Ivanov nuk e dekreton Ligjin për përdorimin e gjuhëve
Presidenti i shtetit Gjogji Ivanov nuk e dekretoi Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Ai tha se ky ligj është sjellë pa debat publik, pa prezencën e opozitës dhe pa përfshirjen e ekspertëve dhe akademikëve. Ivanov vazhdon të mbaj qëndrimin se ky ligj është anti-kushtetues dhe se është sjellë për përfitimin e poenëve politik nga partitë në pushtet. Ivanov gjithashtu potencoi se vënia e flamurit të BE-së mbi Ligjin për gjuhët ka qenë keqpërdorim pasi që të njëjtën gjë nuk e ka kërkuar Brukseli zyrtarë. Presidenti druan se me sjelljen e këtij ligji do të bllokohen shume institucione gjë e cila do të hapte çështjen e ridefinimit kushtetues. Ivanov madje tha se Ligji për përdorimin e gjuhëve rrezikon unitarizmin, sovranitetin dhe integritetit territorial të Republikës së Maqedonisë.
“Ne kemi sjellë ligj të padrejtë dhe diskriminues, ligj që e favorizon vetëm gjuhën shqipe. Për këtë arsye, duke e pasur parasysh qëndrimet e mija rreth mos-përshtatjes së ligjit për përdorimin e gjuhëve me Kushtetutën, por edhe deklarimet e ekspertëve dhe opinionit të gjerë për anti-kushtetutshmërinë e këtij ligji, duke u bazuar në nenin 75 të Kushtetutës së Maqedonisë, sjella vendim që të mos e nënshkruaj dekretin për miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve – deklaroi Gjorgje Ivanov, President i RM-së.”
Në ndërkohë brenda afatit 30 ditorë, Ligji për përdorimin e gjuhëve do kthehet për rishqyrtim në lexim të tretë në Kuvend. Kryetari I Parlamentit Talat Xhaferi ditë më parë deklaroi se mos-dhënia e dekretit nga Ivanov nuk përbën kërcenim përderisa ka vullnet pozitiv nga partitë politike parlamentare, të cilët priten që përsëri ta votojnë ligjin, me çka Ivanov do të jetë i obliguar që ta dekretoj. Ligji më pas do shpallet në Gazetën Zyrtare pas çka edhe do të hyjë në fuqi. Pa prezencën e opozitës, por me 69 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë të përmbajtur, Ligji për përdorimin e gjuhëve mori ditën jeshile në Kuvend më 11 janar.
Besian Leka