Historia e sindromës së Stokholmit
Në gusht 1973, një tentativë e dështuar për të grabitur bankën “Kreditbanken” në Stokholm të Suedisë përfundoi në marrjen peng të 4 nëpunësve.
Pas 6 ditë tratativash të policisë suedeze me pengmarrësit, kriza u zgjidh – por pasoi një sjellje e çuditshme në ditët, javët dhe muajt më pas nga viktimat e këtij akti të rëndomtë terrorist.
Ndërsa mbaheshin të burgosur në një bodrum të bankës, u lidhën shpirtërisht me kriminelët që i mbanin peng, deri në atë pikë sa më pas, përpiqeshin edhe të siguronin ndihmë financiare për të paguar mbrojtjen ligjore të ish-xhelatëve të tyre dhe të dilnin në gjyq për të dëshmuar në favor të kusarëve.
Psikologët që e studiuan këtë sjellje e quajtën “sindroma e Stokholmit”.
U vu re se kjo sindromë ndeshej rëndom në situata pengmarrjeje, por edhe në situata të tjera ku njëra palë mund të ushtronte lirisht dhunë ekstreme ndaj palës tjetër: në burgje e kampe përqendrimi, në marrëdhëniet midis shfrytëzuesve dhe prostitutave, ose edhe në familje ku burri keqtrajtonte gruan ose fëmijët.