Shprehja “Feja e shqiptarit është shqiptaria” ka kuptimin e unitetit kombëtar dhe të respektit ndërreligjioz
Bardhyl Mahmuti-Shprehja emblemë e Rilindjes sonë Kombëtare, “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, ka kuptimin e unitetit kombëtar dhe të respektit ndërreligjioz
Pa e kuptuar përmbajtjen dhe fushën kuptimore të fjalës “FE”, ka rrezik të madh të interpretohet gabimisht shprehja “Feja e shqiptarit është shqiptaria”.
Në shkrimet paraprake solla argumente që dëshmojnë se mohimi i historisë, i gjuhës, i kulturës dhe i personaliteteve kombëtare shqiptare ishte strategji e politikave antishqiptare, e përpiluar në “Kuzhinat” e ashtuquajtura akademi të shkencave dhe të arteve të Serbisë dhe të Maqedonisë. Do të ishte me interes që kjo çështje të trajtohet edhe në relacion me strategjinë e Greqisë.
Shkrimet kanë për qëllim të sensibilizojnë çdo shqiptar, për faktin se të gjithë ata shqiptarë që përhapin gënjeshtrat, se gjoja “në Kosovë nuk ka pasur shqiptarë para ardhjes së Perandorisë Osmane”, se kinse “shqiptarët e kanë pushtuar Kosovën me ndihmën e kësaj perandorie”, se gjoja “shqiptarët, në mungesë të historisë së tyre, vjedhin personalitet historike të serbëve, maqedonasve dhe të tjerëve”, se gjoja “Skënderbeu nuk është Hero Kombëtar shqiptar”, se gjoja “Nënë Tereza nuk është shqiptare” e kështu me radhë, i bëjnë një shërbim të madh politikës antishqiptare të Beogradit, të Shkupit, Athinës dhe qarqeve të tjera që nuk na e duan të mirën. Qofshin të vetëdijshëm, qofshin të pavetëdijshëm, ata bëjnë një dëm të madh!
Në shkrimin e sotëm do të përqendrohem në figurën e shquar kombëtare, Pashko Vasa (i njohur edhe si Vaso pashë Shkodrani), i cili është bërë objekt i sulmeve të gjithanshme për shkak të vargut “Feja e shqyptarit asht Shqyptaria”, që u shndërrua në emblemë të Rilindjes sonë Kombëtare.
Siç do të shohim më poshtë, shkëputja e vargut “Feja e shqyptarit asht Shqyptaria” nga konteksti artistik e historik i kryeveprës së rilindësit tonë kombëtar të titulluar “O moj Shqypni, e mjera Shqypni” dhe sidomos interpretimi religjioz i këtij vargu, është në funksion të strategjisë së lartpërmendur.
Për të shmangur, aq sa është e mundur, manipulimet me njerëzit e painformuar, e shoh të domosdoshme të sqarohet kuptimi i vërtetë i këtij vargu. Sqarimi i kuptimit të këtij vargu nuk është i mundur të bëhet, nëse nuk marrim parasysh kuptimet e vërteta të nocioneve që përdoren në kontekstin shoqëror shqiptar dhe në periudhën historike të krijimit të shteteve kombëtare në Ballkan.
Për këtë arsye, fillimisht do të ndalem te kuptimin i fjalës “FE”. Pa e kuptuar përmbajtjen dhe fushën kuptimore të kësaj fjale, ka rrezik të madh të interpretohet gabimisht shprehja “Feja e shqyptarit asht Shqyptaria”. Sa i përket kësaj çështjeje, do të kufizohem vetëm në minimumin e asaj që është e nevojshme, për ta bërë të kapshme temën që po trajtoj.
Në bazë të studimeve të etimologëve të ndryshëm, rrënja e fjalës indo-europiane “beidh”, që shpreh “idenë e besës-të fjalës së dhënë”, “idenë e premtimit të mbajtur”, “idenë e një besimi”, “idenë e një bindjeje”, qëndron në origjinën e fjalës latine “fides”. Kjo fjalë kishte kuptim shumë të gjerë dhe i tejkalonte kuptimet e riteve që bëheshin për hir të perëndeshës Fides. Nën ndikimin e Perandorisë Romake, shumë popuj do ta përdorin këtë fjalë për të përcaktuar “idenë e bindjes”, “idenë e besimit” etj. Kështu, në frëngjishten e vjetër, fjala me prejardhje latine “fides” për “bindjen, besimin…”, merr trajtën “fay” (që shqiptohej “fe”) në frengjishten e vjetër, në italisht “fede”, në gjuhën spanjolle “fe”, në gjuhën portugeze “fe”… dhe në gjuhën shqipe “fe”.
Pra, fjala “FE”, si nocion i përgjithshëm, mbulon një fushë shumë më të gjerë përmbajtjesore dhe kuptimore të besimit dhe bindjes. Ndërsa, “besimi në Zot” përbën vetëm një kuptim të fjalës “FE”. Për të shmangur shumëkuptimësinë e kësaj fjale, në një numër të madh gjuhësh, jo vetëm me prejardhje nga “gjuha latine” , është krijuar nocioni “religjion”, si “rilidhje në besimin te Zoti”.
Dallimet semantike të dy nocioneve ishin shumë të qarta për veprimtarin e shquar të çështjes kombëtare shqiptare, Vaso pashë Shkodrani. Fjala “FE”, në kuptimin e besimit, të bindjes…, përcakton besimin, bindjen… e individëve ndaj shumë fenomeneve (natyrore dhe shoqërore), ndërsa religjioni është “feja” (besimi, bindja…) vetëm ndaj Zotit.
Duke qenë njohës shumë i mirë i zhvillimeve politike ndërkombëtare dhe funksionimit të Perandorisë Osmane, për të cilën kishte punuar në detyra të ndryshme deri në fund të jetës së vet, Vaso Pashë Shkodrani ishte i vetëdijshëm se pranisë së Perandorisë Osmane në Ballkan i kishte ardhur fundi. Ky kontekst historik krijoi rrethana të favorshme historike për themelimin e shteteve kombëtare edhe në këtë pjesë të Europës.
Në kontekstin rajonal, fqinjët e shqiptarëve ishin mobilizuar për të pamundësuar krijimin e shtetit shqiptar dhe për të gllabëruar territoret e tyre. Fatkeqësisht, edhe në planin e brendshëm, situata nuk ishte aspak e mirë. Krahas qarqeve politike ndërkombëtare (ballkanike dhe më gjerë) në këtë luftë antishqiptare ishin mobilizuar edhe një numër përfaqësuesish religjiozë. Kështu, një pjesë e strukturave religjioze në territoret tona të asaj kohe ishin instrumentalizuar nga qarqet politike që kundërshtonin krijimin e shtetit shqiptar. Si rezultat i këtij instrumentalizimi, përçarja ndërshqiptare ishte e madhe dhe përbënte pengesë në realizimin e aspiratave tona kombëtare.
Vatikani, si në kohën e sotme që ngurron ta njohë pavarësinë e Kosovës, kundërshtonte themelimin e shtetit shqiptar, për shkak se përkatësia fetare e shumicës së shqiptarëve ishte e religjionit islam. Në përputhje me këtë qëndrim të Vatikanit, një pjesë e priftërinjve katolikë u vunë në shërbim të pengimit të krijimit të shtetit shqiptar. Për të njëjtat motive, edhe priftërinjtë ortodoksë ranë nën ndikimin e kishave ortodokse të popujve që kishin ambicie grabitqare ndaj territoreve shqiptare. Ndërsa një numër hoxhallarësh të ndikuar nga Kalifati i kontrolluar prej Perandorisë Osmane, luftonin krijimin e shtetit shqiptar dhe përpiqeshin të shpëtonin të “Sëmurin e Bosforit”.
I revoltuar me situatën e pafavorshme politike, të brendshme dhe atë ndërkombëtare, Vaso pashë Shkodrani ngre zërin kundër përçarjes:
“Shqyptar’, me vllazen jeni tuj u vra/ Ndër nji qind çeta jeni shpërnda;/ Sa thonë kam fe sa thonë kam din;/ Njeni: “jam turk”, tjetri: “latin”/ Do thonë: “Jam grek”, “shkje” disa tjerë,/ Por jemi vllazen t’gjith more t’mjerë!”
Mobilizimi i qarqeve antishqiptare kishte për qëllim që të shkatërronte “FENË” e popullit shqiptar, “FENË” në kuptimin e besimit dhe bindjes, se mund të krijohej shteti shqiptar në Ballkan. Për një patriot dhe besimtar në Zot, si Vaso pashë Shkodrani, misioni i krijimit të shteteve kombëtare, në të njëjtën masë si edhe misionet tjera madhore, janë misione të përcaktuara nga Zoti. Mobilizimi në funksion të këtij misioni tokësor është sprovë hyjnore për çdo njeri, për çdo popull. Ndërsa termi “shqiptari” ngërthen në vetvete dashurinë për atdheun dhe për çdo shqiptar, pa marrë parasysh pikëpamjet e tij religjioze.
Nëse u hedhim një sy zhvillimeve historike, do të shohim se kemi rreth 8000 etni, sa mendohet se ekzistojnë aktualisht në botë, ndërsa vetëm 200 prej tyre kanë arritur të kenë shtete kombëtare (192 shtete anëtare të OKB-së dhe 8 shtete në pritje të anëtarësimit). Ata që nuk kuptuan domosdoshmërinë e krijimit të shteteve kombëtare dhe gatishmërinë për të sakrifikuar për këtë mision madhor, do të vazhdojnë të përjetojnë të gjitha format e diskriminimit. Në kohën kur nga shqiptarët kërkohej që të mobilizoheshin për të shpëtuar qenien e tyre kombëtare, për Vaso pashë Shkodranin FEJA (besimi, bindja) në shqiptari jo vetëm që nuk është në kundërshtim me religjionin, por është sprovë hyjnore që shtrohet para çdo shqiptari!
Kërkoj nga lexuesi që t’i kthehet dhe ta lexojë edhe një herë poezinë “O moj Shqypni, e mjera Shqypni”. Në strofën e fundit të saj, përcaktohet, në mënyrë të qartë, misioni kombëtar i shqiptarëve të asaj kohe, që të mobilizohen për të krijuar shtetin e tyre në territoret tona.
“Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë,/Gjithkund l’shon dielli vap’ë dhe rreze,/ Asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë/Kush mos na e preki, se desim t’tanë/ Të desim si burrat që vdiqnë motit/Edhe mos marrohna përpara Zotit.”
Në këtë strofë shihet qartë se Vaso pashë Shkodrani besonte në Zot dhe kishte frikë, që për shkak të përçarjeve, shqiptarët të turpëroheshin para Zotit, në realizimin e misionit për shtetin e tyre kombëtar.
Vetëm duke pasur parasysh kuptimet e fjalës “FE”, mund të kuptohet drejt mesazhi “feja e shqiptarit është shqiptaria”. Në këtë kontekst historik, që ishte përcaktues për ardhmërinë e kësaj pjese të Ballkanit, u shpëtua një pjesë e territorit tonë dhe u krijua shteti shqiptar. Kjo ndodhi falë atdhetarëve të mirëfilltë shqiptarë (të religjionit islam dhe të krishterë), të cilët e kuptuan se, kur është në rrezik çështja kombëtare, feja (besimi, bindja) kombëtare e shqiptarit është shqiptaria. Ata ishin të vetëdijshëm se dashuria për atdheun dhe për njëri-tjetrin ishin të domosdoshme për t’u bërë ballë furtunave të kohës. Në këtë kontekst historik, shprehja “feja e shqiptarit është shqiptaria”, u shndërrua në emblemë të unitetit kombëtar dhe të respektit të dallimeve religjioze.
Është e vërtetë se atdhetarët e asaj kohe kishin dallime sa u përket bindjeve religjioze. Shumica ishin myslimanë, që besonin tek Allahu dhe në këtë drejtim feja e tyre ishte islami; pjesa tjetër ishin të krishterë, që besonin në Trininë (Atin, Birin dhe Shpirtin e Shenjtë) dhe feja e tyre ishte krishterimi, por kur kishin të bënin me çështja kombëtare, ata ishin shqiptarë, dhe në këtë relacion: FEJA, BESIMI DHE BINDJA E TYRE ISHTE SHQIPTARIA.
Ata që kanë pasur dhe që kanë qëllim të keq, si dhe viktimat e propagandës së tyre, kanë qenë dhe janë kundër besimit dhe bindjes se në momentet KUR RREZIKOHET ÇËSHTJA KOMBËTARE, FEJA (BESIMI, BINDJA) E SHQIPTARIT ËSHTË SHQIPTARIA! Por falë sakrificave të gjeneratave të mëvonshme, që krahas bindjeve të ndryshme religjioze ndoqën TË NJËJTËN rrugë të atdhedashurisë dhe respektit për njëri-tjetrin, u arrit të krijohet shteti i pavarur i Kosovës. Lufta politike për të humbur “FENË” (besimin, bindjen…) kombëtare të shqiptarëve në shqiptari, është luftë e përditshme e armiqve tanë kombëtarë.
Sqarimet e mësipërme u mundësojnë shqiptarëve të painformuar, që të kuptojnë se Vaso pashë Shkodrani nuk pretendonte të krijonte një besim të ri religjioz, por të forconte besimin dhe bindjen, se uniteti kombëtar është i domosdoshëm për t’i përballuar ambiciet armiqësore të fqinjëve. Çdokush që e ka të qartë etimologjinë dhe shtrirjen kuptimore të fjalës “FE”, do të ketë mundësi të shmangë grackat që kurdisin shërbëtorët në funksion të përçarjes së shqiptarëve.
Uniteti kombëtar dhe respekti ndaj llojllojshmërisë religjioze kanë qenë halë në sy për armikun. Për këtë arsye, sidomos pas përfundimit të luftës në Kosovë, nxitja e armiqësive religjioze mes shqiptarëve, doli në skenë si asnjëherë më parë. Fatkeqësisht, për motive që nuk janë transparente, teologë të ndryshëm i kanë fryrë përçarjes, duke e atakuar atë, e cila për një kohë të gjatë është konsideruar si vlerë kombëtare. I tillë është sulmi ndaj Vaso pashë Shkodranit dhe emblemës së unitetit dhe respektit religjioze që sintetizohej në shprehjen “feja e shqiptarit është shqiptaria”.
Shumë teologë dhe “intelektualë” të fushave të ndryshme u vërsulën në mënyrën më të vrazhdë të mundshme për të përdhosur figurën e Vaso pashë Shkodranin dhe të të gjithë atyre që mbështesnin idenë e unitetit. Edhe në këtë rast do të veçoj teologun, Irfan Salihu, si bajraktar i përhapjes së qëndrimeve antishqiptare nëpërmes internetit. Me një agresivitet të paparë, ai i cilëson si ““bërllok të gjithë ata që thonë se “Feja e shqiptarit është shqiptaria””. Sipas tij, “ata janë pleh që e kanë haram të varrosen në varrezat e muslimanëve; është haram me ua falë xhenazen; është haram me ua la xhenazen. Allahu nuk ka me i falë…”. Prandaj, hoxhë Irfan Salihu e kualifikon si serb, si “Millorad”, atë që mbështetë thënien “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, dhe kërkon nga shqiptarët myslimanë t’i lutet Allahut që “Milloradin ta çojë te Milloradi, te Tereza, te Skëndërbeu…” (http://gazetametro.net/hoxha-per-shqiptaret-haram-me-i-fut-ne-varre-ata-qe-thone-se-feja-e-shqiptarit-video/).
Jo vetëm Irfan Salihu, por me dhjetëra hoxhallarë kërkonin publikisht të njëjtën gjë, për më shumë se dy dekada rresht. Besimtarët islam bombardoheshin pa reshtur me “zbulimet e dijetarëve të rinj” se gjoja ““Feja e shqiptarit është shqiptaria” është budallaki e Vaso Pashës””, se “Shqiptaria është fe e mushrikit (e jo besimtarëve)”, “Nacionalizmi është kufër (mosbesim)” e kështu me radhë. Përmes qëndrime të tilla dhe të ngjashme me to, kërkohej haptazi që të bëhet ndarja e myslimanëve, nga “ata të cilët vendin e kanë në xhehenem”.
Një sintezë e ligjërimeve përçarëse përmblidhet në fjalët e mëposhtme: “Myslimani duhet me i pasë shokë ata që Allahu i do, me i dashtë ata që Allahu i do, me i urrejtë ata që Allahu nuk i do, me pasë armiqësi ndaj atyre që Allahu i urren”. Njerëzit, që Allahu nuk i do, janë “njerëz që në emër të popullit, në emër të nacionalitetit apo në emër të prejardhjes i klasifikojnë njerëzit e tjerë, dhe në këtë mënyrë, njeriu e ka adhuruar ndokënd tjetër pos Allahut. Nëse dikush thotë se të gjithë shqiptarët duhet me u dashtë, pa marrë parasysh se i cilit besim është, ai ka adhuruar gabimisht. Apo nëse dikush beson se duhet me i dashtë të gjithë që e kanë prejardhjen sikur ai, pa marrë parasysh cilës fe i përkasin, ata me këtë e kanë adhuru prejardhjen e tij […] Nëse njeriu adhuron diçka tjetër pos Allahut, ai njeri nuk vlen […]”. (https://www.youtube.com/watch?v=faeSkHhxBoo).
Kërkesat për ndarjen e shqiptarëve në baza religjioze, nxitjen e urrejtjes ndaj besimtarëve të religjionit tjetër, fyerjet drejtuar atyre që nuk pranojnë të bien pre e nxitjeve të konflikteve mbi baza religjioze, por të cilët këmbëngulin në respektin ndërfetar dhe unitetin kombëtar, janë aq të shumta sa do të përmblidheshin në një libër disavëllimësh prej mijëra faqesh.
Po përmend vetëm rastin e fundit. Kërkesa publike e Bedri Bytyçit, imamit të fshatit Fortesë të komunës së Rahovecit, që “hoxhallarët të mos marrin pjesë në varrimin e Hilmi Haradinajt, por si xhematë t’i shkojnë kryqalitë”, është rezultat i strategjisë antishqiptare. Kërkesë e tillë i ka rrënjët në Beograd, sepse familja Haradinaj, me Smajlin dhe Hilmiun, me Shkëlzenin, Luanin, Enverin, Ramushin, Nasimin, Dautin, Agronin (…), me gjakun dhe sakrificat e mëdha, qëndron në themelet e çlirimit të Kosovës nga Serbia.
Sikur të kishim reaguar me kohë kundër deklaratave që cilësojnë si “plehra dhe bërllok ata që kanë në shpirt unitetin kombëtar dhe respektin ndër-religjioz”, deklarata si të teologut Bedri Bytyqi nuk do të kishim dëgjuar sot. Si do t’i dukej Irfan Salihut dhe të gjithë atyre që kanë përhapur frymën e urrejtjes, të gjithë pa përjashtim, deri te ky i fundit Bedri Bytyçi, nëse dikush do t’i quante “plehra, që e kanë qelbur hapësirën tonë kombëtare”? Kjo gjuhë është përçarëse dhe nuk shkon në dobi të unitetit dhe respektit të ndërsjellë. Askujt nuk i ka hije të shprehet me terminologji aq denigruese.
Po u rikujtoj këtyre teologëve, që kanë hyrë në shërbim të përhapjes së urrejtjes ndër-shqiptare, se, sipas religjionit islam, nga 99 emrat e Allahut, emrat “ar-Rahman” dhe “ar-Rahim” kanë kuptimin e “Gjithëmëshirshmit” dhe “Mëshirëplotit”. Po u rikujtoj gjithashtu se nga 114 Sure sa ka Kur’ani gjithsejt, 113 prej tyre fillojnë “Në emër të Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit”! Teologëve të këtij lloji nuk u mbetet gjë tjetër, pos të pendohen për dëmin e madh që u kanë bërë shqiptarëve. Ata duhet të kërkojnë mëshirë nga Allahu për përçarjet, shpifjet, përhapjen e propagandës antishqiptare dhe për kompetencat që kanë marrë, për të caktuar se kush e ka vendin në xhehenem e kush do të shkojë në xhenet. Nëse nuk janë verbuar nga shërbimet antishqiptare, pjesë e së cilave janë bërë në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme, atëherë le të shpresojnë në mëshirën e Allahut, se në këtë botë shumë urrejtje kanë shpërndarë.
Për të parandaluar përkeqësimin e gjendjes në të cilën ndodhemi dhe për të pamundësuar realizimin e plotë të strategjisë për përçarjen e shqiptarëve mbi baza religjioze, ministritë e Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe kuadri pedagogjik shqiptar në Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës duhet të përfshijnë në njësitë mësimore domosdoshmërinë e ndriçimit, ndër të tjera, edhe të shprehjes emblemë të Rilindjes Kombëtare shqiptare “feja e shqiptarit është shqiptaria”. Vetëm ndriçimi i plotë i kuptimit të vërtetë të kësaj embleme do të mbronte fëmijët tanë nga gracka armiqësore e përçarjes religjioze. Vetëm në këtë mënyrë institucionet edukative dhe arsimore mund të kryejnë misionin për një unitet kombëtar dhe tolerancë fetare.
P.S. Disa mendime lidhur me këtë problematikë i kam trajtuar në vitin 2010 dhe janë publikuar në shkrimin e titulluar “Feja dhe Religjioni: sprova kombëtare si mision hyjnor”.
Shpërndaje artikullin në: