Ja emrat e 16 profesorëve plagjiatorë të UP-së
Organizata ADMOVERE publikon përmbledhjen me emrat e profesorëve të UP-së që kanë kryer plagjiaturë
Në raporti “Stafi Akademik i UP-së – studimet, angazhimet tjera, plagjiaturat, vlerësimet e profesorëve dhe përpjesa staf-studentë e studentë-hapësirë”, i cili u promovua sot, u publikuan rastet e 16 profesorëve të Universitetit të Prishtinës që ndër vite sipas raportit kanë kryer plagjiaturë.
Ky raport u botua nga organizata ADMOVERE në bashkëpunim me Koalicionin për Integritet dhe Transparencë në Universitet, e përkrahur edhe nga KFOS-i.
Botuesi i këtij raporti, Shkëlzen Gashi, tha se gjatë hulumtimeve i kanë përmbledhur plagjiaturat e profesorëve që janë publikuar në media.
“Magjistratura e doktoratura, por në përgjithësi janë doktoratura, prej Fakultetit të Edukimit është Zeqir Veselaj që ka marrë nga dr. Ferat Rexhepi, Muhamet Aliu nga Fakulteti Ekonomik ka kopjuar nga doktoratura e Skender Ahmetit, Drita Konxheli ka vjedhur nga studenti i saj Florin Aliu, Venet Shala nga ekonomiku, ka vjedhur artikullin e Besnik Krasniqit, Sabri Hamiti nga Fakulteti Filologjik ka vjedhur nga dy publikime nga Beogradi dhe nga Parisi, Lindita Sejdiu-Rugova ka vjedhur pesë faqe nga doktoratura e bashkëshortit të saj, Bardh Rugova, Ali Dila ka përshkruar prej tre librave, Kadri Metaj ka vjedhur dhjetëra faqe nga tre libra, Selim Bezeraj nga Fakulteti Filozofik, ka kopjuar nga Adam Christian nga fakulteti i Vjenës, Luan Ahma dhe Sabri Limari kanë kryer plagjiaturë duke përkthyer pjesë nga libra kroatë dhe i kanë publikuar në emrat e tyre, Hajredin Kuçi ka vjedhur komplet fusnotat nga Enver Hasani, Mejdi Bektashi është profesor në Fakultetin Juridik dhe Ekonomik, ka vjedhur nga përkthimi i librit të autorëve Paul Sanuelson, Beqir Sadikaj ka vjedhur nga vepra e autorit Georges Gurvitch, Sylejman Rexhepi nga Fakulteti i Mjekësisë ka vjedhur librin nga Hans Jürgen Hettenkofer, Dalip Limani ka vjedhur nga një libër i botuar në Kroaci nga autori Ivan Prpić, Arsim Morina ka vjedhur prej disa autorëve të huaj, por edhe prej punimit të Qamile Morinës e cila është gruaja e tij”, tha Gashi.
“Edhe kur plagjiaturat janë zbuluar në media ata nuk kanë dhënë dorëheqje dhe nuk është marrë ndonjë masë ndaj tyre përkundrazi ata janë avancuar në UP”, shtoi ai.
Hulumtuesja Aulonë Memedi tha se gjatë punës së tyre kanë analizuar CV-të e të gjithë profesorëve në UP, atyre të rregullt, të asociuar dhe asistentëve.
“Jo të gjitha CV janë të publikuara online dhe ata që i kanë nuk posedojnë të gjitha të dhënat. 700 i kanë kryer studimet bachelor në Kosovë, studimet e Magjistraturës 466 i kanë kryer në UP, në total 313 kanë kryer studimet në njërin nivel jashtë vendit në gjuhë të huaja. Nga 840 pjesëtarë të stafit akademik 286 janë gra. Nga dhjetë dekanë që kanë pranuar të intervistohen, tre prej tyre kanë refuzuar. But Dedaj nga Fakulteti Ekonomik, Ethem Çeku nga Fakulteti i Edukimit dhe Bujar Dugolli nga Fakulteti Filozofik”, tha Memedi.
“Kemi analizuar pyetësorin që u ndahet studentëve që japin vlerësimet për profesorët e tyre dhe kemi dhënë një propozim për përmirësimin e tij. Në UP përpjesa student-profesorë është 1:58 gjë që tregoj se është jashtë standardit. Të investohet edhe në shkolla profesionale sepse jo të gjithë duhet të studiojnë. Sa i përket përpjesës student-infrastrukture UP-ja nuk i plotëson standardet dhe duhet të rregullohen fakultetet që nuk i plotësojnë standardet”, shtoi ajo.