Rama: E përgëzoj Kurtin që pranoi propozimin evropian për të avancuar drejt zgjidhjes për Asociacionin
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përgëzuar homologun e tij të Kosovës, Albin Kurti, për pranimin e draftit të Bashkimit Evropian për Statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kurti është pajtuar që ky draft i prezantuar në Kosovë e Serbi nga pesë diplomatë perëndimorë, të jetë bazë për diskutime rreth zbatimit të marrëveshjes bazë mes dy shteteve.
E lidhur me këtë ka reaguar Rama, duke thënë se është “vërtetë pikë kyçe”.
“Përgëzoj kryeministrin e Kosovës për pranimin e propozimit të BE-së për të përparuar me vendosmëri drejt një zgjidhjeje zhbllokuese lidhur me AKSHS, përmes instrumenteve të vetëmenaxhimit si një kuadër për negociatat vijuese. Kjo është një pikë vërtetë kyçe. Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë duhet të tregojnë lidership dhe të punojnë ngushtësisht, pa asnjë vonesë të mëtejshme, me aleatët perëndimorë të rajonit për të zbatuar menjëherë Marrëveshjen Bazë mbi normalizimin e marrëdhënieve. Rajoni ynë meriton paqe, stabilitet dhe bashkëpunim për një të ardhme të përbashkët më të mirë, dhe jo konflikte, lojëra fajësimi dhe prapakthime që na dëmtojnë të gjithëve”, ka shkruar Rama në rrjetin social “X”.