Pas vendimit pozitiv të KE për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ka reaguar edhe eurodeputeti Eduart Kukan.

Ai i bëri apel partive politike në Shqipëri që të ngrihen mbi interesat politike dhe të punojnë për popullin.

Gjatë fjalës së tij në Komitetin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, Kukan theksoi se shqiptarët e meritojnë hapjen e negociatave.

“Komisioneri Hahn ka qenë nder dhe kënaqësi që kam bashkëpunuar me ju. Raporti tregon mjaft interes, një thriller i vërtetë. Dhe reagimi i parë është pozitiv. Ne të gjithë duam që kolegët e Ballkanit perëndimor të ecin para, si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut meritojnë atë që ju sapo thatë.

Mund të ketë shumë pika dhe argumente, por nëse shohim pikat pozitive ka pasur hapa deçizivë drejt Evropës. Por nga ana tjetër mund të bëhet më shumë. Të gjithë këto vende meritojnë mbështetjen tonë, por edhe ndihmën tonë.

Shqipëria, konstatojmë një politike të ngarkuar të brendshme në 30 qershor do kemi zgjedhje lokale dhe u takon liderëve politike të shkojnë përtej interesave të partisë, dhe të shkojnë drejt interesave të qytetarëve. Edhe ne duhet të bëjmë më shumë, duhet të shohim instrumentet që kemi në dispozicion për të ushtruar një presion më pozitiv ndaj kolegëve tanë në Ballkan. Sepse përkundrazi rrezikohet humbja e kredibilitetit dhe duhet marrë në konsideratë çështja e stabilitetit të Rajonit”, tha Kukan.

Komisioni Evropian rekomandoi hapjen e negociatave për Shqipërinë gjatë paraqitjes së progres-raportet për vendet në procesin e zgjerimit, ku përfshihen shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Komisioni ka rekomanduar edhe kësaj radhe çeljen e negociatave për anëtarësim për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Komisioneri Hahn, duke folur për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, theksoi se duhet të mbahen premtimet për shtetet që aspirojnë për në BE, kur ato i përmbushin kërkesat.

“Ne kemi folur për strategjinë e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor. Raporti i këtij viti parashtron progresin që kanë bërë vendet e Ballkanit perëndimor. Mbeten shumë sfida. Ne do paraqesim të njëjtin rekomandim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Zbatimi i ligjit dhe stabiliteti mbeten disa nga pikat që duhet të zbatojnë këto vende. Sfida e tretë për këto vende është ekonomia. Vendet duhet të zbatojnë reforma në sajë të përmirësimit të ekonomisë. BE është partneri ynë kryesor por duhen marrë në konsideratë edhe investimet e Kinës.

Shqipëria është duke bërë reforma, transformim të rëndësishëm në fushën e drejtësisë. Ky është një shembull edhe për vendet e tjera. Të dyja vendet kanë bërë progrese. Në këtë bazë komisioni rekomandon hapjen e negociatave për të dy vende. Kushti kryesor është reforma në drejtësi. Për sa i përket kapitujve 23-24. Të dyja palët duhet të japin kontribut“, tha eurokomisioneri Hahn gjatë prezantimin e progres raportit.

Lideri i opozitës Lulzim Basha, duke iu përgjigjur dy ditë më parë një letre të hapur të kryeministrit Edi Rama, i cili i propozonte një dialog pa kushte, refuzoi propozimin, me pretendimin se, në këto gjashtë vjet qeverisje, Rama duhet ta kishte dhënë të paktën 20 herë dorëheqjen. “Sikur Edi Rama të kishte qoftë edhe një fije respekt dhe vëmendje për popullin, sikur tek ai të kishte vetëm një fije vetëdije demokratike, ai do ta kishte dhënë dorëheqjen të paktën 20 herë këto gjashtë vitet e fundit”, shkruante Basha, duke renditur “arsyet” e tij.

Shqiptarja.com provoi të bënte një ‘fact checking’ mbi akuzat kryesore të hedhura nga Basha, duke zbuluar se, në të vërtetë, gati gjithë argumentimet e tij janë thjesht ripropozimi i fushatave politike dhe mediatike të zhvilluara nga opozita në këto gjashtë vjet. Natyrisht, opozita ka të drejtën dhe, ndoshta, edhe detyrën që të denoncojë qeverinë në detyrë, por, në rast se fjalët nuk i shoqëron edhe me prova, nuk mund të pretendojë që qeveria të dorëhiqet.

Ja 17 akuzat kryesore të paraqitura në fjalimin e tij nga ana e Lulzim Bashës:

1) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur u zbulua se kriminelët i kishte bërë deputetë; kur Elvis Roshi doli trafikant e përdhunues
Ligji për dekriminalizimin është, sigurisht, një betejë, për të cilën merita i takon opozitës, edhe pse, pa votën dhe konsensusin e Partisë Socialiste në Kuvend, ligji nuk do të ishte miratuar. Gjatë zbatimit të këtij ligji, u zbulua edhe rasti i Elvis Roshit. Gjithsesi, pikërisht ligji për dekriminalizimin tregon që, në rast se opozita bën një betejë të drejtë, ajo fiton, edhe duke mbetur si pakicë numerike. Ky është një argument më shumë, që e bën të pakuptueshëm vendimin e saj për të braktisur Kuvendin dhe që përgënjeshtron akuzat se mazhoranca socialiste ka refuzuar çdo nismë të opozitës.

2) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur Shqipëria u bë hambari i drogës në Europë
Në të vërtetë, mediat ndërkombëtare kanë filluar ta etiketojnë Shqipërinë si kryeqendër të drogës që nga koha e Lazaratit (2005-2013), një fshat që vetëm ai prodhonte më shumë marijuanë se ç’u prodhua ndonjëherë në vitet më pas në të gjithë vendin. Lazarati ishte një bastion elektoral i Partisë Demokratike dhe Sali Berisha gjatë tetë viteve në pushtet i mbrojti kultivuesit e drogës pa ndërhyrë asnjëherë. Kështu, Shqipëria u bë hambari i drogës në Evropë që në kohën kur PD-ja ishte në pushtet. Pastaj e vazhdoi këtë rrugë.

3) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur ylli i qeverisë së tij Saimir Tahiri doli që ishte trafikant droge
Saimir Tahiri nuk është dënuar nga asnjë gjykatë, as në Itali, as në Shqipëri, për trafik droge. Në Itali hetimet për të u mbyllën me arkivim, pasi nuk kishte prova. Në Shqipëri procesi ende nuk ka nisur. Saimir Tahiri prej kohësh tashmë nuk është më ministër i Brendshëm, dhe Partia Socialiste, me votën e saj në Kuvend, autorizoi Prokurorinë që ta hetojë atë.

4) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur kompania e Qazim Sejdinit u kap me drogë
Nuk rezulton asnjë kompani në pronësi të kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, e lidhur me trafikun e drogës dhe nuk ekziston as edhe ndonjë hetim për të nga ana e Prokurorisë. Por janë reale marrëdhëniet mes vajzës së tij dhe anëtarit të një bande kriminale. Edhe për këtë arsye Qazim Sejdini nuk u kandidua më në zgjedhjet e 30 qershorit.

5) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur Fatmir Xhafaj u zbulua që mbronte vëllain trafikant
Nuk ka asnjë provë që ish-ministri i Brenddshëm Fatmir Xhafaj të ketë mbrojtur vëllain Agron Xhafaj, të dënuar shumë vite më parë në Itali për trafik droge dhe, para së gjithash, se ai i paska lejuar atij të vazhdojë të trafikojë drogë. Por ekziston prova që, pas denoncimeve të opozitës, Agron Xhafaj u detyrua nga vëllai i tij ministër që të dorëzohej tek autoritetet italiane për të kryer dënimin. Akuzat e bëra nga opozita ndaj Agron Xhafajt përmes një përgjimi të pretenduar, sipas Prokurorisë janë pjellë e një manipulimi, përgjegjësit për të cilin janë nën akuzë.

6) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur u zbulua se Olsi Rama ishte i lidhur me grupin e Xibrakës
Nuk ka asnjë provë dhe asnjë hetim që të lidhë Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit, me të ashtuquajturin “grupi i Xibrakës”, një bandë që prodhonte kokainë bashkë me elementë kolumbianë dhe përgjegjësit e tij u arrestuan dhe u gjykuan.

7) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur plasën njëra pas tjetrës skandalet e koncesioneve qindra milionashe
Të ashtuquajturit “skandale të koncesioneve milionashe” kanë qenë në qendër të një fushate të gjatë nga ana e opozitës, krejtësisht të ligjshme nga pikëpamja politike, por një fushatë, e cila mbetet pikërisht në kufijtë e një argumenti politik që përdoret nga opozita. Por, “skandal” duhet të quhet një aferë korruptive e zbuluar dhe e provuar nga organe të pavarura, si për shembull Prokuroria qe ne rastin e koncesioneve nuk ka patur. Po të mjaftonin akuzat e opozitës për të shtyrë një kryeministër të jepte dorëheqjen, asnjë kryeministër nuk do të ishte në pushtet në asnjë vend të botës perëndimore.

8) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur u zbuluan 30 milion eurot që ai donte t’i vidhte dhe pastronte në Amerikë me një kompani fallco
Ngjarja e “D.H. Albania”-s, një kompani fantazmë, e cila, duke manipuluar dokumentat, arriti të fitojë dy tendera publikë me vlerë 30 milionë euro, sigurisht përbën një skandal të madh. Pas botimit të dokumentave që vërtetojnë skandalin, autoritetet shtetërore të përfshira në kontratë u vunë në dispozicion të Prokurorisë dhe të gjithë drejtuesit e lidhur direkt apo indirekt me dy tenderat u shkarkuan, duke përfshirë ministrin Damian Gjiknuri. Në asnjë demokraci një qeveri nuk vihet në diskutim (ose, më keq akoma, duhet të japë dorëheqjen) kur zbulohet një rast korrupsioni, qoftë edhe i rëndë, përveç rastit kur në të është përfshirë personalisht kryeministri. Kur, në vitin 2007, per shembull kreu aktual i opozitës, Lulzim Basha, u përfshi drejtpërsëdrejti në skandalin e Rrugës së Kombit, me një kosto prej më se 900 milionë eurosh dhe i cili u shpall nga Prokuroria si “person nën hetim”, jo vetëm që nuk dha dorëheqjen kryeministri Sali Berisha, por nuk u dorëhoq as Lulzim Basha, i cili, madje, refuzoi të merrej në pyetje nga Prokuroria. Më pas, skandali u mbyll, pa u zhvilluar as edhe një process gjyqësor për të.    

9) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur u zbulua se ai i vodhi zgjedhjet e 25 qershorit me Vangjush Dakon, Damian Gjiknurin dhe kriminelët më famëkeq të vendit
Akuza, që u referohet zgjedhjeve të vitit 2017, bazohet mbi dy copa përgjime, të cilat përfshihen në dosjet e Prokurorisë 339 dhe 184, të cilat, në të vërtetë, sikurse e ka parë këtë kushdo, që i ka lexuar me vëmendje, nuk tregojnë asgjë. Hetimi ishte hapur në kohën kur kryeprokuror ishte Adriatik Llalla dhe kryetar i Prokurorisë së Krimeve të Rënda ishte Besnik Hajdarmataj. Të dy ata ishin prokurorë, qendrimet politike të të cilëve ishin haptazi kundër Partisë Socialiste e, megjithatë, as ata nuk gjetën dot asnjëherë prova të mjaftueshme për të inkriminuar ndonjë politikan socialist. Më në fund, duhet të kujtojmë edhe një herë se zgjedhjet e vitit 2017 u konsideruan të vlefshme, jo vetëm nga Partia Demokratike, por edhe nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë. Ta quash të paligjshëm rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2017 dy vjet pas votimit, bën pjesë tek ato argument, që opozita është e lirë t’i përdorë për propagandën e saj, por nuk mund të pretendojë që, për shkak të kësaj propagande, një kryeministër apo një qeveri të japin dorëheqjen. Po të ishte kështu, çdo opozitë në të gjithë botën demokratike do të mund të provokonte një krizë qeveritare, thjesht duke akuzuar qeverinë në detyrë se ka mbështetjen e një parlamenti të paligjshëm, duke denoncuar legjitimitetin e votimit, jo menjëherë pas zgjedhjeve, por në bazë të agjendës së saj politike. Një absurditet i tillë ka ndodhur vetëm në Shqipëri.

10)Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur njerëz të varfër u rrahën dhe vdiqën në qelitë ku mbaheshin për fatura dritash apo shtesë banese pa leje dhe kur qytetarëve të Shkozës, Bulevardit të Ri, të Himarës e kudo në Shqipëri u prishi shtëpitë pa shpërblim dhe pa proces ligjor
Në planet e qeverisë së Edi Ramës ka qenë që në vitin 2013 lufta kundër informalitetit, duke përfshirë këtu luftën kundër vjedhjeve të energjisë elektrike dhe ndërtimeve pa leje. Fakti që Partia Demokratike, e udhëhequr nga Sali Berisha dhe ish-kryetari i Bashkisë Lulzim Basha prej vitesh e kanë konsideruar informalitetin si një burim konsensusi elektoral, duke krijuar anarki dhe pandëshkueshmëri, nuk do të thotë që edhe qeveria e re socialiste duhej të ndiqte të njejtën rrugë. Kush ndërton pa leje duhet të pranojë rrezikun se, një ditë, shtëpia e tij do të shembet, edhe pse, në shumë e shumë raste, qeveria u ka garantuar një shpërblim, por qe shumë banorë e kanë quajtur si të pamjaftueshëm. Kjo, sidoqoftë, nuk shmang ekzistencën e një standardi të dyfishtë, që zbatojnë gjykatat, të cilat tregohen shumë të rrepta me hajdutët e energjisë elektrike (kryesisht njerëz të varfër) dhe shumë të dobëta me trafikantët e drogës. Por, funksionimi i keq i gjykatave dhe korrupsioni i drejtësisë nuk filluan sot dhe nuk mund të akuzohet qeveria për këtë. Ekziston një problem politik i drejtësisë, të cilin mazhoranca dhe pakica sëbashku e kanë përballuar, duke votuar bashkë reformën e drejtësisë.

11)Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur helmoi me gaz qytetarët që protestojnë për të drejtat e tyre
Edhe protestuesit e 21 janarit 2011 protestonin kundër korrupsionit të qeverisë, por Berisha (kryeministër) dhe Lulzim Basha (ministër i Brendshëm) u përgjigjën duke përdorur plumbat në vend të gazit lotësjellës. Jo vetëm që nuk dhanë dorëheqjen, por, pasi kuptuan se sa e rëndë ishte ajo që kishte ndodhur (me katër protestues të vrarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur) urdhëruan menjëherë blerjen e gazrave lotësjellës “neuroparalizues”, armë kimike, që do të kishte shkaktuar shumë viktima të tjera. Vetëm ndërhyrja e ndërkombëtarëve i shtyu ta pajisnin Policinë me gaz lotësjellës “normal”, të njejtin gaz që sot e përdor Policia kundër protestuesve, që hedhin gurë e bomba Molotov kundër policëve. Dhuna është e tmerrshme nga secila anë të vijë. Por, për Bashën dhe Berishën, mënyra më e mirë për të shmangur që Policia të përdorë gazrat lotësjellës është t’i urdhërojnë militantët e tyre të mos përdorin asnjë dhunë kundër institucioneve. Por të mos e bësh këtë, e më pas të akuzosh forcat e rendit pse janë mbrojtur, kjo është vetëm hipokrizi.

12)Edi Rama duhet të kishte dhënë dorëheqjen sa herë që Shqipërisë iu refuzua hapja e negociatava nga BE
Hapja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian është një proces i gjatë e i vështirë në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm në Shqipëri. Por, opozita do të kishte patur të drejtë ta akuzonte qeverinë nëse, ndërkohë, ajo do ta kishte bërë detyrën e saj dhe të kishte dhënë kontributin e saj. Për fat të keq, edhe një herë tjetër (siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, kur palët ishin në pozita të anasjellta, pra, kur në qeveri ishte Partia Demokratike), negociatat me Bashkimin Evropian konsiderohen nga politika vetëm si një detyrë e mazhorancës, të cilën opozita ka të drejtën të tentojë ta pengojë, për t’i hequr mazhorancës meritën e një suksesi eventual.

13) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur shqiptarët filluan të emigronin në masë pa asnjë shpresë
Emigrimi nga vendet e varfëra drejt vendeve të pasura është një fenomen global, i cili, sikurse tregojnë lajmet nga Evropa, nuk ka të bëjë vetëm me Shqipërinë. Ata mijëra shqiptarë, që emigrojnë nga Shqipëria, e bëjnë këtë për arsye ekonomike dhe pse nuk kanë besim në të ardhmen e tyre në atdhe. Një mesazh kritik, që duhej të alarmonte të gjithë klasën politike: atë që qeveris, por edhe ate që kandidon për të qeverisur dhe që duket se nuk arrin të përfaqësojë për askënd një shpresë të re.

14) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur investitorët perëndimorë filluan të largohen njëri pas tjetrit nga Shqipëria për t’u zëvendësuar me oligarkë vendas apo me kriminelë rusë apo lindorë
“Largimi i investitorëve të huaj” nuk konfirmohet nga asnjë statistikë zyrtare. Duke bërë bilancin e qarkullimit të kapitaleve në Shqipëri, Banka qendrore e vendit ka pohuar pak javë më parë se, gjatë vitit 2018, është shënuar rekordi i inevstimeve të huaja në Republikën e Shqipërisë, me më shumë se 1 miliard euro të investuara në 12 muaj. Këtu përfshihen investime gjigande në energjetikë, në gazsjellës, hidrocentrale, por edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë. Po ta konsideronin si një “terren të minuar” Shqipërinë, këta investitorë të mëdhenj nga bota perëndimore do t’i kishin lënë përgjysëm investimet e tyre, por kjo nuk ka ndodhur, përkundrazi. Kurse per sa i perket “bizneseve ruse” Lulzim Basha do të bënte mirë t’ia tregonte Prokurorisë, qe po e heton pikerisht per kete dhe lobimet e tij.

15) Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur qeveritë europiane u alarmuan sepse Shqipëria u shndrrua në bazë të sigurtë të krimit të organizuar
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht kanë lëshuar alarmin për shtimin e krimit të organizuar, të trafikut të drogës dhe të korrupsionit në Shqipëri, duke i kërkuar qeverisë të ndërhyjë me masa të rrepta. Në kohën e qeverisë Berisha, për këtë fenomen nuk flitej hapur, jo pse nuk ekzistonte, por pse qeveria e PD-së i ndalonte kujtdo të fliste publikisht, duke përfshirë mediat. Marrëdhëniet mes kriminalitetit dhe politikës ishin një tabu’ e vërtetë, për të cilën kishte censurë tek gati të gjithë gazetarët. Ndërmjet masave të kërkuara ndër vite nga komuniteti ndërkombëtar, hyn edhe reforma e drejtësisë, e cila vetëm tani u pranua dhe po zbatohet. Në të gjitha deklaratat e kohëve të fundit, që janë bërë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, pohohet se Shqipëria ka bërë shumë hapa përpara në këtë luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke arritur të shkatërrojë gati krejtësisht të mbjellat me drogë. Por, është e vërtetë që të famshmit “peshqit e mëdhenj” ende nuk janë në burg, edhe pse në një demokraci moderne, në të cilën është në fuqi ndarja e pushteteve, janë fajtorë Prokuria dhe Gjykatat që lirojnë kriminelët dhe nuk është qeveria në pushtet. Problemi i krimit, për fat të keq, ekziston në të gjithë botën dhe politika, mediat e shoqëria civile kanë të drejtën dhe detyrën ta denoncojnë, por qeveritë nuk detyrohen për këtë arsye të japin dorëheqjen.    

16)Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur kishte negociuar kufijtë e Shqipërisë sikur Shqipëria të ishte pronë e tij private
Në të vërtetë, skandali mbi negocimin e kufijve me Greqinë ka patur të bëjë pikërisht me qeverinë Berisha, në atë pikë sa Gjykata Kushtetuese e anuloi atë marrëveshje ndërkombëtare, të nënshkruar nga Berisha dhe nga qeveria e tij me Athinen.  Kurse qeveria Rama mori përsipër ta rinegocionte atë marrëveshje, me synimin për të mbrojtur më mirë hapësirat territoriale të Shqipërisë, por deri tani Greqia ka refuzuar të pranojë kushtet e vendosura nga Tirana, pikerisht pse jane të konsideruara të dëmshme për interesat e Greqisë.

17) Edi Rama duhet të kishte dhënë dorëheqjen kur u zbulua se kishte negociuar kufijtë e Kosovës sikur Kosova të ishte prona e tij private
Historia e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë dhe e të ashtuquajturit plan “për shkëmbimin e territoreve” është në qendër të një debati të gjerë ndërkombëtar, ku janë përfshirë Franca, Gjermania, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, Serbia e Kosova dhe në të cilin qeveria e Tiranës dhe Shqipëria nuk kanë asnjë rol, as ligjor, as formal. Edhe po të donte, Edi Rama nuk ka asnjë kompetencë për t’u marrë me kufijtë e një shteti tjetër (dhe aq më pak për të bërë negociata) dhe ta akuzosh atë për të kundërtën thjesht është qesharake.d.ba./ 

Një draftmarrëveshje për zgjidhjen e krizës politike në vend është siguruar nga “Gazeta Shqip”. Marrëveshja e përbërë nga 7 pika kryesore është pjesë e propozimit të opozitës, si kusht kryesor për ndërprerjen e protestave të dhunshme dhe uljen në tryezën e bisedimeve.

Drafti është siguruar nga burime të besueshme brenda të opozitës, të cilët po i diskutojnë edhe me ndërkombëtarët. Por çfarë kërkon opozita?

1- Qeveria të pranojë se do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme.

Është një nga kërkesat e panegociueshme nga ana e opozitës. Pikërisht për këtë kusht sakrifikoi deri dhe djegien e mandateve parlamentare. Ndërkohë, faktori ndërkombëtar ka përsëritur se zgjedhjet parlamentare do të mbahen sipas afatit kushtetues dhe ligjit, në vitin 2021.

2- Rama të jetë kryeministër deri në momentin që nga kompromisi kombëtar vendoset se në cilin muaj do të jenë zgjedhjet e parakohshme.

Deri më tani, opozita ka deklaruar se nuk ulet në negociata me Edi Ramën kryeministër dhe krijimin e një qeverie tranzitore, që do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme. Kjo pikë e propozuar duket se ka zbutur së tepërmi qëndrimin agresiv ndaj kreut të qeverisë.

3- Të bien dakord për krijimin e Gjykatës Kushtetuese brenda 30 ditëve.

Në kushtet kur ende nuk ka një Gjykatë Kushtetuese, opozita ka vendosur kusht parësor për formimin e këtij institucioni të rëndësishëm brenda 30 ditëve. Sipas opozitës, Gjykata Kushtetuese do të jetë garant për opozitën, që të ankimojë çdo paligjshmëri që ka të bëjë kryesisht me Reformën në Drejtësi dhe mandatet e reja të deputetëve.

4- Palët t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për zhvlerësimin e mandateve të deputetëve, dhënë nga KQZ-ja pas djegies së mandateve, dhe rikthimin e deputetëve siç ishin në Parlament.

Kuvendi ka shfrytëzuar të plotë të gjithë hapësirën kohore prej 30 ditësh që i njeh ligji, pas marrjes së kërkesave për dorëzimin e mandateve nga ana e deputetëve të opozitës. Për këtë arsye, opozita kërkon krijimin e Gjykatës Kushtetuese, për të quajtur të pavlefshëm mandatet e KQZ-së për deputetët e rinj. Kjo shpjegon se opozita është gati të rifutet në Parlament.

5- Të ndryshohet Kodi Zgjedhor dhe të ketë sistem proporcional kombëtar.

Ndryshimi i Kodit Zgjedhor është një nga kërkesat e opozitës dhe javën e shkuar, mazhoranca ngriti Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore, që parashikon ndërhyrje dhe modifikime në kod. Mazhoranca ka vendosur që në zgjedhjet e 30 qershorit do të shkohet me të njëjtin Kod Zgjedhor dhe se ndryshimet parashikohen për zgjedhjet e 2021. Kodi Zgjedhor nuk mund të ndryshohet 6 muaj para zgjedhjeve, por mundësinë e ndryshimeve Kushtetuese dhe në kuadër të një pakti kombëtar për zgjidhjen e krizës politike, gjithçka mund të ndodhë.

6- Të ndryshohet Kushtetuta, ku të përcaktohet deri në momentin e hyrjes së Shqipërisë si anëtare në BE të ketë qeveri zgjedhore me mandat pesëmujor, me ekspertë e jo me politikanë.

Është një nga kushtet e opozitës në platformën e saj për zgjidhjen e krizës. Duke parë se shpresat për një çelje të negociatave janë reduktuar këtë verë, PD dhe aleatët kërkojnë përfshirjen e ekspertëve për çeljen e negociatave.

7- Prokurori i Përgjithshëm të zgjidhet nga Parlamenti legjitim pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Opozita kërkon zgjatjen e përkohshmërisë së Arta Markut, deri sa ajo të rifutet në parlament. Me zhvlerësimin e deputetëve që kanë marrë mandatin javët e fundit, opozita do të jetë e gatshme të votojë çdo kandidaturë që do të vijë si propozim nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

DRAFTI I PLOTË:

1-Qeveria të pranoj se do shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
2-Rama të jetë kryeminister deri në momentin që nga KOMPROMISI KOMBETAR vendos se kur do jenë zgjedhjet e parakohshme. Zgjedhjet mund të jenë tetor-nentor 2019 ose mars-prill-maj 2020. Qeveria zgjedhore votohet 70 ditë para se të caktohen zgjedhjet e parakohshme.
3-Të bien dakort për krijimin e Gjykatës Kushtetuese brenda 30 ditëve nga data e Marrëveshjes.
4-Palet t’i drejtohen gjykatës kushtetuese për çvlerësimin e mandatëve të deputetëve dhënë nga KQZ pas djegies së mandatëve dhe rikthimin e deputetëve siç ishin në parlament, pasi është shkelur ligji dhe Kushtetuta në zëvëndësimin e tyre.
5-Të ndryshohet Kodi Zgjedhor dhe të ketë sistem proporcional kombëtar
6-Të ndryshohet Kushtetuta ku të përcaktohet deri në momentin e hyrjes së Shqipërisë si anëtarë në BE të ketë qeveri zgjedhore me mandat katër mujor me ekspertë e jo me politikanë.
7-Prokurori i Përgjithshëm të zgjidhet nga parlamenti legjitim pas vendimit të gjykatës kushtetuese.

Besfort Lamallari, zv/ministri i Brendshëm, deklaroi se “protesta e sotme e Partisë Demokratike nuk arriti të futej në hullitë e ligjit”, edhe pse, sipas tij, “krahasuar me sulmet e të shtunës, protestës së sotme i mungoi përdorimi masiv dhe i koordinuar i bombave molotov, çka tregon se kur drejtuesit e protestës angazhohen seriozisht janë të aftë ta kontrollojnë dhunën e militantëve”.

“Megjithatë, protesta e sotme prodhoi paligjshmëri të shumta dhe vijoi të mbetet pa asnjë masë sigurie të marrë nga organizatorët e saj”, shtoi Lamallari.

Deklarata e plotë e zv/ministrit:

Protesta e sotme e Partisë Demokratike nuk arriti të futej në hullitë e ligjit. Ajo u shoqërua me një përdorim të madh të mjeteve të ndaluara dhe të rrezikshme shpërthyese, të gurëve dhe mjeteve të tjera përfshirë dhe pak bomba molotov.

Si rezultat i dhunës u lënduan policë, të cilët janë duke marrë ndihmën mjekësore në spitale, si edhe u thyen xhamat e dritareve në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Institucione kushtetuese si Parlamenti i Shqipërisë dhe Kryeministria u sulmuan sërish sot në mënyrë të jashtëligjshme.

Por krahasuar me sulmet e të shtunës, protestës së sotme i mungoi përdorimi masiv dhe i koordinuar i bombave molotov, çka tregon se kur drejtuesit e protestës angazhohen seriozisht janë të aftë ta kontrollojnë dhunën e militantëve.

Megjithatë, protesta e sotme prodhoi paligjshmëri të shumta dhe vijoi të mbetet pa asnjë masë sigurie të marrë nga organizatorët e saj. Trafiku rrugor pësoi bllokime të vazhdueshme në disa akse kryesore të qytetit dhe pavarësisht përpjekjes së vazhdueshme të efektivëve të policisë rrugore, dëshirojmë t’i kërkojmë ndjesë qytetarëve për vështirësitë në lëvizje mbrëmjen e sotme.

Ministria e Brendshme shpreh mirënjohje për angazhimin profesional dhe për vetëpërmbajtjen e admirueshme të të gjithë forcave policore përballë provokimeve të shumta dhe të vazhdueshme.

Ministria e Brendshme falënderon përfaqësitë diplomatike që u angazhuan kundër dhunës dhe në mbështetje të ruajtjes të standardeve demokratike dhe gjithë qytetarët shqiptarë që i qëndruan larg dhunës dhe provokimeve.

Strukturat e rendit dhe sigurisë publike janë të motivuara dhe të përgatitura për të kryer me përpikmëri, profesionalizëm dhe përgjegjshmëri të lartë detyrën në shërbim të ruajtjes së një mjedisi të lirë, të qetë dhe të sigurt, ku gjithkush ka mundësi të ushtrojë të drejtat demokratik

Ambasada e SHBA dënon dhunën e pranishme gjatë protestës së sotme.

Objektivi i deklaruar i opozitës për ta bërë demokracinë e Shqipërisë më të fortë shkon kundër dhunës që është duke u ushtruar nga protestuesit.

Dhuna është thelbësisht jodemokratike dhe duhet të ndalojë. Drejtuesit e protestës kanë përgjegjësinë të nxisin qetësi.

Iu bëjmë thirrje të gjitha palëve që të tregojnë vetëpërmbajtje.

Kryeministri Edi Rama reagoi për protestën e opozitës, duke theksuar se zjarri ndaj Kryeministrisë nuk i bën dëm aspak qeverisë, por i bën shumë dëm vendit.

“Çfarë trishtimi një lider opozite që me zë të ikur i thotë qeverisë “Aman ik!”,ndërkohë që ata rrotull tij hedhin zjarr mbi godinën e saj! Uroj që kujt vete ende pas kësaj politike qorre, t’i jetë hapur sonte syri nga zjarri që qeverisë s’ka ç’i bën,po Shqipërisë i bën veç dëm”, shkruan Rama në Twitter.

Një përplasje ka ndodhur mes protestuesve në krahun e sipërm të Kryeministrisë, nga ana e Rognerit.

Protestuesit, në krye të të cilëve ishte ish-deputeti Flamur Noka kanë rrëzuar gardhin metalik të vendosur nga policia dhe janë futur në pjesën e lulishtes së Kryeministrisë duke u konfrontuar me forcat e policisë.

Nga ana tjetër policia është përgjigjur me gaz lotsjellës dhe protestuesit janë shpërndarë.

Simpatizantët e opozitës kanë hedhur bomba molotov edhe ndaj godinës së kryesisë së kuvendit.

Flakët janë përhapur me shpejtësi në një pjesë të godinës, por janë shuar më tej nga agjentët e gardës të pajisur me fikëse zjarri.

Shumë shishe të mbushura me lëndë shpërthyese u hodhën në vazhdimësi më herët, ndaj godinës së kryeministrisë, ky pjesa e derës hyrëse në godinë, shpërtheu në flakë, ndërkohë që Basha mbante fjalimin sikur asgjë nuk po ndodhte.

Por viktimë e zjarrit ka rënë edhe një protestues, i cilit i morën flake rrobat, por që u shpëtua nga policia e cila ndërhyri dhe shoi zjarrin.

Nga konfrontimet janë edhe tre policë të plagosu

Kryeministri i vendit Edi Rama duke folur në “Javën e Europës” deklaroi se BE ka një kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin e rolit të shtetit.

Rama u shpreh ndër të tjera se Komisioni Europian në Tiranë, pas një pune të rëndësishme, dha shenjën pozitive për hapjen e negociatave, e kjo do të thotë se Shqipëria ka bërë detyrat e shtëpisë.

“BE ka një rol të rëndësishëm në forcimin e rolit të shtetit. Rruga për të shkuar në BE është shumë më e rëndësishme se mbërritja. Kjo sepse sa më shumë hapa bëjmë për në BE, aq më shumë e forcojmë shtetin ligjor. Ne në Tiranë nuk punojmë vetëm për atë që na thotë Berlini a Brukseli dhe Parisi, por punojmë për një Shqipëri më të mirë nesër, për t’iu lënë fëmijëve tanë një vend sa më të begatë.

Sa i përket negociatave, Komisioni Europian në Tiranë pas një pune të gjatë  dhe të saktë për realitetin këtu, duke dokumentuar situatën me racionalitet, u shpreh pro rekomandimit për hapje të negociatave me Shqipërinë. Dhe kur KE rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë, kjo do të thotë as më pak e as më shumë se ne kemi bërë detyrat e shtëpisë

Vjet Shqipëria mori rekomandimin pa kushte, KE është një makineri e një dimensioni të ‘frikshëm’ që financohet nga taksapaguesit europianë. Ku dhe kush më mirë se sa në procesin e qëmtimit të të gjitha problemeve dhe sfidave mund ta bëjë vlerësimin dhe të japë gjykimin për një vend se KE-ja. Procesi nga vlerësimi i kritereve objektive, nisur nga të dhënat, është i tëri që kalon përmes filtrit të komisionit dhe kur thotë rekomandojmë hapjen e negociatave për Shqipërinë pa kushte, ka thënë as më shumë as më pak se Shqipëria i ka plotësuar detyrat e shtëpisë. Kontestimi në një vend apo tjetër nuk lidhe me kriteret objektive.

Është e padrejtë që gjykimet politike të kthehen në teknike duke ia rikthyer barrën Shqipërisë dhe jo duke e thënë qartë ‘ne e vlerësojmë progresin, por nuk është ky momenti i favorzshëm për ne, sepse kemi këtë hall, apo atë hall, në vendet tona, krejt normale, por nuk ndodh kështu. Mos dhënie e PO-së qershorin e kaluar lidhej me zgjedhjet europiane të këtij maji. Lidhja është politike, legjitime dhe e mirëqenë. KE vjet tha se në qershor, pra që sapo vjen do të çelen negociatat dhe në dhjetor do të bëhet konferenca e parë dhe duke vendosur ca detyra që është gjëja më normale. Por ndërkohë ajo që ka rëndësi për ne është që u hap dera që Shqipëria të fillojë procesin teknik. Pra jemi në proces. Çfarë do të ndodhë në qershor? Kush e di?!

Me plotë të drejtë, ne duke iu referuar dokumentit të KE-së, këtë e kam me ata që thonë se PO-ja ose JO-ja lidhet me cfarë bën qeveria. Kur them kushedi se cfarë do të bëhet se përsëri duhet të presim ditën, përfundimin e zgjedhjeve europiane dhe në cfarë pozicioni gjenden vendet anëtare. Aq e vërtetë është kjo saqë KE vendosi ta nxjerrë raportin në 25 maj. Se lidhet me Shqipërinë? Jo. Po që mos bëhej fushatë me shqiptarët, sikur e kanë pasur më parë bullgarët. Askush nuk e di cfarë do të vendoset në qershor, por jam i bindur që ky është viti që të gjitha rrethanat do të jenë aty për të çelur negociatat. Të gjithë ambasadorëve ju them bëni atë që mundeni, që të mos lejoni që loja me negociatat të kthehet në një lojë me zjarrin në vendin tonë. Vendet tuaja kanë në dorë që të hapen negociatat, që për arsye politike një palë apo një tjetër të marrin peng publikuan dhe të vështirësojnë vështirë për të hedhur si zjarr në betejën politike” tha Rama.