Grupet e vjetra TNT, 403 rikthejnë rokun në Mitrovicë
Performancat nga TNT, Grupi 403 dhe Armadillo kanë qenë vetëm një pjesë e mbrëmjes muzikore “Jam Session”, i organizuar në “7 Arte” në Mitrovicë.
Mbi 20 instrumentistë e solistë performuan këngë e pjesë instrumentale të njohura nga skena e rokut në qytetin që njihet pikërisht për këtë zhanër muzikor.
“Qendra e qytetit të Mitrovicës mbrëmë vibronte nga ritmet e zjarrta dhe shpërthyese të tupanëve e kitareve elektrike. Ndërtesa e ish-Bankos, me një arkitekturë brutaliste, sikur mirëpriste zërat e fuqishëm të solistëve që këndonin me plot passion”, thuhet në njoftimin e organizatës.
Përveç emrave të dëshmuar, skena mirëpriti edhe talentë të rinj.
“Natës i dhanë shpresë edhe talentet e rinj të dalë nga Mitrovica Rock School, të cilët në shoqërimin e mentorëve të tyre të dikurshëm shpalosën një valë të re shpreseje dhe pranuan përkrahjeje të vazhdueshme nga të pranishmit. Kjo ngjarje e veçantë, rimbledhi dhe rikujtoi gjeneratat e para dhe pasluftës, që rokun e kishin mjetin më të lehtë shprehës për të komunikuar e shpalosur emocionet e mesazhet e tyre”, njofton “7 Arte”.