Lodhja intelektuale
Blerim Reka-Shqiptarët nuk kanë një Sartër, të cilin nuk mundi ta ndalte as Presidenti Degoll, sepse siç thoshte- “nuk arrestohet Volteri”. Atëherë, para gjysëm shekulli, lëvizja intelektuale e Sorbonës, , kishte realizuari misionin e vet se: “është e ndaluar, të ndalosh”.
Sot, ndërkaq intelektualët shqiptarë nuk i ndalon askush. Jo sepse janë larg përmasave ndërkombëtare të Volterit, por mbetën edhe larg kalibrit kombëtar të: Konicës, Nolit e Merxhanit.
Pas Luftës së Dytë Botërore, dy periudha profilizuan formatin e intelektualit. Në shoqëritë shqiptare komuniste, intelektualët ishin heshtur nga frika- prej persekutimit. Sot, u mekën nga joshja prej pushtetit- post komunist. Pra, nëse dje ishin ndaluar, sot ata po vetë-ndalohen.
Gjatë periudhës së parë, intelektualët madje edhe në rrethana represive, guxuan- sidomos në Kosovë- ti kundërviheshin regjimit edhe me çmimin e burgosjes. Nga Demaqi, tek “Apeli i 215 inteIektualëve ” e deri te shkyerja e librezave të LKJ, në gazetën “Rilindja”.
Në periudhën e dytë, intelektuali, nuk e ka mbi kokë burgun, por kufizimin e parasë apo të postit. Blerja e heshtjes intelektuale, me financimin shtetëror të “projekteve madhore shkencore”, të “botimeve jetësore” apo emërimit të “këshilltarëve”; doli më efikas se ndëshkimi komunist. Vetëm pas mbylljes së rubinetës buxhetore, ata që deri dje heshtnin, sot kritikojnë. Dhe anasjelltas: ata që sot duken kritikues, mjafton një linje buxhetore, për tu ri-qetësuar.
Në këtë çerek shekulli post-komunist, funksionoi pefekt formula bizantine e mposhtjes së kundërshtarit: bleje, nëse nuk e mund me dhunë. Pushteti post-komunist, doli më inventiv me krijimin e inxhinerignut qetësues: reketimin e intelektualëve. Por ndodhi edhe procesi i kundërt: reketimi i zyrtarëve- sidomos nga mediat e catuara, me metamorfizimin e tyre në raport me pushtetin.
Para çerek shekulli, mediumet kritikonin, pse funksionarët shtetëror kishin një shtëpi elitare: te Blloku, në Gërmi apo në Vodno. Sot, mediumet, mezi hapin temat se si me rroga buxhetore funksionerët aktual, kanë villa e hotele jashtë vendit? Ose, i mbyllin ato, posa u paguhet reketi.
Pos medias, nuk janë më mirë as organizatat jo-qeveritare. Në çerek shekullin e fundit post-komunist, ideja për shoqërinë civile u devalvua, duke u redukuar në ate të shoqërisë shtetërore, fenomen i njohr edhe në literaturën e huaj si QNGO. Pushteti post-komunist, pra me mjeshtri gradualisht: ose bleu OJQ-të kritizuese; ose edhe vet themeloi dhe financoi kuazi OJQ, për ti kundërvyer atyre që e kritikonin. Me pak përjashtime, prijësit e shoqërisë civile , në petkun e “analistëve politik”, shtyen anësh intelektualët, ndërkohë që nga kritizuesit e pushtetit, do bëheshin edhe pjesë e pushtetit. Ata që deri dje kritikonon pushtetin, sot duan të na bindin se se vetëm ne, (por edhe vetë ata- më heret), e kishin gabim!
Deri në fillim të nëtëdhjetave të shekullit të kaluar ishte, pra frika ajo që frenonte mendimin e lirë intelektual. Tek intelektualët e sotëm, frikën e zëvendësoi e kojtmja. Pushteti komunist ndaj intelektualëve kritik aplikonte diferencimin ideo-politik. Ky i sotmi- diferencimin buxhetor. Në komunizëm ndodhi vetë-censura intelektuale; pas komunizmit po ndodhë lodhja intelektuale.
Sot, intelektualët nuk burgosen, por ama as nuk i pyet kush për mendim. Madje edhe ata vetë si duket janë të lodhur nga dhënja e mendimeve, sepse kush nuk i vlerëson më ato. Pa amnistuar as vetë intelektualët, të cilët me heshtjen konformiste, kanë po aq përgjejësi për de-intelektualizimin e shoqërive tona.
Pse edhe ne nuk jemi vetë-kritik dhe pse në emër të solidaritetit të rrejshëm kolegjial, mbyllim sytë para avancimeve të dyshimta në thirrjet akademike? Pse heshtim për plagijaturë dhe për botimet kuazi shkencore të kolegëve tanë në “fake journals”? Pse nënshkruajmë recensione për master e për doktorate të dyshimta?
Fundja pse bëhemi sikur nuk dijmë për diplomat false apo edhe përarritjen e gradave shkencore- madej as pa diplomë fakulteti?! Shqetësese është jo vetëm dhjamosja intelektuale e profesoratit në prag të pensionimit, por shumë më tepër e kuadrove të reja që posa hynë në komunitetin akademik. Guximi intelektual nuk nënkupton vetëm kritikë kundër pushtetit, por po aq edhe kundër devijimeve brenda vetë botës akademike. Nuk ngritet shoqëria me pseudo-intelektualë.
Jo rastësisht arsimi në shoqëritë shqiptare është në fund të rangimit europian, kurse universitetet tona zënë vendet katërshifërore klasifikuese. Pra, faji ëshë edhe i vetë intelektualëve, të cilët: të paligjshmen dhe jo-etiken në komunitetin e tyre akademik e pranun si legale dhe morale.
Thjeshtë, intelektualët e sotëm janë të dërmuar nga përpjekja e tyre e vazhdueshme për të thënë të vërtetën, sepse pushtetet post-komuniste, në vend të pëndjekjes së tyre, aplikojnë injorimin e tyre. Çka që intelektualët në shoqëritë shqiptare kritikuan e kritikojnë politikat qeveritare? A mos i ndryshuan ato? Secili sot në FB, ka lirinë e kritikës, por cili është efekti i kësaj kritike virtuele, kur nuk ndryshon gjenden reale?
Pushteti post-komunist doli më i aftë, në lodhjen e intelektualëve: askush nuk i ndalon të kritikojnë- deri sa ata vetë të lodhen dhe të vetë-dorëzohen! Ti hyjnë politikës, si e vetmja rrugë për ti ndryshuar gjerat; u pa si mision i pamundshëm në shoqëritë tona. Ku përfunduan intelektualët e: Tiranës, Prishtinës apo Shkupit, që provuan garën politike? Kjo është përgjigja më e mirë ndaj qarqeve altruiste intelektuale që ende operojnë me modelet e nevojës për “rrugën e tretë”, apo për parti elitiste .
Në shoqëritë post-komuniste shqiptare, votat nuk fitohen me ide iluministe, por me matematikë precize elektorale, besa edhe me mbushje kutish. Si mund ta mobilozojë elektoratin një intelektual jashtë-establishmentit, karshi një partie në pushtet me gjitha atë armatë shërbyesish civil, ku qeveritë tona mbeten punëdhënësi kryesor? Prandaj BE, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore u lodhën së kërkuari prej shteteve tona redukimin drastik të administratës shtetërore: disa fish më të fryer se numri i popullsisëë elektoratin e sigurtë të pushtetarëve?
Kujt i shërbyeka, sot, pra, shërbimi civil në Ballkan? Qytetarëve, nga paguhen taimet e rrogave të tyre? Apo atyre që janë në pushtet, në çdo cikël elektoral? Shumëzojeni atë administratë shetëtore me numrin e anëtarëve të familjeve dhe ju del elektorati i sigurtë që çdo herë do e votojë pushtetin dhe jo intelektualin. Pa llogariur këtu oligarkët e biznesit- eminencën gri të partive tona në pushtet.
Prandaj, sot ndryshoi edhe perceptimi për intelektualin. Të tillë quhen ata me ngritje themelore akademike, që vendin e parë të punës e kanë ministër; shoferët në cilësi këshilltari; apo ata që falë ngjitjes së posterëve elektoral bëhen zyrtar qeveritar. Ata sot edhe mund të kenë formësimi profesional, por u mungon guximi intelektual. Shoqëritë tona kanë suficit diplomash, po deficit dijesh.
Madje edhe pas tri dekadash nga perëndimi i kultit të shokut Enver, intelektualët tanë ende i thurrin elozhe liderëve të sotëm dhe nëshkruajnë peticione për mbështetjen e “Enverëve” të sotëm, adhurim ky ndaj pushtetit nga intelektualët- që moti i detektuar nga Orwell.
Andaj duken të kota thirrjet: “ku janë intelektualët”, “pse heshtin intelektualët”, e të ngjashme. Ata janë aty ku kanë qenë gjithnjë- por të eklipsuar nga pushteti. Biles, sot kritikat intelektuale vetëm sa legjitimojnë ekzistencën e një kuazi-demokracie, me të cilën pushteti pastaj krenohet se “në shoqëritë tona, ekziston mendim i lirë, ku secili mund ta kritikojë pushtetin”!
Paradoksalisht, erdhëm në situatën: sa më shumë kritikë intelektuale, aq më i fuqishëm pushteti. Sa më tepër “intelektualizëm” verbal, aq më tepër pushtet real.
Nuk mbaj mend, që intelektualët ndërruan regjimet në Ballkan; por vetëm matematikat e aleancave befasuese ndër-partiake.
Si rrjedhojë, shoqëritë tona mbeten fasada të demokracisë. Janë demokratura, ku intelektuali kritikon, por askush nuk e dëgjon.
Mësimi nga revolucionit borgjez francez edhe pas dy shekujve mbetet aktual për revolucionin post-komunist: “ka dy kategori njerëzish; ata që e bëjnë revolucionin dhe ata që përfitojnë nga revolucioni”. Në shoqëritë tona “demokratike”, intelektualët nuk i përkasin kategorisë së dytë.
Pushteti i butë post-komunist u dëshmua shumë më efektiv në lodhjen dhe vetë-dorëzimin e intelektualëve, se ai i mëparshmi- i vrazhdi- komunist.
Intelektualët e pranuan këtë lojë, andaj as nuk mund të amnistohen.
Ata, mbeten humbësit e vazhdueshëm, pavarësisht ndryshimit të sistemit.