Bardhyl Mahmuti-Në bazë të raportit të autopsisë të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë (me numër reference IML: MA16-286, të datës 7 nëntor 2016), “vdekja e Astrit Deharit ka ardhur si pasojë e asfiksisë mekanike nga bllokimi i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes nga një mjet me konsistencë solide (i fortë) dhe se shkaktimi i vdekjes mund të shpjegohet me ndaljen e menjëhershme të punës së zemrës” (në tekstin e autopsisë: ndaljen “reflektore të punës së zemrës”).

Krahas diagnozave, që përkufizohen si shkaktarë të vdekjes, ekipi mjeko-ligjor që kreu autopsinë në Kosovë interpreton lëndimet që ka pasur Astrit Dehari. Në pjesën e titulluar: “Shkaqet dhe mekanizmi i vdekjes”, ky ekip përmend vetëm lëndimet që ishin përshkruar në pikën 1 dhe 2 të raportit të autopsisë dhe i përkufizon si dëmtime, që me “besueshmëri janë dëmtime të vetëshkaktuara”.

Në pikat 1 dhe 2 të raportit të lartpërmendur të autopsisë përshkruhen vetëm lëndimet në anën e djathtë të qafës dhe në pjesën e poshtme të brendshme të parakrahut të dorës së majtë dhe përkufizohen si “dëmtime (gërvishtje) sipërfaqësore të lëkurës”.

Duke u mbështetur në këtë raport, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, më 18 nëntor 2016, në një konferencë të jashtëzakonshme deklaroi: “Nga dëshmitë e siguruara deri më tani, nuk është dhënë asnjë dyshim i mundshëm për ndonjë përleshje fizike apo probleme në mes të paraburgosurve dhe oficerëve me tani të ndjerin Dehari. Nuk është gjetur asnjë provë apo dëshmi e mundshme se ka ndonjë ndërhyrje me faktor të jashtëm që rezulton në lëndimin apo dëmtimin fizik të të ndjerit Astrit Deharit. Të gjitha provat dhe ekzaminimet demonstrojnë se ky rast ishte vetëvrasje”. Për t’u dukur bindës në punën “profesionale” që kanë bërë, Sylë Hoxha saktëson se “gjatë procesit hetimor janë marrë në pyetje 17 persona, nga të cilët janë ri-marrë në pyetje katër prej tyre dhe janë ekzaminuar të gjitha dëshmitë e sekuestruara nga vendi i ngjarjes”.

Ekspertët mjeko-ligjorë zviceranë analizuan procesverbalet e hetuesisë, raportin e lartpërmendur të autopsisë, rezultatet e punës së Agjencisë së Kosovës për Forenzikë dhe të dhënat për aspektet fizike, psikologjike dhe sociale, që kanë të bëjnë me vdekjen e Astrit Deharit.

Në pjesën e mësipërme, që u publikua si pjesa e parë e këtij shkrimi, u përmendën pasaktësi të shumta që përmban raporti i autopsisë së lartpërmendur lidhur me lëndimet që shihen në ekzaminimin e jashtëm, por edhe një numër lëndimesh që nuk përmenden fare në këtë raport.

Sa u përket plagëve sipërfaqësore, për të cilën ekspertët mjeko-ligjorë të Kosovës deklarojnë me “besueshmëri” se “janë dëmtime të vetëshkaktuara”, ekspertët zviceranë kanë dyshimet e tyre dhe vijnë në këtë përfundim: “Plagët sipërfaqësore, të vërejtura në pjesën anësore të qafës, në anën e djathtë, si dhe në kyçin e majtë, janë pasoja të shkaktuara nga goditjet me një mjet të mprehtë dhe, sipas vendit ku ndodhen, fillimisht mund të mendohet se kemi të bëjmë me lëndime të kryera kundër vetvetes. Duke u nisur nga fakti i karakterit sipërfaqësor i këtyre plagëve dhe nga fakti se z. Astrit Dehari kishte njohuri mjekësore, vështirë se mund të besohet që këto lëndime të jenë shkaktuar nga autori, me qëllim që të shkaktojë vetëvrasjen”.
Në këtë kontekst, ekspertët zviceranë jo vetëm që nuk përjashtojnë ndërhyrjen e “faktorit të jashtëm” në shkaktimin e lëndimeve të tilla, por, përkundrazi, ata mbështesin domosdoshmërinë e ndriçimit të “hipotezës nëse këto lëndime janë shkaktuar nga një person tjetër, me qëllim të maskimit të krimit”. Përjashtimi i hipotezës për përfshirjen e personave të tjerë në këtë krim nuk mund të bëhet në mënyrën siç është vepruar, pa asnjë fakt, nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha. Një hipotezë e tillë duhet të përjashtohet vetëm nëse me fakte të pakontestueshme dëshmohet që persona të tjerë nuk kanë qenë të përfshirë në procesin fatal.

Sa u përket mënyrës se si është vepruar gjatë hetuesisë, gjatë autopsisë dhe gjatë punës së Agjencisë së Kosovës për Forenzikë me rastin “Astrit Dehari”,ekspertët zviceranë bëjnë vërejtje të shumta.

Vërejtje thelbësore bëhet rreth pretendimeve të Prokurorisë së Prizrenit, për gjoja profesionalizmin që kanë treguar “gjatë procesit hetimor, kur janë marrë në pyetje 17 persona”.

Duke u mbështetur në materialet që u janë dorëzuar nga autoritetet e Kosovës, ekspertët zviceranë tërheqin vëmendjen në faktin se 12 ditë pas vdekjes së Astrit Deharit, “më 17 nëntor 2016, njësia forenzike e Kosovës ka bërë fotografimin e Naser Makollit, të Frrok Berishës dhe të Adonis Gashit, tre të burgosurve që ishin në të njëjtën dhomë me Astrit Deharin. Ata janë fotografuar lakuriqë dhe nuk janë vërejtur lëndime, gjurmë apo shenja që mund të ngjallin dyshime”. Lidhur me konstatimet e policisë, se “të burgosurit e lartpërmendur nuk kishin lëndime në datën e fotografimit”, ekspertët zviceranë theksojnë:

“Megjithatë, duhet të vihet re se ky afat është shumë i gjatë dhe se gjurmët eventuale ose lëndimet ndërkohë kanë mundur të zhduken”.

Vërejtja e dytë bëhet lidhur me shenjat e gishtërinjve që janë gjetur në shishen plastike, në një enë për vlimin e ujit dhe një orë dore.

Në bazë të raportit daktiloskopik të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, në shishen plastike, në një enën për vlimin e ujit dhe në orën e Astrit Deharit janë gjetur gjurmë jo të plota të gishtërinjve, të cilat ishin të pamjaftueshme për t’i përdorur në procesin e identifikimin të personave, të cilëve u përkitnin këto gjurmë.

Shishja plastike (“bouteille en plastique” në frëngjisht), me të cilën pretendohet se është mbytur Astrit Dehari, përmendet me dhjetëra herë dhe është e përkthyer saktë. Në paragrafin, ku ekspertët zviceranë vënë në pah çështjen e gjurmëve jo të plota të gishtërinjve, “bouteille en plastique”, është përkthyer “kuti prej plastike”!!! Është e pabesueshme që “bouteille en plastique” (“shishja plastike”), e përkthyer saktësisht me dhjetëra herë, rastësisht të jetë përkthyer gabimisht, pikërisht në kontekstin kur flitet për gjurmë gishtërinjsh në shishen plastike, që dëshmitarët e kishin parë në gojën e Astrit Deharit. Kam bindjen e plotë se heqja e fjalës “shishe” dhe zëvendësimi i saj me fjalën “kuti” nuk është e rastësishëm. Përkundrazi, kemi të bëjmë me ndryshim të qëllimshëm, për të fshehur në “kuti” shishen bashkë me gjurmët e saj.

Ndërsa sa i përket faktit, që Agjencia e Kosovës për Forenzikë “nuk ka identifikuar asnjë përzierje gjurmësh gjenetike gjatë analizave të sendeve të ndryshme dhe të rrobave të Astrit Deharit”, ekspertët zviceranë e cilësojnë si “të habitshme”, sepse nuk është e besueshme të arrihet tek ato rezultate “në rastet kur kemi 4 individë në një dhomë”. Prandaj, ata shprehin gatishmërinë e tyre “për analiza gjenetike shtesë”.

Vërejtja e mësipërme është një goditje e rëndë për procesin e hetimeve në rastin “Astrit Dehari”. Sidomos kur kemi të bëjmë me zbatimin e metodave shkencore për ndriçimin e krimit.
Përkthimi në gjuhën shqipe i kësaj vërejtjeje ia zvogëlon rëndësinë që i japin ekspertë zviceranë. Në vend të “përzierje gjurmësh gjenetike” (“mélange de traces génétiques” në frëngjisht), që nënkupton përzierje të dy apo më shumë ADN-ve, analizimi i së cilave mundëson identifikimin e personave që kanë qenë pranë njëri-tjetrit, në tekstin shqip është përkthyer si “përzierje e gjurmëve digjitale”. Nuk besoj të jetë i rastësishëm as përkthimi i kësaj vërejtjeje, për vetë faktin se paragrafi paraprak në raportin e ekspertizës zvicerane lidhet pikërisht me gjurmët e gishtërinjve (“Des empreintes digjitales”, në frëngjisht). Edhe ata që nuk e njohin gjuhën frënge, mund ta vërejnë se nuk janë të njëjtat gjëra “mélange de traces génétiques” dhe “des empreintes digjitales”. Lënia e gjurmëve gjenetike është rezultat i vendosjes së qelizave në një send, gjatë kontaktit të individit me atë send, kurse përzierja gjenetike është kur me këtë send kanë pasur kontakte edhe individë të tjerë. Për këtë arsye, për ekspertët zviceranë është e habitshme si ka mundur të ndodhë, që në sendet e lartpërmendura të mos ketë gjurmë gjenetike të personave të tjerë, që kanë qenë në të njëjtën dhomë me Astrit Deharin. Një gjë e tillë nuk është e mundur, pos nëse dikush i ka fshirë qëllimisht!

Në raportin shtesë të datës 9 shtator 2019 (me numër reference: EI190001 TF/SG/jb, V/ref. PPN/I nr. 461/16), Njësia Romande e Mjekësisë Forenzike të Qendrës Universitare Romande të mjekësisë ligjore në Lozanë trajton analizën gjenetike që është bërë në Kosovë.

Ekspertiza zvicerane bën një numër të madh vërejtjesh lidhur me mënyrën se si është vepruar gjatë analizës gjenetike të sendeve “të skenës së krimit”.

Vërejtja kryesore bëhet për shkak të faktit, se nuk janë analizuar të gjitha sendet që duhej të analizoheshin e që janë thelbësore për ndriçimin e rastit. Pse u kufizuan analizat gjenetike në Kosovë, kryesisht në sendet që kanë pasur gjurmë gjaku dhe nuk është analizuar trikoja e Astrit Deharit apo fletorja ku Astrit Dehari mbante ditarin e vet, e cila u gjet në dysheme afër krevatit të Naser Makollit? Për çfarë arsyeje ekspertët e Kosovës nuk e saktësojnë vendin nga ku janë marrë mostrat e analizave? Nuk është e parëndësishme të dihet nëse mostra është marrë nga fundi i shishes, që ka qenë e futur në gojën e Astrit Deharit, nga ku rezultati i analizave domosdoshmërish do të rezultojë pozitivisht me ADN të Astrit Deharit, apo në pjesën e sipërme të shishes, ku ka mundur të ketë gjurmë gjenetike të ndonjë personi tjetër…

Për çfarë arsyeje janë hequr një numër mostrash nga lista e mostrave të analizuara në Kosovë? Ku humbi mostra me numër 20 dhe pse u hoq nga lista e mostrave që mbajnë numrat nga 1-21? E njëjta gjë vlen edhe për serinë e mostrave 14.1-14.4, ku mungojnë mostrat 14.2 dhe 14.3, pa u dhënë asnjë shpjegim. Cilat ishin rezultatet e tyre? Kush i hoqi thonjtë e duarve të Astrit Deharit nga zarfet? Edhe nëse pranohet hipoteza, se thonjtë janë shfrytëzuar gjatë analizave të bëra nga Agjencia Kosovare e Forenzikës, prapëseprapë një çështje mbetet e dyshimtë: pse zarfet u dërguan bosh në Zvicër?

Nga mungesat e shumta që e përshkojnë punën e ekspertëve të Kosovë në rastin konkret, ekspertiza zvicerane përmend vetëm një shembull për ilustrim: “Agjencia e Kosovës për Forenzikë nuk i ka analizuar mostrat që janë marrë nga ora e Astrit Deharit, që, sipas tyre, përmbanin shumë pak ADN. Nga mostra që kemi marrë prej të njëjtës orë, ne kemi mundur të nxjerrim profilin e ADN-së së një burri të panjohur,i emëruar H1. Ky rezultat lë të nënkuptohet se, sigurisht mund të nxirren profile të ADN-së edhe nga gjurmët e tjera që nuk janë analizuar nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë. Analiza të tilla mund të bëhen edhe nga ADN-ja, që tanimë janë nxjerrë nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë ose nga mostrat që ka realizuar Qendra Universitare Romande e Mjekësisë Ligjore në Lozanë, për aq kohë sa ruhet materiali”.

Ekspertët zviceranë hedhin poshtë interpretimin e plagëve sipërfaqësore, të shkaktuara nga goditjet me një mjet të mprehtë në pjesën anësore të qafës, në anën e djathtë dhe të kyçit të majtë, si “dëmtime të vetëshkaktuara”, që i kanë paraprirë “vetëvrasjes me zënie fryme”. Ata theksojnë se në literaturën shkencore, që ka të bëjë me vetëvrasjet, “asnjëherë nuk është përshkruar vetëvrasja komplekse, që implikon një zënie fryme të llojit “smothering”, të cilit t’i ketë paraprirë përdorimi i një objekti të mprehtë”.

Duke u mbështetur në analizat e veta, ekipi mjeko-ligjor zviceran erdhi në përfundimet, se “një numër lëndimesh të konstatuara mbi trupin e z. Astrit Dehari nuk janë përshkruar nga mjekët ligjorë të Kosovës, që kanë kryer autopsinë apo edhe nga të tjerë, dhe nuk janë marrë parasysh në konkluzionet përfundimtare të raportit të autopsisë:

Lëndimet e shkaktuara me mjete jo të mprehta janë gjetur në nivelin e pjesës anësore të fytyrës, në anën e djathtë, dhe në pjesën anësore të qafës, në anën e djathtë, në parakrahun e djathtë dhe të shuplakës së djathtë, të cilat mund të jenë shkaktuar nga goditjet me mjete të forta, nga shtrëngime të qafës ose nga mbërthime të dorës. Duke pasur parasysh vendin ku ndodhen këto lëndime, ekipi mjeko-ligjor zviceran nuk beson që kanë ndodhur aksidentalisht. Ndërkaq, përpjekjet e ekspertëve të Kosovës i shpjegojnë si lëndime të shkaktuara gjatë bartjes së trupit të Astrit Deharit, veprimeve mjekësore për ta kthyer në jetë apo “konvulsioneve” që shoqërojnë bllokimin e rrugëve të frymëmarrjes, por që nuk duken bindëse. Prandaj, ekspertiza zvicerane nxjerr konkluzionin, se rrethanat e vdekjes së z. Astrit Dehari janë shumë të dyshimta, për shkak të ndërhyrjes së një personi tjetër në procesin fatal.

Në cilat fakte mbështet ekipi mjeko-ligjor zviceran për të hedhur poshtë diagnozat e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë dhe të kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha? Pse Astrit Dehari nuk ka bërë vetëvrasje? Ku janë kundërthëniet e diagnozave të ekipit mjeko-ligjor të Kosovës dhe të prokurorit Sylë Hoxha? Të gjitha këto çështje do të trajtohen në pjesën që vijon.

Bardhyl Mahmuti-Pasi kanë analizuar videoincizimet dhe fotografitë e autopsisë, të bëra nga mjekët­ ligjorë të Republikës së Kosovës gjatë autopsisë së trupit të Astrit Deharit, ekspertët e Njësisë Romande të Mjekësisë Forenzike të Qendrës Universitare Ramande të mjekësisë ligjore në Lozanë të Zvicrës kërkojnë ndryshimin dhe plotësimin e pikave të caktuara të ekspertizës së kryer në Kosovë.

Sa u përket lëndimeve që shihen nga ekzaminimi i jashtëm i trupit të të riut, ekspertët zviceranë kërkojnë ndryshimin dhe plotësimin e 15 diagnozave, që numërohen në 15 pika, të paraqitura në faqet 24-25 të raportit të datës 14 qershor 2019.
Çështja e parë që ekspertët zviceranë shtrojnë për rishikim, ka të bëjë me diagnozën e shenjave që shihen në pjesën e sipërme, të mesme dhe paramediane, në anën e djathtë të ballit, në pjesën e mbuluar me flokë, rreth 4,5cm mbi vetullën e djathtë, të shtrira mbi një sipërfaqe rreth 4cm.

Në raportin e autopsisë të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës këtyre shenjave u jepet diagnoza “lëkurë e dëmtuar” (tekstualisht “lëkurë e dremishur”). Kjo diagnozë hidhet poshtë nga ekspertiza zvicerane, sepse “katër pllakat e kuqërremta që shihen në pjesën e sipërme, të mesme dhe paramediane në anën e djathtë të ballit, në pjesën e mbuluar me flokë tek Astrit Dehari janë pllaka pergamene”.

Për ta bërë më të qartë dallimin thelbësor në interpretimin e këtyre pllakave në ballin e të ndjerit Astrit Dehari, ekspertët zviceranë i kushtojnë një rëndësi të veçantë shpjegimit të nocioneve që përdorin.

Në dallim nga eritema (skuqje), që është një lëndim sipërfaqësor i lëkurës dhe që është e dukshëm për një kohë të shkurtër, “ekimozat (mavijosjet) janë pasoja të veprimeve të dhunshme, që shkaktohen nga goditje me sende të forta (përplasje e trupit me një apo shumë sende të forta, GODITJE TË MARRA NGA NJË OSE MË SHUMË SENDE TË FORTA, ndrydhje të forta lokale”. (Shkrimi me shkronja kapitale është bërë për të tërhequr vëmendjen).

Në përkthimin shqip të ekspertizës, ky përkufizim është përkthyer në këtë mënyrë: “Ecchymosis janë pasoja të traumave të hapura (përplasje e trupit kundër një apo shumë objekteve shtypëse, presione lokale të forta”.

Nuk do të flasim këtu për nivelin e përkthimit të këtij përkufizimi. Ajo që duhet të theksohet në këtë kontekst ka të bëjë faktin se në përkthim është hequr fjali që saktëson se këto lëndime mund të shkaktohen edhe nga “goditjet e marra nga një ose më shumë sende të forta”.

Arsyet e heqjes së kësaj fjalie janë të qarta: të shmanget çdo fjali që mund të lërë të nënkuptohet se lëndimet që ka pasur Astrit Dehari mundur të jenë pasojë e goditjeve me sende të forta.

Kush e hoqi këtë fjali nga ekspertiza mjeko-ligjore zvicerane? Nëse e ka bërë përkthyesi dhe pretendon të mos e ketë ditur që në gjuhën frënge shprehja “traumatisme contandant” nënkupton tërësinë e veprimeve të dhunshme që shkaktojnë lëndime pa çarje dhe prerje të lëkurës, lëndime që shkaktohen nga goditje me sende të forta dhe jo të mprehta, as ai dhe askush tjetër që ka përfunduar studimet në gjuhën frënge nuk mund të thotë se nuk e di që në gjuhën frënge “coups reçus par un/des objets…” do të thotë “goditje që ka marrë nga një ose më shumë sende…”. Sidomos këtë çështje e di fare mirë Ismail Ismaili, përkthyesi i këtij dokumenti, që deklaroi: “Raporti shkencor duhet të përkthehet pothuajse fjalë për fjalë. Nuk kam guxuar t’i interpretoj thëniet e ekspertëve mjeko-ligjorë”. Në rastin konkret është prerë si me gërshërë “fjalë pas fjale” fjalia që lë të nënkuptohet se Astrit Dehari është goditur.

Manipulimi me përkufizimin e lartpërmendur është vetëm njëra nga goditjet që ka marrë raporti i ekspertizës zvicerane nëpërmjet përkthimit. Do t’i kthehemi kësaj çështjeje edhe një herë, kur të trajtojmë kontekstin e plotë të kësaj fjalie në ekspertizën që bëjnë zviceranët. Atëherë do të shihet edhe më qartë qëllimi i vërtetë pse janë hequr disa fjali.

Çështja e dytë që sqarojnë ekspertët mjeko-ligjorë zviceranë është termi “pllaka pergamene”. Pllakat pergamene përkufizohen si “pllaka që formohen si pasojë e tharjes së lëkurës që ndodh pas vdekjes, në zonat e dëmtuara të epidermës nga veprime të dhunshme, që shkaktohen nga goditje me sende të forta (përplasje e trupit me një apo shumë sende të forta, GODITJE TË MARRA NGA NJË OSE MË SHUMË SENDE TË FORTA, ndrydhje të forta lokale, me një forcë që ushtron shtypje të shoqëruar me një lëvizje fërkuese”.
Në përkthimin shqip të ekspertizës, ky përkufizim është përkthyer në këtë mënyrë: “Pllakat pergamene janë pasojë e tharjes past-mortum të lëkurës, në shikim të zonave të pastrimit të epidermës pas traumave të hapura (përplasje e trupit kundër një apo shumë objekteve shtypëse, presione lokale të forta) me një përbërës tangjencial”.

Përsëri nuk do të trajtoj “nivelin shkencor të përkthimit fjalë për fjalë”. Edhe në këtë kontekst kemi të bëjë faktin se në përkthim është hequr fjali që saktëson se këto lëndime mund të shkaktohen edhe nga “goditjet e marra nga një ose më shumë sende të forta”.

Ai që ka hequr këtë fjali nga përkthimi mund të mos e ketë ditur se në gjuhën frënge shprehja “une composante tangentielle” do të thotë “një forcë që ushtron shtypje që shoqëruar me një lëvizje fërkuese”, mirëpo një gjë duhet të dihet: sado që të mundohen ta “fërkojnë fjalinë”, “goditjet e marra nga një ose më shumë sende të forta” në rastin “Astrit Dehari” nuk hiqen vetvetiu. Ato janë hequr qëllimisht nga teksti i ekspertizës zvicerane.

Diagnoza e lëndimeve të konstatuara në pjesën e sipërme, të mesme dhe paramediane në anën e djathtë të ballit, në pjesën e mbuluar me flokë tek Astrit Dehari si “pllaka pergamene” është tepër domethënëse. Pllakat pergamene nuk janë shenja lëndimesh sipërfaqësore të lëkurës, por pamja që merr lëkura disa orë pas vdekjes në vendet ku janë shkaktuar lëndime të brendshme të indeve ose të organeve nga goditja me sende të forta. Prandaj, gjatë autopsisë duhet të bëhen prerje të thella në muskuj, për të nxjerrë në pah ekimozat ndër-lëkurore apo ndër-muskulore, të cilat mund të mos shfaqen në kohën kur bëhet ekzaminimi.

Përveç lëndimeve në ballë të Astrit Deharit, në raportin e autopsisë të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës edhe lëndimeve që shihen në pjesën anësore të qafës, në anën e djathtë dhe ato të pjesës së poshtme nga ana e brendshme e parakrahut të majtë u jepet diagnoza “lëkurë e dëmtuar”. Ekspertiza mjeko-ligjore zvicerane hedh poshtë diagnozat e ekipit mjeko-ligjor të Kosovës, sepse lëndimet, në qafë dhe parakrah të Astrit Deharit, nuk janë lëndime sipërfaqësore, por pllaka pergamene, që shprehin lëndime të brendshme të indeve ose të organeve nga goditja me sende të forta.

Ekspertët mjeko-ligjorë zviceranë përmendin mendimin e mjekëve ligjorë të Kosovës, sipas të cilëve “lëndimet që gjenden në anën e djathtë të pjesës anësore të qafës (latero-cervical), në pjesën e sipërme ballore (frontalo-superiore) dhe në anën e brendshme të parakrahut të majtë, mund të jenë shkaktuar gjatë bartjes së trupit, gjatë ecurisë mjekësore për ta kthyer në jetë ose nga ‘tkurrja e menjëhershme muskulore’ që e shoqërojnë në pengimin e rrugëve të frymëmarrjes gjatë kontaktit me një objekt të ‘skenës së krimit”.

Ekspertët zviceranë nuk pajtohen me këtë interpretim. Sipas vëzhgimeve të tyre, “numri i madh i pllakave pergamene në pjesën e djathtë anësore të qafës (lateralo-cervikal), globalisht mund të ndahen në dy gupe. Grupi i parë përbëhet nga pllakat pergamene lineare, të pjerrëta nga lart-poshtë dhe përpara trupit, kryesisht paralele ndërmjet tyre, të vendosura në të njëjtin aks me plagët sipërfaqësore në të njëjtin vend. Megjithatë, ato janë shkaktuar nga veprime të dhunshme me mjete të forta dhe jo të mprehta. Grupi i dytë përbëhet nga pllakat pergamene me madhësi dhe forma të ndryshme; disa në formë harku dhe, në përgjithësi, formojnë një hark rrethor të rrumbullakët në pjesë e përparme. Sipas mendimit tonë, nuk ka mekanizëm bindës, që do të shpjegonte se si është e mundur që këto plaka pergamene të jenë shfaqur gjatë bartjes së trupit, gjatë përpjekjeve për ta kthyer në jetë ose gjatë tkurrjes muskulore të menjëhershme. Në fakt, nuk kemi të bëjmë me zona, ku bëhen kapjet gjatë bartjes (në rastin e transportit); nuk kemi të bëjmë me zona ku bëhen ndërhyrjet mjekësore në rastet urgjente (në rastin e përpjekjeve për ta kthyer në jetë) dhe as zona të skajshme të trupit, si: hunda, veshi, molla e Adamit, bërryli, të cilat do të ishin përplasur me pengesa në rastin e bartjes ose shtangimit muskulor…Edhe pse teorikisht ato mund të shkaktoheshin nga bartja e trupit, nga veprimet për ta kthyer në jetë ose nga tkurrja muskulore, as pamjet e lëndimeve, as vendi ku gjenden këto lëndime nuk pasqyron, në radhë të parë, lëndime të shkaktuar nga njëri prej këtyre tre mekanizmave.

Tri ekimozat (mavijosjet) që ndodhen në anën e brendshme të parakrahut të djathtë, për nga vendi dhe forma e tyre mund të paraqesin lëndime të shkaktuara nga një kapje me dorë. Ato mund të kenë qenë të shkaktuara gjatë transportit të trupit ose përpjekjeve mjekësore për ta kthyer në jetë, ashtu siç janë të paraqitura nga mjekët ligjorë. Megjithatë, një kapje me dorë e llojit kur dikush mbahet me zor, nuk mund të përjashtohet dhe duhet të përmendet”.

Në vazhdim të vënies në pah të pasaktësive që përmban autopsia që ka bërë ekipi mjeko-ligjor i Kosovës lidhur me lëndimet që shihen në ekzaminimin e jashtëm, ekspertët zviceranë përmendim lëndimin në këndin e nofullës së poshtme, në pjesën e përparme të anës së djathtë të saj. Ky lëndim nuk përmendet fare në autopsinë e ekipit mjeko-ligjor të Kosovës.

Kur bëhet fjalë për lëndimet në nofullën e poshtme, ekipi mjeko-ligjor i Kosovës në pikën 4 të raportit të autopsisë të datës 7 nëntor 2016 kufizohet vetëm në lëndimin që shihet “në këndin e nofullës së poshtme, në anën e djathtë të saj, rreth 4cm nga cepi i poshtëm i laprës së veshit” dhe i jep diagnozën “skuqje (eritemë) në formë vezake, me ngjyre rozë me përmasa rreth 10x9mm. Skuqje të ngjashme ndodhen edhe në faqen e jashtme të poshtme të parakrahut të dorës së djathtë (3 në numër) pranë njëra-tjetrës, me përmasa nga 5x5mm deri 12x8mm, si dhe në faqen e jashtme të shuplakës së dorës së djathtë, në nivel të rrënjës së gishtit të tretë; me përmasa rreth 12x10mm”.
Sipas ekspertëve zviceranë, këtu nuk kemi të bëjmë me “skuqje (eritemë)”, por me mavijosje (ekimozë).

“Ekimozat (mavijosjet) që ndodhen në këndit e nofullës së poshtë në anën e djathtë dhe në pjesën e përparme të nofullës së poshtme në anën e djathtë, mund të jenë shkaktuar edhe gjatë veprimeve për ta kthyer në jetë (të llojit “headtilt/chin lift” ose “jawthrust), por nuk janë karakteristikë e lëndimeve që lidhen me bartjen apo transportin e trupit. Nga ana tjetër, këto ekimoza (mavijosje) vërehen në vendet karakteristike për lëndimet që janë shkaktuar gjatë kapjeve në qafë, të llojit ‘çelësi i krahut’ (“clé de bras” në gjuhën frënge), ose formave të tjera të dhunës në qafë. Për shkak të këtij fakti, një mekanizëm i tillë i lëndimit nuk mund të përjashtohet dhe duhet të përmendet”.

Vetëm në këtë kontekst mund të kuptohen arsyet e vërteta pse u falsifikua përkufizimi i ekspertëve mjeko-ligjorë të Zvicrës për “ekimozën, si pasojë e veprimeve të dhunshme, që shkaktohen nga goditje me sende të forta (përplasje e trupit me një apo shumë sende të forta, GODITJE TË MARRA NGA NJË OSE MË SHUMË SENDE TË FORTA, ndrydhje të forta lokale”.
E njëjta mënyrë e heqjes së fjalive u përdor edhe në disa pjesë të tekstit të raportit të ekspertizës zvicerane.

Kështu, në pjesën ku flitet për lëndime që shihen edhe nga ekzaminimi i jashtëm, ekspertiza zvicerane numëron 4 lëndime, të cilat nuk janë të përshkruara në raportin e autopsisë të bërë në Kosovë.

Si lëndim të parë që nuk është përshkruar në raportin e autopsisë të bërë në Kosovë, ekspertët zviceranë përmendin “NJË EKIMOZË ME NGJYRË TË KUQE NË KAFE, NË FORMË VEZAKE, NË SKAJIN E PJESËS SË PËRPARME (ANTERO-INFERIORE) TË NOFULLËS SË POSHTME”.

FJALIA ËSHTË FSHIRË E GJITHA!

Nga pretendimi i përkthyesit se ka bërë përkthim “shkencor fjalë për fjalë” të raportit zviceran, dikush ka përdorur metodën “shkencore të prerjes fjalë pas fjale” të fjalisë në tërësi, me qëllim që hiqet edhe nga raporti i ekspertizës zvicerane ajo që nuk ekziston në raportin e autopsisë së Kosovës. Ky falsifikim është bërë me të vetmin qëllim që të fshihet diagnoza se kemi të bëjmë edhe me një ekimozë shtesë, “që shkaktohet nga goditje me sende të forta (përplasje e trupit me një apo shumë sende të forta, GODITJE TË MARRA NGA NJË OSE MË SHUMË SENDE TË FORTA, ndrydhje të forta lokale”.

VIJON

Bardhyl Mahmuti-Para dy ditësh publikova dëshmi të pakontestueshme se ekspertiza e Njësisë Romande të Mjekësisë Forenzike të Qendrës Universitare Ramande të mjekësisë ligjore në Lozanë (Lausanne) të Zvicrës me numër reference: EI180001 TF/SG/jb, V/ref. PPN/I nr. 461/16, e datës 14 qershor 2019 ËSHTË FALSIFIKUAR.

Neni 434 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës qartëson: “Personi zyrtar i cili në dokumentin zyrtar, në regjistër ose në shkresën zyrtare shënon të dhëna të rreme ose nuk shënon të dhënat e duhura apo me nënshkrimin e tij ose me vulën zyrtare vërteton dokumentin zyrtar, regjistrin apo shkresën zyrtare e cila përmban të dhëna të rreme ose mundëson përpilimin e dokumentit, regjistrit ose shkresës së tillë me përmbajtje të rreme, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet”. Prokuroria Themelore e Prizrenit i ka dorëzuar familjes së Astrit Deharit dhe avokatit të familjes dokumentin e përkthyer si “Përkthim i certifikuar nga gjuha frënge”.

Kërkohet që Prokurori i Shtetit, z. Aleksandër Lumezi të respektojë premtimin publik se “do t’i shfrytëzojë kompetencat dhe autorizimet kushtetuese dhe ligjore, që të zhvillohen hetime të pavarura, profesionale dhe kredibile në ndriçimin e plotë të këtij rasti”. Qëndrimi ndaj falsifikimit të ekspertizës zvicerane është kriter i seriozitetit nëse vërtet dëshirojnë të ndriçohet rasti “Astrit Dehari”.

Nëse institucionet e drejtësisë nuk tregohen efikase në përputhje me veprimet energjike që kërkon rasti “Astrit Dehari”, atëherë është në nderin e gazetarëve hulumtues të zbulojnë se kush e falsifikoi këtë dokument: Përkthyesi apo dikush nga Prokuroria Themelore e Prizrenit?

P.S.
Ditën e hënë do të publikoj pjesën e parë të falsifikimeve të përmbajtjes së ekspertizës, që dëshmon se ndryshimet në këtë dokument janë bërë me qëllim që të pengohet ndriçimi i plotë i vrasjes së Astrit Deharit.

Prokurorit të Shtetit, z. Aleksandër Lumezi
Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, z. Afrim Shefkiu

KËRKESË PUBLIKE PËR PËRGJEGJËSI PENALE PËR FLASIFIKIM ME QËLLIM TË FSHEHJES SË KRIMIT

Raporti i ekspertizës zvicerane për rastin “Astrit Dehari” u mbajt i fshehur 4 muaj.

Me kërkesë të Metush Birajt, prokuror i Republikës së Kosovës i ngarkuar për rastin Astrit Dehari”, Njësia Romande e Mjekësisë Forenzike të Qendrës Universitare Ramande të mjekësisë ligjore në Lozanë (Lausanne) të Zvicrës bëri ekspertizën e të dhënave lidhur me vdekjen e Astrit Deharit.

Në bazë të ekspertizës që u është bërë materialeve të dorëzuara nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, materiale që numërohen në faqen 1 dhe 2 të raportit të këtij instituti, Njësia Romande e Mjekësisë Forenzike të Qendrës Universitare Ramande të mjekësisë ligjore në Lozanë MË DATË 14 QERSHOR 2019 dorëzoi ekspertizën prej 45 faqesh me numër reference: EI180001 TF/SG/jb, V/ref. PPN/I nr. 461/16.
RAPORTI I EKSPERTIZËS I DATËS 19 QERSHOR 2019 U FSHEH 4 MUAJ NGA DIKUSH NË PROKURORINË THEMELORE TË PRIZRENIT. As familja, as avokati i palës civile dhe as opinioni publik që ka ndjekur me shqetësim zhvillimet lidhur më këtë çështje nuk u vu në dijeni të përmbajtjes së këtij raporti.

Rreth 3 muaj më vonë, më 9 SHTATOR 2019, instituti i lartpërmendur i qendrës universitare të Zvicrës dorëzoi ekspertizën shtesë prej 14 faqesh, me numër reference: EI190001 TF/SG/jb, V/ref. PPN/I nr. 461/16.

Skandali rreth kësaj ekspertize shpërtheu më 18 tetor 2019 kur Prokuroria Themelore e Prizrenit refuzoi t’u jepte një kopje të këtij raporti prindërve të Astrit Deharit, duke u arsyetuar se këtë material e kanë dërguar për ta përkthyer.

Falë hapësirës së madhe që i dhanë mediet kësaj çështje Prokuroria Themelore e Prizreni u detyrua që, më 24 tetor 2019, t’i dorëzojë familjes Dehari një kopje në gjuhën frënge të dy raporteve dhe përkthimin e tyre në gjuhën shqipe.

Përkthimi në gjuhën shqipe që iu dha familjes dhe që u publikua nga shumica e medieve elektronike në Kosovë përbën një shembull të rëndë të falsifikimit dhe të shtrembërimit të ekspertizës së ekipit mjeko-ligjor zviceran me qëllim fshehjen e krimit.

Në ditët në vijim do të trajtoj publikisht falsifikimet që janë bërë në përmbajtjen e kësaj ekspertize. Sot do të kufizohem vetëm në aspektin e falsifikimit që kishte për qëllim të fshehë fshehjen 4-mujore të ekspertizës zvicerane.

Në përkthimin në gjuhën shqipe ËSHTË NDRYSHUAR DATA E KËTIJ RAPORTI. Në vend të datës 14 QERSHOR 2019 është shënuar data 14 SHTATOR 2019.

Në rastet kur muajt shënohen me numra, shtypja gabimisht e një numri është gabim teknik njerëzor i mundshëm. Mirëpo, në rastet kur muajt shënohen me shkronja, mundësia e gabimeve të tilla nuk ekziston: Vetëm qëllimisht mund të shkruhet “SHTATOR” në vend të “QERSHOR”. Nuk ka asnjë dyshim se ky falsifikim është bërë me qëllim të fshehjes se përse kjo ekspertizë u mbajt e fshehur 4 muaj.

Vendimi i Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, që rasti “Astrit Dehari”, të kaloj nga Prokuroria Themelore në Prizren në juridiksion të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është një vendim për t’u përshëndetur. Sidomos është për t’u përshëndetur angazhimi publik se Prokurori i Shtetit do “t’i shfrytëzojë kompetencat dhe autorizimet kushtetuese dhe ligjore, që të zhvillohen hetime të pavarura, profesionale dhe kredibile në ndriçimin e plotë të këtij rasti”.

Ftoj publikisht Prokurorin e Shtetit, z. Aleksandër Lumezi dhe Ushtruesin e Detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, z. Afrim Shefkiu që në përputhje me kompetencat dhe autorizimet kushtetuese dhe ligjore të fillojnë hetimet e menjëhershme dhe të merren masat e parapara me ligj për autorët e këtij falsifikimi.

Nga Bardhyl Mahmuti-Varianti publik i përkthimit në shqip të ekspertizës së çështjes “Astrit Dehari” është PËRPJEKJE E QËLLIMSHME PËR TË FSHEHUR KRIMIN

Pas ndërhyrjes sime me anë të linjës telefonike në emisionin “Pressing” të T7, të datës 24 tetor 2019, rreth pasaktësive të përkthimit të Raportit të Qendrës Universitare Romande të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, lidhur me çështjen ”Astrit Dehari” reagoi Ismail Ismaili, personi që ka përkthyer këtë material. (Gazeta “Express”: Deklarohet përkthyesi i ekspertizës për rastin “Dehari”: Katër ditë nuk dola nga shtëpia, nuk kam guxuar ta interpretoj”, 25 tetor 2019).

Shpërthimi në lot i Ismail Ismailit para kamerave televizive është çështje e përjetimit personal ndaj kësaj forme të shprehjes së pikëllimit dhe nuk ka vend në këtë debat. Ajo që vlen të theksohet lidhur me këtë çështje, ka të bëjë me shkallën e saktësisë së përkthimit të një raporti të tillë.

Lidhur me këtë aspekt, Ismail Ismaili thotë: “Raporti shkencor duhet të përkthehet pothuajse fjalë për fjalë. Nuk kam guxuar t’i interpretoj thëniet e ekspertëve mjeko-ligjorë”, kurse gabimet e mundshme teknike ia lë kohës së shkurtër që ka pasur përkthyesi për të përkthyer 60 faqe.

Çështja “e përkthimit fjalë për fjalë të një teksti shkencor” do të trajtohet në shkrimet e ardhshme. Tani për tani po ndalem vetëm në çështjen e kohës së shkurtër, për të përkthyer këtë raport mjeko-ligjor.

Ismail Ismailit katër ditë i duket kohë e shkurtër për të përkthyer këtë raport, ndërkaq disa orë pas ndërhyrjes sime ai deklaron: “Asnjë pikë, as presje kush s’ka qit në të, sepse katër ditë nuk kam dalë prej banese. Sa kam mujtë me përkthy që me ia bo gati atyre që ma lypën shpejt. E kam dorëzuar të mërkurën në orën 13:00”. Është e çuditshme se si arriti që, brenda disa orësh, të bëjë verifikimin e dy teksteve dhe të dalë në përfundimin nëse është ndërhyrë apo jo në materialin që ka përkthyer!

Lidhur me tërësinë e detajeve, që Ismail Ismaili jep për kohën kur i janë dorëzuar materialet për përkthim, reagoi edhe Prokuroria Themelore në Prizren. Sqarimi i këtyre detajeve u takon palëve kontraktuese për përkthimin e këtij materiali dhe nuk do ta përfshijë në kuadër të këtij shkrimi.

Nga reagimet lidhur me ndërhyrjen time nuk do të përmend asnjë nga qindra njerëzit që më kanë mbështetur për ndërhyrjen time. I falënderoj publikisht të gjithë! Falënderoj edhe Leonard Kërqukin, gazetarin e T7-ës, për mundësinë që më dha të ndërhyj në emisionin që po shfaqej drejtpërdrejt. Në këtë shkrim do të përmend vetëm reagimin e Sefedin Krasniqit, mikut të Ismail Ismailit, që ka bërë “dy kurse (formation continue) për përkthyes” në Zvicër.

Në letrën e tij publike, që portali “Lidhja e Prizrenit” e publikoi me titull: “Sefedin Krasniqi fundos gënjeshtrat e Bardhyl Mahmutit”, ai i drejtohet Ismail Ismailit: “Ti ke bërë një gabim dhe uroj që të mos e përsëritësh më kurrë! Gabimi yt është se je munduar të bësh mirë”!

Përmes këtij reagimi, njoftoj opinionin publik shqiptar, se në kohën më të shkurtër të mundshme, do të përkthej pjesët kryesore të raportit në fjalë dhe çdokush do të ketë mundësi të shohë manipulimet që janë bërë nëpërmjet përkthimit, me qëllim fshehjen e përmbajtjes së plotë të ekspertizës mjeko-ligjore në Zvicër.

Deklarata e Ismail Ismailit, se askush nuk ka ndërhyrë në raportin e tij, se “asnjë pikë as presje kush s’ka qit në të” e bën përgjegjës të vetëm për të gjitha manipulimet që janë bërë në tekstin e ekspertizës, që u publikua nga pothuajse të gjitha mediet në gjuhën shqipe.

Nuk e gjykoj Ismail Ismailin për cilësitë njerëzore, sepse nuk e njoh. As lotët e tij nuk më bëjnë përshtypje, sepse jemi në një debat, ku çdo fjalë ka peshën e vet, ku çdo faqe e raportit përshkohet me gjakun dhe vuajtjet që ka përjetuar Astrit Dehari në momentet e fundit të jetës së tij.

I bëj thirrje publike Ismail Ismailit, që të bëjë krahasimin e dokumentit që ka dorëzuar ai si përthyes dhe dokumentit që i është dorëzuar familjes Dehari dhe që është bërë publik. I bëj thirrje publike, që të shohë me kujdesin më të madh, nëse dikush ka hequr “ndonjë pikë a ndonjë presje” nga ajo që ka dorëzuar ai. (Mund të kërkojë ndihmën e Sefedin Krasniqit apo të kujtdo qoftë tjetër që është trajnuar).

Nëse pas krahasimit të detajuar të dy teksteve Ismail Ismaili pohon se nuk ka asnjë ndryshim ndërmjet dy teksteve, atëherë përgjegjësia është e përkthyesit.

Unë do të dëshmoj se varianti publik i përkthimit në gjuhën shqipe të ekspertizës së Qendrës Universitare Romande të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës është PËRPJEKJE E QËLLIMSHME PËR TË FSHEHUR KRIMIN.

Jam plotësisht i vetëdijshëm për peshën e kësaj akuze publike dhe garantoj se kjo PËRPJEKE E QËLLIMSHME PËR TË FSHEHUR KRIMIN do të argumentohet në mënyrën bindëse.
I takon Prokurorisë Themelore në Prizren dhe Ismail Ismailit të tregojnë se kush qëndron prapa këtij qëllimi.

P.S.
Në letrën e tij, Sefedin Krasniqi deklaron se unë qenkam “një MASHTRUES, që nuk ka mbaruar kurrë fakultetin dhe që nuk guxon t’i tregoj publikisht diplomat e veta, sepse i ka të rrejshme”! Madje, gjatë luftës në Kosovë paskam qenë “zëdhënës apo përfaqësues i UÇK-së (dikund në hënë)”!

Sa i përket periudhës së luftës, nuk kam çfarë t’u shpjegoj “njerëzve me hënë”. Ata që kanë dashur ta dinë, kanë pasur mundësi ta marrin vesh ku kam qenë në atë periudhë.

Ndërsa për diplomat e mia që nuk i treguakam publikisht, sepse qenkëshin të rrejshme, Sefedin Krasniqi mund t’i drejtohet komunës së Lozanës, e cila më ka punësuar si edukator, për shkak të diplomave të Universitetit të Lozanës që kam prezantuar. Kështu do të kishte nxjerrë të vërtetën në shesh dhe do të kishte dëshmuar cilësitë e përgatitjet e veta që i kanë dhënë gjatë trajnimeve (formation continue), që në kohën para se të dërgohej jashtë shtetit

Bardhyl Mahmuti-Pas mbledhjes së djeshme të Këshillit të Sigurimit, Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë Ivica Daçiq shkaktoi skandal të rëndë diplomatik kur fyeu rëndë diplomatët e shteteve perëndimore dhe ambasadoren e Kosovës.

Arroganca e Ivica Daçiqit ka mundur të befasojë ndonjë nga diplomatët e shteteve perëndimore që nuk e kanë ditur rrugëtimin politik të këtij “diplomati”. Kjo sjellje nuk paraqet asnjë befasi për ata që e dinë se Ivica Daçiq është kuadër politik i formuar dhe edukuar në frymën e njëjtë si të Sllobodan Millosheviqit; ai ishte person i privilegjuar i Sllobodan Millosheviqit, të cilit Kasapi i Ballkanit i kishte besuar funksionin e Zëdhënësit të Partisë së tij.

Në të gjitha funksionet që ka ushtruar, gjatë luftës dhe pas përfundimit të saj, Ivica Daçiq ka prezantuar në mënyrë më të denjët politikën e shtetit serb, sidomos është dëshmuar si zëdhënës i politikës së fshehjes së gjurmëve të gjenocidit kundër shqiptarëve në Kosovë.

Fatkeqësisht një gazetar, i cili nuk i posedon njohuritë e nevojshme teorike për implikimin e termit “paramilitar”, publikoi shkrimin e titulluar “Daçiq sillet si paramilitar kundër shqiptarëve në OKB…”. Këtë shkrim e kopjua tekstualisht edhe disa portale tjera në Kosovë. Në këtë mënyrë, në mënyrë të pavetëdijshme, shfajësojnë shtetin serb për skandalin që shkaktoi në Kombet e Bashkuara ministri i saj i punëve të jashtme!

Po e përsëris atë që kam shkruar disa herë rreth përdorimit të gabueshëm të termit “paramilitar”.

Nocioni “paramilitar”, qoftë kur i atribuohet një individi, qoftë kur i drejtohet një  grupi, prezanton individin ose struktura jashtë forcave të armatosur të një shteti. Ky nocion është shndërruar në instrument të manipulimit me opinionin publik në funksion të fshehjes së përgjegjësisë së strukturave politike dhe ushtarake të një shteti në kryerjen e krimeve të caktuara, dhe pikërisht për këtë arsye propaganda serbe e futi në përdorim termin “paramilitar”.

Fshehja e krimit të gjenocidit të kryer në Kosovë nga forcat e armatosura serbe dhe drejtimi i gishtit te “grupet paramilitare” është pjesë e strategjisë së Serbisë për t’i ikur përgjegjësisë si shtet.

Si rezultat i propagandës së vazhdueshme të Beogradit për t’ua veshur krimin strukturave që gjoja nuk kanë qenë në kontrollin e shtetit serb, këtë mendim e kanë përqafuar si të vërtetë një numër i konsiderueshëm politikanësh në shtetet perëndimore (komunistë, socialistë, social-demokratë, të së djathtës të vjetër e të re, neonazistë e neofashistë) si dhe historianë e politologë, filozofë e sociologë, gazetarë e publicistë, të orientimit të djathtë e të majtë. 

Fatkeqësisht edhe në diskursin tonë politik dhe mediatik nocioni “grupe paramilitare” ka zënë një vend të rëndësishëm, pa menduar për pasojat e mëdha që sjell përdorimi i këtij termi në shfajësimin e shtetit serb për krimin e gjenocidit.

Gjatë luftës në Kosovë nuk ka pasur “paramilitarë”. Çdo gjë ka qenë e kontrolluar në detaje. Gjenocidin në Kosovë e kreu Serbia përmes forcave të saja të armatosura me një zinxhir të qartë komandues nga institucionet politike, ushtarake dhe policore të shtetit serb.

Është e kuptueshme që pushteti i Serbisë, qoftë i kohës së Millosheviqit, i Tadiqit apo i  Vuçiqit dhe Daçiqit, aplikon strategjinë e mohimit të krimit të gjenocidit të kryer në Kosovë. Gjithashtu është e kuptueshme përpjekja e tyre për të zhvendosur fajësinë nga shteti serb te “grupet paramilitare të pakontrolluara nga shteti serb”. Por, nuk është e drejtë që politikanë dhe gazetarë shqiptarë, në mënyrë të pavetëdijshme për pasojat që ka përdorimi i këtij termi, të përdorin nocionin “paramilitar”. 

Fatkeqësia është edhe më e madhe kur nga padituria e asaj çka fshihet prapa përdorimit të këtij termi, duke përdorur cilësimin “paramilitarë” për ata që kanë qenë të përfshirë në krime dhe në fshehje të krimeve, politikanë dhe gazetarë mendojnë se i paraqesin edhe më të këqij.

Realisht është e kundërta. Në mënyrë të pavetëdijshme bëhet shfajësimi i shtetit që përpiloi, zbatoi dhe u përpoq të fshehë krimin e gjenocidit.

P.S.

Më gjerësisht për këtë çështje kam shkruar në shkrimin e titulluar  “Nocioni ‘paramilitar’ si instrument i mohimit të gjenocidit”, të cilit i kanë dhënë një hapësirë të konsiderueshme e mediave në Kosovë.

Nga Bardhyl Mahmuti- Shkrim drejtuar gazetarëve dhe atyre që merren me politikë

Përkufizimi i gjenocidit në Kodin Penal të Republikës së Kosovës është përkthim nga gjuha serbe dhe është i pasaktë.

Në dy shkrimet paraprake trajtova përdorimin e gabueshëm të termeve “zhdukje” dhe “shfarosje” kur bëhet bartja kuptimore që këto terme kanë në gjuhën e zakonshme dhe emërohen kategori të caktuara të së drejtës penale ndërkombëtare.

Edhe termi “asgjësim”, si sinonim i “zhdukjes” dhe i “shfarosjes”, i cili ka kuptimin e veprimit që “e shkatërron krejt, e prish që të mos jetë më, e shfaros, e zhduk diçka”, ka zënë një vend të rëndësishëm jo vetëm në gjuhën e përditshme të politikanëve, por edhe në dokumentet zyrtare të shtetit të Kosovës.

Gjuhët me prejardhje latine, dhe nën ndikimin e tyre, edhe gjuha angleze, për fjalën “asgjësim” përdorin fjalën “annihiler” (frëngjisht), “annientare” (italisht), “annihilate” (anglisht) e që kanë prejardhje nga fjala latine “annihilare” (të bësh të mos ekzistojë diçka, ta shkatërrosh tërësisht). Ndërsa për veprimin që shkatërron tërësisht diçka, që e asgjëson, në gjuhën ruse përdoret fjala “уничтожить”, në serbisht “uništenje”.

Në përkthimet në gjuhën angleze, frënge, italiane të Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit dhe Statutit të Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, në asnjë rast nuk përdoret termi asgjësim (“annihilate”, “annihiler”, “annientare”), por përdoret termi “shkatërrim” (“destroy”, “détruire”, “distruggere”). Edhe në gjuhën gjermane në dokumentet e lartpërmendura nuk përdoret folja “vernichten” (asgjësoj), por folja “zerstören” (shkatërroj). Ndërsa në gjuhën ruse dhe serbe, në përkufizimin e gjenocidit, në vend të fjalës “shkatërrim” përdoret fjala asgjësim (në rusisht “уничтожить”, në serbisht “uništenje”).

Përmendja e terminologjisë ruse dhe serbe është e domosdoshme, për arsye se një numër i juristëve shqiptarë janë nën ndikimin e terminologjisë së shkollave juridike të Rusisë dhe të Serbisë.

Duke u nisur nga fakti se krimet që përfshihen në kuadër të së drejtës penale ndërkombëtare janë krime me të cilat preokupohet mbarë njerëzimi, shumica e shteteve kanë përfshirë në kodet e tyre penale masat përkatëse për të ndëshkuar ata që kanë qenë të implikuar në këto krime, ose që mohojnë krimin e gjenocidit, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës.

Në funksion të këtyre masave edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar Kodin Penal të Republikës së Kosovës, në të cilën përfshihen dënimet për veprat e lartpërmendura penale.

Fatkeqësisht në Kodin Penal të Republikës së Kosovës terminologjia lidhur me këto krime nuk është e saktë dhe si e tillë është e dëmshme, sepse krijon mundësinë e interpretimeve jo të drejta kur kemi të bëjmë me gjenocidin.

Në Kapitullin XV të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kapitull i titulluar “Veprat penale kundër njerëzimit dhe vlerave të mbrojtura me të drejtën ndërkombëtare, nenin 148 i kushtohet krimit të gjenocidit. Përkufizimi i i gjenocidit është me sa vijon:

“1. Kushdo që me qëllim të asgjësimit të tërësishëm apo të pjesërishëm të ndonjë grupi kombëtar, etnik, racor apo fetar kryen një ose më shumë nga veprimet e mëposhtme, do të dënohet me burgim së paku pesëmbëdhjetë (15) vjet ose me burgim të përjetshëm:

1.1. vrasjen e anëtarëve të grupit;

1.2. shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore apo mendore të anëtarëve të grupit;

1.3. vënien e qëllimshme të grupit në kushte të tilla të jetës të cilat shpijnë në shfarosje të plotë apo të pjesërishme fizike;

1.4. vënien e masave të cilat kanë për qëllim që të pengojnë lindjet brenda grupit;

1.5. transferimin me dhunë të fëmijëve të grupit në një grup tjetër”.

Kushdo që bën një analizë krahasuese të përkthimeve të Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit dhe Statutit të Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare do të bindet se përkufizimi i gjenocidit në Kodin Penal të Republikës së Kosovës është përkthim nga gjuha serbe.

Në doracakun që mendoj ta publikoj lidhur me këtë terminologji do t’i citoj përkufizimet në gjuhen angleze, frënge, italiane, gjermane, ruse dhe serbe, sepse vetëm në këtë kontekst do të kuptohet drejtë  se përdorimi i gabueshëm i një kategorie juridike hap rrugën për interpretime  të gabueshme të krimit të gjenocidit.

As termi “zhdukje” dhe as termi “asgjësim” nuk janë kategori juridike të së drejtës penale ndërkombëtare.  

Në nenin II të Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit dhe në Nenin 7 të Statutit të Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare gjenocidi përkufizohet si krim kur një ose më shumë nga aktet kriminale të numëruara në këto nene kryhen me qëllim që të shkatërrohet tërësisht ose pjesërisht një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar, si i tillë.

Serbisë, që ka kryer gjenocid në Kosovë, dhe atyre që mohojnë këtë gjenocid u intereson që në përkufizimin e gjenocidit të mbeten në përdorim termet “zhdukje” dhe “asgjësim”, sepse, sipas kësaj logjike,  fakti që nuk jemi “zhdukur” dhe nuk jemi “asgjësuar” do të përdorej si “argument” se gjoja nuk është kryer gjenocid ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Konsideroj se Kuvendi i Kosovës duhet të bëjë korrigjimin e terminologjisë së gabueshme në Kodin Penal të Republikës së Kosovës dhe ta harmonizojë me konceptet juridike adekuate.

Bardhyl Mahmuti-Që në fillim më duhet të përmendi dallimin që ekziston ndërmjet kuptimit të fjalës shqipe “shfarosje”  dhe përdorimit të kësaj fjale në dokumentet e të drejtës penale ndërkombëtare.

Në gjuhën shqipe fjala “shfarosje” ka kuptimin e zhdukjes së tërësishme ose asgjësimit të njerëzve dhe qenieve të gjalla. Kjo fjalë është përdorur për të përkthyer një kategorinë juridike të së drejtës penale, për të cilën në gjuhën angleze, atë frënge dhe disa gjuhë të tjera përdoret fjala “extermination”.

Fjala “extermination” ka prejardhje nga fjala latine “exterminare”,  e cila përbëhet nga dy fjalë: fjala “ex”, që do të thotë “jashtë” , dhe fjala “terminus”, që do të thotë “kufij”, “fund” dhe ka kuptimin e “përndjekjes përtej kufijve”.

Fjala  “extermination” mund të ketë kuptime të ndryshme edhe në gjuhët që e përdorin. Por ajo që është me rëndësi për temën tonë ka të bëjë me faktin se termi  “extermination” në të drejtën penale ndërkombëtare ka fushën kuptimore të përkufizuar qartë dhe në kuadër të fushës juridike duhet t’i përmbahemi me përpikëri këtij përkufizimi.

Në Statusin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare me nocionin “extermination” përkufizohet imponimi i qëllimshëm i kushteve të tilla të jetesës, si mungesa e ushqimit dhe e barnave, të parapara që të shkaktojnë shkatërrimin e një pjese të POPULLATËS [Statusi i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Neni 7, paragrafët 1 dhe 2, pika (b) në të dy paragrafët].

Statuti i Romës për Gjykatën Penale Ndërkombëtare është përkthyer edhe në gjuhën shqipe  dhe mund të konsultohet përmes internetit (https://www.legal-tools.org/doc/2ede1c/pdf/). Në këtë statut kategoria juridike “extermination” është përkthyer me fjalën shqipe “shfarosje”.  Nuk kam asgjë kundër pse është përdorur kjo fjalë për nocionin “extermination”. Mirëpo kur fjala “shfarosje” përdoret në kuadër të përshkrimit të krimeve që janë të përkufizuara me të drejtën penale ndërkombëtare, atëherë, kjo fjalë nuk mund të ketë kuptimin e zhdukjes së tërësishme apo asgjësimit të njerëzve. Në këtë kontekst, “shfarosja”, si kategori juridike, ka vetëm kuptimin e imponimit të qëllimshëm të kushteve të tilla të jetesës, si privimi në ushqim dhe barna, të parapara që të shkaktojnë shkatërrimin e një pjese të POPULLATËS. Dhe si krim hyn në kuadër të krimeve kundër njerëzimit.

Sa i përket shprehjes “kushte të jetesës”, në dokumentin zyrtar të Kombeve të Bashkuara të titulluar “Elemente të krimeve”, në pjesën kushtuar “Gjenocidi nëpërmjet nënshtrimit të qëllimshëm të grupit në kushte të jetesës që do të shkaktonin shkatërrimin fizik të tërësishëm ose të pjesshëm të grupit”, sqarohet se “pa u kufizuar vetëm në këto veprime, shprehja kushte të jetesës mbulon aktet e qëllimshme që privojnë nga gjërat e domosdoshme për të mbijetuar, si ushqimi, shërbimet mjekësore, dëbimi sistematik nga vendbanimet” (Élément des crimes, Cour pénale internationale, 2011, f.3, shënimi në fund të faqes).

Në të dy citatet e Statutit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare fjalën “POPULLATË” e kam shkruar me shkronja të mëdha, me qëllim që të vë theksin në një element që është thelbësor në cilësimin e krimeve.

Në rastet kur kemi të bëjmë me krime që janë kryer gjatë sulmeve të përmasave të gjera dhe sistematike të drejtuara  kundër cilësdo popullatë civile, me paramendim që të kryhen aktet e parapara në Nenin 7, paragrafi 1, të Statutit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, në mesin e të cilave edhe shfarosja[1], atëherë, kemi krim kundër njerëzimit.

Mirëpo nëse imponimi i kushteve të tilla të jetesës bëhet me qëllim që të shkatërrohet një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar, atëherë, kemi të bëjmë me krimin e gjenocidit.

Në “Elemente të krimeve”,  të përmendur më lart, precizohet:

1.                   Autori i krimit nënshtron një ose më shumë persona në rrethana të caktuara jetese.

2.                   Personi apo personat në fjalë i takojnë një grupi të veçantë kombëtar, etnik, racor ose fetar.

3.                   Autori i krimit ka për qëllim që të shkatërrojë tërësisht ose pjesërisht këtë grup kombëtar, etnik, racor ose fetar, si të tillë.

4.                   Kushtet e jetesës duhet të provokojnë shkatërrimin e tërësishëm ose të pjesshëm të këtij grupi…”  (Élément des crimes, Cour pénale internationale, 2011, f.3).

Vlen të theksohet se kur bëhet fjalë për nënshtrimin e qëllimshëm të grupit në kushte të jetesës që do të shkaktonin shkatërrimin fizik të tërësishëm ose të pjesshëm të grupit, si element i krimeve të gjenocidit, nuk përmendet termi “shfarosje” . Theksi vihet në privimin nga gjërat e domosdoshme për jetesë të anëtarëve të një grupi kombëtar, etnik, racor ose fetar, si i tillë.

Me një fjalë, kur vrasjet, dhunimet, dëbimet e dhunshme në funksion të spastrimit etnik, imponimi i kushteve që shkaktojnë shkatërrimin njerëzor bëhen me qëllim që të shkatërrohet tërësisht ose pjesërisht një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar, atëherë kemi të bëjmë me krimin e gjenocidit.

Prandaj kur flasim për krimet e forcave serbe gjatë luftës në Kosovë, sa herë të përdoret shprehja “popullata civile” duhet ta precizojmë se bëhet fjalë për civilë shqiptarë. Përndryshe, e zhvendosim krimin e gjenocidit në një kategori tjetër penale.

Për ilustrim do të përmend faktin se gjatë luftës në Kosovë, vetëm në vitin 1998, Serbia imponoi kushteve të tilla të jetesës që rrezikuan jetën e qindra mijëra shqiptarësh.

Dhuna e ushtruar nga forcat e armatosura serbe, në kuadër të zbatimit të politikës së gjenocidit në Kosovë, pati për pasojë zhvendosjen e 230 mijë personave, që kishin qenë të detyruar t’i braktisnin shtëpitë e tyre. Sipas Komisariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara, nga ata që ishin zhvendosur në brendësi të Kosovës, 50 mijë shqiptarë ishin pa çati mbi kokë dhe në mungesë të gjërave elementare. Fakti se dimri po afrohej shtonte brengosjen deri në përmasa alarmuese. Përballë kësaj situate, më 23 shtatorit të vitit 1998,  Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara miratoi  rezolutën nëpërmjet të së cilës  “alarmonte për rrezikun e katastrofës humanitare në Kosovë” (Kombet e Bashkuara, Këshilli i Sigurimit, S/RES/1199 1998, 23 shtator 1998).

Duke u mbështetur në këto norma të së drejtës penale ndërkombëtare,  në Kosovë kemi të bëjmë me gjenocid në përputhje me Nenin 6, paragrafi (c) i Statutit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, sepse imponimi i kushteve të tilla të jetesës ishte bërë me qëllim që të shkaktojnë shkatërrimin fizik të tërësishëm ose të pjesshëm të kombit shqiptar.

Si konkluzion nga ajo që u tha më lart del qartë se jo “shfarosja”, në kuptimin si përdoret në gjuhën e përditshme, por QËLLIMI për të SHKATËRRUAR TËRËSISHT ose PJESËRISHT shqiptarët si grup kombëtar, etnik, ose fetar i ndryshëm nga serbët, përbën krimin e gjenocidit të Serbisë në Kosovë.


[1] Statuti i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Nenin 7, paragrafi 1, pika (b)

Bardhyl Mahmuti- Ofensiva e gjithanshme e ekstremizmit politik serb dhe e fundamentalizmit ortodoks të Serbisë për ta prezantuar Kosovën si “Djep të civilizimit serb dhe pjesë të Serbisë” ka marrë përmasa të mëdha si asnjë herë më parë.
Kësaj ofensive duhet t’i përgjigjemi me fakte dhe njëzëri:

Të gjithë atyre që janë lëshuar në këtë lloj propagande duhet t’u themi që, nëse kanë mundësi, t’i bëjnë një “analizë gjenetike” tokës së Kosovës dhe do të binden se është e stërmbushur me ADN nga gjaku dhe djersa e shqiptarëve. Kosova vërtetë është djepi i barbarisë dhe gjenocidit serb ndaj shqiptarëve! 

Nga Bardhyl Mahmuti–Siç u përmend në shkrimet kushtuar përkufizimit të gjenocidit, që të kualifikohet si gjenocid, akti kriminal duhet të jetë kryer me qëllim që të shkatërrohet tërësisht ose pjesërisht një grup i caktuar nacional, etnik, racor ose fetar, si i tillë.

Në rastet kur do të kishim të bënim me shkatërrimin e tërësishëm të njërit nga grupet e lartpërmendura, debati për kualifikimin e krimit si gjenocid do të mbyllej shpejtë. Ndërsa, kur kemi të bëjmë me shkatërrimin e pjesshëm të një grupi të caktuar nacional, etnik, racor ose fetar, mospajtimet janë të mëdha, për arsye se në këtë përkufizim nuk përcaktohet asnjë numër dhe asnjë përqindje në bazë të së cilës shkatërrimi i pjesshëm i grupeve të lartpërmendura do të mund të konsiderohej si gjenocid.

Kur kemi të bëjmë me vrasjet e anëtarëve të grupeve që përcaktohen në definicionin e gjenocidit, e që përbën vetëm njërin nga aktet e gjenocidit [Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, Neni II, paragrafi (a)], në studimin e publikuar si dokument zyrtar i Kombeve të Bashkuara lidhur me çështjen e parandalimit dhe të dënimit të krimit të gjenocidit theksohet: 
“përkundër asaj që qëllimi i konventës është parandalimi dhe ndëshkimi i akteve të gjenocidit të drejtuara kundër një numri të madh personash, asgjë nuk e ndalon që këto dispozita të interpretohen dhe të aplikohen në rastin e vrasjeve individuale. Edhe në rastet kur rezultati është vrasja e një personi të vetëm, fakti se qëllimi i kriminelit është drejtuar kundër jetës së më shumë se një anëtari të grupit nuk paraqet asnjë pengesë që dispozitat e Konventës të aplikohen edhe në këtë rast (United Nations, Economic and Social Council, Nicodème Ruhashyankiko, Study of the question of the prevention and punishment of the crime of gjenocide, f.15).

Megjithatë, një numër i konsiderueshëm juristësh mendojnë se për ta cilësuar krimin si gjenocid, atëherë, një numër më i madh personash duhet të jenë goditur nga ky veprim. “Disa flasin për qindra persona të vrarë e të tjerë për mijëra viktima, si kusht që të kualifikohet krimi si gjenocid”. (Thomas Benages, La Convention pour la prévention et la répression du crime de génocide à l’épreuve du tribunal pénal international pour l’ex-Yougoslavie, f.143).

Fatkeqësisht kur bëhet fjalë për gjenocidin e Serbisë në Kosovë, në diskursin publik bëhet një ndërlidhje ndërmjet termit “zhdukje” dhe gjenocidit. Kjo qasje është shumë e gabueshme, sepse lë të nënkuptohet se gjoja gjenocidi nuk është kryer në Kosovë, meqenëse nuk na paskan “zhdukur”! Dhe në përputhje me këtë logjikë, jo rrallë përdoret edhe shprehja “tentim për gjenocid”, që ngërthen në vete, në një masë të konsiderueshme, shfajësimin e Serbisë, për gjenocidin e kryer.

Kur kemi të bëjmë me përmasat e vrasjeve në kuadër të krimit të gjenocidit, një gabim i madh bëhet kur krahasohet numri i të vrarëve në Kosovë me numrin e të vrarëve në gjenocidin nazist kundër hebrenjve apo atij të Hutuve kundër grupit etnik Tuci në Ruandë.

Përmasat e vrasjeve të hebrenjve dhe të Tucive paraqesin raste ekstreme të gjenocidit dhe nuk mund të merren si kritere për ta kualifikuar një krim si krim të gjenocidit.

Manipulimi me statistika, ku njerëzit shtohen dhe zbriten në operacione matematike me qëllim që të banalizohet “shtimi i krimeve” dhe “zbritja e jetëve të njerëzve të pafajshëm” është neveritëse.

Cilësimi i krimeve në Kosovë si gjenocid nuk ka për qëllim t’i banalizojë gjenocidet e aplikuara kundër popujve tjerë në periudha të ndryshme kohore. Përkundrazi, manipulimi me numrin e vrasjeve dhe heshtja e qëllimit për të shkatërruar shqiptarët e Kosovës, paraqet një formë të banalizimit të krimeve me qëllim të mohimit të këtij gjenocidit.

Sipas Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit dhe Statutit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, nuk duhet “të zhduket” një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar apo të ketë miliona të vrarë për ta cilësuar krimin si gjenocid. Duhet të dëshmohet qëllimi se aktet e dhunës janë në funksion të shkatërrimit të tërësishëm ose të pjesshëm të grupeve të mbrojtura me konventën e lartpërmendur.

Nga cilido këndvështrim juridik që të trajtohet numri i të vrarëve gjatë luftës në Kosovë, vrasjet e 1392 fëmijëve shqiptarë, vrasjet e 1739 grave shqiptare, vrasjet e mbi 10.000 civilëve të tjerë shqiptarë të të gjitha moshave dëshmojnë se forcat serbe aplikuan gjenocidin në Kosovë, sepse kishin për qëllim shkatërrimin e tërësishëm ose të pjesshëm të shqiptarëve të Kosovës si grup kombëtar, etnik apo fetar i ndryshëm nga serbët.

Kur t’i marrim parasysh të gjitha kriteret e përkufizimit të gjenocidit dhe kur numrit të shqiptarëve të vrarë ia shtojmë numrin e të plagosurve, të zhdukurve, të dhunuarave seksualisht, të dëbuarve me dhunë gjatë politikës së spastrimit etnik dhe aktet tjera që cilësohen si akte të gjenocidit, atëherë, do të dalin në dritë përmasat jashtëzakonisht të mëdha të gjenocidit të Serbisë në Kosovë.