Tërmeti i 21 shtatorit dhe 26 nëntorit, eksperti: Nuk do ketë të tretë
Profesori i njohur, Shyqyri Aliaj garanton se nuk do të ketë një tërmet të tretë të ngjashëm me tërmetin e 21 shtatorit dhe me atë të 26 nëntorit, ndërsa jep edhe faktet shkencore ku bazohet në këtë konkluzion të tij.
Sizmologu thotë se të gjitha pasgoditjet që pasuan tërmetin e madh të 26 nëntorit po shkojnë drejt shuarjes.
“Jo nuk do të ndodhë një i tretë! Çdo tërmet ka një zonë vatre, ka volum, ka shtrirje… Vatrat e vendit tonë janë vatra në koren e tokës që shkojnë nga 50 deri në 70 km. Vatra e tërmetit të fundit ishte me shtrirje të vogël, 40 km nga Durrësi deri në Gjirin e Drinit. Në këtë segment 40 km do kohë që të përpunohet e gjitha. Pra këto pasgoditje që kanë ndodhur këto ditë kanë ardhur pasi po përpunohet vatra. Tashmë pasgoditjet po shkojnë drejt shuarjes. Aktiviteti sizmik po shuhet. Në ditët në vijim Tirana nuk duhet të shqetësohet. Pasgoditjet mund të ndjehen pak në zonat bregdetare. Në ditët në vijim këto do të rrallohen, mund të jetë ndonjë me magnitudë më pak se 4, por më të mëdha nuk do të ketë.
Është një zonë që akumulon energji dhe vjen koha që një energji e akumuluar që bëhet aq e madhe që është në mes dy pllakave afrikane me pllakën europiane. Kur përplasen këto pllaka, pllaka afrikane zhytet futet poshtë pllakës euroaziatike, e saldojnë shkëmbin dhe gjenerohet tërmeti. Është një lëvizje e kontinenteve. Ky ndërveprim gjeneron tërmete në ultësirën perëndimore të Shqipërisë”, është shprehur Shyqyri Aliaj.