Maqedonia e Veriut është vonuar me ratifikimin e marrëveshjeve nga procesi i Berlinit. Ato janë nënshkruar në nëntor të vitit të kaluar dhe sipas informacioneve të Institutit për Demokraci, Qeveria ende nuk i ka dërguar në Kuvend. Sipas marrëveshjeve, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor do të njohin letërnjoftimet, diplomat universitare dhe kualifikimet profesionale të njëri-tjetrit. I pyetur për vonesën e ratifikimit, kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se nuk është i njoftuar me detajet, por kundërshton mundësinë e prapavijës politike.

“Ajo që është shumë domethënëse për marrëveshjet e Procesit të Berlinit është se marrëveshjet që nënshkruhen aty janë praktikisht të depozituara në Ministrinë tonë të Punëve të Jashtme, pra nuk ka ndonjë gjë politike, por me siguri procedurale apo teknike”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

“Si depozitues i tre marrëveshjeve ndërkombëtare të nënshkruara në kuadër të procesit të Berlinit, i bëjmë thirrje Qeverisë që sa më parë t’i dorëzojë ë Kuvend dhe Kuvendi të gjejë forcë t’i vendos në rend dite për ratifikim sa më shpejt të jetë e mundur, me konsensus. Përkushtimi për përmirësimin e jetës së qytetarëve duhet të tregohet në veprim, veçanërisht në procese që varen nga proaktiviteti dhe efikasiteti i institucioneve shtetërore”, thonë nga Instituti për Demokraci.

Nga vendet e tjera të rajonit, Shqipëria ishte e para që ratifikoi të tre marrëveshjet, e ndjekur nga Kosova. Në Serbi marrëveshjet tashmë janë në procedurë parlamentare dhe së shpejti do të jenë edhe para deputetëve në Mal të Zi. Ngecja e vetme është në Bosnjë- Hercegovinë për shkak të procedurës së komplikuar. Sipas anketës së fundit telefonike të Institutit për Demokraci të realizuar në nëntor të vitit të kaluar me 1005 të anketuar, ka mbështetje të lartë të qytetarëve për përfitimet e nismës rajonale. Shumica dërrmuese prej 80% e qytetarëve e konsiderojnë si tërheqëse mundësinë e punësimit në një nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Për më tepër, hapja e kufijve ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor konsiderohet e dobishme nga 85% e të anketuarve, ndërsa mundësia e përdorimit të arsimit të tyre në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor shihet pozitivisht nga 84% e qytetarëve. /Alsat.mk

Shpërndaje artikullin në: