Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar sot ‘Statistikat Sociale’.

Sipas këtyre statistikat, shkalla e papunsisë tek të rinjtë e moshës 15 deri 24 vjeç është 48.9%.

Ndërsa në përgjithësi, shkalla e papunësisë në Kosovë është 24.5%.

Nëse i kthejmë në numra, 382 mijë persona në Kosovë janë të punësuar, kurse të papunë janë 123 mijë të punësuar. 

Në një intervistë për Euronews Albania në emisionin Balkan Talks me gazetarin Franko Egro, lideri i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti rrëfeu për planet e tij të qeverisjes, marrëdhënien me Shqipërinë, minishengenin ballkanik, si dhe për dialogun me Serbinë.

I pyetur rreth rrugëtimit të tij politik si një figurë apolitike dhe rebele, z. Kurti tha se ai ka një eksperiencë 23-vjeçare në politikë ka qenë vazhdimisht në opozitë.

“Radikalizmi im nuk ka buruar nga karakteri im i fortë, por nga temat para meje,” u përgjigj z. Kurti duke shtuar se tanimë që do të marrë postin e kryeministrit nuk do t’i duhet të jetë më radikal.

Ai gjithashtu foli për marrëveshjen me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe harmonizimin e programit, ku shpalosi planet e tij të qeverisjes në koalicion me partinë e dytë që mori më shumë vota.

“Jemi fitues me diferencë jo të madhe 2%, 30 deputetë ne dhe 28 LDK,” saktësoi lideri i VV.

Pyetjes lidhur me luftën e korrupsionit dhe krimit të organizuar, z. Kurti iu përgjigj duke thënë se planifikon të mundësojë luftë pa kompromis për korrupsionin, si diçka thelbësore për ekonominë, por edhe për demokracinë.

“Ne kemi nevojë që ta përgatisim mirë dialogun me parime, të rishohim marrëveshjet, sidomos dialogun me Brukselin,” tha lideri i Vetëvendosjes, duke shtuar se zgjedhjet në Serbi janë këtë pranverë, por dialogu i ri pavarësisht se nis para tyre nuk do të mbyllet atje.

“Me Serbinë nuk pajtohemi, jo vetëm sa i përket vlerave për të ardhmen, por edhe fakteve nga e kaluara.”

Kurti shtoi se Kosova është republikë parlamentare dhe si e tillë i takon kryeministrit të udhëheqë dialogun, jo presidentit.

Ai i qëndroi vendimit për të zbatuar reciprocitet të plotë me Serbinë lidhur me taksën 100% sikurse pati premtuar në një intervistë për Euronews Albania edhe përpara zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë.

Pyetjes çfarë nuk ka funksionuar në marrëdhëniet me Shqipërinë, pas ceremonive mbresëlënëse të bashkëpunimit, lideri i VV tha se ka pasur kryesisht një qasje ceremoniale dhe se ai synon të krijojë komisione të përbashkëta qeveritare.

Termin “Shqipëri e Madhe” megjithatë Kurti e hodhi poshtë si të krijuar në Beograd dhe tha se ai megjithatë shpreson që të bëhen hapa para për integrimin dhe afrimin drejt bashkimit të shqiptarëve, sipas tezës së prof. Ukshin Hotit se BE dhe Bashkimi Kombëtar as nuk e zëvendësojnë dhe as nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën.

I pyetur për “mini-Schengenin” ballkanik, z. Kurti tha se nevojitet një aleancë ballkanike, por ajo duhet të fillojë me Kosovën e Shqipërinë, të vazhdojë me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, Sarajevën, Sofjen dhe së fundmi t’i bashkangjitet Serbia nëse e sheh të nevojshme.

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë në emisionin Pressing në T7 se nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk ia lejon postin e presidentit, atëherë nuk do të ketë marrëveshje për koalicion mes tyre.

Negociatat për lidhje të koalicionit kanë ngecur pasi që LDK po kërkon nga VV që t’ia lejojë propozimin për post të presidentit.

“Nëse nuk marrim postin e presidentit, shkojmë në opozitë”, ka thënë Hoti.

“Ne jemi partia më e vjetër në Kosovë dhe si të tillë kemi përvojë në ndërtimin e institucioneve. Po ashtu ne jemi parti shtetndërtuese dhe si e tillë kemi futur historikisht njerëzit më të mirë të mundshëm nëpër poste drejtuese”

“Ky nuk është kushtëzim. Është një qasje ferr nga partia më e vjetër në Kosovë e cila po pranon që kryeministri të i takojë Lëvizjes Vetëvendosje”. /Express/

Nobelisti Peter Handke është shpallur person i padëshirueshëm në Republikën e Kosovës. Vendimi është marrë sot dhe është bërë publik nga ministri i Jashtëm kosovar, Behgjet Pacolli.

“Sot kam vendosur ta shpall Peter Handke si persona non-grata në Kosovë për shkak të mbështetjes që ai i dha Millosheviçit dhe politikave të tij gjenocidale në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë dhe mohimin e gjenocidit të kryer nga Serbia. Ai dhe Komiteti i Nobelit treguan mos-respekt ndaj viktimave të genocidit”, shprehet Pacolli.

Shkrimtari dhe laureati i Çmimit Nobel për Letërsi, Peter Handke, njihet për mbështetjen që i ka dhënë Sllobodan Millosheviçit dhe luftërave të përgjakshme që ai kreu në ish-Jugosllavi.

Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Turqia dhe Afganistani bojkotuan ceremoninë e ndarjes së çmimit Nobel në Stokholm, duke kritikuar edhe vendimin e Akademisë suedeze, ndërkohë që mbështetje u dha nga liderët serbë.

Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu konfirmon se brenda kësaj jave do të takohen lideri i VV-së, Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa me qëllim të finalizimit të marrëveshjes për krijimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Por nëse LDK vazhdon të insistojë për presidentin atëherë alternativa e vetme sipas Haxhiut është që vendi të shkojë në zgjedhje.

Madje Haxhiu këtë kërkesë të LDK-së e ka quajtur të pakuptimtë.Sipas saj nuk ka pasur veprime të ngutura për krijim të koalicionit qeverisës pasi ende edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk e ka thirrur seancën për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Haxhiu në një intervistë për KosovaPress është shprehur optimiste për koalicionin mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së , pasi sipas saj çështja e presidentit është ajo që i ka dalluar këto dy subjekte pasi që në të gjitha pikat tjera ata janë dakorduar.

 Lidhur me atë se koalicionin ndërmjet  VV-së dhe LDK-së po e lë pezull edhe ndarja e disa ministrive, Haxhiu tha se ajo nuk qëndron pasi sipas saj të gjithë ministrat pavarësisht cilit subjekt do i takojnë ata do jenë llogaridhënës tek kryeministri në ardhje, Albin Kurti.

Ndryshe, takimi i fundit që u zhvillua në mes  liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa ka ndodhur më 2 dhjetor,  ndërsa nga ajo ditë nuk është zhvilluar asnjë takim tjetër.Ndërsa, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit e ka bërë më 27 nëntor.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk po e kanë të lehtë t’i ndajnë postet politike, edhe pse për programin bashkëqeverisës tashmë janë dakorduar.

Njohës të çështjeve politike vlerësojnë se mosmarrëveshja për ndarjen e posteve është zhgënjyese për elektoratin e të dy partive. “Nëse nuk arrihet një marrëveshje e shpejt ndërmjet këtyre dy partive, analistët vlerësojnë që një qeveri kalimtare do ta shpëtonte vendin nga ngërçi politik.

Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndonëse patën premtuar që menjëherë pas certifikimit të zgjedhjeve do ta zyrtarizojnë koalicionin qeverisës, tashme kur janë bërë më shumë se një javë, ende nuk ka ndodhur një gjë e tille.

Pengesa kryesore është mosmarrëveshja për ndarjen e posteve politike. Analisti politik, Blerim Burjani, vlerëson se mosmarrëveshja e LVV dhe LDK-së për ndarjen e posteve politike është dëshpëruese për elektoratin e dy partive. Sipas Burjanit, nëse këto dy parti nuk do të mundë të merren vesh për bashkëqeverisje, zgjidhja e duhur do të ishte një qeveri kalimtare, vetëm sa për t’i përfunduar disa punë që, sipas Burjanit, nuk presin.

“Ndoshta opsioni më i mirë, për të mos shkuar direkt në zgjedhje të jashtëzakonshme do të ishte krijimi i një qeverie kalimtare, pra, një qeverie që do të jetë reformuese dhe do ta ketë votën e parlamentit aktual, d.m.th të këtyre që kanë fituar mandatin e deputetëve, dhe ta respektojnë mandatin e një qeverie kalimtare për periudhën 9 mujore apo së paku për periudhën njëvjeçare”, tha Burjani

Ndërkaq, njohësi i Kushtetutës, Mazllum Baraliu, thotë se Lëvizja Vetëvendosje bashkë me LDK-në, do të duhej të merren vesh sa më shpejt dhe të fillojnë qeverisjen. Ndryshe, Baraliu mendon që sipas Kushtetutës ka afat mjaftueshëm që këto dy parti të merren vesh dhe vendi të mos kalojë në ngërç politik, siç ka ndodh më parë.

“Dy partitë fituese duhet t’i flasin arsyes dhe të merren vesh pa kërkesa të mëdha dhe antikushtetuese, dhe të bëjnë një koalicion dhe të fillojnë qeverisjen, pasi ka shumë punë të mbetura përgjysmë nga qeverisja e kaluar, dhe ka shumë probleme që lidhen me miratimin e buxhetit, që është i lidhur me afat ligjor” , theksoi Baraliu.

Baraliu gjithashtu, vlerëson se mosmarrëveshja për ndarjen e posteve politike mes LVV dhe LDK-së është zhgënjyese për elektoratin e dy partive.

“Elektorati i këtyre dy partive nuk ia ka dhënë mandatin dhe as besimin asnjërës prej këtyre dy partive që të bëjnë kalkulime politike dhe tregti politike, të kërkojnë në mënyrë irracionale dhe të pamerituar poste të cilat në asnjë mënyrë nuk do të duhej të hynin në matematikat e kësaj marrëveshjeje”, deklaroj Baraliu

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me 27 nëntor ka certifikuar zgjedhjet e 6 tetorit. Ndërkaq, LVV e LDK, ndonëse për programin qeverisës janë marrë vesh më lehtë, për ndarjen e posteve politike kanë hasur në vështirësi, çka edhe po e vonon krijimin e institucioneve.

Autor: Kosovare Gashi, Radio Kosova

Gjykata Themelore e Prishtinës, për herë të parë ka dënuar me burgim një politikan, i cili ka mbajtur funksione politike brenda institucioneve të larta të Kosovës, për shkak të nxitjes dhe përhapjes publikisht të urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit ndërmjet grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Kosovë, të cilat sanksionohen me Nenin 147 të Kodit Penal të Kosovës.

Ivan Todosijeviq, ish-ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal i Qeverisë së Kosovës, nga radhët e Listës Serbe, më 5 dhjetor të këtij viti, është dënuar me 2 vjet burgim, për shkak se, siç thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore të Prishtinës, “duke e keqpërdorur pozitën apo autorizimet e tij, me dashje kishte nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës”.

Megjithatë, ky vendim është i shkallës së parë dhe kundër këtij vendimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Më 24 mars 2019, Todosijeviq, në një tubim të qytetarëve serbë në Zveçan kundër intervenimit të NATO-s, publikisht kishte thënë që “masakra e Reçakut ishte trillim” dhe që “terroristët shqiptarë e trilluan gjithë këtë”.

Deklarata me elemente të veprës penale

Ismet Salihu, profesor i së Drejtës Penale Ndërkombëtare, thotë për Radion Evropa e Lirë që, bazuar në aspektin juridik – penal, ngritja e aktakuzës ndaj Todosijeviqit dhe dënimi i tij, kanë bazë të plotë juridike, duke u bazuar në paragrafët e Nenit 147 të Kodit Penal Të Kosovës.

Sipas tij, çdo person i cili me veprimet e tij nxit dhe përhapë urrejtje kombëtare, racore apo fetare, konsiderohet se ka kryer vepër penale. Për më shumë, siç thotë ai, rrethanat janë edhe më rënduese kur një vepër të tillë e kryen një person që mban post politik, institucional dhe publik, duke e keqpërdorur pozitën e tij.

“Ka bazë se si është kualifikuar kjo deklaratë ( e Todosijeviqit), sepse është dhënë në mënyrë publike. Po të ishte dhënë në mënyrë jo publike, ta zëmë, në kafene, në banesë e të tjera, ajo nuk është vepër penale. Por, në mënyrë publike, qoftë drejtpërdrejt para opinionit publik ose përmes mediave, ajo është e inkriminuar si vepër penale e nxitjes së urrejtjes”, thotë Salihu.

Ai shton që vepra penale, për të cilën është dënuar Todosijeviq, radhitet ndër veprat penale që e rrezikojnë rendin kushtetues dhe sigurinë e vendit.

Avokati nga Kosova, Arianit Koci, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që lidhur me deklaratat e ish-ministrit Todosijeviq, ekzistojnë dy nivele të përgjegjësisë, ajo politike dhe ajo individuale.

Sipas tij, lidhur me përgjegjësinë politike, Todosijeviq, për deklaratën e dhënë, është shkarkuar nga kryeministri, tashmë në detyrë, Ramush Haradinaj. Ndërkaq, lidhur me përgjegjësinë individuale, siç thotë Koci, Kodi Penal i Republikës së Kosovës, në mënyrë të qartë i ka sanksionuar veprimet e kundërligjshme që ndërlidhen me Nenin 147.

Avokati Koci konsideron që deklarata e ish-ministrit Todosijeviq, “se masakra e Reçakut ka qenë një trillim i shqiptarëve terroristë”, përmban elemente, të cilat e formësojnë veprën penale, për të cilën edhe është dënuar.

“Deklarata e tij e dhënë publikisht, si e tillë, nga pozita e ministrit, konsideroj se ka deformuar faktet që kanë ndodhur në luftën në Kosovë, ka përçuar përçarje dhe ka krijuar urrejtje mes dy etnive, në rastin konkret shqiptarëve dhe serbëve. Ky deklarim padyshim se më së shumti i ka goditur familjarët e viktimave në Reçak. Në këtë deklarim nuk kemi të bëjmë me mendimin ndryshe, apo lirinë e shprehjes”, vlerëson Koci.

BE: Nuk ka vend për të mohuar ngjarjet në Reçak

Në mesin e janarit të vitit 1999, forcat serbe kishin hyrë në fshatin Reçak, ku kishin vrarë 45 shqiptarë, banorë të këtij fshati. William Walker, atëherë si shef i Misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, këto vrasje i pati cilësuar si “krim kundër njerëzimit”.

Ngjarja në Reçak pati ngjallur reagimet e bashkësisë ndërkombëtare, e cila ofroi një konferencë ndërkombëtare për Kosovën. Refuzimi nga ana e Serbisë e një marrëveshjeje që do ta ndalte spastrimin etnik në Kosovë nga forcat serbe, çoi në ndërhyrjen e NATO-s mbi caqet serbe.

Por, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar lidhur me dënimin e Teodosijeviqit nga Gjykata Themelore në Prishtinë, duke e cilësuar si vendim “të tmerrshëm”.

Sipas tij, Todosijeviq, kishte thënë të vërtetën, që krimi në Reçak, në janar të vitit 1999, siç tha ai, ishte i fabrikuar.

“Të gjithë anëtarët e Listës Serbe do të përsërisin të njëjtën dhe këtë po e përsëris edhe unë, pra, krimi në Reçak është i fabrikuar, ku gjithçka është falsifikuar nga ai mashtruesi i botës, hajni dhe gënjeshtari (William) Walker”, ka deklaruar Vuçiq.

Ndaj deklaratës së Vuçiqit, ka reaguar presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Presidenti Thaçi përmes një postimi në rrjetin social, Twitter tha se “paqja, pajtimi, drejtësia nuk mund të ndërtohet bazuar në mohimin e krimeve”

Edhe kryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj deklaratave të Vuçiqit. Në një shkrim në rrjetin social Facebook, ai ka theksuar që qëndrimi i Vuçiqit, i shprehur përmes deklaratës së tij, “dëshmon qartë se Serbia edhe në formë institucionale e ruan paturpësisht mendësinë kriminale të trashëguar nga koha e Millosheviqit”.

“Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera dhe urrejtja ndaj secilës etni është vepër e dënueshme me ligj”, ka shkruar Haradinaj.

Lidhur me deklaratën e presidentit serb Vuçiq, kanë reaguar edhe autoritetet e Bashkimit Evropian.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, ka thënë që autoritetet duhet të punojnë për një vlerësim të ndershëm dhe të vërtetë të së kaluarës për respektimin e viktimave.

“Një gjë është e qartë, nuk ka vend për të mohuar ose relativizuar ngjarjet që ndodhën në Reçak, në Kosovë, në janar të vitit 1999. Mohimi dhe revizionizmi janë në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Evropian dhe janë në kundërshtim me projektin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian”, ka thënë Pisonero, duke shtuar se rajoni ka nevojë për pajtim, stabilitet dhe normalizim të marrëdhënieve.

Avokati nga Kosova, Tomë Gashi, më 6 dhjetor, ka ngritur kallëzim penal ndaj presidentit serb, në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Siç ka shkruar avokati Gashi në rrjetin social Facebook, kallëzimin penal ndaj presidentit Vuçiq e ka ngritur “për veprën penale të nxitjes së urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik nga Neni 147 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

Mohimi i krimeve të luftës, pa sanksionim me dispozitë të veçantë

Krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, sipas profesor Salihut, jo rrallë janë mohuar publikisht nga politikanë të caktuar, kryesisht ata serbë. Lidhur me sanksionimin e këtyre mohimeve, siç thotë ai, ekziston një lloj zbrazëtie në Kodin Penal të Kosovës.

Ndërkaq, profesor Salihu thotë që në të Drejtën Penale Ndërkombëtare, por edhe në Kodet Penale të disa shteteve, siç janë për shembull: Gjermania, Polonia, por edhe Maqedonia e Veriut, mohimi i krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit janë paraparë si vepra penale të veçanta.

Siç thekson ai, Tribunali Ndërkombëtar për krimet e luftës në ish- Jugosllavi, me seli në Hagë, ka konstatuar që në Kosovë janë kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, si dhe disa persona përgjegjës për këto krime janë dënuar.

“Kështu që, në këtë aspekt, duhet që në mënyrë urgjente të bëhet ndryshimi dhe plotësimi i Kodit Penal të Kosovës, në të cilin duhet të parashihet vepra penale e veçantë, specifike, e cila do ta mbante titullin mohimi i krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit. Kjo do të ishte bazë edhe më e qëndrueshme, e posaçme, specifike, me të cilën do të inkriminoheshin, do të ndëshkoheshin personat, të cilët i mohojnë këto krime”, vlerëson Salihu.

Edhe avokati Koci shpreh mendimin që nevojitet ndryshimi dhe plotësimi i ligjit, ku do të futej dispozita, me të cilën do të sanksionohej mohimi i krimeve të luftës dhe kundër njerëzimit.

“Unë besoj që ndryshimet dhe plotësimet në ligj duhet të bëhen, por për rastin konkret (të Todosijeviqit), gjykata e ka pasur bazën e mjaftueshme për dënimin e ish-ministrit”, thekson Koci.

Profesor Salihu dhe avokati Koci theksojnë që deri më tani kemi pasur edhe deklarata të tjera të politikanëve, por edhe individëve të caktuar, të cilat kanë mundur të kualifikoheshin si veprime që bien ndesh me Nenin 147 të Kodit Penal të Kosovës, por, megjithatë, nuk ka pasur as ndjekje e as dënime nga ana e gjykatave.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti përmes një postimi në Twitter ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksander Vuçiq. Ky i fundit dje tha se Masakra e Reçakut është një trillim i sajuar nga Uilliam Uoker.

Kurti përmes postimi të tij tha se masakrat, gjenocidi dhe varret masive janë e vërtet e Serbisë.

“Ai nuk pranoi ta quante Srebrenicën një gjenocid, tani ai mohon masakrën e Reçakut. Ai dëshiron një të ardhme paqësore pa pranuar krime të së kaluarës. Por gjenocidi, varret masive dhe masakrat janë e vërteta e Serbisë. Është koha që Vuçiq të fillojë të merret me të.”, ka shkruar ai.

Nesër bëhen dy muaj që prej mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme e të parakohshme në vend. Por, marrëveshja mes dy partive të para, Vetëvendosjes dhe LDK-së, ende nuk është arritur duke i lënë qytetarët e vendit në pritje.

Periskopi kishte raportuar qysh në muajin korrik se plani i LDK-së ishte të merrte pozitën e kryetarit të shtetit dhe t’i linte kësisoj rrugën çelë Albin Kurtin për t’u bërë kryeministër.

Kjo parti politike doli e dyta në zgjedhjet e 6 tetorit, dhe i dhuroi menjëherë pozitën e kryeministrit z.Kurti, i cili i kishte vetëm 7 mijë vota më shumë se znj.Vjosa Osmani, kandidate për kryeministre. I pari 183 mijë ndërsa e dyta 176 mijë.

Iu kujtojmë se në vitin 2014, Isa Mustafa ishte bërë kryeministër me shumë më pak vota se z.Hashim Thaçi, i cili po në bazë të asaj marrëveshjeje për Qeverinë Mustafa, ishte bërë president i vendit.

Por, tashmë hesapet kanë ndryshuar. Kryeministri i ri do të jetë Albin Kurti, ndërkohë që LDK-ja po insiston në idenë fillestare, që Isa Mustafa të jetë i pari i shtetit më 2021, kur i përfundon mandati z.Thaçi, president aktual i vendit, shkruan Periskopi.

Por, kush do të duhej të ishte president i Kosovës sipas Vetëvendosjes?

Në një prononcim të dhënë sot për Klan Kosova, deputetja grua më e votuar e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu deklaroi se presidenti i vendit nuk duhej të ishte as nga Vetëvendosja, por as nga LDK-ja. Ky post – sipas saj – duhej t’i takonte një personaliteti unifikues për vendin.

Rexhep Qosja është një ndër personalitetet më të vlerësuara në Kosovë nga z.Albin Kurti, kryetar i Vetëvendosjes dhe nga anëtarët e tjerë të partisë së tij.

Por, Qosja në fakt nuk ka qëndrime të mira me Lidhjen Demokratike të Kosovës, e të cilët i ka sulmuar shpesh lidhur me qëndrimet e tyre politike në vitet dhe dekadat e fundit.

Iu kujtojmë se në qershor të këtij viti, Kurti e kishte himnizuar veprën e z.Qosja për ditëlindjen e tij, madje duke dhënë idenë për titullin e një vepre që do të quhej “Nga Jeronim De Rada te Rexhep Qosja”.

Kryetari i LVV-së dhe kandidati i kësaj partie për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti ka reaguar ndaj deklaratave të Vuçiqiit për mohim të masakrës së Reçakut.

Kurti ka thënë se ai nuk pranoi ta quante Srebrenicën një gjenocid, tani ai mohon edhe masakrën e Reçakut.

“Ai nuk pranoi ta quante Srebrenicën një gjenocid, tani ai mohon masakrën e Reçakut. Ai dëshiron të kalojë në një të ardhme paqësore, pa pranuar krime e së kaluarës. Por gjenocidi, varret masive dhe masakrat, janë e vërteta e Serbisë. Është koha për Vuçiqin të fillojë të merret me të”, ka shkruar Kurti në Twitter.