Zbulimi i një pllake antike me mbishkrimin ‘Dardanus’ ngjall debate në Maqedoninë e Veriut
Zbulimi i një pllake antike pranë zonës së varrezave të vjetra në Karposh të Shkupit, mbi të cilat ndër të tjera dallohet emri Dardani ka ngjallur debat në Maqedoninë e Veriut.
Zona e zbulimit, ku aktualisht po bëhen ndërtime, konsiderohet si arkeologjike, ndaj studiuesit e institucionet kanë pasur reagime të forta për ndërprerjen e punimeve dhe konservimin e artefaktit.
Shkak i debateve janë bërë, krahas rëndësisë historike që mendohet të ketë ky artefakt, edhe pretendimet fillestare, për mos ndalim të punimeve, duke rënë ndesh me ligjin e trashëgimisë.
Kundrejt këtyre pretendimeve Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Arian Asllanaj, ka siguruar se pllaka do të pastrohet e më tej ruhet në Muzeun e Maqedonisë, ndërsa do të angazhojë më tej edhe studiuesit për të arritur në përfundimet e duhura.
Ndërkaq reagimet e interpretimet për këto artefakte kanë qenë të shumta.
Për rastin në fjalë ka reaguar edhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore Kombëtare të Shkupit, ku në faqen zyrtare, përmes një njoftimi vinte theksin për mostrajtimin e vlerave arkeologjike, si pronë private.
“Këto ditë në media po qarkullon një lajm se në qytetin antik të Scupi-t po kryheshin gërmime arkeologjike dhe se janë zbuluar dy stela, ku në njërën prej tyre qëndron mbishkrimi DARDANUS. Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, përkatësisht Departamenti i Kulturës Materiale të ITShKSh-së, rithekson faktin që Scupi ishte qendra e mbretërisë Dardane dhe për këtë dëshmojnë edhe gjetjet e shumta arkeologjike në këtë lokalitet. Një ndër problemet kryesore që paraqet ky rast i fundit, është se si ka mundësi që në zonën e mbrojtur me ligj bëhen ndërtime moderne, duke mos respektuar Ligjin për Mbrojtjen e Trashëgimisë së Paluajtshme Arkeologjike. Prandaj ne kërkojmë që të dalin publikisht të gjithë institucionet që kanë dhënë leje për një ndërtim të tillë, si dhe të ndërpriten të gjithë punimet të cilës do natyrë në zonën e qytetit antik Scupi. Njëkohësisht, bëjmë thirrje që sa më shpejt këto stela të dërgohen në Muzeun Arkeologjik të Maqedonisë së Veriut, sepse çdo vonesë do të ndikojë për krijimin e dyshimeve për abuzime të mundshme”, shkruan në njoftimin e ITShKSh.
Në një njoftim të bërë në faqen zyrtare të Muzeut Virtual të Tetovës, përfaqësuesit treguan për përpjekjet e organizatës “Huta”, që merret me mbrojtjen e trashëgimisë, që të merreshin masat e duhura për mbrojtjen e kësaj pjese të trashëgimisë.
“Njoftojmë të gjithë qytetarët dhe mediumet që sot me datë 22.02.2023, ne si organizatë jo-qeveritare për kulturë dhe mbrojtje të trashëgimisë shpirtërore e kulturore ‘HUTA’ Tetovë, kemi dorëzuar kërkesë deri tek Kryetarja e Qytetit të Shkupit znj. Danela Arsovska dhe Kryetari i Komunës së Karposhit z. Stevço Jakimovski, dy organe kompetente për të ndaluar punimet në këtë lokalitet arkeologjik. Ftojmë të gjithë qytetarët dhe mediumet që të shpërndajnë këtë kërkesë, që të ndalohen punimet sa më shpejt, dhe të sigurohet vendi për zbulime të mëtutjeshme!”, ka njoftuar organizata “HUTA”.
Sipas historisë, Dardanët ishin fis ilir që shtriheshin në mesin e Ballkanit, kryesisht në Kosovën e sotme dhe rrethinën e saj dhe ata ishin fisi themelues i Mbretërisë së Dardanisë rreth shekullit IV p.e.s.
Ndërkohë, profesor Ylli Rijani në një intervistë është shprehur se pllaka e cila u gjet dy ditë më parë nuk është nga shekulli VI-të sepse aty nuk ka shënim dhe nuk daton ai shekull.
“Pllaka nuk është nga shekulli i Vl-të, por diku nga shekulli ll-të. Dikujt i intereson shek.VI sepse e lidh me ardhjen e sllavëve”, tha Ylli Rijani.