Një zyrtar nga Garda Nacionale në Iowa të SHBA-së i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka anuluar vizitën në këtë shtet me 

arsyen se “ai nuk ka mundur ta marrë vizën”.

Haradinaj pritej të merrte pjesë më 11 janar në një ngjarje të organizuar nga Komandanti i Gardës Nacionale në Iowa, Timothy E. Orr.

“Kryeministri Haradinaj ka qenë i ftuar nga gjenerali Orr në atë ngjarje, mirëpo është për keqardhje që ai nuk ka mundur ta marrë vizën dhe të jetë së bashku me ne”, ka thënë kolonel Greg Hapgood, zëdhënës i gardës së Iowa-s.

“Shpjegimi ka qenë se vizita nuk do të ndodhë tash në këtë kohë dhe nuk kemi marrë më shumë informata shtesë”, ka shtuar ai.

Sipas Hapgood, në vend të Haradinajt pritet të marrë pjesë zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli.

Të dielën është raportuar se Ambasada Amerikane ia ka refuzuar kryeministrit Haradinaj vizën për të udhëtuar në SHBA.

Vetë Haradinaj ka thënë se ende është duke pritur ta marrë vizën.

“Pres edhe për vizë deri kur të ma japin. I besoj Kosovës! I besoj Amerikës! Jam ende në procedurë për vizë”, ka shkruar Haradinaj të dielën në Facebook.

Ky zhvillim pason kritikat e komunitetit ndërkombëtar pas përpjekjeve të ligjëvnësve të Kosovës për të ndryshuar ligjin për Gjykatën e Posaçme për Krime Lufte.

 

Shpërndaje artikullin në: