Të shtunën, më 18 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić u takuan në Ohër, Maqedoni e Veriut. Në këtë takim, që zgjati më shumë se shtatë orë, u tha se palët arritën marrëveshje rreth Planit të Zbatimit të Planit Evropian për dialogun. 

Me përmbajtjen e Planit Evropian, palët veç ishin dakorduar më 27 shkurt 2023 në një takim në Bruksel. Pas kësaj, palëve u kishte mbetur arritja e marrëveshjes për mënyrën e zbatimit të këtij plani, gjë për të cilën u takuan në Ohër. Si takimi i 27 shkurtit edhe ky në Ohër u ndërmjetësua nga Bashkimi Evropian (BE), ndërsa u mbështet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe vendet e QUINT. 

Pas takimit, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, në një deklarim për medie tha se edhe Plani Evropian edhe Plani për Zbatim konsiderohen të aprovuar në bazë të deklaratës së tij –– pasi palët nuk e nënshkruan marrëveshjen. 

Plani Evropian përbëhet prej 11 pikash, ku, mes tjerash, përfshihen: njohja reciproke e dokumenteve mes Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore; njohja e integritetit territorial të njëra-tjetrës; dhe sigurimi i “një niveli të përshtatshëm” [në Plan: appropriate level] të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë. 

Plani i Zbatimit, që u aprovua e s’u nënshkrua në Ohër, thotë se Plani Evropian dhe Plani i Zbatimit do të bëhen pjesë kyçe e proceseve të anëtarësimit të këtyre dy vendeve në BE dhe se cilido mosrespektim i obligimeve nga Marrëveshja, Aneksi apo marrëveshjet e kaluara të dialogut, mund të rezultojë në sanksione në procesin e tyre përkatës të anëtarësimit në BE dhe në ndihmën financiare nga BE. 

Në Planin e Zbatimit parashihen dy afate kohore. Ai parasheh që brenda 30 ditësh shtetet të krijojnë një Komitet të Përbashkët Monitorimi, të kryesuar nga BE, që do të sigurojë dhe mbikëqyrë zbatimin e të gjitha dispozitave. 

Po ashtu, sipas Planit, nëse brenda 150 ditëve, të gjitha dispozitat e Marrëveshjes implementohen plotësisht, BE do të organizojë konferencë të donatorëve për të krijuar një paketë të investimeve financiare për Kosovën dhe Serbinë. 

Çështja më e diskutuar është neni 7 i Planit Evropian. Për ta implementuar këtë nen, në Plan të Zbatimit, Kosovës i kërkohet që të fillojë menjëherë negociatat përbrenda dialogut të ndërmjetësuar nga BE, rreth krijimit të kushteve [në Plan: arrangements] dhe garancive për të siguruar një nivel të përshtatshëm [në Plan: appropriate] të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse në dialog, siç përcaktohet nga ndërmjetësuesi, BE.

Nëse “vetëmenaxhimi” zbatohet sipas marrëveshjeve të mëparshme, i bie që ai të zbatohet edhe sipas marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 mbi Asociacionin. Pas kësaj marrëveshjeje, në vitin 2015, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Isa Mustafa dhe kryeministri i atëhershëm i Serbisë, Aleksandar Vučić, nënshkruan dokumentin me parimet e përgjithshme mbi themelimin e asociacionit.

Në fund të vitit 2015, me kërkesë të presidentes së atëhershme të Kosovës, Atifete Jahjaga, Gjykata Kushtetuese e Kosovës shqyrtoi këto parime. Pas shqyrtimit, Gjykata konstatoi se me ratifikimin e Marrëveshjes së vitit 2013 në Kuvend, kjo marrëveshje, rrjedhimisht themelimi i Asociacionit kishte hyrë në sistemin e brendshëm juridik të Kosovës dhe si i tillë, Asociacioni do të themelohet. 

Gjykata po ashtu gjeti se secili kapitull i Parimeve Udhëzuese nuk përputhej krejtësisht me standardet kushtetuese, veçanërisht sa i përket buxhetit, marrëdhënieve me autoritetet qendrore në Kosovë dhe strukturës organizative. Andaj, parimet për themelimin e Asociacionit duhet të ripunohen në harmoni me Kushtetutën.

Ndërkohë, kryeministri Kurti, në një deklaratë për medie pas takimit në Ohër, tha se përmes kësaj marrëveshjeje për Planin e Zbatimit për Planin Evropian, Kosova ka fituar “njohje de-facto” nga Serbia dhe se neni 7, ka të bëjë me “vetëmenaxhim” dhe jo “veteqeverisje”. Megjithatë, fjalia përcjellëse në Plan, që kërkon që ky vetëmenaxhim i komunave serbe të bëhet në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse në dialog, implikon themelimin e Asociacionit.

Pse u vu në qendër neni 7?

Së pari si lëvizje politike, e më pas si parti politike, LVV-ja e ka identifikuar veten mbi bazën e kundërshtimit të formimit të Asociacionit. LVV e ka kundërshtuar atë që prej kur u arrit Marrëveshja e Brukselit në vitin 2013, e cila parashihte edhe formimin e Asociacionit. 

Kur Marrëveshja e Brukselit arriti për ratifikim në Kuvendin e Kosovës në vitin 2013, deputetët e LVV, atëherë në opozitë, protestuan duke hedhur gaz lotsjellës brenda Kuvendit. Gjithashtu, rreth 300 protestues e rrethuan ndërtesën; 30 njerëz u arrestuan. 

Bllokimi i punës së Kuvendit me gaz lotsjellës vazhdoi edhe nga gushti 2015, kur planifikohej të ratifikohej dokumenti me Parimet mbi Themelimin e Asociacionit. Protestat kundër Asociacionit vazhduan edhe në vitin 2016, kur tashmë ishin bashkangjitur edhe dy parti tjera, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA. Protesta e janarit 2016 përshkallëzoi, me ç’rast protestuesit hodhën gurë, koktej molotovi e mjete piroteknike drejt ndërtesës së qeverisë e policies.  

Ndërkohë, Gjykata e Prishtinës, në vitin 2018 e shpalli fajtor Kurtin, ndër tjerë, për hedhjen e gazit lotsjellës dhe për pengim të personit zyrtar gjatë protestave të vitit 2015. Ky dënim u bë arsyeja që Kurti të mos mund të bëhej pjesë e listës zgjedhore në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021, ku partia e tij, në koalicion me Listën –– tash partinë –– GUXO, mori 50.2% të votave. 

Asokohe, LVV argumentonte se Marrëveshja e Brukselit ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, e cila sipas tyre veç kishte “dispozita specifike” për serbët e Kosovës dhe komunitetet e tjera pakicë. Për LVV, “Marrëveshja e 19 prillit 2013 shkel në tërësinë e saj karakterin shumetnik të kushtetutës, por edhe parimin e vetëqeverisjes lokale, organizimin dhe kompetencat e komunave duke krijuar kështu një institucion të ri njëetnik i cili vendoset mbi komunat e në mes pushtetit qendror dhe atij lokal me rol përfaqësues e si organ vendimmarrës e organizativ vetëm për komunat me shumicë serbe”.

Po ashtu, sipas LVV, qeveria e atëhershme, me nënshkrimin e Asociacionit kishte nënshkruar “ndarjen e Kosovës’, “bosnjëzimin e Kosovës”. Ata Asocacionin e quajtën “Zajednicë” dhe “Republika Srpska në tentativë”.

Kështu edhe Plani Evropian nuk erdhi krejt lehtë. Pranimit të këtij Plani dhe atij të Zbatimit të këtij Plani i parapriu një një sagë e tërë ngjarjesh që nisën prej fillimit të vitit 2022 e u shpeshtuan në fundvit.

Në qershor 2022, qeveria e Kosovës, mori dy vendime, një për zbatimin e reciprocitetit me Serbinë për targa dhe një për dokumente identifikuese. Sipas njërit vendim, kushdo që hyn në Kosovë me dokumente identifikimi të lëshuara nga Serbia do të pajisej me një fletëdeklarim të përkohshëm, që do t’i zëvendësonte dokumentet e Serbisë –– procedurë që zbatohej për shtetasit e Kosovës që hyjnë në Serbi prej vitit 2011. 

Sipas vendimit tjetër, qytetarët që kanë automjete me targa me akronime të qyteteve të Kosovës ––që lëshohen nga Serbia –– do të duhej, që brenda 1 shtatorit deri më 31 tetor, t’i regjistronin automjetet e tyre me targat RKS. Pas 31 tetorit, nuk do të lejohej qarkullimi me targa të vjetra.

Më 31 korrik, pak para se të hynte në fuqi vendimi, u ngritën barrikada në pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Situata u shtensionua pas presioneve të vazhdueshme nga BE dhe ShBA, që qeveria e Kosovës ta shtyejë zbatimin e vendimit. Më 31 korrik, qeveria vendosi ta shtyejë zbatimin e vendimit për një muaj. Ndërkohë, më 27 gusht u arrit një marrëveshje për heqjen e lëshimit të dokumenteve të përkohshme të identifikimit për shtetasit e të dy vendeve.

ShBA dhe BE kërkuan nga qeveria e Kosovës që ta shtyejë vendimin për targat për 10 muaj, por qeveria nuk e pranoi fillimisht këtë kërkesë dhe më 28 tetor e prezantoi planin tre-fazësh të implementimit të këtij vendimi. 

Situata u tensionua sërish pas suspendimit të drejtorit të Policisë së Kosovës, Nenad Djuric, i cili kishte refuzuar të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për targa. Si rezultat, në fillim të nëntorit, Lista Srpska, bashkë me të gjithë serbët e Kosovës që bartnin poste në institucione publike, përfshirë kryetarët e komunave, dhanë dorëheqje nga pozitat e tyre.

Me 21 nëntor 2022, pas një takimi tetë orësh në Bruksel midis Kurtit dhe Vučić, Kurti kishte refuzuar ta pranonte propozimin për zgjidhjen e çështjes së targave nga BE me argumentin se propozimi nuk shoqërohej me angazhimin për normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe akuzoi Përfaqësuesin Special të BE-së në dialog, Joseph Borell, se hoqi dorë nga normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. 

ShBA-ja kërkoi shtyerjen e zbatimit të vendimit për targa për 48 orë dhe kryeministri Kurti pranoi.

Veç pas dy ditësh, me 23 nëntor, Kosova dhe Serbia, respektivisht zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi dhe drejtori i së ashtuquajturës Zyrës për Kosovë e Metohi, Petar Petković megjithatë u pajtuan për të njëjtën marrëveshje që ishte propozuar më 21 nëntor, sipas të cilës Kosova do t’u japë fund veprimeve të mëtejme të lidhura me riregjistrimin e makinave, derisa Serbia nuk do të lëshojë më targa të makinave me emra të qyteteve të Kosovës.

Në situatën e re presidentja Vjosa Osmani, shpalli 18 dhjetorin si datë të zgjedhjeve në ato komuna. Më 6 dhjetor u sulmuan zyret e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Autoritetet e Kosovës e arrestuan ish-pjesëtarin e Policisë së Kosovës, Dejan Pantić, për shkak të, sipas policisë, dëshmive se ai ka organizuar “sulmin terrorist në zyrat e KQZ-së në veri të vendit”. 

Si reagim ndaj këtij arrestimi, u ngritën barrikada sërish, u bllokuan disa rrugë në veri dhe u mbyllën disa pika kufitare. Kah fundi i dhjetorit e fillimi i janarit, barrikadat u larguan pasi Pantić iu zëvendësua masa e paraburgimit me arrest shtëpiak dhe udhëheqësia e Kosovës, sipas BE dhe ShBA, u zotua se nuk ka lista për arrestim a përndjekje për qytetarët serbë lidhur me vendosjen e barrikadave.


Përgjatë këtyre muajve, retorika e përdorur si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi ishte e rrezikshme. Kryeministri Kurti, nëpër disa intervista në medie ndërkombëtare e përmendi mundësinë e luftës, ndërkohë që Serbia i kërkoi NATO t’i lejojë t’i vendos 1,000 trupa të ushtrisë serbe në Kosovë. 

Gjendja në veri gjatë dhjetorit u konsiderua si një nga më të këqijat në 10 vitet e fundit, me dhjetra incidente, ku u sulmuan patrullat policore të Kosovës dhe të EULEX e u hodhën shok-bomba në drejtim të gazetarëve, që po raportonin nga terreni. 

Po atë muaj, retorika e të dërguarit special të ShBA-së për dialogun me Serbinë, Gabriel Escobar u ashpërsua rreth Asociacionit. Ai deklaroi se nëse “një person dhe një palë nuk mund të shmangë një detyrim ligjor ndërkombëtar” dhe se “ne do ta bëjmë këtë dhe unë do ta bëj këtë [themelimin e Asociacionit] duke gjetur partnerë dhe ka shumë partnerë, ka shumë njerëz, që duan të shohin marrëdhënie më të mira të serbëve në veri dhe pjesës tjetër të vendit”.  

Në një intervistë, Kurti, tha se qeveria e Kosovës ka marrë paralajmërime për mundësinë e zvogëlimit të mbështetjes së Perëndimit, nëse Kosova “nuk cilësohet si konstruktive” në lidhje me bisedimet Kosovë-Serbi. 

Kështu, u shtua angazhimi dhe presioni i komunitetit ndërkombëtar për arritjen e një marrëveshjeje, përmes një propozimi tashmë të njohur si “plani franko-gjerman” — tash, Plani Evropian — dhe për zbatim të Asociacionit. Kjo marrëveshje u pa nga shumë si një marrëveshje që do ta zhbllokonte dialogun Kosovë-Serbi dhe do ta afronte një hap më afër marrëveshjes përundimtare.

Në fillim të shkurtit, i gjendur në mes të thirrjeve dhe presioneve nga partnerët ndërkombëtarë për ta nisur implementimin e Asociacionit, Kurti prezantoi gjashtë kushte për pranimin e tij. Ato ditë, kryeministri Albin Kurti, bëri të ditur se e pranon Planin Evropian, gjë që nxiti diskutim në publik rreth ndryshimeve të qëndrimeve të vetë kryeministrit, meqë Plani Evropian, siç u dëshmua në Ohër, përmban implementimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura më herët në dialog — e njëra marrëveshjeve është edhe ajo për implementimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Në vitin e parë të qeverisjes së tij në vitin 2021, Kurti kishte thënë se qeveria e tij do të angazhohej për rishikimin e marrëveshjeve të arritura më herët, në kuptimin e zbatimit të tyre, por edhe të ndikimit që kanë për qytetarët. /K2.0/

Shpërndaje artikullin në: