Tifozët kërcënojnë Behramin: Do të vrasim po erdhe në Brazil
Tifozët e Kombëtares braziliane nuk e kanë kapërdirë barazimin e skuadrës së tyre kundër Zvicrës të dielën në Kupën e Botës, dhe për më tepër kanë reaguar ashpër ndaj Valon Behramit, mesfushorit me origjinë shqiptare që luan prej 13 vitesh me Zvicrën.
Mesfushori nga Mitrovica gjatë barazimit 1-1 të Zvicrës kundër Brazilit ishte njëri nga futbollistët më të mirë në fushë.
Ai ishte bllokuesi i sulmuesit brazilian Neymar, teksa pothuajse gjatë tërë 60 minutave sa qëndroi dje në fushë, u përkujdes për mbulimin e sulmuesit të PSG-së.
Madje, Behrami ia doli me sukses ta bllokonte Neymarin në shumicën e rasteve.
E për këtë, mesfushori i Udineses është kërcënuar nga tifozët brazilian në rrjetin social Instagram.
Siç raporton media zvicerane “Watson.ch”, Behrami është vërshuar nga komentet në profilin e tij të Instagramit nga tifozët brazilianë, disa prej të cilëve e kanë kërcënuar edhe me vdekje.
“Nëse do të vish në pushime në Brazil, do të të mbysim”, shkruante një brazilian në drejtim të Behramit.
Ndërkaq, një tjetër kërcënues shkruante: “Ti je në listën e zezë të Brazilit”.
Por, kishte edhe nga ata që i thoshin Behramit se “nëse ke pasur punë me Neymarin, atëherë do kesh punë me tërë Brazilin”.
Komente të tifozëve brazilianë pati edhe në drejtim të së dashurës së Behramit, Lara Gutt, në profilin e së cilës po ashtu vërshuan komentet negative të brazilianëve.