Zbulohet fotoja e “Liroshkas”, gruas që refuzoi të martohej me Leninin
Një akademik britanik ka zbuluar një fotografi të gruas të përshkruar nga disa si dashuria e vërtetë e Vladimir Leninit, pasi fotoja kishte humbur për gati një shekull.
Dr Robert Henderson, ekspert i historisë ruse në Queen Mary University në Londër, zbuloi fotografinë e Apollinariya Yakubova, një revolucionare ruse, e cila ka jetuar në Londër në fillim të shekullit të XX.
Yakubova dhe bashkëshorti i saj ishin bashkëpunëtorë të ngushtë me Leninin dhe gruan e tij, Nadezhda Krupskaya. Henderson e gjeti fotografinë në Arkivin e Shtetit të Federatës Ruse në Moskë në muajin prill, ndërsa hulumtonte për jetën e një revolucionar i ri, Vladimir Burtsev, për një libër.
Sipas akademikut, Lenini e quante Yakubovan “Liroshka”, një formë përkëdhelëse për njeriun që do.
Ajo u burgos, si Lenini, në një kamp siberian për idetë e saj revolucionare, nga i cili u arratis dhe pas një udhëtimi të gjatë prej 7000 miljesh arriti në Londër, ku u shndërrua në një nga figurat më të rëndësishme të Partisw Social Demokrate Punëtore në mërgim.
Ajo madje thuhet se e refuzoi propozimin për martesë të Leninit, një plagë që liderit historik rus nuk iu mbyll kurrë.
Apollinariya përshkruhet nga bashkëkohësit si “një person i mrekullueshëm, inteligjente, e vendosur, dhe jashtëzakonisht e sinqertë”. Nuk dihet se çfarë u bë me Yakubovan, por besohet se ka vdekur mes viteve 1913 dhe 1917.