Zaret janë hedhur, kush do të tërhiqet?
Nga Bedri Islami--Protesta opozitare e së shtunës, ashtu si jo rastësisht ndodhi, e paqtë, më shumë një shëtitje se një demonstrim, ndryshe nga të tjerat dhe krejtësisht ndryshe nga sa kishte paralajmëruar dy ditë më parë, ish-shefi i qeverisë, për përplasje civile, zvarritje kryeministrore, dhunë e zjarr. Në të kundërtën njerëzit, gjithnjë e më pak se herët e tjera, pas thirrjeve të zakonshme “Rama ik”, thirrjeve për shefin e ri të partisë më të madhe opozitare, që i nxori edhe jashtë parlamentit, emrin e të cilit filluan të brohorasin, pasi shqiptarët nuk mund të bëjnë pa thirrur emrin e një lideri, dëgjimit të një muzike që shumica nuk e kuptonin, pritjes së çfarë mund të ndodhte dhe fjalës së Bashës, shkuan në shtëpitë e tyre.
Fare pak përpjekje për dhunë, që, më shumë se gjithçka tjetër saktësoi se në protestat e tjera dhuna ishte përgatitur pikërisht nga këto që tani i ftuan për paqësorë, dëshmoi se bombat molotov nuk kanë të bëjnë edhe aq shumë me fjalët kërcënuese, por me përgatitjen e fshehtë nga struktura të posaçme dhe, se aty ku nis burimi i tyre, aty edhe mund të përfundojë.
Duke mos përdorur dhunë morën përsipër se kishin qenë autorët e saj.
Pas pak ditëve opozita, e bashkuar ose jo, do të bëjë protestën e shtatë të saj, si quhet, kombëtare, megjithëse pak gjëra ka aty nga kombi, shteti dhe populli.
Çfarë do të ngjajë përtej protestave të dukshme dhe a janë hapur kanalet e nëndheshme për të arritur një marrëveshje të re, një kontratë të re, e cila, në formë mund të jetë ndryshe nga ajo e dy viteve më parë, por në thelb mund të jetë e njëjta gjë?
A do të arrijë Basha dhe Kryemadhi për të ulur hundën e Ramës, apo, ky i fundit do të qëndrojë deri në fund, duke krijuar një situatë ndryshe, të padëgjuar dhe që mund të ishte ajo që Moikom Zeqo e quan vdekja e bardhë e partive politike?
Cili prej tyre do të thyhet në këtë përplasje, e cila, më shumë se e ardhur nga një domosdoshmëri, është një fatkob i ri mbi fatin e Shqipërisë?
Opozita kërkon që zgjedhjet e 30 qershorit të mos bëhen pa opozitën. Ata, jo vetëm nuk do i njohin, por edhe kanë menduar dhe e kanë thënë haptas se do të bëjnë të gjitha përpjekjet, deri tek përplasjet e forcës, në çdo qendër votimi, për çdo kuti, duke sjellë para nesh vitin e mbrapshtë 1997, megjithëse e dinë fare mirë se asgjë nuk mund të përsëritet dy herë njëlloj.
Ndërhyrjet e vakëta dhe të vonuara të ndërkombëtarëve, të lodhur tashmë me vicklat e politikës shqiptare, sidomos sa herë që e djathta është në opozitë, në fakt ndërhyrje të shumëpritura nga opozita pas heshtjes së rëndë shurdhuese të diplomacisë ndërkombëtare, kanë sjellë idenë se vendi mund të marrë sado pak frymë dhe se mund të ketë një zgjidhje të momentit të fundit, si ka ndodhur jo pak herë kur kanë qeverisur socialistët.
E djathta në pushtet, faktikisht, asnjëherë nuk ka bërë kompromis apo marrëveshje të momentit të fundit; në të kundërtën, edhe kur i kanë rreshtuar në një “krokodil”, megjithëse kanë parë dhëmbët e ndërkombëtarëve, kanë mbetur gjithnjë në llogoren e tyre.
Po tani?
Të dhëna jo publike tregojnë se nëndheu i politikës po përpiqet të çelë sythet mbi tokën e politikës. Se çfarë sythesh do të çelin këtë nuk e di askush. Ndërkombëtarët, ndoshta, kanë shpejtuar “çeljen”, por nuk kanë mbjellë asgjë deri tani. Shkaku i hapur: lodhja nga politika shqiptare; shkaku i fshehtë: edhe kur kanë provuar, shpesh herë janë gjendur jashtë vorbullës.
Varianti i kërkuar nga opozita si kusht që nuk mund të negociohet është largimi i Edi Ramës si kryeministër dhe mos ulja në bisedime me të.
A mund të ndodhë? E vështirë, në mos e pamundur.
Edi Rama e di krejt mirë se, nëse ndodh kjo, atëherë ka ardhur koha që ai të largohet jo vetëm nga posti i shefit të qeverisë, por edhe si drejtues i socialistëve. Bashkë me të merr fund edhe statura e krijuar prej tij brenda së majtës, e njohur si Rilindja.
Do të ishte fundi i një rrjedhe politike, e cila filloi rastësisht, nga një rast i hidhur i jetës së tij private. Mund të ishte rizgjimi i së majtës, por kjo do të kërkonte kohë, shumë kohë, mund, ndarje mes vetes, përplasje në të majtën, të cilët “ delet” prej kohësh i kanë zbuar diku tjetër dhe nuk presin që përmes blegërimave demosociale të rimarrin veten.
Pranimi i Ramës për dorëheqje do të jetë largimi i tij nga politika, dëmtimi më serioz që do i bëhej së majtës në një periudhë të caktuar kohore, por, si çdo e keqe, edhe kjo mund të ketë një të mirë: në PS mund të fillojë katarsisi i vërtetë, një autoveting i njëmendtë, që do të sjellë në këtë forcë politike idetë e vërteta të së majtës, një vizion të ri për shtetin, marrëdhënie ndryshe me masën që përfaqëson dhe, mbi të gjitha, krijimin e një lidershipi të ri, i cili do të mund të kishte në mbrujtje figura të rrahura në vite të së majtës me të rinj idealistë dhe vizionarë.
Rama mund të pranojë dorëheqjen nga shefi i qeverisë, por të ulet në tryezën e bisedimeve si drejtues i forcës më të madhe politike, socialistëve.
Në këtë rast gjithçka do të jetë ilegjitime. Sepse, një figurë politike, përfaqësues i një force qeverisëse, të votuar për të drejtuar katër vite, në momentin e dorëheqjes nga besimi, ai nuk ka më legjitimitet për të drejtuar atë forcë, vizionin qeverisës të saj e braktis.
Në vitin 2017 Rama e bëri këtë, e bëri brenda një nate, pa pyetur askënd dhe pa marrë mendimin e askujt. Ai ul në një tryezë të veçantë me shefin e opozitës, në fakt një kleptoman të njohur, i dha në një qoshe dëmshpërblimin 15 milionësh euro për pallatin e vjehrrit të tij, i dha gjysmën e qeverisë, institucionet lumë-paguese, kur korrupsioni ka qenë gjithnjë galopant, i dha avokatin e popullit, ku Basha shpejtoi të dërgojë njerën nga mikeshat më të afërta të bashkëshortes së tij, kryetarin e KQZ, pra ndau pushtetin me opozitën,megjithëse askush nuk e kishte autorizuar.
Fati i Ramës ishte besimi i njerëzve tek ai, besim, i cili, pas katër viteve të para të qeverisjes, ishte ende në këmbë, duke fajësuar ende qeverinë Berisha për humnerën financiare ku ishte hedhur i gjithë vendi. Ky besim i dha atij dhe sidomos PS-së, një fitore të re, ata morën krejt të vetëm gjithë pushtetin ekzekutiv dhe mundësinë për të bërë çka kishin besuar se do e bënte një qeveri e së majtës dhe posaçërisht për të majtën.
Dorëzimi i Ramës, qoftë edhe duke qëndruar në tavolinë si drejtues i PS-së, është joreal, jo legjitim. Ai mund të jetë hapësirë për të ardhmen, por precedenti më i shëmtuar si abuzim me pushtetin politik.
Rama nuk jep dorëheqjen dhe vazhdon atë që ka premtuar në pesë letrat e tij. Në fakt ai po i shkruan një njeriu që nuk di të lexojë në shqip dhe që pret përkthimin në një gjuhë të huaj. Si një drejtues partie amorfe, pa organizim ku e ka shpënë Basha forcën e parë politike opozitare, dhe, duhet pranuar pa asgjë të veçantë deri tani në paraqitjen e tij publike, veç kopjes negative të Berishës, Rama nuk mund të presë një përgjigje.
Loja e letrave është ndoshta fshehja e asaj që po shkruhet në takimet e fshehta, por nuk mund të vazhdojë gjatë. Ato kanë po aq efekt sa ultimatumet e pafundme kineze kundër imperializmit. Të vjetrit e mbajnë mend se këto ultimatume shkuan në mbi 1000 sosh.
Mos tërheqja e Ramës mund të sjellë një gjendje të re politike. Në 61 bashkitë e vendit do të sundojnë përfaqësues të vetëm një force politike, së majtës, që ka edhe qeverisjen qendrore.
Kjo do e bëjë vitin 2021, vit të zgjedhjeve çparlamentare që e majta të futet në garë me kuajt shumë përpara opozitës dhe përsëri do të ketë kontestime të pafund nga opozita, që do të sjellin një zinxhir të pafund përplasjesh, sidomos po të vazhdojë të jetë aktiv në politikë Berisha.
Në 30 qershor nuk do të ketë përplasje civile. Ndoshta në disa qendra në ato zona ku PD mendon se janë bastionet e saj politike dhe forca e saj.
Mund të ndodhë, por kjo do të jetë vetëvrasja e trumcakut politik të opozitës dhe ringjallja për të dytën herë nga gabimet e fajet e opozitës të vetë Ramës.
Kush prek zgjedhjet, ai dënohet. Jo ligjërisht, por politikisht dhe ky është dënimi që nuk mund ta mbajë një forcë politike.
Zgjedhjet do të shtyhen në një datë tjetër. Të themi në nëntor. Ka një nëntekst kushtetues që mund ta lejojë, megjithëse politika nuk ka pyetur kurrë për kushtetutën. Vetëm kur i duhet si mburojë. Por jo si denjësi e mbarëvajtjes së kombit.
Presidenti Meta e hodhi këtë ide, që më shumë se ide presidenciale tingëlloi si ide bashkëshortore.
A e bën shtyrja e zgjedhjeve situatën më të qetë, më të mençur, më kreative, më marrëveshje bërëse?
A mund të futet opozita në zgjedhje, në një datë tjetër, me këtë qeveri, këtë shef qeverie, këtë rreshtim të forcave politike?
Në kampin opozitar janë disa jeniçerë të vjetër të politikës që ëndërrojnë të zaptojnë sa më shpejt bedenat e pushtetit. Ndoka, Shehi, Dule, Idrizi, Mediu, Vasili, Tritani i vockël dhe Paloka i çartur, nuk të joshin për marrëveshje.
Cilado rrugë provokon një precedent të ri politik, të paparë dhe të rrezikshëm. Krijon mundësinë e shembjes së shtetit sa herë t’i dojë qejfi opozitës, pavarësisht se kush është në opozitë e kush është në qeverisje.
Precedenti është më i rrezikshëm se sa të gjitha mundësitë e vëna në tavolinë.
Çfarë duhet bërë?
Një rrugë është më pak e dhimbshme: të bëhen zgjedhjet dhe, pas dy viteve, në rendin e zgjedhjeve parlamentare, të ribëhen edhe ato vendore.
Por kjo do të ishte vetëvrasja e opozitës.
Opozita i ka marrë në duar të gjitha mjetet e vdekjes së tyre të bardhë, qeveria u ka dhënë edhe mjete të tjera shtesë, por ka në duart e saj edhe mjetet e veta.
Kush do e shkrehë e para?