Premtimet mashtruese të Stalinit
Premtimet mashtruese të Stalinit
Robert Emmet Shervood: Fshehtësitë e luftës të Shtëpisë së Bardhë
SHBA-ja superfuqi botërore!
Stalini tha se Bashkimi Sovjetik assesi nuk e ka ndërmend të përzihet në punët e brendshme të Polonisë, se në Poloni do të vendoset një rend parlamentar, i ngjashëm me atë në Çekosllovaki, në Belgjikë dhe në Holandë, dhe se është e pakuptimtë çfarëdo bisede për atë se gjoja Bashkimi Sovjetik po dëshiron ta sovjetizojë Poloninë.
Tha se edhe prijësit polakë, disa prej të cilëve janë komunistë, janë kundër sistemit sovjetik, sepse populli polak nuk i do kolhozet dhe format e tjera të sistemit sovjetik. Në këtë aspekt, prijësit polakë kanë të drejtë, sepse sistemi sovjetik nuk është mall për eksport, por duhet të zhvillohet brendapërbrenda, në bazë të shumë kushteve, nga të cilat asnjë nuk ekziston në Poloni.
Tha se Bashkimi Sovjetik vetëm dëshiron që Polonia të mos ndodhet në situatë t’ia hapë dyert Gjermanisë e, për t’u penguar kjo, ajo duhet të jetë e fuqishme dhe në të duhet të qeverisë rendi demokratik. Stalini tha pastaj se, para të kalojë në theksimin e propozimeve praktike për zgjidhjen e këtij problemi, dëshiron të japë vërejtjet e veta në deklaratat e z. Hopkins lidhur me interesat e ardhshme të Shteteve të Bashkuara në botë.
Tha se, deshën o nuk deshën, Shtetet e Bashkuara janë supërfuqi botërore dhe, për këtë shkak, ato duhet të interesohen për ngjarjet në tërë botën. Jo vetëm kjo, por edhe lufta e kaluar dëshmoi se pa intervenimin e Shteteve të Bashkuara nuk do të mund të thehej Gjermania dhe këtë e tregojnë ngjarjet që kanë ndodhur në tridhjetë vjetët e fundit. Në të vërtetë, Shtetet e Bashkuara kanë të drejtë më shumë se çdo shtet tjetër në botë të jenë superfuqi. Prandaj, ai ua njeh Shteteve të Bashkuara plotësisht të drejtën që, si superfuqi botërore, të marrin pjesë në zgjidhjen e problemit të Polonisë.
Gjithashtu thekson se interesat sovjetike në Poloni assesi nuk i përjashtojnë interesat e Britanisë së Madhe dhe të Shteteve të Bashkuara. Z. Hopkins përmendi aksionin e njëanshëm sovjetik në Poloni dhe përkitazi me këtë foli për disponimin e opinionit amerikan. Ç’është e vërteta, Qeveria sovjetike ka ndërmarrë një aksion të njëanshëm, por ishte e detyruar ta bënte këtë. Stalini tha se Qeveria sovjetike e pat njohur Qeverinë në Varshavë, për më tepër edhe lidhi një marrëveshje me të, mu në kohën kur aleatët nuk e pranonin fare. Nuk ka dyshim se ato vërtet ishin akte të njëanshme dhe do të kishte qenë mirë që ato të mos kishin ndodhur kurrë, por qëndron gjithashtu edhe fakti se aleatët nuk i mirëpritën fare. Ai aksion ishte i nevojshëm për shkak të pranisë së trupave sovjetike në Poloni dhe assesi nuk mund të pritej që aleatët të merreshin vesh me Poloninë. Logjika e luftës kundër Gjermanisë impononte që të sigurohej prapavija e ushtrisë sovjetike, ndërsa Armata e Kuqe pati edhe shumë më herët levërdi të mëdha nga Komiteti i Lublinit, prandaj, mu nga ky shkak, Qeveria sovjetike ndërmori ato aksione.
Tha se do të ishte në kundërshtim me praktikën sovjetike që të vendoset administrimi sovjetik në territore të huaja, sepse kjo do të kuptohej si okupim dhe nuk do të ishte në pajtim me vullnetin e popullatës lokale. Për këtë shkak është dashur gjithsesi që në Poloni të vendoset administrimi polak, dhe kjo ka mundur të arrihet vetëm me ato elemente që kanë ndihmuar Armatën e Kuqe.
Tha që dëshiron të theksojë faktin se të gjitha këto masa u ndërmorën pa kurrfarë dëshire që të eliminohen apo të përjashtohen aleatët rusë nga kjo. Por, që ai duhet të theksojë se aksioni rus në Poloni ishte shumë më i suksesshëm se aksioni britanik në Greqi, dhe se rusët në asnjë mënyrë nuk është dashur të ndërmarrin aso veprimesh që u desh të ndërmarrin britanikët në Greqi. Stalini pastaj kaloi në elaborimin e propozimeve të tij për zgjidhjen e problemit të Polonisë. Mareshali Stalin tha se mendon që së pari do të duhej analizuar çështjen e përbërjes së qeverisë së ardhshme të unitetit kombëtar.
Tha se, në qeverinë aktuale polake, ka tetëmbëdhjetë a nëntëmbëdhjetë ministri, dhe do të duhej t’i jepeshin katër a pesë resorë përfaqësuesve të grupeve të tjera (politike) polake, që ndodhen në listën të cilën e kanë paraqitur Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara. (Në këtë moment Molotovi i pëshpëriti diç Stalinit, i cili pastaj tha se mendoi të thotë katër e jo pesë resorë në qeveri).
Tha se mendon që polakët e Varshavës nuk do t’i pranonin më shumë se katër ministra nga grupet e tjera demokratike. Shtoi se do të mundnim, nëse kjo duket bazë e mirë, të kalojmë tash në shqyrtimin e asaj se cilat personalitete do të mund të zgjedheshin për ata resorë.
Tha se vetëkuptohet që ato personalitete duhet të jenë të disponuara miqësisht ndaj BRSS-së dhe aleatëve. Shtoi se ka qenë i propozuar Mikolajçiku dhe mendon se ai është i pranueshëm, prandaj tash shtrohet pyetja se kush tjetër të zgjedhet pos Mikolajçikut. E pyeti z. Hopkinsin se a do të dëshironte të hynte në qeveri profesori Lange.
Propozimi rus që liderët polakë ta vizitojnë Moskën
Z.Hopkins u përgjigj se dyshon që mund të bindet profesori Lange, i cili është shtetas amerikan, që për këtë të heqë dorë nga shtetësia amerikane, por shtoi se ky është, natyrisht, vetëm mendim i tij personal. Mareshali Stalin tha pastaj se ndoshta do të ishte punë e mençur që disa liderë të Varshavës të ftoheshin tash në Moskë për të dëgjuar se çka thonë ata lidhur me këtë dhe të marrim vesh diç më shumë për vendimet e tyre. Tha se mendon që më nuk do të kishte kurrfarë vështirësish po të arrinim ta zgjidhnim çështjen e përbërjes së qeverisë së re, sepse tashmë jemi pajtuar me atë që në Poloni të mbahen zgjedhjet e lira dhe të papenguara, porse edhe ashtu është e qartë që askush nuk e ka ndërmend të përzihet në punët e popullit polak. Z. Hopkins tha se i duhet pakëz kohë të mendojë për propozimet e mareshalit. Mareshali Stalin tha pastaj se ekzistojnë tri çështje për të cilat nuk kanë biseduar ende: 1) Politika e ardhshme e okupimit të Gjermanisë; 2) Çështja e Japonisë; dhe, 3) Takimi i prijësve të tri shteteve. Duke u përgjigjur në pyetjen e z. Hopkins, mareshali Stalin tregoi gatishmërinë për t’u takuar në çdo kohë, por presidenti dhe kryetari i Qeverisë nuk i janë përgjigjur ende se a pranojnë apo jo që takimi të mbahet në Berlin. Në fund, z. Hopkins tha se mendon që do të ishte e dëshirueshme që mareshali Stalin sa më parë ta kumtonte publikisht se mareshali Zhukov është emëruar përfaqësues sovjetik në Këshillin e Kontrollit për Gjermaninë, meqë kjo është e nevojshme që ky organ të mund ta fillojë punën sa më shpejt. Mareshali Stalin u përgjigj se është i gatshëm ta bëjë publik emërimin e mareshalit Zhukov, nesër, pasnesër, ose kurdo qoftë që dëshirojmë ne