Kriza politike në Shqipëri, eksperti gjerman: Pse kompromisi është i pamundur
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i ka nisur kreut te opozitës dy letra publike për bisedime. Ndërmjetësuesi i njohur Schwarz-Schilling shpjegon për Deutsche Wellen se përse kompromisi ende është i pamundur.
Intervista e plotë
Deutsche Welle: Në Shqipëri kemi aktualisht një ngërç politik. BE-ja, pra, komisioneri Johannes Hahn, kërkojnë kompromis ndërmjet qeverisë dhe opozitës. Ju jeni një ndërmjetësues i njohur në Ballkan e në botë. A shihni një mundësi për arritjen e këtij kompromisi?
Christian-Schwarz-Schilling: Ndërmjetësimi në këtë nivel mund të arrihet vetëm kur të dyja palët e duan. Kur njëra palë cakton si parakusht të bisedimeve kapitullimin ose dorëheqjen e palës tjetër, atëherë metoda nuk do të funksionojë dhe nuk duhet synuar.
Unë jam shumë i çuditur me deklaratat që dëgjoj nga partia e opozitës, si për shembull, deklaratat e ish-kryeministrit, Sali Berisha, i cili, në vend që të thërrasë për ballafaqimin e opinioneve të ndryshme në parlament, lëshon parulla revolucionare duke shkatërruar kështu institucionin e parlamentit.
Por politikanët e opozitës e kanë braktisur tashmë parlamentin…
Po, dhe kanë bërë gabim. Mua më kujtohet viti 2010, kur kam ndërmjetësuar mes Sali Berishës si kryeministër dhe Edi Ramës, asokohe kryetar i opozitës.
Situata ishte e kundërta e kësaj që kemi sot: Edi Rama atëherë kishte paralajmëruar se do t’i dorëzonte mandatet, por ai u tregua shumë më i arsyeshëm dhe pranoi të kthehej në Kuvend. Opozita e sotme duhet të marrë shembull nga Edi Rama si ish-kreu i opozitës.
E megjithatë, komisioneri Hahn ka thënë se qeveria duhet të kërkojë dialogun me opozitën. Meqenëse ju e njihni dhe e çmoni personalisht Edi Ramën, çfarë këshille do t’i jepnit në këtë situatë?
Ai duhet të nxjerrë në plan të parë institucionin parlamentar dhe të thotë se Kuvendi duhet të formulojë një opinion për vendin. Nuk mund ta ndryshosh me dhunë maxhorancën parlamentare.
Mund të shqyrtohen argumentet që sjell pakica kundër qeverisë, të cilat maxhoranca duhet t’i trajtojë me seriozitet dhe t’i përfshijë në punën e qeverisë. Por nuk është e mundur, që pakica ta shpallë veten si maxhorancë dhe të prishë kësisoj institucionin e parlamentit.
Kjo nuk ecën. Maxhoranca mund të ndryshohet vetëm në zgjedhje. Dhe opozita duhet të pajtohet me këtë rezultat.
Duhet të pajtohet edhe pse ka pasur blerje votash në disa qarqe, siç pretendon opozita?
Unë nuk besoj se kjo ka ndodhur. Dihet që në përgjithësi përdoren gjithmonë ca metoda ballkanike, por nuk kam dëgjuar që Edi Rama ta ketë bërë këtë në mënyrë aq masive sa të ketë pasur efekt në rezultatin e zgjedhjeve.
Po dosjet e përgjimeve të prokurorisë, ku dëgjohen persona të lidhur me krimin e organizuar duke blerë vota në emër të kandidatëve të Partisë Socialiste?
Këto janë akuza që duhen dëshmuar. Nëse ka qenë kështu, atëherë opozita duhet të paraqesë dëshmitë dhe të bëjë një kërkesë për verifikim.
Pra, ju mendoni se vetëm përgjimet nga dosjet nuk mjaftojnë?
Jo. Ato nuk mjaftojnë.
Por në Shqipëri ka kohë që ekziston një pakënaqësi e përgjithshme, e cila vihet re jo vetëm te opozita. A pajtoheni?
Unë kam përvojë me disa shtete të Ballkanit Perëndimor. Jam shumë i lidhur me Bosnjë-Hercegovinën. Më duhet të them, se ato gjëra që ndodhin aty, as që mund të krahasohen fare me Shqipërinë.
Kam parasysh partitë djathtiste kroate, HDZ, si në Kroaci, ashtu edhe në Bosnjë-Hercegovinë që bëhen bashkë, jo për ta ndërtuar, por për ta shkatërruar shtetin e Bosnjë-Hercegovinës.
Përkundrazi, me projektet e ndryshme që kam në Shqipëri, kam krijuar përshtypjen se atje po bëhen përpjekje shumë serioze për reformat. Kjo duket më së miri në procesin e Vettingut në gjyqësor.
Është një proces shumë i vështirë, por qeveria dhe Ministrja e Drejtësisë po e menaxhojnë shumë mirë.
Keni biseduar ju edhe me kreun e opozitës, Lulzim Basha?
Po, e kam takuar dy herë. Përshtypja ime është se ai është një njeri mendjemprehtë, por që synon vetëm të çojë përpara karrierën e tij dhe mendon se tani është momenti i përshtatshëm.
Nuk kam përshtypjen se po digjet për vendin dhe për reformat. Kam përshtypjen se opozita po kërkon të nxisë zhvillime revolucionare për të arritur rrëzimin e qeverisë.
Ne këtë nuk mund ta mbështesim, Ne duhet të mbrojmë me forcë institucionet. Aty ku prezantohen fakte, duhet hetuar më tej, por jo të bëhen polemika dhe demagogji për të shkatërruar institucionet, shkruan DW.
Kjo është shumë e rrezikshme. Për këtë shkak unë jam i mendimit se arritjet pozitive të qeverisë në Shqipëri duhen vlerësuar dhe nuk duhen përçmuar në këtë mënyrë.
Sipas të gjitha gjasave, parlamenti gjerman, Bundestag-u, do të votojë në shtator mbi çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në. Çfarë duhet të ndodhë gjer atëherë, në mënyrë që kolegët tuaj të CDU/CSU-së t’i japin Shqipërisë dritën e gjelbër për çeljen e negociatave?
Deri atëherë do të duhet të dalë në pah e vërteta, konkretisht, se kush kërkon reforma, e kush përmbysje.