Nga Bedri Islami

Esse të shkurtra

1.

Këto ditë ishte përvjetori i vdekjes së Fan Nolit. Më i ndrituri i të ndriturve dhe më i dituri i të diturve.

Pak kush u kujtua për Nolin? Shteti, jo që jo, megjithëse jemi Republikë dhe ai ishte ithtar i madh i Republikës!

Noli është Marathanomak i përjetshëm, më i shquari i lajmësve të lirisë!

Noli nuk ishte ushtar, ai ishte luftëtar dhe ka dallim të madh mes nocionit të parë dhe të dytë!

Ishte aq i madh,  sa ne turpërohemi në heshtjen ndaj tij.

Ai ishte njeriu i të vërtetës, ne na pëlqen mashtrimi dhe e pavërteta!

Lufta e guximi i tij kanë bërë punë të mëdha!

E pse, atëherë, nuk kemi më nevojë për dishepujt të tillë?

Mos e flakni kurrë heroin nga shpirti juaj!

Ne kemi flakur atë dhe vrapojmë të hipim në piedestalin e tij!

Të mjerët ne!

2.

Ata që e kanë njohur poezinë lirike të Ndre Mjedës e kanë të vështirë të përfytyrojnë mendimtarin e madh ulur në një bahçe të fshatit të vogël Kukël, pranë Shkodrës, ku shkoi më shumë se gjysmën e jetës së tij.

Shtatvogël, flokërënë, me duart që i lëviznin vazhdimisht, ndjente të njëjtin ngazëllim si pas parmendës, ashtu edhe kur përkthente Gëten!

Bilbili i Mjedës , në poezinë lirike shqipe, është njëjtë si pëllumbi i tretë i Noas që sinjalizoi rikthimin e jetës!

3.

Me përmendë emrin e Whitmanit është njëjtë si të thërrasësh një simbol të gjenisë së pakufishme, të thirrjes titanike, gati in koherente, që vet përfaqëson klithmat e shpirtit, dhe, për fat, i agimit të Amerikës.

Në Shqipëri vetëm një poet ka shtatin e tij vigan ,megjithëse në pamje i brishtë, i kujdesshëm, sqimatar, sa që të duket se ke të bësh me një dendy të viteve 30 të shekullit të shkuar.

Migjeni!

4.

Despotizmi dhe tirania i katandis kombet në humbjen e shpirtit.

Nuk ka gjë më të shurdhër, më të heshtur, më të pashpresë dhe më të egër se sa humbja e shpirtit.

Çudia më e madhe është se kur vdesin tiranët, popujt qajnë!

5.

Velaskez dhe Françesko Goja janë dy piktorët më të mëdhenj të Spanjës në të gjitha kohërat!

Të parin e duan më shumë në Spanjë, të dytin e respektojnë më shumë jashtë Spanjës!

I pari ka përgatitur të dytin

Më janë dukur si Gjon Pagëzori dhe Jezus Krishti.

Historia e Spanjës së bukur, joshëse, triumfuese, pak don kishoteske, nuk shpjegohet ndryshe pa Velaskez.

Historia e Spanjës kryengritëse, rebele, dashuruese nuk shpjegohet dot pa Francesko Goja!

Por e kishte të vështirë të ishte profet në vendlindjen e tij! Profetizoi përmes pikturës.

Këtij të fundit, në Shqipëri, i ngjan vetëm Abdurrahim Buza!

6.

Adem Demaçi tashmë nuk është më.  Ai ishte një ndërgjegje e pastër dhe në shpirtin e tij sundonte absolutja!

Çuditërisht burgu i gjatë, 28 vite, e bëri më tolerant. Ishte njeri pa vese dhe nuk mund të zemëroheshe kurrë me të.

Ai e adhuronte nga larg furtunën.

E ndolli atë dhe , kur ajo erdhi, e bëri edhe më të pranueshme.

Në vetvete ishte një çlirues, zemërbutë, që nuk e kishte për turp të pranonte se, “ Vetëm të vdekurit dhe të marrët nuk ndryshojnë”.

Të vdekurit nuk e gjykojnë dot…

7.

Dy poetë më çlodhin edhe pas një udhëtimi të gjatë apo një ditë të rrëmbyer nga mjegullat. Esenini dhe Jorgo Bllaci.

Janë dy poetë që i duan të gjithë për nga sinqeriteti, tingëllimi i pazakontë, rrjedha e bukurisë hënore.

Kanë vuajtur si pak të tjerë dhe kanë qenë të lumtur si pak kush!

Është njerëzorja kundër barbarisë!

8.

Atdheu është AKT BESIMI. Ai ndriçon shpirtrat e mëdha dhe verbon shpirtrat e egër!

Shqiptari, në përgjithësi, nuk u beson rrethanave, thuajse gjatë gjithë jetës së tij ai ka qenë më me dëshirë një individ , jo një nënshtetas.

Të jesh shqiptar do të thotë ta ndjesh këtë gjë.

9.

Është e habitshme, dy libra më shkaktojnë dhimbje trupore. “Idioti” i Dostojevskit dhe “ Nëpunësi i pallatit të Ëndrrave” i Kadaresë.

Nuk e di pse më ndodh kështu: veçse , sa herë që dora ime zgjatet drejt këtyre librave kam një ngurrim dhe stepje.

Më duket se kam Asgjënë dhe Gjithësinë para vetes, ndërsa qëndroj i mbyllur në një llambë, që nuk është magjike, por ka një dritë të zbehtë.

10.

Disa vite më parë, në Detin e Veriut, hodha në valët e tij një gonxhe trëndafili të bardhë!

Kur erdha në Shkodër, motra ime , në oborrin e shtëpisë së vjetër, kishte mbjellë , mes luleve të tjera, një trëndafil!

Kishte çelur vetëm një gonxhe!

E bardhë!

Malli i motrës!

11.

Poeti i madh francez, Viktor Hygo ka një varg të jashtëzakonshëm për nga bukuria dhe figura e mahnitshme.

Ai shkruan ” Kuçedra univers që përdredh trupin e mbushur me yje”.

I ka thënë të gjitha në një varg dhe përfytyrimi ynë mbetet i pafuqishëm për të shkuar deri në fund. Ai mbetet diku.

Në përngjasim të tij, çka ndodh me mendjet gjeniale, Shekspiri shkruan se, ” Zgjedhën e yjeve të kobshëm le ta hedhë poshtë trupi ynë i lodhur nga bota”.

Dy gjuhë të mëdha që jetojnë të ripërtërira te poetët e mëdhenj.

12.

Vegim

Më është shfaqur rrugica e ngushtë drejt shtëpisë sime dhe marsi me lotët e fundit të dimrit. U zgjuan befas nga ardhja jote.

“Çfarë bën aq larg, të thashë, nën atë shi trëndafilash të bardhë?”

Kisha droje të zgjas dorën.

Mos ikën!

Vegimet vijnë befas, e , po kaq befas ikin.

13.

Të gjithë e pranojnë se, pasi lexoi poezitë e Sergej Eseninit, shkrimtari i shquar, Maksim Gorki qau me dënesë. Lotët rridhnin në vargjet e këtij arrakati me zë kumbues, që kishte lindur për poezi dhe që ndjeu disfatën shpirtërore.

Shpesh herë kam menduar , ndoshta miturisht, a qau me dënesë Maksim Gorki kur mësoi vetëvrasjen e poetit, në dhomën e një hoteli modern, dhe, nëse ka ndodhur kjo, përse askush nuk e ka shkruar?

Esenini nuk u bë poet, ai kishte lindur poet dhe, si ndodh me të tillët, ata janë lehtësisht të vdekshëm dhe përjetësisht të pavdekshëm.

Esenini kishte thirrur dikur , ” Oh Zot, fanitu!”, por në çastin e fundit ai ishte i braktisur nga të gjithë. Çasti ishte i shkurtër, lavdia vazhdon!

Nuk e di nëse qau Maksim Gorki kur mësoi vdekjen e poetit!

E gjitha kjo më kujton ” Vdekjen e Nositit” të lirikut më të madh të gjuhës shqipe, dashuronjësit të krisur, Lazgush Poradeci.

14.

Këtu e shumë vite të shkuara, duhet të ketë qenë vera e vitit 2000, kur isha në Spanjë me Nënën time, më ndodhi një ngjarje e rëndësishme : pashë për herë të parë pikturat e çuditshme të El Greco-s.

Nuk shqitesha dot prej tyre, megjithëse më shkaktonin një ndjenjë ankthi.

Piktura e tij të bënte të ndjeje veten të pranishëm në atë që ishte për shfaqur aty, e , megjithëse të ndjellte dëshirën të ikje sa më larg, nuk mundeshe dot. Të dukej sikur këmbët të ishin mbërthyer para tablove të mëdha të tij, të cilat , në portretet e gjithçka tjetër, nuk kishin përmasat e zakonshme. fytyrat më dukeshin më të zgjatura, bebëza e syrit kishte një dimension tjetër, të dukej sikur ishte gjithçka në lëvizje, deri në atë përngjasim, sa të sillte zemërimin e papërmbajtur, shprehjen mahnitëse të vuajtjes njerëzore, atë çast të vrundullit dhe të pafuqisë.

Dy vite më parë shkova përsëri, renda drejt galerisë ku kisha parë fillimisht El Gregon, ndoshta me mungesë frymëmarrje shkova drejt vendit ku ishin pikturat e tij, por, befas, çudi e madhe, asgjë nuk regëtinte si më parë.

Lufta në Kosovë kishte kohë që kishte mbaruar!

Është e vështirë në vjeshtën e jetës të kuptosh agun e saj!

15.

Në njërin nga studimet e tij, Jorge Luis Borges shkruan se për të krishterin, jeta dhe vdekja e Krishtit janë ngjarja qendrore e historisë së botës; shekujt e mëparshëm e përgatitën, të mëvonshmit e pasqyrojnë.

Para se Adami të formohej nga pluhuri i dheut, para se të botë të ndaheshin ujërat, ATI e dinte se i BIRI duhej të vdiste mbi kryq dhe, si teatër të asaj vdekje të ardhshme, krijoi tokën dhe qiejt.

Në fakt, Krishti vdiq nga një vdekje e vullnetshme!

Ai vetë ka pohuar se ” Askush s’ma heq jetën, unë e jap jetën” (Gjoni, 10:18).

Ndoshta , hekuri u krijua për gozhdët, gjembat për kurorën, gjaku e uji për plagën, Jeruzalemi si një amfiteatër i madh dhe vetë kodra e Golgotës ishte krijuar si një skenë madhore, ku do të ishte prania e një vdekje të paralajmëruar.

Po, trëndafili i bardhë për kë është krijuar?

Burimi i artikullit/ Gazeta Dita

https://gazetadita.al/po-trendafili-i-bardhe-per-ke-eshte-krijuar/?fbclid=IwY2xjawFSJg9leHRuA2FlbQIxMQABHQql6ukMbLr1DUQSHx2LIdJF7Vx4qcGBUHQqNAnmJvNjQfyrLRm3OA0-Bw_aem_ETC0SV-8IG1G8d8IaNzKCA

Shpërndaje artikullin në: