Kryetari i Istogut, Haki Rugova, një drejtor dhe një zyrtar ligjor, janë arrestuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, konflikt interesi dhe falsifikim dokumentesh. Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, përcjell Bota Sot.

“Mund të konfirmojmë se hetuesit e drejtorisë për krime ekonomike dhe korrupsion, më 9.10.2020, kanë intervistuar tre persona në cilësinë e të dyshuarve, nën dyshimin e kryerjes së veprave penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “konflikt interesi” dhe “falsifikim i dokumentit zyrtar”. Të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit të shtetit nga Prokuroria në Pejë iu ka shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Shoqërohet në polici kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, flet avokati i tij

Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, së bashku me ish-nënkryetarin e kësaj komune, Lulzim Blakaj dhe zyrtarin ligjor, Faton Bujupi, është shoqëruar në polici sot pasdite me urdhër të Prokurorisë Themelore në Pejë.

Lajmin e ka konfirmuar edhe avokati i Haki Rugovës, Besnik Berisha, i cili deklaroi se shoqërimi dhe ndalimi në polici i Rugovës është tërësisht i kundërligjshëm.

“Po, është e vërtetë se pasdite në polici është shoqëruar zoti Rugova, me urdhër të Prokurorisë Themelore në Pejë, për të sqaruar nënshkrimin e kontratave nga ish- nënkryetari Lulzim Blakaj. Nga ajo që kam perceptuar gjatë intervistimit dhe provat e ofruara nga hetuesit policorë, jam absolutisht i bindur se zoti Rugova nuk ka bërë asnjë krim, përkundrazi ka respektuar në përpikëri ligjet për vetëqeverisje lokale, statutin e Komunës dhe ligjet e tjera në fuqi. Ndalimi i tij mund të jetë i motivuar nga gjithçka tjetër, për nuk është aspak i arsyeshëm dhe i bazuar në ligj apo në shkaqe që vërteton Kodi i Procedurës Penale. Pavarësisht faktit se ai sonte është në cilësinë e të dyshuarit dhe të ndaluarit, në një proces të drejtë dhe të ligjshëm do të provohet se ai është viktimë e një urdhri të kundërligjshëm për ndalim, e jo shkelës i ligjit në çështjen nën hetim. Zoti Rugova së shpejti do t’i kthehet faqebardhë familjes së tij dhe punës së tij, si kryetari i Komunës, ndërkaq prokuroria do të konfirmohet se ka mungesë të objektivitetit në interpretimin e ligjit”, tha Berisha.

***

Me urdhër të Prokurorisë Themelore në Pejë, është arrestuar kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova.

Rugova është arrestuar nën dyshimin për kryerje të veprave penale të korrupsionit.

Bashkë me Rugovën, nën pranga janë vënë edhe nënkryetari i Komunës së Istogut, Lulzim Blakaj dhe një zyrtar tjetër.

Lajmin për arrestimin e të njëjtëve, për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar prokurorja kujdestare në Prokurorinë Themelore të Pejës, Valbona Dishaj-Haxhosaj.

“Po mund të ju konfirmoj se me urdhër të Prokurorisë Themelore në Pejë është arrestuar Kryetari i Komunës së Istogut, nënkryetari i kësaj komune dhe një zyrtar tjetër. Të njëjtit janë arrestuar nën dyshimin për kryerje të veprave penale të korrupsionit” ka thënë Dishaj-Haxhosaj.

Shpërndaje artikullin në: