Para 74 vjetëve Kongresi i Përmetit i dha fund monarkisë
Nga Muharrem Xhafa-A duhet përkujtuar Kongresi i Përmetit? Pa asnjë mëdyshje, po! Sepse është Kongresi që i dha fund juridikisht monarkisë zoriste dhe vendosi pushtetin popullor, pushtetin që doli nga flakët e Luftës së lavdishme Partizane!
Sot, më 24 maj 2018 bëhen 74 vjet nga mbajtja e Kongresit të Parë Antifashist Nacionalçlirimtar Shqiptar, i njohur si Kongresi i Përmetit. Kongresi i Përmetit u mbajt nga data 24 deri më 28 maj 1944 në qytetin e luleve, të bukur, të lirë, të Përmetit – çliruar nga forcat partizane. Kongresi i Përmetit shënon një ngjarje me vlera të madha të LANÇ-it dhe përcjell për të gjithë shqiptarët patriotë një mesazh epokal, mesazhin që Pushteti popullor është i vetmi pushtet i vërtetë në shërbim të atdheut e të popullit! Ky është një fakt historik, të cilin e përcjellim më së pari për brezin e ri të Shqipërisë, po edhe për të gjithë ata që nuk e njohin mirë ose e kanë mësuar të shtrembëruar historinë e Shqipërisë, përfshirë edhe të vërtetën për Kongresin e Përmetit.
Mbledhja e Kongresit të Përmetit nuk ishte një veprimtari e rastit, një diçka e thjeshtë, po ishte një domosdoshmëri jetike – historike në kushtet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ajo (mbledhja) u thirr në bazë të një propozimi të menduar më parë mire, i paraqitur më 15 prill 1944 nga Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe i miratuar nga Plenumi i KQ të PKSH-së, më 15 maj 1944, mbledhur në malet e Helmësit të Skraparit. Ishte ky një Kongres i mirorganizuar dhe me një bazë të gjerë shoqërore përfaqësimi , në të cilin morën pjesë 185 delegatë e delegate zgjedhur nga populli në zonat e çliruara e ato të paçliruara të vendit, si edhe në repartet e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare.
Punimet e Kongresit filluan më 24 Maj 1944, ditë e mërkurë në ora 09:00 në prani të delegatëve dhe të një numri të ftuarish. Ishin ftuar edhe përfaqësuesit e misionit ushtarak britanik, por ata nuk mundën të merrnin pjesë.
Kongresin e çeli me një fjalim të shkurtër Dr.Omer Nishani. Kurse raportin “Zhvillimi i Luftës Nacionalçlirimtare të popullit në lidhje me ngjarjet ndërkombëtare” e mbajti Sekretari i Përgjithshëm i KQ të PKSH-së, dhe udhëheqësi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Enver Hoxha. Ai ndër të tjera tha: “Kjo që bëjmë sot, është një nga ngjarjet më të mëdha të popullit shqiptar. Për të parën herë populli dërgon përfaqësuesit e vet, që i ka zgjedhur lirisht e që ka besim në ta”. Ndërsa, duke bërë fjalë për sakrificat e mëdha që u bënë gjatë luftës tha: “Kemi pasur vuajtje dhe mundime të mëdha, me të cilat bijtë e popullit tonë, të plagosur, pa bukë, të zhveshur, në borë e furtunë, por me moralin kurdoherë të lartë, kanë treguar trimëri të padëgjuara, me të cilat do të mburren me shekuj brezat e ardhshëm të popullit tonë”.
Disa nga vendimet më të rëndësishme të Kongresit ishin:
- Të ndërtohet Shqipëria e re demokratike e popullore sipas vullnetit të popullit, që sot e shpreh solemnisht në Këshillin e Përgjithshëm Antifashist NAÇL.
- T’i ndalohet ish -mbretit Zog kthimi në Shqipëri dhe, të mos njihet asnjë qeveri që mund të formohej brenda ose jashtë vendit kundër vullnetit të popullit.
- Të vazhdohet më me ashpërsi lufta kundër pushtuesve gjermanë dhe tradhtarëve shqiptarë, deri në shkatërrimin e tyre të plotë dhe vendosjen e pushtetit demokratik-popullor në të gjithë vendin.
Kongresi i Përmetit mori vendime me rëndësi jetësore për LANÇ-in dhe për vendosjen e rendit demokratik popullor në Shqipëri. Në mënyrë përfundimtare, ai zgjidhi çështjen e pushtetit, si çështjen themelore të revolucionit popullor, krijoi kështu shtetin e ri demokratik popullor shqiptar.
Kongresi i Përmetit zgjodhi Këshillin Antifashist Nacionalçlirimtar (KANÇ-in) të përbërë nga 121 anëtarë si organin më të lartë shtetëror – trupin kryesor ligjvënës dhe ekzekutiv, përfaqësuesin e vetëm të sovranitetit të shtetit e të popullit shqiptar. KANÇ-i zgjodhi Kryesine e tij, emëroi Komitetin Antifashist Nacionalçlirimtar me atributet e një Qeverie të përkohshme popullore. Kryetar i Komitetit Antifashist Nacionalçlirimtar u caktua Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Komuniste të Shqipërisë, shoku Enver Hoxha.
Kongresi i Përmetit vendosi të ndërtohet Shqipëria e re demokratike popullore, sipas vullnetit të popullit, të cilin, që nga ajo ditë, e shprehte solemnisht Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar. Po kështu, Kongresi i Përmetit mori edhe disa vendime të tjera me rëndësi të madhe historike për sigurimin e sovranitetit të shtetit e të popullit shqiptar, ndër të cilat : ndalimin e hyrjes së Ahmet Zogut në Shqipëri, si tradhtar i atdheut e kombit shqiptar, mosnjohjen e asnjë qeverie tjetër, që mund të formohej brenda ose jashtë Shqipërisë kundër vullnetit të popullit shqiptar, mosnjohjen e koncesioneve të huaja, vazhdimin e luftës kundër pushtuesve të huaj e shërbëtorëve të tyre tradhtarë vendës, të grumbulluar rreth qeverisë kuislinge të Tiranës e Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, të çdo klike tjetër antishqiptare e reaksionare, e cila mund të paraqitej më vonë etj.
Në lidhje të ngushtë me çështjen e organizimit të pushtetit popullor në një shkallë më të lartë, Kongresi i Përmetit analizoi e zgjidhi edhe çështjen e forcimit të mëtejshëm e të përsosjes së strukturës së Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare si arma kryesore për çlirimin e plotë të vendit e për mbrojtjen e pushtetit të ri popullor, vendosi njësimin e Komandës se Lartë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare dhe dhënien e gradave ushtarake. Enver Hoxha u emërua Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare. Kongresi dha orientime për krijimin e divizioneve e të korparmatave si njësi ushtarake të domosdoshme për arritjen e sigurt të çlirimit të atdheut.
Aty u zgjodh Këshilli i Përgjithshëm me 121 anëtarë që përfaqësonin të gjithë vendin dhe të gjitha shtresat shoqërore, pjesëmarrëse në luftë.
President, Baba Faja Martaneshi, Hasan Pulo dhe Koçi Xoxe nënpresidentë dhe; Enver Hoxha, Spiro Moisiu, Ramadan Çitaku, Sejfulla Malëshova, Dr.Ymer Dishnica, Liri Gega, Islam Radovicka, Nako Spiru, Tuk Jakova, Mustafa Gjinishi, Haxhi Lleshi, Gogo Nushi, Siri Shapllo, Spiro Koleka, Qiriako Harito, Gjergj Kokoshi, Ollga Plumbi dhe Gaqo Tashko, anëtare. Sekretarë u zgjodhën: Koço Tashko e Sami Baholli. U zgjodh Komiteti Antifashist me atributet e një qeverie provizore, të përbërë nga 11 anëtarë. Enver Hoxha, President, Myslym Peza nënpresident, Haxhi Lleshi i ngarkuar me Punët e Brendshme, Dr.Omer Nishani me Punët e Jashtme, Manol Konomi me Drejtësinë, Dr. Medar Shtylla, me Ekonominë, Ramadan Çitaku, me Financën, Spiro Koleka me punët botore, Dr.Ymer Dishnica, me Shëndetësinë, Sejfulla Malëshova me Kulturën dhe Arsimin dhe Bedri Spahiu me Rindërtimin ekonomik.
U zgjodh edhe një Komision për zbulimin dhe vërtetimin e krimeve të pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tij, si dhe për zbulimin dhe vërtetimin e emrave të kriminelëve të luftës. Kongresi u drejtoi përshëndetje: Popujve dhe ushtrisë Sovjetike dhe Marshallit Stalin, Presidentit Rosvelt, Kryeministrit anglez Uinston Çërçill etj. Si dhe Fan Nolit për shqiptarët e SHBA.
***
Kongresi i Përmetit përbën një ndër faqet më të lavdishme të historisë së LANÇ-it e të krejt historisë së popullit shqiptar. Jo vetëm atëherë, po edhe sot, vendimet e Kongresit të Përmetit tmerrojnë borgjezinë e pushtetin e saj antipopullor e antishqiptar! Sot, borgjezia dhe pushteti i saj i kanë hedhur poshtë e mohuar Kongresin e Përmetit e vendimet e tij, kanë rehabilituar pushtetin antikombëtar e profashist të Ahmet Zogut, të reaksionit! Komunistët e vërtetë as janë pajtuar me vendimet e qeverive profashiste e as e kanë pranuar këtë krim kundër pushtetit popullor!
Kongresi i Përmetit me vendimet e tij historike mbetet aktual! Sado larg, një dite ai pushtet do të rivendoset!