Në rrethin tonë nuk janë të pakta gratë e braktisura nga burrat, të cilat, për hir të fëmijëve, bëhen fli. Njëra ndër to, që rininë e kaloi si «grua pa burrë», papritmas përjetoi mrekulli: iu kthye burri pas njëzet vjetësh.Mrekullitë dhe gjërat e bukura nuk ndodhin vetëm në faqe romanesh dhe në shirit filmi, ku në fund gjithçka përfundon me hepi end. Mrekullitë ndodhin edhe në jetë, sepse jeta në gjiun e saj ngërthen plot të papritura dhe mistere.
Gruaja që kaloi dy decenie të jetës duke pritur quhet Shyqerije Bytyqi, nënë e dy fëmijëve, Afërditës, e cila është martuar dhe ka fëmijë, dhe Mirlindës, 21-vjeçare. Historia e hidhur fillon herët, më 1977, kur burri nën kërcënimin e arrestit (pasi disa shokë të tij burgosen) e lë punën e mësuesit dhe arratiset në Belgjikë. Atje së shpejti merr statusin e emigrantit politik. Meqë kishte përvojë pune si mësues edhe atje punon edukator në shkollën evropiane, lidhjet me familjen i mbante të rregullta. S’mungonin as thirrjet telefonike, as letrat…
Gruaja jetonte me shpresë se së shpejti burri do t’i kthehej. Ajo u bë edhe burrë edhe grua për fëmijët e saj, njërën vajzë katërvjeçare, e tjetrën një vjeçe ia pat lënë burri. Burri i saj, Ganiu, pas një viti e gjysmë qëndrimi në Belgjikë, emigron në Amerikë.Shpresat për ta marrë gruan me fëmijë ishin asfare. Por, gruaja burrëreshë nuk dorëzohej. I përkushtohet rritjes së vajzave, mirëqenies dhe edukimit të tyre. Derisa vitet iknin e kontaktet me burrin shkonin duke u zbehur, edhe fjalët e botës dhe presioni brenda përbrenda familjes rritej, sepse si mund të jetonte gruaja pa burrë në shtëpinë e burrit? Akuzat dhe fjalët edhe më tepër e rëndonin peshën mbi kurrizin e gruas, e cila stoikisht ballafaqohej me vështirësitë që ia krijoi jeta. Thellë në shpirtin e saj të munduar nga vuajtjet e malli, besonte se ai ishte gjallë dhe do të kthehej… por vitet kalonin e prej tij asnjë lajm, asnjë gjurmë.
Ajo vendosi: rinia e saj perëndoi, do të kujdesej deri në vdekje për vajzat, edhe pse s’kishte trashëgimtar… Gruaja e burrit të zhdukur jetonte vetëm për fëmijët e saj, u bë si mumie e gjallë duke i mbyllur sytë dhe veshët ndaj akuzave të rrethit. Pas një kohe të gjatë, në fshat u përhap lajmi se Ganiu ishte gjallë dhe ishte martuar në Amerikë. Ky lajm sa e gëzoi aq edhe e tronditi gruan. Ishte martuar? Tekefundit, s’ishte, çudi, ishin bërë 14-15 vjet prej ditës kur e kishte kaluar pragun e shtëpisë.
Por, ndodhi e kundërta. Ganiu ishte i gjallë, i zhdukuri jetonte në Nju-Jork dhe mohonte se ishte i martuar. Përpjekja e Shyqerijes për t’u takuar me burrin në Gjermani dështoi. Ambasada amerikane nuk ua lëshoi vizat e as Ganiu s’mund të hynte në Gjermani. Kështu as pas shtatëmbëdhjetë vjetësh pritjeje ajo nuk u takua me burrin. E dëshpëruar, së bashku me vajzat u kthye në Kosovë. Por, e gëzonte fakti se ai ishte gjallë dhe ndoshta një ditë do të kthehej. Martesa e Afërditës kaloi në vaj, nusja nuk i përmbante lotët. Po martohej si ndonjë vajzë bonjake, që nuk e shijoi dashurinë atrore kurrë. Vajza e «babait të humbur» u bë nuse pejane, por më shumë qau sesa u gëzua për këtë akt solemn në jetën e saj.
Gjithçka po rridhte me ritëm monoton në familjen e Bytyqve, kur këto ditë marsi, një burrë dyzeteshtatëvjeçar, ia behu te dyert e mëdha të oborrit. Nuk e njohu njeri. Njeriu që u kthye në vatrën e vet pas njëzet vjetësh mori një grusht dhe e u zhgreh në vaj si çilimi. Qanë edhe trarët e shtëpisë nga gëzimi. U gëzua i madh e i vogël. Lajmi mori dhenë: u kthy nga Amerika, pas njëzet vjetësh, Gani Bytyqi i Studençanit, heu po kush do të besonte! Dhe gjithçka filloi nga e para. Jeta mori kuptimin aty ku ishte këputur filli pas kaq vjetësh. Takimi i përmallshëm me nënën plakë e të shushatur, me fëmijët kaloi në vaj. Vajza e vogël u njoh me burrin e thinjur, babin e saj, në moshën njëzetenjëvjeçare. Vajza e madhe e njohu djalin me «gjyshin amerikan». U njohën të gjithë. U njohën e rinjohën. Gruaja, ajo që priti njëzet vjet, e i mbeti besnike si hiri zjarrit, e fitoi betejën.
Dhe jeta ka nisur prej fillimit. Këto ditë i «humburi» po çmallet me njerëzit, me tokën, me ajrin e vendlindjes. Ditët kalojnë shpejt, njerëzit si varg lumenjsh vijnë për të përshëndetur. E netve të vona njerëzit e shtëpisë i rrinë afër, sikur kanë frikë mos po ik sërish.
Po, do të kthehet sërish në Nju-Jork, ku punon si gatues picash në një restorant, por kësaj radhe jo vetëm. Do të shkojë me vajzën dhe gruan, atë të durueshmen, të dlirën, që ia fali tërë jetën pritjes.
Anglezët e kanë një thënie që më pëlqen: «Gjithçka është mirë, kur përfundon mirë».

Shpërndaje artikullin në: