KAPJA E SHTETIT NË MAQEDONINË POST KOMUNISTE
SELIM IBRAIMI-INSTITUTI I STUDIMEVE TË SIGURISË DHE ZHVILLIMIT
I .E ardhmja e Maqedonisë po testohet jo vetëm nga faktorë të jashtëm, por kjo po bëhet reale nga vetë maqedonasit të cilët nga mungesa e zhvillimit demokratik po e pengojnë ecjen e Maqedonisë përpara dhe ngritjen e shtetit ligjor e jo dogmatik.
Me këtë kapje të shtetit dhe luftë të brendshme si nga VMRO-ja dhe LSDM-ja, në etapa të ndryshme politike, klasa dogmatike maqedonase i ka penguar edhe qytetarët shqiptarë të Maqedonisë.
Përgjegjësia në një farë shkalle është tek klasa e korruptuar politike shqiptare e cila i ka dëmtuar interesat e votuesve shqiptarë.
Një bllokadë tipike e mungesës së vetëdijes politike europiane tek liderët i mban peng qytetarët dhe në një situatë të brishtë siç është Maqedonia, lë hapësirë për një dinamikë të re në Maqedoni.
Një intervenim ndërkombëtar me plan të qartë, do të ishte më adekuate në drejtim të stabilizimit të situatës dhe hapjes së çështjeve të pazgjidhura të Maqedonisë.
Nëse kryeministri dhe koalicioni i tij do të qeverisë drejtë dhe duke i bërë ndryshimet e domosdoshme, Maqedonia ka gjasa të demokratizohet dhe të transformohet dhe kjo e gjitha jo sipas dëshirës së kryeministrit, por për shkak të vetë rrethanave që janë krijuar në Maqedoni dhe jashtë.
Nëse me një stil bizantin do t’i trajtojë problemet e statusit të shqiptarëve, ashtu siç ndodhi që nga vitet e komunizmit, atëherë kohezioni i kërkuar s’do arrihet. E vetmja zgjidhje për Maqedoninë është ndryshimi i Kushtetutës, pasi të tejkalohet atmosfera e dhunës dhe mosbesimit ndëretnik.
Shteti i dy përkatësive etnike me ndryshimet e duhura kushtetuese, barazimi i gjuhës shqipe me alfabetin latin dhe një seri reformash, janë bazë e shëndoshë për të gjithë në Maqedoni.
Në fakt kjo do ta ndihmonte bashkësinë ndërkombëtare në reduktimin e shpenzimeve financiare dhe ndërhyrjeve diplomatike.
Shqiptarët e Maqedonisë kërkojnë status të barabartë dhe asgjë tjetër. E gjithë kjo do të varet edhe nga partitë politike shqiptare,se sa ato do të jenë të vendosura.
Për shkak të interesave personale dhe karrieriste, çështja mund të zbresë në nivel postesh qeveritare. Pa shqiptarët e barabartë, balanca është e pamundur të vazhdojë më tej.