Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov e ka gjetur kabinetin me borxhe dhe porosi që sipas tij janë të dyshimta dhe të paarsyeshme. Paraardhësi i tij, Krenar Lloga ka zhdukur dokumentin e klasifikuar të Misionit Vlerësues të KE-së. Për këtë Filkov thotë se ka hetim dhe do të vërtetohet se ku ka përfunduar. Ai shpalosi edhe porositë e ombrellave, bluzave dhe shisheve të cilat janë arsyetuar, ndërsa tha se Lloga ka blerë telefona celular me vlera marramendëse nga çmimi real në treg, ndërsa në porosi ka përfshirë edhe skuterë elektrik. Filkov tha se nevoja e këtyre porosive nuk është arsyetuar dhe mungon evidenca, aq më tepër sa sipas tij, pajisjet nuk janë kthyer.

“Mora detyrën pa pranim-dorëzim nga paraardhësi im dhe kabinet i zbrazur pa mëshirë, por me gjëra të sapo porositura si: ombrella, bluza, çanta, shishe dhe gjëra të tjera secila prej tyre nga 200 copë dhe faturë e papaguar prej 956 mijë denarë për të njëjtat. Hasa në resurse të zbrazura financiare. Nuk ka evidencë për marrjen dhe shfrytëzimin e telefonave celular, laptopa dhe skuter elektrik. Kjo dëshmon për mëvetësimin e ministrisë nga paraardhësi im”, deklaroi Igor Filkov, Ministër i Drejtësisë.

Në muajin nëntor do të fillojnë debatet publike për ndryshimet në Ligjin për Këshillin Gjyqësor dhe Ligjin për Prokurorinë Publike. Mbi ndryshimet në Kodin Penal, po kërkohen modalitete se si do të mund të përfshihen dispozita me fuqi retroaktive.

“Mbi Këshillin Gjyqësor e dini se gjatë muajit që pason do të fillojmë me debatet publike për Ligjin mbi Këshillin Gjyqësor. Momentalisht do të shkojmë me grup të ri pune. Akoma punohet gjetjen e zgjidhjes me të mirë. Nuk diskutohet ajo që neve duam ta bëjmë rreth Kodit Penal. Ajo për të cilën duhet të diskutohet është se ligji nuk lejon zbatimin retroaktiv dhe neve duhet të fokusohemi këtu për të gjetur zgjidhjen e duhur se si të ketë përgjegjësi për atë që është bërë deri tani”, tha Igor Filkov, Ministër i Drejtësisë.

Filkov deklaroi se në përpunim është edhe ligji që do të rregullon pensionimin e gjykatësve dhe se kufiri i propozuar është paraparë 67 vjeç. /Alsat.mk

Komunat kanë shprehur interesim të lartë për realizim të projekteve infrastrukturore me para nga buxheti i shtetit. 80 komuna me rreth 357 projekte kanë aplikuar në thirrjen publike për financim. Mjetet e ndara me rishikim të buxhetit kapin vlerën 100 milionë euro. Ministri i vetëqeversisjes lokale, tha se të gjitha komunat e kanë shfrytëzuar këtë thirrje duke aplikuar me më shumë projekte.

“Ne nuk i ndajmë njësitë lokale sipas etnitetit, thirrja publike ishte paraparë për të gjitha njësitë e vetëqeverisjes lokale dhe siç potencova, 80 komuna e kanë shfrytëzuar thirrjen publike, praktikisht të gjitha komunat kanë aplikuar për mjete”, tha Zllatko Perinski, ministër i vetëqeverisjes lokale.

Ministri tha se aplikimet janë të shumëllojshme. Ka aplikime për infrastrukturë rrugore, për rikonstruim të rrjeteve të ujësjellësit, për sistemet e kanalizimit. Ndërsa ka aplikime edhe për blerje të mjeteve transportuese. Por meqë mjetet nga kjo thirrje janë paraparë vetëm për përmirësim të infrastrukturës, aplikimet për blerje të mjeteve për transport publik apo automjete të zjarrëfikësve, me shumë gjasa do të refuzohen.

“A do të blihen autobusë dhe kështu me rradhë, vlerësoj se nuk është qëllimi kryesor i kësaj thirrjeje publike që Qeveria të blejë mjete bazë për ndërmarrjet komunale, por përkundrazi të përmirësohet infrastruktura në korrniza të vetëqeverisjes lokale”, shtoi Zllatko Perinski, ministër i vetëqeverisjes lokale.

Akoma nuk dihet se cila është vlera e parave që komunat kanë kërkuar deri më tani, por ministri konfirmon se ato e tejkalojnë shumën e paraparë prej 100 milionë eurosh. Vijon procedura e evaluimit, ndërsa deri në fund të muajit pritet të përfundojë e gjithë procedura dhe të dihet se cilat projekte do të financohen nga paratë e shtetit. Ministri Perinski, paralajmëroi që nga viti I ardhshëm do të ketë mjete shtesë për komunat në vlerë prej 250 milion euro dhe për këtë fazë do të ketë thirrje të re./Alsat.mk

Ministritë dhe komunat në RMV, janë të zhytura në korrupsion. Këtë e tregon raporti i fundit i qendrës për komunikime civile. Sipas QKC-së asnjë ministri apo komunë në vend nuk ka nivel të lartë të mbrojtjes nga korrupsioni në furnizimet publike. QKC ka publikuar renditjen e Qeverisë, ministrive dhe komunave sipas 32 treguesve për performancën kundër korrupsionit në furnizimet publike.

QENDRA PËR KOMUNIKIME CIVILE

“Asnjë institucion i vetëm nuk është në zonën e gjelbërt, të mbrojtjes së lartë ndaj korrupsionit, me një performancë antikorrupsion me mbi 80 %.  Katër ministri dhe 43 komuna gjenden në zonën e kuqe, gjegjësisht furnizimet e tyre publike kryhen me nivel të ulët të mbrojtjes nga korrupsioni, sepse kanë performancë kundër korrupsionit më të ulët se  50%”.

Sipas renditjes, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministria e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Ndërkomunitare kanë ekspozimin më të lartë ndaj korrupsionit ndërsa me performancën më të mirë kundër korrupsionit, arritja e së cilës është 72 % janë Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave.

Sa i përket komunave,  niveli më i ulët i performancës kundër korrupsionit në furnizimet publike është përcaktuar në Kratovë dhe Gostivar. Në zonën e kuqe ndodhet qyteti i Shkupit, si dhe 40 komuna të tjera. Performancën më të mirë kundër korrupsionit në prokurimin publik e ka Komuna e Kavadarit me 70%, si dhe Komuna e Velesit dhe Probishtipit me 66 %.

Kryeministri Hristijan Mickoski konfirmoi planin e qeverisë për bashkimin e shërbimeve të sigurisë. Ky plan, që daton që nga reformat e shërbimeve sekrete që erdhi pas Marrëveshjes së Përzhinës, sipas Mickoskit, do të zbatohet brenda disa muajsh.

“Edhe kjo është pjesë e programit të qeverisë së re, që Agjencia e zbulimit dhe Agjencia për Siguri Kombëtare të bashkohen në një Agjenci dhe ky do të jetë një proces që do të zgjasë disa muaj. Pres që me sukses të përfundojë në Kuvend. Ky lloj i bashkimit të shërbimeve kanë bërë shumë shtete që janë anëtare të NATO-s. Mes tyre, edhe fqinjët Sllovenia në fund të viteve 90 dhe më pas Kroacia në fillim të këtij shekulli. Kështu që ky është detyrim i qeverisë dhe do ta bëjmë në muajt që vijnë”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.

Bashkimin e agjencive sekrete, Agjencisë për Siguri Kombëtare e cila për momentin është në kompetenca të Qeverisë dhe Agjencisë së Zbulimit e cila është në kompetenca të Presidentit, e kishte premtuar edhe qeveria e kaluar. Megjithatë, sipas tyre, duhej të kalonte kohë për krijimin e kushteve që këto institucione të bashkëvepronin dhe të shkrihen në një të vetme. Ky premtim, nuk u realizua. Kërkesa për unifikimin e tyre vjen edhe si pasojë e një efikasiteti më të madh të shërbimeve sekrete pas anëtarësimit të vendit në NATO.

Pas bashkimit të këtyre institucioneve, Mickoski nuk dha më shumë informacione se kush dhe si do të udhëheqë me to. Megjithatë, nga VLEN ditë më parë thanë se pas bashkimit, pozita e zv/drejtorit do t’u takojë atyre që të emërojnë kuadër.

E deri sa dy agjencitë e shërbimeve sekrete të bashkohen, Presidentja Gordana Siljanovska Davkova ka emëruar tashmë drejtore dhe zv/drejtore të re në Agjencinë e Zbulimit edhe atë Gabriella Jakovleva drejtore dhe Ivana Stojanovska, zv/drejtore.

Publikisht pati dhe reagime që nuk janë respektuar kushtet ligjore gjatë emërimit në rastin e zv/drejtores. Reagimet ishin edhe në drejtim të mospërfaqësimit etnik të shqiptarëve. Por, nga Presidenca thonë zv/drejtorja e re i plotëson kushtet prej të paktën 10 vjet përvojë punë në fushën e sigurisë, nga të cilat të paktën pesë vjet në pozitë drejtuese në Agjencinë e zbulimit, kurse gjatë emërimit, janë udhëhequr vetëm nga interesat nacionale./ Alsat.mk

Një rast jo i zakonshëm thotë se i ka ndodhur një qytetari nga Kosova në spitalin privat “Acibadem Sistina” në Shkup.

Remzi Toçilla nga Ferizaj ka thënë se mjekët në këtë spital ia kishin operuar gjurin e këmbës së djathtë, në vend të së majtës, ani pse në fund rezultoi sipas tij se nuk kishte pasur nevojë që të kryente operacion për asnjërën prej tyre, përcjell gazeta online Reporteri.net.

“Pas operimit, pasi më kaloi anestezioni, e pashë që nuk ishte këmba e majtë, por e djathta. I thash mjekëve çfarë u bë kështu, mjeku më tha: E operova, sepse e vërejta që ke tentu ta mbrosh këmbën e majtë, dhe e ke lënduar të djathtën dhe vendosa ta operoj. I pyeta se si mund të ndodh pa ndonjë analizë, e më tha ashtu vendosa dhe pas tri jave ta bëjë dhe të majtën”, tregon Toçilla për PortalX.

“Të gjithë familjarët u habitën”, shton ai.

Madje, sipas tij, spitali kishte një “ofertë” për të, t’ia operonte falas këmbën e majtë.

“Jam konsultuar me një mjek tjetër, e më ka thënë shyqyr që s’ta kanë bërë edhe këmbën e majtë. Më mirë, kanë tentuar të bëjnë diçka por s’kanë bërë asgjë. Të kisha propozuar mos bëjë asnjë intervenim tjetër”, tregon Toçilla.

“Për atë operacion kamë paguar 1700 euro”, tregon tutje qytetari nga Ferizaj që u operua në këtë spital.

Në anën tjetër, nga spitali privat Sistina kanë thënë rasti është në procedurë gjyqësore, dhe nuk mund të flasin.

Burimi:

Kreu i deritanishëm i LSDM-së Dimitar Kovaçevski njoftoi sot kryesinë ekzekutive të partisë për tërheqjen e tij nga funksioni i kryetarit. Ai mes tjerash inicioi mbledhjen e Kongresit të LSDM-së për analizimin e rezultateve zgjedhore dhe locimin e përgjegjësisë, që siç thotë ai, është në të gjitha nivelet e strukturave të partisë.

“Ftoj të gjithë kryesinë e partisë që ta bëjë të njëjtën gjë, që nga anëtarët e kryesisë, përmes organeve qendrore të partisë, deri te organet komunale të kryesisë së partisë. LSDM-ja do të duhet të shikojë mirë nga brenda, të mendojë se çfarë kemi bërë dhe cilat janë rezultatet dhe dobësitë në 4 vitet e fundit, ndoshta edhe në 7 vitet e fundit. Dhe më e rëndësishmja, çfarë duhet bërë për të rikthyer besimin e qytetarëve që kemi humbur”, thuhet në letrën që Kovaçevski adresoi te kryesia partiake. /Alsat.mk

Alsat sjellë të plotë ndarjen e resoreve në Qeverinë e re, ja sa ministri merr VLEN

Tashmë raportohet se janë ndarë resoret ndërmjet VMRO-së dhe VLEN-it, derisa pritet që këto të bëhen publike zyrtarisht të premten, shkruan Alsat.

Kryetari i ardhshëm i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, do të jetë kryetari i Alternativës, Afrim Gashi. Përpos, kryeparlamentarit, Alternativës do t’i takojnë edhe Eurointegrimet.

Po ashtu, Alternativa, do ta ketë edhe zv/ministrin e Arsimit dhe zv/ministrin për Bashkësi Etnike.

Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit do ta merr postin e zv/kryeministrit të parë të Qeverisë, post që më herët i ka takuar Artan Grubit, Ministrinë e Ambientit dhe dy zv/ministra, atë të Transportit dhe të Ministrisë së Brendshme.

Lëvizja e Besa do të udhëheq me Ministrinë e Ekonomisë dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale. Gjithashtu Besës do t’i takojë edhe zv/ministri i Kulturës.

Arben Taravarit do t’i takojë Ministria e Shëndetësisë, Ministria pa resor, zv/ministri i Mbrojtjes dhe zv/ministri i Bujqësisë. /Alsat.mk

Korrupsioni në vend është i lartë edhe kur bëhet fjalë për ndotjen e ambientit dhe shkatërrimin e mjedisit jetësor e sidomos në atë të prerjes së pyjeve dhe hedhjen e mbetjeve ndërtimore në natyrë, shkruan Alsat.

Në një tribunë kushtuar kësaj dukurie, autoritetet shqyrtuan shtrëngimin e masave.

“Par ekselansë duhet ta themi shkatërrimin e pyjeve, i cili është problem i madh në shtetin tonë, pastaj është edhe numri i errët ku do të mund të ndihmojnë kriminologët se si ta tejkalojmë problemin me pjesën e krimeve të kryera dhe të pazbuluara dhe kemi mjaftë diskutime në këtë pjesë dhe në fund korrupsioni në mjedisin jetësorë ku shumë hulumtime nga OJQ-të tregojnë se korrupsioni është shumë prezent edhe në mjedisin jetësorë”, tha Marina Malish Sazdovska, Fakulteti i Sigurisë.

Sipas inspektorit në departamentin e policisë kriminale të byrosë për siguri publike korrupsioni është prezent edhe kur bëhet fjalë për hedhjen e mbetjeve ndërtimore të cilat shpesh shkaktojnë edhe erozionin e lumenjve.

“Punojmë shumë në drejtimin florës dhe faunës, kafshëve të egra dhe punojmë me koordinim me Ministria e Mjedisit me mbetjet e rrezikshme, kontrolle të auto mbetjeve dhe mundohemi të ndjekim këtë lloj krimi por që provat duhet të jenë në nivel më të lartë por që korrupsioni është rritur në këtë pjesë, pra nuk mund të ketë kësi krimi nëse nuk ka korrupsion, duke filluar nga ndërtimi i ndërtesave dhe erozionin e lumenjve dhe gjelbërimit është fillim i keqpërdorimeve”, u shpreh Bazhe Simitrievski, inspektor i Policisë Kriminale në Byron e Sigurisë Publike.

Ideja e këtij diskutimi të përbashkët të autoriteteve kompetente ishte që të ndajnë mendime se cilat aktivitete të merren në të ardhmen për zbutjen e këtij aktiviteti kriminal./ Alsat.mk

Gjykata Apelit në Gostivar gjatë ditës së premte ka kthyer në rigjykim rastin e Spitalit modular në Tetovë. TV21 mëson se gjatë ditës së premte lënda ka arritur në gjykatën e Tetovës, por rigjykimi i rastit ende nuk dihet se kur do të fillojë. Ne gjatë ditës së sotme kontaktuam me familjarët e personave të cilët humbën jetën në këtë rast tragjik. Ata shpresojnë se rasti do të zgjerohet dhe në bankën e të akuzuarve do të ulen përgjegjësit për djegien e spitalit.

“Kam theksuar se ka edhe njerëz që nuk janë në bankën e të akuzuarve, po në këtë rast rigjykimin qëe bën apeli i Gostivarit mendoj se do të ketë drejtësi. Unë si Mumin, në seancën e Tetovës e kamë theksuar, ku është ministri i shëndetësisë, zv/ministri, ku është firma e ndërtimit Bako!? Ku është firma që e ka pas tenderin e rrymës që e ka vendos. Doli deklarata ose ekspertiza e Gjermanisë se nga kablloja vazhdues. Unë e kam thënë edhe në deklarata se nuk ka qenë rryma, kablloja vazhduese, defibilratori i zemrës, nuk ka qenë në kabllo vazhduese, por si të them në shteker (priza)”, pohoi Mumin Ismaili – familjar.

“E pritëm shumë mirë se duam që të zbardhet rasti dhe të shohim cila është e vërteta. Besojmë se tash mund të ketë drejtësi. Kompania dhe spitali duhet të ketë përgjegjësi, se jo vetëm e ndërtojnë edhe të fusin njerëz brenda”, u shpreh Qanie Selmani – familjare.

11 muaj më parë, me 1 vit e 6 muaj burg me kusht u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës – Florin Besimi dhe ish drejtori ekonomik – Artan Etemi, kjo domethënë se ata nuk do të burgosen nëse për 3 vjet nuk kryejnë vepër të re penale. Mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit – Boban Vuçevski u lirua nga akuza. Ndërkaq, Spitali i Tetovës mori dënim prej 1 milion denarësh. Të akuzuarit nuk janë akuzar për shkaqet e zjarrit por për krime të rënda kundër sigurisë së përgjithshme .

Zjarri i tmerrshëm që e bëri hi spitalin modular në Tetovë me 8 shtator të vitit 2021, mori me vete 14 jetë të pacientëve të trajtuar nga Covid-19, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht.

Ja lajmi i djegjes së spitalit të datës 8 shtator 2021

Së paku dhjetë persona kanë humbur jetën në Tetovë, si pasojë e zjarrit që ka përshirë spitalin modular për trajtimin e të sëmurëve me koronavirus, të mërkurën rreth orës 21:00.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, nuk e ka përjashtuar mundësinë që numri i të vdekurve të jetë më i lartë, por nuk ka dhënë detaje tjera, as për të plagosurit, e as për numrin e personave që gjendeshin në spital në kohën e shpërthimit të zjarrit.

Zjarri besohet të jetë përhapur nga shpërthimi i bombolave të gazit apo oksigjenit.

Ekipet e zjarrfikësve është raportuar se kanë shkuar në vendin e ngjarjes pesë minuta pas shpërthimeve të fuqishme.

“Një aksident i rëndë ka ndodhur në Tetovë që ka marrë disa jetë njerëzish. Dhjetë persona janë konfirmuar të vdekur deri më tani, por numri mund të rritet. Kjo është një ditë shumë e trishtuar. Unë shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjet. Mjekët po luftojnë për jetën e të plagosurve, për t’i uruar fat dhe për të qëndruar sonte me mendimet e bashkëqytetarëve tanë. U bëj apel mediave dhe qytetarëve që të mos spekulojnë me numrat. Ne do t’i ndajmë të gjitha informacionet e konfirmuara me kohë”, ka shkruar Filipçe në Twitter.

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, pas mbledhjes së shtabit të krizës, tha se pret që institucionet të zbardhin rastin, që ka tronditur rajonin e Tetovës, i cili në javët e fundit është përballur me numër të madh të viktimave dhe të infektuarve me koronavirus.

Nuk dihet as numri i personave të shtruar në këtë spital, për të cilin edhe më herët ishte raportuar se ka pasur lëshime gjatë procesit të ndërtimit.

“Institucionet duhet të bëjnë punën e tyre andaj edhe ne nuk mund të flasim për shkaktarët, të paktën për momentin. Është një fatkeqësi, një dhimbje shumë e madhe. Me informacione do të dalim pasi që prokurori shtetëror ta ketë bërë punën e tij dhe pasi të kemi informacionet zyrtare, qoftë për shkaqet, qoftë për viktimat”, ka deklaruar Arifi.

Gordana Silianovska Davkova bëri këtë të dielë betimin si Presidente e Republikës së Maqedonisë së Veriut , e para grua në këtë detyrë të rëndësishme.

Në fjalën e saj pas ceremonisë së inagurimit, ashtu siç edhe kishte premtuar gjatë fushatës, ajo tha se do të jetë president e të gjithëve.

“Do të jem presidente edhe në anën e majtë edhe në anën e djathtë. Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve, nuk do të bëj dallim mes tyre, as në bazë etnike, as fetare, as gjinore, e as në çfarëdo dallimi tjetër”, tha presidentja e Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska Davkova.

Gratë dhe roli i tyre në shoqëri ishin gjithashtu në fokus të fjalës së saj të parë si presidente e Maqedonisë së Veriut.

Por cfarë ranë sy, dhe u bë shkak për nisjen e një krize të re në politikën e jashtme , ishte mosshqiptimi sakte i emrit të vendit, siç shkruhet në kushtetutë.  Stiljanova tha gjatë gjithë fjalimit të saj ‘Maqedoni’ në vend të ‘Maqedoni e Veriut’.

Kjo bëri që ambasadorja greke në shkup sofia Philippido, të largohej nga salla në shenjë proteste, me direktiva nga Ministria greke e Punëve të jashtme e cila nuk vonoi të reagonte.

Ky akt shkel në mënyrë flagrante Marrëveshjen e Prespës si dhe Kushtetutën e shtetit fqinj, e cila është harmonizuar me detyrimet e tij ndërkombëtare. Qeveria greke, megjithë kundërshtimet e respektoi marrëveshjen si një traktat ndërkombëtar të ratifikuar që ka përparësi ndaj çdo dispozite tjetër të ligjit.”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme greke.

Gjithashtu presidentja e Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen kërkoi respektimin e marrëveshjes.

 “Që Maqedonia e Veriut të vazhdojë rrugën e saj të suksesshme për anëtarësimin në BE, është thelbësore që vendi të vazhdojë në rrugën e reformave dhe respektimin e plotë të marrëveshjeve të saj detyruese, përfshirë Marrëveshjen e Prespës.”, tha Ursula Von Der Leyen.

Maqedonia e veriut bëri ndryshimet kushtetuese dhe ndryshimin e emrin sipas marrëveshjes së Prespës për të zgjidhur mosmarrëveshjet me Greqinë disa vite më parë ndërsa partia e sapo ardhur në pushtet VMRO DPMNE ka qenë kundër saj./vizionplus.tv