Rinis dialogu, çfarë pritet të ndodhë sot në ditën e fundit të takimit Bushati-Kotzias
Kanë rinisur bisedimet mes dy vendeve Shqipëri dhe Greqi pas dy ditës dialogu mes dy ministrave të jashtëm të dy vendeve.
Ministri Bushati dhe homologu i tij janë takuar paraditen e sotme rreth orës 10:00 për të përfunduar dialogun e nisur dy ditë më parë.
Një ditë më parë në një deklaratë për mediat Bushati tha se diskutimet janë të vështira, pasi shtrihen në një periudhë të gjatë historie.
Ai tha se gjatë ditës së sotme është bërë progres, ndërsa theksoi se temat e diskutimit nuk janë sekret.
“Këto janë diskutime jo të lehta, sa i përket faktit që tematika është e gjerë, e shtrirë në kohë në 70 vjet histori. Mund t’ju them që edhe në Korçë kemi bërë progres të qenësishëm. Nesër do të jetë gjithashtu një ditë e rëndësishme për vijimin e bisedimeve. Nuk ka asgjë sekrete, sepse temat janë thënë nga të dyja palët.
Jemi në procesin e shtjellimit të mëtejshëm të argumenteve dhe shpresoj edhe drejt zgjidhjeve konkrete”, tha Bushati.
Diskutimet, edhe në ditën e dytë të tyre, janë zhvilluar në një hotel të njohur të qytetit të Korçës, ndërsa asnjë informacion nuk rrjedh nga salla “hermetike” e hotelit.
Në përfundim të ditës së tretë të bisedimeve, do të ketë një deklaratë të përbashkët zyrtare për rezultatet e tyre.