Kthehet në rigjykim lënda e zjarrit vdekjeprurës në spitalin e Tetovës
Gjykata Apelit në Gostivar gjatë ditës së premte ka kthyer në rigjykim rastin e Spitalit modular në Tetovë. TV21 mëson se gjatë ditës së premte lënda ka arritur në gjykatën e Tetovës, por rigjykimi i rastit ende nuk dihet se kur do të fillojë. Ne gjatë ditës së sotme kontaktuam me familjarët e personave të cilët humbën jetën në këtë rast tragjik. Ata shpresojnë se rasti do të zgjerohet dhe në bankën e të akuzuarve do të ulen përgjegjësit për djegien e spitalit.
“Kam theksuar se ka edhe njerëz që nuk janë në bankën e të akuzuarve, po në këtë rast rigjykimin qëe bën apeli i Gostivarit mendoj se do të ketë drejtësi. Unë si Mumin, në seancën e Tetovës e kamë theksuar, ku është ministri i shëndetësisë, zv/ministri, ku është firma e ndërtimit Bako!? Ku është firma që e ka pas tenderin e rrymës që e ka vendos. Doli deklarata ose ekspertiza e Gjermanisë se nga kablloja vazhdues. Unë e kam thënë edhe në deklarata se nuk ka qenë rryma, kablloja vazhduese, defibilratori i zemrës, nuk ka qenë në kabllo vazhduese, por si të them në shteker (priza)”, pohoi Mumin Ismaili – familjar.
“E pritëm shumë mirë se duam që të zbardhet rasti dhe të shohim cila është e vërteta. Besojmë se tash mund të ketë drejtësi. Kompania dhe spitali duhet të ketë përgjegjësi, se jo vetëm e ndërtojnë edhe të fusin njerëz brenda”, u shpreh Qanie Selmani – familjare.
11 muaj më parë, me 1 vit e 6 muaj burg me kusht u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës – Florin Besimi dhe ish drejtori ekonomik – Artan Etemi, kjo domethënë se ata nuk do të burgosen nëse për 3 vjet nuk kryejnë vepër të re penale. Mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit – Boban Vuçevski u lirua nga akuza. Ndërkaq, Spitali i Tetovës mori dënim prej 1 milion denarësh. Të akuzuarit nuk janë akuzar për shkaqet e zjarrit por për krime të rënda kundër sigurisë së përgjithshme .
Zjarri i tmerrshëm që e bëri hi spitalin modular në Tetovë me 8 shtator të vitit 2021, mori me vete 14 jetë të pacientëve të trajtuar nga Covid-19, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht.
Ja lajmi i djegjes së spitalit të datës 8 shtator 2021
Së paku dhjetë persona kanë humbur jetën në Tetovë, si pasojë e zjarrit që ka përshirë spitalin modular për trajtimin e të sëmurëve me koronavirus, të mërkurën rreth orës 21:00.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, nuk e ka përjashtuar mundësinë që numri i të vdekurve të jetë më i lartë, por nuk ka dhënë detaje tjera, as për të plagosurit, e as për numrin e personave që gjendeshin në spital në kohën e shpërthimit të zjarrit.
Zjarri besohet të jetë përhapur nga shpërthimi i bombolave të gazit apo oksigjenit.
Ekipet e zjarrfikësve është raportuar se kanë shkuar në vendin e ngjarjes pesë minuta pas shpërthimeve të fuqishme.
“Një aksident i rëndë ka ndodhur në Tetovë që ka marrë disa jetë njerëzish. Dhjetë persona janë konfirmuar të vdekur deri më tani, por numri mund të rritet. Kjo është një ditë shumë e trishtuar. Unë shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjet. Mjekët po luftojnë për jetën e të plagosurve, për t’i uruar fat dhe për të qëndruar sonte me mendimet e bashkëqytetarëve tanë. U bëj apel mediave dhe qytetarëve që të mos spekulojnë me numrat. Ne do t’i ndajmë të gjitha informacionet e konfirmuara me kohë”, ka shkruar Filipçe në Twitter.
Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, pas mbledhjes së shtabit të krizës, tha se pret që institucionet të zbardhin rastin, që ka tronditur rajonin e Tetovës, i cili në javët e fundit është përballur me numër të madh të viktimave dhe të infektuarve me koronavirus.
Nuk dihet as numri i personave të shtruar në këtë spital, për të cilin edhe më herët ishte raportuar se ka pasur lëshime gjatë procesit të ndërtimit.
“Institucionet duhet të bëjnë punën e tyre andaj edhe ne nuk mund të flasim për shkaktarët, të paktën për momentin. Është një fatkeqësi, një dhimbje shumë e madhe. Me informacione do të dalim pasi që prokurori shtetëror ta ketë bërë punën e tij dhe pasi të kemi informacionet zyrtare, qoftë për shkaqet, qoftë për viktimat”, ka deklaruar Arifi.