Vritet shqiptarja në Gjermani, nënë e 4 fëmijëve
Një grua 30-vjeçare është ekzekutuar me armë në Gjermani mbrëmjen e së hënës, ndërsa lajmi është raportuar sot nga mediat gjermane.
Sipas shtypit vendas, krimi ndodhi në Salzgitter. 30-vjeçarja me origjinë nga Kosova është Emine Abazaj, nënë e katër fëmijëve. Ajo u qëllua për vdekje nga ish-partneri i saj 38-vjeçar, i cili u arrestua sot (një ditë pas vrasjes).
Mediat gjermane raportojnë se ata kishin jetuar bashkë prej 7 vitesh dhe së fundmi kishin mosmarrëveshje. Megjithatë, çifti nuk ishte martuar sipas ligjeve gjermane. Sipas hetimeve paraprake, shkak i ngjarjes së rëndë mendohet të ketë qenë ndarja e tyre.
Vëllai i viktimës, Blerim Abazaj ka thënë për mediat se ditën e hënë ata kishin një seancë në Gjykatë. Blerim Abazaj ka pohuar se 38-vjeçari i ishte drejtuar motrës së tij me fjalët: “Do të pendohesh”.
Ai shtoi gjithashtu se i kishte bërë edhe kërcënime të tjera në gjuhën shqipe. Kërcënimet në Gjykatë i konfirmoi edhe zëdhënësi i Prokurorisë, i cili tha se nuk e dinë saktësisht se çfarë kërcënimi bëri 38-vjeçari, për shkak se foli shqip.
Sipas mediave gjermane, ish-partneri shkoi në Salzgitter pas seancës gjyqësore dhe qëlloi me armë në kokë 30-vjeçaren duke e lënë të vdekur. I dyshuari qëlloi edhe drejt motrës 32-vjeçare të viktimës, duke e lënë të plagosur. Më pas u arratis me makinë dhe u arrestua një ditë më pas. Autoritetet gjermane janë duke hetuar për të zbardhur tërësisht këtë krim të rëndë