Buka në Shqipëri prodhohet me grurë për kafshët
Gruri me të cilin prodhohet buka në Shqipëri është grurë për kafshët, dhe kjo vjen si pasojë e importeve të pakontrolluara. Ndërsa mielli i përdorur ndaj prodhimeve të bukës rezulton se është me cilësinë më të ulët në Europë.
Në vitin 2014, vendimi i ish-ministrit Panariti për lejimin e importit të miellit me cilësi nën 12% hapi rrugën e abuzimit, duke lejuar që në vend të importohej edhe miell me nivel proteine më të ulët, duke u justifikuar se do të përdorej për biskota, ëmbëlsira, etj. Ndërkohë, mielli dhe gruri do të importohej kryesisht nga Serbia dhe Rusia. Në atë kohë, ministri këmbëngulte se analizat e këtyre importeve dilnin brenda normës, dhe se buka bëhej vetëm me miell, maja dhe ujë.
Ndërsa po të flitet për sot, thuajse të gjitha furrat e bukës prodhojnë edhe ëmbëlsira. Kjo e bën akoma më të vështirë gjurmueshmërinë e Inspektorëve të AKU-së, për të konstatuar nëse në furrat e bukës mielli me proteinë të ulët përdoret edhe për bukën.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit deklaron se për vitin 2017 janë importuar rreth 36 ton miell gjithsej. Rreth 40% e kësaj ngarkese 14 776 ton, është importuar nga Kosova, në vend të dytë është Serbia me 12 945 ton, e ndjekur nga Greqia, Mali i zi, Maqedonia, Bullgaria, Italia dhe në fund Austria me 9 ton.
Nga 36 ton janë importuar 308 ngarkesa me miell, proteina e të cilit është mbi 12%, me një sasi prej 9 554 ton. Rreth 4 fish më pak se sasia e miellit me proteinë nën 12% , e cila është 27 125 mijë ton. Përsa i përket ngarkesave me grurë janë importuar 393 të tilla me proteinë nën 12% me sasinë 8340.956 ton.
Në vendin tonë janë importuar rreth 215 802 ton grurë. Më shumë se 50% e kësaj sasie, rreth 147 594 ton është importuar nga Rusia, më pas vjen Serbia me 51 588 ton, e ndjekur nga Ukraina, Maqedonia, Kroacia, Italia, Greqia, Mali i Zi dhe e fundit Turqia me 47 ton.
“Fiks Fare” ka zbuluar se standardi i bukës që prodhohet në Shqipëri sot, për shkak të cilësisë së miellit, është më i ulëti në Evropë. Gruri me të cilin prodhohet buka në Shqipëri është grurë për kafshët, kjo për pasojë të importeve të pakontrolluara. Sot në Shqipëri tregun e mbizotëron mielli dhe gruri që vjen nga Serbia dhe Kosova, i cili ka cilësinë më të dobët të proteinës nën 12 %. Fiks Fare ka kryer analizat e miellit që është sot në tregun shqiptar, një pjesë e madhe e të cilit ka rezultuar me proteina nën nivelin e lejuar.
Fiks Fare analizoi 18 mostra, produkte mielli, ambalazhi 1 kg dhe 25 kg. Analizat e përqindjes së proteinës u kryen pranë ISUV. Nga këto analiza rezultuan se 6 produkte miell për bukë, ishin nën nivelin e proteinës 12% .
Produkte që kanë rezultuar nën normën e deklaruar në etiketë, dhe nën normën e proteinës më ligj janë 6:
Kodi | Firma e produktit | % Pro. në etikete |
% Pro. në analiza |
Lloj i miellit | Origjina |
4 | Tradicional Serbi | – | 11.31% | Për bukë | Serbi |
9 | Ola Atlas | 13% | 11.15 | Për bukë | Shqipëri |
13 | Finesa Besnik.shpk Atlas | 12.5% | 10.92% | Për bukë | Kosovë |
15 | Sillosi Dellino | 13% | 10.92% | Për bukë | Kosovë |
17 | Premium | 12% | 10.66% | Për bukë | Serbi |
18 | Sillosi Sofra | 12% | 11.11% | Për bukë | Kosovë |
Importi i Miellit 2017/ 36 679 ton/ Vendi i origjinës
KOSOVA 14 776 ton
SERBIA 12 945 ton
GREQIA 5007 ton
MALI I ZI 3 298 ton
MAQEDONIA 280 ton
BULLGARI 196 ton
ITALIA 165 ton
AUSTRIA 9 ton
Importi i Grurit/ Gjithësej 215 802 ton/ Vendi i Origjinës
RUSIA 147 594 ton
SERBIA 51 588 ton
UKRAINA 6 010 ton
MAQEDONIA 5 531 ton
KROACIA 1 428 ton
ITALIA 2 406 ton
GREQIA 784 ton
MALI I ZI 102 ton
TURQIA 47 ton