Pastori Brunson tregon lirimin nga burgu turk
Pas dy vitesh burg nën akuzat për terrorizëm, pastori amerikan Andrew Brunson u lirua me 12 tetor nga një gjykatë turke. Aktualisht i kthyer pranë familjes së tij, pastori Brunson dhe bashkëshortja e tij Norine biseduan me gazetarin Mehmet Toroglu të sherbimit turk të Zërit të Amerikës. Pastori Andrew Brunson kujton vitet pas hekurave në burgun turk.
“Kur më thanë se isha gjetur fajtor, nuk më erdhi mirë sepse nuk isha fajtor. Por tani, zyrtarisht sipas gjykatës, isha fajtor për mbështetje të terrorizmit, kjo nuk është aspak ajo me të cilën merremi ne.”
Pastori Andrew Brunson u lirua me 12 tetor nga një gjykatë turke pasi bëri dy vjet burg nën akuzat për terrorizëm. Pavarësisht se pas çdo apeli atij ju mohua lirimi, pastori thotë se besimi i dha fuqi. Zoti Brunson kujton ngjarjet që çuan në arresimin e tij.
“Pas grushtit të shtetit Turqia kaloi një periudhë tensionesh. Kuptohet që qeveria ishte nën presion të madh. Në atë kohë, ne po punonim me refugjatët sirianë, ishte një krizë humanitare. Por shumë prej tyre që erdhën në Izmir ishin kurdë dhe ne i ndihmuam. Kjo e bëri qeverinë nervoze sepse për shkak të terrorizmit kurd përmes Partisë Komuniste të Kurdistanit. Pra ata kishin dyshime. Po ashtu ne jemi amerikanë dhe të krishterë dhe të krishterët shpesh shihen me dyshim. Pra e gjithë kjo ndodhi njëkohësisht.”
Pastori thotë se kishte parë shenja të qarta kur po arrestohej se ai nuk do të deportohej por do mbahej në Turqi.
“Kur na arrestuan, na thanë se ishim kërcënim për sigurinë kombëtare. Normalisht, kur ndodh kjo dhe u ka ndodhur miqëve të mi, ata deportohen brenda dy ditësh. Por gjatë arrestimit tonë, dikush shkruajti në dokumente ..terrorizëm. Atëherë e kuptuam që situata ishte ndryshe dhe ne kishim frikë që situata do të bëhet më serioze, siç edhe u bë dhe vazhdoi për dy vjet.”
Pastori Brunson u dënua me 37 muaj dhe kaloi dy vite në burgun turk. Ai thotë se sfida më e vështirë në burg ishte pasiguria.
“Mu deshën 18 muaj që në fakt të zbuloja se për çfarë akuzohesha. Gjatë kësaj kohe frika ishte diçka e natyrshme. Pse jam këtu dhe për sa kohë? Për çfarë do të më akuzojnë?”
Ai thotë se dalja nga burgu e lehtësoi.
“Kur dëgjova se do të më dënonin me tre vjet burg dhe pastaj duke më liruar për shkak të kohës që kisha kaluar në burg, dy vite isha mbajtur nga qeveria. U lehtësova shumë. Unë dhe bashkëshortja u gjunjëzuam në sallën e gjyqit dhe u lutëm sëbashku, falë Zotit që ky makth dy vjeçar mori fund.”
Bashkëshortja e tij, Norine, ia atribuon gjithçka besimit dhe atyre që u lutën për lirimin e burrit të saj.
“Fillimisht falenderoj Zotin sepse falë tij u lirua. Ai e bëri përmes lutjeve të njerëzve në Turqi, Kinë, Senegal, dhe kudo. Ishte e mbinatyrshme.”
Pas mbërritjes në Shtetet e Bashkuara pastori Brunson vizitoi Shtëpinë e Bardhë për të bekuar Presidentin Donald Trump. Të njëjtën gjë do ta bënte edhe për presidentin turk, Erdogan, thotë ai.
“Do të doja të takohesha me Edoganin dhe t’i thosha se Zoti e do atë dhe do ta përdorë atë të bekojë popullin turk. Udhëheqësit kanë nevojë për lutje, si të krishterë, na është thënë të lutemi për udhëheqësit tanë.”
Brunson ka një mesazh për popullin turk.
“Zoti e do popullin turk dhe na dha pak nga dashuria që ka pë popullin turk dhe na e vëndosi në zemrat tona.”