Nga Emin AZEMI-Cili do të jetë kontesti shqiptar në këtë Marrëveshje? Si edhe në të kaluarën, kur vendosej nëse Maqedonia do të jetë apo jo anëtare e OKB-së, edhe tani kur “Maqedonia e Veriut” bëhet pjesë edhe e arealit shqipfolës, shqiptarët as nuk e ngadalësuan, as nuk e shpejtuan procesin, por as nuk e penguan atë. Shqiptarët nuk ishin faktor që do të përmbysnin realitetet dhe nga ky prizëm duhet shikuar gjërat, ndërkohë që rezoni intelektual e akademik (shumë me pakicë) do të vazhdojë të ketë arsyet e veta për të qenë i rezervuar

 

Maqedonia asnjëherë nuk ka qenë në jug të Greqisë, kurse sllavët janë më të rijë se grekët në Ballkan. Shqiptarët janë moshatarë me malin Olimp. Në Ballkan gjithmonë ka pasur më tepër histori, se sa aftësia për ta absorbuar atë. Jo vetëm se kështu mendonte Çerçili, por edhe ngjarjet e proceset e dëshmuan këtë. Në rastin e Maqedonisë, bie fjala, ka pasur shumë lajthitje sa i përket historisë. Në dhjetëvjeçarët e fundit u pat krijuar një ide e shpifur për etnogjenezën antike të maqedonasve. Të brumosur me këtë ide, që kishte si “fekondim” politikën e ditës, gjeneratat e reja u rritën me mitin për Aleksandrin e Madh dhe me antikën si prehje shpirtërore ku lavdia e mjegulluar iu bën jehonë shumë ngjarjeve që asnjëherë nuk u dokumentuan se kanë ndonjë lidhje me maqedonët sllavë. Kompleksi për të mospranuar sllavizmin si prejardhje dhe lakmia për të grabitur histori që s’të përkasin, ishte lajtmotivi didaktik i nxënësve të edukuar në frymën e gruevizmit.

Tani, Maqedonia bëhet një sintagmë e kodifikuar që do ti shërbejë kohës për ti zgjidhur problemet e grumbulluara, sidomos ato që kanë të bëjnë me integrimet e jashtme. “Maqedonia e Veriut” vjen si sintagmë që pretendon t’i jap një zgjidhje ngërçit disavjeçar, me çka hapen disa udhë që më pare kanë qenë të mbyllura. Shikuar nga këndvështrimi pragmatik, kjo është një zgjidhje që krijon kontekste të reja politike jo vetëm brenda, por edhe jashtë.

VETËM SI SLLAVË, MAQEDONASIT KANË LEGJITIMITET NDËRKOMBËTAR

Shteti i vjetër me emër të ri, do të duhej të adaptohet më efektet që sjell ndryshimi, kurse qytetarët do të jenë ata që do ta vërtetojnë nëse ky ndryshim ka qenë në të mire të tyre apo jo. Maqedonasit që nuk ushqejnë iluzione se kanë ndonjë lidhje me trashëgiminë antike, do të duhej të jenë më të lumtur, për arsye se ata, megjithatë, po afishohen si etnos me legjitimet ndërkombëtar dhe askush nuk po e konteston gjuhën e tyre, siç ka ndodhur deri më tani. Nacionalistët maqedonas do të mundohen të na bindin se “ky është një diversion që i bëhet identitetit maqedonas”, por në fakt ata ishin varrmihësit më të mëdhenj të identitetit. Ata projektuan realitete virtual që nuk korrespondonin me shkencën e historisë dhe, si të tillë, në një anakroni totale, prodhuan aq shumë kundërshtarë të kauzës së tyre, sa që ishte e pamundur të imagjinohet e ardhmëria e këtij vendi të vogël me përralla të tilla.

Maqedonia nuk mund të vazhdonte të jetë një letër pa pullë që nuk mund të dërgohej askund. Deri më tani ajo ishte kthyer disa herë dhe ata që tentuan ta kontrabandojnë si “dërgesë antike” nuk e kishin kuptuar se historia nuk krijohet me legjenda të sforcuara që politikën e huazon si armaturë.

Shqiptarët nuk kishin problem me historinë e tyre. I vetmi problem i shqiptarëve ishte si ta adaptojnë interesin e tyre nacional në një realitet të ri që krijonte kontradikta në mes të autoktonisë dhe dhe atributeve të trashëguara politike e historike. Sa për faj të tyre, po aq për arrogancë të të tjerëve, shqiptarët jo gjithmonë mundën ti eliminojnë këto kontradikta. Rrjedhimisht kjo nuk ngeli edhe pa pasoja në proceset që do të pasojnë, për të ardhur në një moment kur “Maqedonia e Veriut” bëhet për ta një etiketë që duhet ta bashkëshoqërojë në rrugëtimin e mëtejshëm si popull me kauza të pambaruara.

“Maqedonia e Veriut” është një pullë e re në dërgesën e re. BE dhe NATO do të duhej ta pranojnë këtë dërgesë si pjesë e angazhimeve gjeopolitike në rajon, ndërkohë që opinioni i brendshëm, sidomos pjesa sllave e Maqedonisë duhet të adaptohet me realitetin që i dëbon ata nga mjegullat e lashtësisë.

SHKUPI DHE ATHINA KRIJUAN ELYSÉE-në E Tyre

Buzë Liqenit të Prespës, në Greqinë Veriore, të dielën (17 qershor) u nënshkrua Marrëveshja në mes të dy vendeve për emrin e ri- “Maqedonia e Veriut”, dhe në këtë mënyrë, edhe formalisht, shkëputet, jo vetëm gjuhësisht, por edhe politikisht e juridikisht tradita e një emërtimi të vjetër. Kjo ngjarje ta kujton deri diku Marrëveshjen historike të nënshkrua mes presidentit francez Charles de Gaulle dhe kancelarit gjerman, Konrad Adenauer më 22 janar 1963, e njohur si Marrëveshja e Elysée-së. Ishte pikërisht Charles de Gaulle lideri i madh që i njihte mirë fqinjët gjermanët, pasi kish kaluar mbi dy vjet (1916-1918) edhe si rob lufte i tyre, më se i ndërgjegjshëm për gjurmët e thella të armiqësisë shekullore mes Francës dhe Gjermanisë, që do të merrte inciativën për pajtimin e madh dhe pa kushte me Gjermaninë. Dhe siç e përshkruan historiani dhe politologu i njohur francez Alfred Grosser, sipas DW, me rëndësi “thelbësore” për rindërtimin e Evropës ishte që De Gaulle aprovoi pas Luftës atë që kishte kundërshtuar më parë si opozitar: ndërtimin e një Evrope të përbashkët dhe “rëndësinë parimore të marrëdhënieve gjermano-franceze”.

E ardhmja e kësaj pjese të Europës Juglindore i takon emrit të ri të shtetit – “Maqedonia e Veriut”, kurse politikanëve dhe qytetarëve iu mbetet, ose të adaptohen me psikologjinë e ndryshimit, ose të kundërshtojnë që të mos vijë ndryshimi. Gjasat që të ndodhë edhe njëra, edhe tjetra, janë reale, por arsyeja dhe rezoni duhet të dominojnë mbi emocionet.

Kjo gjeneratë e politikanëve që aktualisht udhëheqin në Athinë dhe Shkup i kanë edhe kundërshtarët e tyre, por ata në një plan pak më të gjerë arritën ta kthejnë historinë e grindjeve e mosmarrëveshjeve në favor mirëkuptimi e bashkëpunimi për të dyja vendet. Dhe nga ky prizëm, kundërshtarët e Zaevit dhe Tsiprasit, para se të nisen në aksionin e kontestimit të kësaj marrëveshjeje, do të duhej t’i bindin ithtarët e tyre se ata kanë një ofertë më të mirë. Nëse nuk e kanë këtë ofertë, ata nuk do të kenë sukses në aksionin e tyre, sepse Ballkani është ngopur me politikanë që sukseset e tyre individuale i ngritën mbi fatkeqësitë e popujve që përfaqësonin. Po ta kishin pyetur Millosheviqin, Serbia ende do të ishte në luftë me gjithë botën për ta mbajtur nën thundër edhe më tej Kosovën. Edhe Gruevski po të pyetej, Maqedonia edhe 100 vjet nuk do ta zgjidhte kontestin me emrin, sepse politikanët e kalibrit të tillë vetëm në fatkeqësi kombëtare arrijnë të mbijetojnë dhe ta ndërtojnë staturën e tyre prej “heronjve shpëtimtarë”.

KUR HISTORIA MËSOHET SI LEGJENDË

Kundërshtarët e kësaj Marrëveshjeje në Athinë dhe në Shkup mund të bëjnë pakt në mes veti për një kohë të shkurtër, sa për të ndezur motorat e populizimit në prag të zgjedhjeve të ardhshme, me gjasa reale që edhe ti fitojnë ato, por ata asnjëherë nuk duhet ta harrojnë historinë e Hitlerit i cili sa më shumë që popullarizohej në Gjermani, po aq më apokaliptikë bëhej për fatet e popujve të tjerë të Europës së viteve 30-të dhe 40-të të shekullit të kaluar. Nëse Greqia ende i ka në memorie kolektive puçet famëkeqe të gjeneralëve antipopullorë, bashkëqytetarët tanë sllavë do të duhej ta freskojnë kujtesën me reminishenca nga historia kur quheshin “Srpska Banovina”, atëherë kur në grafikonet etnike imponohej demografia serbomadhe dhe me dekret shtetëror shpallej zhdukja zyrtare e të gjithë të tjerëve që nuk ishin serbë. Nacionalistët në Shkup e gjetiu nuk munden dot të vazhdojnë të mbrojnë teza qesharake se “Solun e nash” (“Selaniku është i yni”), ndërkohë që nuk arritën të sigurojnë minimumin e dinjitetit në mbrojtje të asaj tradite kulturore, arsimore e etnospkikolgjie që, megjithatë. i bënte të ndryshëm nga popujt tjerë të Ballkanit. Kidnapimi i historisë dhe shndërrimi i saj në legjendë, u tregua të jetë një aventurë pa sens që nuk do të mund të përdorej as si sinopsis për një komedi filmike.

Cili do të jetë kontesti shqiptar në këtë Marrëveshje? Si edhe në të kaluarën, kur vendosej nëse Maqedonia do të jetë apo jo anëtare e OKB-së, edhe tani kur “Maqedonia e Veriut” bëhet pjesë edhe e arealit shqipfolës, shqiptarët as nuk e ngadalësuan, as nuk e shpejtuan procesin, por as nuk e penguan atë. Shqiptarët nuk ishin faktor që do të përmbysnin realitetet dhe nga ky prizëm duhet shikuar gjërat, ndërkohë që rezoni intelektual e akademik (shumë me pakicë) do të vazhdojë të ketë arsyet e veta për të qenë i rezervuar. (koha.mk)

Shpërndaje artikullin në: