Mira Kazhani tregon skandalet e Festivalit të RTSH-së: Alketa dhe Elvana kishin një
Mira Kazhani tregon skandalet e Festivalit të RTSH-së: Alketa dhe Elvana kishin një dhomë ekskluzivisht më vete, Vejsiu u tradhtua nga Vera?
Që të shkojmë tek e vërteta e asaj ç’ka ka ndodhur mbrëmë në Festivalin e Këngës në RTSH duhet të hedhim dritë mbi disa fakte, të cilat ndihmojnë për të kuptuar.
Gjithçka nisi mbrëmë, me portretin dhe zërin që iu ngadalësua Alketa Vejsiut, e cila priste çdo gjë veç humbjes së Elvana Gjatës në festivalin ku një ditë me pas do e pranonte publikisht se ishte diçka mes të dyjave. Një fjalë e dhënë…
Ku e dimë ne që i dha fjalën?
Po të lexojmë me vëmendje statusin e sotshëm të producentes artistike të këtij festivali, Alketa Vejsiut, e kuptojmë.
Marrim fjalinë: “Elvana, faleminderit! Ti erdhe në këtë festival, sepse ti besove në vizionin tim”.
Vejsiu i drejtohet me nota apologjie Elvana Gjatës.
Vejsiu flet në numrin njëjës! Dhe flet për vizionin e saj!
Pra, ka pasur një premtim, një dhënie bese, një besim apriori tek juria, që si para dhe pas festivalit mbetet kosto e producentëve. Nëse thua juria ime e nderuar gjatë tre netëve, thuhet sërish e nderuar edhe nëse juria del që ka qenë e Vera Grabockës.
Që Alketa Vejsiu ishte një pro-Elvanë e tregoi edhe dhoma e zhveshjes në Pallatin e Kongreseve, ku nëse të gjithë ndanë të njëjtin ambient, për Vejsiun dhe Gjatën pati një dhomë ekskluzivisht më vete. Janë këto fakte që tregojnë se ‘tradhtia’ nuk ishte nga ana e Alketa Vejsiut, e cila nuk gabon pse ka parazgjedhur Elvana Gjatën.
Se këtu kish aleat një publik të tërë dhe prania e Britney Spears shqiptar (Elvanës) në një festival ishte prova e gjallë se çmimi s’kish garë dhe mos të bëjmë të paditurin. Alketa Vejsiu gabon kur veçon publikisht një këngëtar, sepse është ‘mama’ e festivalit dhe të paktën zyrtarisht i duhet dhënë e njëjta dashuri edhe atij që del i fundit. Gabon kur i hakërrehet jurisë. Këtë duhet ta bëjmë ne. Mjafton të mbledhësh dhe kuptohet ç’ka ndodhur.
A ka arsye të besojmë se Arilena është tradhtia e Grabockës ndaj bashkëpunëtores Vejsiu?
Arilena është një yll i dalë nga ‘X Factor’ dhe sot po të pyesë dikush për menaxherin e saj, që e thërrasin Popi, e kupton lehtë lidhjen e dyfishtë mes saj dhe regjisores Grabocka.
Si një ujkonjë e vjetër e festivaleve dhe garave, mund t’ia lejojmë vetes kalkulimin e Grabockës, e cila nuk e ka luftuar dëshirën e sinqertë të Vejsiut për futjen në festival të divës Elvana Gjata. Prania vetëm sa e rriti audiencën, madje në fund tregoi edhe ‘pavarësinë’ nga pazaret.
Një tjetër fakt tërheqës është futja e duarve në ndryshimin e rregullores së Festivalit të RTSH-së. Për herë të parë i çelet rrugë këtë vit kantautorëve të huaj, gjë që lejoi Darko Dimitrov, të talentuarit, për t’i bërë këngën Arilenës, madje edhe Erës. U lejuan me atë rast edhe dy këngë nga një tjetër kompozitor shqiptar si Adi Hila, për të krijuar një barazi.
Festivalin duam apo s’duam e bëri emri dhe klikimet e Elvanës dhe një Elvanë në Eurovizion, megjithë makinerinë dhe eksperiencën e saj, do ishte prezantim i fortë. Futja e Elvanës në këtë moshë në garë dhe gjithmonë larg festivaleve dhe garave, kishte motiv vetëm Eurovizionin.
Elvana e pati mbështetjen e publikut, jurisë ndërkombëtare, YouTube, Facebook, Instagram, të Alketës, edhe timen po deshët, por në fund ajo rezultoi vetëm dekori ideal për t’i dhënë fitoren e zhurmshme Arilenës, fitueses së pafajshme të një festivali të fajshëm.
Verbëri të ndahesh sot mes Elvanës dhe Arilenës.
Edhe diçka! Gjithmonë në lëmin e fakteve. Kurioz të bën edhe një fakt i fundit që Vejsiu e përplasi me aq emocion e krenari: 400 karriget e shtuara për herë të parë në festival, por që gjatë mbrëmjes prej tyre u thirr Arilena, Arilena…
Të tjerat, si u vesh Alketa, sa herë këndoi Alketa, cila e meritoi Elvana apo Arilena, janë rërë!