Rama: Mjaft me gjyqe qesharake,nëse nuk justifikojnë pasuritë do t’iu sekuestohet gjithçka
Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të paketës “Anti KÇK” u dha ultimatum ’bosëve’ dhe të ‘fortëve’, teksa u shpreh që nëse nuk justifikojnë pasuritë, brenda muajit do t’iu sekuestohet gjithçka.
Ai shtoi se që nga nesër një letër do u drejtohet këtyre subjekteve dhe brenda 48 orëve do u kërkohet të plotësojnë kërkesat e formularit për burimin e pasurisë së tyre.
Pjesë nga fjala e Edi Ramës:
Mua më vjen mirë që arritëm kollaj që të hapim një proces historik transformimi shumë të thellë dhe nga ana tjetër iu japim ligjin special KÇK. Nga nesër një letër do t’iu drejtohet këtyre subjekteve ku do të plotësojnë kërkesat e formularit për burimin e pasurisë së tyre. Ky formularë do të kalojë te SPAKU, pastaj në Gjykatë. Brenda 48 orësh duhet të plotësojnë kërkesat e formularit për burimet e pasurisë së tyre. Pastaj, formularët do të shkojnë tek SPAK-u dhe pastaj në Gjykatë. Ata duhet të dëshmojnë se sa shumë e kanë punuar tokën dhe sa shumë portokalle kanë mbledhur, se sa shumë janë lodhur dhe stërmunduar në fasoneri, se sa shumë kanë kursyer nga puna e tyre e stërndershme brenda dhe jashtë vendit nëse duan të mbajnë pasurinë. Përndryshe, gjithçka që ata kanë sot do të jenë pronë e shtetit dhe në radhë të parë e Policisë së Shtetit. Gjithçka! Nuk do vazhdojmë në ato proceset fantastike gjyqësore që na kanë bërë gazin e botës ku në fund fare persona me burgim të përjetshëm dalin për të punuar në komunitet. Kjo ka afate. 48 orë formulari, deri në 15 ditë SPAK-u, pastaj deri në 15 ditë gjykata dhe pastaj lamtumirë prona juaj! Me pasuritë e tyre do të rrisim rrogat tuaja. Do të shërbejnë si burim për të shpërblyer punën tuaj, do të rrisim mbështetjen për fëmijët e policëve të vrarë…
“Një kohë ekstreme kërkon masa ekstreme dhe ne jemi gati për përballje ekstreme me krimin”.
Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama në repartin RENEA ku është trajnuar Njësia Operacioni Forca e Ligjit.
Rama ishte i pranishëm për të prezantuar ligjin special të miratuar dy ditë më parë, për masat pasurore.
“Tanimë ne kemi në dispozicion një instrument të jashtëzakonshëm në duart e shtetit. Ligji special. Kemi edhe një garanci më shumë që është SPAK-u. Kam shumë besim se jemi në kohën e duhur dhe kemi forcat e duhura për një ndryshim historik”, tha KM para trupës speciale të Policisë.
Rama shtoi se Atdheu duhet të bëhet i parehatshëm për krimin.
“Atdheu nuk mund të jetë sheshi për ta bërë përshesh ata që kanë lyer duart edhe me gjakun e oficerëve dhe policëve të vrarë. Atdheu duhet të jetë ferri i tyre”, tha ai ndër të tjera.
Një Njësi Speciale (OFL – Operacioni Forca e Ligjit) pas 6 muajsh trajnim, pritet të dalë në terren për të zbatuar “Ligjin Special” sic e quajti kryeministri