17 maj 2018-Jerusalemi si kryeqytet i Izraelit është vendim politik e jo religjioz dhe e drejtë legjitime e popullit hebre!

Transferimi i ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem shërbeu si pretekst për të nxitur protesta jo vetëm në kufirin e Rripit të Gazës me Izraelin por edhe në shumë vende ku popullsia shumicë janë të besimit islam. Vrasja e dhjetëra manifestuesve dhe plagosja e rreth tre mijë të tjerëve nxiti një indinjatë të madhe edhe në mesin e myslimanëve në Kosovë. Nga prononcimet e shumta po e veçoj atë të teologut Mustafë Bajramit, i cili në opinionin publik të Kosovës njihet si «njohësi i rrethanave në Lindjen e Mesme». E veçova Mustafë Bajramin për arsye se në qëndrimet e tij sintetizohet në mënyrën më të mirë të mundshme manipulimi që synon ta paraqes transferimin e ambasadës amerikane në Jerusalem si «shpallje zyrtare e Kudsi Sherifit qytet vetëm i jahudive» . Teologu islam Mustafë Bajrami «zbulon» se përmes këtij akti, Jerusalemi, të cilin asnjëherë nuk e përmend si Jerusalem por vetëm me emrin Kudsi Sherif, «nga sot nuk u takon me letra as muslimanëve e as të krishterëve por vetëm i izraelitëve»! Për t’i vënë kapak qëndrimeve të tilla, Mustafë Bajrami deklaron se «kështu, përpjekja një shekullore e muslimanëve për ta ruajtur Kudsin nga invadimi total izraelit, sot definitivisht po merr fund».

Interpretimi i tillë i ngjarjeve nuk është asgjë tjetër pos manipulim i kulluar politik. Përdorimi vetëm i emrit arab për Jerusalemin nuk është i rastësishëm, sepse kjo formë e propagandës përgatitë terrenin për të shitur pretendimin se gjoja «Izraeli invadon Jerusalemin»! Shqiptarët, si rrallëkush tjetër janë vigjilent përball sloganeve të ngjashme që përpiqen ta fshehin realitetin, sepse edhe vetë kanë qenë objekt i shtrembërimeve të tilla nga propaganda serbe dhe argatët e saj që përpiqeshin ta shtrembëronin realitetin se gjoja «shqiptarët kanë invaduar Kosovën».

Madje, për të qenë ironia edhe më e madhe, lexuesi shqiptar pati rastin të njihej me qëndrimin zyrtar të autoriteteve palestineze përmes ambasadorit të saj në Serbi. Ambasadori palestinez në Beograd, Mohamed Nabhan hodhi poshtë si «të gabueshëm pohimin kur thuhet se Kosova për serbët është si Jerusalemi për Izraelin», sepse sipas tij, «Serbët nuk kanë qenë okupator të Kosovës, meqenëse Kosova është toka e tyre, përderisa izraelitët e kanë pushtuar Jerusalemin».

Vënia në paralelizëm të sloganeve për gjoja «Invadimin e Kosovës nga shqiptarët» dhe «Invadimin e Jerusalemit nga izraelitët», sado paradoksale të duken kanë domethënien e vet të madhe, sepse realiteti dëshmon për ngjashmëri të mëdha mes dy realiteteve. Pa pasur nevojë të zgjatem për lexuesin shqiptar, po përmend se të gjitha hulumtimet shkencore dëshmojnë në mënyrë të padiskutueshme se 2500 vjet para se të vinin sllavët në Ballkan këto hapësira lulëzonin nga civilizimi ilir. Sa për ilustrim po citoj historianin francez Alain Ducelier, profesor në Universitetin e Toulouse, i cili thotë: «Të gjitha punimet më të reja nga fusha e linguistikës dhe arkeologjisë dëshmojnë se ilirët janë pa asnjë dyshim paraardhësit e drejtpërdrejtë të shqiptarëve. Secili e di se sllavët janë populli indo-evropian që më së voni kanë ardhur në Evropë, sepse vala e INVADIMEVE të tyre shtrihet nga shekulli i VI dhe VII të epokës sonë. Të gjitha argumentet e tipit “historik” kthehen kundër tezës sepse Historia na mëson që serbët, në raport me Kosovën, janë INVADUES që kanë ardhur shumë vonë» (Fjala invadim në citatin e mësipërm u shkrua me shkronja të mëdha nga unë; shih: Alain Ducellier, Les Albanais sont-ils des envahisseurs au Kosovo ? (A janë shqiptarët invadues të Kosovës?).

Qëllimisht e citova një historian të huaj për këtë çështje sepse një numër teologësh islam dhe historianësh neo-otoman janë bërë argat të Serbisë duke pretenduar se gjoja «shqiptarët invaduan Kosovën gjatë periudhës së pushtimit otoman», dhe për këtë kategori «dijetarësh», çdo referencë të historianëve shqiptarë e konsiderojnë si «shtrembërim të historisë»!

Përveç këtij lloji të argatëve të Serbisë, të veshur shpesh me petkun e hoxhallarëve dhe dijetarëve islam, nuk mund të gjesh intelektual serioz të mos e përsërit konstatimin se pikërisht serbët janë ata që invaduan Kosovën.

Me Jerusalemin është e njëjta gjë. Që nga shekulli i XIV para epokës sonë, kur përmendet për herë të parë Urushalemi (emër i vjetër i Jerusalemit) në letërkëmbimin e Faraonit egjiptian Akhenaton me mbretin e këtij vendbanimi, e deri në kohën e vendosjes së arabëve në këtë qytet kanë kaluar mbi njëzet shekuj histori të mbushur plot e përplot tragjedi.

Mbi pesëmbëdhjetë shekuj para ardhjes së arabëve në këtë vend Jerusalemi ishte kryeqendra administrative e Mbretërisë së vogël të Judesë. Duke u ndodhur në udhëkryqin e rrugëve më të rëndësishme tregtare të Koasanit Pjellor, Mbretëria e Judesë u bë objekt sulmi dhe zhvendosje të popullsisë nga Perandoria asiriane, nga Perandoria babilonase, nga Egjipti i faraonëve, nga faraonët me origjinë greke dhe dinastitë e ndryshme mbretërore që ndanë territoret e pushtuara nga Leka i Madh dhe nga Perandoria romake për shumë shekuj me radhë para se të lindte krishterimi si religjion. Gjatë gjithë periudhës së mërgimit të dhunshëm të popullit hebre, Jerusalemi ishte shndërruar në vendin simbol të identitetit të judaizmit si religjion dhe identitetit etnik të tyre. Kthimi në këtë vend konsiderohej si mision hyjnor dhe tokësor për secilin hebre. As zhvendosjet e shpeshta të hebrenjve nga territoret që dikur përfshiheshin në Mbretërinë e Izraelit dhe Mbretërinë e Judesë, as shkatërrimet e shpeshta të Tempullit dhe qytetit të Jerusalemi, as ndërrimet e shpeshta të emrit të këtyre krahinave me qëllim të humbjes së gjurmëve, as vendimi i Perandorisë romake që t’i dëbonte dhe t’ua ndalonte hyrjen në Jerusalem dhe ta emëronte këtë vend me emrin Palestinë për hir të popullit filistin nuk mundi t’ua ndalojë hebrenjve të kenë sytë drejtë Jerusalemit. Jerusalemi u shndërrua në «ushqimin shpirtëror» për të ruajtur identitetin etnik dhe religjioz për hebrenjtë kudo qofshin në botë.

E gjithë kjo ndodhi shumë shekuj para lindjes se krishterimit si religjion ndërsa Jerusalemi u pushtua nga arabët në shekullin e VII të epokës sonë.

Rezultatet arkeologjike dhe teksteve të vjetra kuneiforme dëshmojnë se në raport me Jerusalemin asirianët, babilonasit, persët, maqedonasit, grekët, romakët, arabët dhe të tjerët janë INVADUESIT që erdhën si pushtues përgjatë 1500 vjetëve të historisë tragjike të hebrenjve të kësaj hapësire gjeografike. Fatkeqësisht invadimet nuk u ndalën me kaq…

Tani, t’i ndalohet popullit hebre që të ketë për kryeqytet të vetin Jerusalemin është paradoks i llojit të vet. Absurdi është edhe më i madh kur kundërshtarët e kësaj aspirate hebraike përpiqen ta shohin nga këndvështrimi religjioz. Një gjë duhet të jetë e qartë: shndërrimi i Jerusalemit në kryeqytet të shtetit të Izraelit është vendim politik dhe e drejtë legjitime e popullit hebre. Kjo e drejtë nuk cenon vlerat religjioze që ky qytet ka për judaizmin, krishterimin dhe islamin. Përkundrazi, pranimi i realitetit politik ulë tensionet në këtë pjesë të globit, sepse prushi i zjarrit që u rri ndër këmbë civilëve të pafajshëm nuk kërkon shumë për të marrë flakë. Tragjedia e nxitjeve për konflikt, nga kushdo qoftë, ka vetëm një rezultat: pasoja të mëdha në njerëz!


 

Dr. Muhamed KAJOLLI

20 maj 2018

Reagim ndaj shkrimit të B. Mahmutit “Jerusalemi si kryeqytet i Izraelit është vendim politik e jo religjioz dhe e drejtë legjitime e popullit hebre!”

 

Nga studimet akademike shkencore nga vetë hebrenjtë, në krye të të cilëve ishte shkrimtari i njohur Arthur Koestler, në librin e tij fisi i trembëdhjetë The Thirteenth Tribe: The Khazar Empire & its Heritage, tregon se shumica dërmuese e hebrenjve të tanishëm nuk janë pasardhësit e bijve të Izraelit. Ai argumenton duke thënë se çifutët e tanishëm i përkasin pasardhësve të hebrenjve Khazar, të cilët janë fise me origjinë tatarësh të lashtë që jetonin në rajonin e Kaukazit.

 

Është muaji i ramazanit, prandaj nuk pritej një reagim i hoxhallarëve ndaj shkrimit të B.Mahmutit. Ndërsa unë sot isha më i lirë, dhe pa marrë leje nga z. Mustafë Bajrami vendosa t’i përgjigjem shkrimit të ish politikanët të dështuar në Maqedoni. Pa parathënie do të hyj në temë sepse nuk kam ambicie politike, por u nisa nga parimi të qëndroj me drejtësinë.

Me keqardhje e them se z. Bardhyl, brenda vetes ka gjëra që po i fsheh, prandaj, duket se sikur të ketë qenë i “detyruar” të dilte me këtë shkrim për të nxjerr “mllefin” kundër hoxhës ose “shumicës së hoxhallarëve” kur ai thotë: “Përdorimi vetëm i emrit arab për Jerusalemin nuk është i rastësishëm… «Izraeli invadon Jerusalemin»! Shqiptarët, si rrallëkush tjetër janë vigjilent përball sloganeve të ngjashme që përpiqen ta fshehin realitetin, sepse edhe vetë kanë qenë objekt i shtrembërimeve të tilla nga propaganda serbe…”

Unë do të përpiqem të jam shumë i shkurtër në reagimin tim, sepse në fund z. Bardhyl, më duhet t’i jap një leksion historie. Prandaj reagimin e filloj me fjalinë e fundit në këtij paragrafi. Unë them se kjo fjali nuk ka të bëj fare me hoxhallarët, por me ata që ishin servil ndaj serbëve. Sajesat vinin nga ata që punonin serbë dhe kishin krushqi me serbët. Të tillë ishin më serbë se vetë serbët, e jo hoxhallarët, ndonëse ka mundur dikush prej tyre të bashkëpunonte me ta.

I dashuri Bardhyl, e marr me mend, që ti nuk i ke dëgjuar hoxhallarët nëpër xhami e as nëpër oda, por pyeti pleqtë, se si i edukonin fëmijët e tyre, bile se si të “edukonte ty gjyshi yt” të cilët mësimet i merrnin prej hoxhallarëve: “Biro, mos u marto me shkinë, mos u vesh si shka, mos ha si shka, mos ec si shka, mos shko në vendet ku janë shkiet…Të gjitha këto mësime ishin që të rruhej identiteti kombëtar shqiptar… E nga na dolën hoxhallarët objekt i shtrembërimeve…Ndërsa ata që mendonin si ju (komunistë), një numër i konsiderueshëm e shtrembëruan historinë tonë të lavdishme dhe shumë prej tyre u tjetërsuan menjëherë, ndërsa populli vuajti zinjtë e ullirit…

Sa i përket emrit arab të Jerusalemit, shkurt të them. Unë Shkupit i them Shkup, e jo Skopje, sepse jam shqiptar dhe den baba den i kemi thënë kështu. Një musliman Kudsit nuk i thotë Jerusalem, por Kuds. E ti kërkon që një hoxhë (kupto një shqiptarë), t’i thotë Kudsit Jerusalem, sikurse t’i kërkosh një shqiptari që Shkupit t’i thotë Skopje!

Nuk ju kam ditur kaq të cekët kur ju thoni: «…të gabueshëm pohimin kur thuhet se Kosova për serbët është si Jerusalemi për Izraelin» Ju mendoni se nuk është ashtu! Ehhh, fatkeqësisht, njerëz sikurse ti që janë futur në politikë na kanë sjellë situatën në këtë gjendje ku jemi sot. Ti, duket se nuk e njihke historinë, e aq më tepër atë të Lindjes së Mesme. Sikur ta njihje nuk do ta shkruaje këtë fjali. I dashur, fabrikimet që i kanë bërë serbët për Kosovën, dhe pretendimet e tyre se Kosova është toka e shenjtë e tyre, janë munduar t’ia mbushnin mendjen botës së Kosova është vend i Serbisë, mu ashtu sikurse izraelitët që ta kanë mbushur mendjen ty, se, Kudsi është e drejtë e Izraelitëve. Bile, ti ke filluar të besosh se Izraeli ka të drejtë legjitime ta formojë shtetin nga Nili deri në Eufrat.

Pastaj ju thoni: “teologësh islam dhe historianësh neo-otoman janë bërë argat të Serbisë duke pretenduar se gjoja «shqiptarët invaduan Kosovën gjatë periudhës së pushtimit ottoman” Pretendimi juaj se hoxhallarët dhe disa historian pretendojnë se “shqiptarët invaduan Kosovën”, kjo tregon se nuk e njihni as historikun e gjuhës shqipe, e as historinë tonë. I dashuri Bardhyl, a e di ti se, banorët e fiseve ilire kur e morën emrin shqiptar? E kuptoj që nuk e dini, sepse nuk do ta shkruaje këtë fjali…prandaj do të tregoj ty dhe tjerëve që nuk e dinë.

Shqiptarët më herët njiheshin me emrin shqiptarë, por njiheshin me emrin e fiseve të tyre edhe pse ishin shqipfolës. Kur këta banorë të fiseve (ilire) pranuan islamin filluan t’i quajnë shqiptarë për t’i dalluar nga të tjerët p.sh. nga arbërit që ishin krishterë. Pra, kuptimi i shprehjes shqiptarët invaduan Kosovën do të thotë, shqipfolësit muslimanë kur invaduan Kosovën (kur u bënë shumicë), nga shqipëfolësit ortodoks…” e jo nga serbët, ndonëse serbët ishin pushtues të tokave të shqipfolësve ortodoks e katolikë që njiheshin me emrin arbër ose me emra të tjerë.

Më habit fakti se ju si “njohës i shkencave politike” t’i jepni të drejtën një pushtuesi për Kudsin të jetë kryeqytet i tyre “shndërrimi i Jerusalemit në kryeqytet të shtetit të Izraelit është vendim politik dhe e drejtë legjitime e popullit hebre… Sërish ju them se jeni larg të drejtës ndërkombëtare. Kthehu dhe lexo, se rreth 12 rezoluta ndërkombëtare janë votuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së që ia ndalojnë Izraelit të drejtën që Kudsi të jetë kryeqyteti i tyre. Pastaj , mbi 20 vjet, presidentët e SHBA-ve, para Trumpit e kishin marrë vendimin nga Kongresi që ta transferonin ambasadën e tyre nga Tel Avivi në Kuds, por nuk e kishin bërë sepse ishte vendim kundër rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. E ti i dashur, nga na dole t’ia japësh të drejtën (a)izraeiltëve, kur edhe Evropa dhe shumica dërmuese e shteteve të botës janë kundër këtij vendimi. A nuk po e sheh edhe aleatja më e madhe e SHBA-ve (Evropa), doli kundër tyre…

Pak histori Bardhyl Mahmutit

Nën një. Palestina u banua që në lashtësi. Banorët e këtij vendi ndërtuan qytetin më të vjetër në botë, “Xherikon”, rreth dhjetë mijë vjet më parë, 8000 para Krishtit, ndërsa kenanejtë u shpërngulën nga Gadishulli Arabik për në Palestinë rreth vitit 2500 p.e.s.

Sipas mendimit të shumicës së historianëve, popullsia e përgjithshme e Palestinës, veçanërisht fshatrat, janë të banuar me pasardhësit e kenanëve dhe popujve të tjerë të lashtë, siç janë popujt e detit (pellazgët) të cilët quheshin palesët, prej nga edhe e merr emrin Palestina. Pra, palestinezët dhe banorë të tjerë të hershëm ishin edhe arabët. Që do të thotë se rrënjët e palestinezëve të tanishëm kthehen më së paku 4500 vjet e që nuk e lëshuan vendin e as nuk migruan gjatë gjithë kësaj periudhe kohore.

Nën dy. Ardhja e Ibrahimit në të ishte rreth vitit 1900 p. e. s. Këtë e pohon Tora, i cili kësaj hapësire tokësore iu referua me emrin Toka e Kenanit. Ibrahimi, për t’u stabilizuar më vonë, në të bleu tokë nga njerëzit me qëllim që ta varroste gruan e tij, Sarën, Na është e njohur se ai bleu shpellën e Mekvilës. Po në këtë vend është varrosur edhe Ibrahimi dhe biri i tij, Is’haku dhe nipi i tij, Jakubi. Në këtë vend është ndërtuar xhamia që quhet Ibrahimije. Në këtë truall ishin vendosur Jakubi me bijtë tij, të cilët pasi migruan në Egjipt, u njohën me emrin bijtë e Izraelit. Atje qëndruan disa shekuj (gjenerata), derisa Musai i ktheu në Tokën e Shenjtë rreth viti 1250 p.e.s. por që hezituan dhe nuk hynë në të (Kuds në arabishte do të thotë e Shenjtë).

Nën tre. Mbreti Davud dhe Sulejman ishin vendosur në të vetëm rreth tetëdhjetë vjet (1004 – 923 p. e. s). Gjatë kësaj kohe kontrollohej kufiri i Palestinës, me përjashtim të zonave bregdetare që nuk ishin prekur nga mbretëria, përveç nga një vend pranë Jaffës. Pas vdekjes së Sulejmanit hebrenjtë u ndanë në dy mbretëri. Mbretëria e Izraelit: Jetëgjatësia e shtetit ishte rreth dyqind vjet (923-721 p.e.s). dhe Mbretëria e Judenjve: Kudsi ishte kryeqyteti tyre. Kjo mbretëri jetoi 337 vjet, pra, nga vitet 923-586 p. e. s.

Nën katër. Kur Palestina hyri nën sundimin persian më 539-332 p.e.s., perandori Kiri II-të lejoi që judenjtë të ktheheshin në Palestinë nga robëria e tyre babilonase. Vetëm një pakicë u kthye, ndërsa shumica e tyre ngeli atje (Irak). Nën sundimin helen 332 – 63 p.e.s. statusi i tyre mbeti pothuajse konstant në periudhën e Ptolemeut (302-198 p.e.s.), por ata vuajtën nën sundimin eseleucidëve 198-63 p.e.s., të cilët u përpoqën t’ua impononin adhurimin e perëndive greke…

Mirëpo në vitet 66-70 hebrenjtë sërish u revoltuan kundër romakëve, ndërsa romakët e shtypën revolucionin e tyre mizorisht dhe e shkatërruan tempullin e Jerusalemin… Romakët kaluan edhe një revolucion tjetër, i cili ishte edhe i fundit i organizuar nga hebrenjtë gjatë viteve 132-135. Jerusalemi u shkatërrua, u çrrënjosën themelet dhe u ndaluan hebrenjtë të banojnë në të e as të mund të hyjnë në të.

Nën pesë. Që nga shekulli i dytë pas lindjes së Isait deri në shekullin njëzet, pra, rreth 1800 vjet hebrenjtë nuk përbënin ndonjë grup entiteti të thjeshtë ose ndonjë grupim politik të rëndësishëm në historinë e Palestinës. Kështu këta prenë të gjitha lidhjet e tyre me ta, përveç emocioneve shpirtërore, të cilat kishin ndikim vetëm te disa prej tyre për të vizituar Jerusalemin me lejen dhe drejtësinë e muslimanëve.

Pretendimi i hebrenjve për lidhje të shenjtë me tokën e Palestinës, se ata do të ktheheshin që të gjithë në këtë territor sikur t’ju lejohej të banonin në të, se ata ishin larguar me dhunë, duket të jetë paksa i ekzagjeruar. Historianët na kanë sjellë argumente të bollshme se shumicës së hebrenjve kur iu mundësua të ktheheshin në Palestinë në kohën e perandorit pers, Kiri, ata nuk ishin kthyer. Historianët janë të një mendimi kur thonë se numri i hebrenjve në Palestinë nuk kalon një të tretën e tyre në botë para se romakët ta shkatërronin Jerusalemin nga Titusi në shekullin e parë pas lindjes së Isait. Tani, që prej shtatëdhjetë vjet qysh nga themelimi i shtetit të Izraelit, vazhdojnë mbi 70% e hebrenjve të jetojnë nëpër botë jashtë Palestinës. Hezitojnë për të kthyer, sidomos ata që jetojnë në shtete ku mirëqenia sociale dhe ekonomike është e mirë, sikur në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropën Perëndimore.

Nën gjashtë. Kur myslimanët e çliruan Palestinën gjatë sundimit të Kalifit Umer ibn el-Khatab pas disfatës së romakëve në betejën e Exhandinit dhe Jermukut dhe beteja të tjera dhe hynë në Elia (Kuds ose Jerusalem) në 15 h /636 pas lindjes së Isait, që nga ajo kohë Palestina ka fituar karakterin e saj islam dhe populli i saj ka hyrë në fenë islame në mënyrë masive. Banorët e saj jetuan të kënaqur nën dritën e civilizimit islam deri në ditët tona të sotme.

Nën shtatë. Kryqtarët pushtuan Kudsin dhe themeluan Mbretërinë e Elias dhe sundimi i tyre zgjati 88 vjet, pra nga viti 1099 deri më 1187 derisa Salahud-din Ejubi e çliroi atë pas betejës së Hittinit. Përveç kësaj, Palestina gëzonte sundimin nën flamurin e Islamit 636 – 1917, ose rreth 1200 vjet.

Nën tetë. Nëse çështja lidhet me përkatësinë kombëtare dhe përbërjen etnike, a do të munden në këtë kohë (a)izraelitët të argumentonin se me të vërtetë ata janë pasardhës e bijve të Izraelit që banonin në Palestinë para dy mijë vjetësh? Nga studimet akademike shkencore nga vetë hebrenjtë, në krye të të cilëve ishte shkrimtari i njohur Arthur Koestler, në librin e tij fisi i trembëdhjetë The Thirteenth Tribe: The Khazar Empire & its Heritage, tregon se shumica dërmuese e hebrenjve të tanishëm nuk janë pasardhësit e bijve të Izraelit. Ai argumenton duke thënë se çifutët e tanishëm i përkasin pasardhësve të hebrenjve Khazar, të cilët janë fise me origjinë tatarësh të lashtë që jetonin në rajonin e Kaukazit.

Nën nëntë. Sundimi bashkëkohor hebraik-cionist ka shtrirje thuajse në tërë territorin e Palestinës që nga viti 1948, por kjo shtrije ka ardhur si rezultat i përdorimit të shtypjes, forcës dhe shkatërrimit…


 

Bardhyl Mahmuti

20 maj 2018

«Leksionet historike» të Dr Muhamed Kajollit!

Nën arsyetimin se hoxhallarët ishin të zënë me ramazan dhe nuk kishin kohë të reagonin kundër shkrimit tim  “Jerusalemi si kryeqytet i Izraelit është vendim politik e jo religjioz dhe e drejtë legjitime e popullit hebre!”, Dr Muhamed Kajollit kishte vendosur të me jep “një leksion të historisë” pasi që kishte qëlluar i lirë.

Por, para se të hyjë në “leksionet historike” ky person që i vë titullin doktor pare emrit të vet merret me parapsikologji duke detektuar se qëndrimi im kundër atyre «që përdorin vetëm emrin arab të Jerusalemit» dhe pohojnë se «Izraeli e invadoi Jerusalemin» qenkësh shprehje e “mllefit tim” kundër hoxhallarëve! Doktor se jo mahi ky far Muhamed Kajolli!

Pas spekulimeve parapsikologjike, ky far alamet doktori i gjithanshëm hyn në fushën e historisë së edukimit kombëtar që paska qenë mision i hoxhallarëve, prej të cilëve edhe gjyshi im paska marrë mësime që të mos martohemi me shkina, të mos veshemi si shka, të mos hamë si shka, të mos ecim si shka, të mos shkojmë në vendet ku janë shkiet… Por fatkeqësisht, ne që “mendonim si komunistë u tjetërsuam dhe populli vuajti të zitë e ullirit”!

Duke më klasifikuar në kategorinë e komunistëve jugosllav, prej të cilëve populli shqiptar ka vuajtur të zitë e ullirit, ky far Muhamed Kajolli e tregoi se çfarë doktori është! Ndoshta e ka pasur mizën pas veshi dhe ka përdorur logjikën e njohur që sintetizohet në fjalën e bukur popullore: «T’i them sa s’më ka thënë».  Sikur të kishte qenë vërtet një intelektual i përgjegjshëm ai do të kishte bërë përpjekje për të hulumtuar lidhur me përkatësinë time ideologjike. Në atë rast të gjithë pa përjashtim do t’i kishin treguar se as babagjysh, as babë e as unë vet kurrë nuk kemi qenë në asnjë strukturë të komunistëve jugosllavë. Përkundrazi, babai im, unë dhe një numër anëtarësh të familjes sonë kemi kaluar nëpër burgjet dhe hetuesinë komuniste të Maqedonisë, Kosovës dhe Serbisë si nacionalistë që kemi luftuar për të drejtat e shqiptarëve.

Por këtij lloj doktori as që i intereson e vërteta. Përkundrazi, qëllim parësor ka manipulimin me njerëzit që nuk i njohin gjërat. Kur them se qëllim parësor kam si mbështetje edhe leksionin e parë të historisë që ky far Muhamed Kajolli mundohet të ma jep mua është manipulim që duhet t’u shërbejë si shembull nxënësve që të shohin konkretisht se si shtrembërohen gjërat për t’u paraqitur nga një perspektivë tjetër.

Secili lexues që ka lexuar shkrimin tim e ka parë se unë sjell citatin e ambasadorit palestinez në Beograd, Mohamed Nabhan, i cili hodhi poshtë si «të gabueshëm pohimin kur thuhet se Kosova për serbët është si Jerusalemi për Izraelin», sepse sipas tij, «Serbët nuk kanë qenë okupator të Kosovës, meqenëse Kosova është toka e tyre, përderisa izraelitët e kanë pushtuar Jerusalemin».

Dr Muhamed Kajolli as që e përmend ambasadorin palestinez Mohamed Nabhan i cili e konsideron Kosovën si tokë të Serbisë dhe që gjoja Serbia nuk e ka okupuar Kosovën. Përkundrazi, e arsyeton me marifetet që i ka mësuar gjatë doktoratës së tij.  A ka turp më të madh se të shtrembërohet mendimi deri në atë shkallë sa mendimi i ambasadorit palestinez të më vishet mua. Për të ilustruar se sa e gabueshme është teza e mbështetur nga  Mohamed Nabhani unë solla citatin e historianit francez Alain Ducelier, i cili pohon se: «Të gjitha punimet më të reja nga fusha e linguistikës dhe arkeologjisë dëshmojnë se ilirët janë pa asnjë dyshim paraardhësit e drejtpërdrejtë të shqiptarëve. Secili e di se sllavët janë populli indo-evropian që më së voni kanë ardhur në Evropë, sepse vala e INVADIMEVE të tyre shtrihet nga shekulli i VI dhe VII të epokës sonë. Të gjitha argumentet e tipit “historik” kthehen kundër tezës serbe, sepse Historia na mëson që serbët, në raport me Kosovën, janë INVADUES që kanë ardhur shumë vonë».

Nuk ka turp më të madh se për një njeri që pretendon të ketë titullin e doktorit të shkencave t’i duket “e cekët” hedhja poshtë e argumenteve serbe përmes një profesori të Universitetit të Toulouse (shqiptohet Tuluz). Edhe më keq se kaq. Dr Muhamed Kajolli  ma vesh mendimin e Mohamed Nabhanit dhe polemizon me këtë shpifje sikur të ishte ide e imja. Të më vishet ideja që unë e shpartalloj në shkrimin tim është shembull se si manipulojnë një lloj i doktorëve të teologjisë. Të më drejtohesh mua se «nuk e njohkam historinë dhe se sikur ta njihja nuk do të shkruaje fjali të fabrikuara nga serbët për Kosovën, dhe pretendimet e tyre se Kosova është toka e shenjtë e tyre, përmes të cilave janë munduar t’ia mbushnin mendjen botës së Kosova është vend i Serbisë, mu ashtu sikurse izraelitët që ta kanë mbushur mendjen ty, se, Kudsi është e drejtë e Izraelitëve» është njëlloj sikur ajo shprehja popullore «Hajde babë të t’i tregoj mexhet e arës». Secili lexues që njeh veprimtarinë time intelektuale është në dijeni se libri im i titulluar «Mashtrimi i Madh» ka kaluar një numër filtrash akademikë nga bibliotekat universitare me renome në botë dhe është libri që i çmonton tezat serbe të shpërndara nga provinienca të ndryshme ideologjike, politike dhe religjioze.

Pas mbrojtjes së heshtur që ia bën ambasadorit palestinez përmes këtij manipulimi skandaloz, Dr Muhamed Kajolli e bën krejt skllotë: mundohet ta arsyetojë tezën serbe se gjoja «shqiptarët e kanë invaduar». Por, me perfiditet duke u munduar me la …

Ky “doktor i gjithëdijshëm” i jep vetes të drejtë të na mbajë leksion të historisë mua dhe të gjithë atyre që nuk e dinë se «kur banorë të fiseve (ilire) pranuan islamin filluan t’i quajnë shqiptarë për t’i dalluar nga të tjerët p.sh. nga arbërit që ishin krishterë. Pra, kuptimi i shprehjes shqiptarët invaduan Kosovën do të thotë, shqipfolësit muslimanë kur invaduan Kosovën (kur u bënë shumicë), nga shqipëfolësit ortodoks…” e jo nga serbët, ndonëse serbët ishin pushtues të tokave të shqipfolësve ortodoks e katolikë që njiheshin me emrin arbër ose me emra të tjerë». A ka skllotë më e madhe se të kufizosh procesin e identifikimit të emrit shqiptarë me ardhjen e Perandorisë Otomane dhe ta ruash si ekskluzivitet vetëm për shqiptarët e besimit islam!!! Këtë e bën vetëm një doktor i llojit të Muhamed Kajollit. Më duket tejet neveritëse të përpiqem t’i nxjerr në shesh të gjitha ndyrësirat që përmban ky paragraf i këtij teologu.

Të gjitha të dhënat shkencore dëshmojnë në mënyrë të padiskutueshme se shqiptarët kurrë nuk e kanë invaduar Kosovën sepse ata nuk mund ta invadojnë tokën e tyre. Gjatë pushtimit otoman një numër i madh i shqiptarëve në të gjitha viset e tyre u konvertuan në fenë islame dhe kjo nuk i jep të drejtë askujt që të pohojë se gjoja «shqipfolësit na qenkëshin vetëm ilirët e islamizuar për dallim nga arbërit dhe fiset tjera ilire të besimit ortodoks e katolik».

Muhamed Kajolli shtroi «edukimin përmes mësimeve të hoxhallarëve nëpër xhami e oda» dhe shkoi aq larg sa të pretendojë që «gjyshi im më paska edukuar në atë frymë», edhe pse ai ka vdekur para se të lindë unë. Është e drejtë e këtij lloj doktorësh shkence të lëshohen në hipoteza të tilla. Unë do të isha lutur që nipërit dhe mbesat e Muhamed Kajollit dhe bashkëmendimtarëve të tij të mos edukohen me mendimin se gjoja  «shqiptarë janë vetëm ilirët e islamizuar», sepse nëse i dëgjojnë këto budallallëqe bashkëmoshatarët e tyre do të qeshin si dikur kur qeshnim me arushën!

Për të nxjerrë në shesh të gjitha budallallëqet e Muhamed Kajollit do të duheshin me qindra faqe. Po kufizohem vetëm edhe me një çështje, për të cilën është nxehur sorta e teologëve si Muhamed Kajolli: çështjen e Jerusalemit.

Të gjitha të dhënat shkencore dëshmojnë se që nga shekulli i XIV para epokës sonë, kur përmendet për herë të parë Urushalemi (emër i vjetër i Jerusalemit) në letërkëmbimin e Faraonit egjiptian Akhenaton me mbretin e këtij vendbanimi, e deri në shekullin e VII të epokës sonë kur u okupua nga arabët kanë kaluar mbi njëzet shekuj histori të mbushur plot e përplot tragjedi. Çështja është se si interpretohet historia.

Nëse ndonjë historian i periudhës antike të Krosanit Pjellor do të lexonte kronologjinë e paraqitur nga ky doktor shkence që pretendon të mbajë leksione historie, jam i sigurte se do të neveritej nga ajo se çka u pjell mendja disa teologë. Nuk do të ndalem në trajtimin e këtyre budallallëqeve, sepse janë temë që e trajtoj gjerësisht në vëllimin e dytë të një studimi që do të botohet vitin e ardhshëm.

Po shkoqit vetëm një segment nga kronologjia që sjell Dr Muhamed Kajolli në reagimin e tij. Në disa rreshta kronologji ku përshkruhet periudha mbi 1100 vjeçare, edhe Muhamed Kajolli përmend sundimin dhe robërinë që përjetuan hebrenjtë nga babilonasit, helenët, romakët…Për të ardhur në shekullin e shtatë të epokës sonë, në vitin 636 kur sipas këtij doktori shkence «myslimanët e çliruan Palestinën gjatë sundimit të Kalifit Umer ibn el-Khatab dhe se që nga ajo kohë Palestina ka fituar karakterin e saj islam dhe populli i saj ka hyrë në fenë islame në mënyrë masive. Banorët e saj jetuan të kënaqur nën dritën e civilizimit islam deri në ditët tona të sotme».

Ajo që për një teolog islam «invadimi i Jerusalemit dhe emërimi i tij si Kuds» konsiderohen si «çlirim» janë leksione të historisë që mund t’i mbajë xhamatit të xhamive apo nëpër oda, por jo në konfrontime të argumenteve shkencore. Në shkencë invadimi dhe okupimi i një territori është realitet që i tejkalon të gjitha bindjet politike dhe religjioze. E jo siç bën Dr Muhamed Kajolli kur mat me kut të dyfishtë.  Për 1100 vjet para invadimit islam të Jerusalemit ai përdor termet sundim dhe robëri ndërsa kur pushtohet nga arabët atëherë ai është çlirim! Doktor shkence se jo mahi! Me të njëjtën logjikë të matjes me dy kute, sapo ky qytet bie në duar të krishterëve atëherë për Muhamed Kajollin «Kryqtarët PUSHTUAN Kudsin dhe themeluan Mbretërinë e Elias dhe sundimi i tyre zgjati 88 vjet, pra nga viti 1099 deri më 1187 derisa Salahud-din Ejubi e ÇLIROI atë pas betejës së Hittinit».

Ai që pretendon se qëndrimet e mija janë të cekëta nuk e sheh cektësinë e shkrimit të vet se megjithatë është shtrënguar që të tregojë se arabët kanë ndërruar emrin e Jerusalemit mijëra vjet më vonë. Prandaj, i verbuar nga pikëpamjet religjioze ai nuk e sheh gabimin logjik që e bën kur tërheq paralelizma në mes toponimeve Jerusalem/ Kudsi Sherif me Shkup dhe Skopje.

Sllavët janë popujt që kanë filluar t’i invadojnë territoret e iliro-shqiptare nga shekulli i VII i epokës sonë (në shekullin kur arabët pushtuan Jerusalemin) dhe rrjedhimisht e kanë gjetur toponimin Shkup para se të vijnë si okupatorë. Njëjtë siç e gjetën arabët toponimin Jerusalem para se ta pushtoni!

Sa i përket përmendjes së rezolutave të OKB-së nga ana e Dr Muhamed Kajollit më duket e kotë, sepse niveli i tij intelektual i dëshmuar në reagimin e tij ma bën me dije se ai nuk është në gjendje ta kuptoj nocionin politologjik të legjitimitetit!


 

Shkruan: Dr.Mustafa Bajrami

24 maj 2018

(Reagim ndaj një shkrimi të Bardhyl Mahmutit me titull “Jerusalemi kryeqytet i Izraelit, është e drejtë legjitime e popullit hebre” që ishte botuar pak ditë më parë nëpër disa portale shqiptare. Në atë shkrim ku emri im është përmendur disa herë, autori ishte çuditur përse unë Kudsi Sherifin nuk e quaj Jerusalem!)

 

Edhe më parë Bardhyl Mahmuti ka dëshiruar të më kap për gjuhe për debat me te rreth disa temave që me sa shihet, nuk i di sa duhet. Dorën në zemër, ai nuk është i padijshëm. Ai është një penë e mprehtë shqiptare dhe me përvojë në tema politike. Shkrimet e tij rreth ngjarjeve të kombit lexohen gjithandej. Ato shkrime i qëndisë bukur, ka një gjuhë të rrjedhshme dhe është i pasur në fjalë. Është i butë ndaj bashkëmendimtarëve të vetë, por i egër ndaj Islamit, ndaj Turqisë dhe ndaj myslimanëve. Therrë në sy i ka teologët myslimanë shqiptarë dhe i sulmon papërmbajtshëm. Hëpërhë, Kudsi Sherifin dhe Lindjen e Mesme e njeh shumë pak, fatmirësisht jo në përmasa tabullarase. Siç mësojmë nga shkrimet e tij rreth Kudsit, ai çalon në sintetizimin e fakteve rreth një problemi kaq të madh në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në mungesë të dijenisë rreth Kudsit, çështjen e Kudsit në mënyrë të çuditshme e lidhë me shqiptarët dhe Serbinë. Kjo metodë është e njohur tek njerëz të cilët, ose s’kanë brumë të mjaftueshëm për të shtjelluar temën, ose temat i shfrytëzojnë për qëllime të caktuara. Sikur shumë shqiptarëve të tjerë që problemet e mëdha të botës i shikojnë (vetëm) nëpërmes llupës provincialiste të mjegulluar prej ideologjive të çoroditura nacionaliste dhe të lyera fund e krye me të zezë komuniste, edhe ai, duke mos dashur të jetë objektiv ndaj temës, Kudsi Sherifin e trajton si një copëz kartoni që lehtë mund të kapërdihet. Kudsi Sherifin e shpjegon me terme të thata politike, të huazuara nga fjalori i deformuar politik i historisë së Ballkanit. Mbase, është i frymëzuar deri në ngulfatje nga qoshe të mjegulluara të historisë sonë gjithashtu të deformuar skajshmërisht nga të këqijat që na i la komunizmi.

Do t’i mbetesha borxh këtij miku nëse nuk do t’i përgjigjesha kësaj radhe. Sa për t’ia bërë me dije se gabon shumë kur disa herë qëllimisht dhe në mënyrë tendencioze i keqinterpreton dhe i merr nëpër gojë teologët myslimanë shqiptarë, sa për t’i informuar lexuesit se bota nuk shpjegohet vetëm me terme që janë produkt i mendësisë komuniste nga e cila Bardhyli vështirë të lirohet, aq më shumë, për t’i thënë lexuesve se Kudsi Sherifi kurrë nuk mund të jetë kryeqytet vetëm i jahudive. Kudsi i takon besimtarëve të tri feve monoteiste, mbase edhe të tjerëve që jetojnë aty. Andaj, them unë, edhe nëse dhuna në ndonjë kohë mund ta shkatërroj një të mirë, ajo, kurrë dhe në asnjë kohë nuk mund t’ua imponojë njerëzve një të keqe për të mirë. Kudsi Sherifi, Jerusalemi, pra, nuk është çështje aq e vogël sa të jetë problem vetëm politik, por është bërthama e të gjitha ngjarjeve të mëdha që kanë ndodhur, që ndodhin dhe që do të ndodhin në histori. Kudsi është krijues i historisë, është historia vetë. Së këndejmi, Kudsi nuk mund të kuptohet drejt nëse qëllimisht apo nga mosdija lihen mënjanë sidomos mesazhet që dalin nga fjalët hyjnore të Zotit. Mesazhe këto që na kanë mbërrit nëpërmes Librit Hyjnorë të fundit të shpallur nga Zoti, por edhe ato që kishin zbritur para Kur’anit të Madhërishëm.

Nga ky këndvështrim, nëse çështjen e Kudsit dhe çështje të tjera që ndërlidhen me te, si, çështja palestineze, historia osmane, çifutët, kurdët e të krishterët e Lindjes së Mesme, i shikojmë vetëm nën hijen e politikave të tanishme që ndodhin në botë, aq më keq, nën hijen e ngjarjeve të dhimbshme që kanë ndodhur në Ballkan, e sidomos me gjuhën e historisë fatkeqe të kombit shqiptar, ato kurrë nuk mund të kuptohen drejtë e sa duhet. Emocionalja, ideologjitë e ndryshme, komunizmi dhe relativizmi historik janë ato që kanë dëmtuar shumë shqiptarët. E nëse këto që kanë dëmtuar shqiptarinë merren për bazë edhe tek rasti i Kudsit dhe i Lindjes së Mesme, njëjtë do të shtrembërohet edhe shpjegimi i historisë së atjeshme. Sepse, stërpikat komuniste që përlyen realitetin historik të shqiptarëve, sikur që përlyen atë edhe shkrimet e armiqve të tyre, që ende shihen teksa kundërmojnë nëpër faqet e historisë sonë, njëjtë pra do të deformojnë e do ta paraqesin si një karikature edhe realitetin historik të Lindjes së Mesme.

Për fatin e tij të keq e duke i hyrë të vërtetës në hak, dhe, për dallim nga disa të tjerë që janë të hapur e flasin pa brinca në dhëmbë, Bardhyl Mahmuti ndaj meje përdorë një gjuhë deri diku të butë, të fshehur si të gjarprit, por gjithsesi deri në palcë djallëzore. Disa të tjerë janë më të drejtpërdrejtë, janë rrahagjokës dhe kërcënues, janë të paskrupullt e dashakeqë ndaj myslimanëve shqiptar e ndaj teologëve islam të këtij kombi. Mua nuk më pengojë (nuk duhet tu pengojnë as të tjerëve) ata që nuk mendojnë njëjtë si unë, nuk besojnë si unë, apo nuk i përkasin të njëjtës fe e medhheb. Siç nënvizon edhe Kur’ani, unë po mbaj timen e ju mbajeni tuajën. Mirëpo, mua më pengojnë (duhet tu pengojnë edhe të tjerëve) ata që refuzojnë të tjerët që nuk mendoj si ata, nuk besojnë si ata, nuk i takojnë fesë dhe medhhebit të tyre. Ata që me qëllim e pa asnjë argument fajësojnë teologët tanë se kinse po punuakan kundër interesave të shqiptarëve, e kanë bërë modë që sa herë të flasin për kombin, flasin kundër fesë islame. I japin të drejtë vetes të dalin në mbrojtje të kombit dhe ua mohojnë të tjerëve të njëjtën gjë. Këta dashakeqë ndjejnë se këtë gjuhë po e ha pazari, andaj bëjnë yrysh të tregohen tregtarë të zellshëm në shitjen e ideve destruktive në mesin tonë. Gjuha të cilën e përdorin këta njerëz është e formësuar nëpër bungaja të historisë së errët shqiptare, është gjuhë me deformime patologjike. Kjo është gjuha e periudhës komuniste, që vazhdon të jetë gjuha e njerëzve që se duan Islamin të jetë pjesë e traditës sonë kombëtare. Folësit e kësaj gjuhe i donë shqiptarët pa Islam, i donë shqiptarët të zhveshur nga tradita e tyre shekullore.

Shpesh bie në sy fakti se njerëzit të cilët dikur krekoseshin për lidhjet e tyre me komunizmin e për shërbimin që ia bënin atij, sot kanë ndërruar lëkurë dhe flasin me gjuhën kinse të demokracisë. Dikur krenoheshin me të qenit komunistë dhe shanin fenë islame, shanin besimtarët myslimanë, shanin bashkëkombësit e vetë pse ishin myslimanë, shanin vendet ku Islami me shekuj ishte civilizim, dhe, të tillët, sot, me të njëjtën gjuhë por në emër të diçkafit tjetër shajnë gjithçka që është e shenjt islame. Sot ata mbajnë anë kinse kah Perëndimi, por në fakt, ata nuk janë të Perëndimit e as me Perëndimin. Ata as i do Perëndimi e as u beson atyre. Ata janë po të njëjtit, janë komunistët, janë dushmanët e Islamit. E pra, ç’të pritet më shumë nga gojët komuniste, të cilat deri dje ushqeheshin me bukën e Moskës, e sot, po të njëjtit, për shkak se ndryshuan kostelacionet ndërkombëtare, e përdorin të njëjtën kinse si gjuhë e demokracisë. Në fakt e në thelb, kjo nuk është gjuha e demokracisë, nuk është gjuha e njerëzve humanë, është gjuha e komunistëve, është gjuha e pastër komuniste.

 

I madh e i bogël e di se Bardhyl Mahmuti deri dje ishte një komunist i rryer e sot është një anti-demokrat i përbetuar. Ai në të veten ndoshta arsyetohet pse ishte komunist(!) Mund të thotë sepse Shqipëria ishte komuniste. Por, as ai e as të tjerët kurrë nuk mund t’i fshehin tmerret që i kishte përjetuar populli shqiptar nga komunizmi. Kurrë nuk mund t’i justifikojnë vrasjet e intelektualëve shqiptar që i kishte bërë komunizmi. Komunizmi vrau hoxhallarë patriotë, vrau priftërinj patriotë, persekutoi e vrau intelektualë, të diplomuar nëpër universitete të Perëndimit. Komunizmi shembi tempujt e fesë dhe i shpalli luftë Perëndimit. E pra, si mund të jenë të mbeturit e kësaj të lige sot njerëz që ia duan të mirën shqiptarisë? Si mund tu besohet njerëzve të cilët deri dje vranë intelegjencinë shqiptare, syrgjynosen penat më të ndritura të kombit dhe shkruan më të keqen e mundshme kundër mendjes së ndritur shqiptare? Si mund të jenë të denjë për respekt njerëzit të cilët shajnë Turqinë ndërsa atje kemi milionat e shqiptarëve? Si mund të jenë të denjë për respekt njerëzit të cilët shajnë lindjen islame ndërsa shqiptarët i përkasin edhe fesë islame? Si mund të justifikohen apo të pranohen për tanët njerëzit të cilët myslimanëve të këtij vendi orë e çast u thonë të ikin në Anadoll e në Arabi vetëm pse e duan Islamin e tyre? Çfarë dallimi ka, pra, mes Serbëve fashistë teksa shqiptarëve të Kosovës u thonin të shporren në Albani, nga soji i këtyre antishqiptarëve sot teksa na thonë të ikim në Turqi e Arabi?

Kush janë këta njerëz që në palcë janë komunistë ndërsa në xhep mbajnë disa fytyra e të na tregohen neve se ata na qenkan gardianët e shqiptarisë, ndërsa besimtarët myslimanë qenkan për Arabi? Si mund të flet kështu një njeri që i thotë vetit intelektual e patriot, që në mënyrën më perfide thotë se teologët myslimanë po u munduakan që shqiptarët t’i largojnë nga rruga për Perëndim e t’i qojë rrugës për në Lindje? A është e logjikshme kjo fjalë? Kush janë këta njerëz për të cilët flet Bardhyl Mahmuti? Si e ka emrin ndonjë teolog që paskësh thënë se ne duam të shkojmë drejt Arabisë e jo drejtë Evropës? Apo, a mund të kuptohet ndryshe kjo marri, kjo metodë e njohur serbe për diskreditimin e myslimanëve të këtij vendi, pos si një metodë e njohur e fashizmit serb që e përdori si justifikim për t’i dënuar dhe vrarë shqiptarët?

Tjetra, Bardhyl Mahmuti në stilin e komunistëve të dikurshëm më kishte “qortuar” mua pse unë nuk i them Kudsi Sherifit Jerusalem! Ore zotni! Si ta quaj unë Kudsi Sherifin Jerusalem kur vetë Kur’ani e quan Kuds, pejgamberi jonë e ka quajtur Kudsi Sherif, sikur që, edhe tradita islame e quan Kudsi Sherif. Jerusalemin e quajnë Kudsi Sherif edhe të krishterët e Lindjes së Mesme, e quajnë edhe të krishterët e tjerë që jetojnë nëpër botë. Po çfarë të keqe ka nëse unë Jerusalemin e quaj Kudsi Sherif njëjtë sikur e kishte quajtur Salahudin Ejubi, ky gjeneral mysliman i cili kur hyri në Kuds me ushtrinë e tij nuk vrau asnjë njeri. Ky njeri që i kishte falë të gjithë dhe në ditën e parë u kishte thënë njerëzve të atjeshëm se, nga sot Kudsi është i të gjithëve. Nuk ka ndasi, nuk ka të lartë ndaj njëri tjetrit, nënat tuaja ju kanë lind të lirë dhe të gjithë para meje e para ligjit të barabartë jeni. Të gjithë jeni njerëz të lirë!

Më pastaj, teksa po flasim për Kudsin, për Jerusalemin, ku për çudinë e njerëzve që njohin gjuhën e argumentit shkencorë, por sigurisht jo edhe për çudinë e atyre që janë partizanë të verbër të ideologjive të ndrydhura deri në palcë, Bardhyl Mahmuti me asfarë kriteri shkencorë, aq më pak njerëzor, i përdorë fjalët e ambasadorit palestinez në Beograd se kinse ai paska dalë kundër Kosovës e në krah të Serbisë. Edhe nëse paskësh dalë, po çfarë lidhje ka kjo me Kudsin dhe me temën që po flasim? A nuk është kjo marri?!

Bardhyl Mahmuti duhet ta dijë se përderisa Kudsi ishte nën menaxhimin e myslimanëve për hiç më pak se 1200 vjet, aty jetuan të gjithë në paqe; edhe myslimanët, edhe të krishterët edhe jahuditë. Dhe, nëse kjo është kështu, e që është fakt i pamohueshëm historik, përse atëherë të mos e quaj edhe unë Kudsin Kuds, e jo Jerusalem?

Dhe për fund. Mësimi kur’anorë të cilit i mbesin besnik teologët myslimanë, është po ai mësim kur’anorë që ka për brumë dashurinë për vendin, për atdheun, për paqen dhe për të gjithë njerëzit që janë njerëz të vërtetë. Këta teologë që Bardhyli i merr nëpër gojë, kanë mësuar nga Islami se historia e hebrenjve të cilën e përmend Kur’ani ka një domethënie të thellë sociale, politike dhe kulturore. Kanë mësuar se historia nuk është shkencë për tu manipuluar, por është shkollë që na mëson si ta lexojmë të kaluarën për të nxjerrë mësime për të sotmen dhe të ardhmen. Teologët myslimanë e dinë se historia e hebrenjve në Kur’an pasqyron një mesazh tepër mbresëlënës, se karakteri i ajeteve të Kur’anit që flasin për hebrenjtë kanë domethënie të thellë bashkëjetese dhe kooperimi mes njerëzve. Ne, pra, teologët myslimanë e dimë se ato mësime përmbajnë parimin universal të fesë islame, e ai është, pranimi i tjetrit, jo dëbimi, është respektimi i tjetrit dhe ruajtja e hakut të secilit njeri. Islami neve na ka mësuar se ballafaqimi me të ligën, me tiraninë dhe me politikat e korruptuara ishte thirrja Kur’anit drejtuar hebrenjve që në ditët e para të shfaqjes së tij. Gjithsesi kemi mësuar nga Kur’ani se hebrenjtë të cilët e shihnin veten si popull i zgjedhur, ndërsa të tjerët si shërbëtorë të tyre nuk e pranonin Islamin pikërisht për shkak të kësaj thirrjeje. Nga Kur’ani gjithashtu kemi mësuar se Kudsi ishte kibla e parë e myslimanëve, pastaj u bë Qabeja, për ta lënë Kudsin qytet i të gjithëve.

Dhe për fund të fundit, ti dhe të gjithë të tjerët duhet ta dini se, nëse ka dikush që me krenari mund të mburret, që duhet të mburret me mbrojtjen e hebrenjve, janë pikërisht myslimanët. Myslimanët janë ata që mbrojtën hebrenjtë kur të tjerët i dëbuan dhe i vranë. Arabët myslimanë i morën dhe i trajtuan për të barabartë në shtetin e tyre. Osmanlinjtë myslimanë i pranuan me zemër të hapur në shtetin e tyre atëherë kur Evropa po i vriste pa mëshirë. Myslimanët pra kanë të drejtë të kërkojnë hise dhe të jenë pjesë e barabartë edhe e Kudsi Sherifit. Ndërsa komunistët, që ishin vrasësit e tyre gjithandej, janë të fundit që mund t’i dalin në krah hebrenjve, së këndejmi edhe Kudsi Sherifit. E ndër të fundit të kësaj historie mund të jesh ti, Bardhyl Mahmuti, që i sulmon teologët myslimanë, dhe me hipokrizi del se kinse mbron Kudsi Sherifin. Apo, siç po dëshiron ti ta quash Jerusalem.

Jerusalemi është i të gjithëve. Është Kudsi Sherif i myslimanëve!


 

Bardhyl Mahmuti

27 maj 2018

Shpifjet e doktorit të teologjisë Mustafa Bajrami-plagjiaturë (1)

Më 24 maj të këtij viti, teologu Mustafa Bajrami publikoi reagimin e tij ndaj shkrimit tim të titulluar «Jerusalemi kryeqytet i Izraelit, është e drejtë legjitime e popullit hebre». Mirëpo, siç e pohoi edhe vetë në mesazhin që ma dërgoi, në reagimin që ka bërë kundër meje nuk i ka qëndruar besnik tekstit të shkrimit tim. Po i drejtohem publikisht Mustafa Bajramit se është e drejtë legjitime e secilit person të shprehet lirshëm dhe të shpërndahet mendimi i tij, ashtu siç ia merr mendja. Së paku këto dy aspekte të të drejtave të njeriut për fjalën e lirë duhet të respektohen. Etika në komunikim është çështje në vete. Ajo që e bën të rëndë formën e reagimit të Mustafa Bajramit nuk ka të bëjë me shprehjen dhe shpërndarjen e pikëpamjeve të veta në publik, por me faktin se konfrontimet e mendimeve që kanë të bëjnë me temat ku kërkohet përdorimi i argumenteve shkencore, nuk përdoret ARGUMENTUM AD PERSONAM (logjika e sulmeve kundër personit). Aq më tepër kur emrit të vet i vë titullin akademik DR! Në këtë fushë debatesh, manipulimi me thëniet e kundërshtarit është gjëja më degraduese për nivelin intelektual.

Që në hyrje të reagimit të vet, Dr. Mustafa Bajrami thekson se «në shkrimin tim unë e kam përmendur disa herë emrin e tij». Pohimi i tillë është i vërtetë, siç është plotësisht e vërtetë se unë e kam cituar besnikërisht tekstin e tij dhe në përputhje me thëniet e tij kam shprehur qëndrimet e mia. Atëherë, me të drejtë shtrohet pyetja se si vepron Dr.Mustafa Bajrami në reagimin e tij ndaj shkrimit tim? Secili lexues i dy shkrimeve do të bindet se jo vetëm që nuk i përmbahet tekstit të shkrimit tim, siç e pohon edhe vet, por, ajo që është më neveritëse, m’i ngjet një varg etiketash që do të shqyrtohen më poshtë dhe polemizon me etiketat që janë sajuar prej tij! Kam bindjen e plotë se ai që do të lexojë shkrimin tim deri në fund do të bindet në faktin se kjo mënyrë e etiketimit nuk është shpikje e këtij teologu, sepse as në formë e as në terminologjinë që përdoret nuk ka asgjë origjinale në reagimin që mban emrin e Dr. Mustafa Bajramit. Këtu kemi të bëjmë me formë të shabllonëve tanimë të njohura edhe nga opinioni i gjerë publik!

Në vend të ideve ku dallojmë mes vete, Dr. Mustafa Bajrami bën përshkrimin e tij të parë për mua. Ai i njofton lexuesit e tij se «edhe më parë Bardhyl Mahmuti ka dëshiruar të më kap për gjuhe për debat me te rreth disa temave që me sa shihet, nuk i di sa duhet. Dorën në zemër, ai nuk është i padijshëm. Ai është një penë e mprehtë shqiptare dhe me përvojë në tema politike. Shkrimet e tij rreth ngjarjeve të kombit lexohen gjithandej. Ato shkrime i qëndisë bukur, ka një gjuhë të rrjedhshme dhe është i pasur në fjalë. Është i butë ndaj bashkëmendimtarëve të vetë, por i egër ndaj Islamit, ndaj Turqisë dhe ndaj myslimanëve. Therrë në sy i ka teologët myslimanë shqiptarë dhe i sulmon papërmbajtshëm».

Nuk po ndalem shumë në fjalët që lidhen me shkrimet e mija të fushës politologjike, sepse janë fakte të pamohueshme që unë shkruaj për më shumë se tri dekada rresht dhe u takon lexuesve t’i vlerësojnë shkrimet në përputhje me pikëpamjet e tyre politike dhe filozofike. Ajo që nuk lidhet me asnjë fakt ka të bëjë me etiketimin se gjoja unë jam «i egër ndaj Islamit, ndaj Turqisë dhe ndaj myslimanëve» dhe i paskësha «therrë në sy teologët myslimanë shqiptarë dhe i sulmoj në mënyrë të papërmbajtshme»!

Për secilin njeri që mban me dinjitet një titull akademik të doktorit të shkencave është e paimagjinueshme të bëjë shpifje të tilla. Por ky kriter i etikës intelektuale nuk është i vlefshëm për Doktor Mustafa Bajramin. Ai i bën këto shpifje vetëm e vetëm që të mund të plasojë akuzat se unë qenkam pa dinjitet! Ai me patetizëm shtron pyetjen sugjestive në relacion me shpifjet e konstruktuara prej tij: «Si mund të jenë të denjë për respekt njerëzit të cilët shajnë Turqinë ndërsa atje kemi milionat e shqiptarëve? Si mund të jenë të denjë për respekt njerëzit të cilët shajnë lindjen islame ndërsa shqiptarët i përkasin edhe fesë islame?».

Të deklarohet pa fije turpi se gjoja unë i kam «therrë në sy teologët musliman shqiptarë dhe i sulmoj papërmbajtshëm» është rezultat i të njëjtës logjikë që ia vesh dikujt etiketën dhe polemizon me sajesën e vet sikur të ishte realitet. Kjo formë e manipulimit degradon titullin që ia ke vënë vetes o Mustafa Bajrami!

Shpifja e kësaj natyre e Mustafa Bajramit më detyron të sjell për lexuesit që nuk ka pasur mundësi t’i përcjellë shkrimet e mia qëndrimet rreth kësaj çështjeje. Qëndrimet e publikuara për vite me radhë do të nxjerrin në shesh se cilën kategori të teologëve e kam «therrë në sy» dhe se ku e kanë origjinë shpifjet e këtij lloji. Mirëpo, para se të trajtoj këtë aspekt po e përmend edhe akuzën e tretë që bën kundër meje ky teolog.

Dr. Mustafa Bajrami nuk mjaftohet që më akuzon se «shaj Turqinë» dhe se i paskësha  «therrë në sy teologët musliman shqiptarë», por ai mundohet të shpjegojë veprimet që m’i veshë sikur të ishin rezultat i një etikete të re: njeri me «mendësi komuniste nga e cila vështirë se mund të lirohem»! Jo vetëm kaq. Gënjeshtrën për «Bardhyl Mahmutin komunist» e paraqet si një të vërtetë universale për të gjithë shqiptarët! Pa u skuqur aspak ky doktor i teologjisë deklaron se «i madh e i vogël e di se Bardhyl Mahmuti deri dje ishte një komunist i rryer e sot është një anti-demokrat i përbetuar»!!! Dhe për të qenë deri në fund koherent me këtë shpifje, në shkrimin e Mustafa Bajramit, Bardhyl Mahmuti nuk mund të shpëtojë nga përgjegjësia e krimeve të komunizmit. Pasi që renditë krimet e epokës së komunizmit në Shqipëri kundër hoxhallarëve, priftërinjve dhe intelektualëve, shembjen e tempujve të fesë dhe luftën kundër Perëndimit, ai pohon se unë dhe ata si unë «nuk mund t’i fshehim tmerret që i kishte përjetuar populli shqiptar nga komunizmi». Dhe në fund, pas të gjitha shpifjeve dhe fajësisë që m’i vesh, ky doktor i shkencës nuk e lë pa shtruar edhe preokupimin kryesor të tij: «si mund të jenë të mbeturit e kësaj të lige sot njerëz që ia duan të mirën shqiptarisë? Si mund tu besohet njerëzve të cilët deri dje vranë intelegjencinë shqiptare, syrgjynosen penat më të ndritura të kombit dhe shkruan më të keqen e mundshme kundër mendjes së ndritur shqiptare?». Me një fjalë, akuza se unë «shaj Turqinë», se i «kam therrë në sy teologët musliman shqiptarë», se kam «mendësi komuniste», se jam «anti-demokrat» e kështu me radhë

T’i marrim shpifjet një nga një!

Siç e citova më sipër, Mustafa Bajrami shkruan se «shkrimet e Bardhyl Mahmutit rreth ngjarjeve të kombit lexohen gjithandej dhe se ato shkrime janë të qëndisura bukur, me një gjuhë të rrjedhshme dhe të pasura në fjalë». Pohimi i tillë le të nënkuptohet se Dr. Mustafa Bajrami është në njohuri të shkrimeve të mija. Lexuesit që kanë përcjellë shkrimet e mija e dinë se botimet në gjuhën angleze dhe gjuhën frënge të librit tim të titulluar «Mashtrimi i Madh» kanë gjetur vend në bibliotekat e universiteteve më prestigjioze në botë. Këtë vend e ka siguruar falë trajtimit shkencor të fakteve dhe respektimit të metodologjisë së mirëfilltë shkencore gjatë hulumtimit për gjenocidin serb në Kosovë. Secili njeri që e ka pasur në duar këtë libër, qoftë në botim shqip, qoftë në gjuhët e huaja, e ka parë se unë u shpreh «Mirënjohje të përjetshme» personaliteteve të shquara botërore, politikanë dhe intelektualë që u mobilizuan për t’i dhënë fund Planit Serb të spastrimit etnik dhe të gjenocidit kundër shqiptarëve në Kosovë. Në mesin e personaliteteve që kam veçuar nga koha kur isha Shef i Grupit Diplomatik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës apo Ministër i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, përmenden Bylent Exheviti (Bülent Eceviti) dhe Sylejman Demireli (Sülejman Demireli) si personalitete të shquara të Turqisë që kanë dhënë një kontribut të madh për Kosovën. Këtë mirënjohje të përjetshme ndaj Turqisë së epokës së Bylent Exhevitit dhe Sylejman Demirelit mund ta lexojë secili njeri që dëshiron t’i verifikojë faktet. Mirënjohja i takon Turqisë së asaj periudhe edhe sikur të mos jetonte asnjë shqiptar në këtë shtet.

E kuptoj se të gjithë njerëzit që barazojnë Turqinë me Erdoganin nuk mund t’i pranojnë  kritikat që dikush mund t’i adresojë kundër regjimit që vret, burgos, mbytë në burgje përmes torturave dhe dënon kundërshtarët e vet me burg të përjetshëm. Por një njeri që pretendon se mban titull akademik të heshtë para një dhune që është shndërruar në sistem dhe t’i cilësojë «të pa denjë për respekt njerëzit të cilët shajnë Turqinë ndërsa atje kemi milionat e shqiptarëve» nuk është aspak dinjitoze. Përkundrazi, forma e këtillë e veprimit të Dr. Mustafa Bajramit është shprehje monumentale e manipulimit ideologjik për ta zhvendosur debatin në një rrafsh tjetër. Fatkeqësisht për te, rrafshin ku e ka zhvendosur problematikën është një terren tejet i rrëshqitshëm, si në akull!

Përtej kritikave lidhur me situatën që u krijua pas dorëzimit të qytetarëve me origjinë nga Turqia, me leje qëndrimi në Kosovë, nga autoritetet e Kosovës, ajo që më së shumti u dhemb një kategorie njerëzish ndër viset shqiptare ka të bëjë me kritikat që u adresohen përpjekjeve neo-otomane për të rishkruar historinë tonë dhe ta rikthejnë influencë e dikurshme në Ballkan. Kësaj kategorie u them ta lexojnë «Don Kishotin» e Servantesit për ta kuptuar kontekstin alla turka të Erdoganit. Kuptohet nëse nuk ju pengon që ka qenë i përkthyer nga Fan Noli, prift ortodoks shqiptar.

Qëndrimet ndaj dhunës që ushtron regjimi i Erdoganit në Turqi janë qëndrime personale që secili njeri i krijon në përputhje me botëkuptimet e veta politike, filozofike ose religjioze. Meqë më akuzon për «anti-demokrat të përbetuar» po i drejtohem Mustafa Bajramit dhe sortës së tij unë nuk jam demokrat i llojit të brumosur në kallëpet e shkollës (medhhebit) të tyre,  që të hesht përballë terrorit që ky regjim ushtron ndaj kundërshtarëve të Erdoganit. Jam kundërshtarë i përbetuar i pseudo demokratëve të çiftit të Mustafa Bajramit që kërkojnë «tolerancë demokratike» ndaj kësaj dhune, nën arsyetimin se në Turqi jetojnë miliona shqiptarë!

Meqë më akuzon se i paskësha «therrë në sy teologët musliman shqiptarë» po i drejtohem Mustafa Bajramit dhe sortës së tij se unë, Bardhyl Mahmuti, jam kundërshtar i përbetuar i të gjithë teologëve myslimanë shqiptarë, pa marrë parasysh se çfarë detyre kryejnë aktualisht në kuadër të Bashkësive islame të Shqipërisë, të Kosovës dhe të Maqedonisë, që bëjnë dua për «Sulltan Erdoganin», siç u pëlqen ta quajnë këtë diktator, dhe që luten për fitoren e tij kundër popullit kurd në Siri.

Teologët e këtillë myslimanë shqiptarë, që mbështesin dhunën dhe terrorin e «Sulltan Erdoganit» nuk shprehin pikëpamjet e tyre fetare, sepse do të ishte paradoksi më i madh të bëheshin dua për t’i vrarë kurdët të cilët i përkasin të njëjtës fe. Ata shprehin pikëpamjet e tyre politike!

Interpretimi i kritikave të mia kundër teologëve myslimanë shqiptarë që dalin me qëndrime politike për të mbështetur një dhunë të egër e barbare, si të ishte kritikë «e egër kundër islamit dhe teologëve musliman shqiptarë» nuk është asgjë tjetër pos përpjekje e Dr. Mustafa Bajramit për të fshehur gjurmët e një politike që përpiqet t’ia fusë «therrën në sy» popullit shqiptar.

Kam bindjen e plotë se përveç teologëve neo-otoman shumica e besimtarëve myslimanë shqiptarë nuk luten për të mbështetur krimet e «Sulltan Erdoganit» apo të kujtdo qoftë në botë, sepse shqiptarët e dinë më mirë se shumëkush që dhuna, kudo që të ushtrohet dhe nga kushdo që të bëhet ka emërues të përbashkët përgjakjen e njerëzve të pafajshëm, lotët, vuajtjet, shkatërrimet…

Mustafa Bajrami dhe sorta e tij duhet ta dinë se unë nuk jam asi «demokrati» që do të dëshironin teologët neo-otoman të përkatësisë shqiptare. Unë nuk i aplaudoj sulltanizmit!

Dr. Mustafa Bajramit po «i pengojnë ata që refuzojnë të tjerët që nuk mendojnë si ata, nuk besojnë si ata, nuk i takojnë fesë dhe medhhebit të tyre». Madje kërkon që kjo dukuri t’u pengojë edhe të tjerëve, sepse sipas tij unë dhe njerëzit si unë «me qëllim e pa asnjë argument fajësojnë teologët musliman shqiptarë se kinse po punuakan kundër interesave të shqiptarëve».

Është e drejtë e Mustafa Bajramit dhe cilindo njeri të sortës së tij që ta pengojnë qëndrimet tona por është manipulim i kulluar të thuhet se «pa asnjë argument fajësojnë teologët myslimanë shqiptarë se kinse po punuakan kundër interesave të shqiptarëve».

Sicili teolog i sortërs suaj mund të mohojë faktin se nëpër disa xhami ku xhemati përbëhet kryesisht prej shqiptarëve, u bënë lutje për fitoren e «Sulltan Erdoganit» në luftë kundër myslimanëve kurd në Siri? Ky nuk është argument? Apo mos pretendoni se duatë e tilla qenkan në interes të shqiptarëve?

Cili teolog i sortërs suaj mund të mohojë faktin se teologë myslimanë shqiptarë kanë fyer publikisht figurat më të njohura shqiptare: shtyllën kryesore të identitetit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotin- Skënderbeun, humanisten që e njeh tërë bota, Gonxhe Bojaxhiun e njohur si Nëna Terezë, Ismail Kadarenë, ambasadorin kombëtar të kulturës dhe letërsisë shqiptare? Apo mos pretendoni se fyerjet ndaj tyre qenkan në interes të shqiptarëve?

Teologët shqiptarë të kësaj sorte shkuan aq larg sa morën edhe funksionin që sipas fesë islame i takon vetëm Allahut: ua caktuan se kush do të shkojë në xhehenem nga këta personalitete shqiptare! Ky nuk është argument? Apo mos pretendoni se një gjë të tillë e bënë në interes të shqiptarëve?

Ti pohon publikisht se nuk ke lënë pa lexuar «as libër, as ese, as analizë, as shkrim e as fjalë që e ka shkruar Dr. Shefqet Krasniqi, të këtij teologu të proveniencës islamike që tejkaloi përmasat edhe ballkanike dhe arriti të bëhet njëri prej personaliteteve më të shquara në Ligën Botërore të Dijetarëve Myslimanë» dhe bëhesh garant se «ai nuk ka shqiptuar kurrë ama bash kurrë dhe në asnjë moment ndonjë fjalë që bie ndesh me parimet islame». Nëse për ty dhe teologët e sortës tënde trajtimi i humanistes shqiptare me përmasa botërore Nënës Terezë si grua e pamoralshme «që ndërron burrat kur të dëshirojë»  «nuk bien ndesh me parimet islame» atëherë së paku mos e shpallni se ky kualifikim është në përputhje me interesat shqiptare! Nëse për ty dhe teologët e sortës tënde «nuk bien ndesh me parimet islame» kompetencat që ia jep vetes Shefqet Krasniqit për të treguar se vendi i Nënë Terezës është «midis xhehenemit» atëherë po ju them se shumë herët keni filluar të shpërndani «Fetva» për xhenet dhe xhehenem!

Po të drejtohem ty dhe sortës së teologëve e historianëve neo-otoman se kur aspiratat sulltaniste cenojnë qenien tonë kombëtare, shqiptarët e të gjitha besimeve religjioze do të bëhen bashkë si shqiptarë dhe do t’ua tregojnë vendin e merituar. Rreth kësaj çështjeje nuk kam asnjë iluzion: si në kohën e luftërave të Gjergj Kastriotit-Skëndërbeut që pati pashallarë me origjinë shqiptare të sortës së Ballabanit, edhe në kohën e sotme kjo sortë ka lëshuar rrënjë. Nëse historia do të përsëritet duhet ta dinë teologët neo-otoman se Ballabani mbeti si coftinë në muret e Kështjellës së Krujës, mure që simbolizojnë rezistencën dhe krenarinë tonë kombëtare. Teologët myslimanë shqiptarë të kësaj sorte, që bëjnë si zorra në prush kur ua kritikon «Sulltan Erdoganin», kërkojnë nga ne që të mos i refuzojmë kur ata shajnë figurat më të rëndësishme kombëtare shqiptare!

Teologët myslimanë shqiptar të kësaj sorte që ne i kritikojmë shkuan aq larg sa indoktrinuan një numër jo të vogël të rinjsh shqiptarë me urrejtje kundër SHBA-ve dhe shteteve të demokracive perëndimore. Ky indoktrinim pati si pasojë atentatin e parë kundër ushtarëve amerikan pas çlirimit të Kosovës (emrin e atentatorit shqiptar nga Kosova në Gjermani nuk po ja përmend sepse e konsideroj si viktimë të kësaj sorte teologësh) kur humbën jetën disa ushtarë amerikanë. Është fakt i pakontestueshëm se si pasojë e këtij indoktrinimi, me qindra shqiptarë shkuan në të ashtuquajturën «luftë të shenjtë» për krijimin e Kalifatit Islamik, dhjetëra prej të cilëve kanë mbetur të vrarë. A nuk janë argument këto që them, kur dihet se edhe drejtësia e ka thënë fjalën e vet për një numër prej kësaj sorte teologësh? Sikur të mos ishin fakte të pakontestueshme Ministria e Drejtësisë dhe Bashkësia Islame e Kosovës nuk do të kishin nënshkruan një marrëveshje për të angazhuar 20 imamë në programe për të deradikalizuar ekstremistët islamikë që vuajnë dënimet në burgje. Apo mos pretendoni se këta teologë myslimanë shqiptarë nuk kanë punuar kundër interesave të shqiptarëve?

Dhe në fund, meqë çështja iniciale e konfrontimit tonë publik ishte qëndrimi ndaj ekzekutimit të një vendimi të moçëm të SHBA-ve për ta transferuar ambasadën nga Tel Avivi në Jerusalem po ndalem në një segment të raporteve shqiptaro-hebraike. Dihet botërisht se shqiptarët, të njohur për mikpritje dhe solidaritet, gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk dorëzuan asnjë hebre të përndjekur. Pa marrë parasysh relacionet politike dhe diplomatike në mes dy shteteve tona me Izraelin, përpjekja për të kryer një atentat kundër ekipit të kombëtares izraelite, në shtëpinë tonë, është akti i përgatitur nga qarqet më antishqiptare. Fatmirësisht, viktimat e këtij indoktrinimi nuk arritën të kryejnë aktin terrorist që do t’i hidhte hijen më të rëndë imazhit të shqiptarëve. A ka nevojë të shtroj pyetje se në interes të kujt ishte përpjekja më e turpshme për të realizuar një akt të tillë terrorist? Mendoj se jo.

Kritikat e mia kanë qartësi se ku godasin: ata imamë që kanë qenë në shërbim të shërbimeve sekrete sllave dhe sot kanë hyrë në shërbim të ideve neo-otomane. Edhe pse Dr. Mustafa Bajrami mundohet të fshehë se ku i dhemb, manipulimi i tij është i nivelit aq të ulët sa ajo del qartë nga gjuha dhe terminologjia që përdorë.

(Vijon)


 

Bardhyl Mahmuti

29 maj 2018

 

Shpifjet e doktorit të teologjisë Mustafa Bajrami-plagjiaturë (2)

Akuzat për “anti-islamik”, “komunist” dhe “antidemokrat” janë gjuhë dhe terminologji e shërbimeve sekrete sllave

Pohimi i Mustafa Bajramit se ai “nuk i ka qëndruar besnik tekstit të shkrimit tim”, nuk do të kishte qenë shumë i rëndë, sikur të kishte përdorur një logjikë gjuhësore origjinale. Gjuha dhe terminologjia që përdor ky teolog në reagimin e tij kundër meje janë logjikë gjuhësore dhe terminologji të sajuara në laboratorët e shërbimeve sekrete sllave.

Meqenëse Mustafa Bajrami dhe bashkëmendimtarët e tij më drejtohen duke kërkuar nga unë “emra konkretë të teologëve shqiptarë myslimanë që punojnë kundër interesave të popullit shqiptar”, e shoh të domosdoshme që të përfshij një spektër temash, për të kuptuar drejt qëndrimin tim. Do të ketë edhe emra konkretë të teologëve shqiptarë myslimanë, që ishin rekrutuar nga shërbimet sekrete sllave për të punuar kundër interesave të kombit tonë. Madje atyre do t’u dalin boll, ndërsa besimtarët e devotshëm do të neveriten kur t’i dëgjojnë emrat dhe punët e këtyre lloj teologësh, që janë objekt i kritikave. Kuptohet, nëse nuk i kanë ditur.

Në fillim e theksoj se një numër hulumtimesh shkencore dhe vepra të fushave të ndryshme kanë argumentuar në mënyrën më të mirë të mundshme se, që nga krijimi i shteteve kombëtare në Ballkan, strategjia serbe ishte fokusuar në shkatërrimin e qenies shqiptare: vrasjet, grabitjet e pasurisë, shkatërrimet, dëbimet, shpërnguljet për në Turqi dhe forma të tjera të dhunës. Sado që do të ishte me interes të trajtohej dhuna antishqiptare gjatë periudhës së sundimit të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, po kufizohem vetëm në përmendjen e konkluzionin që del si rezultat i studimeve të shumta: gjatë periudhës historike kur u krijuan shtetet kombëtare në Ballkan, propaganda serbe stigmatizonte shqiptarët si “mbeturina të Perandorisë Otomane, që dëshironin ta ruanin praninë e Turqisë në Europë”.

Pas shpërbërjes së Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene dhe krijimit të Jugosllavisë Komuniste, shqiptarët përjetuan të njëjtat tmerre dhe vetëm stigmatizimet ndryshuan. Në kontekst të polemikës që po zhvillojmë, po veçoj një segment të strategjisë serbo-maqedonase për realizimin e objektivave të vet. Edhe pse është fakt i pamohueshëm që Jugosllavia Komuniste nxori nga Platforma e Vasa Qubrilloviqit orientimin që në strategjinë e vet antishqiptare të përfshihen hoxhallarët, unë nuk e kam trajtuar këtë temë deri tani. Për të vetmen arsye, se dhunën dhe terrorin e ushtruar kundër popullit shqiptar e konsideroj si rezultat i vizionit sllav për të pasur “një shtet pa të tjerët”. Politika ekspansioniste e pushtimit të territoreve tona dhe politika ekspulsioniste për dëbimin e shqiptarëve janë shtyllat e strukturës ideore që përbëjnë “Vizion serb për hapësirën shtetërore”. Përballë një vizioni të tillë, instrumentet e realizimit të këtij vizioni dalin në rend të dytë. Pra, vetëm për këtë arsye nuk e kam trajtuar angazhimin e teologëve myslimanë shqiptarë të instrumentalizuar për realizimin e vizioneve serbe dhe maqedonase.

Për ata që nuk kanë pasur mundësi ta lexojnë platformën antishqiptare të përpiluar nga akademiku serb Vasa Çubrilloviqi, po nxjerr disa elemente, që na hyjnë në punë për të ndriçuar këtë aspekt të polemikës.

Pasi konstaton “se për shkak të naivitetit dhe fanatizmit të saj popullata myslimane i nënshtrohet shumë lehtë ndikimit fetar”, Vasa Çubrilloviqi u sugjeron autoriteteve shtetërore të Serbisë që, “për t’i shpërngulur shqiptarët, në radhë të parë duhet të bëjnë për vete hoxhallarët dhe parinë e tyre që kanë ndikim, qoftë duke u dhënë para, qoftë duke i kanosur”. Krahas kësaj, Vasa Çubrilloviqi udhëzon që të gjenden agjitatorë, të cilët do ta lëvdojnë Turqinë dhe jetën e atjeshme, të shajnë Kosovën si vend i nëmur, si vend i kryqit, ku rrezikojnë të bëhen shkje, të propagandojnë për shpërnguljen në Turqi, për të ruajtur fenë e kështu me radhë. (Është me interes të lexohet në tërësi ky elaborat antishqiptar, për të parë aplikimin e formave të reja të strategjisë së moçme).

Meqë kërkohen nga unë argumente për të dëshmuar se teologë myslimanë shqiptarë kanë hyrë në shërbim të politikave antishqiptare, atëherë do ta përfshij edhe këtë aspekt. Të jemi të qartë. Sa i përket këtij aspekti, nuk do të flas për periudhën kur shumica e njerëzve nuk janë gjallë. Do të ndalem vetëm për gjërat që mund të vërtetohen nga dëshmitarët e gjallë, që kanë qenë të implikuar në strategjinë antishqiptare.

Po tërheq vëmendjen, se njëra nga strategjitë kryesore të shërbimeve sekrete të sllavëve të jugut ishte fshehja e gjurmëve të krimit antishqiptar, propagandimi i parajsës jugosllave, ku gjoja shqiptarët gëzonin të gjitha të drejtat, sidomos ato fetare, dhe zhvendosja e vëmendjes nga gjendja e shqiptarë në Jugosllavi në situatën në Shqipëri.

Mustafa Bajrami më akuzon se gjoja unë përdor një “gjuhë të formësuar në bungaja të historisë së errët shqiptare, gjuhë me deformime patologjike, gjuhë e periudhës komuniste, gjuhë e njerëzve që s’e duan islamin të jetë pjesë e traditës sonë kombëtare dhe metodat e njohura serbe për të diskriminuar myslimanët”.

Në vijim të shkrimit tim po sjell për lexuesin disa pjesë të shkrimeve, ku kam pasqyruar qëndrimet e mia rreth këtyre çështjeve, të publikuara për dy dekada rresht. Pasi të kem sjellë këto shkrime, do të kërkoj nga lexuesi të mendojë se cila palë përdor “metodat e njohura serbe”: unë apo teologët myslimanë të llojit të Mustafa Bajramit. Kam bindjen e plotë që lexuesi do ta kuptojë se strategji e kujt është, që të më bëjnë përgjegjës për krimet që ka bërë  komunizmi në Shqipëri.

T’i shohim gjërat si kanë qenë!

Përkundër asaj që territoret shqiptare nën Jugosllavi u copëtuan në mes Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, logjika e dhunës antishqiptare në thelb mbeti e njëjtë. Megjithatë, kjo dhunë u zbatua në forma që u përshtateshin rrethanave të secilës nga këto tri republika. Për këtë arsye edhe qëndrimet e mia kanë qenë të përqendruara në kontekstet e republikave përkatëse. Po filloj me Maqedoninë, sepse aty kam bërë një përshkrim kronologjik që nga themelimi si Republikë Socialiste në kuadër të Federatës Jugosllave e deri në periudhën pas luftës së vitit 2001.

Në “Platformën Antidiskriminim të Shqiptarëve në Maqedoni”, autor i të cilës jam unë, kam trajtuar edhe këtë aspekt në kuadër të një problematike të përgjithshme. Në përputhje me këtë platformë u botua edhe shkrimi im i titulluar “Kush janë ekstremistët politikë dhe radikalët fetarë në Maqedoni”. Përmes këtyre publikimeve tërhoqa vëmendjen se, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, premtimet komuniste për respektimin e së drejtës për vetëvendosje u shoqërua me një dhunë të dyfishtë ndaj shqiptarëve: terror fizik dhe terror psikologjik. Për të sjellë argumente për pohimet e mia, në këto shkrime ndër të tjera thuhet:

“Që nga shtatori e deri në dhjetor të vitit 1944, nën akuzat e “antikomunizmit ekstrem” u ekzekutuan me mijëra shqiptarë: në Kumanovë dhe rrethina të saj u ekzekutuan mbi 700 shqiptarë; në Shkup dhe rrethina të tij 1400 shqiptarë; në Kampin e Gostivarit, ku kishte mbi 5000 të burgosur, 800 u ekzekutuan, ndërsa një pjesë e madhe vdiqën nga pasojat e torturave; në Kampin e Monopolit të Tetovës, ku kishte mbi 10 000 të burgosur, 1200 shqiptarë u ekzekutuan brenda natës, ndërsa mbi 500 të tjerë i dërguan në Shkup, gjoja për t’i mobilizuar për frontin e Sremit. Asnjëri nuk u kthye që andej. Në Kërçovë, vetëm nga fshati Zajaz u ekzekutuan 320 shqiptarë; në vendbanimet e tjera shqiptare ndodhi e njëjta gjë: vrasje, burgosje, tortura…!

Këtij terrori fizik iu shtua edhe terrori psikologjik, që konsistonte në paraqitjen e instalimit të komunizmit në trojet shqiptare dhe mosrespektimin e së drejtës për vetëvendosje, si “Çlirim”!

Sintagma “PAS ÇLIRIMIT” do të imponohet si interpretim i vetëm i historisë në të gjitha diskurset publike dhe private në Maqedoni dhe më gjerë. Bartës kryesorë të përçimit të këtij interpretimi të historisë ndër shqiptarët do të jenë disa shqiptarë “të ndershëm”, që u integruan në strukturat shtetërore për të trumbetuar për gjysmëshekulli vëllazërim-bashkimin dhe “parajsën jugosllave” të respektimit të të drejtave kombëtare.

Trumbetonin me aq pompozitet kur vriteshin, arrestoheshin dhe torturoheshin me mijëra “ballistë – armiq të popullit”! “PAS ÇLIRIMIT”!

Trumbetonin me po aq pompozitet kur vriteshin, arrestoheshin dhe torturoheshin me mijëra “NDSH-istë – armiq të popullit”! “PAS ÇLIRIMIT”!

Trumbetuan edhe më tepër kur vriteshin, arrestoheshin dhe torturoheshin me mijëra “nacionalistë – armiq të popullit”! “PAS ÇLIRIMIT”!

Trumbetuan po aq zëshëm kur vriteshin, arrestoheshin dhe torturoheshin me mijëra “irredentistë – armiq të popullit”! “PAS ÇLIRIMIT”!

Sintagma “PAS ÇLIRIMIT” do të trumbetohet edhe pas krijimit të Maqedonisë si shtet i pavarur, por me një ndryshim të vogël: në vend të “ekstremistëve antikomunistë”, shqiptarët u vranë, u burgosën dhe u keqtrajtuan nën akuzën e “ekstremistëve antidemokratë”.

– Vrasje, burgosje, tortura… ndaj shqiptarëve në Bit Pazar! “PAS ÇLIRIMIT”! Në demokraci!

– Vrasje, burgosje, tortura… ndaj shqiptarëve në Gostivar! “PAS ÇLIRIMIT”! Në demokraci!

– Vrasje, burgosje, tortura… ndaj shqiptarëve në Ladorishtë! “PAS ÇLIRIMIT”! Në demokraci!

– Vrasje, burgosje, tortura… në Kollare të Kërçovës! “PAS ÇLIRIMIT”! Në demokraci!

Pos vrasjeve, burgosjeve, keqtrajtimeve, shkatërrimit të gjurmëve ilire, diskriminimit kulturor dhe etnik të shqiptarëve, periudha komuniste në Maqedoni, në synimin për asgjësimin fizik dhe kulturor të shqiptarëve, lidhet edhe me religjionin.

Komunistët e kësaj republike jugosllave krijuan Kishën Ortodokse maqedonase, e cila sot e kësaj dite nuk njihet si kishë autoqefale nga asnjëra qendër e ortodoksisë (as nga Patrikana e Rusisë e as nga Patrikana e Stambollit).

Në koordinim të plotë me politikën komuniste të Maqedonisë,  Kisha Ortodokse maqedonase përcaktoi si orientim parësor vënien nën kontroll të kishave ortodokse të frekuentuara nga shqiptarët e besimit ortodoks. Aplikimi i këtij orientimi strategjik pati si rezultat që sot, pas gjashtë dekadave të kësaj politike, askush nuk mund të japë një përgjigje se sa shqiptarë ortodoksë kanë ruajtur identitetin e vet kombëtar në Maqedoni. Pak, për të mos thënë hiç!

Orientimi i dytë strategjik i Kishës Ortodokse maqedonase ishte humbja e të gjitha gjurmëve të katolicizmit shqiptar në Maqedoni.

Për realizimin e këtij qëllimi u zbatua sistematikisht dëbimi, shpronësimi dhe asimilimi i shqiptarëve katolikë, si dhe vendosja e kontrollit shtetëror mbi kishën katolike. Koordinimi i politikës ekstreme me fondamentalizmin religjioz e lanë Kishën Katolike Shqiptare në Maqedoni pa meshë në gjuhën shqipe dhe emëruan, për herë të parë, një maqedonas (Kiro Stojanov) në krye të saj.  Me këtë edhe është bërë shndërrimi i kishës katolike shqiptare e ritit romak në kishë katolike të ritit bizantin të Lindjes dhe Dioqeza e Shkupit, historikisht e njohur si Kryedioqeza e Dardanisë, është vendosur nën Kryedioqezën e Vërhbosnies me seli në Sarajevë. Po rikujtojmë se Andrea Bogdani (gjyshi i Pjetër Bogdanit, figurës së shquar të historisë shqiptare), ishte kryepeshkopi i parë, ndërsa Mark Sopi i fundit i Dioqezës së  Shkupit, deri në ndarjen e saj nga ajo e Prizrenit në vitin 2000.

Me projektin e ndërtimit të Kishës Ortodokse maqedonase mbi themelet e shtëpisë së Gonxhe Bojaxhiut (Nënë Terezës, simbolit të katolicizmit shqiptar) dëshirohet t’i jepet fund këtij objektivi strategjik.

Të vetëdijshëm se shumica e shqiptarëve në Maqedoni janë të besimit mysliman, orientim i veçantë strategjik i kësaj kishe ishte koordinimi me strategjinë politike të komunistëve për  pushtimin e shumicës dërmuese të pronave të Bashkësisë Fetare Islame, rrënimin e xhamive dhe objekteve të tjera të kultit fetar dhe përpjekja për t’i asimiluar shqiptarët e besimit islam në kombësinë artificiale të quajtur “MAKEDONSKI MUSLIMANI”!

Lufta Globale kundër fondamentalizmit islamik “ka trimëruar” Kishën Ortodokse maqedonase të ndërmarrë një fushatë të “pyllëzimit” të territoreve, që ende kanë mbetur me shumicë shqiptare, me kisha ortodokse maqedonase! Në të njëjtën kohë, jo vetëm që nuk lejohet ndërtimi i Xhamisë së Çarshisë të djegur në vitit 2001 në Prilep, por as nuk lejohet falja e xhumasë në oborrin e kësaj xhamie.

Përveç të gjitha formave të lartpërmendura të dhunës, periudha komuniste në Maqedoni karakterizohet edhe me politikën e ndërrimit të strukturës së popullsisë. Vetëm gjatë kësaj periudhe u shpërngulën për në Turqi, SHBA, Itali, Kanada, Australi dhe në Europë mbi 38 000 shqiptarë nga rrethi i Manastirit, mbi  80000 shqiptarë nga rrafshi i Pollogut dhe Malësisë së Sharrit, me dhjetëra mijë shqiptarë të tjerë nga rrethi i Velesit, Prilepit, Prespës, Ohrit, Strugës, Kërçovës, Dibrës, Shkupit dhe Kumanovës. Në të njëjtën kohë, territoret shqiptare u kolonizuan me sllavë të ardhur nga disa shtete të Europës Lindore.

U deshën të kalojnë më shumë se pesë dekada, që shqiptarët e Maqedonisë të flakin sintagmën “PAS ÇLIRIMIT” dhe t’i përgjigjen apelit të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare për t’u çliruar.

Nga të gjitha pasojat e luftës arritëm një rezultat: PARIMET THEMELORE TË JAJCËS u zëvendësuan me PARIMET THEMELORE TË MARRËVESHJES SË OHRIT. Kjo për të ruajtur Maqedoninë unitare!

Bilanci është i ngjashëm!

Pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë periudhës së “komunizmit sllavo-maqedonas”, disa shqiptarë  “të ndershëm”  u integruan në strukturat e Republikës Socialiste të Maqedonisë për të trumbetuar për gjysmëshekulli “vëllazërim-bashkimin” dhe luftën kundër:

– “ekstremizmit antikomunist shqiptar”,

– “ekstremizmit nacionalist shqiptar”,

– “ekstremizmit irredentist shqiptar”!

Në mënyrë të njëjtë, pas Luftës së UÇK-së kemi integrimin e “shqiptarëve të ndershëm” në strukturat e shtetit maqedonas për të ruajtur “bashkëjetesën ndëretnike” nga “ekstremizmi shqiptar”, nga “terrorizmi shqiptar”.

Për shqiptarët që jetojnë në Maqedoni, analogjia e Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së UÇK-së është kuptimplotë: iu premtua vetëvendosja dhe liria dhe këto premtime nuk u realizuan as pas Luftës së Dytë Botërore e as pas Luftës së UÇK-së; shqiptarët pas Luftës së Dytë Botërore dhe pas Luftës së UÇK-së u vranë e po vriten, u burgosën dhe po burgosen, u torturuan e po torturohen, u diskriminuan e po diskriminohen…!

Vrasje, burgosje, tortura… ndaj shqiptarëve në Sopot, Brezë, Tanushë, Vaksincë, Brodec, Haraçinë, Radushë …! “PAS ÇLIRIMIT” ! Në demokraci!

Dhuna dhe terrorizmi i regjimit të Maqedonisë nuk ka të ndalur. Sikurse dikur, ashtu edhe tani! Monstrumët qeveritarë të Shkupit terrorizojnë shqiptarët! Tani nën akuzën e “radikalizmit islamik shqiptar”!

Fatkeqësisht, sikurse në të kaluarën, edhe tani të njëjtit “shqiptarë të ndershëm” apo pjella e tyre politike dhe mediatike, valëvisin akuzat e sajuara në kabinetet antishqiptare sikur të ishin realitete!

Fatkeqësisht të njëjtit apo pjella e atyre, që asnjëherë nuk guxuan të ngrenë zërin kundër ekstremizmit politik sllavo-maqedonas, që herë nën petkun e komunizmit, e herë të veshur me kostumin e demokratëve vranë, torturuan, burgosën, dënuan dhe dëbuan me qindra mijëra shqiptarë nga trojet e veta etnike, janë vërsulur për të dëshmuar se ekstremizmi shqiptar paraqet rrezik për Maqedoninë dhe rajonin!

Fatkeqësisht të njëjtit apo pjella e atyre, që asnjëherë nuk guxuan të ngrenë zërin kundër fondamentalizmit ortodoks sllavo-maqedonas që përvetësoi kishat e frekuentuara nga shqiptarët e besimit ortodoks dhe asimiluan shumicën absolute të shqiptarëve të këtij besimi në kombin e krijuar nga komunistët jugosllavë e që mbajnë emrin “maqedonas”!

Fatkeqësisht të njëjtit apo pjella e atyre, që asnjëherë nuk guxuan të ngrenë zërin kundër fondamentalizmit ortodoks sllavo-maqedonas, që përvetësoi Kishat Katolike të frekuentuara nga shqiptarët katolikë!

Fatkeqësisht të njëjtit apo pjella e atyre, që asnjëherë nuk guxuan të ngrenë zërin kundër ekstremizmit politik sllavo-maqedonas dhe fondamentalizmit ortodoks sllavo-maqedonas, që u përpoqën të asimilojnë shqiptarët e besimit islam në kombësinë artificiale “MAKEDONSKI MUSLIMANI”!

Fatkeqësisht të njëjtit apo pjella e atyre, janë mobilizuar dhe si qen të tërbuar janë vërsulur për të dëshmuar se shqiptarët “radikalë islamikë” janë rrezik për Maqedoninë, Ballkanin, NATO-n dhe krejt botën!

Si dëshmi për të argumentuar tezat e tyre sjellin fotot e disa flamujve turq e arab në mesin e mijëra flamujve shqiptarë në protestat antiqeveritare dhe thirrjen “Allahu Ekber”, që u dëgjua disa herë në protesta.

Të dashur shqiptarë kudo që jetoni! Sidomos ju që nuk e njihni realitetin tragjik në këtë shtet ku aplikohet regjimi terrorist kundër shqiptarëve!

– Në shtetin e Maqedonisë jetojnë edhe qytetarë që identifikohen si turq, të besimit islam, që në tubimet politike dhe kulturore dalin me flamuj të Turqisë. Mund të ketë edhe individë që identifikohen me flamuj të shteteve arabe!

– Në të gjitha xhamitë që ende nuk janë rrënuar nga ekstremizmi politik sllavo-maqedonas dhe fondamentalizmi ortodoks sllavo-maqedonas PESË HERË NË DITË thirret ezani! Dhe për ata që nuk e dinë, ezani fillon me “Allahu Ekber”!

Të gjithë e dimë se as prania e flamujve e as thirrja “Allahu Ekber!” në vetvete nuk përbëjnë ekstremizëm politik apo radikalizëm fetar!

Të gjithë e dimë se në shtete të ndryshme të botës, në Ballkan dhe në Maqedoni, ka ekstremizëm politik dhe fondamentalizëm fetar!

Të gjithë e dimë se gjatë protestave, në të shumtën e rasteve, ky ekstremizëm shprehet me brohoritjet “VDEKJE AMERIKËS!” “VDEKJE NATO-s!”, si dhe me djegien e flamurit amerikan! Këto skena i kemi parë shumë shpesh! I kemi parë në shtete të ndryshme të botës në të njëjtën mënyrë si edhe në Maqedoni! Por jo nga “ekstremistët politikë shqiptarë” e as nga “radikalët islamikë shqiptarë”!

Protestat antiqeveritare që shprehën revoltën e popullit kundër proceseve të montuara gjyqësore ishin paqësore, të drejta dhe demokratike! Aty, krahas dominimit të flamurit kombëtar shqiptar, dominoi edhe flamuri amerikan dhe flamuj të tjerë dhe nuk u dogj asnjë flamur i asnjë shteti!

Dhe në fund të shkrimit tim “u bëhet thirrje të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen e që nuk konsiderohen “të ndershëm” nga armiqtë tanë, se duhet të ngrenë zërin kundër ekstremizmit politik antishqiptar dhe fondamentalizmit ortodoks në Maqedoni, që paraqesin gjeneratorin e krizave të vazhdueshme politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe fetare në këtë pjesë të Europës!”.

Secili lexues mund të shohë se në qëndrimet e mia të publikuara për dy dekada rresht ka një koherencë intelektuale për të ngritur zërin kundër të gjitha formave të dhunës që janë bërë ndaj shqiptarëve myslimanë, katolikë dhe ortodoksë nga ekstremizmi politik maqedonas dhe fondamentalizmi ortodoks në këtë shtet. (Për pasojat e ekstremizmit politik të Beogradit dhe fondamentalizmit ortodoks në Serbi do të flas në pjesën që vijon).

Të gjithë lexuesve të besimit islam u kërkoj të lexojnë edhe një herë qëndrimet e mia lidhur me revoltën time kundër diskriminimit që u është bërë shqiptarëve në Maqedoni. Secili lexues do të bindet se, përveç “hoxhallarëve komunistë”, askush nuk mund ta cilësojë si “anti-islame” revoltën time për shpronësimin e Bashkësisë Fetare Islame, rrënimin e xhamive dhe dëbimin e shqiptarëve myslimanë. (Për “hoxhallarët komunistë” do të flas në pjesën e katër të shkrimit tim). Përveç “hoxhallarëve komunistë”, askush tjetër nuk mund ta cilësojë si “anti-islam” arsyetimin tim, se në Maqedoni nuk ka “radikalë islamikë shqiptarë” dhe se ky nocion është shpikje e shërbimeve sekrete sllave për t’i njollosur shqiptarët. Asnjë njeri i logjikshëm nuk mund ta cilësojë si “anti-islam” konstatimin tim, se në Maqedoni ka radikalizëm fetar e ai është “fondamentalizmi ortodoks”. Përveç “hoxhallarëve komunistë”, askush tjetër nuk mund ta cilësojë si “anti-islam” qëndrimin tim, se thirrja “Allahu Ekber!”, në vetvete, nuk përbën radikalizëm fetar!

Cila gjuhë dhe terminologji që përdor unë për të denoncuar dhunën e ushtruar kundër shqiptarëve në Maqedoni mund të cilësohet si “gjuhë komuniste, gjuhë me deformime patologjike, gjuhë e njerëzve që s’e duan islamin të jetë pjesë e traditës sonë kombëtare”? Cilën metodë paskam përdorur unë e që mund të kualifikohet si “metodë serbe për të diskriminuar myslimanë”?

Nga kronologjia e shkurtër e stigmatizimit të shqiptarëve që u përmend më lart, secili lexues e kupton se shërbimet sekrete sllave përdornin etiketimin e shqiptarëve me ideologjitë, që në kontekste të ndryshme historike perceptoheshin keq nga opinioni publik ndërkombëtar dhe ai vendor, për të justifikuar dhunën. Këtu qëndrojnë arsyet që shpjegojnë faktin pse dënoheshin shqiptarët herë si “nacionalistë”, herë si “antikomunistë”, herë si “komunistë stalinistë”, herë si “antidemokratë”, herë si “terroristë islamikë” e kështu me radhë. Kjo metodë serbe shpjegon arsyet pse pjella e komunistëve të djeshëm dhe argatëve të tyre që vijnë nga të gjitha drejtimet profesionale dhe religjioze akuzojnë atdhetarët si “komunistë” dhe “antidemokratë!

Çdo lexues e ka të qartë se stigmatizimi që më bën Mustafa Bajrami, duke më etiketuar si “komunist”, si “antidemokrat”, si “anti- Turqisë”, si “anti-islamit”, nuk ka asgjë origjinale të këtij teologu. Gjuha dhe terminologjia që është përdorur kundër meje është kopje e metodave serbe për njollosjen e shqiptarëve. Kjo është një plagjiaturë e kulluar nga “Libri i Bardhë” i përpiluar nga Shërbimi Sekret i Serbisë.

Kjo kopje e shëmtuar e metodës serbe për të më njollosur, e degradon titullin akademik që i ka vënë emrit të vet përpara Mustafa Bajrami. Ai intelektual që ka pak dinjitet, do të shpërndante gënjeshtrën se gjoja “i madh e i vogël e di se Bardhyl Mahmuti deri dje ishte një komunist i rryer e sot është një antidemokrat i përbetuar”.

Çdo intelektual që ka qenë i interesuar për ta kuptuar strategjinë që kanë përdorur shërbimet sekrete sllave kundër shqiptarëve, ka pasur mundësi të bindet se, me qëllim që të njollosen udhëheqësit e UÇK-së në Kosovë, se gjoja i përkisnin ideologjisë së ekstremit të majtë dhe rrjedhimisht luftonin për ta kthyer komunizmin në Kosovë, më shumë se gjysma e “Librit të Bardhë”, të përpiluar nga Shërbimi Sekret i Serbisë dhe të shpërndarë në fillim të luftës në vitit 1998, i kushtohet prezantimit tonë si “komunistë-marksistë-leninistë-stalinistë-enveristë” dhe si “antidemokratë të përbetuar”.

Këtyre gënjeshtrave nuk u besuan shtetet demokratike dhe na hapën dyert e qendrave diplomatike me peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ne nuk kemi pasur as moshën e as nuk kemi jetuar në Shqipëri për të qenë komunistë të vendit amë.

Prandaj, secili që ka lexuar “Librat e Bardhë”, që ishin përpiluar nga Shërbimi Sekret i Serbisë, me qëllim që të NXININ shqiptarët, do të bindej që akuza e mësipërme e Mustafa Bajramit kundër meje duhet të formulohet kështu: I madh e i vogël e di se Bardhyl Mahmuti dhe shokët e tij janë akuzuar si “komunistë” dhe “antidemokrat” nga Shërbimi Sekret Serb!

Pa marrë parasysh përkatësinë dhe bindjet religjioze, është turp për çdo njeri që i thotë vetes “shqiptar”, të plasojë në opinionin publik shqiptar sajesat e Shërbimit Sekret të Serbisë për të njollosur ata që mendojnë dhe veprojnë ndryshe prej tyre.

(Vijon shkrimi “Bashkësia Fetare Islame dhe Shërbimet Sekrete Jugosllave”)


-Hoxhallarët komunistë marksistë-leninistë jugosllavë dhe nacionalistët shqiptarë

Çdokush që ka lexuar memoaret e Sulejman Rexhepit, kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, e ka të qartë se “hoxhallarët komunistë”, të edukuar në frymën e “marksizëm-leninizmit jugosllav, ishin mishëruar me historinë e huaj”. Është e kuptueshme se, si rezultat i këtij mishërimi, një numër teologësh myslimanë shqiptarë kishin “emocione të fuqishme sa trupin ua përshkonte një zjarr kur dikush i identifikonte me figurat historike sllave, si Gjorçe Petrovi”. Është e kuptueshme se këta teologë të “marksizëm-leninizmit jugosllav”  kurrë “nuk kanë ndjerë emocione më vonë, kur dikush i identifikonte me Skënderbeun”. Prandaj është edhe më e kuptueshme se pjella e një edukimi të tillë ka si rezultat faktin që edhe sot e kësaj dite, një numër teologësh marksistë-leninistë jugosllavë shajnë në mënyrën më të poshtër Skënderbeun, Nënë Terezën, Ismail Kadarenë dhe figura të tjera të historisë dhe kulturës kombëtare shqiptare.

***

Njerëzit që nuk i zotërojnë konceptet teorike për ta analizuar realitetin në dimensionin  politik, kanë tendenca prirje ta personalizojnë politikën. Për këtë arsye, një nga shtyllat e orientimit metodologjik të politologëve konsiston në shmangien e kësaj qasjeje, që ka për prioritet sjelljen e njerëzve. Përkundër rëndësisë që ka edhe ky aspekt i problematikës, asnjëherë nuk jam ndalur në këtë çështje, sepse jam përpjekur t’i shqyrtoj ngjarjet në kontekstin global.

Në qindra shkrime të ndryshme nga qindra autorë është bërë denoncimi publik, se një numër hoxhallarësh kishin hyrë në shërbim të politikës së sllavëve të jugut që kishin pushtuar territoret shqiptare. Meqenëse po më shtrohet pyetja që të përmend emra konkretë të teologëve që u kanë shërbyer politikave antishqiptare, po sjell për lexuesin argumentet që kërkojnë teologët e llojit të Mustafa Bajramit.

Për të shmangur çdo lloj manipulimi lidhur me burimet e informatave, do të citoj pjesë nga memoaret e Sulejman Rexhepit, kryetarit aktual të Bashkësisë Fetare Islame (BFI) në Maqedoni. Sa i përket problematikës që po trajtoj, memoaret e këtij teologu islam janë më me peshë se të gjitha fjalët dhe argumentet që janë thënë deri tani. Është imami i parë shqiptar, që tregon haptazi se  ka qenë spiun i Shërbimeve Sekrete Sllav, motivet që e kanë shtyrë të bashkëpunojë me UDB-në, kontekstet e bashkëpunimit, avancimin e tij deri në funksionin më të rëndësishëm në kuadër të Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni dhe përfshirjen e Filialeve të UDB-së në gjirin e Bashkësisë Fetare Islame.

Pjesët që do të citoj nga këto kujtime të Sulejman Rexhepi,t do të tronditin të gjithë besimtarët myslimanë që nuk kanë pasur njohuri për këtë realitet të hidhur. Përkundër mendimeve personale që kam për këtë kategori teologësh myslimanë, memoaret e Sulejman Rexhepit janë ndër memoaret më interesante që kam lexuar ndonjëherë. Mendoj se asnjë shqiptar nuk duhet të mbetet pa i lexuar këto memoare, sepse janë dëshmi që sqarojnë shumë hamendësime.

Po sqaroj lexuesin, se citatet që do të nxirren nga këto memoare do të renditen në përputhje me problematikën që po trajtoj e jo në bazë të numrave rendorë të kujtimeve të tij.

Fjalën e ka Sulejman Rexhepi:

“Miq të dashur!Vëllezër e motra!

Para do kohe, një mikut tim të ngushtë ia dhashë dorëshkrimin tim me memoare për t’i lexuar dhe, eventualisht për t’i redaktuar, meqë është njeri i pendës. Ish-shefit tim të kabinetit,H. Agron Vojnikës, i kisha thënë që do t’ia jepja këtë dorëshkrim me kusht që ta botonte pasi të bëhesha për rahmet. Por, meqë gabova dhe ia dhashë mikut për t’i lexuar, megjithatë, është kohë e turbullt, kohë kur nuk mund t’i besoshë as vetes ndaj dhe, duke dyshuar se mund t’i keqpërdorë memoaret e mia, vendosa që t’i botoj vetë, në këtë faqen time elektronike…

Babai im i ndjerë, policinë jugosllave e kishte frikë në palcë. Më lutej e më qortonte që mos të përzihesha me nacionalistët kosovarë, më luste që të isha lojalistë dhe të kisha kujdes, sepse me policinë jugosllave më mirë kalohet duke i shërbyer se sa duke i kundërshtuar”.(Memoari nr.1)

Në memoarin nr. 3 Sulejman Rexhepi evokon kujtime nga periudha kur ishte nxënës në Medresenë e Prishtinës.

“Jasht Medresesë gjithçka tjetër ishte marksizëm-leninizëm. Vlonte Kosova nga kjo ideologji. Pa dyshim, marksizëm-leninizmi kishte future ndikimin e vet edhe në Medresenë tonë. Sot, kur e kujtoj atë kohë, më vjen të turpërohem prej atyre mësimeve dhe prej atyre hoxhallarëve komunistë që na mbushnin si bateritë e zbrazura me këtë ideologji. Ishte kohë e tillë, po na përgatisnin të bëheshim hoxhallarë komunistë. Komunistët e dinin se përmes hoxhallëkut, përmes kontaktit me xhemat dhe influencimit tonë mbi ta, më se lehti do të përhapej marksizëm-leninizmi, më së lehti do të zhvillohej bashkim-vëllazërimi, më së lehti do të luftohej nacionalizmi shqiptar i cili ishte dhe mbeti gogol i komunizmit jugosllav”.

Nga edukimi që kishte marrë nga “hoxhallarët komunistë”, Sulejman Rexhepi veçon Mulla Rashitin, i cili e krahasonte me Gjorçe Petrovin (revolucionarin sllavo-maqedonas).

“Jo që kisha njohuri mbi këtë figurë historike maqedonase, por, çuditërisht, sa herë më thoshte Gjorçe Petrov, seç ma përshkonte trupin një zjarr, në prush. Biles kështu më thoshte edhe Mulla Rashiti: “O bir, o Gjorçe Petrov, o krejt “zhar” je bre…”.Ja çka do të thotë mishërimi me historinë e huaj! Më vonë do të më thonë edhe Skenderbe por, kurrë nuk më ka ndjer trupi atë zjarrin e “zharit”, për vetë faktin se emrin Skenderbe e kam dëgjuar shumë vonë, ndërsa me emrin Gjorçe Petrov, jemi rritur, rruga për në Sullaren time i binte nëpër lagjen e Gjorçe Petrovit, pazarin e mjekimin e kemi bërë në këtë lagje. Unë Gjorçe Petrovi në mes të Prishtinës?! E dija që nuk isha, por nuk e kuptoja se pse trupi flakë më shkonte kur më thoshin me këtë emër, pse trimërohesha dhe pse përpiqesha ta imitoj këtë “vojvodë”! Dhëndërr u futa si Gjorçe Petrov kurse dola si plak i urtë, dola me plane të qarta për jetë. Zoti ishte me mua. Në mua vdiq Gjorçe Petrovi ! Tash e tutje, për të tjerët do të isha Sulejman Rexhep!” (Memoari nr. 2)

Nga kujtimet që i kanë mbetur nga sjellja e Mulla Rashitit, Sulejman Rexhepi përmend edhe rastin kur ky imam i kishte zënë me femra në një lokal të Prishtinës, atë së bashku me Adnan Eminovin dhe Vesel Dautin. Nuk është me interes për temën tonë se si ua shau nënën ky teolog. Ajo që është e domosdoshme të përmendet, se Sulejman Rexhepi pohon se “të tre hoxhallarët përfunduan si hyzmeqarë të UDB-së” (Memoari nr. 3).

Në memoarin nr. 28 Sulejman Rexhepi evokon shpërthimin e revoltës së vitit 1981 dhe mobilizimin e të gjitha strukturave politike dhe fetare për shkatërrimin e nacionalizmit shqiptar.

Ai pohon se “pas vitin 1981, të gjithë strukturat policore si dhe të zbulimit e të kundërzbulimit jugosllav u aktivizuan në luftë kundër nacionalizmit dhe seperatizmit shqiptar. Një luftë speciale po zhvillohej sidomos kundër mërgatës shqiptare e cila, e organizuar nëpër klube shqiptare, gjithandej qendrave evropiane, po i jepte krah dhe zemër seperatizmit shqitar në Kosovë si dhe nacionalistëve shqiptar në Maqedoni, Luginë të Preshevës si dhe në Mal të Zi. Nëpër organet gjegjëse ishte bërë një ristrukturim i kuadrit, nuk dihej se kush ku kishte shkuar dhe kush ku do të vinte. Në Maqedoni, neve shqiptarëve projugosllavë na e kishin sjellë, apo më mirë me thënë, na e nxorën përpara njëfarë Kire Fuzofski (Crni) ekspert në luftën kundër separatizmit shqiptar. Çuditërisht, që në takimin tonë të parë, për njëri tjetrin e ndjemë një dashuri të veçantë shoqërore. Do të bëhemi miq për tërë jetën. Ai ishte shumë i sinqertë ndaj meje. Pas disa muajve, kërkoi t’ia kryej me besnikëri një shërbim shumë interesant dhe, që në fillim më tha se, nëse e kryej këtë punë atëherë do t’i kem të gjitha dyert hapur, do të jem më i respekturi dhe më i dashuri në repartin e tij. Meqë në Kosovë njiheshin të gjithë në mes vete dhe, ekspozimi i spiunëve apo i bashkëpunëtorëve ishte i vështirë, kërkonin që nga ne, shqiptarët e Maqedonisë, t’i kryejmë përcjelljet e nacionalistëve dhe të seperatistëve shqiptarë, meqë më pak kishim rënë në sytë e tyre”. (Memoari nr. 28).

foto(Bardhyl Mahmuti në krye të demostratave të vitit 1981 në Prishtinë)

Në memoarin nr. 32  të titulluar “Unë dija ta luftoja nacionalizmin shqiptar”, spiuni i UDB-së, Sulejman Rexhepi, nxjerr në dritë disa të dhëna interesante që lidhen me ngjarjet e vitit 1981.

“Demonstratat e studentëve në Kosovë, në vitit 1981, i dhanë leje të plotë policisë jugosllave për të vepruar lirshëm mbi shqiptarët që shquheshin qoftë edhe me më të voglën shenjë të nacionalizmit dhe irredentizmit. Shqiptarët u shndërruan si në lepujt e egër të Zhedenit të cilët duhej mbytur sapo të dalin në shënjestër. Me qindra orë ligjërata u zhvilluan në trajnimin e njerëzve specialë që do ta luftonin këtë murtajë e cila po i kanosej shoqërisë jugosllave dhe po i tundte vetë themelet e ish-Jugosllavisë. Shoku Tito kishte vdekur kurse gjithnjë e më fuqishëm këndohej kënga “DruzheTito mi ti se kunemo, da sa tvoga puna ne skrenemo” (Për ata që nuk e dinë gjuhën serbe teksti i kësaj kënge do të thotë: «Shoku Tito ne të betohemi se nga rruga jote nuk do të largohemi»- Sqarimi BM)! Ne, pro jugosllavët, këtë këngë e kishim moto të jetës, e kishim lutje të ditës, e kishim parim dhe përcaktim jetësor.

Në KQ të LKM-së (Komiteti Qendror i Lidhjes së Komunistëve të Maqedonisë-sqarimi BM) u soll vendimi që në këtë aksion të gjerë të përfshiheshin edhe hoxhallarët, sepse ndikimi ynë ishte i madh. U ftuan disa hoxhallarë me ndikim në trajnim por, nuk kaloi asnjëri, madje të gjithë u bënë me nishan, u bënë të dyshimtë, sepse në ligjëratat e tyre ishin tepër të butë, tepër anemik, si ato melaqet që i hapin dyert e xhenetit dhe që i thonë xhenetlinjëve, hajde, urdhëroi, urdhëroni në xhenet! Para xhematit, sidomos para shqiptarëve në xhami, karshi egërsirës së tyre duhej të flitej me egërsinë edhe më të ashpër, karshi tyre duhej demonstruar tërë fuqia e pushtetit jugosllav, me zë të lartë e me gjeste duhej mbjellë frikë e jo butësi. Unë u përzgjodha si njeri më i ashpër, si njeri i përshtatshëm, sepse derisa në orë kursi mbaja prova si të luftohet nacionalizmi dhe seperatizmi shqiptar, më bëhej sikur nxirrja flakë nga goja, fjalët më dilnin si të zjarrta, sikur nuk nxirrja fjalë por gaca, prush. Kurse Kire Fuzofski bërtiste: “Taka “zharko”, taka, davajzhar… zhar… zhar…”

Shoqata ‘Ilmije’ që funksiononte në kuadër të BFI-së dhe e themeluar nga KQ i LKM-së, u caktua që të jetë bartëse e organizimit të mbajtjes së ligjëratave nëpër organet e BFI-së si dhe nëpër xhamitë e vendit. Nuk ishte aksion i letë. Intervenimet policoro-ushtarake jugosllave në Kosovë, pamjet trishtuese që erdhën nga atje, por edhe proceset gjyqësore që vazhduan pastaj kundër udhëheqësve të demonstratave të Prishtinë e gjetiu, kishin pezmatuar mbarë shqiptarët, prandaj edhe nuk ishte e lehtë të dilje para xhematit shqiptar e të flisje kundër asaj lëvizje që në fakt ishte projekt i imerializmit amerikan për ta shkatërruar Jugosllavinë. Prandaj, kërkova dhe ma mundësuan që të pajisesha me armë dhe me leje, m’u dha liria e plotë që, nëse vetëm më shikon shtrembër ndonjë irredentist shqiptar ta vrisja në vend, si derrin e egër. Arma në brez më jepte siguri, më jepte forcë, ma shtonte flakën dhe prushin kundër nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar.

Çuditërisht, në të gjitha organet e BFI-së kam hasur në kolegë e hoxhallarë që ma përkrahnin programin, askush nuk e thoshte më të voglën fjalë. Bashkë futeshim nëpër xhami, ku xhemati i hapte sytë katër kurse unë shpërtheja vrullshëm kundër të gjithë atyre aventurierëve që po ëndërronin për prishjen e Jugosllavisë. Nuk kishte bërë vaki më herët që nëpër xhami të dëgjoheshin duartrokitjet frenetike të xhematit. Në fund të ligjëratave, sikur ishte bërë traditë që tashmë të bërtisnin “Ju-go-sllavia, ju-go-sllavia… Sulo, Sulo…” Edhe pse nuk e kishin atë motivacion të thirrjeve “zharko… zharko”, me të cilat shpërthente Kiro Fuzofski kur më dëgjonte, megjithatë, edhe thirrjet “Sulo… Sulo”, seç më bënin krenar dhe të pathyeshëm në rrugën e Titos.

Natyrisht, përveç revoles, me vete merrja edhe një shumë të konsiderueshme të dinarëve që m’i jepte me bollëk Kiroja, sepse hasja në shumë xhemat që kishin probleme të rënda sociale. Dhënia e një dinari e shtonte simpatinë për Jugosllavinë. Natyrisht, një dinar atyre e dhjetë për vete. Nuk kishte nevojë të raportohej se kah shkonin ato dinarë, me rëndësi të më shihnin dikush se po ndaj pare, sepse e dija që në mesin e xhematëve kishte plotë spiunë që po e përcillnin punën time dhe që raportonin madje edhe te Kiro Fuzofski. Parja ta zbardhë fytyrën. Kur nuk e ke paranë e ke urrejtjen e Zotit…” (Memoari nr. 32) pohon kryetari i BFI-së së Maqedonisë, Sulejman Rexhepi.

“Tani, kur e kujtoj babain tim, menjëherë më bëhet e qartë se pse aq shumë insistonte që të ikja diku në tokat arabe për të kryer edhe ndonjë fakultet teologjik. Nuk donte që të përfundoja në Sarajevë. Donte në shtetet arabe. Po pra, sepse vetëm në ato shtete mund të më spastrohej truri nga ai infektim nacionalist që më ishte bërë gjatë shkollimit të mesëm në Kosovë. Iu binda tepër shumë babait, aq shumë sa nga memoria ime kam fshirë të gjithë ata shokë, të gjithë ata njerëz e personalitete me të cilët kuvendonim shqiptarçe dhe me tone mjaft nacionaliste. I pata fshirë si dashakëqij të karrierës sime dhe, tek pastaj u brumosa me kulturë dhe njohuri islamo-arabe”. (Memoari nr. 1)

“Kujtimet vijojnë me përgatitjen për të shkuar në studime ku duhej «ta spastronte trurin nga infektimi me nacionalizëm shqiptar». Në Memoarin nr. 6 të emëruar «Vëllazërim-Bashkimi më i suksesshëm se Islami» Sulejman Rexhepi shkruan: «ditën kur e preva biletën për në Beograd, prej nga do të fluturoja për në Kuvajt, pas katundarit tim, topallit, më kishte dërguar fjalë Goran Subashiq, i cili në takimin tonë në një zyre të këshillit ekzekutiv të qytetit të Shkupit, m’u prezantua si rreshter i vjetër, përgjegjës i sektorit për çështjet fetare pranë KOS-it. (Akronim serb për Shërbimin e Kundërzbulimit jugosllav – sqarim BM).

Pasi u bind se unë me tërë shpirt isha jugosllav i zjarrtë, më porositi që këtë imazh ta përcillja kudo që do të shkoja, sepse, kështu do të dilja i nderuar atje por edhe brenda. Më tha që, në çdo fakultet ku shkojnë studentët tanë nëpër shtetet arabe, kanë për detyrë të përcjellin njëri tjetrin dhe këtë nuk e dinë asnjëri. Të gjithë kur të kthehen në vendlindjen e tyre, do të raportojnë për njëri tjetrin, prandaj, më tha, hap sytë dhe, më mirë të raportosh ti për shokët se sa shokët të raportojnë për ty. Jugosllavia nuk ka vend për ata teologë që nuk do të jenë markë jugosllave. ‘Kujdes, më tha, shtetet arabe janë në anën tonë, prandaj, as mos tentoni që të futeni nëpër lëvizjet ekstremiste që tentojnë t’i destabilizojnë shtetet mike arabe. Prandaj, do t’i vëzhgosh këta ujqër, mundësisht edhe t’i eliminosh nga pozicioni i gjyqtarit, më tha si në shaka e që, duke më shtrënguar damarin e qafës desh më paralizoi në vend. Në ty e shohim të ringjallur Gjorçe Petrovin tonë, më tha pasi më uroi udhë të mbarë për në Kuvajt

Që nga ai moment, të gjithë që më provokonin, qofshin ata edhe miqtë e mi më të ngushtë, menjëherë krijoja përshtypje se i ka lëshuar Subashiqi,të më përcjellin, prandaj në të tilla situatë reagoja i papërmbajtur. Prandaj i reagova aq ashpër edhe profesorit arab, el Shuajbit, i cili, për një moment, seç m’u duk si mik i rreshterit të vjetër, Goran Subashiqit, të cilit më duhej t’i raportoja sa herë që kthehesha në Shkup por, jo rallë i raportoja edhe përmes njerëzve “diplomatikë” që më takonin sa herë që donin të iknin nga Kuvajti. “Suljo, mos ke ndonjë selam për Subashiqin”, më thoshin fare pa m’u prezantuar. Sapo ma përmendnin emrin e tij, e dija që janë të lozes së tij. Nuk ishte edhe aq lehtë të bëheshe teolog në shtetet mike të Jugosllavisë. Ne duhej të ishim shembull i Jugosllavisë së vëllazërim-bashkimit, shembull këtë që nuk po mund ta arrinte madje as islami si fe! Edhe këtë, falë atij rrjeti të spiunëve që ishte i shtrirë cep më cep botës”. (Memoari nr. 6)

Sulejman Rexhepi evokon kujtimet kur ishte konfrontuar me profesorët në Kuvajt në mbrojtje të komunizmit jugosllav, si i kishte denoncuar te përfaqësuesit diplomatikë të Jugosllavisë në këtë shtet…

“Vitin e parë, kur u kthyem nga Kuvajti, menjëherë pas njerëzve të familjes së ngushtë, më takoi rreshteri i vjetër, Subashiqi. Më pyeti për disa gjëra për të cilat nuk i dite askush përveç se meje dhe shokut tim të ngushtë, Zulhajratit. Në atë çast u pata betuar se do ta djeg këtë njeri. ‘Mos më thënshin Sulë nëse nuk e përvëloj si me prush Zulhajratin’ !”- ishte betuar Sulejman Rexhepi (Memoari nr. 7).

Këtë betim e realizoi që në raportin e parë me shkrim që i bëri UDB-së.

“Kur Subashiqi mi tregoi disa gjëra të cilat i dinte vetëm shoku im Zulhajrati vendosa që edhe unë të tregoja diçka që dija për të. Më tha që, historia nuk bëhet duke folur por duke lënë gjurmë me shkrim. Më dha një copë letër dhe një laps kimik e më tha: “shkruaj”! Seç m’u duk si urdhri “ikre”! (Memoari nr. 8)

Për ata që nuk e dinë, fjala “ikre”, që varësisht nga përkthimet e ndryshme, ka kuptimin e fjalëve “lexo”, “shkruaj”, “këndo” (në kuptimin “recito”) është porosi e Allahut, të cilën, sipas besimit islam, engjëlli me emrin Xhibril ia tha Muhamedit kur filloi t’i zbriste Kuranin. Përmendja e kësaj fjale nga ana e një teologu në kontekstin e relacioneve brenda Shërbimit Sekret të Kundërzbulimit të Jugosllavisë, tregon se si i ka konsideruar Sulejman Rexhepi urdhrat e UDB-së: si urdhra të Allahut!

Memoari nr. 8 e përfundon me raportin e parë me shkrim, që ky teolog kishte bërë për “shokun” e vet: “Mezi i shkrova në qirilicë nja dy-tre elemente për Zulhajratin: 1. Zuli (kështu i thoshte Subo shokut tim Zulhajratit) i urrente tmerrësisht arabët, të cilët asgjë nuk dinin për shqiptarët, ndërsa për jugosllavët e për Titon ishin në gjendje të hiqnin dorë edhe prej fesë islame…”.

Sulejman Rexhepi, ky teolog që deklaron publikisht se me tërë shpirt ishte “jugosllav i zjarrtë” dhe “komunist”, lëshohet në krahasimin me nacionalistët shqiptarë, që e donin Enver Hoxhën në raport me Titon.

Ai shtron pyetjen me një pikëçuditje në fund: “A mund të ishin enveristët (ithtarët e Enver Hoxhës) më shqiptarë se unë! Ata, adhuruesit e këtij satrapi, të ishin më nacionalistë se unë nuk ndodh në asnjë mënyrë! Ai njeri që nuk e do fenë e popullit të vet ai nuk e do as vetë popullin. Prandaj, këtë tip nacionalistësh i urreja. Ata marksista-leninista, unë marksist-leninist!Ata e donin Shqipërinë, unë e doja Shqipërinë. Ata dëgjonin këngë folklorike e patriotike, po ashtu edhe unë i dëgjoja. I vetmi dallim ishte se unë nuk e doja Enverin, liderin shpirtëror të tyre. Nuk mund të paramendoja kombin shqiptar pa fe! Më dukej gjë e tmerrshme. Prandaj, qysh në Prishtinë, si nxënës i Medresesë, u pata rreshtuar në anën e atyre që i luftonin këta qafira, këta të pafe. Kishim shkuar aq larg sa e kishim bërë hallall bashkëpunimin me policinë jugosllave kundër këtyre enveristave”. (Memoari nr. 8)

“Kurë nuk arrita ta kuptoj se prej nga buronte tek unë tërë ajo energji negative kundër shqiptarëve irredentistë e seperatistë. Po si nuk patën më të voglin insaf për Jugosllavinë. Të gjitha indikacionet e shërbimeve sekrete flisnin se ata i kishin hyrë punës për ta rrënuar Jugosllavinë, për të cilën baballarët tanë kishin derdhur aq djersë e gjak. Të gjithë që i kontaktoja, me të gjithë që e kaloja ditën dhe natën, ma mbushnin mendjen se me mijëra herë më shumë kishte shqiptarë që e donin Jugosllavinë në krahasim me irredentistët. Kjo ma shtonte urrejtjen deri në zhdukje të tyre. Kjo m’i arsyetonte të gjitha mjetet dhe metodat që i përdorja në luftë kundër këtij irredentizmi e seperatizmi. Nuk besoj të kenë fshehur nga unë ndonjë qëndrim, sepse, të gjithë ishim të sinqertë, të gjithë angazhoheshim për ruajtjen e shtetit të përbashkët të vëllazërim-bashkimit tonë. Se nga dolën pastaj të jenë të gjithë shqiptarët e mundshëm për Kosovën Republikë dhe për Shqipërinë e Madhe këtë kurrë nuk arrita ta kuptoj.

Menjëherë pas demonstratave të para në Kosovë, po ndjeheshin lëvizje edhe në mesin e shqiptarëve të Maqedonisë, të cilët po ngacmoheshin sidomos nga studentët e kësaj ane që po studionin në Prishtinë. Dy persona u përzgjodhëm dhe na i ndanë detyrat të cilat duhej kryer me besnikëri, me devotshmëri dhe me përkushtim. Unë u angazhova që të ndikoja tek shtresa e teologëve por edhe ta kontrolloja këtë komunitet, ndërsa profesor Sefedin Sulejmani u angazhua të ndikonte dhe të ushtronte kontroll mbi stafin akademik dhe mbi studentët shqiptarë të kësaj ane. Profesori Sefedin e pati më të lehtë, sepse edhe ishte i gojës por edhe i kalemit. Dinte të shprehje por edhe të shkruante. Në vitet ’80 ai tashmë kishte mbi 50 vepra të shkruara, nga sfera e filozofisë dhe marksizmit, ndërsa unë isha tamam tokmak! Çuditërisht nisën të botohen deklarata të mia por edhe shkrime në emrin tim. Çfarë gëzimi i papërshkrueshëm kur gjeja ndonjë shkrim të botuar me emrin tim. E merrja gazetën, e fusja nën sqetull dhe i bija poshtë e lartë rrugëve të Bit Pazarit. Nisa të shikohem si një person mjaft atraktiv, vizionar dhe marksist i përkushtuar. Edhe hoxhë edhe marksist – kjo e bënte madhështor qëndrimin tim prej komunisti të përkushtuar. Më vitin 1983, në Takvimin e BFI-së që e përgatiste për botim Shoqata ‘Ilmije’, e cila historikisht më tepër ka qenë organ i Lidhjes Komuniste se sa i BFI-së, botova shkrimin tim mbi irredentizmin dhe seperatizmin shqiptar si dhe për përcaktimet imediate të të gjithë teologëve në rreshtimin e tyre për kalitjen e mëtejmë të vëllazërim-bashkimit jugosllav. Vetëm ky shkrim u mbajt mend nga ana e shqiptarëve, kurse unë kisha botuar edhe dhjetra të tjerë që po botoheshin nëpër biltenet policore dhe ushtarake nëpër republikat e vendit dhe zonat ushtarake të Jugosllavisë”. Memoari nr. 35

Për shkak të besnikërisë dhe provave që kishte treguar, se me tërë shpirt ishte “jugosllav i zjarrtë” dhe “hoxhë komunist”, Sulejman Rexhepi filloi të ngjitej në grada: iu dhanë edhe informatorë të tjerë, që do t’i përcillnin spiunimet e tyre përmes tij.

“Kiro Fozufski, inspektori më i përgatitur në radhët e UDB-së për përndjekjen e seperatistëve dhe irredentistëve shqiptarë, tashmë kishte krijuar një besim të fuqishëm në mua. Po ndjehej i habitur por edhe pak i lodhur nga gatishmëria e aq shumë shqiptarëve për të raportuar vullnetarisht tek ai. Një herë ma shprehu dyshimin, duke menduar se, mos irredentistët shqiptarë po dilnin më të aftë se UDB-a dhe se qëllimisht po u dërgonin sa më shumë shqiptarë të raportojnë, me qëllim që t’ua tollovisin trutë ! Prandaj, më luti që t’ia eliminoja nja dy si më të besdishëm, dy shqiptarë që natë e ditë ishin në gjendje t’ia mbajnë bolet në duar. Njëri ishte nga Kondova, me nofkën ‘Teglla’, për shkak të xhamit të syzave të tij që dukeshin si fundi i kaVanozit (ZejnullahFazliu), e tjetri ishte nga Morana, me nofkën ‘Mandolina’, sepse kur e raportonte ndonjë informatë e nxirte si tingujt e telave të çakorduara të mandolinës (Azem Morana)!

‘Teglla’ do të dëshmoheshte si më i zellshëm dhe më bashkëpunëtorë, nuk do të ndjehet i ofenduar që të më raportojë mua çdo ditë e unë një herë në javë te Kiro Fuzofski, kurse ‘Mandolina’ do të jetë më kryeneç, më i poshtër, ai kurrë nuk do të pranojë të bashkëpunojë me mua, por, drejt e me shkijet e Draçevës e të Autokomandës. Pisi kishte nisur të më konsideronte si rival të tij, më shihte si konkurrent, e jo si epror të vetin. Prandaj edhe kurrë nuk arrita t’ia jap ndonjë detyrë por as të marr ndonjë informacion prej tij. Kjo më pat shtyrë që të betohem në vete që tan jetës të merrem me të, ta poshtëroj ku të mundem e t’ia nxi fytyrën në çdo mexhlis ku do ta takoj». Sulejman Rexhepi sjell detaje se si kishin spiunuar veprimtarinë e një atdhetari: «Në Kondovëjetote njëfarë Haxhi Enveri, i ardhur nga rrethi i Gjilanit, i burgosu politik dhe, irredentist i papërmirësueshëm. Pa dyshim, nga rrahja e tepërt që e kishte hëngër nëpër stacionet policore, kishte luajtur pak mendsh, nuk ishte sagllam”.(Memoari nr. 36)

Në memoaret e veta Sulejman Rexhepi evokon kujtime nga periudha e mbledhjeve të Lidhjes së Komunistëve të Maqedonisë, gjatë së cilave ky “hoxhë komunist” fitoi pushtet në raport me komunistët e tjerë, sepse kishte mbështetjen e Shërbimi Sekret të Zbulimit dhe Kundërzbulimit të Jugosllavisë. “Askush nuk më reagonte, sepse të gjithë ishin të bindur se, kur flet Mulla Sula, në fakt kanë folur organet më të larta të Lidhjes Komuniste. Pastaj, ato paraqitje kritike të mijat diskutoheshin në Këshillin e Shkupit, me hoxhallarë e me xhematë. Tani më po bëhesha me krah, po fuqizohesha gjithnjë e më shumë. Sherif Dehari, edhe pse me pozicione më i madh se unë, si në Parti ashtu edhe në Bashkësi, megjithatë gjunjëzohej para meje. Për mua nëpër mbledhjet e forumeve të Bashkësisë Islame fliste si për një fuqi më të madhe që e ka pasur ndonjëherë Bashkësia Islame. Në organet partiake flitej për mua si për një komunist të paprekur kurse në BI flitej për një hoxhë të papërkulur! Kjo ishte propaganda më e madhe për mua e cila m’i hapte të gjitha shtigjet drejt karrierës sime. Duhej të arrija majën e autoritetit të fuqishëm. Pa dyshim, kjo arrihet vetëm duke qenë i përkushtuar pas vlerave të sistemit politik shoqëror si dhe duke e disiplinuar xhematin i cili duhet të arrijë shkallën e besueshmërisë së paluhatshme ndaj udhëheqësit të vet fetar. Atë çka e thotë Mulla Sula, asaj thuaji AMIN! Kështu ka qenë në Komunizëm, kështu duhet të vazhdojë edhe në demokraci. Si sistemi, si xhemati – Mulla Sulës duhet t’i thonë AMIN” (Memoari nr. 17).

Nuk do t’i përmend të gjithë emrat, të cilët Sulejman Rexhepi i cilëson si njerëz të UDB-së. A ka ndonjë emër që e ka futur për shkaqe të rivaliteteve brenda Bashkësisë Fetare Islame, këtë e di ai vetë.

“Rezultatet për të notuar në mes valëve të komunizmit jugosllav dhe besimtarëve islam ia atribuon eprorit të vet të sigurimit sekret: “ndoshta ‘faji’ për këtë ishte krejt te Kiro Fuzofski, mësuesi im më i dashur përgjatë tërë karrierës sime. Asnjëherë nuk shkoja në vizitë të ndonjë xhemati paraprakisht pa u përgatitur nga Kiroja. Më mësonte mirë se çka të flas, si të flas dhe ku të godas. E unë flisja vetëm për Titon dhe për sistemin komunist, flisja rrjedhshëm e guximshëm, qetë dhe me maturi, herë-herë duke e dridhur buzën përvajshëm e duke u përlotur dhe, më së shumti godisja në vëllazërim-bashkimin tonë (…) Kiroja, krejt duke qeshur me zë, duke më rrahur shpinës e duke më përqafu si vëllai vëllain, më thotë, o Sulo, o nuk ka më trim se ti bre. Hallall të qoftë. O krej zjarr je, je prush që të përvëlon, që t’i djeg të gjitha tezat e që t’i përmbysë të gjitha teoritë. Je zjarr! Hajde të hapim një nofkë të re për ty. Tash e tutje për mua dhe për të tjerët, atje poshtë në zyret tona, ti do të njihesh si “Zharko”! Natyrisht, e shtruam muhabetin, pasi tashmë e kishim vrarë e pjekur edhe lepurin e egër. E çuam “çuturicën”(fjalë serbe për ‘bucelë’, ‘shishe’ alkoholi-sqarim BM) e mbushur me verë të kuqe e për nderë të nofkës sime të re. “Zjarr”, “Prush”, “Zhar- Zharko”, Shejtan bre, kurrë falë mos i qofsha askujt dhe prej askujt mos u varsha! Kush më do mua, duhet të më nënshtrohet, nëse jo në p.s.” (Memoari nr. 40).

Në memoarin nr. 42, të titulluar “Unë, Mulla Sula, kryetar i BFI-së”, deklaron në mënyrë triumfale: “Më në fund u kurorëzua aktiviteti im shumëvjeçar në ruajtjen e vlerave të komunizmit, në ruajtjen e ish-Jugosllavisë si dhe në luftë kundër seperatizmit dhe irredentizmit shqiptar. Tani erdhi momenti për ta përjetuar ndihmën e të gjithë atyreve që i ndihmova për më shumë se njëzet vjet. U bëra kryetar i BI-së! Paraprakisht, me të gjithë drejtuesit e këshillave të BI-së, si dhe me kryetarin e atëhershëm të Kuvendet të BI-së kishin punuar strukturat e caktuara të shtetit. U kishin dhënë direktivë që të më votojnë mua. Tërë këtë aktivitet e kishin bërë larg syve të mia, unë nuk dija asgjë, thjesht, për të ma lehtësuar punën e mëtejmë, duke qenë i bindur unë se të gjithë ata më donin mua dhe vetëm mua. Pasi u përzgjodha, e kuptova tërë lojën që e kishin luajtur. Kjo më irritoi shumë, sepse nuk e dija se cila palë po e tregon të vërtetën: ata të shërbimeve të sigurisë, apo teologët. Nuk e di as vetë kur ndodhi në mua ai moment i kthesës por, di që për një moment kam thënë: tash e tutje duhet lidhur me hoxhallarët e kundër atyre shërbimeve që asnjëherë nuk janë të ndershëm në detyrën e tyre. Largimi im prej tyre u bë me kryeneçësi, u bë me rebelizëm, u bë duke u futur vetë në ato kanale nëpër të cilat futeshin dhe jetonin vet ata të shërbimeve. Kalova në nacionalist i madh shqiptar, sepse, e dija që kjo do t’i lëndojë më së shumti ata dhe se, tani, për herë të parë, do të ndodheshin para një situate të palakmueshme: një nacionalist transparent nuk do të mund ta burgosnin. Unë isha kryetar i të gjithë myslimanëve dhe, çdo burgosje eventuale e imja do ta përmbyste shtetin. Atyre u dola dorësh, ndërsa si hakmarrje ata e përdorën liferimin e nofkës sime prej kodoshi (“Zharko”) si dhe hedhjen në publik të segmenteve nga aktivitetet e mia deri sa bashkëpunoja me ta.

Ja, për herë të parë, publikisht, përmes këtij memoari po e pranoj që kam bashkëpunuar me ta dhe po ju kërkoj falje të gjithë atyre që i kam lënduar e dëmtuar. Bashkëpunimi im ka pasur një qëllim shumë fisnik – thjesht, të bëhem kryetar i kësaj Bshkësie, sepse e kam ditur se, nga ky pozicion do të mund t’i ndihmoja shumë shqiptarëve”. (Memoarin nr. 42).

Megjithatë Sulejman Rexhepi nuk e ka të lehtë të shpëtojë nga kthetrat e Shërbimit të Zbulimit dhe Kundërzbulimit. “Ma bënë krejt vrer postin e kryetarit, nuk arrita t’i gëzohem asnjë çast. Derisa nuk u çarta fare. Pas një kohë e thirra Kire Fuzofskin duke e qortuar se si më lanë si qengjin në kafazin e mbushur përplot me ujqër. U takuam te restoranti i Hotel Belvit. Vendosa që t’ia tregoj planin që kisha me këtë rebelim timin, ndërsa si kundërshpërblim kërkova që të më mësojë se si të sillem me ‘çakejt’ që po më silleshin panda! UDB po insistonte përmes metodave të ndryshme që në BI të hapte filialen e vet dhe të instalonte njerëz që do ta kontrollonin dhe do të raportonin për punën time. Nuk e kuptoja se pse duhej të më kontrollonin mua! ‘Jo’, më tha Kiroja! ‘Nuk është për shkakun tënd, por për prestigjin e drejtorisë sonë. Nuk guxon të ngelë institucion pa pasur njerëz tanë aty, sepse do të ngel jasht kontrollit të drejtorisë. Çdo gjë që ngel jasht nesh rrezikon të shndërrohet kundër nesh’! Ky shpjegim sikur më zbuti. Më frikësoi kur më tha se, nëse nuk do të pranoja do të bënin ç’mos që sërish ta rikthenin në BI Jakup Selimovskin me ekipin e tij. Ky plan më acaroi shumë. Atëherë, e luta Kiron që ai ta kishte nën kontroll krejt BI-në. Nuk do të shpëtonte gjë pa ditur ai dhe se, nuk do të veprohej asgjë pa këshillat e tij, me kusht që tjetër bashkëpunëtorë të mos më fusnin në hundë. Këtë nuk mundi të ma garantojë Kiroja, por, m’i dha emrat se kë po mundohen t’m’i fusin në kabinet, ndryshe do t’i kisha armiq të përhershëm dhe përherë do të më bënin probleme”. Listën e parë të emrave të propozuar nuk i pranoi dhe madje sipas fjalëve të tij u kërcënua se do të shndërrohej në armik të madh.“Disa ditë më vonë, Kiro Fuzofski më erdhi me një ofertë të re. Më luti që të zbutem, ta ul pak kokën se, ‘bozhe mili’ (shprehje në gjuhën serbe që do të thotë ‘zot i dashur-sqarim BM)jemi njerëz dhe,sakaq mund të hidhemi diku në hendek duke plasur ndonjë gomë veture, apo, si gjyqtar, të na kap ndonjë “plumb bredhës’. Më frikësoi dhe, pa e zgjatur shumë pranova t’m‘i lexojë emrat të cilët duhet të futen me porosi në kabinet. Sa të jesh në krye të BFI-së, ti nuk mundesh të funksionosh pa i pasur pranë vetes sidomos këta emra: Zejnulla Fazliu, Shaqir Fetahu, Pëllumb Veliu, Isa Ismaili, Muhamed Iseni, Zenun Berisha dhe Sherif Dehari! Aaaa, mendova zëshëm! Në këta emra paska ngelur DeBeKa-ja!?(Shërbimi Sekret në gjuhën serbe-sqarim BM). Po këta i silli në maje të kalemit, po të gjithë këta janë tokmaka. Dakord, i thashë, dal nga dal të gjithë këta do të jenë në kabinetin tim.

Mendova se me kaq do të merrte fund puna. Nuk shkuan disa ditë, më thonë që ka ardhur të më takojë njëfarë Haki Fejzuli! E pranova, më urdhëron që ta pranoj Haki Agushin dhe të kem kujdes se në çfarë posti do ta lë. Kiroja më thotë që ky farë Haki Fejzuli është ekspert në tredhjen e shqiptarëve nëpër stacione policore. Gjithandej ftohet ky kur duhet t’ua ha shpirtin shqiptarëve e t’i keqtrajtojë deri në vdekje. Pas këtij, një ditë më erdhi Hifzi Mehmeti, edhe ky njëfarë satrapi antishqiptar. Dikur më erdhi edhe Rauf Qazimi dhe më sugjerojnë që mos të habitem shumë në zyre por të dilja me ta më shpesh, si më parë, në gjueti. Po kur më erdhi dhe komandiri Zdravko Rafajllovski, nga Vollkova, të intervenojë për Sherif Deharin atëherë më plasi dhe nisa të kërcënohem edhe unë. I thashë Kiro Fuzofskit që, le të ndërpriten këto vizita se, ndryshe, do ta çoj në këmbë popullatën myslimane, do t’ju vë në pozitë shumë të rëndë. Do të flas e do të tregoj për të gjitha planet që i keni. E kam shumë të lehtë që ta radikalizoj masën myslimane dhe ta përmbys krejt shtetin. Pas këtij kërcënimi, Kiro Fuzofski më tha që, të shtrëngohem fort, nuk do ta kem të qetë këtë mandat, do të më lodhin deri sa të më detyrojnë që të vetëvritem…” (Memoari nr. 43).

Sulejman Rexhepi tregon se bashkëpunimin e vazhdoi edhe në rrafshin politik. “Unë dhe Kiroja jemi zbulues të shumë aferave dhe projekteve shqiptare. Ndryshe, nuk do të mund të rrija në postin e Kryetarit të BFI-së. Duhej të rrija në krye të këtij Institucioni dhe të isha bindës si lider kombëtar dhe përmes meje të qarkullonin shumë informata e projekte. Ndryshe, nuk do të më mbanin në atë pozicion as dy minuta. Shërbimeve sekrete nuk ju duhet lider i papërdorshëm. Këtë po e dëshmoj unë përmes këtyre memoareve dhe, po kështu, shumë vite para meje, këtë e ka dëshmuar edhe Nafi Çegrani, udbashi më i rreptë dhe, njëkohësisht, më i sinqertë shqiptar” (Memoari nr. 47).

Lexuesit i kujtohet se me paratë që merrte nga Shërbimi Sekret për të korruptuar njerëzit e varfër, Sulejman Rexhepi “një dinar ua jepte atyre e dhjetë i mbante për vete”. Lidhur me raportin e tij ndaj parasë, Sulejman Rexhepi përshkruan rrethanat kur njerëzit e Shërbimit Sekret i zunë pritën kur ky kishte dalë në gjueti. “Kisha dalur për gjueti kur që të tre më dolën në rrugën malore dhe, thjesht, më çarmatosën. Kiros i vinte keq, ndërsa ata dy më zhveshën në brekë e maicë! M’u kërcënuan keq. Ju thashë, më vrani, para nuk jap. Ku do të jipja para unë që, për paranë e lija kokën, bëja punët më të fëlliqta vetëm e vetëm ta shtoja buxhetin tim familjar. Tani a edhe për kaurë do të punoja! Mjaftonte kontributi im prej spiuni. Para nuk jap! I kam për vete…(Memoari nr. 50).

Memoaret e publikuara të Sulejman Rexhepit, që edhe sot e kësaj dite është kryetar i Bashkësisë Islame të Maqedonisë,  janë të mbushura me emra dhe mbiemra të atyre teologëve që kanë punuar për Shërbimin Sekrete Jugosllav. Siç pohon edhe vetë Sulejman Rexhepi, këta “hoxhallarë komunistë, marksistë-leninistë jugosllavë kanë urryer marksizëm-leninizmin e enveristëve, për arsye se kanë dashur ta prishin Jugosllavinë”.

Nëse dikush nga teologët shqiptarë nga viset e tjera shqiptare që ishin të pushtuara nga ish-Jugosllavia, që ka punuar për Shërbimet Sekrete Jugosllave, merr guximin e Sulejman Rexhepit, besimtarët myslimanë shqiptarë do të tronditeshin shumë. Kjo tronditje do t’i ndihmonte teologët e rinj që bënin ndarjen e besimit nga shërbimet antishqiptare.

Kërkesa e teologëve që t’u sjell emra të njerëzve që punojnë kundër interesave kombëtarë shqiptarë dhe memoaret e Sulejman Rexhepit më kujtuan një situatë, të cilën ma ka treguar një shok i UÇK-së. Një bashkëpunëtor i Shërbimit Sekret Serb, bashkëfshatar i tij, kishte ardhur me qëllim që të infiltrohej në radhët e UÇK-së. Pasi u zbulua, nga frika filloi të tregonte gjithçka. Kur filloi të tregonte emrat e bashkëpunëtorëve të Shërbimit Sekret të Serbisë që vinin nga fshati i tij, shoku im më tha: “Bardhyl, dola nga dhoma, se kisha frikë mos po del edhe babai im. Sa u lehtësova kur mora vesh se në mesin e spiunëve serbë nuk kishte qenë im atë”.

Po i drejtohem drejtpërdrejti Mustafa Bajramit. Pse kërkon emra nga unë, kur ke mundur të pyesësh babanë tënd, teologun Mulla Jetish Bajramin? Ndoshta do të të kishte informuar se cilët teologë të Kosovës mbanin lidhje me Serbinë, cilët prej tyre villnin vrer kundër demonstratave të vitit 1981 me të njëjtin fjalor që përdor Sulejman Rexhepi, cilët bënin propagandë gjatë viteve ’90 për të dalë në zgjedhje në kuadër të zgjedhjeve që organizonte pushteti i Millosheviqit? Sikur të kisha qenë në vendin tënd, unë do ta bëja një pyetje të tillë. Meqenëse ke nevojë të sqarohen publikisht këto gjëra, unë do ta bëj për të kënaqur kureshtjen tënde.

Babai im, profesor i logjikës, i filozofisë dhe i sociologjisë në gjimnazin e Tetovës, dhe këshilltar i Arsimit për Tetovën dhe Gostivarin, asnjëherë nuk ka qenë anëtar i asnjë strukture të komunistëve jugosllavë e as i ndonjë partie politike. Në shkurt të vitit 1969, si nacionalist shqiptar u dënuar nga “komunistët marksistë leninistë jugosllavë”. Pas vuajtjes së dënimit në burgun e Idrizovës, ai nuk mundi të gjente punë në vendlindje. Erdhi dhe gjeti punë në Kosovë, në vendin ku “kuvendohej shqiptarçe dhe prej nga Sulejman Rexhepi kishte ikur në Arabi, që ta spastronte trurin nga ai infektim nacionalist”. Erdhi nga Tetova, qytet i Kosovës historike të cilin komunistët jugosllavë ia kishin falur republikës sllavo maqedonase, në Prishtinë, qytet që komunistët jugosllavë ia kishin falur Serbisë pas ndarjes si plaçkë të territoreve shqiptare.

Kur i botoi memoaret e veta, Nafi Çegrani, të cilin Sulejman Rexhepi e cilëson si “udbashi më i rreptë dhe, njëkohësisht, më i sinqertë shqiptar”, ai publikoi emrat e intelektualëve shqiptarë në Maqedoni, që ishin bashkëpunëtorë të sigurimeve sekrete jugosllave. Unë nuk pata nevojë ta pyes babanë tim, sepse Nafi Çegrani tregon me emër dhe mbiemër personat që ishin ngarkuar nga sigurimi sekret që të përcillte veprimtarinë e babait tim.

Sa u përket teologëve shqiptarë, të cilitdo besim fetar qofshin, askush nuk mund ta mohojë kontributin e madh të tyre gjatë historisë si në aspektin e ruajtjes dhe të kultivimit të tolerancës fetare, ashtu dhe në aspektin e çështjes kombëtare shqiptare. Atyre që u intereson të njihen me veprimtarinë e një numri të madh të personaliteteve të shquara shqiptare nga gjiri i teologëve, ju sugjeroj të lexojnë veprën e Faton Mehmetajt, të titulluar “Prijës fetarë dhe shpirtërorë shqiptarë – Bashkëjetesa ndërfetare dhe kontributi i tyre kombëtar”.

Kur bëhet fjalë për bashkëpunimin e një numri teologësh me Shërbimet Sekrete Jugosllave, unë nuk kam asnjë paragjykim për asnjë teolog shqiptar. As për ata teologë që polemizojnë me mua. Kam bindjen se shumica dërmuese e teologëve shqiptarë nuk kanë bashkëpunuar me këto shërbime sekrete. Së paku kjo është dëshira ime.

Qëndrimet e mia janë kundër atyre teologëve myslimanë shqiptarë me shpirt shkau, që kishin hyrë në shërbim të Shërbimeve Sekrete Jugosllave. Janë ajo kategori e njerëzve të ulët, që, siç pohon vetë spiuni i UDB-së, Sulejman Rexhepi, me ndihmën e “marksistë-leninistëve jugosllavë ishin shndërruar në ekspertë për tredhjen e shqiptarëve nëpër stacione policore, ndërkohë që ua mbanin bolet në duar udbashëve”.

Megjithatë, askush nuk mund të mohojë se akuzat e teologëve Mustafa Bajrami dhe Muhamed Kajolli janë gjuhë dhe terminologji e sajuar në kuzhinat e shërbimeve sekrete.  Çdokush që ka lexuar memoaret e Sulejman Rexhepit, apo edhe vetëm këtë pjesë të cituar nga “dromcat e memoareve” të tij, mund të bindet se këta teologë nuk sjellin asgjë origjinale në shpifjet kundër “Bardhyl Mahmutit”.

Çdokush që ka lexuar memoaret e Sulejman Rexhepit, kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, e ka të qartë se “hoxhallarët komunistë” të edukuar në frymën e “marksizëm-leninizmit jugosllav, ishin mishëruar me historinë e huaj”. Është e kuptueshme se, si rezultat i këtij mishërimi një numër teologësh myslimanë shqiptarë kishin “emocione të fuqishme sa trupin ua përshkonte një zjarr kur dikush i identifikonte me figurat historike sllave, si Gjorçe Petrovi”. Është e kuptueshme se këta teologë të “marksizëm-leninizmit jugosllav”  kurrë “nuk kanë ndjerë emocione më vonë, kur dikush i identifikonte me Skënderbeun”. Prandaj, është edhe më e kuptueshme se pjella e një edukimi të tillë ka si rezultat faktin që edhe sot e kësaj dite, një numër teologësh marksistë-leninistë jugosllavë shajnë në mënyrën më të poshtër Skënderbeun, Nënë Terezën, Ismail Kadarenë dhe figura të tjera të historisë dhe kulturës kombëtare shqiptare.

P.S.

PO E PËRSËRIS: Memoaret e Sulejman Rexhepit janë memoaret më interesante të shkruara për raportet e teologëve me shërbimet sekrete. U sugjeroj të gjithë shqiptarëve t’i lexojnë këto dromca memoaresh, se kanë çfarë të mësojnë.

Të gjitha citatet nga këto memoare janë përshkruar besnikërisht, duke ruajtur edhe gabimet e shumta drejtshkrimore.


 

Nocioni “Fondamentalizëm islamik shqiptar” është produkt i Shërbimit Sekret të Serbisë

Bardhyl Mahmuti- 04.06.2018

Në shtator të vitit 1998, Grupi Diplomatik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës organizoi konferencën e radhës me gazetarë të akredituar në selinë e OKB-së në Gjenevë. Isha së bashku me Jashar Salihun (Hero i Kosovës), Ramadan Avdiun dhe Agush Bujën. Salla plot e përplot me gazetarë. Pasi bëra hyrje informuese për situatën në Kosovë, fjala iu dha gazetarëve. I pari që kërkoi fjalën ishte gazetari i Agjencisë Telegrafike të Rusisë, ITAR-TASS (siç quhej në atë kohë). Me qëllim që ta zhvendoste vëmendjen e gazetarëve të tjerë nga dhuna serbe në probleme të sajuara, ai shtroi pyetjen se “sa ushtarë fondamentalistë islamikë luftonin në radhët e UÇK-së”. Kësaj pyetjeje grackë iu përgjigja ashtu siç e meritonte: “Ju keni shtruar një pyetje shumë interesante, që lidhet me implikimin politik të religjionit në luftërat, të cilat u zhvilluan në hapësirat që dikur ishin nën Jugosllavinë. Ju sigurisht e dini, por po sjell disa të dhëna që, eventualisht, mund t’i hyjnë në punë ndonjë gazetari të painformuar për këtë çështje. Po rikujtoj se para disa vitesh, me bekimin e Kishës Ortodokse serbe, është bërë luftë kundër katolikëve në Slloveni. Pas luftës në Slloveni, me bekimin e Kishës Ortodokse serbe, është bërë luftë kundër katolikëve në Kroaci. Lufta vijon në Bosnjë. Me bekimin e Kishës Ortodokse serbe është bërë luftë kundër myslimanëve dhe katolikëve në Bosnjë dhe tani, në fund, me bekimin e Kishës Ortodokse serbe është bërë luftë kundër myslimanëve dhe katolikëve në Kosovë. Fondamentalizimi ortodoks i Serbisë është jashtëzakonisht i implikuar në luftën e Kosovës dhe ka arritur të mobilizojë fondamentalistë ortodoksë nga disa shtete të Lindjes, ku shumica e popullsisë janë të religjionit të krishterë ortodoks. Kam kënaqësinë t’ju njoftoj, se gjatë ofensivës së fundit të Forcave të Armatosura të Serbisë janë vrarë shumë fondamentalistë që kishin ardhur nga Rusia, Rumunia dhe vende të tjera (…)”. Gazetarë të tjerë më vërshuan me pyetje se ku ishin vrarë, sa ishin vrarë dhe nga cilat shtete kishte më shumë fondamentalistë ortodoksë që kishin ardhur të luftonin në Kosovë. Gazetari rus e braktisi konferencën.
                                          *** 
Është tepër interesante të bëhet një analizë e konteksteve politike në skenën ndërkombëtare, për të parë “harmonizimin” e stigmatizimit të shqiptarëve me të gjitha “etiketat” negative që ishin “në modë” në kohë të caktuar. Kështu, për shembull, në periudhën historike të krijimit të shteteve kombëtare në Ballkan, shqiptarët stigmatizoheshin si “mbeturina të Perandorisë Otomane, që dëshironin ta ruanin praninë e Turqisë në Europë”; pas Luftës së Dytë Botërore, në kohën kur Jugosllavia socialiste kishte marrëdhënie të shkëlqyera me Bashkimin Sovjetik, shqiptarët u cilësuan si “antikomunistë” dhe “shërbëtorë të nazistëve dhe të fashistëve”; pas prishjes së marrëdhënieve të Jugosllavisë me Bashkimin Sovjetik, shqiptarët u akuzuan si “stalinistë”; pas shpërthimit të demonstratave të vitit 1981, u akuzuan si “nacionalistë”, si “irredentistë”, si “separatistë” e kështu me radhë.
Në kohën e shpërthimit të luftës së armatosur dhe të shpartallimit të Federatës Jugosllave, “terrorizmi me motive fetare” ishte cilësimi më negativ në kontekstin politik ndërkombëtar. Për këtë arsye, në rrafshin ndërkombëtar, stigmatizimi i UÇK-së si “organizatë terroriste me pikëpamje fondamentaliste islamike” përbënte një nga shtyllat kryesore të orientimit propagandues të Shtabi Strategjik të pushtetit të Millosheviqit. Në funksion të kësaj strategjie, Sigurimi Shtetëror i Serbisë përgatiti materialin e titulluar “Libri i Bardhë: Terrorizmi i separatistëve shqiptarë në Kosovë dhe në Metohi”, të cilin e botuan të përkthyer në gjuhën angleze dhe në gjuhën frënge, në shtator të vitit 1998. Këtë material propagandistik Ministria e Punëve të Jashtme, e asaj që kishte mbetur nga Jugosllavia, ua shpërndau falas institucioneve me rëndësi në marrëdhëniet ndërkombëtare, institucioneve shtetërore të shteteve anëtare të OKB-së, mediave ndërkombëtare, bibliotekave universitare dhe personaliteteve me peshë në fusha të ndryshme intelektuale. Jo vetëm në konferencën e lartpërmendur me gazetarë, por në të gjitha takimet diplomatike dhe shkrimet publike kam argumentuar në mënyrë bindëse, se nocioni “fondamentalizëm islamik shqiptar” është nocion që u përpilua dhe u shpërnda përmes të ashtuquajturve “libra të bardhë” të Shërbimit Sekret Serb, “libra të bardhë” që kishin vetëm një qëllim: të nxinin shqiptarët. Këtë aspekt, si një ndër aspektet kryesore ku ishte mbështetur propaganda serbe, e kam përfshirë edhe në librin “Mashtrimi i madh”.
Po sjell disa pjesë të librit, që kanë të bëjnë me këtë çështje, jo për të sqaruar qëndrimet e mia, por për arsye se mundëson për lexuesin që nuk ka pasur mundësi t’i lexojë këto gjëra, që ta kuptojë se kush fshihet realisht prapa kësaj sajese që njollos shqiptarët dhe në funksion të kujt janë angazhuar ata që indoktrinuan një numër të rinjsh shqiptarë, që të shkojnë në “luftërat e shenjta” për krijimin e të ashtuquajturit “Shtet islamik” (ad-dauvlaal-islamijja) , i cili shpalli kalifatin në korrik të vitit 2014. Për të mbështetur tezat e lartpërmendura dhe për të manipuluar opinionin publik ndërkombëtar, në materialet propagandistike serbe silleshin gjoja “prova dhe fakte”, tërësisht të sajuara prej tyre! Referencat e të gjitha citateve që do të përmenden në këtë shkrim, janë në librin tim, që mund të konsultohet falas edhe në internet.
Sipas kësaj propagande, “një numër islamikësh fanatikë nga Afganistani, Algjeria, Egjipti, Çeçenia, Irani dhe nga vende të tjera u përfshinë në shtabet e njësive komanduese të UÇK-së në Kosovë dhe ishin angazhuar si instruktorë për stërvitje speciale ushtarake të disa formacioneve të UÇK-së”. Për të qenë sa më “bindës”, përpiluesit e këtij libri pohonin se gjoja “më tepër se 1000 mercenarë të huaj nga Shqipëria, Arabia Saudite, nga Jemeni, nga Afganistani, nga Bosnja-Hercegovina dhe nga Kroacia ishin të angazhuar në radhët e UÇK-së”. Madje, ky fluks i “xhihadistëve” drejt Kosovës interpretohet se gjoja ishte në përputhje me vendimet e Konferencës Islamike. Sipas kësaj propagande, “në Konferencën e 18-të Islamike, të mbajtur në Pakistan në vitin 1998, separatizmi shqiptar në Kosovë ishte cilësuar si “xhihad” dhe të gjitha vendet myslimane ishin ftuar për çlirimin e territoreve të pushtuara myslimane! (…) Në përputhje me këtë thirrje, një numër islamikësh fanatikë nga Afganistani, Algjeria, Egjipti, Çeçenia, Irani dhe nga vende të tjera iu përgjigjën thirrjes dhe u përfshinë në shtabet e njësive komanduese të UÇK-së në Kosovë, si instruktorë për stërvitje speciale ushtarake të disa formacioneve të UÇK-së”.
Përmes kësaj gënjeshtre, propaganda serbe synonte të manipulonte atë kategori njerëzish që kishin frikë nga “fondamentalizmi islamik” dhe nuk kishin njohuri për zhvillimet reale në Kosovë. Në të njëjtën kohë, kjo gënjeshtër u shërbente politikanëve të llojit të Jean-Marie Le Pen-it, që “t’i frikësonin” europianët me rrezikun që u kanosej të islamizoheshin nga Kosova e pavarur, apo gazetarëve dhe publicistëve që kërkonin të stigmatizonin mbështetjen që i jepej luftës çlirimtare të Kosovës, sikur të ishte luftë me konotacion fetar. Të vetëdijshëm se realiteti ishte krejtësisht ndryshe, sajuesit e kësaj gënjeshtre shpresonin se informatat nuk do të verifikoheshin. Të gjithë atyre që u interesonte e vërteta për pohime të tilla, kanë pasur mundësi të vërtetojnë se Konferenca e 18-të Islamike nuk u mbajt në Pakistan, siç pretendohej në këtë “Libër të Bardhë”, por në Arabinë Saudite dhe në datat 13-16 mars 1989! Pra, gati dhjetë vjet para Luftës së Kosovës! Madje, jo vetëm Lufta e Kosovës që nuk ka mundur të përmendet dhjetë vjet para se të fillojë, por në këtë Konferencë Kosova nuk është përmendur fare! Sa i përket Pakistanit, në këtë shtet është mbajtur Konferenca e 21-të Islamike nga 25-29 prill të vitit 1993. Pra, edhe Konferenca Islamike në Pakistan është mbajtur para shpërthimit të luftës në Kosovë dhe, rrjedhimisht, nuk kishte mundësi që të kualifikohej si “xhihad” një luftë që ende nuk kishte filluar. Gjatë Konferencës Islamike të mbajtur në Pakistan në vitin 1993, në kuadër të rezolutës 7/21-P, kushtuar situatës në Bosnjë-Hercegovinë, në pikën 28 të saj përmendet edhe Kosova. Përmes kësaj rezolute “kërkohej nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të parandaluar përkeqësimin e gjendjes, tani më të tendosur, në Kosovë, në Vojvodinë, në Sanxhak dhe në Republikën e Maqedonisë”.
Siç shihet qartazi, qëndrimet e shprehura në këtë rezolutë nuk dallojnë aspak nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Përkundrazi, janë më pak të ashpra se qëndrimet e shprehura përmes rezolutave të asaj kohe të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ndërsa në vitin 1998, në kohën kur zhvillohej lufta në Kosovë, Konferenca Islamike mbajti mbledhjen e radhës në Katar. Gjatë sesionit të 25-të të kësaj konference u miratua rezoluta 19/25-P, që kishte të bënte me situatën në Kosovë. Kjo rezolutë nuk përmbante asnjë cilësim të luftës së Kosovës si “xhihad” apo “thirrje drejtuar vendeve myslimane për çlirimin e territoreve të pushtuara myslimane”, siç gënjente propaganda serbe. Propaganda për gjoja lidhjet e UÇK-së me ideologjinë e ekstremizmit fetar islam dhe për gjoja “instruktorë të fondamentalizmit islamikë, që stërvitnin ushtarët e UÇK-së”, nuk gjeti mbështetje të gjerë, siç kishin shpresuar udhëheqësit e propagandës së regjimit të Beogradit. Përveç disa artikujve në gazeta, ku shihej ndikimi i kësaj propagande, përpjekjet për të paraqitur UÇK-në si “organizatë terroriste me pikëpamje fondamentaliste islamike” kishin dështuar. Zhgënjimin e autoriteteve serbe për këtë dështim e shprehu publikisht ministri i Informacionit të Republikës së Serbisë, Goran Matiqi.
Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Medjunarodna politika” ai deklaroi se “është e pabesueshme se si fondamentalistët islamikë cilësohen si terroristë vetëm kur vrasin amerikanë. Ndërsa kur vrasin qytetarë të pafajshëm të Jugosllavisë, ata cilësohen si luftëtarë të drejtësisë”. Dështimi i propagandës për gjoja “instruktorë fondamentalistë islamikë që stërvitnin ushtarët e UÇK-së” dhe sidomos qëndrimet e institucioneve ndërkombëtare kundër dhunës së forcave të armatosura policore dhe ushtarake serbe e tërbuan pushtetin e Beogradit. Ky tërbim mori përmasat e një histerie, veçanërisht pas denoncimit që William Walker-i i bëri vrasjes së civilëve shqiptarë në fshatin Reçak. Kualifikimi i Walker-it, se ajo që kishte ndodhur në këtë fshat “ishte krim kundër njerëzimit” dhe se “ata që kishin dhënë urdhër për këtë krim duhej të jepnin llogari para drejtësisë”, bëri që “instruktorët e fondamentalizmit islamik që stërvitnin ushtarët e UÇK-së” të harroheshin përkohësisht nga propaganda e Beogradit. Ata u “zëvendësuan” me “instruktorë ose specialistë me mbiemra amerikanë ose anglezë që kishin ardhur të stërvitnin ushtarët e UÇK-së…”.
Sipas qëndrimit të ri propagandistik të regjimit serb, “ekspertët që stërvitnin ushtarët e UÇK-së kanë mundur të jenë instruktorë të Walker-it ose mercenarë të shërbimeve dhe të organizatave të tjera anglo-amerikane”! Para se të vazhdoj më tej me këtë temë, kërkoj nga lexuesi të jetë i vëmendshëm në logjikën propagandistike, që është karakteristikë e Shërbimit Sekret të Serbisë: ndërrimi i akuzave në varësi të kontekstit. Madje, pesë pare nuk i japin, që e njëjta strukturë akuzohet të jetë e trajnuar herë nga “fondamentalistët islamikë”, e herë nga “ekspertët e shërbimeve sekrete anglo-saksone”! Krahas stigmatizimit të shërbimeve sekrete amerikane dhe britanike, si të implikuar në “përgatitjen e terroristëve shqiptarë”, nuk mungojnë autorët që implikojnë edhe Shërbimin Sekret Francez dhe atë Gjerman në lidhjet me UÇK-në. Kjo strategji, sado paradoksale të duket, është e qëllimshme. Të gjitha shoqëritë perëndimore që përballeshin me aksione terroriste me konotacion religjioz fondamentalist islamik, duhej të shihnin rrezik nga lufta çlirimtare e Kosovës. Ndërsa vendet arabo-islamike ta shihnin UÇK-në si “instrument të imperializmit amerikan”. Për ta kompletuar akuzën, se gjoja “komploti kundër Serbisë vjen nga jashtë”, shteti serb denoncoi edhe “tolerancën” e shteteve të demokracive perëndimore në raport me “terroristët shqiptarë”. Këto akuza u drejtuan në veçanti kundër “tolerancës” së autoriteteve gjermane dhe zvicerane. Sipas “Librit të Bardhë” të Shërbimit Sekret të Serbisë, “autoritetet gjermane ia kishin lënë UÇK-së kazermat e braktisura të NATO-s (në Hanover, në Nuremberg, në Bon dhe në Frankfurt) dhe qindra kampe të azilkërkuesve, ndërsa autoritetet e Zvicrës i paskëshin lejuar “kampet paramilitare private, sallat e gjuajtjes me armë dhe klubet e sporteve luftarake për nevojat e UÇK-së”.
Me një fjalë, sipas propagandës serbe, shumë shtete perëndimore ishin mobilizuar në kuadër të një komploti kundër Serbisë! Përkundër faktit se pas krimeve në fshatin Reçak “instruktorët anglo-amerikanë” dolën në rrafshin e parë propagandistik të regjimit të Milosheviqit, ndërrimi i “instruktorëve islamikë fondamentalistë” me “instruktorët anglo-amerikanë” nuk e hoqi tërësisht propagandën serbe që synonte përafrimin e UÇK-së me grupet terroriste islamike. Në të gjitha ribotimet e mëvonshme të “librave të bardhë”, kjo njollosje mundohej të mbahej gjallë duke u ilustruar me sajime të reja, që plasoheshin në opinionin publik ndërkombëtar si “argumente”. Ngjarjet e 11 shtatorit 2001 krijuan një kontekst të ri në orientimin strategjik të politikës së shteteve të demokracive perëndimore në përgjithësi, dhe asaj amerikane në veçanti. Lufta kundër terrorizmit global të proveniencës religjioze doli në plan të parë. Duke shpresuar se konteksti i ri ndërkombëtar, i krijuar pas atentateve të 11 shtatorit 2001, ishte i favorshëm për të shpërndarë propagandën e moçme të “lidhjeve” të UÇK-së me ideologjinë “fondamentaliste islamike”, propaganda e pushtetit “të ri” të Beogradit (pas arrestimit të Millosheviqit) aktivizoi arsenalin e vjetër propagandistik. Në botimin e vitit 2003 të “Librit të Bardhë” u përsërit deklarata e Millosheviqit në fjalën hyrëse në procesin gjyqësor kundër tij, se gjoja “në vitin 1995 Osama Bin Ladeni kishte qëndruar në Shqipëri, si mysafir i presidentit të atëhershëm, Sali Berishës”. Shërbimet sekrete serbe shpërndanë dezinformatën, se kinse “në atë kohë janë formuar bazat për mbështetje logjistike dhe për përkrahje financiare të organizatës “Al Kaeda” dhe celulat e saj në Kosovë dhe në Metohi (siç e emërojnë Dukagjinin)”. Sipas kësaj propagande, përveç Bin Ladenit, “në atë takim kanë qenë të pranishëm edhe Muhamet Al-Zawahiri, vëllai i ideologut të “Al Kaedës”, Ajman Al-Zawahirit, ndërsa nga pala shqiptare, përpos presidentit Berisha, të pranishëm ishin edhe Bashkim Gazidede, ish-shef i policisë sekrete të Shqipërisë, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj…”. Shpërndarja e kësaj dezinformate synonte pezmatimin e opinionit publik perëndimor e, në veçanti, opinionin amerikan që kishte mbështetur luftën kundër regjimit të Millosheviqit. Gënjeshtra se gjoja Osama Bin Ladeni kishte qëndruar në Kosovë dhe se kinse kishte krijuar bazat e “Al Kaedës” në këtë pjesë të Europës ishte gënjeshtra më skandaloze që trilloi Shërbimi Sekret Serb. Fatkeqësisht, edhe pse shumica e autorëve që e përmendin këtë “informatë” theksojnë se është “e pabesueshme që Bin Ladeni të ketë qëndruar në Shqipëri”, kjo dezinformatë gjeti një vend të konsiderueshëm në mediat dhe në veprat e autorëve të ndryshëm perëndimorë.
Dhe, si e tillë, ajo paraqet një mundësi për vazhdimin e manipulimeve me lexuesit e painformuar. Mirëpo, për të qenë të besueshme në opinionin publik të shteteve perëndimore, provat konkrete që do të dëshmonin për rrezikun nga “fondamentalizmi islamik shqiptar”, imponohen si domosdoshmëri. Në funksion të këtij qëllimi, shërbimet sekrete të Serbisë dhe të Maqedonisë orientuan një numër teologësh myslimanë shqiptarë, që ishin bashkëpunëtorë të tyre, që të përhapin ndër shqiptarë frymën e mobilizimit për një “luftë të shenjtë”. Të jem i qartë. Propaganda për një “luftë të shenjtë” islamike nuk është produkt i shërbimeve sekrete sllave, por i rrymave islamike që dëshironin t’i jepnin dimensionin politik religjionit. Ky aspekt është objekt i hulumtimit që kam bërë rreth një dekadë dhe që do të botohet si vëllim i veçantë. Ajo që është karakteristike për t’u veçuar ka të bëjë me mobilizimin e institucioneve shtetërore serbe dhe maqedonase për të krijuar njerëz me origjinë shqiptare që do të implikoheshin në këtë luftë. Ky rezultat do të ngjallte shpresat e tyre që në këtë raport forcash të skenën politike ndërkombëtare, ku shtetet e demokracisë kanë fuqinë kryesore, të krijonin imazhin e rrezikut që gjoja i kanoset Europës dhe Perëndimit nga “Fondamentalizmi islamik shqiptar”.
(Vijon shkrimi: “Fondamentalistët islamikë” me origjinë shqiptare janë produkt i bashkëpunëtorëve të shërbimeve sekrete të Serbisë dhe Maqedonisë”.

 

Kudsi, kryeqytet i kujt duhet të jetë!

Mustafa Bajrami – 05.06.2018

(Vazhdim i reagimit tim ndaj shkrimit të Bardhyl Mahmutit me titull “Jerusalemi si kryeqytet i Izraelit…”. Edhe pse debati mes nesh devijoi në masë, sa për shkak të reagimit tim në fillim, sa për shkak të interesimit të Bardhyl Mahmutit të merret edhe me tema tjera, personalisht ndjejë se do t’i mbetem borxh lexuesve nëse nuk e përfundoj mendimin tim rreth Kudsit, Jerusalemi).

***
Solidarizimi i shqiptarëve në përmasa kombëtare me Muhamed Salah, lojtarin mysliman të Liverpulit i cili pësoi keq nga një lëndim i qëllimshëm që ia bëri lojtari kundërshtar i Real Madridit, përveç që tregoi anën solidare të sportit, ky solidarizim qiti në pah diçka shumë të rëndësishme; tregoi haptazi përkatësinë islame të shqiptarëve.

Edhe pse shqiptarët në shumicë nuk janë praktikantë të rregullt të Islamit, Islami vazhdon të flejë i qetë në zemrat e tyre. Edhe pse shqiptarët kohëve të fundit nuk patën rastin të dëgjojnë lajme të mira nga bota islame që të krenohen me te, mjafton një ngjarje si kjo e Muhamed Salah që t’i ndezë shkëndijat e fesë që janë të fjetura në zemrat e tyre. Askush nuk mund ta mohojë faktin se ndjenja dhe përkatësia fetare shprehet edhe kësisoj, dhe, jo gjithherë ka nevojë për trumbetime për të treguar nëse shqiptarët janë apo nuk janë myslimanë.

Me gjithë këtë, shqiptarët si myslimanë shumicë që janë, ata kurrë nuk mund t’i harrojnë mirësitë e Amerikës dhe të shteteve tjera me popullatë shumicë krishtere. Amerika është ajo që na shpëtoi në luftën e fundit. Amerika është ajo që nxiti botën demokratike të rreshtohet krah saj për të na shpëtuar nga serbet fashistë që kishin vendosur të na hidhnin në det të gjallë. Gjithsesi, me gjithë vërejtjet që mund të jepen ndaj politikës së jashtme amerikane karshi vendeve islame dhe Lindjes së Mesme, Amerika është shpëtimtarja kryesore e Kosovës dhe e popullit të saj, pas Zotit të Madhërishëm. I jemi mirënjohës Amerikës sa të jemi gjallë.

E përmenda storien e lartshënuar për Muhamed Salah me një qëllim të caktuar. Sot SHBA-të, sikur deri dje Anglia janë shteti më i involvuar në Lindje të Mesme. Amerika është kontrollorja kryesore e Lindjes së Mesme, nëse jo e vetmja. Amerika është shteti i parë në botë që barti ambasadën e saj prej Telavivi në Kudsi Sherif. Dhe po kjo Amerikë, siç thashë më lartë, është shpëtimtarja e Kosovës. Në raste si ky është vështirë të jesh objektiv dhe i njëjtë në qasje ndaj politikës së saj si në Kosovë si në Palestinë e në Lindje të Mesme. Prandaj, larg gjuhës politike që shumë herë di të jetë kameleone, unë, në rreshtat në vijim do të mundohem t’i përmbahem fakteve të nevojshme historike, fetare e shkencore mbi Jerusalemin, jo politikave ndërkombëtare që veprojnë gjithandej në Lindje të Mesme. Përndryshe, përse do të duhej të kyçesha në debatin për Jerusalemin që e nisi i pari Bardhyl Mahmuti.

Po filloj nga e mbara.

Kur Gandi kishte deklaruar se: ”Mund të them pa hezitimin më të vogël dhe me përulësinë më të madhe se, ata që thonë se feja nuk ka të bëjë me politikën, nuk e dinë se çka është feja”, ai e kishte parasysh edhe komunizmin anti-fetarë që po i trokiste në dyert e shtëpisë së kombit të tij. Sikur që, edhe komunizmi e kishte parasysh këtë mendim të Gandit që donte t’ia rrëmbente atdheun atij. Komunizmi e përmbysi fenë dhe nuk e përdori si ndihmesë në politikën e tij, siç kishte bërë Gandi dhe shumë liderë të suksesshëm në botë. Komunizmi e luftoi fenë, i vrau njerëzit e fesë dhe ashtu të vrarë i uzurpoi për t’i nëpërkëmbur si është më ë keqi. Nuk ka dyshim se ato kombe që kanë arrit nivel të rëndësishëm historik, epoka e lulëzimit të jetës së atij kombi përputhet me zhvillimin e lartë të ndërgjegjes së tyre edhe fetare, ndërsa periudha e rënies së madhështisë dhe të fuqisë përputhet po ashtu me rënien e jetës kulturore dhe fetare. Dhe, për ta përmbyllur fjalën time të hyrjes në këtë shkrim, dua të shtoj edhe një fakt të pamohueshëm. Revoltat e vitit 1997 në Shqipëri që kishin eskaluar deri në përmasa të shkatërrimit të tmerrshëm e total të shtetit shqiptar, unë nuk i shoh të kenë qenë vetëm rezultat i revoltës popullore ndaj gjendjes së rëndë ekonomike dhe politike, por, ishin edhe reflektim i një katandisje të një shoqërie pa fe. Aty më s’pati kush tu thoshte njerëzve t’i frikohen Zotit e ta ruajnë vendin për hir të Zotit dhe për hir të gjeneratave që vijnë. Prandaj unë mbështes politikën e brendshme të tanishme të Turqisë, e cila, për dallim nga e kaluara e saj kur feja shtypej me thundër të çeliktë, atje sot mbrohet dhe lirshëm praktikohet feja, praktikohen Islami i nevojshëm, ky Islam që sot dikush në trojet tona e quan Islami tradicional.

Së këndejmi, feja është një shkollë e madhe. Është e madhe për ta bërë njeriun njeri të madh dhe për ta ruajtur me xhelozinë më të madhe atë që është e madhe për njeriun.
E, pra, as Kudsi Sherifi nuk mund të shpjegohet pa pasur përsyshë rolin e fesë. Kudsi nuk mund të kuptohet pa fenë, sepse është vend i feve. Dhe, kur me fenë islame administrohej Jerusalemi, në Jerusalem në kishte luftë, nuk kishte vrasje e as dëbime të njerëzve gjithandej.
Sido që të jetë, Kudsi Sherifi nuk është qytet sikur gjithë qytetet, por as lufta palestinezo-izraelite sikur të gjitha luftërat. Gjeografia dhe historia e asaj pjese të botës ka bërë që konfliktet atje të mos jenë sikur të gjitha konfliktet. Lufta në Palestinë i tejkalon përmasat e një lufte territoriale. Ajo luftë është më e madhe se kaq. Është konflikt kulturash, logjikash e civilizimesh. Është beteja për Jerusalemin, beteja për supremaci botërore.

Të shohim tani se çka është Jerusalemi për tri fetë monoteiste.

Jerusalemi për hebrenjtë është diçka tepër jetike, është simboli i të kaluarës së tyre nacionale. Është tërësia e historisë dhe garanca e të qenurit të tyre “populli i zgjedhur i Zotit”. Shumë kohë më parë Jerusalemi ishte kryeqyteti i mbretërisë hebreje në Palestinë. Kur romakët pushtuan Lindjen e Mesme dy mijë vjet më parë, hebrenjtë e humbën atë mbretëri. Arritën ta ringjallin si shtet vetëm në vitin 1948. Atëherë kur përgjatë kohës sa ishin mbretëri, hebrenjtë luftuan shpesh kundër popujve dhe fiseve përreth. Kur i pushtonin tokat tjera, i shkatërronin tërësisht, i djegin dhe i vrisnin burrat, gratë dhe fëmijët e tyre. Siç shkruan Muhamed Asad, një mendimtar polak me prejardhje çifute që më vonë e pranon Islamin, hebrenjtë i vrisnin edhe gjedhët, delet dhe gomarët e të pushtuarve. Sipas mësimeve të hahamëve çifutë të cilët promovuan idenë se janë populli i zgjedhur i Zotit, bota mbarë duhet shikuar vetëm nga prizmi i “popullit të zgjedhur të Zotit”. Sipas tyre, bota është ashtu siç është në raport me hebrenjtë dhe me Izraelin. Ata mendojnë se edhe Bibla (Dhjata e Vjetër në formën që ka sot), nuk është gjë tjetër pos histori dhe udhëzim për vetëm izraelitët. Ky botëkuptim biblik i tyre, Jerusalemin e sheh qytet vetëm i bijve të Izraelit. Me fjalë të tjera, ky shpjegim kësisoj nuk është vetëm tendencë fetare, por, më tepër se kaq, është produkt i një kujtese të veçantë historike, e për rrjedhojë, geniusi i vetë-kënaqësisë hebraike.

Në anën tjetër, për të krishterët Jerusalemi ka domethënie religjioze më shumë se sa vetëm historike. Pavarësisht se çka shkruhet në Dhjatën e Vjetër hebreje, Jerusalemi për të krishterët është i një rëndësie të veçantë fetare. Është vendi ku Jezu Krishti kishte filluar misionin e tij dhe ku ishte kryqëzuar e varrosur. Edhe pse deri në një masë edhe të krishterët e shikojnë Jeruzalemin me sy të historisë, meqë ngjarjet historike kanë frymë edhe shpirtërore, pra, jo vetëm racore apo kombëtare, Jerusalemi për të krishterët nuk është “trashëgimi historike hebreje”, por, diçka i shenjtë, vend pelegrinazhi për të gjithë krishterët. Dhe, për shkak të rrethanave politike të kohëve të fundit, Jerusalemi për ta është vend për t’u adhuruar edhe nga distanca.

Kështu, në fund të shekullit njëmbëdhjetë kombet e krishtera organizuan luftërat e kryqëzatave me qëllim të merrnin Tokën e Shenjtë (Jerusalemin) nga duart e njerëzve që, sipas tyre, ishin pushtues të atij qyteti. Që nga ajo kohë, nuk ka asnjë i krishterë i krishterë edhe me fe, jo vetëm me emër, që thotë se Jerusalemi është qytet vetëm historik, politik apo kulturorë. Ai, mbi të gjitha është qytet i shenjt i të krishterëve dhe si i tillë, thonë ata, duhet të mbetet e të mbrohet përgjithmonë.

Për dallim nga të krishterët dhe hebrenjtë, vizioni mysliman për Jerusalemin është më gjithëpërfshirës. Është historik, fetar dhe ideologjik në të njëjtën kohë. Fetar, sepse lidhet me ngjarje të rëndësishme të fesë islame. Ideologjik sepse ai vizion i tyre është i bazuar në Kur’an, e historik , sepse Kudsi është vazhdimësia e praktikës fetare e cila nëpër të shekuj jetësohej nëpërmes së pejgambereve. Sipas doktrinës islame, Kudsi është argument i rëndësishëm që provon se profetët kryesorë jetuan dhe vdiqën në Palestinë, e pika më e rëndësishme e Palestinës është pikërisht Kudsi Sherifi. Myslimanët nuk e admirojnë Kudsin vetëm pse Muhamedi a.s. kishte shkuar andej, siç bëjnë hebrenjtë për shkak të Musait a.s. dhe të krishterët për shkak të Isait a.s që ishte kryqëzuar aty. Myslimanët nuk bëjnë dallime mes profetëve, e as lidhen me ndonjë emër për shkak të përkatësisë racore e kombëtare. Për myslimanët me rëndësi është fryma universale e fesë së tyre, është tejkufishmëria e normave fetare islame, sikur që është me rëndësi dhe refleksioni religjioz i një emri apo vendi të caktuar. Kurani thotë: “Pafundësisht në madhështinë e Tij është Ai që barti robin e Tij (Muhammedin) në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (Qabja në Mekë) deri në Mesxhidi Aksa (në Kudsi Sherif), të cilët (vende) Ne i kemi bekuar…” (el-Isra, 1)

Përshkrimi që i bënë Kur’ani Muhamedit a.s. se është i urtë dhe me përvojë mistike, nxirret pikërisht nga ngjarja që lidhet me Kudsi Sherifin. “Udhëtimi i Natës” prej Mekës në Kuds (Isra) e prej andej kah qielli i hapur (Mi’raxh) shpreh lidhjen astrologjike të profetit Muhamed me gjithë profetëve të tjerë para tij. Shtëpia e Adhurimit, Bejtul Makdes siç e quajnë edhe të krishterët, që më vonë do të quhet Mesxhid el-Aksa, është Tempulli i Sulejmanit, ose, më saktësisht, vendbanimi i Sulejmanit a.s. në Jerusalem. Përderisa çifutët në Sulejmanin nuk shohin gjë tjetër përveç një mbreti hebre që ishte i suksesshëm dhe i lavdishëm, për myslimanët ai ishte një profet i njohur po aq sa ishte edhe babai i tij, Davudi a.s. Sipas mësimeve të fesë islame, zinxhiri i profetëve me prejardhje hebreje fillon me Ibrahimin a.s. dhe mbaron me Isanë. Islami na mëson se të gjithë profetët janë të njëjtë dhe se nuk ka dallime racore mes tyre. Andaj, sipas doktrinës islame, edhe pse këta profetë që jetuan në Kuds nuk ishin me prejardhje arabe, për arabët myslimanë ata janë më të dashur se shumë emra të tjerë arabë që nuk i takonin fesë islame. Shkuarja e Muhamedit në Kuds e nga andej në qiell, përveç që ka domethënien e daljes për një moment nga hemisfera njerëzore dhe kthimi i shpejt në te, ka edhe një domethënie të madhe universale. Nisur nga këtu, edhe pse Muhamedi as. mund të qëndronte në qiell i paprekur nga problemet që e ndiqnin në tokë, ai luti Zotin e tij të kthehej dhe të vazhdonte misionin e tij që e kishte marrë mbi supe. Dhe, më tepër se kaq, përderisa përmendëm universalitetin e fesë islame, për shkak se këta profetë hebrenjë me prejardhje që ishin nga Jerusalemi dhe për shkak se Muhamedi a.s. arab ishte nga Meka e Arabisë, Zoti në Kur’an, pa bërë dallime regjionale e as racore, i begatoi të dyja ato vende; Mesxhidu’l-Aksanë në Kudsi Sherif dhe Qaben në Mekën e Arabisë .

Nisur nga këtu, botëkuptimi i myslimanëve për Jerusalemin ndryshon thellë nga botëkuptimi i krishterë, e sidomos nga pikëpamja hebreje. Përderisa në të drejtën juridike fetare hebreje Jerusalemi është zemra e historisë së popullit izraelit, për myslimanin është vend-bashkimi i pejgambereve, pa dallim etnie. Përderisa hebrenjtë mendojnë se, meqë Sylejmani a.s. me prejardhje çifute kishte jetuar në “Tempullin i Shenjtë” në Jerusalem, andaj Jerusalemi është vend i tyre, myslimanët mendojnë se pikërisht për shkak se Sylejmani i takonte fesë islame, Jerusalemi nuk mund të jetë vetëm i çifutëve. Myslimanët, feja e të cilëve i tejkalon por nuk i mohon kufijtë e etnive dhe të popujve, Sulejmanin e njohin dhe e respektojnë vetëm si profet i Zotit. Gjithashtu, edhe pse të paktën gjysma e fiseve arabe ku në mesin e tyre edhe fisi i Muhamedit (Kurejsh) janë pasardhës të Ibrahimit a.s., asnjë arab nuk e shikon Ibrahimin nga këndvështrimi racorë. Ibrahmi a.s. për arabët dhe për të gjithë myslimanët ka sfond fetar. Në traditën islame, pra, Ibrahimi a.s. është njëri prej pesë pejgambereve më të njohur, i cili i ishte përkushtuar deri në maksimum të mirës së përgjithshme.

Duke i marrë parasysh të gjitha këto, nuk është e vështirë të kuptohet pse Muhammedi a.s në vitet e para të thirrjes së tij ishte kthye kah Jerusalemi për namaz. Për të, sikur edhe për myslimanët, Jerusalemi ishte vend i shenjtë dhe kibla e parë e tyre. I tillë mbeti deri sa Kur’ani i urdhëroi myslimanët që në namaz të ktheheshin kah Qabja, jo më kah Kudsi Sherifi. Nga Kur’ani mësojmë se udhëtimi i asaj nate Muhamedit a.s. kah qiejt e hapur, është një pikënisje e një përvoje shpirtërore tepër e rëndësishme. Takimi i tij në qiell me profetët tjerë ishte mesazhi më kuptimplotë se ai nuk është i pari profet i Islamit, por i fundit në zinxhirin e profetëve që tregojnë vazhdimësinë e fesë së Allahut. Ky mesazh i dalë nga ky rrugëtim i profetit, është argument gjithashtu edhe i asaj se feja islame nuk është feja më e re monoteiste, por është e njëjta ajo që kishte filluar me njeriun e parë, Ademin a.s.

Së këndejmi, nuk është për t’u habitur me faktin që kur arabët hynë në Jerusalem në shekullin e shtatë, si myslimanë që ishin, qytetin e trajtuan me respektin që i kishte hije frymës së fesë të cilën po e përhapnin. Është mase e sigurt që kur myslimanët hynë në Jerusalem, aty nuk gjetën asnjë hebre. Hebrenjtë e fundit ishin dëbuan nga romakët kur ata kishin pushtuar Jerusalemin 2 mijë vjet më parë. Gjithashtu, kur myslimanët hynë aty, ata nuk vepruan me të krishterët sikur romakët që kishin bërë me hebrenjtë. Myslimanët i garantuan të krishterët autokton se do t’i lënë plotësisht të lirë t’i kryejnë ritualet e tyre, do t’ua sigurojnë jetën dhe pasuritë e tyre si dhe askush nuk do t’i prekë apo dëmtojë tempujt e tyre. Në ditët e para të hyrjes në Kuds, myslimanët lidhën kontratë me të krishterët se do t’i respektojnë të drejtat e tyre deri në detajet më të imëta.

Nëse deri më tani shkruam se përse Islami e trajton Jerusalemin kështu, tani është e udhës të shohim se përse Islami ka kësisoj tretmani ndaj pjesëtarëve të feve tjera.

Kurani flet në mënyrë të qartë për lirinë e përcaktimit dhe të besimit. Sipas Islamit njeriu është i lirë të besojë si të dojë dhe kujt të dojë. (E fe ente tukrihu-nase hatta jekunu mu’minin?). Kur’ani asnjëherë nuk i detyron njerëzit që të gjithë të jenë besimtarë. Besimin dhe mosbesimin e ka lënë çështje të lirë në duart e tyre dhe të zgjedhin çka të dojnë. “Fe men shae fel-ju’min ve men shae fe’l-jekfur” (Kush dëshiron të besojë, le të besojë, e kush dëshiron të mos besojë, le të mos besojë). Kurani vepron kështu sepse e gjithë kjo është në përputhshmëri me natyrën e njeriut, në përputhshmëri me qëllimin e ekzistimit të tij si dhe në përputhshmëri me natyrën e jetës në tokë. Ndryshe nga kjo, njeriu s’do të ishte njeriu që do të ngarkohet me misionin e tij në tokë. Pluralizmi në besim, në kuptimin e jetës, në mendime, në dëshira, në lloje, në popuj e në pikëpamje të ndryshme është esenca e natyrës së kësaj bote.

(VAZHDON NESËR)


 

Edhe futbollin e shoh nga këndvështrimi politik!

Bardhyl Mahmuti06.06.2018

Në reagimin e ri të datës 5 qershor 2018, ti deklaron se debati mes nesh “devijoi në masë, për shkak të reagimit të tënd në fillim dhe për shkak të interesimit tim që të merrem edhe me tema tjera”. Çdo lexues që e ka ndjekur me vëmendje konfrontimin e mendimeve gjatë polemikës që po zhvillojmë, e di fare mirë se unë nuk kam hapur asnjë temë jashtë asaj që ti shtrove në reagimin tënd. Bash asnjë! Ti më akuzove për “anti-islam”, unë të solla prova të mjaftueshme, se gjatë dy dekadave para se të polemizonim ne, unë kam ngritur zërin e protestës kundër të gjitha formave të diskriminimit dhe të dhunës që janë ushtruar ndaj shqiptarëve, pa marrë parasysh se të cilës përkatësi fetare janë.

Në kuadër të kësaj dhune, një vend të veçantë zë dhuna për shkak të përkatësisë religjioze. Me Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, “aktet që kanë për qëllim shkatërrimin e tërësishëm apo të pjesshëm fizik ose biologjik, të një grupi nacional, etnik, racor ose FETAR, si të tilla janë akte gjenocide”. Në të gjitha shkrimet e mia kam theksuar edhe dhunën religjioze për të dëshmuar politikën gjenocide, që është zbatuar kundër shqiptarëve. Provat që të solla në tri pjesët e para të kësaj polemike, dëshmuan se ti ke shpifur duke më cilësuar si “anti-islam”, si “anti-demokrat”, “me mendësi komuniste”, “marksist-leniniste” e kështu me radhë.

Përkundër provave të pakontestueshme, ti nuk kërkove falje për të gjitha akuzat. Mustafa, temat që ti hape përmes reagimit tënd, nuk janë tema që mund të kufizohen në “statuse facebook-u”. Madje, as shkrimet e mia disafaqëshe nuk mjaftojnë për t’i sqaruar problematikat që ngrite gjatë reagimit. Unë do të vazhdoj për aq sa e shoh të nevojshme të sqaroj të gjitha çështjet, sepse sqarimi i këtyre gjërave tejkalon ballafaqimin mes nesh. Mendoj se është në interes që të hiqet mjegulla rreth shumë dilemave.

Çështjen e Jerusalemit/Kudsit nuk e kam shmangur, por është tema që trajtohet në vazhdimin e fundit të polemikave tona. Kuptohet nëse nuk vjen edhe ndonjë reagim nga “korneri”, që të më imponojë renditje tjetër. Meqë ra fjala te “korneri”, ti, Mustafa, në hyrje të reagimit të fundit përmend lëndimin e lojtarit të Liverpulit, Muhamed Salah, si shembull të “solidarizimit të shqiptarëve në përmasa kombëtare me lojtarin mysliman”. Fatkeqësia që përjetoi ky lojtar interpretohet prej teje si katalizator, që arriti “të ndezë shkëndijat e fesë që janë të fjetura në zemrat e tyre.

Askush nuk mund ta mohojë faktin se ndjenja dhe përkatësia fetare shprehet edhe kësisoj, dhe jo gjithherë ka nevojë për trumbetime, për të treguar nëse shqiptarët janë apo nuk janë myslimanë”! Mënyra se si e interpreton këtë ngjarje të takon ty. Por, ku do t’i çosh shqiptarët, katolikë, ortodoksë apo pa religjion, që u erdhi keq për atë që i ndodhi Muhamed Salahut si sportist e jo si pjesëtar i një besimi fetar! Klasifikoji ku të duash, veç mos ua “ndez shkëndijat e fesë”. Ishte ndeshje futbolli e jo një kryqëzatë! Mos thuaj se Ramosi e lëndoi Salahun veç pse ishte mysliman!

Për ta shtendosur polemikën tonë po i referohem kësaj radhe futbollit. Para ballafaqimit final të Realit me Liverpulin, ti kërkove nga miqtë tu të të ndihmojnë të përcaktohesh se cilin ekip ta mbështesje, sepse kishe një dilemë të madhe. “Knej po du me fitue Reali a knej zemra po ma don Muhamed Salahun…!! A muni me ma nimue pak, o miq, kah t’ia mbajë sonte”. Mustafa, unë dilema të kësaj natyre nuk kam. Po të tregoj një “storie” nga përvoja ime. Ishte shtator i vitit 1987. Në burgun e Zajeçarit në Serbi, isha në të njëjtën qeli me Ramadan Avdiun, aktualisht konsull i Përgjithshëm i Kosovës në Gjenevë. Në Beograd luhej ndeshja e kthimit mes Partizanit dhe Flamurtarit të Vlorës. Në ekipin e Partizanit të Beogradit luante edhe futbollisti i njohur shqiptar nga Kosova, Fadil Vokrri. Gjatë vizitës së rregullt që pati drejtori i burgut para kësaj ndeshjeje, m’u drejtua me pyetjen se cili ekip dëshiroja unë që të fitonte, meqenëse futbollisti më i mirë shqiptar luante për Partizanin. Përgjigjja ime ishte e menjëhershme: jo Fadil Vokrri, por edhe në rast se njëmbëdhjetë lojtarët e Partizanit të Beogradit të ishin shqiptarë, unë do të doja të fitonte Flamurtari i Shqipërisë, madje t’ju shkelë përtokë…”. Të garantoj se goli i Sokol Kushtës kundër Partizanit të Serbisë në Beograd bën pjesë në një ndër ngjarjet, që më ka gëzuar më së shumti në jetën time. Futbolli është një faktor shumë i rëndësishëm identifikimi, që nuk qëndron jashtë strategjive politike, prandaj nuk mund ta shoh jashtë këndvështrimit tim politik.

Në këtë çështje nuk kam asnjë dilemë dhe, rrjedhimisht, edhe për ndeshjen Real Madridi – Liverpuli mendimet e mia ishin të palëkundura: dëshiroja të fitonte ekipi anglez, sepse Britania e Madhe është vendi që na ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë për t’i dhënë fund gjenocidit serb në Kosovë, ka kontribuar në rindërtimin e vendit tonë dhe ka pasur qëndrim të drejtë dhe të palëkundshëm për të drejtën e popullit të Kosovës për shtet të pavarur. Edhe sikur të luanin njëmbëdhjetë lojtarë shqiptarë për ekipin spanjoll, unë do të dëshiroja fitoren angleze, sepse Spanja ka qëndrim tejet negativ ndaj pavarësisë së vendit tonë. Kam mjaft miq, simpatizues të Realit, të cilët mundohen të më bindin që të mos ngatërrojmë futbollin me politikën.

Është e drejtë e secilit të veprojë në përputhje me pikëpamjet e veta. Edhe në këtë çështje nuk kam dilema: nëse futbolli dhe lojërat e ndryshme sportive do të luhen pa himnin kombëtar, pa praninë e figurave politike, atëherë do ta rishikoj qëndrimin tim. Por jo ndaj ekipeve që vijnë nga shtetet, të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. I nderuar Mustafa, Pasi të përfundoj shkrimet për temat që provokoi reagimi yt i parë, do t’u kthehem çështjeve që dalin nga reagimi i fundit. Mbetsh me shëndet ti dhe miqtë tu, realë dhe virtualë! Për ata që nuk kanë pasur rastin ta shohin eliminimin e Partizanit të Beogradit nga Flamurtari i Vlorës dhe ata që aq shumë iu gëzuan këtij goli. https://www.youtube.com/watch?v=vwox7cWIHYo

 


 

Parimi bazë i politikës myslimane në Kudsi Sherif

Mustafa Bajrami– 06.06.2018 (Pjesa e dytë e debatit me Bardhyl Mahmutin në lidhje me Jerusalemin)

Rreshtat në vijim janë pasqyrim i pikëpamjes islame e cila po vihej në praktikë në ditët e para të myslimanëve kur hynë në Kuds. Janë këto mësimet kur’anore që ua kishte dhënë Muhamedi a.s. besimtarëve muslimanë. Dikujt do t’i duket tepër idealiste, dikujt tjerë të pabesueshme, por, ama, ato janë realitete dhe fakte të ruajtura në kujtesën e historisë së Kudsi Sherifit.

***
Edhe më parë kam thënë se është e pamundur të kuptohet çështja e Kudsit pa e kuptuar drejtë sidomos mësimin islam mbi tolerancën dhe barabarësinë mes njerëzve. Sepse, në rrafshin horizontal, për Islamin është shumë e rëndësishme shtrirja e mendimit të tij deri në pakufi. Universaliteti në kuptimin kohorë dhe hapësinorë është përpjekje konsistente historike e mësimeve kur’anore.

Kufijtë nacional, shtetërorë, politik e ideologjik nuk përkojnë me universalitetin që e promovon Islami. Këta kufij cënojnë në masë barabarësinë mes njerëzve që e dëshiron Islami. Manifestimi i universalitetit të Islamit ka të bëjë me platformën islame e cila po sistemohej edhe në Kudsi Sherif. Thënë më qartë, në kontekst të zbulesës që na ofron Kur’ani, faktet flasin për nevojën e një jetese të përbashkët mes njerëzve, sepse, këto fakte flasin mbi prejardhjen e përbashkët të të gjithë njerëzve. Të gjithë njerëzit janë krijuar njëjtë, të gjithë janë prej të njëjtës materie dhe të gjithë janë krijuar prej një mashkulli dhe një femre. Njerëzit kanë lindur sipas të njëjtës formulë. Nga ky këndvështrim, mes njerëzve nuk ka kurrfarë dallimi. Kur’ani këtë princip e përmend në disa vende dhe në mënyrë eksplicite i bënë me dije lexuesit se kjo është kështu dhe nuk mund të bëhet ndryshe. Sipas Islamit, ndarja e njerëzve në familje, fise, popuj, raca etj, nuk paraqet kurrfarë baze për dallime cilësorë mes tyre. Ndarja e njerëzve në fise, popuj, raca dhe në grupime të tjera mbi baza fetare, ideologjike, ekonomike e të përcaktimeve të ndryshme politike, kanë domethënien e mundësisë së njohjes mes vete. Dallueshmëria e vetme që e pranon Kur’ani është dallueshmëria mbi bazën e aktivitetit të dobishëm. Kriteri i vetëm për vlerësimin e njerëzve është vepra e mirë. Për asgjë tjetër njerëzit nuk mund dhe nuk duhet të dallohen mes vete.

Edhe i dërguari i Allahut, jeta dhe veprimtaria e të cilit janë burimi i të drejtës islame, kishte urdhëruar që kjo logjikë kur’anore të vihet në praktikë. Myslimanët të njëjtën e kishin jetësuar edhe në Kudsi Sherf. Nga historia islame mësojmë se Muhamedi a.s. thoshte se njerëzit kanë një Zot dhe një baba. Të gjithë vijnë nga Ademi ndërsa Ademi vjen prej dheu. Më i miri prej njerëzve është më i dobishmi për shoqërinë dhe që bënë më së shumti vepra të mira. Arabi s’ka kurrfarë përparësie prej jo arabit, e as jo arabi prej arabit. (Ligjërata e Muhamedit a.s. në Haxhin Lamtumirës).

Para se myslimanët të hyjnë në Kuds, Kudsi administrohej prej romakëve. Romakët atje vepronin sipas mësimeve që i merrnin nga juristët e tyre në Romë. Ato mësime ishin përzierje e filozofisë greke me mentalitetin skllavopronarë që kishte gjetur shtrirje gjithandej. Kështu, përderisa Aristoteli e pranonte ndarjen e njerëzve në skllevër dhe pronarë, ku në librin e tij të njohur “Politika” thotë se është shumë normale që të huajt (barbarët) të jenë skllevër të helenëve, myslimanët në Kuds hoqën barrierat e ndasive mes njerëzve. Këto barriera myslimanët i luftuan që nga ditët e para të tyre. Pasuesit e Muhamedi a.s. në Kuds po përhapnin mësimet islame, që në fakt, ishte lufta e hapur dhe e pakompromis kundër robërisë së njeriut. Nëse sipas Aristotelit zotat kanë krijuar dy lloj njerëzish, ata që kanë vlerë, e këta janë të pajisurit me arsye dhe vullnet të lirë, dhe ata që janë të pajisur vetëm me fuqi fizike, Muhamedi a.s. dhe pasuesit e tij thoshin se njerëzit dallohen vetëm në bazë të kontributeve të tyre që ia japin shoqërisë. Sipas Aristotelit të parët janë pronarë dhe zotërinj ndërsa të dytët janë vetëm numra, janë skllevër dhe shërbëtorë. Të parët urdhërojnë, të dytët dëgjojnë. Të parëve u takon çdo gjë, të dytëve nuk u takon asgjë. Të parët kanë të dejtë të bëjnë çka të donë, të dytët nuk janë të lirë të bëjnë asgjë pa lejen e të parëve.

Nga pikëpamja kur’anore njeriu paraqet vlerën më të madhe. Ai është mëkëmbësi i Zotit në tokë, është zëvendësi i Tij në ekzistencë. Çdo gjë që është në tokë dhe në qiej, njeriut i është lënë në dispozicion. Ai menaxhon me to dhe ai është përgjegjës se si i përdorë. “Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë po krijojë në tokë një zëvendës”!. Ata thanë:” A do të krijosh atë që bënë çrregullime dhe që derdh gjak, e ne të madhërojmë Ty dhe plotësisht të adhurojmë?” Ai tha: “Unë di atë që ju nuk dini”. (el-Bekare, 30) Vënia e njeriut në këtë pozitë, në pozitën që e lakmonin edhe engjëjt, tregon qartë rolin që po ja jepte Zoti si individ apo si shoqëri. Sipas Islamit, pra, cenimi i të drejtës së një individi është cenim i të drejtës së shoqërisë. Askush nuk guxon të cenojë tjetrin , sepse, sipas këtij parimi njeriu cenon vetveten. Bazuar në këto mësime të Islamit, Jerusalemi u qeveris mbi 1200 vjet në paqe. Të gjithë njerëzit aty ishin të barabartë para ligjit, të gjithë e donin Jerusalemin e tyre, dhe, të gjithë njëjtë ndjeheshin përgjegjës për aq sa ishin të ngarkuar.

Kur myslimanët hynë në Kuds, ata i dinin të gjitha këto. E dinin gjithashtu se popullata shumicë e atjeshme i përkiste një feje tjetër monoteiste. Myslimanët kishin mësuar me kohë si të komunikonin me të krishterët dhe të tjerët, si të kooperonin dhe si t’i respektonin normat fetare të jetës së tyre. Në detajet më të vogla i kishin dëgjuar mësimet e pejgamberit as. rreth jomyslimanëve. Ata i kishin dëgjuar edhe ajetet që flisnin mbi hebrenjtë, i kishin dëgjuar edhe metodat e pejgamberit si sillej me hebrenjtë, si e kishte përgatitë platformën kooperuese me ta dhe si po e jetësonte në praktikë. Mësimet e Islamit ishin bërë fryma e jetës së tyre. Asgjë nuk bënin ndryshe nga që ishin porositur nga dërguari i Zotit. Dhe, kur është fjala për besimtarët e feve monoteiste, Kur’ani nuk i refuzonte ata në mënyrën siç e interpretuan më vonë gabimisht ky segment kaq i rëndësishëm i Islamit. Për Kur’anin besimtarët monoteistë janë “Ehli-kitab” (Ithtarë të Librit). Ata nuk janë të largët m besimtarët myslimanë. Ata nuk janë armiq të myslimanëve vetëm pse nuk janë myslimanë. Sikur që, ata nuk janë pabesimtarë me faktin se nuk janë myslimanë. Ka mendime se, përveç hebrenjve dhe të krishterëve, Islami i njeh për ithtarë të librit edhe sabejtë, budistët dhe brahmanën. Nuk janë të pakët dijetarët islam të cilët thonë se është e mundur që edhe këta të fundit të kenë pasur libra të shpallur nga Zoti i Madhërishëm. Siç shihet, rrethi i “Ithtarëve të Librit” nuk përkufizohet vetëm me të krishterët dhe hebrenjtë, por, komunikimi dhe kooperimi ndërnjerëzorë i myslimanëve duhet të shtrihet deri tek sabejët, budistët e brahmanët.

Në fakt, çka donë të thotë fjala “Ehli-kitab” në cilën e përdorë Kurani për jomuslimanët?

Sipas Islamit, parimet bazë të një feje monoteiste janë tri; besimi në Zotin, besimi në Ditën e Gjykimit dhe veprat e mira. Të gjithë ata që i përmbahen këtyre tri parimeve, pa marrë parasysh cilës fe i takojnë, janë “Ehli itab”, meritojnë mëshirën e Zotit, shpëtimin dhe, natyrisht edhe shpërblimin për veprat e mira që i bëjnë. Myslimanët e kishin parasysh këtë mësim edhe kur hynë në Kudsi Sherif. Nuk mbahet mend që dikush nga të parët myslimanë të ketë thyer këtë rregull kur’anorë. Kurani, megjithatë thotë se jo të gjithë ehli-kitabët janë të njëjtë. Në mesin e tyre ka nga ata që i luten Zotit, që besojnë në Ditën e Gjykimit, që udhëzojnë në vepra të mira dhe që ndalojnë nga veprat e liga. Këta janë të përzgjedhurit e njerëzve. Këta do të shpërblehen dhe assesi nuk do të anashkalohen. “Ata (ithtarët e librit) nuk janë të gjithë të njëjtë. Një pjesë e madhe prej tyre janë në rrugën e drejtë, gjatë natës lexojnë ajetet e Allahut duke u lutur. I besojnë Allahut dhe Ditës së Gjykimit, këshillojnë për të mirë dhe largojnë nga të këqijat, përpiqen për punë të dobishme, edhe ata janë prej të mirëve. E çfarëdo të mire që bëjnë, ajo nuk u mohohet. Allahu i di shumë mirë të devotshmit”. (Al-u Imran, 113-115)

Statusi i “Ehli-kitab”-it precizohet edhe më saktë me ajetin 62 të sures el-Bekare: “Vërtetë, ata që besuan, ata që ishin jahudi, të krishterë, sabejët, kush besoi prej tyre në Allahun dhe botën tjetër dhe bëri vepra të mira, ata e kanë shpërblimin te Zoti i tyre. Për ta nuk ka frikë e as nuk kanë përse të tendosen”.

Siç shihet nga ky ajet dhe nga ky këndvështrim, Kur’ani i jep të njëjtin tretman edhe myslimanëve, edhe të krishterëve, edhe hebrenjve edhe sabejve. Kryesorja është t’i kenë besuar Zotin, Ditës së Gjykimit dhe të kenë bërë vepra të mira. Njëjtë me këtë ajet është edhe ajeti 69 i kaptinës el-Maide: “S’ka dyshim se kush e beson Allahun, e beson Ditën e Gjykimit dhe bën vepra të mira, qoftë prej atyre që besuan, prej jahudive, prej sabiinëve, prej të krishterëve, për ta nuk do të ketë frikë e as pikëllim”.

Për ta kuptuar edhe më mirë këtë çështje dhe për të mësuar se përse myslimanët sot mendojnë ndryshe nga mësimet bazë të Kur’anit të tyre, pra, për të mësuar shkaqet e gjendjes së tanishme të myslimanëve, rrjedhimisht edhe pozitën dhe qëndrimet e tyre ndaj botës, sidomos ndaj Kudsi Sherifit, duhet t’i bëjmë një retrospektivë historisë së zhvillimit të mendimit islam. Nënvizimi i dallimit mes burimeve kryesore të së drejtës islame (fikh) dhe historisë së zhvillimit të kësaj shkence është mase i nevojshëm.

Sipas mësimeve kur’nore mbi të drejtat e besimtarëve jomyslimanë (Ehli-kitab), apo siç quhen me terminologjinë e fikhut, “el-Dhimijje”, ehli kitabët i gëzojnë të gjitha të drejtat që i gëzojnë edhe myslimanët. “Lehum ma lena ve alejhim ma aleja” (Kanë të njëjtat të drejta sikur ne dhe obligohen njëjtë sikur të gjithë ne). Myslimanëve u lejohet bile edhe martesa me femra nga ithtarët e librit. U lejohet gjithashtu edhe ngrënia e ushqimit të tyre.

Prandaj, nëse ushqimi është kusht për të jetuar dhe martesa ndihmon shtimin e njerëzimit, atëherë, si mund të ketë diçka më e ulët se këto në vlerë e të pengojnë kooperimin mes njerëzve? Apo, a ka qasje më e afërt dhe më vëllazërore se sa kjo që e bënë Kurani? Çka mund të jetë më e rëndësishme për njeriun se sa gruaja që është nëna e fëmijëve të tij? Nëse Kur’ani i lejon myslimanit që fëmijët e tij t’i lindë dhe t’i edukojë një jomyslimane nga Ehli-kitabi, pastaj t’i besohet asaj përgatitja e ushqimit për te, si mund të ketë pengesa në sfera tjera të jetës që janë më pak të rëndësishme? Nëse myslimanit i lejohet të krijojë lidhje kaq intime, kaq të rëndësishme dhe kaq subtile me jomuslimanen, e si mundemi pra, t’i shpjegojmë e t’i pranojmë interpretimet paushalle që i bëjnë sot disa myslimanë dhe i ndalojnë marrëdhëniet me të tjerët?

Në Islam nuk ka dhe nuk mund të ketë kurrfarë diktati apo motivi tjetër që qet nën hije tolerancën e mësimeve të Kur’anit. Pa marrë përsyshë gjendjen e tanishme të botës myslimane e cila nga njëra anë është katandisur pas lluksit e nga ana tjetër nga varfëria, është katandisur pas shfrenimeve si dhe është kapluar nga luftërat e pakuptimta, këto principe të Kur’anit mbesin të përjetshme dhe tregojnë qartë “wasatijen”, mesin e artë dhe zemërgjerësinë e fesë islame. Imagjinoni, Kur’ani ishte zemërgjerë edhe ndaj idhujtarëve që ishin kundërshtarët më të rreptë të Islamit: “E nëse ndokush prej idhujtarëve të kërkon strehim, ti strehoje atë në mënyrë që t’i dëgjojë fjalët e Allahut e mandej përcille deri në vendin e tij të sigurt…”. (et-Tevbe, 6)

Sipas principit islam mbi liritë dhe të drejtat e njeriut, princip ky që i tejkalon të gjitha pikëpamjet e tanishme në lidhje me te, Islami i njeh të drejtën e azilit dhe të mbrojtjes, pra, edhe mushrikëve (idhujtarëve). Islami sillet kështu me armikun edhe në momente konfrontimesh më të ashpra për jetë a vdekje. Bënë kështu, sepse, Islami edhe armikun e njeh për njeri. Me raste solidarizimi të këtij lloji, faqete historisë islame janë të mbushura plot e për plotë. Dhe, përderisa po flasim për Kudsi Sherifin, më i freskëti është ai i gjeneralit të ushtrisë myslimane Salahudin Ejubit me Riçard zemërluanin. Përderisa ky i fundit kishte vrae prishte prerë me mijëra myslimanë, kishte djegur shtëpitë e myslimanëve dhe kishte shkatërruar çdo gjë që kishte mund, në momentin kur ishte plagosur, për te ishte kujdesur mjeku i Salahudin Ejubit dhe e kishte shëruar, me urdhër të Salahudin Ejubit. .

Nëse Kurani i urdhëron myslimanët që kështu të sillen me jobesimtarët edhe në gjendje lufte, atëherë praj nga sot këto qëndrime aspak islame të myslimanëve me Ehli-kitabin në kohë paqeje?! Kur’ani i urdhëron myslimanët që ndaj jomyslimanëve të sillen paqësisht, t’i ndihmojnë sa herë që nevojitet, përveç nëse sulmohen prej tyre për shkak të fesë që kanë apo nëse dëbohen prej shtëpive të tyre.

Myslimanët e parë që hynë në Kudsi Sherif, pareshtur përmendnin mësimet e Muhamedit a.s. në lidhje me dhimmitë. Ata u thonin banorëve vendës se profeti i tyre kishte kujdes të posaçëm ndaj dhimmive. Muhamedi a.s. kishte thënë se ai i cili i shqetëson dhimmitë, nuk i takon ymetit të tij. Në një rast tjetër thotë se në Ditën e Gjykimit do t’i ankohet Allahut për myslimanin i cili është sjellë padrejtësisht ndaj dhimmiut apo ka dëmtuar pasurinë e tij. Gjithashtu edhe Ebu Bekri kishte lëshuar dekret ku kishte urdhëruar të kihet kujdes i madh ndaj të drejtave të dhimmive. “Kush gabon ndaj dhimmive, do të dënohet ashpër e nesër në Ditën e Gjykimit do të jetë përgjegjës për atë që ka bërë”, kishte thënë halifja i parë i myslimanëve.

Ndër më të zëshmit për të drejtat e dhimmive ishte Omeri r.a, halifja i dytë i besimtarëve. I shtrirë në shtratin e vdekjes pak qaste para se të vdiste, ai kishte thënë se myslimanët duhet të kenë kujdes të madh ndaj dhimmive, duhet t’i ndihmojnë ata kur të kanë nevojë, duhet t’i kryejnë obligimet ndaj tyre, duhet t’i mbrojnë nga armiqtë dhe, ç’është më kryesorja, shtetit islam i ndalohet t’i obligojë dhimmitë me diçka që nuk i obligon myslimanët.

Imam Lejthi kishte dhënë fetvanë se shteti islam duhet të paguaj nga arka e vetë (bejtu’l-mal) lirimin e robërve dhimmi, ndërsa Ibn Tejmije kishte refuzuar të nënshkruaj mbi dokumentin e armëpushimit me emirin e tatarëve, Kutbu Shah, përderisa ai nuk i liron të gjithë robërit dhimmi që i kishte zënë gjatë luftës.

Ndër momentet më të rëndësishme që vlen të përmenden këtu teksa po flasim për myslimanët në Kudsi Sherif, është edhe e drejta e testamentit dhe trashëgimisë së ehli-kitabëve. Ishte prurë vendim se ajo që është brenda kornizave të fesë së krishterë, edhe nëse nuk përkon me dispozitat e fesë islame, të pranohet si e qëndrueshme. Pra, sipas parimeve islame mbi të drejtat dhe liritë fetare, porosia (testamenti) i dhimmiut është i plotfuqishëm edhe nëse ai testament nuk parashihet me ligjet islame por është i paraparë me rregullat e fesë së dhimmiut. Në të kundërtën, testamenti i tij nuk vlen nëse bie ndesh me parimet e fesë së tij, por është i pajtueshëm me ligjet e fesë islame. Për shembull, nëse dhimmiu lë porosinë që shtëpia e tij pas vdekjes të shndërrohet në xhami, apo nëse lë pasuri dhe thotë se ajo pasuri të përdoret për shpenzime të haxhit për myslimanë, ky testament nuk obligon shtetin islam ta miratojë. Por, nëse lë porosi që shtëpia e tij pas vdekjes së tij të shndërrohet në kishë, apo në një thertore për derra, porosia është e vlefshme dhe myslimanët obligohen të ndihmojnë në realizimin e kësaj porosie.

Ibn Kajjem el-Xhevzi në librin e tij të njohur Ahkamu ehli-Dhimme (Ligjshmëria e Ehli-kitabit) thotë se nëse një mysliman është i martuar me një grua nga ehli-kitabi, bashkëshorti mysliman ka të drejtë t’i kërkojë asaj të mos pi alkool, por nuk ka të drejtë ta ndalojë.

Megjithëqë ka edhe shumë shembuj tjerë që mund t’i përmendim në lidhje me tolerancën islame që po gjente shtrirje sidomos në Kudsi Sherif, dhe jo vetëm andej, duhet të përmendim edhe një fakt të hidhur, të pamohueshëm që ka ndodhur përgjatë historisë së zhvillimit të mendimit islam.
Islami si fe dhe si mendim, pra, si kulturë dhe si civilizim, ka pasur dy periudha të zhvillimit; Periudha e parë ka të bëjë me kohën kur mësimet kur’anore ishin në kulmin e zhvillimit. Është kjo periudha e gjeneratave të para të myslimanëve kur selefi funksiononte në mbarësi, kur ixhtihadi ishte parim i myslimanëve, kur Islami po zhvillohej, po përpunohej dhe po vihej në praktikë në përputhshmëri me dinamikat dhe nevojat e kohës. Pavarësisht kushteve revolucionare të atëhershme, pavarësisht debateve dhe konfrontimeve mes dijetarëve dhe të urtakëve myslimanë, atëbotë, për myslimanin njeriu dhe dinjiteti i tij ishin të shenjta. Është kjo kohë kur parimet universale të Islamit po gjenin shtrirje në të gjitha anët. Është kjo kohë kur shteti islam i njihte azilin edhe armiqve dhe kundërshtarëve më të ashpër.

Periudha e dytë karakterizohet me sterilitet, me imitim, nënshtrim, mbyllje në vetvete, me fanatizëm të verbër dhe me armiqësi ndaj të vetit dhe të huajve. Është kjo periudha kur u krijuan marrëdhënie krejtësisht ndryshe me jomyslimanët. Në praktikë u vunë rregulla të reja, rregulla që nuk përkonin me të drejtën islame. Janë këto kohë ku politikat ditore të pushtetmbajtësve po merrnin në dorë edhe të drejtën juridike islame. Për fat të keq, këto forma të reja u futën edhe në shkencën e fikhut por fatmirësisht jo edhe në strukturën e sheriatit islam.

VAZHDON:
Nesër: 14 shekuj histori e çuditshme; Kudsi prej ditës së parë kur hynë myslimanët në te e deri në ditën e fundit kur u dëbuan nga aty).


Parimi bazë i politikës myslimane në Kudsi Sherif

Mustafa Bajrami 06.06.2018-(Pjesa e dytë e debatit me Bardhyl Mahmutin në lidhje me Jerusalemin)

Rreshtat në vijim janë pasqyrim i pikëpamjes islame e cila po vihej në praktikë në ditët e para të myslimanëve kur hynë në Kuds. Janë këto mësimet kur’anore që ua kishte dhënë Muhamedi a.s.  besimtarëve muslimanë. Dikujt do t’i duket tepër idealiste, dikujt tjerë të pabesueshme, por, ama, ato janë realitete dhe fakte të ruajtura në kujtesën e historisë së Kudsi Sherifit.

***

Edhe më parë kam thënë se është e pamundur të kuptohet çështja e Kudsit pa e kuptuar drejtë sidomos mësimin islam mbi tolerancën dhe barabarësinë mes njerëzve. Sepse, në rrafshin horizontal, për Islamin është shumë e rëndësishme shtrirja e mendimit të tij deri në pakufi. Universaliteti në kuptimin kohorë dhe hapësinorë është përpjekje konsistente historike e mësimeve kur’anore. Kufijtë nacional, shtetërorë, politik e ideologjik nuk përkojnë me universalitetin që e promovon Islami. Këta kufij cënojnë në masë barabarësinë mes njerëzve që e dëshiron Islami. Manifestimi i universalitetit të Islamit ka të bëjë me platformën islame e cila po sistemohej edhe në Kudsi Sherif. Thënë më qartë, në kontekst të zbulesës që na ofron Kur’ani, faktet flasin për nevojën e një jetese të përbashkët mes njerëzve, sepse, këto fakte flasin mbi prejardhjen e përbashkët të të gjithë njerëzve. Të gjithë njerëzit janë krijuar njëjtë, të gjithë janë prej të njëjtës materie dhe të gjithë janë krijuar prej një mashkulli dhe një femre. Njerëzit kanë lindur sipas të njëjtës formulë. Nga ky këndvështrim, mes njerëzve nuk ka kurrfarë dallimi. Kur’ani këtë princip e përmend në disa vende dhe në mënyrë eksplicite i bënë me dije lexuesit se kjo është kështu dhe nuk mund të bëhet ndryshe. Sipas Islamit, ndarja e njerëzve në familje, fise, popuj, raca etj, nuk paraqet kurrfarë baze për dallime cilësorë mes tyre. Ndarja e njerëzve në fise, popuj, raca dhe në grupime të tjera mbi baza fetare, ideologjike, ekonomike e të përcaktimeve të ndryshme politike, kanë domethënien e mundësisë së njohjes mes vete. Dallueshmëria e vetme që e pranon Kur’ani është dallueshmëria mbi bazën e aktivitetit të dobishëm. Kriteri i vetëm për vlerësimin e njerëzve është vepra e mirë. Për asgjë tjetër njerëzit nuk mund dhe nuk duhet të dallohen mes vete.

Edhe i dërguari i Allahut, jeta dhe veprimtaria e të cilit janë burimi i të drejtës islame, kishte urdhëruar që kjo logjikë kur’anore të vihet në praktikë. Myslimanët të njëjtën e kishin jetësuar edhe në Kudsi Sherf. Nga historia islame mësojmë se Muhamedi a.s. thoshte se njerëzit kanë një Zot dhe një baba. Të gjithë vijnë nga Ademi ndërsa Ademi vjen prej dheu. Më i miri prej njerëzve është më i dobishmi për shoqërinë dhe që bënë më së shumti vepra të mira. Arabi s’ka kurrfarë përparësie prej jo arabit, e as jo arabi prej arabit. (Ligjërata e Muhamedit a.s. në Haxhin Lamtumirës).

Para se myslimanët të hyjnë në Kuds, Kudsi administrohej prej romakëve. Romakët atje vepronin sipas mësimeve që i merrnin nga juristët e tyre në Romë. Ato mësime ishin përzierje e filozofisë greke me mentalitetin skllavopronarë që kishte gjetur shtrirje gjithandej. Kështu, përderisa Aristoteli e pranonte ndarjen e njerëzve në skllevër dhe pronarë, ku në librin e tij të njohur “Politika” thotë se është shumë normale që të huajt (barbarët) të jenë skllevër të helenëve, myslimanët në Kuds hoqën barrierat e ndasive mes njerëzve. Këto barriera myslimanët i luftuan që nga ditët e para të tyre. Pasuesit e Muhamedi a.s. në Kuds po përhapnin mësimet islame, që në fakt, ishte lufta e hapur dhe e pakompromis kundër robërisë së njeriut. Nëse sipas Aristotelit zotat kanë krijuar dy lloj njerëzish, ata që kanë vlerë, e këta janë të pajisurit me arsye dhe vullnet të lirë, dhe ata që janë të pajisur vetëm me fuqi fizike, Muhamedi a.s. dhe pasuesit e tij thoshin se njerëzit dallohen vetëm në bazë të kontributeve të tyre që ia japin shoqërisë. Sipas Aristotelit të parët janë pronarë dhe zotërinj ndërsa të dytët janë vetëm numra, janë skllevër dhe shërbëtorë. Të parët urdhërojnë, të dytët dëgjojnë. Të parëve u takon çdo gjë, të dytëve nuk u takon asgjë. Të parët kanë të dejtë të bëjnë çka të donë, të dytët nuk janë të lirë të bëjnë asgjë pa lejen e të parëve.

Nga pikëpamja kur’anore njeriu paraqet vlerën më të madhe. Ai është mëkëmbësi i Zotit në tokë, është zëvendësi i Tij në ekzistencë. Çdo gjë që është në tokë dhe në qiej, njeriut i është lënë në dispozicion. Ai menaxhon me to dhe ai është përgjegjës se si i përdorë. “Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë po krijojë në tokë një zëvendës”!. Ata thanë:” A do të krijosh atë që bënë çrregullime dhe që derdh gjak, e ne të madhërojmë Ty dhe plotësisht të adhurojmë?” Ai tha: “Unë di atë që ju nuk dini”. (el-Bekare, 30) Vënia e njeriut në këtë pozitë, në pozitën që e lakmonin edhe engjëjt, tregon qartë rolin që po ja jepte Zoti si individ apo si shoqëri. Sipas Islamit, pra, cenimi i të drejtës së një individi është cenim i të drejtës së shoqërisë. Askush nuk guxon të cenojë tjetrin , sepse, sipas këtij parimi njeriu cenon vetveten. Bazuar në këto mësime të Islamit, Jerusalemi u qeveris mbi 1200 vjet në paqe. Të gjithë njerëzit aty ishin të barabartë para ligjit, të gjithë e donin Jerusalemin e tyre, dhe, të gjithë njëjtë ndjeheshin përgjegjës për aq sa ishin të ngarkuar.

Kur myslimanët hynë në Kuds, ata i dinin të gjitha këto. E dinin gjithashtu se popullata shumicë e atjeshme i përkiste një feje tjetër monoteiste. Myslimanët kishin mësuar me kohë si të komunikonin me të krishterët dhe të tjerët, si të kooperonin dhe si t’i respektonin normat fetare të jetës së tyre. Në detajet më të vogla i kishin dëgjuar mësimet e pejgamberit as. rreth jomyslimanëve. Ata i kishin dëgjuar edhe ajetet që flisnin mbi hebrenjtë, i kishin dëgjuar edhe metodat e pejgamberit si sillej me hebrenjtë, si e kishte përgatitë platformën kooperuese me ta dhe si po e jetësonte në praktikë. Mësimet e Islamit ishin bërë fryma e jetës së tyre. Asgjë nuk bënin ndryshe nga që ishin porositur nga dërguari i Zotit. Dhe, kur është fjala për besimtarët e feve monoteiste, Kur’ani nuk i refuzonte ata në mënyrën siç e interpretuan më vonë gabimisht ky segment kaq i rëndësishëm i Islamit. Për Kur’anin besimtarët monoteistë janë “Ehli-kitab” (Ithtarë të Librit). Ata nuk janë të largët m besimtarët myslimanë. Ata nuk janë armiq të myslimanëve vetëm pse nuk janë myslimanë. Sikur që, ata nuk janë pabesimtarë me faktin se nuk janë myslimanë. Ka mendime se, përveç hebrenjve dhe të krishterëve, Islami i njeh për ithtarë të librit edhe sabejtë, budistët dhe brahmanën. Nuk janë të pakët dijetarët islam të cilët thonë se është e mundur që edhe këta të fundit të kenë pasur libra të shpallur nga Zoti i Madhërishëm. Siç shihet, rrethi i “Ithtarëve të Librit” nuk përkufizohet vetëm me të krishterët dhe hebrenjtë, por, komunikimi dhe kooperimi ndërnjerëzorë i myslimanëve duhet të shtrihet deri tek sabejët, budistët e brahmanët.

Në fakt, çka donë të thotë fjala “Ehli-kitab” në cilën e përdorë Kurani për jomuslimanët?

Sipas Islamit, parimet bazë të një feje monoteiste janë tri; besimi në Zotin, besimi në Ditën e Gjykimit dhe veprat e mira. Të gjithë ata që i përmbahen këtyre tri parimeve, pa marrë parasysh cilës fe i takojnë, janë “Ehli itab”, meritojnë mëshirën e Zotit, shpëtimin dhe, natyrisht edhe shpërblimin për veprat e mira që i bëjnë. Myslimanët e kishin parasysh këtë mësim edhe kur hynë në Kudsi Sherif. Nuk mbahet mend që dikush nga të parët myslimanë të ketë thyer këtë rregull kur’anorë. Kurani, megjithatë thotë se jo të gjithë ehli-kitabët janë të njëjtë. Në mesin e tyre ka nga ata që i luten Zotit, që besojnë në Ditën e Gjykimit, që udhëzojnë në vepra të mira dhe që ndalojnë nga veprat e liga. Këta janë të përzgjedhurit e njerëzve. Këta do të shpërblehen dhe assesi nuk do të anashkalohen. “Ata (ithtarët e librit) nuk janë të gjithë të njëjtë. Një pjesë e madhe prej tyre janë në rrugën e drejtë, gjatë natës lexojnë ajetet e Allahut duke u lutur. I besojnë Allahut dhe Ditës së Gjykimit, këshillojnë për të mirë dhe largojnë nga të këqijat, përpiqen për punë të dobishme, edhe ata janë prej të mirëve. E çfarëdo të mire që bëjnë, ajo nuk u mohohet. Allahu i di shumë mirë të devotshmit”.(Al Imran, 113-115)

Statusi i “Ehli-kitab”-it precizohet edhe më saktë me ajetin 62 të sures el-Bekare: “Vërtetë, ata që besuan, ata që ishin jahudi, të krishterë, sabejët, kush besoi prej tyre në Allahun dhe botën tjetër dhe bëri vepra të mira, ata e kanë shpërblimin te Zoti i tyre. Për ta nuk ka frikë e as nuk kanë përse të tendosen”.

Siç shihet nga ky ajet dhe nga ky këndvështrim, Kur’ani i jep të njëjtin tretman edhe myslimanëve, edhe të krishterëve, edhe hebrenjve edhe sabejve. Kryesorja është t’i kenë besuar Zotin, Ditës së Gjykimit dhe të kenë bërë vepra të mira. Njëjtë me këtë ajet është edhe ajeti 69 i kaptinës el-Maide: “S’ka dyshim se kush e beson Allahun, e beson Ditën e Gjykimit dhe bën vepra të mira, qoftë prej atyre që besuan, prej jahudive, prej sabiinëve, prej të krishterëve, për ta nuk do të ketë frikë e as pikëllim”.

Për ta kuptuar edhe më mirë këtë çështje dhe për të mësuar se përse myslimanët sot mendojnë ndryshe nga mësimet bazë të Kur’anit të tyre, pra, për të mësuar shkaqet e gjendjes së tanishme të myslimanëve, rrjedhimisht edhe pozitën dhe qëndrimet e tyre ndaj botës, sidomos ndaj Kudsi Sherifit, duhet t’i bëjmë një retrospektivë historisë së zhvillimit të mendimit islam. Nënvizimi i dallimit mes burimeve kryesore të së drejtës islame (fikh) dhe historisë së zhvillimit të kësaj shkence është mase i nevojshëm.

Sipas mësimeve kur’nore mbi të drejtat e besimtarëve jomyslimanë (Ehli-kitab), apo siç quhen me terminologjinë e fikhut, “el-Dhimijje”, ehli kitabët i gëzojnë të gjitha të drejtat që i gëzojnë edhe myslimanët. “Lehum ma lena ve alejhim ma aleja” (Kanë të njëjtat të drejta sikur ne dhe obligohen njëjtë sikur të gjithë ne). Myslimanëve u lejohet bile edhe martesa me femra nga ithtarët e librit. U lejohet gjithashtu edhe ngrënia e ushqimit të tyre.

Prandaj, nëse ushqimi është kusht për të jetuar dhe martesa ndihmon shtimin e njerëzimit, atëherë, si mund të ketë diçka më e ulët se këto në vlerë e të pengojnë kooperimin mes njerëzve? Apo, a ka qasje më e afërt dhe më vëllazërore se sa kjo që e bënë Kurani? Çka mund të jetë më e rëndësishme për njeriun se sa gruaja që është nëna e fëmijëve të tij? Nëse Kur’ani i lejon myslimanit që fëmijët e tij t’i lindë dhe t’i edukojë një jomyslimane nga Ehli-kitabi, pastaj t’i besohet asaj përgatitja e ushqimit për te, si mund të ketë pengesa në sfera tjera të jetës që janë më pak të rëndësishme? Nëse myslimanit i lejohet të krijojë lidhje kaq intime, kaq të rëndësishme dhe kaq subtile me jomuslimanen, e si mundemi pra, t’i shpjegojmë e t’i pranojmë interpretimet paushalle që i bëjnë sot disa myslimanë dhe i ndalojnë marrëdhëniet me të tjerët?

Në Islam nuk ka dhe nuk mund të ketë kurrfarë diktati apo motivi tjetër që qet nën hije tolerancën e mësimeve të Kur’anit. Pa marrë përsyshë gjendjen e tanishme të botës myslimane e cila nga njëra anë është katandisur pas lluksit e nga ana tjetër nga varfëria, është katandisur pas shfrenimeve si dhe është kapluar nga luftërat e pakuptimta, këto principe të Kur’anit mbesin të përjetshme dhe tregojnë qartë “wasatijen”, mesin e artë dhe zemërgjerësinë e fesë islame. Imagjinoni, Kur’ani ishte zemërgjerë edhe ndaj idhujtarëve që ishin kundërshtarët më të rreptë të Islamit: “E nëse ndokush prej idhujtarëve të kërkon strehim, ti strehoje atë në mënyrë që t’i dëgjojë fjalët e Allahut e mandej përcille deri në vendin e tij të sigurt…”. (et-Tevbe, 6)

Sipas principit islam mbi liritë dhe të drejtat e njeriut, princip ky që i tejkalon të gjitha pikëpamjet e tanishme në lidhje me te, Islami i njeh të drejtën e azilit dhe të mbrojtjes, pra, edhe mushrikëve (idhujtarëve). Islami sillet kështu me armikun edhe në momente konfrontimesh më të ashpra për jetë a vdekje. Bënë kështu, sepse, Islami edhe armikun e njeh për njeri. Me raste solidarizimi të këtij lloji, faqete historisë islame janë të mbushura plot e për plotë. Dhe, përderisa po flasim për Kudsi Sherifin, më i freskëti është ai i gjeneralit të ushtrisë myslimane Salahudin Ejubit me Riçard zemërluanin.  Përderisa ky i fundit kishte vrae prishte prerë me mijëra myslimanë, kishte djegur shtëpitë e myslimanëve dhe kishte shkatërruar çdo gjë që kishte mund, në momentin kur ishte plagosur, për te ishte kujdesur mjeku i Salahudin Ejubit dhe e kishte shëruar, me urdhër të Salahudin Ejubit. .

Nëse Kurani i urdhëron myslimanët që kështu të sillen me jobesimtarët edhe në gjendje lufte, atëherë praj nga sot këto qëndrime aspak islame të myslimanëve me Ehli-kitabin në kohë paqeje?! Kur’ani i urdhëron myslimanët që ndaj jomyslimanëve të sillen paqësisht, t’i ndihmojnë sa herë që nevojitet, përveç  nëse sulmohen prej tyre për shkak të fesë që kanë apo nëse dëbohen prej shtëpive të tyre.

Myslimanët e parë që hynë në Kudsi Sherif, pareshtur përmendnin mësimet e Muhamedit a.s. në lidhje me dhimmitë. Ata u thonin banorëve vendës se profeti i tyre kishte kujdes të posaçëm ndaj dhimmive. Muhamedi a.s. kishte thënë se ai i cili i shqetëson dhimmitë, nuk i takon ymetit të tij. Në një rast tjetër thotë se në Ditën e Gjykimit do t’i ankohet Allahut për myslimanin i cili është sjellë padrejtësisht ndaj dhimmiut apo ka dëmtuar pasurinë e tij. Gjithashtu edhe Ebu Bekri kishte lëshuar dekret ku kishte urdhëruar të kihet kujdes i madh ndaj të drejtave të dhimmive. “Kush gabon ndaj dhimmive, do të dënohet ashpër e nesër në Ditën e Gjykimit do të jetë përgjegjës për atë që ka bërë”, kishte thënë halifja i parë i myslimanëve.

Ndër më të zëshmit për të drejtat e dhimmive ishte Omeri r.a, halifja i dytë i besimtarëve. I shtrirë në shtratin e vdekjes pak qaste para se të vdiste, ai kishte thënë se myslimanët duhet të kenë kujdes të madh ndaj dhimmive, duhet t’i ndihmojnë ata kur të kanë nevojë, duhet t’i kryejnë obligimet ndaj tyre, duhet t’i mbrojnë nga armiqtë dhe, ç’është më kryesorja, shtetit islam i ndalohet t’i obligojë dhimmitë me diçka që nuk i obligon myslimanët.

Imam Lejthi kishte dhënë fetvanë se shteti islam duhet të paguaj nga arka e vetë  (bejtu’l-mal) lirimin e robërve dhimmi, ndërsa Ibn Tejmije kishte refuzuar të nënshkruaj mbi dokumentin e armëpushimit me emirin e tatarëve, Kutbu Shah, përderisa ai nuk i liron të gjithë robërit dhimmi që i kishte zënë gjatë luftës.

Ndër momentet më të rëndësishme që vlen të përmenden këtu teksa po flasim për myslimanët në Kudsi Sherif, është edhe e drejta e testamentit dhe trashëgimisë së ehli-kitabëve. Ishte prurë vendim se ajo që është brenda kornizave të fesë së krishterë, edhe nëse nuk përkon me dispozitat e fesë islame, të pranohet si e qëndrueshme. Pra, sipas parimeve islame mbi të drejtat dhe liritë fetare, porosia (testamenti) i dhimmiut është i plotfuqishëm edhe nëse ai testament nuk parashihet me ligjet islame por është i paraparë me rregullat e fesë së dhimmiut. Në të kundërtën, testamenti i tij nuk vlen nëse bie ndesh me parimet e fesë së tij, por është i pajtueshëm me ligjet e fesë islame. Për shembull, nëse dhimmiu lë porosinë që shtëpia e tij pas vdekjes të shndërrohet në xhami, apo nëse lë pasuri dhe thotë se ajo pasuri të përdoret për shpenzime të haxhit për myslimanë, ky testament nuk obligon shtetin islam ta miratojë. Por, nëse lë porosi që shtëpia e tij pas vdekjes së tij të shndërrohet në kishë, apo në një thertore për derra, porosia është e vlefshme dhe myslimanët obligohen të ndihmojnë në realizimin e kësaj porosie.

Ibn Kajjem el-Xhevzi në librin e tij të njohur Ahkamu ehli-Dhimme (Ligjshmëria e Ehli-kitabit) thotë se nëse një mysliman është i martuar me një grua nga ehli-kitabi, bashkëshorti mysliman ka të drejtë t’i kërkojë asaj të mos pi alkool, por nuk ka të drejtë ta ndalojë.

Megjithëqë ka edhe shumë shembuj tjerë që mund t’i përmendim në lidhje me tolerancën islame që po gjente shtrirje sidomos në Kudsi Sherif, dhe jo vetëm andej, duhet të përmendim edhe një fakt të hidhur, të pamohueshëm që ka ndodhur përgjatë historisë së zhvillimit të mendimit islam.

Islami si fe dhe si mendim, pra, si kulturë dhe si civilizim, ka pasur dy periudha të zhvillimit; Periudha e parë ka të bëjë me kohën kur mësimet kur’anore ishin në kulmin e zhvillimit. Është kjo periudha e gjeneratave të para të myslimanëve kur selefi funksiononte në mbarësi, kur ixhtihadi ishte parim i myslimanëve, kur Islami po zhvillohej, po përpunohej dhe po vihej në praktikë në përputhshmëri me dinamikat dhe nevojat e kohës. Pavarësisht kushteve revolucionare të atëhershme, pavarësisht debateve dhe konfrontimeve mes dijetarëve dhe të urtakëve myslimanë, atëbotë, për myslimanin njeriu dhe dinjiteti i tij ishin të shenjta. Është kjo kohë kur parimet universale të Islamit po gjenin shtrirje në të gjitha anët. Është kjo kohë kur shteti islam i njihte azilin edhe armiqve dhe kundërshtarëve më të ashpër.

Periudha e dytë karakterizohet me sterilitet, me imitim, nënshtrim, mbyllje në vetvete, me fanatizëm të verbër dhe me armiqësi ndaj të vetit dhe të huajve. Është kjo periudha kur u krijuan marrëdhënie krejtësisht ndryshe me jomyslimanët. Në praktikë u vunë rregulla të reja, rregulla që nuk përkonin me të drejtën islame. Janë këto kohë ku politikat ditore të pushtetmbajtësve po merrnin në dorë edhe të drejtën juridike islame. Për fat të keq, këto forma të reja u futën edhe në shkencën e fikhut por fatmirësisht jo edhe në strukturën e sheriatit islam.

VAZHDON:

Nesër: 14 shekuj histori e çuditshme; Kudsi prej ditës së parë kur hynë myslimanët në te e deri në ditën e fundit kur u dëbuan nga aty).

 


Kush janë teologët dhe historianët shqiptarë në shërbim të propagandës serbe (1)

Bardhyl Mahmuti-09.96.2018

A e pushtuan shqiptarët Kosovën?

Edhe pse janë me dhjetëra teologë myslimanë shqiptarë që përhapin gënjeshtrat e sajuara nga ata që nuk ia duan të mirën popullit shqiptar, kam bindjen se shumica e teologëve myslimanë shqiptarë janë kundër kësaj qasjeje të dëmshme për kombin tonë.

Pas tërheqjes së pushtetit politik, forcave të armatosura, strukturave policore dhe atyre të sigurisë serbe nga Kosova, Kosova u vu nën administrimin ndërkombëtar. Dimensionin politik të këtij procesi e kam trajtuar hollësisht në librin tim dhe nuk do të ndalem aspak rreth kësaj çështjeje.

Ajo që vlen të theksohet në lidhje me temën tonë, ka të bëjë me faktin se tërë arsenali propagandistik i Beogradit u mobilizua për ta paraqitur ndërhyrjen ushtarake të NATO-s dhe detyrimin e tërheqjes së forcave të tyre nga Kosova si “tragjedi e dytë kombëtare”, duke e krahasuar me humbjen e vitit 1389 në betejën e famshme në Fushë-Kosovë nga Perandoria Otomane, që e paraqesin si “tragjedi e parë kombëtare serbe”.

Në kontekstin e ri historik të krijuar pas vendosjes së Kosovës nën administrim civil dhe ushtarak ndërkombëtar, i cili duhej të mbyllej me përcaktimin e statusit final të Kosovës, shteti i Serbisë i orientoi të gjitha veprimtaritë propagandistike në funksion të paraqitjes së Kosovës si gjoja “vend i tyre i shenjtë” i ripushtuar nga shqiptarët myslimanë. Në arsenalin e tyre propagandistik u rikthyen të gjitha mitet për gjoja “Kosovën si djep të civilizimit serb”, “dëbimin e serbëve nga Kosova”, “pushtimin e Kosovës nga shqiptarët” e të ngjashme me këto, që kishin për qëllim ta paraqesin strukturën aktuale të popullsisë së Kosovës, me rreth 90% shqiptarë, gjoja si rezultat i pushtimit të huaj. Me një fjalë, përmes kësaj propagande ata synonin të gjenin mbështetje ndërkombëtare për pretendimet e tyre për “të drejtën historike të Serbisë mbi Kosovën”.

Në funksion të kësaj strategjie, propaganda serbe përhapi lajmin se gjoja “një dokument zyrtar i Perandorisë Otomane i vitit 1455, që gjendet në arkivin historik të Stambollit, dëshmon se në shekull XV, në hapësirën e Kosovës dhe Dukagjinit nuk ka pasur shqiptarë. Në tërë hapësirën nga Bjeshkët e Nemuna e deri në Kopaonik kishte vetëm 46 familje shqiptare” (Ovaj turski dokument je dokaz: Kosovo 1455 je bilo bez Albanaca (Ky dokument turk është dëshmi: Kosova në vitin 1455 ishte pa shqiptarë) https://www.a1info.net/ovaj-turski-dokument-je-dokaz-kosovo-1455-je-bilo-bez-albanaca/).

Për të qenë sa më bindës në shpërndarjen e këtij “zbulimi”, shërbimet sekrete të Serbisë e orientuan luftën e tyre në gjetjen e ndonjë shqiptari, që do të pohonte publikisht përmbajtjen e këtij “dokumenti”. Nuk e di se përmes cilave mjete, cilave forma dhe me ndërmjetësimin e kujt u arrit, që në mesin e shqiptarëve të gjenden “dijetarë” të tillë që pohojnë se para ardhjes së Perandorisë Otomane në Kosovë nuk ka pasur shqiptarë. Duke u mbështetur në Memoaret e Sulejman Rexhepit mund të supozoj se ky qëllim ka mundur të arrihet edhe përmes teknikës së korrupsionit me mjete financiare. Ftoj lexuesin të rikujtojë memoarin nr.32 të cituar në shkrimin e mëparshëm: “me vete merrja edhe një shumë të konsiderueshme të dinarëve që m’i jepte me bollëk Kiroja, sepse hasja në shumë xhemat që kishin probleme të rënda sociale. Dhënia e një dinari e shtonte simpatinë për Jugosllavinë. Natyrisht, një dinar atyre e dhjetë për vete”. Mirëpo një supozim i tillë mbetet hipotezë e mundshme, të cilën mund ta verifikojmë vetë nëse ndonjëri nga pjesëmarrësit e një veprimi të tillë do të dëshmonte publikisht. Vetëm ata që i kanë dhënë ose që i kanë pranuar mjete financiare, e dinë nëse kjo është bërë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Serbia apo përmes shoqatave që vinin nga vendet arabe, të cilët, siç thekson autori i memoareve, “asgjë nuk dinin për shqiptarët, ndërsa për jugosllavët e për Titon ishin në gjendje të heqin dorë edhe prej fesë islame” (Memoari nr.8).

Duke mbetur si hipotezë, tani për tani nuk mund ta di se kush ka marrë dhe sa para ka marrë për xhepin e vet, kush dhe sa para u ka dhënë të tjerëve e kush e ka bërë falas. Atë që mund ta dëshmoj me argumente të pakontestueshme ka të bëjë faktin se në mesin e teologëve myslimanë shqiptarë dhe historianëve shqiptarë u gjetën të tillë që pohojnë, njëlloj si propaganda serbe, se gjoja “shqiptarët e pushtuan Kosovën me ndihmën e Perandorisë Otomane”.

Foto-montazh që zhvesh qëllimin e strategjisë serbe

Mund të citoj me dhjetëra emra teologësh që pretendojnë se, para ardhjes së Perandorisë Otomane, në Kosovë nuk ka pasur shqiptarë apo që numri i tyre ka qenë jashtëzakonisht i vogël dhe se gjoja “shqiptarët janë krijuar nga turqit”! Megjithatë, në këtë shkrim do të kufizohem vetëm në rastet, që më duken se përfshijnë në mënyrë më të plotë mohimin e historisë sonë kombëtare.

Po filloj me teologun Irfan Salihu. Pas ligjëratës së mbajtur nga ky imam i xhamisë në Prizren, gjatë së cilës pohoi se gjoja: “në vitin 1445, vetëm 1% e qytetarëve në Kosovë ishin shqiptarë, ndërsa turqit sollën shqiptarët në Kosovë dhe u dhanë toka atyre”, shpërthyen pakënaqësi të mëdha në opinionin publik të Kosovës. Kjo pakënaqësi shtrëngoi Bashkësinë Islame të Kosovës ta pezullojë nga puna për një afat njëvjeçar. Megjithatë, ndaj vendimit të BIK-ut për pezullim nga puna pati reagime të shumta. Vlen të veçohet qëndrimi i Forumit të të Rinjve Muslimanë i datës 3 prill 2015. Në komunikatën e tyre ky forum u dha mbështetje të plotë pohimeve të Irfan Salihut se gjoja “në Kosovë nuk kishte pasur shqiptarë para ardhjes së Turqisë”. Përmenda këtë forum, sepse është tregues që dëshmon se një pjesë e rinisë së besimit mysliman është viktimë e shtrembërimit të tillë të fakteve historike.

Në kohën kur nuk kemi kufij mes disiplinave të hulumtimit shkencor dhe askujt nuk mund t’i mohohet e drejta që, përveç titujve dhe funksioneve që ka, të perfeksionohet në fusha të ndryshme shkencore, rrjedhimisht nuk mund t’i mohohet e drejta teologut të hyjë në fushën e historisë, apo historianit në fushën e teologjisë. Mirëpo, këto tema trajtohen në hapësira të ndryshme, të veçanta për secilën fushë. Mendimet rreth temave historike apo teologjike trajtohen në kuadër të profesionistëve të këtyre disiplinave apo përmes publikimeve ku secili që e konsideron veten kompetent mund të futet në debat. Temat historike nuk duhet të shtrohen nga teologu përpara xhematit të vet gjatë kohës së ceremonive fetare e as nga historiani nuk trajtohen temat teologjike në kuadër të aktivitetit pedagogjik në institucionet arsimore.

Shtrimi i temave historike në mënyrën se si veproi Irfan Salihu është përpjekje për të manipuluar me besimtarët që vijnë për të kryer obligimet fetare. Cilat janë motivet e shpërndarjes së  propagandës serbe dhe neo-otomane nga një numër i teologëve myslimanë që këmbëngulin për rishkrimin e historisë sonë, kjo është çështje që nuk mund të trajtohet në kuadër të një shkrimi. Ajo që mund të pohet pa asnjë mëdyshje, lidhet me hapësirën e madhe që u dha deklaratave të tilla nga makineria propagandistike e Beogradit. Të gjitha mediat serbe u vërshuan me titullin bombastik: “Të dhëna të reja historike!!! Hoxha Irfan Salihu: Në Kosovë nuk ka pasur shqiptarë-ata i sollën turqit” ( tekstualisht në gjuhën serbe: Novi historijski podaci!!!Hodža Irfan Salihu: Na Kosovu nije bilo Albanaca – njih su doveli Turci! Shih: http://www.info-ks.net/clanak/53849/hodza-irfan-salihu-na-kosovu-nije-bilo-albanaca-njih-su-doveli-turci-video).

Çdokush që shfleton mediat serbe rreth kësaj teme, do të bindet se teologu Irfan Salihu i ka bërë një shërbim shumë të madh strategjisë së propagandës serbe.

Në të njëjtën frymë rreshtohet edhe një numër jo i vogël teologësh dhe osmanologësh shqiptarë që pohojnë se gjoja Perandoria Otomane nuk ka pasur ambicie pushtimin e tokave të huaja, por përhapjen e fesë islame dhe, rrjedhimisht, ata nuk na kanë pushtuar! Madje shkohet deri aty, sa të pohohet se gjoja shqiptarë e kanë pritur ardhjen e Perandorisë Otomane siç e kemi pritur ardhjen e NATO-s në vitin 1999!

 



 

Përveç Sulejman Rexhepit, nuk mund të gjendet asnjë shqiptar që “e lutë Allahun për ta bekuar” një fondamentalist ortodoks dhe kriminel antishqiptar si Nikolla Gruevski!

Bardhyl Mahmuti- 10.06.2018

– Në rrafshin fetar, shqiptarët e besimit mysliman meritojnë të përfaqësohen nga njerëz që nuk e lusin Allahun t’i bekojë kriminelët e llojit të Nikolla Gruevskit, që i kanë duart me gjak shqiptari! 

Memoaret e Sulejman Rexhepit, përmes të cilave ai tregon se si është bërë bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete jugosllave, ishin shkruar me qëllim që të publikoheshin pas vdekjes së tij. Megjithatë, siç e sqaron edhe vetë,  u publikuara para tri vitesh dhe disa muaj më vonë, për arsyet që i di ai, u mbyllën faqet e internetit dhe profilet në facebook, me të vetmin qëllim që të humben gjurmët e këtyre memoareve.

Që nga ajo kohë e deri më datën 9 qershor 2018, kur reaguan ndaj përhapjes së madhe që pat shkrimi im, as Sulejman Rexhepi e as Shërbimi i tij Informativ nuk e kanë mohuar vërtetësinë e këtyre memoareve. Në asnjërin prej qindra komunikimeve publike të Sulejman Rexhepit, shkrimeve autoriale të tij dhe qëndrimeve zyrtare të Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, nuk u mohua vërtetësia e këtyre memoareve.

Para një javë publikova një pjesë të memoareve të tij. Falënderoj mediat në gjuhën shqipe që i dhanë një hapësirë të madhe shkrimeve të mia, falë të cilave u përhap një e vërtetë që nuk mundën ta fshehin as udbashët, as pjella e udbashëve të Shërbimit Informativ të BFI-së et as UDB-ja vet.

Sot, këtë të vërtetë e kanë marrë vesh me dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë, që nuk i kanë ditur punët e ndyra që kanë bërë Sulejman Rexhepi dhe njerëzit që e rrethojnë. Shpresoj se do të shpërndahet edhe më shumë për ta bërë të ditur për të gjithë.

Qytetarët shqiptarë në Maqedoni i dinë fare mirë të gjitha punët e këqija që i kanë bërë Sulejman Rexhepi dhe udbashët tjerë që kanë uzurpuar kreun e Bashkësisë Fetare Islame. Ata mund të kërkojnë të zhduken edhe dhjetëra video, me shpresë se do t’i humbni gjurmët e krimeve që kanë bërë, siç shpresuan se me mbylljen e profileve të facebookut dhe faqeve të internetit do t’i humbin gjurmët e memoareve. Sido që të veprojnë, populli shqiptar në Maqedoni nuk do t’ua falë kurrë poshtërsitë që i kanë bërë në emër të Bashkësisë Fetare Islame.

Përveç një njeriu me shpirt udbashi si Sulejman Rexhepi, kush ka bërë deri sot një fyerje më të rëndë si në aspektin fetar ashtu edhe në atë kombëtar? Askush!

Pas dhunës në Tanushë, vrasjeve në Vaksincë, vrasjes në Haraçinë, vrasjeve në Shkup, vrasjeve në Fushë të Pollogut dhe vrasjeve në Malësi të Sharrit, Sulejman Rexhepi, Kryetari i Bashkësisë Islame në Maqedoni, e lutë Allahun ta bekojë Nikolla Gruevski, kriminelin që i ka duart e përgjakura me gjak shqiptarësh.

 

(Po ia bashkëngjis lidhjen e internetit  për ata që dëshirojnë ta shohin këtë video, para se Shërbimi i tij Informativ të kërkojë ta fshijë nga interneti).

Në reagimin e tyre ndaj meje pjella e udbashëve të Kryesisë së Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, me paturpësi, flet për “fushatë antinjerëzore kundër Sulejman Rexhepit”! Çka mund të jetë më antinjerëzore për mijëra familje shqiptare, të besimit mysliman, të cilëve iu janë vrarë, plagosur, torturuar dhe dënuar anëtarët e familjes, madje edhe me burg të përjetshme, nga regjimi terrorist i Maqedonisë, se sa akti i poshtër kur ky kryetar i Bashkësisë Fetare Islame, e lutë Allahun ta bekojë krye kriminelin e këtij regjimi, Nikolla Gruevskin? Asgjë nuk mund të jetë më antinjerëzore, më anti-shqiptare dhe më anti-islame se veprimi i Sulejman Rexhepit.

Sulejman Rexhepi dhe pjella tjetër e udbashëve, që kanë uzurpuar Bashkësinë Fetare Islame me ndihmën e shërbimeve sekrete sllave, jenë faqja e zezë e islamit në Maqedoni. Ata dhe të afërmit e tyre, nën mburojën e Bashkësisë Fetare Islame, janë bërë sinonim i drogës, kazinove, korrupsionit dhe keqpërdorimit të “Zekatit” që japin besimtarët islamë. Pas përfundimit të shkrimeve lidhur me dëmin që i kanë bërë dhe i bëjnë popullit tonë shërbëtorët e shërbimeve sekrete sllave, nëse e shoh të nevojshme, do t’i kthehem edhe këtij aspekti të veprimtarisë së tyre. Edhe nëse do të përpiqen t’i zhdukin gjurmët e krimit do t’u sjell fakte sa të duan!

Të rrethuar në familje dhe në punë nga njerëz të shërbimeve sekrete sllave, Sulejman Rexhepit dhe pjellës së këtij lloji u duken edhe të tjerët si pjesë e shërbimeve serbo-sllave.

Sa për kërcënimet që m’i bëjnë se do të merren me mua “organet e drejtësisë”, udbashëve të llojit të Sulejman Rexhepit, shërbimeve sekrete sllave dhe organeve të tyre të drejtësisë ua çoj një urim me dy shkronjat e këngës së Adelina Ismailit.

Në rrafshin fetar, shqiptarët e besimit mysliman meritojnë të përfaqësohen nga njerëz që nuk e lusin Allahun t’i bekojë kriminelët e llojit të Nikolla Gruevskit, që i kanë duart me gjak shqiptari!  As UDB-ja nuk do të mund t’i mbajë gjatë udbashët që kanë uzurpuar kreun e BFI-së. Pakënaqësitë e mëdha të besimtarëve do t’ua tregojnë vendin e merituar bashkëpunëtorëve të sigurimeve sllave: nga nofkat “Zjarr”, “Prush”, “Zhar-Zharko” nuk do të mbetet asgjë, pos hirit të lagur!


BARDHYL MAHMUTI HALË NË SY TË POLICISË ANTISHQIPTARE SERBE, MAQEDONASE DHE TË SULEJMAN REXHEPIT

Shkruan Andi Rakipi-10.06.2018

Sulejman Rexhepi, i reagoi Bardhyl Mahmutit! I reagoi jo se ky foli kundër hoxhallarëve ish-bashkëpunëtorë të UDB-së por,

sepse Bardhyl Mahmuti ia përmend memoaret dhe thërret në pranimin e këtyre memoareve si literaturë bazë që flasin për bashkësitë fetare si filiale të UDB-së, sidomos BFI-ja e Mulla Sulës, i cili, ka qenë aq i afërt me UDB-në sa kjo strukturë antishqiptar ia mundësoi që hoxha Mulla Sula të punojë edhe në policinë maqedonase, në sektorin e pasaportave për të huaj. Çfarë faji ka këtu Bardhyl Mahmuti

Me mijëra e mijëra qytetarë të Maqedonisë por edhe anekënd botës shqiptare, që nga maji i vitit 2015 kanë filluar një fushatë të paparë kundër Sulejman Rexhepit, uzurpatorit të BFI-së!Deri më sot, nuk pati zuzë me iu kundërvënë asnjërit, nuk polimizoi me askend dhe, sapo doli intelektuali i nderuar gjithëkombëtar, Bardhyl Mahmuti, me një shkrim tepër korrekt, me një recension mbi veprën e Sulejman Rexhepit DROMCA MEMOARSH: KUSH MA SHANË KOMBIN MA KA PREKUR FENË, uzurpatori të BFI-së, Mulla Sulës, i dogji rrota dhe u përpoq të reagojë në stilin e një diletanti të paparë.

Po pse i reagoi patriotit të pakontestueshëm, veprimtarit të grupit të shokëve që e sollën pavarësinë e Kosovës, pse pikërisht u ngrit kundër Bardhyl Mahmutit? Sepse, Sulejman Rexhepi është i brumosur me urrejtjen kundër “nacionalistëve dhe seperatistëve shqiptarë”, siç ishte dikur Bardhyl Mahmuti në sytë e policisë serbo-sllave. Shumë spiunë e bashkëpunëtorë të UDB-së (mbase në mesin e tyre edhe Sulejman Rexhepi) kanë qenë të stërvitur për t’i ndjekur deri në likuidim Bardhyl Mahmutin me shokët e tij. Bardhyl Mahmuti, falë kontributit të tij kombëtar në prishjen e ëndërrallave serbo-maqedonse, ai edhe sot e kësaj dite urrehet si nga shërbimet intelegjente maqedonase ashtu edhe nga ato serbe, si dhe nga shqiptarët që janë vegla të këtyre shërbimeve. Prandaj reagon Sulejman Rexhepi, kundër Bardhyl Mahmutit i cili, asgjë të keqe nuk bën përveçse bazohet në memoaret e Sulejman Rexhepit për të treguar se çfarë roli idiotik kishin disa Sulejman Rexhepa (teologë në radhët e bashkësive islame) derisa Bardhyl Mahmuti me shokë po sakrifikonin për ta sendërtuar ëndërrën e shqiptarëve: për ta shpallur Kosovën Republikë dhe shtet të pavarur.

Bardhyl Mahmuti në faqet e historisë kombëtare do të ngelë si personalitet kombëtar jashtëzakonisht i çmuar, me merita kombëtare të padiskutueshme, një patriot vetëmohues, një intelektual i kalibrit të lartë, një politikan me një diplomaci aktive, shumë intensive, duke korrur simpati dhe dashuri të shteteve që po i bombardonin serbët deri në çlirim të Kosovës. Kjo figurë markante gjithëkombëtare do të mund t’i pengonte vetëm Serbisë, Maqedonisë dhe Sulejman Rexhepit.

Sulejman Rexhepi nuk dëshiron që të kërkohen spiunë në mesin e BFI-së dhe hoxhallarëve. Spiunët mund të kërkohen te mësuesit, te mjekët, te berberët, te gazetarët, te punëtorët nëpër fabrika por jo edhe në BFI. Sepse, autoimatikisth, sinonim i spiunimit të hoxhallarëve të BFI-së do të dilte Sulejman Rexhepi. Sulejman Rexhepi ishte i vetmi klerik në Maqedoni që nuk pranonte të lustrohet, sepse, automatikisht do të dilte me dy këmbë brenda recidivëve të UDB-së.

Sulejman Rexhepi reagimin e vet e nisë duke e quajtur Bardhyl Mahmutin si “pjesë e shërbimeve serbo-sllave”! Dakord! Pse Sulejman Rexhepi nuk ngrit iniciativë për themelimin e një komisioni shtetëror ad hoc për t’u lustruar vetëm dy persona: Bardhyl Mahmuti i “shërbimeve serbo-sllave” dhe Sulejman Rexhepi “Reis i BFI-së”? Pikërisht për shkakun se BFI-ja e Sulejman Rexhepit do të na dilte si bastion i udbashëve dhe si filiale e UDB-së! Kurse Bardhyl Mahmuti do të vlerësohej si “nacionalis dhe seperatist shqiptar”, pikërisht i atillë të cilët Mulla Sula i luftonte me pasion duke mbajtur seminare nëpër xhami e duke folur me plotë “zhar”! Shkrimin kundër nacionalizmit dhe seperatizmit shqiptar të cilin e botoi në Takvim më vitin 1987 nuk ia shkroi Bardhyl Mahmuti “i shërbimeve serbo-sllave”!

Sulejman Rexhepi i drejtohet “kombit shqiptar”, tamam si një manjak, duke menduar se është prijës i mbarë kombit! I ankohet se paska filluar një fushatë kundër tij, ndërkohë që këtë fushatë kundër Sulejman Rexhepit e drejton mbarë KOMBI SHQIPTAR. Pra, nuk ka shqiptar nga gjiri i këtij kombi që nuk e urrenë Sulejman Rexhepin, pikërisht për shkak të vlerave të tij antishqiptare.

Sulejman Rexhepi sillet si ajo plaka e përdalë, e cila, pasi e hëngër, i thotë jaranit “ta mbylli derën me shul se po na zë dikush”! Tash e tri vjet ka nisur t’i publikojë memoaret e veta, kurse, tani, me gjasë pas shumë kritikave nga fëmijët e vet, nga punëdhënësit e tij, bën përpjekje që t’i mohojë se janë të tijat. Këtë vepër mundohet t’ia ngjesë atyreve që në maj të 2015 paskan synuar që “përmes puçit ta marrin BFI-në në duart e veta”!

Memoaret janë revokim i kujtimeve personale, në të cilat askush nuk mund të depërtojë e as të ketë autorësi! Memoaret janë nxjerrje e rrëfimeve nga kujtesa dhe palosja e tyre me mjeshtri nëpër faqet e librit. Është më se e qart që Sulejman Rexhepi është injoranti i vetëm në mesin e kombit shqiptar i cili kurrë në jetën e vet nuk ka shkruar qoftë një fjali, kurse ka plotë vepra në emër të tij! Si injorant, Sulejman Rexhepi mund t’ia ketë rrëfyer dikujt rrëfimet nga kujtesa e vet dhe ta ket lutur që t’i shkruajë, sepse, asnjë kriminel në botë nuk mund të vdesë i qetë pa i rrëfyer të bëmat e tij gjatë jetës. Pas rrëfimit mendon se vdekjen do ta presë i paqtë dhe i qetë. Ky është motivi që i nxitë kriminelët të rrëfehen, në formë memoaresh. Është edhe kategoria tjetër e memoarëshkruesve të cilët në fund të jetës së veti lënë memoaret vetëm sa për ta hequr qafe tërë atë bagazh akuzash e ankesash ndaj tij deri sa ka qenë faktor në këtë jetë. Le të trgojë Sulejman Rexhepi se çfarë faktori ishte jasht rolit të “ZHARKO”-s?! Ishte vetë konstatues sekret! Në VOA do ta deklarojë konstatimin se FRI-ja është struktur e shërbimeve sekrete maqedonase, ndërsa sot, të njëjtën strukturë e ka futur ne BFI-në e tij duke ia dhënë Myftininë më të madhe në vend, atë të Shkupit, e cila gjithnjë ka qenë cak i shërbimeve sekrete maqednase, qe nga paslufta e dytë botërore e këndej!

Memoaret e Mulla Sulës, 114 të tillët, në vete ngërthejnë hiç më pak se 562 rrëfime në të cilët ka marrur pjesë vetë Mulla Sula! Nëpër këto rrëfime ka momente, ka ngjarj, ka raste dhe personazhe akoma të gjallë. Asnjë nga këta personazhë nuk i mohojnë apo nuk reagojnë kundër atyre rrëfimeve, sepse, pa dyshim, që të gjitha janë të vërteta. Pak rëndësi ka se kush i ka shkruar ato rrëfime, me rëndësi është që janë të rrëfyera nga Sulejman Rexhepi dhe, ato rrëfime i kanë të njohur të paktën nja 20-30 persona në Maqedoni. Mulla Sula gjatë sefasë në sofrën e KONAK-ut nuk bën gjë tjetër prveç që i evokon këto kujtim me plotë ngjarje, storie e personazhe!

Me tej, për të larë mut me shurrë, Mulla Sula thotë se memoaret qenkan pjesë e atyreve që e shkaktuan “puçin” në maj të 2015. Po pse Sulejman Rexhepi nuk e thotë të vërtetën: ai me një puç klasik edhi në BFI, me përkrahjen e Menduh Thaçit, Agim Krsniqit dhe Afrim Tahirit. Dhe, ashtu si erdhi, ashtu siç e sollën, ashtu edhe do të ikë pikërisht nga ata që e sollën. Kjo është e vërtetë si Zoti që është Një!

Maji i viti 2015 në fakt shënon fillimin e çlirimit të BFI-së nga kthetrat e pista të Sulejman Rexhepit; shënon fillimin e zbërthimit të munafikllëkut të Sulejman Rexhepit dhe të klikës së tij; shënon fillimin e përplasjes së të vërtetës për dhjetra fytyra të Sulejman Rexhepit, prej hoxhës injorant e cirkusant deri te rrënuesi dhe shkatërruesi i BFI-së; shënon fillimin e zbërthimit të Sulejman Rexhepit si hajn, si zhvatës, si kriminel, si i korruptuar, si nepotist, si bashkëpunëtor aktiv i shërbimeve sekete serbo-maqedonase; shënon zbërthimin e familjes së Sulejman Rexhepit si bixhozxhinjë, zinaxhinjë, rakixhinjë, keqpërdorues të vakëfit, të fitrit, zeqatit, si bashkëpunëtorë e miq të kriminelëve dhe spiunëve. Pra, fillimi i majit të 2015 në faqet e historisë së BFI-së por edhe të historisë kombëtare do të ngelë si datë e fillimit të luftës më të paepur dhe më të paparë kundër kuisilingëve të strukturave antishqiptare e antiislame në Maqedoni. Kjo datë shëno epokën e një nisme për një zhvillim ndryshe, binareve të fesë e të kombit, të BFI-së.

Sulejman Rexhepi i këcënohet Bardhyl Mahmutit se me të do të merret drejtësia e Maqedonisë! Pra, gjyq do t’i bëjë shteti! Më mirë gjyqin të ta bëjë shteti se sa të ta bëjë kombi, siç po ia bënë Sulejman Rexhepit. Fundja, Bardhyl Mahmuti është mësuar me gjyqe të montuara politike serbo-maqedonase, ndaj të cilave ka dalër ngadhnjimtarë dhe kokëlartë. Bardhyl Mahmutin e ka paditur vetëm policia serbe, policia maqedonase dhe Sulejman Rexhepi. Sido qoftë, më mirë është t’i bëhesh jaraneshë gomarit, apo kurban gjarpërit, se sa të të gjykojë populli! Këtë situatë për momentin është duke e përjetuar Sulejman Rexhepi.

p.s.
Në inboxin e facebuk-ut tim kanë deponuar deklarata 16 persona, bashkëpunëtorë aktual të tij por edhe persona dikur miq të ngushtë të Sulejman Rexhepit, të cilët në çdo moment janë në gjendje që publikisht të dëshmojnë se, të gjitha ato memoare, me ato rrëfime brenda tyre, i kanë të dëgjuar nga vetë Sulejman Rexhepi dhe se, 90 përqind prej tyre janë më se të vërteta. Pak rëndësi ka se kush i ka shkruar, rëndësi ka që memoaret dhe rrëfimet brenda tyre janë autentike të Sulejman Rexhepit. Pikë!


Ezani dhe Kibla, përse janë kaq të rëndësishëm për myslimanët!?

Mustafa Bajrami-12.06.18

Ezani dhe Kibla janë dy simbolet më të rëndësishme në jetën e myslimanin. Janë frymëzues indikativë dhe orientues në kohë dhe hapësirë.  Në rrafshin psikologjik kanë luajtur rol rëndësishëm në mbajtjen tok të shoqërisë myslimane. Nuk ka sekondë e të mos thirret diku në botë ezani, sikur që nuk ka sekondë e të mos jetë dikush i kthyer kah Kibla. Përnjëmend janë të veçantë, sepse janë universalë dhe janë unikë, sepse, përveç tjerash, kanë lidhje edhe me namazin, a namazi është shtylla e fesë islame.

Janë disa momente, disa ngjarje dhe disa fakte që lidhen me disa vende ku mes vete krijohen lidhje të përjetshme. Ezani, Kibla, namazi e të ngjashme janë momentet kyçe që Kudsin e bëjnë shumë të shtrenjtë për myslimanin.

Pra, ezani në rrafshin kohor është fryma e cila shtrihet prej ditëve të para të Islamit e deri më sot, ndërsa në rrafshin hapësinor, prej një skaji të botës në skajin tjetër. Ezani përfshin të gjitha nivelet intelektuale, reflekton në fusha të besimit, nxit veprime të moralshme dhe ndikon në sjelljet tona. Gjithsesi, ezani gjen shtrirje edhe në marrëdhëniet mes njerëzve, mes komuniteteve dhe popujve të ndryshëm. Secili rrafsh nga këto përmban dimensione të shumta, andaj, temë e mirë për ezanin do të ishte ajo që punohet duke i marrë parasysh të gjitha këto dimensione. Por, siç thotë edhe Kur’ani: “Po edhe nëse nuk i bie shi i madh, i bie një rigë (që i mjafton)” (el-Bekare, 265), nisma jonë për të trajtuar këtë temë le të konsiderohet një përpjekje modeste jona për të hedhur dritë mbi çështjen e cila, megjithëqë është “pronë” e miliarda myslimanëve, për çudinë e shumëkujt tek ne disa herë është përfolur keqazi nën pretekstin e zhurmës që po i shkaktuaka qytetarit.

Çështja e ezanit është çështje besimi në Një Zot, është thirrje për ta falënderuar Zotin dhe për t’i rënë në sexhde Atij. Kjo çështje ndërthurë relacionet shumëdimensionale të unit mysliman, relacionet shpirtërore, sociale, ekonomike e politike. Me ezanin feja islame shpall vetveten sistem unik, ku, si lëvizje krijuese e përbashkësisë njerëzore do të pranohet gjithandej nëpër botë.

Kur Islami filloi të përhapet, shoqërisë së parë myslimane po i bashkoheshin kultura e civilizime të ndryshme. Njerëz e shoqëri të tëra ndikoheshin shumë nga ezani. Universaliteti i Islamit manifestohej sidomos nëpërmes ezanit. Popujt që hynin nën ombrellën e fesë islame, ndërkaq, vërenin frymën e afërsisë mes vete njashtu siç vërejnë banorët e sipërfaqes së tokës rrotullimin e tyre rreth Diellit. Ezani arriti të bëhet mjet unifikimi. U bë thirrja më e fortë për bashkim, pa marrë përsyshë racën, gjuhën apo ngjyrën e lëkurës së njerëzve.

Në rregull, por çka është ezani?

Ezani është thirrja e cila i lajmëron njerëzit për kohët e namazit. Nuk është kusht i fesë, por është njëri prej riteve më kuptimplota të fesë islame. Edhe pse ka pak fjalë, përfshin themelet e besimit. Fillon me deklarimin e madhështisë së Zotit, thotë se Ai është Një, mohon politeizmin dhe dëshmon se Muhamendi a.s. është i dërguar i Allahut. Ezani proklamon mirëqenien e përgjithshme, na thirr t’i kthehemi vlerave hyjnore, dhe në fund, duke u përqendruar prapë në Njësinë e Zotit, dëshmon se nuk ka Zot tjetër pos Allahut. “Po të dinin njerëzit se çfarë vlere ka ezani dhe rreshti i pare gjatë faljes së namazit me xhemat, ata do të garonin për të”, kishte thënë Muhamedi a.s. Teknikisht, thirrja e ezanit është sunnet-i muekkede në pesë kohët e namazit, për namazet kaza dhe në namazin e xhumasë. Ezani dhe ikameti këndohen në drejtim të kibles. Zyrtarizohet në vitin e parë pas hixheretit të Muhamedit a.s. në Medine.

Tjetër… janë dymbëdhjetë ajete të sures el-Bekare që flasin për Kiblen. Prej ajetit 142 e deri tek 154 Kur’ani vlerëson peshën dhe filozofinë e Kibles. Nëpërmes këtyre ajeteve Kur’ani do të prekë edhe disa tema të tjera që kanë të bëjnë me shoqërinë myslimane, me refleksionet e Kibles së re të tyre si dhe me konsistencën i mësimeve të Islamit karshi imitimeve symbyllazi që i bëjnë njerëzit dhe shoqëritë e ndryshme. Rreshtat në vijim, pra, janë shtjellim i fakteve përse Kur’ani zgjedh një gjuhë kaq specifike teksa flet për Kiblen dhe përse unë e shoh këtë çështje të ndërlidhur ngushtë edhe me Kudsin e jo vetëm me Qaben në Arabi.

Për ezanin thamë se duhet kthyer kah Kibla teksa e lexojmë. Thamë gjithashtu se është fryma e cila në rrafshin kohor shkrihet prej ditëve të para të Islamit, ndërsa në rrafshin hapësinor, prej një skaji në skajin tjetër të botës. Fryma dhe mesazhi i ezanit depërtojnë kudo në botë. Dhe, meqë bota lëvizë në mënyrë harkore, grimcat reflektuese të ezanit shpërndahen gjithandej në ekzistencë. Folur simbolikisht, Kibla e myslimanëve ka domethënien e lëvizjes harkore dhe të orientimit ka një pikë e caktuar. Ka një pikë ku buron frymëzimi për të qenë bashkë dhe për t’u bashkuar barabarsisht edhe me të tjerët.

Për ta kuptuar këtë edhe më mirë, fillimisht duhet të themi se çdo gjë që ekziston në mikrokozmikë dhe makrokozmikë, i nënshtrohet ligjit të lëvizjes, të rrotullimit. Nga lëvizjet qarkore të entitete buron energjia centrifugale dhe centripetale e tyre. Logjikisht dhe nga këndvështrimi matematikor është e vërtetuar se nga lëvizjet rrotulluese krijohet harmonia mes pjesëzave dhe tërësisë së tyre. Siç është e ditur, në natyrë çdo gjë lëvizë, ose në mënyrë harkore ose në ndonjë formë tjetër të lëvizjes. Ama, gjithsesi çdo gjë lëvizë. Është ligj i Zotit ky. Përderisa kozmosi është manifestimi i ligjshmërisë makrokozmike, atomi është manifestimi i ligjshmërisë mikrokozmike. Pjesëzat e atomeve si, neutronet, elektronet dhe të tjerat lëvizin pandërprerë dhe në mënyrë qarkore. Njëjtë sikur ato, në galaktikën e largët gjallëron po e njëjta lëvizje e trupave qiellorë. Ata trupa sillen në hapësira të caktuara dhe rrotullohen përreth ndonjë trupi tjetër qiellorë. Ky ligj i rrotullimit vlen edhe për botën shpirtërore dhe shoqërore. E, meqë “el-Kur’anu kevnun natikun, ve’l kevnu Kur’anun samitun”, Kur’ani është gjuha e natyrës që flet, ndërsa natyra është gjuha e Kur’anit që hesht, atëherë nuk është e çuditshme pse Kur’ani nuk mund të mos e kishte përmendur këtë ligjshmëri të Zotit.

Të gjitha këto i përmenda për të ardhur tek fjala bosht e kësaj teme, tek Kibla e cila përkrah ezanit është hapësira më frymëzuese shpirtërore e Islamit. Është epiqendra rreth së cilës rrotullohen myslimanët dhe së cilës i drejtohen asaj. Myslimanët tek Qabja, që është Kibla e tyre, gjejnë frymëzimin për t’i njohur ligjet e Zotit dhe për t’i vënë në praktikë. Kibla, pra, nuk është Qabja si Qabe, por është hapësira ku është e përqendruar Qabja.

Çka në fakt është Kibla?

Tekstualisht, Kibla është ana e botës kah e cila kthehen myslimanët në namaz. Ajo është simboli i universalitetit të Islamit. Nuk është as Lindje as Perëndim, por është epiqendër. Është pika simbolike dhe faktike rreth së cilës drejtohen dhe rrotullohen myslimanët. Është qendra e cila gjendet në Mekë, është burimi i shpirtit islam dhe frymëzuesja më markante për myslimanët. E rëndësishmja e Kibles qëndron mbi atë se është universale dhe unike, është vendi ku çdo mysliman e ripërtërinë shpirtin e tij individual dhe shoqëror. Individual teksa kthehet kah ajo në namaz, e shoqëror teksa e kryen haxhin. Kjo hapësirë nuk është abstraksion, por është e “prekshme” dhe fle thellë në shpirtin e myslimanit.

Historikisht dihet se myslimanët në fillim kur falnin namazet e tyre ktheheshin kah Kudsi Sherifi. Sipas asaj që mësojmë nga ajetet e Kur’anit, kthimi i tyre kah Kudsi ishte i përkohshëm. E vërteta është se ky ishte një hap strategjik i Muhamedit a.s. në raport me hebrenjtë dhe të krishterët. Nëpërmes këtij veprimi Kur’ani tregon kontinuitetin e Shpalljes. Tregon se Muhamedi a.s. ishte vazhdimi i zinxhirit të profetëve para tij dhe i fundit në historinë e Shpalljes. Ky veprim strategjik i Kur’anit i bënte me dije njerëzit se Muhamedi a.s. ishte i të njëjtës fe që ishte edhe Musai edhe Isai a.s. Kthimi kah Mesxhidul Aksaja në Kuds, Muhamedit a.s. dhe myslimanëve të parë nuk i pengonte fare. Qenësore për ta ishte falja e namazit, vënie e kokës në sexhde për hir të Allahut dhe pika rreth së cilës kishin nevojë myslimanët të tuboheshin. Dhe, kjo është ajo që e bënë të shenjtë dhe të shtrenjtë Kudsin. Kudsi, Kibla e parë e myslimanëve, nuk është diçka politike, nuk mund të shpjegohet vetëm me terme politike e as nuk mund të falet lehtë. Kibla e parë e myslimanëve është pronë shpirtërore përbashkët e myslimanëve. Ajo nuk mund t’i dhurohet askujt e as t’i merret lehtë myslimanëve. Kibla, pra, sikur edhe ezani është pronë e miliardave njerëzve që jetuan dikur e shkruan, e këtyre që jetojnë sot dhe e gjithë të tjerëve që do të vijnë deri në Ditë të Kijametit.

Megjithatë, edhe pse Kudsi e ka këtë peshë për myslimanët, edhe pse ishte drejtimi kah i cili ktheheshin ata në namaz, si qendër inspiruese që ishte dhe si vend i shenjtë që e njihnin myslimanët për të tillë, Kudsi nuk arriti dot të reflektonte energjinë centrifugale dhe centripetale të Islamit. Këtë nder dhe këtë përparësi e pati vetëm Qabja, gjëja më e dashur e profetit dhe nderi e krenaria më e madhe e gjithë myslimanëve.

Pastaj, në kohën kur myslimanët në namazet e tyre ktheheshin kah Kudsi, Kudsi në atë kohë ishte Kibla edhe e të krishterëve dhe hebrenjve. Siç mësojmë nga ajetet 145 dhe 149 të sures el-Bekare, nga frika e mosmarrëveshjeve të mundshme që mund të ndodhnin mes myslimanëve dhe të tjerëve, sepse edhe dukej se një pjesë e të krishterëve dhe hebrenjve do të mbesin në fenë e tyre, Muhamedi a.s. një ditë u kthye me fytyrë kah qielli dhe shpresoi për zgjidhjen e kësaj çështje. Kështu, në muajin Sha’ban të vitit të dytë pas hixhretit zbret ajeti i cili urdhëron myslimanët të kthehen kah Qabja. Tani më definitivisht po përcaktohej drejtimi i Kibles së myslimanëve. “Ne shumë herë po shohim kthimin e fytyrës tënde kah qielli, e Ne gjithqysh do të drejtojmë ty në drejtim të një kibleje (Qabja) që ti e do atë. Pra, kthehu anës së xhamisë së shenjtë dhe kudo që të jeni (o besimtarë) kthehuni kah ajo anë. E atyre që u është dhuruar libri, ata e dinë sigurisht se kjo (kthesë) është e vërtetë nga Zoti. E Allahut nuk mund t’i fshihet ajo që veprojnë ata” (el-Bekare, 144).

Thamë se Kibla është diçka më shumë se vetëm Qabja për myslimanët. Është interesant fakti se kur Kur’ani flet për Kiblen, flet edhe për pozicionin e shoqërisë myslimane që duhet ta kenë. “Ve kedhalike xhe’alnakum ummeten vasaten” ishte përgjigjja ndaj hebrenjve të cilët rrotullimin rreth Qabes e shihnin një formalitet të thatë. Ata nuk e dinin se tubimi rreth një kible për myslimanët kishte rëndësi më të madhe se sa vetëm një kthim teknik kah Qabja. Ata nuk mund ta kuptonin rolin e gjithë kësaj. Të krishterët gjithashtu nuk e kuptonin se kthimi i myslimanëve ka Kibla e re, ishte tolerancë në përmasa të një tërheqje strategjike nga konflikte të mundshme mes tri feve monoteiste. Ky ajet tregon për pozitën e mesme që e mban Islami. Tregon se feja islame ishte lufta e pa kompromis kundër skajshmërive.

Feja islame ishte kompromis në vete mes ekstremeve. Ishte thirrja për zbutjen e teheve të skajshme, jo vetëm politike, por e të gjitha veprimtarive tjera shoqërore. Ç’është e vërteta, Islami u përqendrua në kompromisin mes materies e trupit nga njëra anë dhe shpirtit e frymës nga ana tjetër. Mes dunjasë dhe ahiretit. Mes ndjeshmërisë dhe arsyes, mes vlerave morale-shpirtërore dhe të mirave materiale. Të gjitha këto Islami i shihte si anë të ndryshme të një tërësie të vetme. Njeriu, sipas Islamit është edhe shpirti edhe materia. Ai ka nevojë për të mirat materiale dhe për vlera shpirtërore, sepse, secila nga këto ka domenin e vet dhe funksionet që duhet t’i kryejnë. Shikimi i njëanshëm në njeriun paraqet njëanshmëri të rrezikshme e cila pamundëson të shihet e vërteta si tërësi. Aty ku humbet baraspesha, aty niset rruga pa krye kah katastrofa. E sotshmja është dëshmitare e prishjes së kësaj balance. Dëshmitare e humbjes së pozitës së mesme, aty ku puqet materia me shpirtin.

Pastaj, në ajetin 145 të po kësaj sureje Kur’ani i tërheq vërejtjen Muhamedit a.s. se as hebrenjtë e as të krishterët nuk do ta pranojnë Kiblen e myslimanëve. Ajeti i bën me dije myslimanët se pas do kohe edhe ata do ta kenë Kiblen e tyre. Ajeti lë të nënkuptohet se rrotullimi rreth të mirës, rreth të virtytshmes është gjëja më e rëndësishme. Rrotullimi kah një anë apo një pikë e caktuar gjeografike ka vlerë vetëm për aq sa ajo reflekton të mirën shoqërore. Ky ajet dhe të tjerët si ky lënë të nënkuptojnë sikur Kur’ani po i bënë thirrje të krishterëve dhe hebrenjve duke u thënë: “O ju të krishterë, hebrenjtë dhe o ju myslimanë; silluni kah të doni, por bëni vepra të mira dhe në vepra të mira konkurroni njëri tjetrin (festebeku’l-hajrat). Kjo është qenësorja e të gjitha lëvizjeve, formaliteteve dhe veprimeve tona. Vetëm për aq sa jemi të mirë, për aq sa jemi kontribuues për shoqërinë, për aq kemi kuptuar domethënien e lëvizjes dhe rrotullimit, të cilën e përmend Kur’ani.

Është indikative se këto ajete që flasin për Kiblen, flasin gjithashtu edhe për dëmin që vjen nga pasimi symbyllazi i të tjerëve. Fjala “Leintteba’te ehvaehum”, ishte vërejtje serioze ndaj Muhamedit a.s. dhe gjithë myslimanëve. Kur’ani u thotë se nuk bënë të jenë kopjues e pasues të të tjerëve vetëm pse u bie më lehtë. Duhet të jenë vetëmohues dhe të kenë elan për punë. Kjo vërejtje do të vlente edhe për dijetarët e mëvonshëm myslimanë të cilët mbyllën derën e ixhtihadit dhe filluan pasimin qorrazi të dijetarëve të mëhershëm. Në këtë kohë u përhapën keqinterpretime dhe bidate të ndryshme. Disa nga ata që përtonin të ballafaqoheshin me probleme, duke mos shikuar në nevojat e kohës dhe duke mos i përcjellë dinamikat e saj, u treguan tolerantë edhe aty ku nuk duhej të tregoheshin. Mos të harrojmë, Muhamedi a.s. kishte arsye të tregohej oportunist ndaj devijimeve më shumë se sa dijetarët myslimanë që u treguan të tillë ndaj bidateve. Muhamedi a.s. nuk u tregua luajal ndaj devijimeve dhe të ligave. Ishte këmbëngulës dhe kundërshtar i rreptë ndaj imitimeve. Ai iu rrek problemeve dhe me ngulm punoi t’i zgjidhte ato. Po mos të ishte i tillë Muhamedi a.s, si do të mundte të krijonte një shoqëri të pavarur dhe konsistente në përmasa të një civilizimi? Po ti mbyllte sytë para devijimeve dhe po të heshte para të ligave që vinin nga imitimet symbyllazi, a do të mund të krijonte atë shoqëri kaq të konsoliduar?

Përndryshe, rëndësia e Qabes që është në pozicionin e Kibles, nënkupton rrotullimin e lëvizjes harkore të shoqërisë myslimane, dhe duke u rrotulluar ashtu, shoqëria islame tërheq rreth vetes “grimcat” e saja dhe i mbështetë ato. Edhe pse rrotullimi rreth Qabes në fakt është ritual obligativ, si rrotullim edhe simbolik që është, Qabja i tejkalon përmasat e vetëm një ndërtese. Tekefundit, përveç gurit të zi që ka domethënie historike-fetare, ajo nuk ka ndonjë gjë tjetër të jashtëzakonshme. Si ndërtesë është ndërtesë sikur të gjitha ndërtesat. Ajo që e bënë Qaben të jashtëzakonshme, është pikërisht fryma dhe shpirti që reflekton ajo. Nisur nga këtu dhe duke përfunduar temën, duhet të shtoj edhe atë se njeriu sot është në kërkim të një “kible” të përbashkët rreth së cilës duhej të sillej njerëzimi. Një “Kibël” që do ta frymëzonte njeriu modern për t’i shpëtuar tundjes që e ka kapluar. Njeriu sot është i tendosur, i hutuar dhe është duke e luftuar vetveten si asnjëherë më parë. Ai e ka prurë vetveten aty nga ku nuk e ka të lehtë të dalë pa pasoja. Me dorën e vetë e zhvilloi shkencën dhe teknologjinë, dhe me dorën e vet po e vret vetveten. Megjithatë shpresat nuk bënë t’i humbim. Zoti është i Madh. Ai është ndihmëtari më i mirë.

Sot njeri ka nevojë për një “kible” më shumë se kurdoherë më parë.


Mohimi i gjuhës, kulturës, historisë dhe figurave kombëtare shqiptare në shërbim të propagandës serbe

Bardhyl Mahmuti-13.06.18

Referencat që citohen më poshtë janë të mjaftueshme, për t’u bindur se Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Serbisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Maqedonisë në vend të institucioneve shkencore, janë shndërruar në “kuzhina”, ku gatuhen falsifikimet e fakteve historike në funksion të mobilizimeve politike kundër shqiptarëve. Argumentet dëshmojnë në mënyrë të pakontestueshme se, që para një shekulli, kuzhinat antishqiptare nxorën në tregun e tyre të brendshëm dhe atë ndërkombëtar pretendimet “shkencore”, se gjoja “në Kosovë nuk ka pasur shqiptarë para ardhjes së Perandorisë Osmane”, se kinse “shqiptarët janë serbë të islamizuar, të cilët,  me ndihmën e Perandorisë Osmane, kanë pushtuar territoret serbe”, se gjoja “shqiptarët nuk kanë historinë e tyre dhe as personalitete historike”, se gjoja “shqiptarët vjedhin historinë serbe dhe maqedonase”, se gjoja “shqiptarët vjedhin figurat e shquara të popujve të tjerë”, se gjoja “Skënderbeu nuk është Hero Kombëtar shqiptar, por trim serb”, se gjoja “Nënë Tereza nuk është shqiptare, por vllahe” e kështu me radhë.

Në kontekstin historik të shpartallimit të Perandorisë Osmane dhe të hapjes së procesit të krijimit të shteteve kombëtare në Ballkan, strategjia serbe u mobilizua si asnjëherë më parë, për t’i përshkruar sa më zi shqiptarët. Për një kohë të shkurtër u botuan me qindra vepra nga historianë, gjuhëtarë, etnologë dhe njerëz të fushave të ndryshme, me të vetmin qëllim, që shqiptarët të paraqiteshin si popull që nuk meriton të ketë shtetin e vet në Ballkan.

Nëse i analizojmë këto vepra, të cilat u krijuan në funksion të strategjisë politike, mund të veçojmë disa shtylla të saj në raport me aktualitetin tonë.

Fillimisht po përmend mohimin e prejardhjes ilire të shqiptarëve dhe këmbënguljen e tyre, se “shqiptarët janë krijesë e Perandorisë Osmane”. Kështu, historiani Marko Markoviq, hedh poshtë si të pavërtetë prejardhjen ilire të shqiptarëve dhe këmbëngul se “deri në shekullin e XVII nuk ka pasur shqiptarë” (Marko Marković, “Pravoslavlje i novi svetski poredak”- Në shqip: Ortodoksia sllave dhe rendi i ri botëror). Historianët që kishin hyrë në shërbim të krijimit të shtetit të Serbisë, i cili do të shtrihej edhe në një pjesë shumë të madhe të Shqipërisë, krijuan dhe përhapën tezën, se gjoja “para ardhjes së turqve, Kosova dhe pjesa më e madhe e territorit të Shqipërisë ishin tërësisht serbë. Madje ““termi” shqiptar nuk simbolizon një popull të veçantë, por është një term gjeografik ku kanë mundur të jetojnë serbë, turq, grekë e hebrenj””(Spiridon Gopčević, “Stara Srbija i Makedonija”- Në shqip: Serbia e Vjetër dhe Maqedonia).

Si në kor, shumica absolute e historianëve serbë mbështetin tezën se ““shqiptarët nuk kanë ekzistuar si popull, ata janë serbë të konvertuar në fenë islame. Ata nuk janë as “arbanasë”, as “arnautë” e as “albanezë”. Ata kanë qenë dhe janë serbë pastër””! (Tomo Oraovac, “Arbanaško pitanje i srpsko pravo”- Në shqip: Çështja Arbanase dhe e drejta serbe).

Ndërsa historiani serb, Radovan Samarxhiq, pohon se 30%-40 % e shqiptarëve kanë  prejardhje sllave (Radovan Samardžić, “Ideje za srpsku istoriju”- Në shqip: Ide për historinë serbe) historian tjerë lëshohen në garë se kush do të nxjerrë “statistikat më të sakta”. Marko Mlladenoviqi nuk u kënaq me këto pohime, por “zbuloi” se 2/3 e popullsisë shqiptare ka origjinë serbe (Marko Mladenović, “Buđenje srpskog naroda”- Në shqip: Zgjimi i popullit serb), ndërsa Veselin Gjuretiqi e rriti përqindjen e shqiptarëve me prejardhje serbe në 80 %! (Veselin Đuretić, “Antisrpske upotrebe staljinističkog medijuma”- Në shqip: Përdorimi anti-serb i mediumit stalinist).

Kur flet për këtë çështje, historiani serb, Jovan Haxhi-Vasileviqi, është tepër përbuzës. Shqiptarët, të cilët i quan “arnautashi”, janë “fundërrina të popullit serb të asimiluar, të cilët nuk kanë vetëdije kombëtare” (Jovan Hadži-Vasiljević, “Južna Stara Srbija, knjiga prva”- Në shqip: Jugu i Serbisë së Vjetër, Libri i Parë).

Teza se gjoja “turqit i krijuan shqiptarët prej serbëve të asimiluar” shoqërohej me pohimet se shqiptarët e krijuar në këtë mënyrë, “me ndihmën e turqve e dëbuan popullin serb përmes vrasjeve, plaçkitjeve, djegieve të fshatrave të tëra, përvetësimit të pronave dhe islamizimit të dhunshëm (Radovan Samardžić, “Ideje za srpsku istoriju” Ide për historinë serbe).

Duke i cilësuar shqiptarët si “fundërrina të popullit serb të islamizuar dhe të asimiluar”, një numër tjetër historianësh përpiqen t’i traumatizojnë popujt e Europës, duke i përshkruar shqiptarët si “njerëz me bisht. I vetmi dallim që ekziston mes shqiptarëve që jetojnë në Veri nga ata të Jugut, ka të bëjë me gjatësinë e bishtit. Madje, edhe në shekullin XIX, në mesin e shqiptarëve kishte njerëz me bisht, që jetonin në drurë, të cilëve bishti u nevojitej për t’u kacavjerrë nëpër pemë. Ata nuk kanë as kulturë, as gjuhë të tyren, as alfabet e as histori…Ata janë egërsira të vërteta…” (Vladan Đorđević, “Arnauti i velike sile”- Në shqip: Arnautët dhe fuqitë e mëdha).

Dhe si konkluzion i qindra librave të shkruar në këtë frymë del se “populli shqiptar, i cili nuk ka as kulturë, as gjuhë të tij, as alfabet e as histori të vetën, atëherë nuk i mbetet gjë tjetër, veç të vjedhë historinë dhe kulturën e të tjerëve” (“Kosovski Albanci nemaju svoju, pa otimaju srpsku istoriju” – Në shqip: Shqiptarët e Kosovës nuk kanë histori të vetën, prandaj vjedhin tonën, shih: http://www.vesti-online.com/Vesti/Srbija/582168/Kosovski-Albanci-nemaju-svoju-pa-otimaju-srpsku-istoriju); “Nemaju svoju, pa krade naše- Nuk kanë histori të vetën, prandaj vjedhin tonën”, shih: https://www.srbijadanas.com/clanak/posle-evrovizije-novi-skandala-albanci-dobili-vetar-u-ledja-pa-udarili-na-decu).

Në përputhje të plotë me orientimin strategjik të propagandës serbe, për t’i paraqitur shqiptarët pa histori të tyre, me qindra “studime shkencore” të historianëve serbë përpiqen ta mohojnë përkatësinë shqiptare të Gjergj Kastriot-Skënderbeut. Kështu, për shembull, për historianin serb, Spiridon Gopçeviq, vepra e të cilit u citua më lart, “jo vetëm Skënderbeu, por edhe bashkëluftëtarët e tij janë serbë”. Të njëjtën gjë pohon edhe Vlladan Gjorgjeviqi, i cili thekson se “gjatë gjashtë shekujve të fundit të luftës sonë nga ajo e Kosovës e deri tek ajo e Kumanovës, ne kemi aq shumë trima, sa që nuk na duhet Skënderbeu, i vetmi trim të cilin arnautët e gjetën në një mijë vitet e fundit. Megjithatë,  edhe pse nuk kemi nevojë, ne nuk mund ta falsifikojmë historinë. Skënderbeu është serb, siç kanë qenë edhe ushtarët e tij”  (Vladan Đorđević, “Arnauti i velike sile”).

Në bazë të historianëve serbë, “Skënderbeu ka pasur vetëm një gjyshe nga familja Topia, por ende nuk është ndriçuar fakti nëse Karl Topia ishte shqiptar”! (Tomo Oraovac, “Arbanaško pitanje i srpsko pravo”- Në shqip: Çështja Arbanase dhe e drejta serbe).

Përshkrimi i shqiptarëve si kriminelë, si hajdutë, si keqbërës, si popull që nuk ka asnjë trim të vetin, por që, në mungesë të historisë së vet, vjedh historinë e popujve të tjerë, nuk është karakteristikë vetëm e “shkencës” së politizuar serbe. Edhe një numër historianësh sllavo-maqedonas, të këtij populli që u krijua me vendim politik nga komunistët jugosllavë, përdorin të njëjtën gjuhë denigruese ndaj shqiptarëve. Po marr si shembull vetëm njërin prej tyre. Sipas historianit maqedonas, Petar Popovski, ““Gjergj Kastrioti nuk ka qenë as mirditas (gegë), e as shqiptar (toskë), por i lindur dhe i rritur maqedonas. Gjergji nuk ka qenë arnaut, por maqedonas. Ai nuk ka qenë Skënder, e aq më pak Beg. Në shënimet e vjetra e gjejmë me një titull si mbret i Maqedonisë dhe njëkohësisht i Epirit. Emri Skënderbeg është tërësisht i falsifikuar. Gjergj Kastrioti nuk ka qenë trim shqiptar, ashtu siç e paraqet historia shqiptare dhe ca historianë të pavetëdijshëm perëndimorë, por ashtu si thotë historia: trim dhe mbret i Maqedonisë dhe i maqedonasve. Kjo është dëshmuar edhe shkencërisht. Historia na mëson se një populli që i mungon historia e vet, ngjarjet e veta historike dhe personalitetet historike është popull i humbur. “Shkenca shqiptare” e paraqet Skënderbeun si trim të shqiptarëve për të vetmen arsye se ky popull nuk ka figurë tjetër historike me të cilën do të tregohej para botës si popull trim. Por historia, për fat të madh, tregon se Skënderbeu i takon popullit maqedonas””- nxjerr si përfundim historiani maqedonas, Petar Popovski!

Përveç figurës së Gjergj Kastriot-Skënderbeut, edhe figura e Gonxhe Bojaxhiut, që njihet në përmasa ndërkombëtare për humanizmin e saj, është shndërruar në “objekt përvetësimi”. Përderisa “doktorët e shkencës” maqedonase, në krye me kryetarin e Akademisë së ashtuquajtur të Shkencave në Maqedoni, Taki Fiti, ia mohojnë përkatësinë etnike shqiptare dhe përpiqen ta paraqesin si vllahe e Maqedonisë, propaganda serbe vjell vrer kundër autoritetit të saj. Për propagandën serbe “Nënë Tereza nuk është e shenjtë”, sepse shqiptarët, siç e pamë më lart, “janë plaçkitës, hajdutë, vrasës…” . Në gjuhën e tyre të mbushur plot urrejtje kundër shqiptarëve, Nënë Tereza nuk ka bërë asnjë vepër humane. Përkundrazi, “ajo ka pasur dëshirë të shikojë se si të vobektit vuajnë, dhe askush nuk di se ku janë milionat e dollarëve që u dhanë si ndihma” (Majka Tereza nije svetica: Volela je da gleda kako siromašni pate i niko ne zna gde su MILIONI dolara pomoći- Nëna Terezë nuk është e shenjtë: kishte dëshirë të shikonte se si vuanin të varfrit, dhe askush nuk e di se ku janë milionat e dollarëve që u dhanë si ndihma; shih: http://www.telegraf.rs/zanimljivosti/1485118-majka-tereza-nije-svetica-volela-je-da-gleda-kako-siromasni-pate-i-niko-ne-zna-gde-su-milioni-dolara-pomoci).

Nijazi Limani, gjeograf nga Maqedonia, të cilit iu dha titulli “doktor i shkencave” në Universitetin e Beogradit, e ndryshoi mbiemrin e vet nga Limani në Limanovski për t’i dhënë konotacion sllav, dhe u bë zëdhënës i idesë se gjoja “shqiptarët e islamizuar nuk janë gjë tjetër pos sllavë”. Për dallim nga historianët serbë që këmbëngulin në prejardhjen serbe të shqiptarëve të islamizuar, Nijazi Limanovski përhapë idenë se gjoja “myslimanët në Maqedoni kanë prejardhje sllavo-maqedonase”. Për të mbështetur këtë teori, autoritetet komuniste të Republikës Socialiste të Maqedonisë e krijuan kategorinë “Makedonski muslimani” dhe, që nga viti 1981, “popullsia myslimane, që vetëdijesohej se nuk është shqiptare”, kishte mundësi të regjistrohej si pjesëtar i këtij “grupi etnik”.

Krahas qëllimit që gënjeshtrat për historinë e Ballkanit të përhapen në botë, një strategji e tillë u ngrit në sistem dhe, përmes akademive të quajtura shkencore, u shndërrua në shtyllë kryesore për edukimin e gjeneratave të reja serbe dhe maqedonase.

Kuzhina luftënxitëse e Shkupit, që e quan veten Akademi e Shkencave dhe e Arteve të Maqedonisë (ASHAM), në mënyrë analogjike si kuzhina luftënxitëse e Beogradit, që e quante veten Akademi e Shkencave dhe e Arteve të Serbisë (ASHAS), falsifikimin e realitetit historik e bën në funksion të mobilizimeve politike kundër popujve të tjerë.

Që nga krijimi i Maqedonisë në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, si surrogat i gatuar në kuzhinën komuniste të Beogradit, një numër individësh, që bartnin tituj shkencorë, u orientuan në krijimin e identitetit sllavo-maqedonas. Ky surrogat politik e etnik u krijua mbi territore të uzurpuara shqiptare, bullgare e greke, duke uzurpuar komponentë të identitetit kulturor dhe historik të popullit shqiptar, popullit bullgar dhe popullit grek. Të gjithë ata që njohin historinë e Ballkanit, e dinë fare mirë se në këto hapësira ishte vetëm një popull që ndërroi tri herë identitetin e vet: gjatë periudhës 1918-1940, ky popull identifikohej si serb, nga viti 1941 deri në vitin 1944 si bullgar, ndërsa pas vitit 1945, si maqedonas! Nga kalemxhinjtë e quajtur akademikë të këtij surrogati politik e etnik, që për pesë vjet ndërroi tri herë identitetin e vet, nuk mund të pritet objektivitet shkencor, por vetëm hajdutllëk të territoreve, të kulturës dhe të historisë së popujve të tjerë.

Të gjitha falsifikimet e historisë janë bërë dhe bëhen në funksion të qëllimeve politike të periudhave të caktuara historike. Si në të kaluarën, ashtu edhe tani.

Në fillim të shekullit XX, krijimi i shtetit shqiptar ishte pengesa kryesore e aspiratave serbe për të marrë Shkodrën, Durrësin dhe një pjesë të madhe të Shqipërisë. Për këtë arsye shqiptarët përshkruhen si njerëz të egër, si “lëkurë kuqtë e Europës”, të cilët “nuk kanë nevojë për shtet”, të cilët “nuk dinë të ndërtojnë shtet”, por, që “fatkeqësisht, përkundër dëshirës së zotit, Austro-Hungaria dhe Italia dëshirojnë ta krijojnë shtetin e këtyre lëkurë kuqve të Europës”. (Vladan Đorđević, “Arnauti i velike sile”).

Edhe për Stojan Protiqin, i cili shkruante edhe me pseudonimin Balkanikus, “çështja shqiptare nuk ka ekzistuar asnjëherë si çështje politike, përderisa Austro-Hungaria dhe Italia nuk e shtruan si të tillë.” (Balkanicus, “Albanski problem i Srbija i Austro-Ugarska, Beograd”.

Mund të citoj me qindra historianë dhe publicistë serbë që përmes shkrimeve të tilla pseudo- shkencore kishin për qëllim të krijonin opinionin se gjoja “krijimi i shtetit shqiptar nuk ishte vullnet i aspiratave të popullit tonë, por ishte vendim politik i fuqive të huaja për të krijuar një koloni gjermane në Ballkan” (Marko Cemović, “Makedonski problem i Makedonci”- Në shqip: Çështja maqedonase dhe maqedonasit). I dëshpëruar pse nuk mundën ta pengonin krijimin e shtetit shqiptar, sado i cunguar që ishte, Vladan Gjorgjeviqi shpërthen me zemërim: “Prej këtyre egërsirave, Austro-Hungaria dëshiron të krijojë shtet! Austro-Hungarisë i qoftë me fat!”.

Në dallim nga periudha e mëparshme, kur historianët, gjuhëtarët, arkeologët dhe shkencëtarët shqiptarë të disiplinave të ndryshme, në Shqipëri dhe trojet shqiptare që ishin të pushtuara nga Jugosllavia, shpartalluan tezat antishkencore serbe, dy dekadat e fundit kanë dalë disa “historianë dhe teologë shqiptarë”, që nuk sjellin asgjë të re, por përsërisin propagandën e njohur serbe që nga periudha historike e krijimit të shteteve kombëtare në Ballkan.

Për të mos e ngarkuar shkrimin këtu po përmend vetëm ata më të zëshmit në këtë drejtim. Këtë aspekt të problematikës do ta zgjeroj me emra të tjerë, kur të botohet si libër i veçantë.

Po filloj me një mace të zgjebosur, që prindërit i kanë vënë emër turk Kapllan (që në gjuhën shqipe do të thotë “tigër”). Në varësi nga kontekstet ku ndodhej, ky person herë shfaqej Kapllan Kallushi, Kapllan Resuli, Kapllan Resulbegoviqi. Më në fund, pas “hulumtimeve të shumta shkencore” që kishte bërë, ky alamet shkencëtari erdhi në përfundimin, se origjina e tij ishte serbe dhe e ndërroi mbiemrin për të disatën herë dhe përzgjodhi të quhet Kapllan Buroviq (Kaplan Burović në gjuhën serbe)! Ky “zbulim” nuk është asgjë tjetër, pos përpjekje për të konfirmuar tezat serbe, se gjoja “shqiptarët janë serbë të islamizuar”.

Dr. Kapllan Buroviqi, që ia ka vënë vetes edhe titullin “Akademik”, pa qenë anëtar i asnjë akademie shkencore, përpiqet t’u japë aktualitet tezave të lartpërmendura serbe. Me qëllim që të manipulojë më mirë me ata që nuk e dinë të vërtetën, dr. Kapllan Buroviqi deklaron se gjoja “në shekullin e dhjetë, shqiptarët kanë ardhur nga Karpatet në Fushën e Matit mbi Tiranë. Prej aty janë shpërndarë në të gjitha anët e Shqipërisë së sotme, e cila në atë kohë ishte e banuar kryesisht nga serbët. Pas pushtimit turk, këta shqiptarë kaluan edhe kufijtë e Shqipërisë së sotme dhe u futën në Serbi, Maqedoni dhe Mal të Zi”. (Dr. Kaplan Burović, “Kosmet će se vratiti pod okrilje Srbije” -Kosova së shpejti do të kthehet në sqetullën e Serbisë), shih: http://www.novosti.rs/vesti/naslovna/drustvo/aktuelno.290.html%3A550797-Dr-Kaplan-Burovic-Kosmet-ce-se-vratiti-pod-okrilje-Srbije)

Ai vazhdon me përsëritjen e sajesave serbe, që mohojnë historinë e popullit shqiptar: “Deri në shekullin XVI kufijtë e Serbisë kanë qenë deri te brigjet e lumit Drin, që sot është në Shqipëri, ndërsa para kësaj kohe Serbia ka qenë e shtrirë deri në Durrës, të cilin,stërgjyshërit e serbëve ua kishin marrë bizantinëve në vitin 548, në atë kohë kur në Shqipëri dhe në Ballkan nuk ka pasur asnjë shpirt të gjallë shqiptar. Shqiptarët në atë kohë ishin në Rumani në malet Karpate dhe Beskidi”.

Në përputhje të plotë me vijën propagandistike serbe dr. Kapllan Buroviqi u deklaroi gazetarëve se “shqiptarët nuk kanë kulturë! Atë ua kanë krijuar të huajt. Libri i parë i botuar në gjuhën shqipe është në vitin 1555, dhe atë e ka shkruar një kroat dhe është botuar nga një shtëpi ortodokse në Mal të Zi. Abetaren e parë shqipe e ka përpiluar një vllah, me emrin Naum Veqilharxhi, në vitin 1844, ndërsa abetarja e parë pas çlirimit dhe pas shpalljes së Shqipërisë shtet i pavarur në vitin 1913, është shtypur në Serbi, dhe e ngarkuar në kuaj është transportuar në Shqipëri”.(Për këtë “shkencëtar” shpallja e pavarësisë së Shqipërisë paska ndodhur në vitin 1913! Doktor shkence se jo mahi!)

Përveç intervistave dhënë medieve serbe, Kapllan Buroviqi në një intervistë për “Sputnjikun” rus, deklaron se “shqiptarët nuk janë ilirë, ata nuk janë autoktonë, por të ardhur në Ballkan”. As Gjergj Kastrioti-Skënderbeu e as Naim Frashëri nuk janë shqiptarë. “Skënderbeu është serb, ndërsa Naim Frashëri, vllah” (shih:http://www.preshevajone.com/akademiku-shqiptar-skenderbeu-eshte-serb-ja-deshmite-e-tij/).

Atyre që lexojnë në gjuhën serbe u sugjeroj të shohin se si kjo mace e zgjebosur që i thotë vetes tigër, vjell vrer kundër shqiptarëve dhe figurave më të ndritura të historisë së tyre në shkrimin “ Piše: Prof. dr Kaplan BUROVIĆ, akademik, “ SKENDERBEG I ALBANCI – Albanci traže da se spomenici Skenderbega poruše i smene spomenicima Sultana Murata”-Në shqip: Skënderbeu dhe shqiptarët –Shqiptarët kërkojnë që përmendoret e Skënderbeut të rrënohen dhe të zëvendësohen me përmendore të Sulltan Muratit”, shih: https://dijaspora.wordpress.com/2010/04/13/skenderbeg-i-albanci-albanci-traze-da-se-spomenici-skenderbega-poruse-i-smene-spomenicima-sultana-murata-%E2%80%93-pise-prof-dr-kaplan-burovic-akademik/)

Për ta aktualizuar më shumë diskursin e vet antishqiptar, Kapllan Buroviqi deklaroi se “Kosova së shpejti do t’i kthehet Serbisë”. (Dr Kaplan Burović: Kosmet će se vratiti pod okrilje Srbije- Në shqip: Kosova së shpejti do të kthehet në sqetullën e Serbisë) http://www.novosti.rs/vesti/naslovna/drustvo/aktuelno.290.html%3A550797-Dr-Kaplan-Burovic-Kosmet-ce-se-vratiti-pod-okrilje-Srbije

Për besnikëri dhe vetëmohim  për të vërtetën dhe drejtësinë e Perëndisë” dr. Kapllan Kallushi, Kapllan Resuli, Kapllan Resulbegoviq, Kapllan Buroviqi u dekorua me portretin e artë të Shën Pjetrit, nga Kryepeshkopi i Cetinjës dhe Mitropoliti i Malit të Zi Amfilohije Radoviq. (shih: http://www.moraca-rozafa.com/?p=427)

Në të njëjtin stil si të dr.Kapllanit, personi që deri tani del me tri forma të emrit të vet: dr.Olsi Jazexhi/Olsi Yazeji/ Олси Јахеџи, kishte vjellë vrer në shtypin serb kundër “Kosovës- koloni të NATO-s, ku myslimanët dhe serbët janë të diskriminuar” dhe pasi ngriti në qiell Serbinë “për respektimin e të drejtave të myslimanëve”, dr. Olsi me tre mbiemra ishte i ftuar i emisionit më antishqiptar në Maqedoni: “Vo Center” (Në qendër). Gjatë intervistës së transmetuar më 24 prill 2018 për këtë emision antishqiptar, ai deklaroi se gjoja “para ardhjes së turqve në Ballkan, shumica e popullatës në Kosovë dhe në Maqedoni ka qenë serbe ortodokse. Gjithashtu, edhe në Shqipëri, ku edhe sot mund të gjeni shumë toponime sllave. Por çka ka ndodhur? Me ardhjen e turqve dhe islamit në Ballkan, kemi proces të islamizmit dhe shqiptarizimit. Skënderbeu nuk ka asnjë lidhje gjenetike dhe religjioze me shqiptarët, ai është i sajuar. Skënderbeun e kanë sajuar austriakët dhe i kanë mësuar shqiptarët që ta pranojnë. Edhe sot ata mendojnë se Skënderbeu është hero i tyre, por ai nuk është i shqiptarëve. Në kohën kur Skënderbeu ka luftuar kundër osmanlinjve, shqiptarët nuk kanë ekzistuar. Skënderbeu ka qenë luftëtar serbo-bullgar”.

Çdokush që lexon me vëmendje pjesën e shkrimit, ku citohen një numër historianësh serbë që sajuan tezat që mohojnë prejardhjen ilire të shqiptarëve, që pretendojnë se “shqiptarët nuk kanë ekzistuar para ardhjes së Perandorisë Osmane në Ballkan”, se gjoja “shqiptarët janë serbë të islamizuar”, se ata “vjedhin historinë e të tjerëve në mungesë të historisë së tyre”, se “shqiptarët janë popull që vjedhin heronjtë e popujve të tjerë në mungesë të trimave të tyre”, do të shohin se dr. Olsi nuk sjell asgjë të re që do ta dallonte nga propaganda serbe. Nëse ai pretendon se është “Doktor i shkencave” për këtë periudhë historike, atëherë del qartë që ky person ka bërë një plagjiaturë nga arsenali antishqiptar i propagandës serbe.

Siç e pamë në fillim të këtij shkrimi, gjatë periudhës historike kur u krijuan shtetet kombëtare në Ballkan, propaganda serbe akuzon fuqitë e jashtme (Austro-Hungarinë dhe Italinë) si krijuese të çdo gjëje që lidhen me shqiptarët, me “qëllim që të krijohej një koloni gjermane në Europë”. Të njëjtën gjë përsërit edhe dr. Olsi.

Pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova, propaganda e Serbisë dhe argatët e tyre nga kampi i ideologjisë së antiamerikanizmit janë mobilizuar, në rrafshin e propagandës në skenën politike dhe mediatike ndërkombëtare, për ta paraqitur Kosovën si “koloni të imperializmit amerikan”. Në të njëjtat gjatësi vale, dr. Olsi përsërit se gjoja “parajsa jugosllave është shkatërruar, për shkak të komplotit të perëndimorëve, që janë kundër myslimanëve dhe kundër serbëve” dhe se “shteti i Kosovës është koloni e NATO-s, ku myslimanët dhe serbët janë të diskriminuar”!

Siç e përmenda edhe në shkrimin paraprak, shkenca dhe Olsi Jazexhi/Olsi Yazeji/ Олси Јахеџи janë dy nocione që përjashtojnë njëri-tjetrin! Nuk do të më habiste aspak që ky “Doktor shkence” të shpallet si “Akademik”, në të njëjtën mënyrë si dr. Kapllan Kallushi, Kapllan Resuli, Kapllan Resulbegoviqi, Kapllan Buroviqi. Madje, për shërbimet e mëdha që u bën serbëve dhe maqedonasve, nuk do të habitej askush nëse dr. Olsi në një të ardhme të afërt të dekorohet nga Kisha Ortodokse serbe me ndonjë dekoratë “me portretin e artë të Sveti Savës”! Të shohim nëse dr. Olsi do t’i shtojë edhe ndonjë mbiemër tjetër emrit të vet dhe të  deklarojë, sikurse dr. Kapllani, se “nga hulumtimet e mëdha shkencore ka zbuluar se çfarë origjine ka”.

Mendoj se nuk ka nevojë të citohen edhe autorë të tjerë serbë e maqedonas, për t’u bindur se  mohimi i gjuhës shqipe, i kulturës shqiptare, i historisë dhe figurave tona kombëtare është strategji politike sllave në funksion të mohimit të së drejtave politike dikur të “Shqipërisë londineze” e tani edhe të shtetit të Kosovës.

Referencat që citova më lart janë të mjaftueshme për t’u bindur se Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Serbisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Maqedonisë në vend të institucioneve shkencore janë shndërruar në “kuzhina”, ku gatuhen falsifikimet e fakteve historike në funksion të mobilizimeve politike kundër shqiptarëve. Argumentet që solla dëshmojnë në mënyrë të pakontestueshme se, që para një shekulli, kuzhinat antishqiptare nxorën në tregun e tyre të brendshëm dhe atë ndërkombëtar pretendimet “shkencore”, se gjoja “në Kosovë nuk ka pasur shqiptarë para ardhjes së Perandorisë Osmane”, se kinse “shqiptarët janë serbë të islamizuar, të cilët,  me ndihmën e Perandorisë Osmane, kanë pushtuar territoret serbe”,  se gjoja “shqiptarët nuk kanë historinë e tyre dhe as personalitete historike”, se gjoja “shqiptarët vjedhin historinë serbe dhe maqedonase”, se gjoja “shqiptarët vjedhin figurat e shquara të popujve të tjerë”, se gjoja “Skënderbeu nuk është Hero Kombëtar shqiptar, por trim serb”, se gjoja “Nënë Tereza nuk është shqiptare, por vllahe” e kështu me radhë.

Për çdo njeri të ndërgjegjshëm është e qartë se aktualizimi i kësaj propagande, një shekull më vonë, bëhet vetëm për qëllime politike të Serbisë dhe Maqedonisë. Ata historianë dhe ata teologë me origjinë shqiptare që propagandojnë se gjoja “Skënderbeu nuk është Hero Kombëtar shqiptar”,  se gjoja “humanistja shqiptare me përmasa botërore, Nënë Tereza, është grua e pamoralshme, që ndërron burrat kur të dëshirojë dhe se vendin e ka në xhehenem”, se gjoja “në vitin 1445, vetëm 1% e qytetarëve në Kosovë ishin shqiptarë, ndërsa turqit sollën shqiptarët në Kosovë dhe u dhanë toka atyre”, ata nuk sjellin asgjë të re në “tregun” shqiptar, pos produkteve serbe dhe maqedonase, të ambalazhuara pa datë dhe vend prodhimi.

Përhapja e kësaj dukurie mes nesh ka marrë përmasa dramatike. Sikur t’i përmendja të gjithë emrat e atyre që përhapin këtë lloj propagande, lista do të kishte qenë shumë e gjatë. Ajo që vlen të theksohet në kuadër të këtij shkrimi,  ka të bëjë me faktin se përhapja e produkteve të gatuara në të ashtuquajturat Akademi të Shkencave dhe të Arteve të Serbisë dhe të Maqedonisë është duke helmuar opinionin publik shqiptar. Çdo historian, çdo teolog dhe çdo person tjetër që përhap këto sajesa, i bën një shërbim të madh strategjisë antishqiptare serbe dhe maqedonase.

Ky shkrim nuk u dedikohet atyre që propagandojnë me vetëdije të plotë, si lloji i dr. Kapllanit me kompani, të cilët “kanë zbuluar” në vetveten e tyre se janë “serbë të islamizuar nga turqit”.  Shkrimi ka për qëllim t’i ofrojë lexuesit që nuk është në dijeni të fakteve, se tërë kjo propagandë histerike e ka origjinën në Beograd dhe Shkup. Do të kishte qenë mirë që çdo shqiptar të ketë në dispozicion materialet që dëshmojnë në mënyrë të pakontestueshme, se mohimi i historisë dhe i figurave tona kombëtare është sajesë e qarqeve antishqiptare. Ndoshta kjo do të bëjë që askush të mos përhapë në mënyrë të pavetëdijshme propagandën serbe dhe maqedonase. Ndërsa për ata që e bëjnë me vetëdije të plotë, thefshin qafën!

(Vijon…)


Leksioni dytë për Bardhylin

Shkruan Muhamed Kajolli-10.02.18

I dashur Bardhyl,

Fillimisht të them se jam për debate konstruktive, i përtoj, për të mos thënë i urrej debatet me karakter destruktiv. Jam i gatshëm të debatoj me secilin shqiptar përreth problemit të Lindjes së Mesme (debat konstruktiv), sepse, siç po shihet reagimi im i parë ndaj shkrimit mbi Kudsin-Jerusalemin ka degraduar. Si duket ne shqiptarët nuk i njohin ngjyrat tjera përveç të bardhës dhe të zezës. Shqiptari, o është patriot, o është spiun…

Edhe kësaj radhe nuk do të lëshohem në aventurat tua. Unë desha të të tregoj se nuk e njihke problemin e Lindjes së Mesme, prandaj dëshira ime ishte që të mos futeshe aty ku nuk ke njohuri, mirëpo, ti ndryshove kahjen e debatit. Fillove të merresh me hoxhallarët udbashë e spiunë…nuk e di pse, por nuk të ka hije të futesh në këtë aventurë. Askush nuk mund ta mohojë se nuk ka pasur dhe që nuk ka ende prej tyre. Në të njejtën kohë edhe nga elitat tjera shqiptare ka pasur shumë më shumë se sa hoxhallarë, ka, dhe do të ketë.

Një popull pushtues nuk mund ta sundojë një vend nëse nuk ka bashkëpuntorë të të gjitha shtresave. Kjo është e ditur. Tani hë për hë, koha ka ndryshuar, mirëpo, nëse dikush hyn në këtë aventurë, atëherë do të duhet t’i përmbahet marrëveshjes mbarë kombëtare të hapjeve të dosjeve. Me sa di unë ende nuk është bërë një marrëveshje e tillë mbarë kombëtare, prandaj nuk më lejohet të lëshohem në këtë aventuarë, se nuk e di, nëse shoqërisë sonë në përgjithësi, dhe kombit tim në veçanti, po bëj më shumë dëm apo dobi…

I dashur Bardhul, në shkrimin tënd të fundit me titull: “Kush janë teologët dhe historianët shqiptarë në shërbim të propagandës serbe (1), ma ke përmendur emrin tim. Më ke futur në mesin e atyre që po bëj propagandë serbe. Është e drejta yte të mendoni çfarë të dëshironi. Njeriu mund të bën me, ose pa dashje propagandë që i shkon në dobi të armikut, mirëpo mua, mendoj se më ke futur në mesin e tyre me të pa drejtë. Unë kam debatuar me ty për një të vërtetë shkencore, për të cilën të kam thënë se emri shqiptar është i vonshëm dhe vjen nga koha kur banorët e Ilirisë (fise të ndryshme), shqiptarë janë quajtur vetëm atëherë kur kanë filluar të bëhen muslimanë….pastaj, kam debatuar për Kudsin-Jerusalemin, mirëpo, prej teje ende nuk kam marrë përgjigje shkencore duke më injoruar dhe duke më quajtur i ashtuquajturi ….

Unë nuk pres nga një shqiptar të kërkoj falje, sepse nuk kam takuar një të tillë. Ne, na mungon kultura, mirëpo, sinqerisht të them, mos i fut njerëzit në një kallëp dhe në vende që nuk e kanë vendin. Mua nuk më bie të flas në vetën e parë, por përkundër dinakërisë tënde rreth aludimit tënd ndaj teologëve, emri im nuk do të duhej t’ishte aty. Nuk dua të debatoj më shumë në këtë temë se nuk kemi miratimin kombëtar për hapjen e dosjeve. Të kam thënë dhe po ta përsëris se unë nuk debatoj në gjera të thata, por më sill argumente. Për Kudsin, nuk më solle, tani je kapur për ermin shqiptar….

E sa i përket emrit shqiptar, po të sjell tri mendimtarë ekspertë të gjuhës dhe të lapsit dhe shumë të respektuar tek unë dhe besoj ndër ne shqiptarët:
Kristo Frashëri: Me sa dimë, apelativi shqiptar zëvendësoi për të parën herë në burimet e shkruara historike emrat arbër dhe epirotë në shek. XVIII, kurse emri i vendit Shqipëri në vend të Arbërisë dhe të Epirit u sanksionua në fushën e shkrimit në shek. XIX. Si apelativi për banorin shqiptar, ashtu dhe ai për atdheun Shqipëri, u përhapën në mënyrë të rrufeshme gjatë Rilindjes Kombëtare vetëm në radhët e shqiptarëve që nga Mitrovica deri në Prevezë. Për qarqet e huaja u përhap apelativi Albanese për banorin dhe Albania për vendin, i cili zëvendësoi gjithashtu në mënyrë të rrufeshme apelativat historikë arbanitë, epirotë dhe arnautë. http://arkivi.peshkupauje.com/…/si-u-krijua-emri-etnik-i-sh…
Eqrem Qabej: Përsa i përket emrit shqiptar, Shqipëri, Shqipni, ky si emër populli e vendi, si rezulton nga sa u shtjellua më sipër, zuri vend gjatë kohës së sundimit turk, pas shpërnguljes shqiptare për në Greqi e n‘Itali. Përhapja e tij si emër nacional dhe zhdukja e emrit të vjetër si i tillë, ka lidhje pas gjase me lëvizjet etnike e sociale të popullit gjatë mesjetës dhe kohës së parë turke, me shtegtime të brendshme, me formime fisesh të reja në ato perioda historike, veçse shtysat konkrete për një zëvendësim të tillë nuk mund të ndiqen. http://shekulli.com.al/origjina-e-fjales-shqiperi-dhe-pse-…/
Osman Myderrizi: Teza e tetë: “Emri i vjetër nuk tregonte vetëm kombësinë, por edhe besimin. Me ndërrimin e besimit u ndje nevoja edhe e ndërrimit të tij. Emri ri shqiptar, që u adoptua si emër kombëtar, bazohej në gjuhën, në një nga elementët kryesorë të kombësisë. Ky emër mund të jetë përdorur nga myslimanët e parë shqiptarë që në shekullin XVI-të, po këta, mbasi ishin të pakët, shumicës nuk ia imponuan dot.” https://www.almakos.com/prej-nga-e-ka-prejardhjen-emri-shq…/

Për fund, Bardhyl, shkrepe energjinë tënde aty ku je më i miri, e jo vend e pa vend.
Muhamed Kajolli


 

Argumentum ad misericordiam

Shkruan Bardhyl Mahmuti 16.06.2018

Më 10 qershor 2018, Muhamed Kajolli më drejtohet drejtpërdrejt për të më mbajtur “leksionin e dytë”! Ai deklaron se, përmes “leksionit të parë”, paska pasur qëllim të më tregojë se unë nuk e njohkam “problemin e Lindjes së Mesme” dhe “të mos futem aty ku nuk kam njohuri”. Madje, në mungesë të njohurive të mia në këtë fushë, paskam “ndryshuar kahjen e debatit” dhe jam marrë “me hoxhallarët udbashë e spiunë”.

Meqenëse në “leksionin e dytë”, Muhamed Kajolli shtron disa çështje që duhet të sqarohen, do të ndalem në ato që më duken më të rëndësishme. Nëse do të ketë dëshirë të trajtoj edhe çështje tjera, që më duken periferike për opinionin publik shqiptar, mund të zgjerohem edhe më shumë.

  1. Që në fillim të “leksionit të tij”, Muhamed Kajolli bën një gabim të rëndë: u vesh shqiptarëve veti që nuk i kanë. Ai deklaron se “ne, shqiptarët, nuk i njohim ngjyrat e tjera, përveç të bardhës dhe të zezës. Shqiptari, o është patriot, o është spiun…”.

Nuk e di se nga e ka nxjerrë këtë mendim përgjithësues, por duke futur veten në kuadër të atyre njerëzve që shohin vetëm bardh e zi, del se pikëpamjet e veta i përgjithëson për “gjithë shqiptarët”!

Sa i përket “çështjes së ngjyrave”, Muhamed Kajolli dhe ata që kanë krijuar stereotipa të tilëa, duhet ta dinë se shqiptarët i shohin të gjitha ngjyrat, madje edhe nuancat e tyre. Është tjetër gjë pse një numër i madh prej nesh parapëlqejnë ngjyrat “kuq e zi” e jo “zi e bardhë”, si të “Partizanit” të Beogradit.

  1. Nuk i ka hije një intelektuali të gënjejë se unë i kam devijuar debatit. Reagimin e tij të parë kundër meje e kishte bërë pa i marrë leje z. Mustafa Bajrami, sepse “kishte pasur më shumë kohë, më shumë se hoxhallarët e zënë me muajin e Ramazanit”.

Për temat që hapen në hapësirën publike, nuk kërkohet leje nga askush për t’u përfshirë në debat. Shkrimi im ishte publik dhe, rrjedhimisht, pres ndonjë reagim (qoftë pozitiv, qoftë negativ). Nuk dëshiroj të ironizoj, por reagimi i Muhamed Kajollit e ““shpëtoi” Mustafa Bajramin””, sepse ai nuk do të kishte ditur të mbrohej vetë!

Nëse Muhamed Kajolli e ka kujtesën të shkurtër dhe ka harruar se çfarë ka shkruar, është problem i tij. Po i rikujtoj se ishte pikërisht ai, që devijoi debatin, duke më akuzuar si “komunist” dhe një kallaballëk akuzash të tjera.

Akuzave të Muhamed Kajollit iu shtuan ato të Mustafa Bajramit për Bardhylin si “anti-islam”, si “anti-demokrat”, si “marksist-leninist” e kështu me radhë. Mendoj se e ka lexuar këtë shkrim të Mustafa Bajramit, sepse e ka postuar në faqen e vet të “Facebook”-ut. Për ta lexuar këtë shkrim, nuk ishte e nevojshme të kërkohej leje nga Mustafa Bajrami.

Nëse dikush mendon se akuza të tilla janë “në kuadër të debatit”, ndërsa sqarimet e mia “ia ndërruan kahun debatit”, është çështje që lidhet me një mendësi të tillë, ku si korrekte konsideron vetëm qasjet që i pëlqejnë.

Të gjitha shkrimet e mia të deritashme ishin në përputhje të plotë me çështjet dhe dilemat që ngritën në reagimet e tyre.

  1. Etika ime profesionale nuk më lejon të bëj përgjithësime. Nuk kam bërë përgjithësime as kur trajtova gjenocidin e shtetit serb në Kosovë. Akuza se në shkrimet e mia kam përgjithësuar teologët myslimanë shqiptarë nuk qëndron. Nuk mund të gjendet asnjë përgjithësim për bashkëpunimin e teologëve me shërbimet sekrete sllave apo mohimin e kontributit të tyre për çështjen kombëtare. As Muhamed Kajolli e askush tjetër nuk ka pasur nevojë të kërkojë leje për të lexuar shkrimet e mia.

Çdokush që i ka lexuar me vëmendje, ka mundur të konstatojë të kundërtën e asaj që më vishet mua. Meqenëse rreth kësaj çështjeje është manipuluar shumë, po e përsëris një pjesë nga shkrimet e mia të publikuara: “[…]Sa u përket teologëve shqiptarë, të cilitdo besim fetar qofshin, askush nuk mund ta mohojë kontributin e madh të tyre gjatë historisë, si në aspektin e ruajtjes dhe të kultivimit të tolerancës fetare, ashtu dhe në aspektin e çështjes kombëtare shqiptare[…]”.

Atyre që u intereson të njihen me veprimtarinë e një numri të madh të personaliteteve të shquara shqiptare nga gjiri i teologëve, ju sugjeroj të lexojnë veprën e Faton Mehmetajt, të titulluar “Prijës fetarë dhe shpirtërorë shqiptarë – Bashkëjetesa ndërfetare dhe kontributi i tyre kombëtar”. Ndërsa, kur bëhet fjalë për bashkëpunimin e një numri teologësh me shërbimet sekrete jugosllave, unë nuk kam asnjë paragjykim për asnjë teolog shqiptar. Kam bindjen se shumica dërmuese e teologëve shqiptarë nuk kanë bashkëpunuar me këto shërbime sekrete.

Qëndrimet e mia janë kundër atyre teologëve myslimanë shqiptarë me shpirt shkau, që kishin hyrë në shërbim të shërbimeve sekrete jugosllave. Janë ajo kategori e njerëzve të ulët, që, siç pohon vetë spiuni i UDB-së, Sulejman Rexhepi, me ndihmën e “marksistë-leninistëve jugosllavë ishin shndërruar në ekspertë për tredhjen e shqiptarëve nëpër stacione policore, ndërkohë që ua mbanin bolet në duar udbashëve”.

Përveç atyre që dëshirojnë të manipulojnë me të vërtetën, në shkrimet e mia nuk mund të ketë asnjë përgjithësim. Madje, në mënyrë të qartë, thuhet se nuk kam paragjykime as ndaj teologëve që polemizojnë me mua.

  1. Kur më kërkohet të jem konkret se kush ka punuar kundër interesave kombëtarë shqiptar, nuk duhet habitur kur gjërat thuhen konkretisht. Në dallim nga Muhamed Kajolli, i cili mendon se kjo çështje duhet të dalë në dritë “pasi të jetë bërë një marrëveshje mbarëkombëtare për hapjen e dosjeve”, qëndrimi im është diametralisht i kundërt. Ndriçimi i dëmeve që është duke na u bërë si komb nuk është “aventurë”, siç e cilëson ai, por sensibilizim i opinionit publik kombëtar për rreziqet që na kanosen.
  2. Muhamed Kajollit i dhemb, sepse në shkrimin tim të titulluar “Kush janë teologët dhe historianët shqiptarë në shërbim të propagandës serbe”, kam përmendur edhe emrin e tij. Në “leksionin e dytë”, që dëshiron të më mbajë, Muhamed Kajolli shkruan: “Më ke futur në mesin e atyre që bëjnë propagandë serbe. Është e drejta yte të mendoni çfarë të dëshironi. Njeriu mund të bën me, ose pa dashje propagandë që i shkon në dobi të armikut, mirëpo mua, mendoj se më ke futur në mesin e tyre me të pa drejtë. Unë kam debatuar me ty për një të vërtetë shkencore, për të cilën të kam thënë se emri shqiptar është i vonshëm dhe vjen nga koha kur banorët e Ilirisë (fise të ndryshme), shqiptarë janë quajtur vetëm atëherë kur kanë filluar të bëhen muslimanë….pastaj, kam debatuar për Kudsin-Jerusalemin, mirëpo, prej teje ende nuk kam marrë përgjigje shkencore duke më injoruar dhe duke më quajtur i ashtuquajturi ….”.

Muhamed Kajollin nuk e ftova në debat. Ai hyri “pa pyetur” askënd, dhe, siç përdoret një shprehje popullore në Kosovë, “hyri në mal pa sakicë”. Në kontekst të polemikës ku zhvishen ata teologë, të cilët  propagandojnë tezat serbe, se gjoja “në Kosovë nuk ka pasur shqiptarë para ardhjes së Perandorisë Osmane dhe kinse me ndihmën e kësaj perandorie shqiptarët pushtuan Kosovën”, Muhamed Kajolli futi shprehjen më të neveritshme të mundshme që kufizon procesin e identifikimit të emrit “shqiptar” me ardhjen e Perandorisë Osmane dhe ruan si ekskluzivitet këtë emër vetëm për shqiptarët e besimit islam!!! Çfarë qëllimi kishte futja e shprehjes se gjoja “shqiptarët muslimanë e invaduan (PUSHTUAN) Kosovën kur u bënë shumicë në raport shqipfolësit ortodoksë dhe katolikë” në kuadër të polemikës për Jerusalemin /Kudsin?  Me vetëdijen apo pa vetëdijen e Muhamed Kajollit, kjo shprehje e neveritshme hyn në funksion të mbështetjes së tezën serbe, se gjoja “Perandoria Osmane i krijoi shqiptarët”. Nuk e futa unë në kuadër të atyre “që bëjnë propagandë që shkon në dobi të armikut”. Fatkeqësisht, Muhamed Kajolli hyri vetë! Them fatkeqësisht, për arsye se nga familja Kajolli ka edhe dëshmor, që ka rënë për lirinë e atdheut. Vetëm për hir të respektit ndaj gjakut të derdhur, nuk do të më kishte shkuar ndër mend ta fus “në kallëpin dhe vendin që nuk i takon”, sikur të mos e kishte futur vetë veten! Por, kur dikush futet në këtë lojë, qofte me vetëdije, qoftë pa vetëdije, logjika argumentum ad misericordiam nuk vlen!

 

  1. Muhamed Kajolli shtroi edhe çështjen e kërkimit të faljes në raportet publike dhe “mungesën e kulturës shqiptare”, ngase ai “nuk paska takuar shqiptarë që kërkojnë falje”! Nëse e ka futur veten pa vetëdije në atë “kallëp”, atëherë do të duhej të kërkonte falje për shërbimin që i ka bërë përhapjes së tezave antishqiptare. Në të kundërtën, ai dëshmon se është nga ata njerëz, që nuk kërkon falje edhe kur e sheh se është gabim!
  2. Ata më trajtuan me të gjitha stigmatizimet e mundshme dhe unë solla prova të kundërta me pohimet tyre. Po marr si shembull vetëm akuzën për “anti-islam”. Unë solla dëshmi se njëzet vjet para polemikës sonë, kam ngritur zërin kundër dhunës dhe çdo forme të diskriminimit të shqiptarëve, duke përfshirë edhe diskriminimin fetar si kategori që dënohet edhe me konventat ndërkombëtare. Kam ngritur zërin kundër sajesës serbe, për të njollosur shqiptarët si “fondamentalistë islamikë”; kam ngritur zërin kundër rrënimit të objekteve fetare të besimit islam; kam hedhur poshtë propagandën për gjoja ekzistimin e “radikalizmit fetar islamik shqiptar” dhe kam dëshmuar me argumente se në Maqedoni dhe në Serbi, ekstremizmi politik dhe fondamentalizmi ortodoks janë rrezik për paqen dhe stabilitetin në rajon e më gjerë. Edhe pse provat janë të pakontestueshme, askush prej tyre nuk kërkoi falje për shpifjet që kanë bërë.

Është e vërtetë e plotë se edhe këtë aspekt e kam parë me “ngjyrat kuq e zi” e jo “zi e bardhë”. Kam protestuar kundër dhunës dhe diskriminimit, që është bërë ndaj shqiptarëve katolikë dhe objekteve të kultit katolik, siç kam protestuar edhe kundër dhunës ndaj shqiptarëve ortodoksë dhe përvetësimit të kishave ortodokse shqiptare. Më gjeni një rast ku Muhamed Kajolli të ketë ngritur zërin e protestës ndaj diskriminimit të shqiptarëve të krishterë! Apo ende është në fuqi tipologjia e sajuar se gjoja emri “shqiptar” vlen vetëm për ata pjesëtarë të fiseve ilire që janë islamizuar?

 

  1. Në fund po ndalem te divergjencat që lindën rreth çështjes së Jerusalemit/Kudsit, sepse ai pretendon se “nuk ka marrë përgjigje shkencore nga ana ime”.

Nëse për Muhamed Kajollin nuk është argument shkencor fakti se historia e Jerusalemit nuk fillon në shekullin VII, kur ky qytet u pushtua nga arabët, fajin  le ta kërkojë te vetja e vet. Në reagimin e parë përmenda se të gjitha të dhënat shkencore dëshmojnë për faktin se, që nga shekulli XIV para erës sonë, kur përmendet për herë të parë Urushalemi (emër i vjetër i Jerusalemit), në letërkëmbimin e Faraonit egjiptian Akhenaton me mbretin e këtij vendbanimi, e deri në shekullin VII të erës sonë, kur u pushtua nga arabët kanë kaluar mbi njëzet shekuj histori të mbushur plot e përplot me  tragjedi. Çështja është se si interpretohet historia.

Nëse ndonjë historian i periudhës antike të Lindjes së Mesme do të lexonte kronologjinë e paraqitur nga Muhamed Kajolli, që pretendon “të më mbajë leksione historie”, jam i sigurt se do të neveritej nga ajo se çfarë u pjell mendja disa teologë. Nuk u ndala në të gjitha budallallëqet që përfshihen në reagimin e tij. Shkoqita vetëm një segment. Në disa rreshta kronologji ku përshkruhet periudha mbi 1100-vjeçare, edhe Muhamed Kajolli përmend sundimin dhe robërinë që përjetuan hebrenjtë nga babilonasit, helenët, romakët…Për të ardhur në shekullin e VII të erës sonë, në vitin 636, kur sipas tij “myslimanët e çliruan Palestinën gjatë sundimit të Kalifit Umer ibn el-Khatab dhe se që nga ajo kohë Palestina ka fituar karakterin e saj islam dhe populli i saj ka hyrë në fenë islame në mënyrë masive. Banorët e saj jetuan të kënaqur nën dritën e civilizimit islam deri në ditët e sotme”.

Ajo që për një teolog mysliman pushtimi i Jerusalemit dhe emërimi i tij si “Kuds” konsiderohen si “çlirim”, janë “leksione të historisë” që mund t’i mbajë para xhamatit të xhamive apo nëpër oda, edhe pse nuk e kanë vendin aty. Këto tema trajtohen në simpoziume shkencore apo përmes botimeve të veçanta, hapësira që mundësojnë konfrontime mendimesh të profesionistëve në këtë fushë.  Në shkencë pushtimi i një territori është realitet, që i tejkalon të gjitha bindjet politike dhe religjioze. E jo siç bën Muhamed Kajolli, i cili pretendon se mund të flasë me kompetencë për këto çështje. Matja me kut të dyfishtë është rezultat i interpretimit të fakteve shoqërore nga këndvështrimi ideologjik.  Për periudhën historike 1100-vjeçare, para pushtimit të Jerusalemit nga arabët, ai përdor termat “sundim” dhe “robëri”, ndërsa kur pushtohet nga arabët, konsiderohet  “çlirim”! Muhamed Kajollit i vjen keq që tallem me titullin që i ka vënë vetes. Mirëpo unë nuk tallem. Përkundrazi, është ai që tallet me vetveten dhe, fatkeqësisht, nuk e sheh se si e trajton këtë fenomen. Me të njëjtën logjikë të matjes me dy kute, sapo ky qytet bie në duar të krishterëve, Muhamed Kajolli e shpall me trishtim se “kryqtarët PUSHTUAN Kudsin dhe themeluan Mbretërinë e Elias dhe sundimi i tyre zgjati 88 vjet, pra nga viti 1099 deri më 1187 derisa Salahud-din Ejubi e ÇLIROI atë pas betejës së Hittinit”.

Ai që pretendon se qëndrimet e mia janë “të cekëta”, nuk e sheh cektësinë e shkrimit të vet, që megjithatë është shtrënguar të tregojë se arabët kanë ndërruar emrin e Jerusalemit mijëra vjet më vonë. Prandaj, i verbuar nga pikëpamjet religjioze, ai nuk e sheh gabimin logjik kur tërheq paralelizma mes toponimeve Jerusalem/ Kudsi Sherif me Shkup/Skopje.

Sllavët janë popujt, që kanë filluar t’i pushtojnë territoret e iliro-shqiptare nga shekulli VII i erës sonë (në të njëjtin shekullin kur arabët pushtuan Jerusalemin) dhe rrjedhimisht, e kanë gjetur toponimin Shkup para se të vijnë si pushtues. Njësoj siç e gjetën arabët toponimin Jerusalem para se ta pushtoni!

Sikur të mos bënte krahasimet me kontekstin historik të Ballkanit, do të habitesha se si një person me titull të “Doktor i shkencave” pushtimin e një vendi e quan çlirim, vetëm për shkak të bindjeve të veta fetare. Por kur formuloi fjalinë se gjoja “shqiptarët janë pjesëtarë të fiseve ilire që u islamizuan dhe që pushtuan Kosovën e banuar me shqipfolës të krishterë”, atëherë u binda se ky i paska shitur drutë, siç thuhet në Kosovë. Nuk e di nëse mund të formulohet ndonjë fjali më paradoksale! “Shqiptarët u krijuan pas islamizimit”, ndërsa “ortodoksët dhe katolikët ishin shqipfolës”. Ec e merre vesh!

Sa i përket Çështjes së Jerusalemit/Kudsit, historianët dhe arkeologët që kanë bërë hulumtime shkencore për dekada të tëra, kanë ardhur në rezultate diametralisht të kundërta me interpretimet e historisë nga këndvështrimi religjioz. Nuk e shoh me interes për opinionin publik ta ngarkoj debatin me këto çështje. Bibla dhe Kurani nuk janë vepra shkencore, por libra të shenjtë për besimtarët e judaizmit, krishterimit dhe islamit. Nuk e shoh të rëndësishme për opinionin publik shqiptar që t’i përmend të gjitha gabimet që bëni kur u referoheni librave të shenjtë në kontekst të argumenteve historike. Disa aspekte të kësaj çështjeje, që nuk kanë të bëjnë me polemikën që po zhvillojmë, do t’i publikoj vitin e ardhshëm. Ata që do të jenë të interesuar ta lexojnë mënyrën se si i qasem edhe kësaj problematike, do të kenë mundësi t’i shohin dallimet tona. Muhamed Kajolli nuk ka nevojë të kërkojë leje për t’i lexuar. Madje, nëse do të jetë i interesuar, do t’ia dhuroj në shenjë mirënjohjeje për kontributin e familjes Kajolli, që të kënaqet me “cektësinë e njohurive të mia rreth kësaj çështjeje”.

Tani për tani, po e ritheksoj, nga këndvështrimi politik, populli hebre ka të drejtë legjitime të ketë për kryeqytet të vetin Jerusalemin. Flas për “legjitimitetin” si nocion i politologjisë e jo për “legalitetin juridik”. Shndërrimi i Jerusalemit në kryeqytet të shtetit të Izraelit është vendim politik e jo religjioz. Kjo e drejtë politike nuk cenon vlerat religjioze që ka ky qytet për judaizmin, krishterimin dhe islamin. As “çlirimi” e as “pushtimi” nga kushdo qoftë, nuk mund t’ia humbin rëndësinë e madhe që ka Jerusalemi/Kudsi për besimtarët e tri religjioneve.

Shpërndaje artikullin në: