Sulm me armë zjarri mbi policinë në veri
Sot në orët e hershme të mëngjesit, është sulmuar një njësi patrulluese kufitare, në fshatin Zupçe të Zubin Potokut.
Rastin për RTKlive.com e konfirmon Zyra për Media e Policisë së Kosovës në Prishtinë.
“Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme policore”, shpjegon policia.
“Në vendngjarje kanë dalë edhe njësitet policore të rendit nga stacioni policor Zubin Potok, të cila kanë njoftuar se njësiti kufitar është sulmuar me armë zjarri”.
Policia deklaron se përveç dëmeve materiale në automjet, nuk raportohet për zyrtarë të policisë të plagosur.
“Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin”, sqaron policia.
Njëkohësisht, policia deklaron se ka shtuar masat policore me qëllim të sigurisë së zyrtarëve policorë dhe qytetarëve.
Kjo nuk është hera e parë që policia e Kosovës sulmohet në veri të vendit.
Edhe Lista Serbe përmes një komunikate për media ka dënuar incidentin duke deklaruar se ai ka qëllim destabilizimin e situatës, por është edhe përpjekje që serbët e Kosovës të paraqiten si të dhunshëm, i cili nuk përkon me raelitetin.
Sipas Listës Serbe, kushdo që e ka bërë atë vepër nuk ia do të mirën popullit serbëve.
Ndryshe ditë më parë, u sulmua gjithashtu një patrullë e policisë kufitare, kurse para disa javësh raste të ngjashme ndodhën edhe disa herë të tjera.
Institucionet e Kosovës dhe zyrtarët e saj, javëve të fundit janë duke dhënë alarmin për përpjekjet e Serbisë që të destabilizojë këtë pjesë të vendit me qëllim të zhvendosjes së vëmendjes nga agresioni rus në Ukrainë.
Jeton Musliu / RTKlive.com