Prof.Dr. Halim Purrellku

Meqë Qeveria bullgare ishte krijuese dhe nxitëse e lëvizjes revolucionare, logjikisht dhe qëllimi i kryengritjes qe përcaktuar mbi bazë të interesave të politikës ekspansioniste bullgare. Në këtë kuadër, qarqet bullgare vlerësuan se, për momentin, nuk është e mundur bashkimi i “Maqedonisë” me Bullgarinë, por as edhe autonomia e saj, prandaj objektivi i kryengritjes tani ishte që të arrihej afirmimi dhe imponimi i „çështjes së Maqedonisë“ për zgjidhje përpara Fuqive të Mëdha, në mënyrën që do të shkonte në favor të çdo politike shtetërore të Bullgarisë.

KOMITETI MAQEDONAS” I UDHËHEQUR NGA DAMJAN GRUEV

Për arritjen e qëllimeve politike, Qendra drejtuese e kryengritjes shpresonte edhe në ndihmën e faktorëve të jashtëm, në veçanti të Fuqive të Mëdha evropiane.

Për të nxitur ndërhyrjen (intervencionin) e Fuqive të Mëdha, strategjia e veprimit taktik ishte konceptuar mbi këta dy shtylla:

1.Provokimi i masakrave mbi popullatën krishtere;

2.Zgjatja e kryengritjes për një kohë sa më të gjatë.

Kështu, me qëllim të provokimit të masakrave mbi popullatën e konfesionit ortodoks, ishte paraparë që me çdo kusht, duke përdorur të gjitha mjetet, të provokohej popullata e konfesionit mysliman dhe ushtria osmane, të ushtronin masakra mbi popullatën krishtere, me çka do të nxitej opinioni publik evropian në favor të kauzës. Prandaj dhe ishte planifikuar që kryengritja të fillon me aksione të armatosura të komitëve bullgarë mbi vendbanimet shqiptare e turke; djegien e fshatrave dhe vrasjen e popullatës së tyre, që eventualisht do të rezultonte me një masakër të tmerrshme nga ana e myslimanëve mbi të krishterët. Lidhur me këtë, në një rast edhe vetë kryeministri bullgar do të prononcohet se „cubat synonin që, me ngritjen e popullatës myslimane kundër asaj krishtere, të krijojnë hapësirë për dhunë dhe vrasje.“ Në këtë frymë ishte dhe Deklarata e Komitetit Qendror të VMRO-së, nga Selaniku, drejtuar opinionit evropian, mbi arsyet e shpërthimit të kryengritjes, ku thuhet: „Dhuna e pa përshkruar e myslimanëve dhe ndjekjet sistematike të administratës i detyroi të krishterët nga Maqedonia dhe nga Edreneja (Odrini) që domosdo t’i qasen mbrojtjes së armatosur masive… pasi që i shterën të gjitha mjetet që ta sjellin ndërhyrjen e Evropës… si mjet i vetëm për tu flakur dhuna dhe të ndërpritet gjakderdhja…“ Por, fatbardhësisht ideatorët, organizatorët, politikanët dhe mbështetësit e kryengritjes, llogaritë i kishin bërë keq, sepse ata, mbi të gjitha, nuk do të kenë sukses në përpjekjet që të provokojnë masakrën aq të dëshiruar të shqiptarëve e turqve (myslimanë) dhe të pushtetit osman mbi të krishterët ortodoks.

Ndërkaq, në udhëzimin e fundit për ngritje në kryengritje; “Plani dhe qëllimi i kryengritjes”, 19 .07/1.08.1903, të nënshkruar nga Boris Sarafov, veç tjerash thuhej: “do të bëjmë luftë partizane e shoqëruar me masa terroriste dhe anarkiste; …

Qëllimi i kryengritjes nuk është që ta fitojmë Turqinë, por ajo të mos mundet të na fitoj neve. Sa më jetëgjatë të jetë kryengritja, aq më e sigurt është se herët a vonë Fuqitë Evropiane do të jenë të detyruara të nxjerrin në shesh ushtritë e tyre-

Detyrë e çetave është: (veç sulmit ndaj caqeve institucionale osmane)…të vriten poljakët dhe të gjithë agallarët, memurët që mbledhin tatimin.“ Pra, Fuqitë Evropiane do të jenë të detyruara, herët a vonë, të vënë në veprim edhe ushtritë e tyre, vetëm nëse kryengritja do të zgjaste për një kohë sa më të gjatë.Mbi bazë të këtij plani, Kryengritja do të shpërthen në gusht të vitit 1903, sepse shpresohej që në takimin e perandorëve (atij austriak dhe rus) që pritej të mbahej nga fundi i gushtit 1903, „përfundimisht do të zgjidhet fati i Maqedonisë dhe Edrenesë (“Odrin”)“.

Prandaj dhe kryengritja duhej të arrinte efekte më të mëdha, për të ndikuar tek perandorët për reforma më të gjëra në këto rajone.Por, udhëheqësit e kryengritjes gabimisht e kishin vlerësuar situatën ndërkombëtare, sepse Fuqitë e Mëdha nuk ishin të vendosura për intervencion, kurse Qeveria bullgare nuk ishte e përgatitur të reagonte.

MIZORITË NDAJ SHQIPTARËVE NË FAZËN E PARË TË KRYENGRITJES

Kryengritja filloi që në mbrëmje të 2 gushtit të vitit 1903, me aksionet e para të armatosura në sanxhakun e Manastirit, përkatësisht në pesë (5) kazatë e këtij sanxhaku, dhe atë: në kazan e Manastirit, të Kërçovës, të Përlepes, të Ohrit, të Follorinës, në një pjesë të kazasë së Kastories, si dhe në disa fshatra të kazasë së Kajllarit të sanxhakut Selfixhe. Për bandat dhe kryengritësit gjithëherë cak i presionit dhe i sulmit ishin fshatrat me popullatë të besimit mysliman.Kështu, në natën e 2 gushtit dhe gjatë 3 gushtit të vitit 1903, krahas sulmeve të armatosura ndaj postave ushtarake dhe objekteve strategjike të infrastrukturës, bandat komite bullgare dhe kryengritësit sulmuan edhe popullatën civile në fshatrat shqiptare e turke në sanxhakun e Manastirit e jashtë tij.

Fillimisht ata sulmuan mbi gjashtë fshatra shqiptare në zonat e Manastirit, të Resnjës, të Krushevës dhe të Kërçovës. Gjatë këtyre aksioneve, kryengritësit ua vënin flakën shtëpive dhe vërrinit (kasolleve me kashtë, bar dhe drithë), si dhe tentonin të hynin nëpër fshatra. Përpara sulmit të bandave bullgare, fshatarët shqiptarë e turq ishin të detyruar të vetëmbrohen, me ç’rast u zhvilluan përpjekje të armatosura në fshatrat shqiptare; Lerë, Kazhan, Ramna, Zmirnevë, Dolencë, Pribillcë, Morgaç dhe Çerkes Koy etj. Por, pas luftimeve që zgjatën disa orë sulmet e komitëve mbi këto fshatra dështuan. Me ç`rast nga radhët e shqiptarëve u vra një grua (në fshatin Dolencë) dhe u dogjën disa hambarë dhe mullarë me barë. Sulmet e komitëve mbi fshatrat shqiptare e turke të sanxhakut të Manastirit vazhdonin edhe në ditët në vijim.

Pothuajse për çdo natë, komitët dhe kryengritësit bullgarë ua venin zjarrin një vargu kullash dhe pronash të shqiptarëve e turqve, kurse ndër fshatra të popullatës shqiptare e turke ua rrëmbenin bagëtinë. Në vazhdim më në detaje ndjekim sulmin e bandave komite dhe pasojat nga këto sulme, në vendbanime të zonave të caktuara të Vilajetit të Manastirit.Nga ngjarjet më të shënuara të natës së parë të kryengritjes, më 2/3 gusht 1903, ishin prerja e të gjitha linjave telegrafike dhe sulmi i kryengritësve ndaj kasabasë (qytezës) së Resnjës, si dhe ndaj shumë fshatrave shqiptare të kësaj treve. Atë natë, sulmi i kryengritësve kundër Resnjës u mbraps, vetëm pak shtëpive ua vunë zjarrin, kurse numri i viktimave në këtë qytezë ishte i vogël.

Në mbrapsje nga Resnja, kryengritësit sulmuan shtëpitë dhe pronat e fshatrave shqiptare, dhe atë: në fshatin Podmoçan, ata plagosën dy fshatarë dhe tre çobanë si dhe e dogjën hanin në afërsi (Hani i Shyrit), si dhe në fshatrat Carevdvor, Nakolec (seli e nahisë), German, Rëmbi, Medovë, Shtërkovë, Pëpli dhe Vapillë. Lufta në këto fshatra zgjati afërsisht tri ditë, kurse popullata e këtyre fshatrave u zhvendos në Nakolec. Bandat komite i pushtuan dhe i shkatërruan-rrënuan këto fshatra shqiptare: Pople dhe Rembi në liqenin e Prespës, Lahci e Bukovë pranë Resnjës, kurse Nakoleci u mbrojt me trimëri kundër bandave.

Bilanci i akteve terroriste të bandave komite dhe të kryengritësve në këtë ndër fshatrat shqiptare të kësaj zone ishte: u dogjën gjithsej 42 shtëpi, 41 kasolle, 3 kulla, 3 hane dhe 1 karakollë, si dhe rruga për në Korçë u shkatërrua vende-vende. Njëkohësisht, bandat ua rrëmbyen (plaçkitën) fshatarëve sasi të mëdha të të mirave materiale; bagëti, drithë etj.Në nahijen e Demir Hisarit komitët dhe bullgarët, në natën e 2 gushtit, rrethuan dhe sulmuan fshatrat shqiptare Pribillc, Novoselë, Çerkes Koj, Murgash (Murgashevo), Obednik, Koçishtë, Krushje dhe Leva Reka. Luftimet e komitëve e kryengritësve me popullatën e këtyre fshatrave vazhduan deri në agim, dhe përfunduan me mbrapsjen e kryengritësve dhe me humbje reciproke relativisht të vogla. Me ç’rast komitët e kryengritësit i dogjën; në Koçishtë 3 shtëpi dhe 4 kasolle, kurse në Çerkes Koj i dogjën 5 kasolle. Pribillci u sulmua sërish më 10 gusht 1903.Sulmet e komitëve dhe kryengritësve mbi popullatën civile shqiptare dhe pronat e saja, në fshatra të kazasë së Manastirit, do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim: Më 3 gusht, kryengritësit vazhdonin të mbanin nën zjarr të përhershëm gjashtë fshatra shqiptare e turke.

Në natën e 7 gushtit ata e rrethuan fshatin Tërnovë dhe hapën zjarr të furishëm, kurse më 12 gusht komitët sulmuan fshatin Egri i Poshtëm. Po më 7 gusht, komitët e kryengritësit i dogjën 16 çifligje në kazanë e Manastirit. – KRUSHEVA – 1903 –Në natën 2/3 gusht 1903 komitët dhe kryengritësit bullgarë pushtuan Krushevën, me ç`rast i vranë dhe i masakruan njëzetepesë (25) mysliman, ndër ta dy (2) gra dhe dy (2) fëmijë. Nga të gjithë qytetarët e konfesionit mysliman në Krushevë, vetëm se dy veta ia dolën t’iu shpëtonin kësaj masakre. Nga 25 myslimanët, 10 veta u vranë në mënyrë barbare duke ua prerë kokën.

Kryengritësit vranë 8 nëpunës, 2 gra turke, 2 polic, kurse masakruan kajmekamin me gjithë familje dhe nëpunësit, dhe atë nëpunësin e korrespodencës me familje (me përjashtim të një vajze) dhe inspektorin e telegrafit me gruan dhe vajzën 12 vjeçare. Për masakrën e komitëve në Krushevë ndaj administratorëve dhe familjeve të tyre, një mësues serb ja se çka thotë: “Një zapti në ikje u vra dhe pastaj iu pre koka; u vra gruaja e postierit dhe vajza dhjetëvjeçare; tre taksidar (tagrambledhës) u dogjën në shtëpitë ku banonin; noteri i uqumetit u vra kurse gruaja e tij së bashku me fëmijën e vogël u vranë me sëpatë; u vranë me sëpatë në mënyrë shumë çnjerëzore telegrafisti, polici, ballkan-memuri, gjumurukçiu”.

Në kazanë e Kërçovës, komandant kryesor i të gjitha çetave komite ishte Pesho pasha nga Bullgaria. Komitët i detyronin të gjithë fshatarët e konfesionit të krishterë të kazazë së Kërçovës, të ngrihen dhe tu bashkohen atyre. Por, vetëm popullata bullgare e kësaj kazaje iu bashkua atyre, kush vullnetarisht e kush me detyrim. Komitët dhe fshatarët bullgarë, në numër të madh, në 3 gusht në mbrëmje e rrethuan Kërçovën dhe filluan luftimet me ushtrinë turke, por sulmi i tyre u mbraps nga ushtria. Pos kasabasë së Kërçovës, më 3 gusht komitët dhe kryengritësit sulmuan edhe karakollin në Teqenë bektashiane “Hadër (Hajdar) baba” në fshatin Brod dhe atë në fshatin Izvor. Ata e rrethuan teqenë dhe e dogjën kullën e xhandarmerisë, si dhe plagosën Hasan beun, babanë e teqesë. Po atë ditë, ata sulmuan dhe fshatin shqiptar Sop të Kërçovës, të cilin e dogjën. Me ç’rast kryengritësit vranë gjithsej 9 veta të përkatësisë fetare myslimane, kurse vetëm në qytezën e Kërçovës vranë 8 veta dhe 10 të tjerë i plagosën. Sulmi i komitëve me bomba u shtri dhe mbi fshatrat tjera të kazasë së Kërçovës.

Më 4 gusht ata sulmuan fshatrat Pllasnicë, Lisiçan, Shutovë, Garanë dhe Staroec etj. të kësaj kazaje, ku dhe vranë 8 veta dhe plagosën 10 veta shqiptarë e mysliman. Gjithashtu, komitët i dogjën edhe fshatrat shqiptare Drugovë dhe Izhishtë, të Kërçovës. Në kazan e Kërçovës, përpara terrorit të bandave bullgare, nga disa fshatra u arratis-iku e tërë popullata shqiptare; me gra e fëmijë, si nga Trebinja, Pllasnica, Belica „Shqiptarët e atij fshati (Belicës-H.P.) u larguan dhe ikën në Manastir dhe në vende tjera“, si dhe nga Samakovi dhe Braqani, fshatarët e këtij të fundit u vendosën në fshatin Tuhin të Kërçovës.Kryengritja bullgare më 3 gusht u zgjerua edhe në nahijen e Debarcës. Fshatrat me popullatë të besimit mysliman, në dhe për rreth nahijes së Debërcës, që nga ditët e para të kryengritjes u sulmuan nga kryengritësit. Veç tjerash, kryengritësit i vranë dy notabël (bejlerë) shqiptar nga Dibra, të cilët shkonin për të bërë tregti.Që nga 3 gushti kryengritja u shtri dhe zhvilloheshin luftime edhe në nahijen e Koxhaxhikut, si p.sh. në fshatin Sellcë, por dhe në Drinkoll.

Popullata myslimane rreth fshatit Sellcë, në mbrojtje të fshatrave të tyre pati 3 veta të vrarë dhe 2 të plagosur. Kurse, fshatarët e fshatit Novac (afër Sellcës) ishin të detyruar që vet t`iu kundërvihen sulmit të kryengritësve, nga fshatarët 2 veta u vranë dhe 2 u plagosën.Më 2 gusht bullgarët e kazasë së Kastories (Kosturit) e sulmuan fshatin Zherven të kësaj kazaje, i banuar me popullatë të besimit mysliman. Sulmi i tyre mbi këtë fshat vazhdoi tri ditë, do të thotë deri më 4 gusht, i shoqëruar me vrasje, djegie dhe rrënime. Kështu, në Zherven, kryengritësit bullgarë, më 2 gusht, vranë 8 veta, më 3 gusht vranë edhe 26 veta, kurse më 4 gusht kryengritësit sulmuan sërish fshatin Zherven dhe e kallën, nga 94 shtëpi sa kishte 89 u dogjën, kurse popullata e fshatit për t`i shpëtuar likuidimit u zhvendos në Kastoria. Ndërkohë, terrori i bandave bullgare u shtri edhe në fshatrat tjera me popullatë myslimane në Kastoria. Me ç’rast, nga ana e bandave janë vrarë dhe janë rrëmbyer shumë veta nga radhët e popullatës myslimane, numri i të cilëve nuk dihej.Terrori i bandave bullgare u shtri edhe mbi fshatrat shqiptare e turke të kazasë së Follorinës.

Nga 3 gushti, kur filloji sulmi i bandave, dhe deri më 16 gusht, ishin sulmuar këta vendbanime: Neolan i Sipërm, Kotori i Sipërm, Ermenohor, Stanci (Spanci), Follorinë, Kleshtinë e Sipërme, Voshtaren dhe Krushorad. Gjatë sulmeve të bandave në këto vendbanime u vranë dhe masakruan rreth nëntë (9) veta, u dogjën dy (2) shtëpi, si dhe u rrëmbyen një numër i madh i kafshëve.Nga sa u tha, sipas të dhënave dokumentare jo të plota, gjatë dy javëve të para të gushtit 1903, nga ana e bandave komite dhe kryengritëseve u sulmuan mbi 52 vendbanime shqiptare e turke, mbi 12 nga to u bënë shkrumb e hi. Vetëm në sanxhakun e Manastirit nga ana e komitëve dhe kryengritësve u vranë mbi 77 dhe u plagosën mbi 56 veta, shqiptarë e turq, si dhe u dogjën mbi 246 shtëpi dhe qindra kasolle etj. Gjithashtu, krahas sulmeve të armatosura ndaj fshatrave shqiptare në këto kaza, bandat komite dhe kryengritëse ua vuan zjarrin dhjetëra çifligjeve. Vetëm më 7 gusht nga komitët u dogjën 16 çifligje në kazanë e Manastirit.Kështu, deri më 22 gusht, kryengritja u shtri shumë pak përtej kufijve të sanxhakut të Manastirit.

Kryengritësit shpresonin, sipas asaj që u kishte thënë propaganda e komiteteve, se brenda dhjetë ditëve do të pason ndërhyrja e Fuqive të Evropës, me që kjo nuk ndodhi atëherë filloi të bien morali ndër fshatarët të cilët u ishin bashkuar kryengritësve, kurse deri në dhjetor të vitit 1903 kryengritja u shtyp nga forcat osmane.

QËNDRIMI I SHQIPTARËVE NDAJ KRYENGRITJES

Përkundër asaj se që nga fillimi i vitit 1903 komitetet bullgare-maqedonase në propagandimin e kryengritjes iu qasën një taktike të re; kamuflimi i idesë së kryengritjes me vello fetare: „të çlirimit të të gjithë krishterëve në përgjithësi“, ndaj dhe kërkonin bashkëpunim me të gjithë të krishterët pa dallim kombësie. Mirëpo, siç vlerëson studiuesi Stevan K. Pavlloviq; Kryengritja e Ilindenit shpërtheu si rezultat i ndërthurjes së motiveve nacionaliste, sociale dhe politike. Do theksuar se i gjithë dokumentacioni arkival i kohës i konsultuar, i proveniencave të ndryshme, këtë kryengritje për nga karakteri etnik e karakterizon si „kryengritje bullgare“.Sa i përket qëndrimit të shqiptarëve ndaj Kryengritjes së Ilindenit, përgjithësisht historiografia shqiptare, pa ndonjë qëndrim kritik, ka pranuar klishetë e historiografisë së Shkupit ndaj “Kryengritjes së Ilindenit”, dhe në këtë kuadër ajo në planë të parë e vë aspektin e pjesëmarrjes pasive e aktive të shqiptarëve në këtë kryengritje, pa i analizuar dimensionet tjera të kësaj kryengritje.

Todor Simovski vlerëson se shqiptarët e ndihmonin komitetin dhe kryengritjen për këto arsye:1.Disa nga shqiptarët, në organizatën-komitetin shihnin aleatin dhe mikun në luftën kundër Perandorisë Osmane. 2.Disa të tjerë kërkonin ndihmën dhe përvojën e organizatës. 3.Disa për shkak të përfitimeve personale duke bërë kontrabandë me armë. Gjithsesi se këto të fundit përbënin shumicën absolute. Për angazhimin e shqiptarëve në kontrabandën e armëve dhe të municioneve, ishin shumë të interesuar edhe vetë komitetet bullgare, ndaj dhe në pikën gjashtë (6) të „Udhëzimeve sekrete…“ çetat komite, veç tjerash, porositeshin që „shoqatat“ e ngarkuara për furnizim me armë: „të bëjnë për vete shqiptarë për kontrabandën e armëve.“(Citati i marrë: Angel Dinev, Ilindenskata Epopeja, Prilep, 1954, faqe, 2.)Pra, pjesën më të madhe të shqiptarëve të cilët ishin vënë në shërbim të kryengritjes bullgare, e përbënin kontrabandistët për përfitime materiale. Ashtu që shumica e bartësve-transportuesve të armëve, barutit dhe të pajisjeve tjera ushtarake, ishin shqiptarë nga radhët e të dyja konfesioneve; mysliman e ortodoks.

Në furnizimin me armatime dalloheshin fshatarët e fshatrave; Piskopi, Vishnje, pastaj shqiptarë nga Struga, nga Pogradeci, nga Gostivari, nga Kolonja, Follorina, Krusheva etj. Veçanërisht, më shumë ishin të angazhuar në ndihmë organizatës dhe kryengritjes, në forma të ndryshme, shqiptarët e besimit ortodoks, si ata të fshatit Eleovë të Kosturit, pastaj ata të fshatrave Negovan, Bellkamen dhe Kotor i Poshtëm të Follorinës, si dhe ata të Piskopisë dhe të Vishnjes. Gjithashtu, edhe nga radhët e shqiptarëve të besimit mysliman kishte simpatizant dhe të tillë që ishin përfshirë në organizatën, si: Abdyli, Sulë aga nga fshati Pleshevicë i Follorinës-i cili ishte besnik i organizatës, Osmani-kapter i ushtrisë osmane me shërbim në Follorinë, Mehmed Aliu nga fshati Kleshtinë e Sipërme e Follorinës-oficer i ushtrisë osmane, Sefedin Mahmudi nga Naselica-kajmekam në Follorinë, Mehmed Shupellka-roje fushe, Usein efendiu-taksildar, Ibraim Aliu nga fshati Bilisht i Follorinës-anëtar i Organizatë së Brendshme, Sinan aga nga fshati Kazhan i Manastirit, Mehti beu-kajmekam i Ohrit e shumë të tjerë që e ndihmonin Organizatën moralisht dhe materialisht. Ndërkaq, Belul Arif Naxhaku ka qenë komitë në çetat e vojvodëve; Çaulev, Alabak dhe Petre Lesov. Ndërkaq, në mënyrë më masive në kryengritje veçanërisht ishin përfshirë shqiptarët e besimit ortodoks të Lagjes Shqiptare të Krushevës.Gjithsesi, kishte individë dhe grupe minore shqiptare, apo raste të izoluara, që bashkëpunonin me komitetet bullgaro-maqedonase dhe me çetat e tyre komite apo iu bashkuan kryengritjes, për motive politike. Mirëpo, si duket këta shqiptar nuk ishin të vetëdijshëm se ishin të manipuluar nga komitetet bullgaro-maqedonase, në funksion të realizimit të kauzës ekspansioniste bullgare.

Kjo në mënyrë shumë ilustrative shprehet në qarkoret rezervat të “Komitetit të Fshehtë Maqedonas”, të janarit-shkurtit të vitit 1899, drejtuar strukturave vartëse të tij, lidhur me marrëveshjen e këtij komiteti me “Komitetin Revolucionar Shqiptar”, në Bukuresht, për kryengritje të përbashkët, ku shprehimisht thuhej: “Komiteti shumë mirë e dinte…se bullgarët i urrejnë shqiptarët. Por ata le të na ndihmojnë të shpëtojmë nga turqit, pastaj lehtë do të jetë që edhe me to t’i pastrojmë llogaritë-për këtë as që do të mendojmë”.

Ndërkaq, nga sa u tha, për Lëvizjen Kombëtare shqiptare dhe për shumicën e popullit shqiptar ishin të qarta qëllimet e vërteta të “reformave” në “Tre Vilajetet”, qëllimet e intrigave të Propagandës bullgaro-maqedone dhe të komiteteve bullgaro-maqedone, si dhe qëllimet e vetë Kryengritjes së Ilindenit, të cilat qëllime drejtpërdrejti cenonin interesa kombëtare shqiptare, sepse, siç thuhej dhe në popull: „Me paratë e Rusisë bullgarët duanë të na i marrin tokat…“ Prandaj, nuk kishte asnjë arsye logjike e racionale që Lëvizja Kombëtare shqiptare dhe populli shqiptar të mbështesnin, me përjashtim të rasteve të izoluara, kauzat e huaja, në dëm të kauzës së vet. Lidhur me këtë, edhe A. Alri, konsulli i Francës në Shkodër, në një raport të tij, datë 26.08.1903, konstatonte: „Katolikët dhe myslimanët e Shqipërisë pa dyshim nuk dëshironin që në këtë moment ta luajnë lojën e sllavëve, duke i krijuar vështirësi Qeverisë perandorake“.Prandaj, nga sa u tha, shumica absolute e popullit shqiptar kishin qëndrim negativ ndaj kësaj kryengritje. Numri më i madh i prijësve-krerëve dhe popullata në Shqipëri, i kërkuan leje pushtetit që shqiptarët të formojnë çeta vullnetare për t’i ndihmuar ushtrisë perandorake në shuarjen e kryengritjes. Mirëpo, me një urdhër të sulltanit ishte ndaluar ndërlikimi i veçantë i popullatës civile, ndaj dhe krerët dhe popullata shqiptare hoqën dorë nga qëllimi që t’i ndjek kryengritësit. Në raste të kundërta, shqiptarët të cilët nuk iu nënshtroheshin urdhrave të autoriteteve, detyroheshin dhe me forcë të kthehen prapa në vendet e veta.

Nga ana tjetër, administrata osmane, të gjithë ata persona që i nënshtroheshin obligimit ushtarak, i rekrutonte nëpër batalione redife dhe ilafe.Gjithsesi se kishte dhe raste kur fshatarë shqiptarë të zonave përkatëse ku zhvilloheshin luftime, të marrin pjesë aktive përkrah forcave osmane në shpartallimin e kryengritësve. Por, në ata zona ku popullata bullgare nuk ishte përfshirë në lëvizjen kryengritëse dhe qëndroj e qetë, nuk ishte ngacmuar fare nga ana e shqiptarëve, siç ishte rasti me pjesën veriore të nahijes së Kërçovës. Këtë gjë e pohonte dhe Llazar Kujunxhiqi, administrator i shkollave serbe në Kërçovë.

Ai shprehimisht thotë se: „pjesa veriore (e Kërçovës-H.P) nuk mund të ankohet“ për dhunë të ushtruar ndaj elementit sllav. Përkundrazi, kjo pjesë e Kërçovës „sot është kursyer mu për faktin se është e përzier me shqiptarët. Për shkak të shqiptarëve, Komiteti deri më tani nuk kishte qasje atje, ndaj dhe nuk mundej as që të kishte atje përleshje të armatosura si në viset më jugore (të Kërçovës-H.P.), rrjedhimisht as nuk kishte plaçkitje“. Ky konstatim i Kujunxhiqit, është dhe një dëshmi që mohon pohimet e propagandave bullgare, serbe e ruse mbi gjoja dhunën masive që po ushtronin shqiptarët mbi popullatën sllave dhe përgjithësisht ndaj asaj të krishterë (ortodokse).

Shpërndaje artikullin në: