PDSH dhe Lëvizja Besa në Qeveri me LSDM.
Finalizohen bisedimet për hyrje në Qeveri në mes Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë së Zoran Zaevit dhe dy partive tjera shqiptare, asaj të Partisë Demokratike Shqiptare dhe Lëvizjes Besa të Afrim Gashit, njoftojnë burimet qeveritare.
Edhe pse partitë shqiptare mbeten të rezervuara në qëndrimet e tyre, por jozyrtarisht konfirmojnë se veç më mund të llogarisin se janë pjesë të Qeverisë, por se mbetet vetëm aspekti teknik i ndarjeve të resoreve për finalizimin përfundimtar të kësaj marrëveshje.
Nga Lëvizja Besa e Afrim Gashit, për TVM2 pohojnë bisedimet janë në fazën finale dhe se kanë mbetur vetëm edhe disa çështje teknike të cilat ende diskutohen, por pritet të përmbyllen shumë shpejt.
“Bisedimet për përfshirjen e Lëvizjes BESA në Qeveri janë në fazën e fundit. Me përfundimin e kësaj faze do të rrumbullakohen principet dhe parimet e bashkëqeverisjes, si dhe akordimi i programit të Lëvizjes BESA me programin qeveritar. Pas asaj, do të vijojnë edhe bisedimet për dikasteret dhe politikën kadrovike. Ashtu siç tha edhe kryeministri, në pjesën e parë të muajit maj mund të ketë gjëra më konkrete për opinionin”,- tha zëdhënësi i Lëvizjes Besa, Orhan Murtezani.
Nga Partia Demokratike Shqiptare konfirmojnë pjesëmarrjen në Qeveri, por jozyrtarisht pohojnë se ende nuk është definuar ndarja e resoreve.
“Kemi kohë që jemi në bisedime intensive për kyçjen e PDSh-së në Qeveri dhe ato bisedime janë para përfundimit, por kanë mbetur edhe disa aspekte të hapura sa i përket ndarjeve të posteve qeveritare. Pra, normalisht do të duhet të ulemi edhe njëherë me kryeministrin Zaev dhe çështjet e hapura të përmbyllen. Por, ajo që vlen të theksohet është se PDSh vazhdimisht ka qenë për hyrjen e saj në një Qeveri reformuese, e cila do ta dërgonte Maqedoninë drejt strukturave të NATO-s dhe BE-së”,- thonë nga PDSh.
Edhe pse mediat e vendit pohojnë se në një Qeveri të zgjeruar nuk ka vend për Lëvizjen Besa të Bilall Kasamit, nga kjo parti prononcohen ndryshe. Nga Qendra për media e Besës së drejtuar nga Kasami thonë se lideri i tyre dhe kryeministri Zaev e kanë harmonizuar aspektin programor dhe pritet vetëm finalizimi i negociatave për aspektin kadrovik.
“Jemi në fazën finale të negociatave. Sa i përket aspekteve programore, tashmë i kemi harmonizuar me pjesën e programit të Qeverisë. Tash ka mbetur që këto ditë të finalizohet edhe aspekti kadrovik, por për hir të korrektësisë ndaj procesit negociues nuk mund të japim detaje. Deri në fund të kësaj jave, organet e partisë do të sjellin vendimin përfundimtar dhe ne do të dalim para opinionit publik për të publikuar marrëveshjen për pjesëmarrjen e Lëvizjes Besa në Qeveri”,- thonë nga Qendra për media e Lëvizjes Besa të Bilall Kasamit.
Nga ana tjetër, burime qeveritare, me kusht anonimiteti, theksojnë se janë finalizuar negociatat vetëm me PDSj-në dhe Lëvizjen Besa të Afrim Gashit, por nuk japin hollësi rreth Besës së Bilall Kasamit. Të njëjtat burime pohojnë se BESA e Gashit dhe PDSh pritet të udhëheqin nga një resor ministror dhe disa drejtori, ndërsa Besa e Bilall Kasamit ka gjasa të marrë vetëm një pozitë të zëvendëskryeministrit dhe disa drejtori.