Në analizën e fundit “Plani ballkanik që meriton mbështetjen e të matur”, Financial Times merret me çështjen e rrezikut dhe përfitimeve të idesë së presidentit të Serbisë dhe atij të Kosovës, Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi, për një korrigjim të mundshëm të kufijve dhe shkëmbimin e territoreve.

Në artikullin e saj, kjo e përditshme shkruan se “Manipulimi me kufijtë në Ballkan është më i rrezikshëm e në çdo pjesë tjetër të Evropës. Megjithatë, presidenti i Serbisë, Aleksnadar Vuçiq dhe homologu i tij kosovar Hashim Thaçi, po lëvizin drejt një marrëveshje të rëndësishme për normalizimin e marrëdhënieve midis ish-republikës Jugosllave dhe provincës së saj të mëparshme, duke përfshirë këtu çështjen e kufijve dhe një shkëmbimi të territoreve”, transmeton Telegrafi.

Më tej në artikullin e të përditshmes britaneze, të cilin e ka shpërndarë presidenti Thaçi përmes Twitterit personal, thuhet se një marrëveshje e tillë mund t’i ndihmojë Serbisë në rrugën e saj për t’iu bashkuar BE-së dhe Kosovës për t’u bërë kandidate formale për anëtarësim.

“Detajet nuk janë bërë të ditura, por të dy presidentet thuhet të kenë diskutuar rreth shkëmbimit të territoreve, kryesisht veriun e Kosovës të populluar me serbë, për një pjesë të Luginës së Preshevës, të populluar kryesisht nga shqiptarët.

Kosova duhet të nxisë pesë vendet anëtare të BE-së që të njohin pavarësinë e saj dhe të inkurajojë vendet e tjera në nivel global që të bëjnë të njëjtën gjë, duke bërë të mundur që Kosova të bashkohet me institucionet kyçe ndërkombëtare si OKB-ja dhe INTERPOL-i”, shkruan e përditshmja britanike.

Kjo e përditshme më tej shkruan se lëvizja e të dy vendeve drejt anëtarësimit në BE do të forconte reformat demokratike dhe ekonomike, dhe do të dërgonte një sinjal më të gjerë se integrimi i Ballkanit në institucionet euroatlantike, sado i ngadaltë, vazhdon.

“Por, në të njëjtën kohë, ka shumë gracka potenciale. Një marrëveshje për shkëmbim territoresh mund t’i shtyjë serbët të largohen nga pjesa e tjetër e Kosovës, duke e kthyer atë në një shtet shqiptar mono-etnik.

Shumë qytetarët të Kosovës kanë shprehur shqetësimin e tyre se presidentët Vuçiq dhe Thaçi, e kanë më shumë për interesat e tyre politike, sesa për vullnetin e popullit.

Zyrtarët e SHBA-së dhe BE-së janë gjithnjë e më ‘të ngrohur’ për planin. Megjithëse kancelarja gjermane Angela Merkel kritikoi idenë, duket se qëndrimi i Berlinit po zbutet”, shkruan gazeta britanike.

“Pasoja më e rrezikshme mund të ishte inkurajimi i liderëve të tjerë dhe njerëzve nga rajoni i ish-Jugosllavisë, kryesisht serbëve nga Bosnja, për të rikthyer kufizimet që nuk u pëlqen”, paralajmëron Financial Times.

Në këtë rast, nëse presidentët mund të arrijnë një marrëveshje, përfitimet e mundshme për Kosovën, Serbinë dhe rajonin e gjerë do të jenë të mjaftueshme për të merituar mbështetjen e nevojshme ndërkombëtare. 

Një gjykatë në Prishtinë, të enjten ka dënuar një rom me dhjetë vite burg, anëtar i një grupi paramilitar serb, për torturimin e shqiptarëve gjatë luftës së viteve 1998-1999 në mes Kosovës dhe Serbisë.

Skender Bislimi, 58-vjeçar, është shpallur fajtor për torturimin e civilëve shqiptarë në mars të vitit 1999, shkruan prestigjiozja franceze “Le Figaro”, transmeton Albinfo.ch.

I akuzuari, i cili ka vepruar “me së paku dhjetë anëtarë” të grupit, “ka dhunuar integritetin trupor dhe shëndetin e më shumë se 40 civilëve, burra shqiptarë, duke ushtruar masat e frikësimit dhe terrorit”, sipas deklaratës së seancës gjyqësore.

Gjithnjë sipas gjykatës: “Burrat fillimisht u ndanë nga gratë dhe fëmijët, pastaj u detyruan të binin në gjunj para se të rrihen dhe janë detyruar të këndonin këngë serbe”.

Bislimi është romi i i parë, një pakicë etnike në Kosovë, që është dënuar për krime lufte të kryera gjatë konfliktit midis forcave të pavarura të Kosovës dhe forcave serbe. I arrestuar në përputhje me një urdhërarrest ndërkombëtar në Bosnje, ai u ekstradua në Kosovë në vitin 2016.

Lufta që solli deri në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, ka lënë rreth 13,000 të vdekur, kryesisht shqiptarë të Kosovës. Por, edhe romët e Kosovës gjithashtu janë abuzuar.

Sipas organizatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Drejtës Humanitare (HLC), me seli në Beograd, romët e Kosovës kanë qenë shpesh të detyruar nga serbët për të varrosur trupat e civilëve dhe luftëtarëve shqiptarë, të gërmojnë llogore për ushtrinë dhe të plaçkisin pronën që u përkiste pjesëtarëve të bashkësisë shqiptare.

Rreth 240 prej tyre u vranë ose janë zhdukur dhe dhjetëra mijëra u larguan nga Kosova, pas përfundimit të luftimeve nga frika e hakmarrjes nga shqiptarët, sipas degës së HLC në Kosovë. Para luftës në Kosovë kanë jetuar rreth 100,000 romë, duke mbetur aktualisht vetëm 35,000, shkruan gazeta franceze.

Ish-koordinatori i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, Erhard Busek, duke folur për idenë e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, thotë se Evropa vazhdimisht ka ndryshuar kufijtë gjatë historisë së saj, dhe ka shumë shembuj të tillë.

“Pra, për ne ndryshimi kufijve është real, madje edhe në rastin e Kosovës”, ka thënë Busek në një konferencën ndërkombëtare në Beograd të “Qendrës Evropiane për Paqe dhe Zhvillim”, e cila i është kushtuar koncepteve të reja të sigurisë në botë.

Siç raportojnë mediat serbe, Busek gjithashtu vlerëson se Bashkimi Evropian do të duhej sa më shpejt që është e mundur të pranojë anëtarësimin e vendeve të Ballkanit, kështu do të zgjidheshin roblemet e rajonit.

“Kjo do të inkurajonte bashkëpunimin rajonal”, dhe vuri në dukje se, ” ndasitë mes Evropës Perëndimore dhe të Grupit të Vishegradit, problemet me Rusinë, në Ballkan dhe Mesdhe, Evropa mund t’i zgjidhë me forcimin e bashkëpunimit, pavarësisht nga dallimeve politike dhe të tjera në mes të vendeve.

“Bashkimi Evropian ka nevojë për një qëndrim më këmbëngulës në zgjidhjen e problemeve në Ballkan, që do të thotë pranimi sa më i shpejtë i vendeve të tjera. Kjo mund të ndryshojë karakterin e Unionit, por kjo është e nevojshme. Sepse kjo është Evropa. Brukseli duhet të jetë më shumë partner, jo dikush që urdhëron “bëjeni këtë”, “plotësoni këtë” dhe duke kërcënuar me gisht “, tha Busek. 

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, në një takim që ka mbajtur të enjten me investitorët e kompanisë polake “Bisek” dhe me banorët e Galicës dhe të Dubovcit, tha se brenda 7 vjetësh kompania “Bisek” do të investojë 5 milionë euro, ndërsa nga ky investim do të krijohen 150 vende pune, kryesisht për banorët lokalë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Miniera e magnezitit në Dubovc të Vushtrrisë, që është një nga minierat më të vjetra në Kosovë, do të riaktivizohet sërish pasi një kompani polake ka shprehur interesimin për të investuar në këtë minierë dhe për të rifilluar prodhimin e kësaj xeheje.

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka mbajtur të enjten një takim me investitorët e kompanisë “Bisek”, një nga kompanitë lidere në Evropë në këtë fushë dhe me banorët e Galicës dhe të Dubovcit ku është biseduar për investimet që do të bëhen.

5 milionë euro investime, 100 vende të reja pune

“Vlera e investimit është 5 milionë euro brenda 7 vjetëve të para.  Nga ky investim pritet të krijohen mbi 100 vende te reja të punës. Qeveria ka aprovuar shpronësimin e pronave të banorëve”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se Komuna e Vushtrrisë është e përkushtuar për të krijuar ambient të sigurt për investime te huaja.

Përfaqësuesit e kompanisë polake “Bisek” interesimin për riaktivizimin e minierës në Dubovc të Vushtrrisë e kanë shprehur për herë të parë në dhjetorin e vitit 2016, derisa kryetar i Komunës së Vushtrrisë ishte Bajram Mulaku. Përfaqësuesit e kësaj kompanie kanë thënë se paraprakisht është bërë një hulumtim në atë pjesë dhe se është konstatuar se ka rezerva të mëdha të kësaj xeheje që janë të koncentruar kryesisht në Galicë dhe në Dubovc

Interesimi i polakëve për ta rifunksionalizuar minierën e magnezitit në Dubovc ka gëzuar banorët e Dubovcit, të Galicës dhe të asaj pjese të Drenicës. Kompania “Bisek” e Polonisë kishte bërë disa hulumtime dhe ka ardhur në përfundim se kjo pjesë është e pasur me magnezit dhe për këtë arsye edhe do të investojë për riaktivizimin e minierës.

Rifunksionalizimi i minierës

Zëvendësi i drejtorit të përgjithshëm i kompanisë së njohur “Bisek” nga Polonia, Zbigniew Rynski, i pati thënë “Zërit” derisa ndodhej në Vushtrri për të biseduar për arritjen e marrëveshjes me autoritetet komunale dhe me banorët se interesimi i kësaj kompanie, e cila tashmë ka hapur edhe përfaqësinë e vet në Kosovë, është që ta rifunksionalizojnë minierën e magnezitit në Duboc. Siç kishte thënë ai, kompania, pas hulumtimeve që kishte bërë ka konstatuar se xehja e magnezitit është shumë e koncentruar në fshatrat Dubovc dhe Galicë dhe se është në interes të banorëve të Vushtrrisë, por edhe të gjithë Kosovës që miniera të rifillojë me prodhimin kësaj xeheje. “Ne jemi të interesuar që këto resurse të pasura që shtrihen në mbi 50 hektarë t’i shfrytëzojmë, ku do të përfitojnë materialisht pronarët e tokave, por edhe përmes punësimit”, pati thënë Rynski, duke shtuar se nëse arrihet ujdia me pronarët për shpronësimin e tokave të tyre, fillimisht do të punësohen rreth 150 punëtorë, kryesisht familjarë të pronarëve të tokave që do të shpronësohet.

Miniera e magnezitit në Dubovc të Vushtrrisë ka qenë funksionale deri pak para fillimit të Luftës së Dytë Botërore. Fillimisht atë e kishin mbajtur anglezet, po me largimin e tyre minierën e kishte marrë Mbretëria e Serbisë.  Në Drenicë thonë se Serbia ishte përkujdesur që pikërisht për shkak të minierës t’i ndajë Galicën dhe Dubovcin nga Drenica dhe t’ia bashkëngjisë Komunës së Vushtrrisë.

Poeti dhe publicisti Bedri Tahiri, i cili është nga Galica, i ka thënë “Zërit” se Serbia këtë ndarje e kishte bërë me qëllimin që ta varfërojë Drenicën, e cila gjithmonë shquhej me luftën kundër pushtuesve.  “Kjo pjesë e Drenicës është përplot xehe të magnezitit dhe Serbia ishte përkujdesur që ta mbyllë minierën me qëllimin që Drenica të varfërohet. Në kohën kur minierën e kanë pasur anglezët ka qenë një nga minierat me prodhimin më të madh të xehes së magnezitit, jo vetëm në Kosovë. Por, Serbia e kohës së Krajlit dhe ajo e pas-Luftës së Dytë Botërore kanë punuar kundër shqiptarëve dhe qëllimi ka qenë që ato pjesë që janë shquar me mosdurimin ndaj pushtuesve t’i varfërojë sa më shumë”, ka thënë Tahiri.

Në Dubovc ende shihen gjurmët ku ndodhej miniera. Një prej minierave, e cila ndodhet në afërsi të shkollës së vjetër të Dubovcit, e cila ishte djegur dhe rrënuar gjatë luftës, shihet qartë hyrja në minierë. Në anën tjetër ka ende minatorë të asaj kohe të cilët janë gjallë dhe të cilët kujtojnë punë në minierë dhe për prodhimin e madh të xehes së magnezitit në minierën e Dubovcit. Sipas banorëve të Dubovcit, aty ka pasur edhe një rrugë të ndërtuar në kalldrëm që lidhte Dubovcin me Vushtrrinë. Baza e asaj rruge prej gurëve ka shërbyer edhe pas luftës së fundit në Kosovë, nëpër të cilën në vitin 2006 ishte trasuar rruga e re që lidh Skenderajn me Vushtrrinë.

Një ngjarje e rëndë u ka ndodhur dy shqiptarëve nga Kosova, në natën e së dielës, në Serbi. Ata janë rrahur brutalisht, në një rrugë, në qytetin e Novi Sadit.

Njëri prej të lënduarve, sipas mediave të atjeshme, është në gjendje të rëndë dhe po lufton për jetë.

Gazeta Express ka mësuar se bëhet fjalë për Çlirim Malokun, i cili në qytetin serb ka shkuar vetëm pak kohë më parë, për të punuar.

Maloku është furrtar, nga Hasi i Kosovës, dhe është punësuar në një furrë buke nga një shqiptar, po ashtu nga Hasi, në Novi Sad.

Sipas Shoqatës së Shqiptarëve në Novi Sad, Maloku “është në rrezik për jetën, pasi ka të thyer eshtrat e kokës dhe ka gjakderdhje në tru”.

Shqiptari tjetër i rrahur në qytetin serb është po ashtu furrtar – dhe është i biri i pronarit të furrës së bukës, ku është punësuar Maloku.

Mediat serbe e kanë identifikuar atë me inicialet G.B. Familja e tij, sipas informatave të Gazetës Express, jeton në Novi Sad prej disa dekadash.

Që të dy shqiptarët e rrahur janë lindur në vitin 1999, ka bërë të ditur Policia serbe në Novi Sad.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të hënën e ka dënuar ashpër sulmin ndaj dy të rinjve shqiptarë.

Vuçiq ka thënë se me të dëgjuar për lajmin, ka kërkuar nga Policia që urgjentisht ta zgjidhë rastin, të gjenden sa më parë autorët dhe ata të marrin dënimin e merituar.

Edhe prefekti i Novi Sadit, Milosh Vuçeviq, e ka dënuar këtë sulm


Organizata ADMOVERE publikon përmbledhjen me emrat e profesorëve të UP-së që kanë kryer plagjiaturë

Në raporti “Stafi Akademik i UP-së – studimet, angazhimet tjera, plagjiaturat, vlerësimet e profesorëve dhe përpjesa staf-studentë e studentë-hapësirë”, i cili u promovua sot, u publikuan rastet e 16 profesorëve të Universitetit të Prishtinës që ndër vite sipas raportit kanë kryer plagjiaturë.

Ky raport u botua nga organizata ADMOVERE në bashkëpunim me Koalicionin për Integritet dhe Transparencë në Universitet, e përkrahur edhe nga KFOS-i.

Botuesi i këtij raporti, Shkëlzen Gashi, tha se gjatë hulumtimeve i kanë përmbledhur plagjiaturat e profesorëve që janë publikuar në media.

“Magjistratura e doktoratura, por në përgjithësi janë doktoratura, prej Fakultetit të Edukimit është Zeqir Veselaj që ka marrë nga dr. Ferat RexhepiMuhamet Aliu nga Fakulteti Ekonomik ka kopjuar nga doktoratura e Skender AhmetitDrita Konxheli ka vjedhur nga studenti i saj Florin AliuVenet Shala nga ekonomiku, ka vjedhur artikullin e Besnik KrasniqitSabri Hamiti nga Fakulteti Filologjik ka vjedhur nga dy publikime nga Beogradi dhe nga ParisiLindita Sejdiu-Rugova ka vjedhur pesë faqe nga doktoratura e bashkëshortit të saj, Bardh RugovaAli Dila ka përshkruar prej tre libraveKadri Metaj ka vjedhur dhjetëra faqe nga tre libraSelim Bezeraj nga Fakulteti Filozofik, ka kopjuar nga Adam Christian nga fakulteti i VjenësLuan Ahma dhe Sabri Limari kanë kryer plagjiaturë duke përkthyer pjesë nga libra kroatë dhe i kanë publikuar në emrat e tyreHajredin Kuçi ka vjedhur komplet fusnotat nga Enver HasaniMejdi Bektashi është profesor në Fakultetin Juridik dhe Ekonomik, ka vjedhur nga përkthimi i librit të autorëve Paul SanuelsonBeqir Sadikaj ka vjedhur nga vepra e autorit Georges GurvitchSylejman Rexhepi nga Fakulteti i Mjekësisë ka vjedhur librin nga Hans Jürgen HettenkoferDalip Limani ka vjedhur nga një libër i botuar në Kroaci nga autori Ivan PrpićArsim Morina ka vjedhur prej disa autorëve të huajpor edhe prej punimit të Qamile Morinës e cila është gruaja e tij”, tha Gashi.

“Edhe kur plagjiaturat janë zbuluar në media ata nuk kanë dhënë dorëheqje dhe nuk është marrë ndonjë masë ndaj tyre përkundrazi ata janë avancuar në UP”, shtoi ai.

Hulumtuesja Aulonë Memedi tha se gjatë punës së tyre kanë analizuar CV-të e të gjithë profesorëve në UP, atyre të rregullt, të asociuar dhe asistentëve.

“Jo të gjitha CV janë të publikuara online dhe ata që i kanë nuk posedojnë të gjitha të dhënat. 700 i kanë kryer studimet bachelor në Kosovë, studimet e Magjistraturës 466 i kanë kryer në UP, në total 313 kanë kryer studimet në njërin nivel jashtë vendit në gjuhë të huaja. Nga 840 pjesëtarë të stafit akademik 286 janë gra. Nga dhjetë dekanë që kanë pranuar të intervistohen, tre prej tyre kanë refuzuar. But Dedaj nga Fakulteti Ekonomik, Ethem Çeku nga Fakulteti i Edukimit dhe Bujar Dugolli nga Fakulteti Filozofik”, tha Memedi.

“Kemi analizuar pyetësorin që u ndahet studentëve që japin vlerësimet për profesorët e tyre dhe kemi dhënë një propozim për përmirësimin e tij. Në UP përpjesa student-profesorë është 1:58 gjë që tregoj se është jashtë standardit. Të investohet edhe në shkolla profesionale sepse jo të gjithë duhet të studiojnë. Sa i përket përpjesës student-infrastrukture UP-ja nuk i plotëson standardet dhe duhet të rregullohen fakultetet që nuk i plotësojnë standardet”, shtoi ajo.

Të mërkurën rreth orës 23:00 në Krushevac të Serbisë është sulmuar një autobus i kompanisë kosovare të udhëtimeve “Kujtimi Tours”.

Autobusi që po udhëtonte në relacionin Gjakovë-Zagreb është sulmuar me gurë nga disa persona teksa po kalonte nëpër Serbi.

Pronari i kompanisë “Kujtimi Tours”, Kujtim Pervizaj,  i ka thënë Insajderit se dy gurë e kanë goditur autobusin, njëri shumë i madh dhe tjetri më i vogël.

Pervizaj, që natën e incidentit ishte duke vozitur autobusin, ka thënë se e ka paraqitur rastin te policia serbe.

Për fat, gjatë incidentit nuk ka pasur ndonjë udhëtar të lënduar.

Pronari i “Kujtimi Tours”, duke e treguar ngjarjen për Insajderin,  ka thënë se të hënën një tjetër autobus i një kompanie tjetër është sulmuar në po të njejtin vend.

Gazeta Express ka marrë vesh që në një takim në Vjenë të Austrisë, morën pjesë 12 figura të rëndësishme të shoqërisë civile të Kosovës dhe Serbisë, por edhe të tjerë nga Evropa. Aty u debatuan opsionet e marrëveshjes finale në mes të Kosovës dhe Serbisë, me theks të veçantë këmbimet territoriale.

Idetë mesjatare për ndarje etnike, disa përfaqësues të rëndësishëm të shoqërisë civile nga Ballkani, por edhe nga vendet e Bashkimit Evropian, po bëjnë përpjekje që t’i paketojnë e të duken bashkëkohore.

Derisa Presidentët e Kosovës dhe Serbisë po punojnë në mënyrë sekrete mbi ndarjen e Kosovës, në Vjenë disa personalitete të tjera, që nuk mbajnë përgjegjësi publike për idetë e tyre, të enjten e kaluar janë takuar për të diskutuar për idetë e politikanëve.

Takimi është organizuar nga Instituti për Shkenca Humane (IWM), temë e së cilit ka qenë pikërisht ndarja e ndryshimi i kufijve të Kosovës. Përfaqësuesit e këtij Instituti i kanë konfirmuar Gazetës Express takimin e mbajtur më 13 shtator. Ky institut financohet nga Qeveria e Austrisë, ajo e Çekisë dhe ajo e Polonisë. Mirëpo të lista e donatorëve dhe kontribuuesve të tij figuron edhe emri i Alex Soros, djali i filantropit George Soros, i cili muajt e fundit ka zhvilluar disa lëvizje nëpër Ballkan, duke takuar në mënyrë jo shumë transparente krerët kryesorë të politikës në Serbi, Kosovë dhe Shqipëri.

Express ka mësuar se në takimin e Vjenës kanë qenë 12 pjesëmarrës, figura të shquara të shoqërisë civile, shumë prej tyre të afërt me Presidentin Vucic dhe Presidentin Thaçi.

Për këtë takim së pari kishte shkruar në Twitter, Petrit Selimi, drejtues i Sfidave te Mileniumit, i cili kishte lënë të kuptohet, pa dhënë shumë detaje së në Vjenë po udhëtonte për një takim interesant.

“Negociata të rëndësishme, prapaskenave, për këmbim të territoreve”, kishte shkruar Selimi. Bashkë me të aty ide për ndarje ose jo të Kosovës kanë dhënë edhe figura të tjera si:

 1.     Wolfgang Petritsch (Fondacionit austriak Marshall)

2.      Gerald Knaus (Iniciativa për Stabilitetin Evropian)

3.      Stefan Lehne (Ish-diplomat austriak)

4.      Tim Judah (Gazetar)

5.      Petrit Selimi (Drejtues i Sfidave të Mileniumit, ish-minister i Jashtëm)

6.      Thomas Muhlmann (Udhëheqës i ekipit të Ballkanit në Ministrinë e Jashtme të Austrisë)

7.      Valerie Hopkins (Korrespondente rajonale nga “The Financial Times”

8.      Piotr Buras (Këshilli Evropian për Marrëdhënie të Jashtme)

9.      Zsuzsanna Szelenyi (Politikane hungareze)

10.    Rosa Balfour (Fondacioni gjerman Marshall)

11.    Kristof Bender (Iniciativa për Stabilitetin Evropian)

12.    Ivan Vejvoda (Anëtar i përhershëm i IwM’së, drejtues i Projektit “E ardhmja e Evropës”)

Një burim i Gazetës Express, i afërt me këto struktura, ka treguar se disa prej pjesëmarrësve preferojnë ndarjet etnike. Më i zëshmi në favor të ndarjeve etnike është ish-diplomati austriak, i konvertuar në biznesmen, Wolfgang Petritch. Petritsch, përveç tjerash, aktualisht është pjesë e një studio ligjore në Austri, e cila punon për Qeverinë e Serbisë, qeveri kjo që muajt e fundit mësohet t’i këtë ndarë 10 milionë euro për lobim për persona të ndryshëm me influencë në publik, ose OJQ të ndryshme.

Petritsch, muajt e fundit, disa herë ka dalë me analizat e tij pro shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai e ka përkrahur idenë e shkëmbimit të territoreve që nga fillimi, ndërsa edhe ka arsyetuar se sa shumë do ta ndihmonte ndryshimi i kufijve arritjen e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë.

Njëri prej figurave më të shquara nga shoqëria civile serbe që mori pjesë në këtë takim ishte edhe Ivan Vejvoda, veteran i shoqërisë civile, i afërt me politikën serbe, si dhe me filantropin George Soros.

Vejvoda është drejtues i projektit “E ardhmja e Evropës”.

Menaxheri i projektit, Dino Pasaliq, e ka konfirmuar për Gazetën Express mbajtjen e takimit javën e kaluar.

“Një takim për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë është organizuar nga Instituti i Shkencave Humane në Vjenë, më 13 shtator. Një numër i pjesmarrësve kanë ndarë bindjet e tyre personale në kontekstin politik lokal, rajonal dhe ndërkombëtar”, thuhet në përgjigjën e IWM’së dhënë Gazetës Express.

Përfaqësuesi i IWM’së nuk është përgjigjur për mënyrën se si financohet projekti në kuadër të këtij instituti.

Gazetari i The Economist, Tim Judah, i cili është ekspert i çështjeve Kosovë-Serbi, po ashtu e ka konfirmuar për Gazetën Express pjesëmarrjen e tij në takim, por ka thënë se nuk ishte takim i ndonjë rëndesie të madhe.

Judah thotë se në Vjenë u mbodhën gazetarë e opinionistë, të cilët folën për Kosovën dhe Serbinë, por nuk dhanë idenë për ndarje.

“Dje kishim një diskutim të shkurtër për Kosovën dhe Serbinë dhe aranzhuam që të flasim për pjesë tjera të Ballkanit. Ishin anëtarët e organizatës dhe disa të tjerë të ftuar”, ka thënë Judah për Gazetën Express.

Autori i shumë librave për Kosovën dhe Serbinë, gazetari Judah, ka shprehur opinionet e tij rreth idesë së ndryshimit të kufijve në Ballkan. Ai e shihte si të dëmshme një ide të tillë që po promovohej nga presidenti Hashim Thaçi dhe autoritetet në Serbi.

Nuk dihet nëse ai akoma e sheh si të rrezikshëm lëvizjen e kufijve në Ballkan, rajon ky që gazetari i The Economist e njeh mirë. Megjithatë, një ditë pas takimit në Vjenë, Judah ka dashur që mbledhjen ta paraqes si të parëndësishme. Gazetari i ka thënë Expressit se në Vjenë kanë diskutuar lajmet e fundit që vijnë nga Kosova dhe Serbia dhe asgjë më shumë.

Pjesmarrës të tjerë të këtij  takimi Express mëson se kanë qenë Gerald Knaus dhe Kristof Bender nga Iniciativa për Stabilitet në Evropë (ESI).

Gazeta Express e ka kontaktuar z. Bender, i cili është zëvendësdrejtor i ESI. Ai thotë se në takim është folur për shkëmbimin e territoreve, por që nuk mund të jap më shumë detaje sepse takimi ka qenë jorformal.

“Diskutimi ka qenë i fokusuar në idenë e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Shumica e pjesmarrësve argumentuar kundër kësaj ideje, duke dhënë arsye të ndryshme rreth për qëndrimet”, ka thënë Bender në një përgjigje me shkrim për Gazetën Express.

Ai ka treguar se ky takim është mbajtuir sipas rregullave të “Chatham House”.

“Chatham House” është një sistem sipas të cilit një takim i mbajtur për ndonjë cështje kontroverse nuk guxon që nga pjesmarrësit t’i publikojnë detajet ose të bëjnë komente mbi atë se çka kanë deklaruar të tjerët gjatë diskutimit.

“Takimi në IWM në Vjenë ka qenë diskutim joformal i njerëzve të interesuar për Kosovën dhe Serbinë. Meqë ka qenë i mbajtur sipas rregullave të Chatam House, nuk mund të ju jap detaje se kush cka ka thënë”, thuhet tutje në pergjigjen e zv.drejtorit të Iniciativës për Stabilitetin Evropian, që operon në disa kryeqendra evropiane.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë listën e plotë me 20 mijë emrat që cilësohen si veteranë mashtrues.

Pensioni prej 175 euro që morën 46 mijë veteranët, 20 mijë prej tyre të rremë, i kushtuan buxhetit të Kosovës 68.153.533.14 euro.

Në aktakuzë është propozuar që gjykata të lëshoj masën për ndalimin  e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë kundër 12 anëtarëve të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve të luftës së UÇK-së.

Aktakuza është ngritur ndaj: Agim Çekut, Nuredin Lushtakut, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
Nga 20 mijë veteranët që hynë jashtëligjshëm në listë, Zona Operative e Dukagjinit është zona më e prekura.

Prokuroria ka grumbulluar kështu të dhënat:

Në Zonën Operative të Drenicës, ka 2330 anëtarë ‘veteranë’ që i janë shtuar listës së veteranëve kundërligjshëm.

Në Zonën Operative të Pastrikut, listohen 4701 anëtarë ‘veteranë’ që i janë shtuar listës së veteranëve kundërligjshëm.

Në Zonën Operative të Dukagjinit, janë të përfshirë emrat e 7949 anëtarëve ‘veteranë’ që i janë shtuar listës së veteranëve kundërligjshëm.

Në Zonën Operative të Shalës, janë 1389 anëtarë ‘veteranë’ që i janë shtuar listës së veteranëve kundërligjshëm.

Në Zonën Operative të Norodimes, ka 823 anëtarë ‘veteranë’ i janë shtuar listës së veteranëve kundërligjshëm nga të akuzuarit që ka bërë prokuroria.

Në Zonën Operative të Karadakut, prokuroria liston emrat e 396 anëtarë ‘veteranë’.

Në Operacionin Shigjeta, prokuroria liston emrat e 1035 anëtarë ‘veteranë’ që i janë shtuar listës së veteranëve kundërligjshëm.

Në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, prokuroria liston 272 anëtarë ‘veteranë’ që  i janë shtuar listës së veteraneve kundërligjshëm.

Në MMRK-të, prokuroria liston 107 anëtarë ‘veteranë’ që listës së veteraneve kundërligjshëm.

Në UÇPMB, prokuroria liston 779 anëtarë ‘veteranë’ që dyshohet se i janë shtuar listës së veteraneve kundërligjshëm.

Kujtojmë, se Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Elez Blakaj, më 15 gusht të këtij viti ishte dorëhequr për shkak të kërcënimeve që i ka pranuar gjatë punës së tij si prokuror kur po hetonte listat e fryra të veteranëve.

Kjo bëri që procesi të përshpejtohet pasi edhe pati reagime të ashpra nga bashkësia ndërkombëtare.

Lajmi.net ka bërë publik emrat e Zonës operative të Drenicës, të cilët i gjeni më poshtë.

Në vazhdim do të sjellim edhe emrat nga zonat e tjera të veteranëve që Prokuroria thotë se janë mashtrues.

Agimi (70) e pret autobusin urban çdo ditë në të njëjtin stacion. Për metro nuk ka dëgjuar asnjëherë, madje as nuk e di se çfarë është. Të riut që po i fliste për këtë çudë, ai ia zgurgulloi sytë.

“Sot gjithçka u dalë”, thotë ai, duke mos e ditur se çfarë të mirash sjell ky sistem transporti. 

Aksidente më pak, krijim i kapacitetit në transportin publik, e kursimi 20 për qind të energjisë në krahasim me transportin rrugor, janë vetëm disa prej të mirave që do i sillte kryeqytetit një metro. 
  
Por, ndonëse udhëtimi me sistemin e metros është i dobishëm, një sistem i tillë transporti është thuajse i parealizueshëm në kryeqytet, qoftë për shkak të kostos së ndërtimit, qoftë për sipërfaqen ku do të ndërtohet. 
  
Kështu vlerëson edhe kyeshefi i Infraksosit, Agron Thaçi. 
  
Thaçi deklaron se në rast se ndërtohet një metro në Prishtinë do të ketë shumë përfitime, por më kryesoret sipas tij janë rritja e mobilitetit, krijimi i kapacitetit në transportin publik, zvogëlimi i numrit të aksidenteve dhe kursimi i 20% të energjisë, në krahasim me transportin rrugor. 
  
Por, thotë ai, studimet e kanë eliminuar këtë lloj të transportit për Prishtinën. Për prishtinasit, autobusi vazhdon të mbetet opsioni kryesor i trasnportit. 
  
“Studimet e mëparshme që janë bërë në këtë drejtim e kanë eliminuar këtë lloj të transportit, duke i dhënë prioritet sistemit të transportit publik me autobus”, ka thënë Thaçi. 
  
Një mundësi e tillë e ndërtimit teknikisht është e mundur në 2/3 e qytetit, mirëpo duhet bërë analiza cost/benifit, dhe një studim i detajuar, që sipas Thaçit ky sistem të mos ketë gjatësi më pak se 30 km. 
Por, në qoftë se një sistem i tillë transporti do të ndërtohej në kryeqytet, sipas Thaçit duhet të ketë dy linja. 
  
“E para: Xhamia e Llapit- Banka e Lubjanes- hotel Grand- Fakulteti Filozofik- Rrethrrotullimi- Spitali- Rruga B- Banesat e bardha; ndërsa linja e dytë nga Xhamia e Llapit- Rruga Agim Ramadani- Menza e studenteve- Komviktet- Furra e Qerimit- Xhambazët – Banesat e bardha”, ka thënë ai. 
  
Në anën tjetër, për shkak të konfiguracionit dhe sipërfaqes brenda territorit të kryqytetit, Shaban Buza, profesor në fakultetin e inxhinierisë, mendon se është i vështirë ndërtimi i metros në Prishtinë. 
  
Ai e anashkalon mundësinë brenda kryeqytetit, duke e marrë parasysh mundësinë që ky sistem të krijohet në bashkësi komunash. 
  
“Nëse e marrim si bashkësi komunash me Fushë – Kosovën, Obiliqin e Lipjanin, atëherë mund të konsiderohet si mundësi me shumë vështirësi, kur dihet se dy lumenj janë të mbuluar”, ka thënë ai. 
  
Sa i përket kostos, sipas tij, duhet bërë një hulumtim i detajuar dhe gjithëpërshirës. 
Nëse llogaritet një ndërtim i sistemit të metros, kosotja do të prekte shifrën afërsisht katër miliard euro, pasi që Prishtinës i duhet sistem prej 30 kilometrave me 25 stacione ndalesë, dh kështu do t’a përfshinte gjithë qytetin. 
Krahas ndërtimit të një metroje, në disa zona të qytetit, në pamundësi të shtrirjes së rrjetit të metros, si shkak i ndërtimeve të ngjeshura, opsion mbetët hapja e tuneleve, kostoja e të cilit për kilometër mund të jetë 100 milion euro. 

Mirëpo, se a ka buxhet Komuna e Prishtinës të krijojë një sistem së paku 30 kilometërsh, është një pikëpyetje, duke e ditur se rritja e buxhetit nga viti në vit nuk është shumë e madhe. Buxheti i Prishtinës për vitin 2018 është nëntë milionë euro më shumë se ai i vitit të kaluar. 
  
Për këtë vit, komuna e Prishtinës ka 71 milionë euro, prej të cilave ka ndarë 25 milionë euro për investime/ndërtime kapitale në krahasim me vitin 2017 që ka pasur 62 milionë euro. 

Edhe pse, në shumë qytete, e njejta gjatësi kilometrash, ka kushtuar shumëfish. 
Njëri nga këto qytete, Singapori është duke e ndërtuar metron 30 kilometra, çmimi i së cilit arrin në 18 miliard dollar, duke shpenzuar kështu 600 milionë dollar për kilometër. 

Në anën tjetër, qyteti i Nottinghamit të Anglisë disponon sistem të tramvajve me 32 kilometra. Para se të ndërtohet, projekti ishte i ndarë në dy faza, fillimisht në fazën e parë janë ndërtuar 14 km me 23 stacione ndalesë, me një kosto prej 282 milion euro. Ndërsa për fazën e dytë të ndërtimit të projektit ishin shpenzuar 437 milion euro, duke e funksionalizuar kështu rrjetin e tramvajve prej 32 km me 34 stacione ndalesë. 

Ndryshe, komunikacioni rrugor në Prishtinë ballafaqohet me probleme të theksuara ndër të cilat janë: numri i madh i atutomjeteve të udhëtarëve, rrjeti rrugor i pamjaftueshëm për të përballuar kërkesat, rrugët e ngushta, numri i madh i kalimtarëve, pamundësia për zgjerimin e rrjetit rrugor. 
  
Kjo gjendje ndikon që veturat e udhëtarëvë(individual) të jenë si mjet primar për transport brenda zonave urbane. Por, numri i madh i tyre krijon një kaos dhe vetëm sa rrit nivelin e ndotjes së ambientit. Kjo dukuri është parë në dimrin e vitit 2017, nga publikimi i të dhënave të Indeksit të Kualitetit të Ajrit (AQI – Air Quality Index) nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë. Për ditë me radhë, gjatë muajve nëntor, dhjetor dhe janar, AQI tregoi nivele të larta të ndotjes së ajrit në Prishtinë, deri në pikën ku indeksi shkonte më lart se 500. 
  
Premtime për ndërtimin e një metroje ka pasur që nga viti 2013, nga kandidati i atëhershëm për kryetar të Prishtinës, Isa Mustafa, nga Lidhja Demokratike e Kosovës. 
  
Sipas planit për Prishtinën, kjo parti kishte planifikuar që qendrën e Prishtinës ta zhvillojë në atë mënyrë që trafiku urban me autobusë të zëvendësohet nga trenat dhe tramvajet dhe do ta lidhte qendrën e Prishtinës me hekurudhën dhe autostradën. 

Edhe pse, si duket, sipas kryetarit të tanishëm të LDK-së kushtet për ndërtimin e metros kanë ekzistuar para pesë viteve. Problemi i vetëm në atë kohë për kandidatin Mustafa ka qenë komplikimi i unazës në qendër. Mirëpo, Mustafa nuk arriti ta fitojë garën për të parin e kryeqytetit, kështu që plani i tij nuk arriti të realizohej. 
  
Por, një ndërtim i tillë nuk u përjashtua as nga programi i partisë që fitoi Prishtinën për herë të parë, Lëvizjes Vetëvendosje. Shpend Ahmeti, kryetar i atëhershëm nga VV, në vitin 2014, deklaroi se nuk e përjashton mundësinë që Prishtina të ketë tramvaj. 
Ahmeti, përfundoi mandatin e tij të parë në vitin 2017, dhe një gjë e tillë nuk ndodhi. 
  
Megjithatë, në zgjedhjet e fundit lokale, Arban Abrashi kandidati i LDK-së për Prishtinën, në mesin e 12 projekteve, kishte futur edhe planin për të cilin do të punohej gjatë mandatit katërvjeçar, realizimin e metros përmes formave të partneritetit publik-privat.
Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/lajme/metroja-e-dobishme-por-e-parealizueshme-per-kryeqytetin-576204/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright