Bardhyl Mahmuti-Në reagimin e ri të datës 5 qershor 2018, ti deklaron se debati mes nesh “devijoi në masë, për shkak të reagimit të tënd në fillim dhe për shkak të interesimit tim që të merrem edhe me tema tjera”. Çdo lexues që e ka ndjekur me vëmendje konfrontimin e mendimeve gjatë polemikës që po zhvillojmë, e di fare mirë se unë nuk kam hapur asnjë temë jashtë asaj që ti shtrove në reagimin tënd. Bash asnjë! Ti më akuzove për “anti-islam”, unë të solla prova të mjaftueshme, se gjatë dy dekadave para se të polemizonim ne, unë kam ngritur zërin e protestës kundër të gjitha formave të diskriminimit dhe të dhunës që janë ushtruar ndaj shqiptarëve, pa marrë parasysh se të cilës përkatësi fetare janë.

Në kuadër të kësaj dhune, një vend të veçantë zë dhuna për shkak të përkatësisë religjioze. Me Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, “aktet që kanë për qëllim shkatërrimin e tërësishëm apo të pjesshëm fizik ose biologjik, të një grupi nacional, etnik, racor ose FETAR, si të tilla janë akte gjenocide”. Në të gjitha shkrimet e mia kam theksuar edhe dhunën religjioze për të dëshmuar politikën gjenocide, që është zbatuar kundër shqiptarëve. Provat që të solla në tri pjesët e para të kësaj polemike, dëshmuan se ti ke shpifur duke më cilësuar si “anti-islam”, si “anti-demokrat”, “me mendësi komuniste”, “marksist-leniniste” e kështu me radhë.

Përkundër provave të pakontestueshme, ti nuk kërkove falje për të gjitha akuzat. Mustafa, temat që ti hape përmes reagimit tënd, nuk janë tema që mund të kufizohen në “statuse facebook-u”. Madje, as shkrimet e mia disafaqëshe nuk mjaftojnë për t’i sqaruar problematikat që ngrite gjatë reagimit. Unë do të vazhdoj për aq sa e shoh të nevojshme të sqaroj të gjitha çështjet, sepse sqarimi i këtyre gjërave tejkalon ballafaqimin mes nesh. Mendoj se është në interes që të hiqet mjegulla rreth shumë dilemave.

Çështjen e Jerusalemit/Kudsit nuk e kam shmangur, por është tema që trajtohet në vazhdimin e fundit të polemikave tona. Kuptohet nëse nuk vjen edhe ndonjë reagim nga “korneri”, që të më imponojë renditje tjetër. Meqë ra fjala te “korneri”, ti, Mustafa, në hyrje të reagimit të fundit përmend lëndimin e lojtarit të Liverpulit, Muhamed Salah, si shembull të “solidarizimit të shqiptarëve në përmasa kombëtare me lojtarin mysliman”. Fatkeqësia që përjetoi ky lojtar interpretohet prej teje si katalizator, që arriti “të ndezë shkëndijat e fesë që janë të fjetura në zemrat e tyre.

Askush nuk mund ta mohojë faktin se ndjenja dhe përkatësia fetare shprehet edhe kësisoj, dhe jo gjithherë ka nevojë për trumbetime, për të treguar nëse shqiptarët janë apo nuk janë myslimanë”! Mënyra se si e interpreton këtë ngjarje të takon ty. Por, ku do t’i çosh shqiptarët, katolikë, ortodoksë apo pa religjion, që u erdhi keq për atë që i ndodhi Muhamed Salahut si sportist e jo si pjesëtar i një besimi fetar! Klasifikoji ku të duash, veç mos ua “ndez shkëndijat e fesë”. Ishte ndeshje futbolli e jo një kryqëzatë! Mos thuaj se Ramosi e lëndoi Salahun veç pse ishte mysliman!

Për ta shtendosur polemikën tonë po i referohem kësaj radhe futbollit. Para ballafaqimit final të Realit me Liverpulin, ti kërkove nga miqtë tu të të ndihmojnë të përcaktohesh se cilin ekip ta mbështesje, sepse kishe një dilemë të madhe. “Knej po du me fitue Reali a knej zemra po ma don Muhamed Salahun…!! A muni me ma nimue pak, o miq, kah t’ia mbajë sonte”. Mustafa, unë dilema të kësaj natyre nuk kam. Po të tregoj një “storie” nga përvoja ime. Ishte shtator i vitit 1987. Në burgun e Zajeçarit në Serbi, isha në të njëjtën qeli me Ramadan Avdiun, aktualisht konsull i Përgjithshëm i Kosovës në Gjenevë. Në Beograd luhej ndeshja e kthimit mes Partizanit dhe Flamurtarit të Vlorës. Në ekipin e Partizanit të Beogradit luante edhe futbollisti i njohur shqiptar nga Kosova, Fadil Vokrri. Gjatë vizitës së rregullt që pati drejtori i burgut para kësaj ndeshjeje, m’u drejtua me pyetjen se cili ekip dëshiroja unë që të fitonte, meqenëse futbollisti më i mirë shqiptar luante për Partizanin. Përgjigjja ime ishte e menjëhershme: jo Fadil Vokrri, por edhe në rast se njëmbëdhjetë lojtarët e Partizanit të Beogradit të ishin shqiptarë, unë do të doja të fitonte Flamurtari i Shqipërisë, madje t’ju shkelë përtokë…”. Të garantoj se goli i Sokol Kushtës kundër Partizanit të Serbisë në Beograd bën pjesë në një ndër ngjarjet, që më ka gëzuar më së shumti në jetën time. Futbolli është një faktor shumë i rëndësishëm identifikimi, që nuk qëndron jashtë strategjive politike, prandaj nuk mund ta shoh jashtë këndvështrimit tim politik.

Në këtë çështje nuk kam asnjë dilemë dhe, rrjedhimisht, edhe për ndeshjen Real Madridi – Liverpuli mendimet e mia ishin të palëkundura: dëshiroja të fitonte ekipi anglez, sepse Britania e Madhe është vendi që na ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë për t’i dhënë fund gjenocidit serb në Kosovë, ka kontribuar në rindërtimin e vendit tonë dhe ka pasur qëndrim të drejtë dhe të palëkundshëm për të drejtën e popullit të Kosovës për shtet të pavarur. Edhe sikur të luanin njëmbëdhjetë lojtarë shqiptarë për ekipin spanjoll, unë do të dëshiroja fitoren angleze, sepse Spanja ka qëndrim tejet negativ ndaj pavarësisë së vendit tonë. Kam mjaft miq, simpatizues të Realit, të cilët mundohen të më bindin që të mos ngatërrojmë futbollin me politikën.

Është e drejtë e secilit të veprojë në përputhje me pikëpamjet e veta. Edhe në këtë çështje nuk kam dilema: nëse futbolli dhe lojërat e ndryshme sportive do të luhen pa himnin kombëtar, pa praninë e figurave politike, atëherë do ta rishikoj qëndrimin tim. Por jo ndaj ekipeve që vijnë nga shtetet, të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. I nderuar Mustafa, Pasi të përfundoj shkrimet për temat që provokoi reagimi yt i parë, do t’u kthehem çështjeve që dalin nga reagimi i fundit. Mbetsh me shëndet ti dhe miqtë tu, realë dhe virtualë! Për ata që nuk kanë pasur rastin ta shohin eliminimin e Partizanit të Beogradit nga Flamurtari i Vlorës dhe ata që aq shumë iu gëzuan këtij goli.

Shpërndaje artikullin në: