Si të flasësh me vajzat
1. Kur do të sigurosh simpatinë e një vajze, lëvdo bukurinë e saj: sidomos kur ajo nuk është e bukur. I thuaj se nuk ke parë kurrë dy duar më elegante se të sajat, o një gojë të formuar kaq bukur, o një ballë kaq të përkryer, o flokë kaq të dendur e të shkëlqyer. Mos u kufizo kurrë në lëvdata të përgjithshme, në vlerësime të zbehta e emfatike. T’i thuash një vajze: «Jeni shumë e bukur» o «Jeni e mrekullueshme» o «Nuk kam takuar kurrë një krijesë kaq të hijshme», nuk vlen absolutisht për asgjë. Nëse ajo është vërtet e bukur, nuk do t’u jetë mirënjohëse për një kompliment që vlen njësoj si çdo konstatim i thjeshtë që kushdo mund ta bëjë e që çdo kalimtar e shpreh, me fjalë o me shikim, pak a shumë me të njëjtat terma. Nëse përkundrazi nuk është tepër e bukur o nuk është fare, nuk do të mund të bëjë gjë tjetër, veç do të çuditej me komplimentin tënd duke menduar se po talleni me të o keni qëllim vetëm lajkatues. Nuk mund të thuash: «Ç’bukuri!» për një vajzë të mahnitshme, sepse është një konstatim banal, si të thuash: «Ç’vapë» në kulmin e verës. Nuk mund të thuhet: «Ç’mrekulli» për një vajzë të llahtarshme, sepse do të ishte një idiotësi o një shaka me shije të keqe, si të thuash: «Ç’kënaqësi!» kur të shkelin këmbën.
Por nëse ti di të lëvdosh bukurinë e një vajze të përkryer në një formë më të saktë, që të ndriçojë një aspekt o një anë të veçantë të hijeshisë së saj fizike (për shembull, përthyerjet e buzëve o ndonjë gropëz në faqe kur qesh, linjën e hollë e të gjatë të vetullave, shkëlqimin e bebes së syrit); nëse tek vajza e shëmtuar zbulon një veçanti realisht të pëlqyeshme e të lakmueshme (për shembull, finesën e hundës, vogëlsinë e veshit, përsosjen e qafës, o edhe thjesht mënyrën si e mban cigaren ndërmjet gishtave), si e para edhe e dyta do të të jenë mirënjohëse që ke zbuluar diçka që të tjerët nuk e kanë vënë re: një aspekti të veçantë të bukurisë së tyre, o një diçka e përkryer në aspektin e mjerueshëm të tyre fizik. Kjo diçka do të ketë një peshë të madhe në marrëdhëniet e tyre me ty. Ato do të jenë krenare e do të të jenë mirënjohëse si për një dhuratë.
2. Kur do t’i bësh një vajze një bisedë interesante, ndiq pra metodën e vjetër duke i folur për veshjen, për stolitë, për elegancën femërore në përgjithësi: por tregohu kompetent dhe i pajisur me shije të hollë. Vajzat vlerësojnë shumë djemtë që marrin vesh nga veshjet. E kanë frikë nga gjykimi i tyre e bëjnë gjithçka për t’u bërë të mbara o të urta. Sidomos kur janë të vetëdijshme se nuk janë tepër elegante e origjinale; o megjithëse duke pasur shije të mira, nuk munden, për arsye praktike, t’ia lejojnë vetes luksin për t’u veshur mirë.
Kur je i shoqëruar me një vajzë, kritiko në mënyrë të pamëshirshme tualtetet e të gjithë të tjerave. Kur ajo të shfaqet para syve me një veshje të re, trego interes si për një gjë të rëndësishme. Duke analizuar të gjitha anët bëj ndonjë vërejtje të lehtë e të shpejtë për ndonjë mungesë të vogël, lëvdo vlerat dhe efektet, me admirim gjakftohtë të një kompetenti. Do të shikosh si do të dridhet nga ankthi e nga pasiguria për fjalët e para, të zbehet a të sikletoset për çdo vëzhgim të vogël të pafavorshëm, të shkëlqejë nga gëzimi e nga mirënjohja për çdo fjalë që përmban lavdërim. Por është e nevojshme që gjykimi yt të mos tradhëtojë kurrë entuziazmin e dëshirën për kënaqësi: prandaj duhet të jetë i ftohtë, i paanshëm, i çinteresuar. Për këtë, nuk është e domosdoshme që t’i të humbësh kohë së lexuari revistat e modës o të konsultohesh me rrobaqepës e modeliste të qytetit me qëllim që të formosh një kompetencë serioze e të sigurtë: kompetenca stimulohet o improvizohet sipas mundësisë, me pak shije të mirë e pak paturpësi.
3. Fol lirshëm për të kaluarën tënde. Mos u bëj merak për këtë. Vajzat vlerësojnë të dashurit e tyre në bazë të numrit të vajzave që kanë dashur më parë. Mos u trego krenar për fitoret e tua të kaluara, por mos i fshih. Mos fol për iniciativën tënde, por kur bie fjala mos u bëj kryeneç, o i druajtur, o modest, o falso. Fol për to: por me finesë; me atë aftësi që konsiston në lënien së kaluarës të disa këndeve të errëta të aventurave të tua: me lirshmëri: me një ton indiferent e me një farë ndjenje «romantike» e «pasionale».
4. Diskuto me çiltërsi për gjithçka që mund të të ngrejë vlerat e mund të rrisë konsideratën që një vajzë ka për ty. Fol për udhëtimet e tua, nëse ke bërë shumë, e që meritojnë me të vërtetë të dëgjohen:
Nëse jeta jote është e zbrazët e pashije, trillo.
Asnjë vajzë s’do të qortojë kurrë se e ke gënjyer që t’i pëlqeje më shumë. Në fund të fundit më mirë një gënjeshtër e bukur se një realitet i shëmtuar e i palëvizshëm.