Konfirmohen dy akuzat për lobimin, Ristani: Është procedurë e nxitur politikisht
Pastrim parash dhe falsifikim dokumentacioni, këto janë dy akuzat që rëndojnë ndaj Arben Ristanit, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, për çështjen e kontratave të lobimit. Në dalje të Prokurorisë së Tiranës, Ristani deklaroi se akuzat ndaj tij janë nxitur dhe organizuar politikisht.
“Së pari nuk u paraqita vullnetarisht, më kërkuan që të paraqitem. E dyta, ajo që mund të t’ju them është se prokuroria në këtë rast ka nisur një procedurë që unë e konfirmoj që është nxitur dhe e organizuar politikisht”, u shpreh ai.
Ish-deputeti i PD-së theksoi se nuk ekziston asnjë dokument që të konfirmojë se është përfshië në marrje apo dhënie financash.
“Unë nuk kam asnjë dokument që të ketë bëjë me marrje apo dhënie financash qoftë brenda vendit apo qoftë jashtë vendit. Nuk kam asnjë bisedë që të ketë bëjë me dhënie apo marrje pagesash. Dhe së treti nuk kam patur asnjë dijeni”, tha Ristani.
Sipas Ristanit, nuk ekziston asnjë provë sepse nuk ka asnjë dokument për përfshirjen e tij në këtë çështje.
Përfaqësuesi i PD lëshoi akuza edhe ndaj Qeverisë së Edi Ramës: “Fundi po i vjen kësaj Qeverie të lidhur me bandat dhe krimit.”
Prokuroria urdhëroi dje shoqërimin e detyruar për zyrtarët e PD-së, pas refuzimit të këtyre të fundit për t’u paraqitur vullnetarisht.
Çështja e pagesave për lobim të kryera nga ana e PD-së u hap në nëntorin e dy viteve të shkuara kur firma amerikane ‘Muzin Capitol Partners’, plotësoi me informacione shtesë deklarimet e saj të detyruara me ligj për Departamentin e Drejtësisë. Sipas deklarimeve të kësaj kompanie, ajo kishte marrë tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017.
Nga deklarimet e firmës Muzin, vetëm ajo prej 25 mijë dollarësh, është pranuar nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha që është paguar nga PD-ja. Dy të tjerat mbetën të paqarta.