Në Shqipëri deri tani 76 të infektuar. 4 në terapi intensive
Pas 46 testeve të kryera për COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit kanë rezultuar pozitiv 6 persona, duke e çuar në total në 76 numrin e të infektuarve në Shqipëri. Referuar shifrave zyrtare të raportuara deri më tani nga Ministria e Shëndetësisë, meshkujt janë më të prekurit në Shqipëri nga koronavirusi, ku përbëjnë 59% e të infektuarve, e ndërsa 41% janë femra. 6 rastet e reja janë vijojnë të jenë nga dy qytetet më të prekura, Tirana dhe Fieri dhe janë kontakte me pacientët e konifrmuar më herët pozitiv.
Ashtu sikurse u bë e ditur një ditë më parë, dy kontakte të pacientit zero kanë rezultuar negativ edhe pas testit konfirmues, por edhe pas daljes nga spitali, ata do të vijojnë të qëndrojnë në vetëkarantinim edhe për 14 ditë të tjera, duke ndjekur masat e kontrollit respirator dhe higjienën personale.
Ministria e Shëndetësisë ka bërë publike kurën e përdorur. “Ministria e Shëndetësisë ka siguruar medikamente bazë, duke u mbështetur në protokollin e hartuar nga shërbimi i sëmundjeve infektive në QSUT.
Terapia mbështetet në protokollin klinik, mbështetet në medikamentet që trajtojnë shenjat klinike, simptomatike si dhe preparatet anti-viral. Personat që kanë lënë spitalit do të ndjekin masën e vetëkarantinimit duke respektuar etiketën respiratore për 14 ditë dhe higjienën personale”, bën me dije Ministria e Shëndetësisë.
Sa i përket gjendjes shëndetësore të 37 pacientëve të shtruar tek infektivi, 4 prej tyre janë në terapi intensive, në situatë të njëjtë klinike. Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.
Tirana vijon të jetë qyteti më i prekur nga Koronavirusi me 55 qytetarë për t’u ndjekur nga Fieri me 8 të prekur, Durrësi 5, e ndërsa, Elbasani, Rrogozhina dhe Kavaja nga dy pacientë secili.
Spitali i dytë për COVID-19 është gati me një kapacitet prej 190 shtretësh, konfirmon Ministria e Shëndetësisë, duke çuar në total të shtretërve në dispozicion 310. Vetëm 76 prej tyre janë të zëna me pacientët që janë të shtruar në Spitalin Infektiv në QSUT.
Renditja e qyteteve më të prekura me koronavirus
Tiranë 55 qytetarë
Fier 8 qytetarë
Durrës 5 qytetarë
Lushnje 2 qytetarë
Elbasan 2 qytetarë
Rrogozhinë 2 qytetarë
Kavajë 2 qytetarë
Ministria e shëndetësisë u bën sërish apel qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin sa më shumë kontaktet, pasi kjo është e vetmja mënyrë për të ndërprerë zinxhirin e transmetimit të këtij virusi.
“Nga ana tjetër, për të siguruar suksesin e ndërprerjes së zinxhirit të transmetimit të infeksionit, qytetarët kanë një rol thelbësor. Mënyra e vetme për ta ndërprerë këtë zinxhir është që qytetarët të vetëizolohen dhe të shmangin sa më shumë kontaktet. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale I drejtohet edhe një herë me një lutje qytetarëve: Mos shkoni menjëherë në spital”, bën me dije Ministria, ndërsa ka rikujtuar edhe një herë dy numrat e kontaktit që janë vënë në dispozicion për qytetarët.
Për ata që kërkojnë informacion apo këshilla në lidhje me COVID-19 duhet të telefonojnë në numrin 0800 40 40, e ndërsa për ata qytetarë që kanë shfaqur simptomë duket të marrin numrin e urgjencës 127.
O.J/DITA