Mos na vrisni shpresën
Bedri Islami – Protesta e shumë përfolur e opozitës përfundoi para se të fillonte. Që në momentin, kur një pjesë e turmës sulmoi portën kryesore të godinës qeveritare, aty nuk kishte më rebelim popullor e as ngritje krye kundër qeverisë. Turma, në pak minuta hodhi poshtë gjithçka dhe, ndërsa ata përpiqeshin të depërtonin edhe më tej në një godinë bosh nga qeveritarët, ata, të cilët e kishin marrë përsipër t’i drejtonin, pak më tej, qëndronin të heshtur duke pritur në ankth e shpresë që t’u dhurohej një pjesë e pushtetit.
E përgatitur prej më shumë se një muaji dhe e shpallur me bujë si dita e fundit të qeverisjes së Edi Ramës , protesta u shfry befasisht shpejt, si çdo e ngutshme, e verbër dhe e nxitur nga keqdashja dhe jo nga vizioni i saj.
Përse dështoi një protestë, e cila, në fakt, duhej të kishte shkundur një qeveri, që, duke pasur mjaft gabime në rrugën e saj, e meritonte të shkundej fort.
Janë disa arsye themelore për këtë.
Së pari, protesta nuk kishte kauzë. Ajo kishte thirrje disa javore, por kauzë nuk kishte. Përmbledhja e protestës në qëllimin e largimit të Edi Ramës nuk e bënte kauzën e saj të prekshme, reale dhe të arritshme.
Më shumë se me jetën e njerëzve që ishin thirrur të protestonin, ajo tingëllonte dhe vazhdon të tingëllojë, si një ftesë për të ndërruar kuajt e karrocës, dhe ku tepsia e pushtetit do të ndahet edhe një herë, si është ndarë në 30 vitet e fundit.
Së dyti, megjithëse ishte promovuar si protesta më e madhe e këtyre viteve pluraliste, ajo nuk mori ato përmasa që ishin menduar. Mbeti, edhe një herë, në sinorët e militantëve dhe të mitingashëve, të cilët, edhe pse kishin një organizim nga të gjithë qarqet, në kujdesin e të dërguarve nga qendra, edhe pse në më shumë se gjashtë javë ishin bërë të gjitha çka duheshin, që nga takimet derë më derë e deri tek shtrëngimet e duarve në ecje e sipër, ishte e shenjuar si protestë e dy forcave politike, të cilat ishin bashkuar nga halli dhe nga fakti i të qenurit në opozitë.
Nëse, nga e gjithë Shqipëria, mbledh vetëm atë masë njerëzore, për më tepër, përmes joshjes së udhëtimit gratis apo pritshmërisë se me 16 shkurt qeveria do të bjerë në theqafje, kjo do të thotë se tek ti mungon elementi bazë: personifikimi i protestës.
Ende, as sot, nuk e di askush se kush ishte personifikimi i protestës.
Njeriu i parë që vuri re këtë bjerrje të madhe ishte Berisha. I njohur si politikan e së prapshtës, ai e kuptoi se njw protestë anonime të çon drejt anonimatit, ndaj mori përsipër ndezjen e saj.
Nëse nuk ia arriti kjo do të thotë se edhe tek ai kishte dy gjëra penguese: ishte i vonuar dhe ishte në një kohë të humbur.
Së treti, kjo ishte një lëvizje pa lider. Më shumë se gjithçka tjetër, duke dashur të paraqitej si zëri i popullit, në fakt u bë zëri i askujt.
Asnjë lider i shpallur nuk ishte në krye të saj dhe askush nuk mori përgjegjësinë e bartjes së drejtimit të një proteste, përmes së cilës ishte menduar dita e fundit e qeverisë Rama.
Një ide e tillë nuk mund të bartet përmes mitingashëve që sulmuan si deshët e mesjetës portat e kryeministrisë.
Mungesa e liderizmit ishte shenja e plakjes së protestës.
Duke u fshehur pas termit popull, në fakt ata u fshinë nga “populli” mitingash, të cilët morën përsipër rolin e liderit, që edhe ashtu ishte një “lider“ i maskuar, që ngjante më shumë me talebanët.
Nga një lëvizje dhe protestë popullore, që mund të kishte fituar shumë herë më tepër nga përfaqësimi politik, ajo u kthye në një lëvizje mitingashësh, të cilët nuk dinë asgjë tjetër veçse të risjellin edhe një herë imazhet e vitit 1992, kur dhuna ishte përfaqësuese e mendjes.
Liderët e shpallur të protestës, që në fakt më shumë u strukën se sa lideruan, Basha dhe Kryemadhi, megjithë rrahjet e gjoksit dhe trashjen e zërit, nuk e kuptuan se Rama nuk mposhtet dot nga foltoret e partive dhe as nga kërcënimet parlamentare.
Ata, të dy sëbashku, munguan në çastin e madh dhe në kohën e duhur. Sepse, ende, asnjëri prej tyre nuk është lider dhe nuk mund të bëhen pa shfaqur më parë vizionin e tyre për një qeverisje ndryshe.
Së katërti: pas kujt duhej të shkonin protestuesit: atyre iu dhanë dy rrugë. Mitingashët që sulmonin dhe drejtuesit e partive që shfryheshin.
Asnjëra palë nuk ishte për t’u zgjedhur dhe as për t’u lakmuar.
Njerëzit janë lodhur me qeverinë, por janë të lodhur edhe me opozitën, që është në fakt qeverisja paraardhëse.
Ende asnjëra palë e opozitës nuk ka bërë autopsinë e saj, nuk ka dëshmuar se ka zënë mend nga e shkuara e qeverisjes së tyre dhe nusërimi i tashëm nuk do të thotë se janë virgjin në politikë.
Mungesa e figurave të reja, të lakmuara për t’u ndjekur dhe të domosdoshme për të qenë shëmbëlltyrë, është vrasja më e madhe e besimit.
Kush mundet ende të besojë se kwta që flasin për përmbysje janë më të mirë, më të ndershëm dhe më të pakapur nga krimi dhe oligarkia politike e financiare, se sa ata që u kërkohet ikja?
Së pesti, dhuna nuk është mjet për të marrë pushtetin. Sa herë që e ka provuar një opozitë, aq herë ka dështuar. Më mirë se të gjithë këtë e di Berisha, i cili tani ka më shumë hallin e tij se të të tjerëve.
Organizatorët e protestës nuk morën guximin të distancoheshin nga dhuna. Ta bënin atë haptas, qartë, me guxim dhe personalisht.
Ata qëndruan të heshtur, herë – herë të strukur, duke pritur sinjalin e fitores, që simbolizohej me shpartallimin e një porte.
E pastaj?
Lejuan që dhuna të bëhej mjet, deri në çastin kur faktori ndërkombëtar solli kërcënimet e para.
Pastaj, befas, e kthyen ndryshe, në një variant mjeran, sipas të cilit, policia provokoi duke u hapur rrugë mitingashëve.
Ngushëllim më budalla nuk kishte dhe nuk mund të kishte.
Dhuna ishte paralajmëruar ditë me radhë, nga vetë opozita, duke e mbledhur pas sloganit se, “populli e di vetë se çfarë do të bëjë”.
Kur menduan ta nxjerrin kokën nga rëra struciane, ishte vonë.
Protestuesit që kishin ardhur të rrëzonin qeverinë përmes qwndresës së tyre, qoftë edhe me ditë e me netë, e braktisën atë të parët.
Së fundi , dhe kryesorja:
Roli i ambasadave.
SHBA, BE dhe OSBE morën frenat e protestës në duart e tyre dhe i zbrapsën. Ata e bënë të qartë qëndrimin e tyre pa asnjë ekuivok dhe pa ndjerë dhimbje se kush mund tw goditej.
Çfarë duhej bërë nga vetë drejtuesit e opozitës, e bënë ndërkombëtarët. Ata i treguan shpejt e shpejt sinorët se deri ku shtrihet e drejta e tyre dhe se mund të fillojë e drejta e shtetit ligjor.
Pa këtë ndërhyrje energjike, të kohës dhe të menjëhershme, protesta mund të ishte ende aty: e zvogëluar, por agresive. Me të papriturat e natës. Ndoshta edhe me përplasje më të mëdha.
Nëse kjo nuk ndodhi nuk është as meritë e opozitës, e cila u tërhoq, e as meritë e veçantë e policisë, e cila u përmbajt.
Ndërhyrja diplomatike, në fakt pa shumë diplomaci, ishte ajo që përcaktoi një të nesërme.
E sotmja e rëndoi opozitën dhe e relaksoi Edi Ramën.
Por tregoi se ende jemi një republikë bananesh, ku, për të dyja palët, krejt lehtë, mund të vendosë një prononcim ndërkombëtarësh dhe të mbarojë festa.