Bardhyl Mahmuti-Iniciativa serbe për krijimin e të ashtuquajturit “Mini-Shengenin e Ballkanit Perëndimor” ka qëllim diametralisht të kundërt me parimet e BE-së për krijimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë të shteteve të kësaj pjese të Evropës ku do të sigurohej lëvizja e lirë e njerëzve, e mallrave, e shërbimeve dhe e kapitalit.

Vetëm disa ditë pas takimit të tretë, të mbajtur në Tiranë, të Aleksandar Vuçiqit, Edi Ramës dhe Zoran Zaevit, ku ishte ftuar edhe presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, forcat politike në Mal të Zi, që janë nën dirigjimin e Beogradit njëlloj si Lista Serbe në Kosovë, u ndërmorën aksione të shumta me qëllim të destabilizonin këtë vend. Aksionet e orkestruara nga shteti serb nuk u kufizuan vetëm në territorin e Malit të Zi, por më 2 janar të këtij viti, ata sulmuan ambasadën e Malit të Zi në Beograd.

Të rikujtojmë se në tetor të vitit 2016, me qëllim parandalimin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, Serbia, struktura serbo-ruse u përpoq të organizonin grusht shtet në këtë vend. Në procesin gjyqësor kundër pjesëtarëve që ishin të përfshirë në këtë komplot, Aleksanar Singjeliq pranoi publikisht se oficerët rus Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov i kishin dhënë “katër herë 25 mijë euro dhe dy herë nga 50 mijë euro” për qëllimet e lartpërmendura.

Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov u dënuan në mungesë me 15, përkatësisht 12 vjet heqje lirie. Ndërkaq 12 pjesëtarët e tjerë të grupit u dënuan me dënime të larta heqje lirie.

Zhvillimet në Mal të Zi ilustrojnë në mënyrën më të mirë të mundshme logjikën që mbretëron në Serbi, kur bëhet fjalë për shtet e saja fqinje. Për Serbinë vlerat europiane të lëvizjes së lirë të njerëzve, të mallrave, të shërbimeve dhe të kapitalit shihen si mundësi për të realizuar projekte që janë në kundërshtim me vlerat europiane. Nëpërmjet marrëveshjeve që priten të nënshkruhen në Beograd gjatë muajit janar 2020, Serbia synon të sigurojë mundësinë e lëvizjes së papenguar të njerëzve të caktuar me misione politike, veprimtarinë e papenguar të shërbimeve sekrete ruso-serbe, futjes së papenguar të “mallrave” të caktuara dhe “qarkullimin e kapitalit” të “Shishmakovëve”, të “Popovëve” dhe të popëve të tjerë për të destabilizuar tërë rajonin. “Mini-Shengeni” serb ka vetëm këtë qëllim.

Shpërndaje artikullin në: