Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se takimi i së hënës në Bruksel ndërmjet Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiqi nuk do të sjell marrëveshje finale gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen e ndërsjellë në qendër.

Përkundrazi, sipas liderit të PDK-së, 27 Shkurti i këtij viti do të shënojë fillimin e një faze të re të procesit të dialogut, ku njohja e ndërsjellë mes Kosovës e Serbisë nuk do të jetë më fare temë diskutimi.

“Kjo fazë e re është rezultat i drejtpërdrejtë i dy viteve të keqmeaxhimit të dialogut nga Qeveria Kurti.

Pavarësisht nga takimi i së hënës, qeveria, tashmë publikisht, e ka pranuar planin e propozuar nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, nga ajo që është parë deri tash, plani në vetvete nuk përmban pothuajse asnjë përfitim konkret për Kosovën.

Aty nuk flitet për njohjen nga pesë vendet mos-njohëse të BE, nuk flitet për hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, as për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE, ndërsa njohja e ndërsjellë është jashtë çdo diskutimi”, tha Krasniqi nëpërmjet një deklarate të publikuar në faqen e tij në Facebook.

Sipas kreut të PDK-së, nga deklaratat publike të zyrtarëve ndërkombëtarë, shihet qartë se fokusi nuk është në arritjen e objektivave të lartëcekura, por është në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Pra, takimi i së hënës është takim për Asociacionin e jo për njohje. Sepse, qeveria, me paaftësinë e saj, e ka degraduar dialogun nga arritja e qëllimit të marrëveshjes finale me njohje në qendër, në marrëveshje kalimtare me Asociacionin në qendër”, tha Krasniqi.

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ka publikuar raportin “Pasqyrë e Tregut të Komunikimeve Elektronike”, i cili përfshinë ecurinë e indikatorëve kryesorë të tregut për tremujorin e katërt të vitit 2022.

Numri total i përdoruesve të telefonisë mobile në fund të tremujorit të katërt (TM4-2022) është 1,783,419 përkatësisht për 8.3% më i ultë krahasuar me tremujorin paraprak TM3-2022, ndërsa 0.03% me i lartë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (TM4-2021) “, thuhet në raport.

Sipas ARKEP-it, ngjashëm me numrin e përdoruesve, edhe penetrimi i shërbimeve të telefonisë mobile në periudhën raportuese ka rënie në krahasim me tremujorin paraprak, ndërsa me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM4 2021) është një ngritje e lehtë. Penetrimi i shërbimeve të telefonisë mobile tani është në nivelin 98.2% të numrit të popullsisë.

“Në periudhën TM4 2022 numri i parapaguesve të telefonisë fikse është 71,346, nuk paraqet ndonjë dallim të theksuar në krahasim me tremujorin e kaluar. Norma e penetrimit të telefonisë fikse në Kosovë në këtë tremujor është 3.93% . Norma e penetrimit të telefonisë fikse në Kosovë vazhdon të jetë shumë e ulët krahasuar me vendet e rajonit, e sidomos me shtetet e BE-së”, thuhet në raport.

Sipas raportit struktura e parapaguesve të telefonisë fikse është e njëjtë me TM-në e kaluar në mes të parapaguesve individualë dhe parapaguesve të biznesit, raporton RTKlive.

“Numri i linjave të internetit me qasje fikse brez gjerë deri në TM4 2022 i raportuar nga operatorët është dhënë në figurën e mëposhtme dhe shënon shifrën 383,834 parapagues të internetit. Nga kjo vërehet një rënie prej 3.43% në krahasim me TM3 2022, respektivisht pothuajse njëjtë me TM4 2021, (ulje shumë e lehtë prej 0.01%) . Ndërsa, penetrimi i internetit përmes qasjes fikse brezgjerë në internet për ekonomi familjare është 129.28%, përkatësisht penetrimi i internetit sipas banorëve (për 100 banorë) rezulton të jetë 21.10%”, thuhet në raport,

Numri i përdoruesve të shërbimeve të internetit mobil (Mobile Broadband) apo qasja në internet përmes rrjetit mobil 3G dhe 4G në periudhën TM4 2022 ka arritur në 1,548,183 përdoruesish e që shënon një zvogëlim prej 6.1% krahasuar me TM3 2022, dhe një rritje prej rreth 8.9% krahasuar me TM4 2021.

“Trendi i numrit të parapaguesve të qasjes në internet përmes rrjetit mobil që nga fillimi i ofrimit të këtyre shërbimeve në treg është karakterizuar me një rritje të vazhdueshme . Në periudhën raportuese (TM4 2022) penetrimi i qasjes mobile është 85 % ndërsa i asaj fikse 21% për banor”, thuhet në raport.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot në mbledhjen e Këshillit Përgjithshëm të Vetëvendosjes në Prishtinë, ka folur për të arriturat dhe proceset nëpër të cilat po kalon vendi.

Shefi i qeverisë ka folur edhe për dialogun që është zhvilluar në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në raport me Serbinë kemi marrë pjesë në takimet e bisedimeve në Bruksel sa herë që jemi ftuar, kemi mirëprit emisarët special nga perëndimi sa herë që kanë ardhur, kemi qenë edhe do të jemi të përkushtuar parimor, konstruktiv e kreativ. Dialogu në Bruksel, është për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është dialog për statusin e marrëdhënieve, statusi aktual i marrëdhënieve nuk është normal e status normal është ai i fqinjësisë së mirë. Pra njohje reciproke si thelb dhe reciprociteti si princip”, tha ai, raporton RTKlive.

Kurti ka folur edhe për procesin e Berlinit dhe në këtë proces, sipas tij, Kosova ka qenë proaktive, duke përmendur edhe marrëveshjet e nënshkruara, e që Kosova i ka miratuar ato. Ai ka folur edhe liberalizmin e vizave që pritet që vizat të hiqen në vitin tjetër.

Ai ka folur edhe politikat që i ka pasur qeveria karshi qytetarëve të Kosovës, duke përmendur pakon ekonomike, subvencionimin, shtesat për fëmijë, punësimet, etj.

Edhe në përvjetorin e luftës së Ukrainës, Kurti tha se shembull është edhe Kosova që ka fituar ndaj armikut. “Edhe në Ukrainë do të fitojë i vogli, Kosova është krenare që qëndron në krah të Ukrainës. Uroj që ky vit të jetë vit i çlirimit të Ukrainës”, tha ai.

Në prag të takimit të së hënës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut në nivel të lartë, në Bruksel janë shprehur se presin që ata, pa diskutime të mëtejme, ta pranojnë propozimin evropian dhe të diskutojnë vetëm për implementimin e marrëveshjes.

Këtë e ka thënë një zyrtar i lartë evropian, duke folur me gazetarët në Bruksel, me kusht anonimiteti.

“Do të jetë takimi i gjashtë me radhë mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq. Por, do të jetë takimi më i rëndësishëm deri më tash sepse takimet e fundit ishim më shumë për menaxhimin e krizave, sesa për normalizim të raporteve. Tash fokusi është te propozimi evropian”, ka thënë ky zyrtar.

“Presim që liderët ta miratojnë propozimin. Nuk duam që të diskutojmë për propozimin dhe përmbajtjen e tij sepse ata e dinë që nga shtatori këtë. Nuk ka hapësirë që të pajtohen për një pjesë e jo për tjerat. Por, jemi të hapur për të diskutuar modalitetet e implementimit”, ka deklaruar ky zyrtar.

Presidenca çeke e BE-së ka ndezur motorët për ta çuar përpara liberalizimin e vizave për Kosovën. Zëdhënësi i presidencës çeke të BE-së në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express është shprehur se raporti i Komisionit Evropian për situatën aktuale me vizat pritet të prezantohet në takimin e Grupit Punues për Viza më 13 tetor, Pastaj, Presidenca çeke do të bëjë ç’është e mundur ta fusë në agjendën e ministrave sa më parë. Sipas zëdhënësit, vendimi për vizat që mund të zgjasë disa muaj, mund të merret në nivel të ministrave, pavarësisht se si rrjedhin gjërat në takimet joformale të shefave të shteteve të BE’së e që një prej tyre do ta mbajnë më 7 tetor.

Raporti i Komisionit Evropian që do të prezantohet më 13 tetor në organin përgatitor të Këshillit Evropian i quajtur Grupi Punues për Viza do të shërbejë si bazë për të nisur debatin për miratimin e liberalizimit të vizave në Këshillin e BE-së.

Kështu i tha Gazetës Express zëdhënësi i Presidencës çeke, Václav Smolka, duke konfirmuar se në mesin e shteteve të BE-së ka gatishmëri që Kosovës t’i hiqet regjimi i vizave për zonën Schengen.

“Liberalizimi i vizave për Kosovën ndodhet shumë lart në agjendën e Presidencës Çeke. Aktualisht, Komisioni Evropian është duke përgatitur një raport për situatën aktuale, i cili do të shërbejë si bazë për të nisur një debat për miratimin e liberalizimit të vizave në Këshillin e BE-së. Ky raport pritet të prezantohet në takimin e Grupit Punues për Viza më 13 tetor 2022”, ka thënë ai.

Zëdhënësi i presidencës çeke, Vaclav Smolka, që njëherit ushtron edhe funksionin e zëdhënësit të kryeministrit çek Petr Fiala, ka thënë se Çekia do të bëjë të gjitha përpjekjet që ta fus në agjendë të ministrave të BE’së sa më parë.

“Presidenca çeke do të bëjë të gjitha përpjekjet për ta sjellë sa më shpejt këtë çështje në nivelin e ministrave. Mirëpo, përkrahja/miratimi nga Këshilli Evropian (shefave të shteteve) nuk është një parakusht në këtë çështje. Ajo që është me rëndësi, procesi në Këshill që ende  mund të zgjasë disa muaj, është në rrugën e duhur. Ne jemi duke punuar në mënyrë aktive drejt një vendimi pozitiv sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Smolka.

Ai tutje tha se progresi për heqjen e vizave për Kosovë varet edhe nga situata politike në rajon duke nënkuptuar përparim në dialogun Kosovë-Serbi.

“Progresi do të varet edhe nga situata e përgjithshme politike në rajon, prandaj Presidenca mbështet plotësisht përpjekjet për një trajektore pozitive në dialogun Beograd-Prishtinë”, tha ai.

Liderët e 27 vendeve të unionit evropian do të takohen paraprakisht edhe me 7 tetor në një takim joformal për të cilin zëdhënësi i presidencës çeke tha se s’ka agjendë zyrtare.

“Takimi i ardhshëm i liderëve në Pragë është një takim joformal pa një agjendë zyrtare. Pritet që takimi, i kryesuar nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, të pasqyrojë sfidat më të urgjente me të cilat përballet BE-ja aktualisht, përkatësisht luftën në Ukrainë dhe sigurinë energjetike dhe ndikimet e saj ekonomike”, u shpreh Smolka.

Në një deklaratë të përbashkët të ministrave të Jashtëm të Francës, Gjermanisë dhe Polonisë të publikuar më 16 shtator, ku u bë thirrje për progres në liberalizimin e vizave për Kosovën u pa gjithashtu si shenjë që mbështetja politike në mesin e bllokut evropian për këtë proces ekziston.

Franca dhe Holanda si dy nga shtetet hezituese që kosovarët të lejohen të udhëtojnë lirshëm në zonën Schengen tani duket se nuk kanë dilema.

Ministria e Jashtme holandeze në një përgjigje përExpress dy ditë më parë deklaruan se po e presin raportin e Komisionit Evropian për procesin e liberalizimit të vizave dhe nëse i njëjti konsideron se ka progres atëherë Holanda ka gatishmëri për të marrë një qëndrim.

“Komisioni Europian së shpejti do të vijë me një raport të përditësuar mbi standardet për liberalizimin e vizave. Holanda është e hapur për të vlerësuar nëse të gjitha standardet janë përmbushur. Progresi i bërë deri më tani në regjistrin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është kyç për ne” thanë kjo ministri.

Pasi të dëgjojnë KE’në, holandezët thonë se Qeveria holandeze do të marrë qëndrimin dhe do ta kalojë çështjen në Parlament.

“Vetëm pas vlerësimit të progresit të bërë dhe pas një diskutimi me Parlamentin do të kemi qëndrim për këtë çështje”.

Qytetarët e Republikës së Kosovës, me dokumente identifikimi (ID) të lëshuara nga shteti ynë, do të mund të kalojnë pa pengesa, ngarkesa e vonesa kufirin me Serbinë në të gjitha vendkalimet kufitare. Njësoj do të vlejë edhe për kahjen e kundërt me rastin e hyrjes në Kosovë me dokumente identifikimi (ID) të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.

Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen dhe durimin, posaçërisht në këto katër javët e fundit.

Fryma e bisedimeve parimore e të barabarta në Bruksel është reciprociteti. Zgjidhjet normalizuese duhet ta kenë reciprocitetin përbrenda, teksa marrëdhëniet e mira fqinjësore e nënkuptojnë atë.

Falënderoj ndërmjetësit, zotërinjtë Borrell, Lajçak dhe Escobar, e sidomos ambasadorin amerikan Hovenier për angazhimin dhe kontributin.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell ka bërë të ditur se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për dokumentet identifikuese. Serbia ka vendosur të pranojë dokumentet kosovare, me këtë rast duke u hequr pengesat për lëvizje të lirë për kosovarët.

“Sipas Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për mbajtësit e ID-së së Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i prezantojë ato për mbajtësit e ID-së serbe”, ka shkruar Borrell në Twitter.

“Serbët e Kosovës, si dhe të gjithë qytetarët e tjerë, do të mund të udhëtojnë lirshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre. BE-ja sapo mori garanci nga kryeministri Kurti për këtë”, shtoi ai.

“Kjo është një zgjidhje evropiane. Ne i përgëzojmë të dy liderët për këtë vendim dhe udhëheqjen e tyre”, përfundoi Borrell.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se më 1 shtator do të nisë së zbatuari vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat serbe. Ndërkaq, lidhur me vendimin për dokumentet serbe, ai kërkoi që nga ky vendim të përjashtohen serbët që jetojnë në Kosovë.

Gjatë një konference për media në Beograd, Vuçiq tha se me Kosovën nuk u arrit zgjidhje kompromisi për këto dy tema.

“Është e qartë se nuk ka marrëveshje për targat, që do të thotë se do të fillojë së zbatuari më 1 shtator. Megjithatë, është një afat prej dy muajsh, kështu që do të shohim”, tha ai.

Sipas presidentit serb, bisedimet me palën kosovare ishin “interesante”, por “të pasuksesshme”.

Ai tha se Serbia nuk pajtohet me njohjen e ndërsjellë mes vendeve. Kjo është kërkesë e Prishtinës zyrtare që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja të përfundojë me njohje reciproke, por Serbia kërkon zgjidhje kompromisi.

“Harrojeni këtë dhe mos ejani në Beograd me histori të tilla sepse janë të pakuptimta”, tha Vuçiq.

“Për çështje të tjera jemi të gatshëm të bisedojmë për zgjidhje kompromisi”, shtoi ai.

Për dokumentet serbe, në pritje të “përgjigjes së zyrtarëve evropianë”

Sa i përket dokumenteve për hyrje-dalje, Vuçiq tha se ato mund të lëshohen, por shtoi se për Serbinë është e rëndësishme që serbët nga Kosova që kanë dokumente serbe të mund të lëvizin dhe hyjnë e të dalin nga Kosova.

Ai tha se Serbia do të pranojë dokumentet e Kosovës, por me një kusht, që ato të kenë një përjashtim:

“Mundësimi i përdorimit të letërnjoftimeve të lëshuara nga ana e Prishtinës [Kosovës] bëhet ekskluzivisht për arsye praktike të lehtësimit të pozitës së qytetarëve dhe mundësimit të lirisë së lëvizjes në përputhje me Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes që është arritur në dialog më 2011 dhe nuk mund të interpretohet si njohje e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, nuk paragjykon përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës dhe nuk mund të interpretohet si pëlqim i Beogradit për të devijuar nga Rezoluta 1244” e Kombeve të Bashkuara, tha Vuçiq.

“Ky është një përjashtim që ne do ta aplikojmë gjithkund”, tha Vuçiq, duke thënë se po insistohet që serbët në veri të Kosovës të mund të hyjnë në Kosovë me dokumente të Serbisë, por shtoi se për këtë gjë po pret përgjigje nga zyrtarët evropianë.

“Nëse na e konfirmojnë këtë, ne do të kemi një problem më pak. Çështja e targave është shumë më e komplikuar”, tha Vuçiq.

Dy vendimet e Qeverisë së Kosovës, nxitën pakënaqësi te serbët në veri të Kosovës. Më 31 korrik dhe 1 gusht, serbët lokalë ngritën barrikada në veri të Kosovës në shenjë pakënaqësie ndaj vendimeve të ekzekutivit kosovar.

Pasi u hoqën barrikadat në pasditen e 1 gushtit, Qeveria e Kosovës u zotua se do të shtyjë zbatimin e vendimeve deri më 1 shtator.

Që atëherë, bashkësia ndërkombëtare, ka tentuar që të bindë palët që të gjejnë një zgjidhje për këto dy vendimeve, me qëllim që të mos përsëritet përshkallëzimi i situatës.

Por, takimet e Vuçiqit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, më 18 gusht në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, rezultuan pa marrëveshje.

Në kuadër të përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje, i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe ai i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, gjatë kësaj jave qëndruan në Prishtinë dhe Beograd ku u takuan me liderët politikë. Zyrtarët perëndimorë diskutuan me liderët e dy shteteve për parandalimin e përshkallëzimit të mundshëm të situatës.

Në një konferencë për media në Beograd, më 26 gusht, Escobar tha se SHBA-ja po kërkon nga të dyja palët që të zotohen se nuk do të ketë dhunë.

Sipas vendimeve të Qeverisë së Kosovës, nga 1 shtatori të gjithë qytetarët e Serbisë që do të hyjnë në Kosovë do të pajisjen me një dokument për hyrje-dalje. Ky dokument lëshohet nga Serbia për shtetasit e Kosovës, qëkur palët arritën Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes 11 vjet më parë.

Ndërkaq, vendimi për targat serbe konsiston në riregjistirmin e tyre në RKS (Republika e Kosovës). Vlerësohet se 10.000 targa që lëshohen nga Serbia, me akronime të qyteteve të Kosovës, qarkullojnë në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Targat sikurse KM, PR, PZ, UR e të ngjashme konsiderohen të jashtëligjshme nga Kosova dhe Prishtina kërkon që pronarët e makinave me targa të tilla t’i konvertojnë ato në RKS brenda një periudhe prej 61 ditësh.

Serbia ka kërkuar që këto targa të zëvendësohen me targat e mëhershme KS, që kanë status neutral ndaj shtetësisë së Kosovës, por kjo është kundërshtuar nga kryeministri Kurti.

Ndërkaq, sa i përket dokumenteve për hyrje-dalje, Kosova ka thënë se është e gatshme të heqë dorë nga lëshimi i tyre, nëse edhe Serbia bën të njëjtën gjë.

Sot në orët e hershme të mëngjesit, është sulmuar një njësi patrulluese kufitare, në fshatin Zupçe të Zubin Potokut.

Rastin për RTKlive.com e konfirmon Zyra për Media e Policisë së Kosovës në Prishtinë.

“Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme policore”, shpjegon policia.

“Në vendngjarje kanë dalë edhe njësitet policore të rendit nga stacioni policor Zubin Potok, të cila kanë njoftuar se njësiti kufitar është sulmuar me armë zjarri”.

Policia deklaron se përveç dëmeve materiale në automjet, nuk raportohet për zyrtarë të policisë të plagosur.

“Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin”, sqaron policia.

Njëkohësisht, policia deklaron se ka shtuar masat policore me qëllim të sigurisë së zyrtarëve policorë dhe qytetarëve.

Kjo nuk është hera e parë që policia e Kosovës sulmohet në veri të vendit.

Edhe Lista Serbe përmes një komunikate për media ka dënuar incidentin duke deklaruar se ai ka qëllim destabilizimin e situatës, por është edhe përpjekje që serbët e Kosovës të paraqiten si të dhunshëm, i cili nuk përkon me raelitetin. 

Sipas Listës Serbe, kushdo që e ka bërë atë vepër nuk ia do të mirën popullit serbëve.

Ndryshe ditë më parë, u sulmua gjithashtu një patrullë e policisë kufitare, kurse para disa javësh raste të ngjashme ndodhën edhe disa herë të tjera.

Institucionet e Kosovës dhe zyrtarët e saj, javëve të fundit janë duke dhënë alarmin për përpjekjet e Serbisë që të destabilizojë këtë pjesë të vendit me qëllim të zhvendosjes së vëmendjes nga agresioni rus në Ukrainë.

Jeton Musliu / RTKlive.com

Autor: Albana Bajrami, Radio Kosova

Nesër skadon afati për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për targat me Serbinë. Aktualisht, është në fuqi marrëveshja e përkohshme e targave, ku makinat nga Kosova dhe Serbia duhet të mbulojnë me letër ngjitëse simbolet shtetërore në targa.

Grupet teknike të të dyja vendeve, tashmë ndodhen në Bruksel, në përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje. Analistët thonë se ka mundësi që sërish të arrihet një marrëveshje e përkohshme, pasi Serbia nuk pranon zgjidhje tjetër.

21 prilli është afati i fundit kur duhet të arrihet marrëveshja përfundimtare për targat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ndodhen në Bruksel për këtë çështje, ku marrëveshjen e përkohshme për targat duhet ta zëvendësojnë me një marrëveshje përfundimtare.

Lidhur me këtë, ish ambasadori Avni Spahiu, tha për Radio Kosovën se ka indikacione që mund të arrihet përsëri një marrëveshje e përkohshme, pasi Serbia nuk pranon zgjidhje tjetër për njohje reciproke të targave.

 “Me qëndrimin e vet, Serbia mund të shtyjë edhe këtë proces e të mos bëjë asnjë kompromis, që të arrihet qoftë edhe një marrëveshje e vogël, siç është kjo e targave. Ky është një indikacion, që Serbia aq më pak do të pranonte që të ketë një marrëveshje finale, që do të njihte shtetësinë e Kosovës”, tha ai.

Ndërkaq, profesori Afrim Hoti tha për Radio Kosovën se pa trysni ndërkombëtare nuk ka marrëveshje, derisa beson se më 21 prill mund të arrihet marrëveshja për targat ndërmjet dy vendeve.

 “Praktika ka treguar se shpesh janë arritur marrëveshjet, të paktën në rastin e Kosovës dhe Serbisë, vetëm në minutën e fundit pas një trysnie. Ky është një argument shumë i fuqishëm që të përdoret nga negociatorët që të bëjnë trysni, sepse marrëveshje nuk ka asnjëherë nëse nuk ka trysni të tillë. Nuk kam informacion, por dua të besoj që palët deri tani kanë negociuar në Bruksel dhe marrëveshja të zëvendësohet e të validohet dhe të shkojë drejt marrëveshjes përfundimtare më datë 21 prill”, theksoi ai.

Ndërkohë, kryeministri i vendit, Albin Kurti, fundjavën që shkoi ka bërë të ditur se ekipi teknik ndodhet në Bruksel për të biseduar e të gjejnë zgjidhje. Ai ka theksuar se Qeveria e Kosovës nuk pranon asnjë marrëveshje ku nuk respektohet parimi i reciprocitetit.

Më 20 shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës kishte vendosur masën e reciprocitetit për targat serbe, që nënkuptonte se me të hyrë në territorin e Kosovës veturat me targa serbe, duhet të merrnin targa provuese. Ideja ishte që këto targa provuese të ishin të vlefshme për 60 ditë dhe të kushtonin pesë euro. Kjo nxiti protesta dhe bllokada nga serbët lokalë, të cilët shtatorin e kaluar bllokuan rrugët që çonin në dy pikëkalimet kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak. Ndërsa, më 30 shtator të viti të kaluar, me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje të përkohshme për targat.