të Zvicrës, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri për festimet e tyre të golave kundër Serbisë.

Në lidhje me të njëjtën ndeshje, janë hapur edhe procedura disiplinore ndaj Federatës së Serbisë, për shfaqje të mesazheve politikë nga ana e tifozëve serbë, si dhe për rrëmuja tifozësh.

Gjithashtu, një hetim është hapur edhe kundër trajnerit të Serbisë, Mladen Krstajiç për deklaratat e bëra në përfundim të ndeshjes.”

Hetimi ndaj Krstajiç është hapur për komentet e bëra pas ndeshjes, ku ai thotë: “Për fat të keq, vetëm serbët dënohen nga një drejtësi selektive. Më përpara Gjykata e Hagës, ndërsa tani Var”.

Por krahasimi me Gjykatën e Hagës, ku gjeneralët serbë janë dënuar për krime ndaj njerëzimit duket se do ti kushtojë shtrenjtë trajnerit serb.  

Sipas mediave ndërkombëtare, Shaqiri dhe Xhaka rrezikojnë të gjobiten, por nuk përjashtohet të pezullohen dhe për një ndeshje.

Pas ndeshjes, që ekipi i tij e fitoi 2-1, trajneri boshnjako-zviceran Vladimir Petkoviç është pyetur në lidhje me festimet e lojtarëve të tij, duke thënë se “kurrë nuk duhet të ngatërrohet futbolli me politikën. E rëndësishme është të jesh tifoz dhe të respektosh të tjerët. Ishte një atmosferë e mrekullueshme dhe kjo është ajo që duhet të bëjnë tifozët”.

Shpërndaje artikullin në: