Qerim Lita-ShkupNëse regjistrimi i popullsisë i vitit 1948 mund të konsiderohet deri diku i drejtë dhe real, regjistrimi pasues, përkatësisht ai i mbajtur në qershor të vitit 1953, ishte tërësisht politik, rrjedhimisht edhe i papadrejtë, skandaloz, i shtrembëruar dhe i manipuluar nga ana e shërbimit sekret jugosllav, përkatësisht ai maqedonas, që njihet me shkurtesën UDB (Uprava na Državnata Bezbednost – Drejtoria e Sigurimit Shtetëror).

Popullsia shqiptare nën pushtimin e Mbretërisë Jugosllave ishte e ndarë në tre njësi administrative ose, siç njiheshin asaj kohe, banovina: e Vardarit (që përfshinte pjesën më të madhe të tokave shqiptare), e Zetës dhe e Moravës. Numri i përgjithshëm i popullsisë shqiptare në këto tre banovina, sipas regjistrimit që ky pushtues e mbajti në vitin 1931, ishte rreth 505.000 banorë. Vetëm në territorin e sotëm të Maqedonisë së Veriut të deklaruar si shqiptarë pati gjithsej 136.293 banorë. Ky numër, sipas qarqeve, ishte si vijon: Qarku i Manastirit – 19.209; Qarku i Bregallnicës – 71; Qarku i Kumanovës – 25.097; Qarku i Ohrit – 11.447; Qarku i Shkupit – 32.035; Qarku i Tetovës – 48.399 dhe Qarku i Tikveshit – 34 banorë.

Pa dyshim se numri i shqiptarëve ishte shumë më i madh, për arsye se një numër bukur i mirë i tyre qenë detyruar të deklaroheshin si “turq”, edhe pse ata si për nga gjaku po ashtu edhe për nga gjuha ishin shqiptarë. Është e rëndësishme të vihet në dukje fakti se këtyre shifrave zyrtare nuk u besonin as edhe vetë udhëheqësit e atëhershëm jugosllavë, të cilët – të brengosur për numrin aq të madh të shqiptarëve – hartonin plane dhe elaborate për dëbimin e tyre sa më parë nga vatrat e tyre për në Republikën e Turqisë ose edhe në shtetin shqiptar dhe kolonizimin e atyre tokave me elemente sllave. Shembull më i mirë i kësaj që u tha më lart është letra që kryeministri jugosllav, Millan Stojadinoviq, ia dërgoi më 18 tetor 1935 të deleguarit jugosllav në Ankara, Branko Llazareviq, në të cilën ai shprehet siç vijon: “Siç e keni të njohur, në viset tona jugore, krahas popullsisë sonë, gjenden edhe vendbanime të dendura me elemente josllave: turq dhe shqiptarë. Në numër të madh veçmas dallohen shqiptarët. Ata janë mbi gjysmë milion banorë /rreth 505 000/, ndërsa nga viti 1931 janë shtuar përafërsisht edhe për 65 000 vetë. Ajo çfarë është me rëndësi të theksohet është fakti se kompaktësia e tyre shprehet më shumë në zonat kufitare me Shqipërinë. Përpjekjet që ky element nacional të asimilohet tash për tash nuk kanë dhënë rezultate të mjaftueshme, për arsye se popullsia ortodokse është shumë e paktë në përqindje, e përveç kësaj edhe jo aq mirë e përgatitur për të kryer asimilim. Interesat tona nacionale e ushtarake na detyrojnë që kjo popullsi josllave në krahinat jugore të bie në numër sa më të vogël, që të mund të kryhet me sukses vendosja e popullsisë sonë sllave nga viset e tjera në Serbinë Jugore. Kjo mund të kryhet vetëm përmes shpërnguljes së popullsisë josllave në përmasa më të mëdha jashtë kufijve të shtetit tonë dhe sipas një plani të përcaktuar. Shpërngulja e turqve dhe e shqiptarëve nga Serbia Jugore në Turqi dhe Shqipëri, deri më tash nuk ka qenë as e madhe numerikisht, e as që është kryer sipas ndonjë plani të caktuar. Sipas të dhënave që i posedojmë, numri i personave nga vendi ynë, të cilët janë shpërngulur në Turqi pasi kanë dhënë deklaratë për lirim nga shtetësia jonë mbi bazën e nenit 55, të Ligjit për Shtetësi, arrijnë shifrën prej 21.500 vetë /4 940 familje/, ndërsa në Shqipëri vetëm 1.350 vetë /338 familje/…”.

Numri i të shpërngulurve për në Turqi dhe Shqipëri, që e ofron Stojadinoviqi, ka të bëjë vetëm për periudhën kohore 1934/35, kur edhe filloi të zbatohej neni 55 i ligjit të mësipërm, sepse numri i popullsisë myslimane (shqiptare) për në Turqi ishte shumë herë më i lartë. Në Marrëveshjen për Miqësi, të nënshkruar në vitin 1926 ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë, thuhet se vetëm gjatë luftërave ballkanike për në Turqi ishin shpërngulur mbi 120.000 shqiptarë. Ndërkohë, në Promemorien e klerit katolik shqiptar të Kosovës, dërguar më 5 maj të vitit 1930 Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, Eric Drummond, theksohet se numri i shqiptarëve të shpërngulur për në Turqi kishte arritur shifrën e mbi 130.000 banorëve dhe 10.000 të tjerëve për në Shqipëri. Ja se çfarë shkruajnë ata në Promemorie:

“…Ne, i nderuar Sekretar i Përgjithshëm, nuk jemi emisarët e parë të popullit shqiptar të ngelur në Jugosllavinë Mbretërore, që dërgojmë para Lidhjes së Kombeve gjendjen e mjerueshme të kësaj pakice të krijuar nën regjimin serb; ne gjithashtu me siguri nuk do të jemi as të fundit, që të kërkojmë para këtij institucioni të lartë të së drejtës internacionale, nëse politika e udhëhequr nga Beogradi nuk e ndryshon veprimin e saj ndaj qytetarëve të vetë shqiptarë. Kjo politikë tashmë tepër e pasur në fatkeqësitë dhe ndezjet, përbëhet nga kjo fjali: ‘Të ndryshohet me çfarëdolloj çmimi karakteri etnik në krahinat ku banojnë shqiptarët’. Metodat janë si vijon: a) Përndjekja e çfarëdolloji qoftë, me qëllim të na detyrojnë të shpërngulemi; b) Përdorimi i dhunës për asimilimin e detyrueshëm të popullatës, e cila nuk është në gjendje të mbrohet; c) Përndjekja dhe zhdukja e elementëve që nuk dëshirojnë ta braktisin vendin ose që nuk e pranojnë serbizimin. Këtyre tri metodave u përgjigjen tri kategori të nënshtruara: kategoria e parë e flijuar janë 140.000 e më shumë shqiptarë, të cilët kanë qenë të detyruar t’i braktisin vatrat e tyre e pronat dhe të shpërngulen në Turqi, Shqipëri dhe në vendet e tjera fqinje, kudo ku kanë shpresuar të gjejnë strehim, pjesë të bukës, posaçërisht njerëzi më të madhe; kategoria e dytë e përfshin masën prej 800.000-1.000.000 shqiptarëve, shumica të besimit islam, e cila jeton kompakte në krahinat në afërsi të kufirit të Shqipërisë Mbretërore, deri te linja, e cila në veri shkon deri në Podgoricë, Beranë dhe Pazari i Ri, duke prekur në veri dhe perëndim të luginës së Moravës dhe vazhdon në perëndim deri në luginën e Vardarit…”.

Nga kjo del se numri i shqiptarëve ishte shumë më i madh se ai që paraqitej nga Beogradi zyrtar, se kleri katolik shqiptar konsideronte se ky numër sillej nga 800.000 deri më 1.000.000 banorë, ndërsa pjesa më e madhe e tyre i takonin përkatësisë fetare islame.

Këto të dhëna statistikore, që ofrohen nga kleri katolik shqiptar, përputhen me të dhënat statistikore që i ofronte edhe Mexhlisi i Ulemasë së Shkupit, në territorin e të cilit përfshiheshin të gjitha tokat shqiptare nën pushtimin jugosllav. Kështu, sipas regjistrimit që ky institucion fetar e ka kryer në vitin 1938, numri i përgjithshëm i popullsisë myslimane në territorin e këtij mexhlisi ishte 868.885 banorë. Nëse këtij numri i shtohet edhe numri i popullsisë shqiptare të besimit katolik dhe ortodoks (Reka e Epërme), që sipas disa burimeve arkivore sillej rreth 25.000 banorë dhe njëkohësisht do i heqim turqit dhe pomakët, numri i të cilëve sillej rreth 60.000 banorë, atëherë numri real i shqiptarëve sillej diku rreth 830.000 banorë. Nga ky numër, rreth 260.000 jetonin në tokat shqiptare, që sot përfshihen brenda territorit të Maqedonisë së Veriut, si: Shkup – 51.657 banorë, Kumanovë – 20.823, Tetovë – 54.038, Gostivar – 34.457, Veles – 12.650, Manastir – 11.636, Dibër – 12.257, Kërçovë – 20.033, Prilep (ku përfshihen edhe vendbanimet shqiptare të Krushevës) – 14.374, Resnjë – 5.247 dhe Ohër (ku përfshihet edhe Struga me rrethinë) – 19.672 ose gjithsej 256.844 shqiptarë të përkatësisë fetare islame, ndërsa pjesa tjetër i takonte besimit të krishterë (katolik e ortodoksë).

Pas kapitullimit të Mbretërisë Jugosllave tokat shqiptare, që sot përfshihen brenda kufijve të Maqedonisë së Veriut, u ndanë në dy zona pushtuese: zona pushtuese italiane, e cila me dekret mëkëmbësor iu bashkua shtetit shqiptar dhe përfshinte: Tetovën me një pjesë të rrethinës, Gostivarin me rrethinë, Rekën e Epërme, Dibrën me rrethinë, Kërçovën me një pjesë të rrethinës, Strugën me rrethinën dhe një pjesë e Prespës; si dhe zona pushtuese bullgare, e cila përfshinte vendbanimet shqiptare të Shkupit, Kumanovës, Velesit, një pjesë të rrethit të Tetovës, Manastirit, Prilepit dhe Ohrit.

Në janar të vitit 1942 qeveria shqiptare vendosi që në datat 1-10 tetor të vitit 1942 të mbahej regjistrimi i popullsisë në Tokat e Liruara, përkatësisht në komunat dhe bashkitë e prefekturave të Dibrës, Prishtinës, Pejës dhe Prizrenit dhe në Nënprefekturën e Carevdvorit dhe komunën e Ulqinit. Rrjedhimisht, Zyra Qendrore e Statistikës më 27 janar 1942 lëshoi një Udhëzim për ofiqarët e regjistrimit, ku në mënyrë të detajuar përshkruhej mënyra dhe forma e procesit të regjistrimit të popullsisë, si dhe qëllimi i mbajtjes së tij. Në pikën e katërt theksohej se fletët e regjistrimit përbënin dokumente sekrete, prandaj të dhënat që përmbanin ato nuk mund t’i komunikoheshin asnjë personi privat ose ndonjë zyre publike, ndërsa veçanërisht kjo ishte e ndaluar për ndonjë zyre financiare

“…Ju kujtohet – theksohej në Udhëzim – me këtë rast se cilido që, t’ue pas dijeni, për shkak të Zyrës tij, mbi njoftimet e nalt-përmenduna i komunikon këta ndër të tjerë ose i përdorë për qëllime private, dënohet me gjobë deri më 2.000 fr. shqiptar pa marrë parasysh që parashef Kodi Penal kur faji të formonjë një delikt…”.

Ndërkohë, me vendimin nr. 789 të datës 19 qershor 1942, qeveria shqiptare vendosi që në datën e caktuar të mbahej regjistrimi i popullsisë vetëm në bashkitë dhe komunat e Prefekturës së Dibrës dhe në Nënprefekturën e Carevdvorit, ndërsa në bashkitë dhe komunat e prefekturave të Prishtinës, Pejës dhe Prizrenit, si dhe në komunën e Ulqinit regjistrimi të mbahej vitin e ardhshëm.

Rrjedhimisht, Zyra Qendrore e Statistikës, përmes qarkores nr. 3, të datës 19 gusht 1942, i rekomandonte udhëheqjes lokale të bashkive dhe komunave të Prefekturës së Dibrës dhe Nënprerfekturës së Carevdvorit, që gjatë përzgjedhjes së ofiqarëve të regjistrimit t’u përmbaheshin këtyre parimeve: të jenë mbi moshën 19-vjeçare; me moral shumë të mirë; me cilësi të mirë që të mund të komunikojnë me popullin; me bukurshkrim; me trup të shëndoshë; të kenë njohuri të mjaftueshme për rrethin e bashkisë e të komunës; dhe t’i njohin në mënyrë të përpiktë dhe të hollësishme detyrat që duhej t’i zgjidhnin dhe qëllimet e regjistrimit etj. Më tej në qarkore kërkohej nga udhëheqësit e komunave dhe bashkive që t’i tubojnë: “të gjithë ata që ishin pajisur me kulturë të përgjithshme dhe të mjaftueshme për t’i plotësuar në mënyrë të saktë fletat e regjistrimit…”.

Ashtu siç edhe qe paraparë, nga data 1-10 tetor të vitit 1942 në territorin e Prefekturës së Dibrës dhe të Nënprefekturës së Carevdvorit, u mbajt regjistrimi i popullsisë, i cili njihet si regjistrim i parë dhe i vetëm që është organizuar dhe mbajtur ndonjëherë në këtë pjesë shqiptare nga një institucion shqiptar, siç ishte Zyra Qendrore e Statistikës në Tiranë. Që ky regjistrim të ishte sa më i besueshëm dhe sa më i saktë, nga ana e Zyrës Qendrore qenë përgatitur formularë, përkatësisht pyetësorë, të cilat përmbanin gjithsej 15 pika. Pika 9 e pyetësorit, ku anketuesi duhej ta deklaronte përkatësin e tij fetare, përkatësisht besimin, kishte këtë përmbajtje:

9. Besimi (mysliman, ortodoks autoqefal shqiptar, ortodoks autoqefal serb, ortodoks ekzarkist bullgar, katolik etj.)”.

Kjo grafë ka rëndësi historike për shqiptarët e besimit ortodoksë, sepse atyre u mundësohej që në mënyrë të lirë të deklaroheshin se i përkisnin Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, me fjalë tjera se ata ishin shqiptarë të besimit ortodoksë. Edhe pika 10 e pyetësorit ishte me rëndësi për arsye se në të anketuesit deklaronin gjuhën e tyre të komunikimit nga fëmijëria:

10. Gjuha që fjalosë në fëmijë (me tregue dialektin ose gjuhën që fjaloset në fëmijë, t’ue shkruejtë simbas rasteve, shqip, bullgarisht, rumanisht, greqisht etj)”.

Në janar të vitit 1943, Zyra Qendrore e Statistikës në Tiranë i publikoi të dhënat e dala nga regjistrimi i mbajtur në Prefekturën e Dibrës dhe Nënprefekturën e Carevdvorit, të cilat ishin si më poshtë vijon:

Prefektura e Dibrës: familje – 36.361, meshkuj – 112.043, femra – 108.609, prа – gjithsej 220.652 banorë. Sipas përkatësisë kombëtare e fetare, i kemi këto të dhëna:

  • shqiptarë myslimanë: familje – 891, meshkuj – 68.917, femra – 66.173, pra gjithsej – 135.096;
  • shqiptarë ortodoksë: familje – 809, meshkuj – 194, femra – 2.089, pra gjithsej – 4.293;
  • shqiptarë gjithsej: familje – 700, meshkuj – 71.111, femra – 68.268; pra gjithsej – 139.779;
  • ortodoksë të deklaruar si serbë: familje – 991, meshkuj – 9.720, femra – 9.495, pra gjithsej – 19.215;
  • ortodoksë të deklaruar si bullgarë: familje – 670, meshkuj – 31.272, femra – 30.846, pra gjithsej – 62.058.

Nënprefektura e Carevdvorit:

  • shqiptarë myslimanë: familje – 581, meshkuj – 761, femra – 1.683, pra gjithsej – 3.444;
  • ortodoksë të deklaruar si bullgarë: familje – 698, meshkuj – 5.454, femra – 5.233, pra gjithsej – 10.687.

Marrë në përgjithësi, numri i shqiptarëve në këto dy njësi administrative ishte gjithsej 143.223 banorë. Prej tyre 138.540 i takonin besimit islam dhe 4.293 besimit të krishterë, përkatësisht ortodoks.

Ndërkohë, Komiteti i Kosovës gjatë vitit 1941 kreu regjistrimin e popullsisë shqiptare në zonën pushtuese bullgare, përkatësisht në rrethin e Shkupit e të Kumanovës sipas së cilit kemi këto të dhëna:

  • Popullsia shqiptare e Prefekturës së Shkupit: shtëpi – 900, meshkuj – 28.891, femra – 28.900, gjithsej 57.791;
  • Popullsia shqiptare e Nënprefekturës së Kumanovës: shtëpi – 078, meshkuj – 10.846, femra – 10.198, pra gjithsej – 21.044.

Marrë në përgjithësi, numri i shqiptarëve në hapësirën e sotme të Maqedonisë së Veriut ishte gjithsej 222.058 banorë, në të cilat shifra nuk janë përfshirë 26 vendbanime shqiptare të rrethit të Tetovës që i takonin zonës pushtuese bullgare, si dhe vendbanimet shqiptare të Velesit, Manastirit, Prilepit dhe Ohrit, të cilat gjithashtu ishin nën zonën pushtuese bullgare, me çka numri real i shqiptarëve në territorin e sotëm të Maqedonisë së Veriut, gjatë LDB-së, sillej diku rreth 260.000 ose përafërsisht i njëjtë me të dhënat e mësipërme të Mexhlisit të Ulemasë së Shkupit.

Pas mbarimit të LDB-së dhe krijimit të federatës komuniste jugosllave, tokat shqiptare u copëtuan në tri republika: Kosova si Qark Autonom dhe Lugina e Preshevës iu dhanë Republikës Federale të Serbisë, tokat verilindore shqiptare iu dhanë Republikës Federale të Maqedonisë dhe trevat veriore shqiptare iu dhanë Republikës Federale të Malit të Zi.

Në vitin 1948 u mbajt regjistrimi i parë i popullsisë në RPF të Jugosllavisë, i cili mund të konsiderohet si një ndër regjistrimet më reale që janë mbajtur deri në shpërbërjen e asaj federate. Sipas të dhënave të dala nga ky regjistrim, numri i popullsisë në RP të Maqedonisë sipas përkatësisë kombëtare ishte me sa vijon: maqedonas – 789.648, shqiptarë – 197.389, turq – 95.940, të tjerë – 70.009. Kjo i binte se shqiptarët përbënin popullsinë e dytë më të madhe në këtë republikë pas popullsisë maqedonase.

Ta shohim në vazhdim numrin e popullsisë shqiptare sipas qarqeve: Manastir – 13.166 banorë; Kumanovë – 20.105; Ohër – 33.008; Shkup – 35.635; Shtip – 80, Tetovë – 93.183 dhe Veles – 2.212 banorë. Ndërkohë ky numër, sipas komunave, ishte: Demir Hisar – 964 banorë; Dollnen – 4.786; Krivogashtani – 594; Krushevë – 2.335; Kumanovë – 3.919, Likovë – 12.733, Tabanoc – 3.372, Dibër – 5.233, Kërçovë – 1.187, Butel – 4.755, Draçevë 7.006, Gjorçe Petrov – 12.443, Rakotincë – 2.494, Radastush – 2.252, Çashkë – 1.334, Zherovjan – 18.107, Tetovë – 2.631, Gostivar – 22.150, Qyteti i Shkupit – 7.861 banorë etj.

Nëse regjistrimi i popullsisë i vitit 1948 mund të konsiderohet deri diku i drejtë dhe real, regjistrimi pasues, përkatësisht ai i mbajtur në qershor të vitit 1953, ishte tërësisht politik, rrjedhimisht edhe i papadrejtë, skandaloz, i shtrembëruar dhe i manipuluar nga ana e shërbimit sekret jugosllav, përkatësisht ai maqedonas, që njihet me shkurtesën UDB (Uprava na Državnata Bezbednost – Drejtoria e Sigurimit Shtetëror). Ky ishte regjistrim politik, për arsye se udhëheqja e atëhershme jugosllave në krye me J.B. Titon, Aleksandër Rankoviqin, Llazar Kolishevskin, Kërste Cërvenkovskin etj., disa muaj para mbajtjes së regjistrimit, përkatësisht në janar të vitit 1953, arriti marrëveshje me udhëheqjen politike turke, e cila ndryshe njihet edhe si “Marrëveshje Xhentlemene”, me të cilën të dyja palët ranë në ujdi që ta riaktivizojnë Konventën e nënshkruar më 11 korrik 1938 në Stamboll ndërmjet Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe Qeverisë së Mbretërisë Jugosllave, me të cilën parashikohej që brenda gjashtë viteve të shpërnguleshin 40.000 familje myslimane (shqiptare e turke) për në Turqi. Si rrjedhojë e asaj marrëveshje, u shkua në mbajtjen e regjistrimit të popullsisë, i cili – siç do të shohim në vazhdim – në mënyrë artificiale e shumëfishoi numrin e popullsisë turke. Shtimi i turqve erdhi në shprehje veçanërisht në RP të Maqedonisë, numri i të cilëve u shtua për mbi 100 për qind, përkatësisht nga 95.940 banorë sa pati në vitin 1948 në 203.938 banorë. Ndërkohë numri i shqiptarëve u pakësua në mënyrë drastike, përkatësisht nga 197.389 banorë, ra në vetëm 162.254 ose 34.865 banorë më pak seç pati në vitin 1948.

Për të parë më për së afërmi se si udhëheqja e atëhershme shoviniste maqedonase i detyroi shqiptarët etnikë të deklaroheshin për “turq”, në vazhdim po i japim të dhënat statistikore për qarqe dhe komuna të caktuara të pjesës veriperëndimore dhe jugperëndimore, në të cilat, çuditërisht, regjistrimi i vitit 1953 turqit nga një minoritet i nxori si popullatë dominuese, ndërkohë shqiptarët i shndërroi në një minoritet të papërfillshëm:

Qarku i Kumanovës: shqiptarët në regjistrimin e vitit 1948 numëronin gjithsej 20.105 banorë ndërsa ky numër në regjistrimin e vitit 1953 ra në vetëm 5.422; turqit në regjistrimin e vitit 1948 numëronin vetëm 2.896 banorë, ndërsa në regjistrimin e vitit 1953 ky numër shkoi madje në 19.693 banorë.

Qarku i Manastirit: shqiptarët në regjistrimin e vitit 1948 numëronin gjithsej 13.166 banorë, ndërsa në regjistrimin e vitit 1953 vetëm 4.014 banorë; turqit në regjistrimin e vitit 1948 numëronin gjithsej 14.015 banorë, ndërsa në regjistrimin e vitit 1953 u shtuan në 29.151 banorë.

Qarku i Shkupit: shqiptarët në regjistrimin e vitit 1948 numëronin gjithsej 35.635 banorë, ndërsa në regjistrimin e vitit 1953 vetëm 23.696 banorë; turqit në regjistrimin e vitit 1948 numëronin gjithsej 16.717, ndërkohë në regjistrimin e vitit 1953 ata tashmë numëronin 44.645 banorë.

Komuna e Demir Hisarit: shqiptarët në regjistrimin e vitit 1948 numëronin gjithsej 964 banorë, ndërsa regjistrimi i vitit 1953 i zvogëloi në vetëm 50 banorë; turqit në regjistrimin e vitit 1948 numëronin vetëm 6 banorë, ndërsa në regjistrimin e vitit 1953 u shtuan çuditërisht në 1.027 banorë;

Komuna e Dollnenit: shqiptarët në regjistrimin e vitit 1948 numëronin gjithsej 4.786, ndërsa në regjistrimin e vitit 1953 ranë në vetëm 174 banorë; turqit në regjistrimin e vitit 1948 numëronin gjithsej 1.005 banorë, ndërsa në regjistrimin e vitit 1953 u shtuan në 6.450 banorë;

Komuna e Krushevës: shqiptarët në regjistrimin e vitit 1953 numëronin gjithsej 2.335 banorë, ndërsa në regjistrimin e vitit 1953 ranë në vetëm 1.265: turq në regjistrimin e vitit 1948 pati vetëm 3 banorë, ndërsa në regjistrimin e vitit 1953 dolën se ishin 1.269 banorë;

Komuna e Kumanovës: shqiptarët në regjistrimin e vitit 1948 numëronin gjithsej 3.919 banorë, ndërsa në regjistrimin e vitit 1953 vetëm 1.331 banorë; turqit në regjistrimin e vitit 1948 numëronin gjithsej 1.793 banorë, ndërsa në regjistrimin e vitit 1953 u shtuan në 5.622 banorë;

Komuna e Likovës: shqiptarët në regjistrimin e vitit 1948 numëronin gjithsej 12.733 banorë, ndërsa në regjistrimin 1953 ranë në vetëm 3.609 banorë; turq në këtë komunë në regjistrimin e vitit 1948 pati vetëm 5 banorë, ndërsa në regjistrimin e vitit 1953 ata tash numëronin 9.878 banorë dhe përbënin shumicën absolute të popullsisë së asaj komune, edhe pse në të nuk funksiononte asnjë shkollë në gjuhën turke;

Komuna e Tabanocit: shqiptarët në regjistrimin e vitit 1948 numëronin gjithsej 3.372 banorë, ndërsa në regjistrimin e vitit 1953 ranë në vetëm 476 banorë; turqit në regjistrimin e vitit 1948 numëronin vetëm 436 banorë, ndërkohë që në regjistrimin e vitit 1953 ata u shtuan në gjithsej 3.434 banorë;

Komuna e Butelit: shqiptarët në regjistrimin e vitit 1948 numëronin gjithsej 4.755 banorë, ndërsa ky numër në regjistrimin e vitit 1953 ra në vetëm 2.953; turqit në regjistrimin e vitit 1948 numëronin vetëm 14 banorë, ndërkohë që në regjistrimin e vitit 1953 ata u shtuan në 2.204 banorë;

Komuna e Draçevës: shqiptarët në regjistrimin e vitit 1948 numëronin gjithsej 7.006 banorë, ndërsa në regjistrimin e vitit 1953 ranë në vetëm 5.745 banorë; turqit në regjistrimin e vitit 1948 numëronin vetëm 178 banorë, ndërsa ky numër në regjistrimin e vitit 1953 u shtua në 5.195 banorë;

Komuna e Gjorçe Petrovit: shqiptarët në regjistrimin e vitit 1948 numëronin gjithsej 12.443 banorë, ndërkohë që ky numër në regjistrimin 1953 ra në vetëm në 8.827 banorë: turq në këtë komunë gjatë regjistrimit të vitit 1948 pati vetëm 48 banorë, ndërkohë që ata në regjistrimin e vitit 1953 u rritën në 4.783 banorë;

Komuna e Rakotincës: shqiptarët në regjistrimin e vitit 1948 numëronin gjithsej 2.494 banorë, ndërsa në regjistrimin e vitit 1953 ranë në vetëm 1.362 banorë; turqit në regjistrimin e vitit 1948 numëronin gjithsej 60 banorë, ndërkohë që ky numër në regjistrimin e vitit 1953 u rritë madje në 4.538 banorë;

Komuna e Radastushit: shqiptarët në regjistrimin e vitit 1948 numëronin gjithsej 2.252 banorë, ndërkohë që ky numër në regjistrimin e vitit 1953 ra në vetëm 410 banorë; turq në regjistrimin e vitit 1948 pati vetëm 7 banorë, ndërkohë ky numër në regjistrimin e vitit 1953 u shtua në 2.453 banorë etj.

Të dhënat e mësipërme ofrojnë pasqyrën më të qartë për manipulimin, përkatësisht falsifikimin e regjistrimit të popullsisë nga ana e Entit Statistikor të RP të Maqedonisë. Nuk ka dilemë se për këtë, krahas Entit Statistikor, meritë më të madhe ka edhe UDB-ja maqedonase, e cila përmes oficerëve të saj kryente dhunë dhe terror ndaj popullsisë shqiptare, për ta detyruar atë të deklarohej si “turke”, që përbënte kushtin kryesor e të vetëm për t’u shpërngulur në Turqi. Nëse regjistrimi i popullsisë së vitit 1953 do të kryhej në kushte normale numri i banorëve sipas përkatësisë nacionale, përfshirë këtu edhe koeficientin e shtimit natyror, do të ishte si më poshtë:viti i regjistrimitshqiptarëturq1948

1953 (regj. real)197.389

220.79495.940

114.175diferenca58.27099.763

Siç kuptohet nga kjo, numri real i turqve ishte 114.175 banorë, ndërsa kjo nënkupton se së paku 99.763 banorë, të cilët gjatë atij regjistrimi qenë deklaruar “turq”, u përkisnin nacionaliteteve tjera, si: 58.270 nacionalitetit shqiptar dhe 31.493 nacionaliteteve të tjera, përkatësisht pomake, boshnjake dhe rome.

Përderisa turqit me regjistrimin e vitit 1953 zyrtarisht qenë shpallur si popullsia e dytë më e madhe në atë republikë, menjëherë pas popullsisë maqedonase, ndërsa shqiptarët si popullsia e tretë, në anën tjetër numri i nxënësve shqiptarë ishte pesë herë më i madh se ai i nxënësve turq. Komisioni për Pakicat Nacionale pranë KQ LKM-së, në informatën dërguar në dhjetor të vitit 1958 Komisionit përkatës të KQ LKJ-së në Beograd, ndër të tjera theksonte se në RP të Maqedonisë, për realizimin e shkollimit fillor të obligueshëm, në vitin shkollor kishin punuar: 252 shkolla katërvjeçare ose  1.039 paralele në gjuhën shqipe me gjithsej 31.647 nxënës dhe vetëm 39 shkolla katërvjeçare në gjuhën turke me 6.687 nxënës.

Ja edhe një shembull tjetër i cili e nxjerr në pah falsifikimin e regjistrimit të popullsisë së vitit 1953 në RP të Maqedonisë. Përderisa komuna e Likovës, sipas regjistrimit të popullsisë së vitit 1953 qe shpallur si komunë me shumicë absolute “turke”, përkundrejt shqiptarëve që zyrtarisht përbënin pakicë në atë komunë, në anën tjetër në atë komunë nuk pati asnjë shkollë në gjuhën turke, por vetëm në gjuhën shqipe. Është më se e qartë se popullsia e asaj komune i përkiste kombit shqiptar dhe se gjuha turke për ta ishte gjuhë e huaj. Kjo dëshmohet edhe në raportin e vitit 1956 të Komitetit Komunal të Lidhjes Komuniste të kësaj komune, ku thuhet shprehimisht:

“…Në territorin e komunës së Likovës përfshihen 18 fshatra me 2.157 shtëpi dhe 15.244 banorë, prej të cilëve sipas përkatësisë nacionale 96 për qind janë shqiptarë, ndërsa 4 për qind serbë, maqedonas dhe malazezë…”.

Se regjistrimi i popullsisë së vitin 1953 ishte i manipuluar nga ana e udhëheqjes komuniste maqedonase, dëshmon fjalimi i kryetarit të Entit Statistikor, Boro Pekevski, i mbajtur në prag të mbajtjes së regjistrimit të popullsisë në RSFJ gjatë vitit 1971, ku me kërkesë të udhëheqjes boshnjake për herë të parë u futë termi “mysliman” në kuptimin etnik, e që u përkiste vetëm popullsisë myslimane me prejardhje nga Bosnja e Hercegovina, përkatësisht boshnjakëve. Në dy regjistrimet e mëparshme kjo pjesë e popullsisë mund të deklarohej vetëm si “serb-mysliman”, “kroat-mysliman” ose “jugosllav – etnikisht të papërcaktuar”. Duke iu kundërvënë Stevan Gaber-it, i cili këmbëngulte se kjo rubrikë nuk duhej të kufizohet vetëm për popullsinë myslimane të Bosnjë e Hercegovinës, B. Pekevski ndër të tjera thoshte se personalisht për të do të ishte më me vlerë “nëse numri i arritur i myslimanëve do të ishte i pastër”, përkatësisht kur do të dihej se në atë numër nuk ishin përfshi shqiptarët e turqit, sesa të “dalë një numër i caktuar i turqve, ku 54% prej tyre do të ishin vërtetë turq, ndërsa 46% të panjohur”. Kjo e fundit, sipas Pekevskit, sjell pasoja, sepse do të paraqiten disa organe, të cilat “politikën e tyre ndaj dispozitave ligjore do ta përshtatin sipas kësaj strukture”. Shembull konkret për të ishte regjistrimi i vitit 1953, kur për shkak të të dhënave të papastruara “Sekretariati për Arsim qe detyruar të hapë shkolla turke në ato vise ku popullsia qe deklaruar si turke, ndërsa 90% prej tyre flisnin gjuhën shqipe…”. Krejt kjo situatë, shtoi Pekevski, “na detyroi që konsullatës së Turqisë t’i japin sqarime plotësuese dhe të arsyetohemi me atë se gjendja faktike nuk është adekuate me të dhënat.”.

Ky fjalim i Pekevskit përbën dëshminë më të fuqishme për politikën diskriminuese e antishqiptare të udhëheqjes politike të Maqedonisë, e cila erdhi në shprehje veçanërisht gjatë regjistrimit të popullsisë së vitit 1953, ku organet e pushtetit, në radhë të parë UDB-ja, i detyronte shqiptarët të deklaroheshin për “turq”, që më pas të mund më lehtë t’i shpërngulte për në Republikën e Turqisë dhe në vend të tyre të vendoste refugjatët politikë të njohur si “egejci”, të cilët gjatë luftës qytetare në Greqi (1946-1949) kishin emigruar në shtetet e Evropës Lindore. Me këtë, drejtori i Entit Statistikor i RS të Maqedonisë, Boro Pekevski, faktikisht e pranoi publikisht se regjistrimi i popullsisë të vitit 1953, ishte i manipuluar, ku mbi 50% e popullsisë shqiptare qe detyruar të deklarohet si turke.

Shpërndaje artikullin në: